MR.VAXHID SEJDIU: PËR ҪKA KANË NEVOJË SHQIPTARËT NË IRJM?!…

(Zürich, 18. 05. 2012) – …Shqiptarët në IRJM nuk kanë nevojë për luftë sepse luftën e kanë fituar në vitin 2001 nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, shqiptarët nuk kanë nevojë që të zihen në mes veti sepse kanë shumë halle dhe probleme me ligjet në fuqi, shqiptarët kanë nevojë për t`u bashkuar, që të flasin me një zë, për të realizuar idealin e dëshmorëve të kombit, për të fituar lirinë…
Shqiptarët nuk kanë nevojë që të mbështeten në partitë politike shqiptare sepse historikisht ato nuk i kanë kryer detyrat e shtëpisë, shqiptarët nuk kanë nevojë të shkojnë pas premtimeve të liderëve politikë, të cilat premtime i përsërisin që 20-vjet rresht, shqiptarët nuk kanë nevojë të grinden, të shahen, të ofendohen në mes veti, shqiptarët nuk kanë nevojë të ndahen në grupe të interesit, shqiptarët nuk kanë nevojë të besojnë në institucionet të cilat i injorojnë dhe i etiketojnë në forma dhe mënyra të ndryshme, shqiptarët nuk kanë nevojë të besojnë në ata të cilët i kanë mashtruar me dekada, shqiptarët nuk kanë nevojë të përjargen pas posteve politike në IRJM, shqiptarët nuk kanë nevojë të shpresojnë në ëndrra të parealizuara, shqiptarët nuk kanë nevojë të besojnë se mund të fitojnë lirinë në thundrën e diktaturës “demokratike”, shqiptarët nuk kanë nevojë të besojnë ne institucionet të cilat mohojnë gjuhën dhe simbolet kombëtare, shqiptarët nuk kanë nevojë të besojnë në mashtrimet politike, shqiptarët nuk kanë nevojë të besojnë në drejtësinë e proceseve të montuara politike, shqiptarët nuk kanë nevojë t`iu besojnë enciklopedive antishqiptare, shqiptarët nuk kanë nevojë të besojnë tek ata të cilët kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët, shqiptarët nuk kanë nevojë të lëndojnë njëri-tjetrin para ndërkombëtarëve, shqiptarët nuk kanë nevojë të besojnë tek ata të cilët përvetësojnë hisen tonë, shqiptarët nuk kanë nevojë të besojnë…… shqiptarët…..

BASHKIMI BËN FUQINË! …SHQIPTAR BASHKOHU!

__________________________________

Por shqiptarët kanë nevojë që të bëhen bashkë dhe të flasin me një zë, ata kanë nevojë që të dëshmojnë urtësi dhe mençuri, ata kanë nevojë të protestojnë kundër ligjeve diskriminuese, kundër padrejtësive, dhunës dhe projekteve antishqiptare, të protestojnë së bashku dhe si gjithmonë vetëm me flamurin kuq e zi, me flamurin kombëtar në ballë, ata kanë nevojë të bashkëbisedojnë në mes veti dhe të bëjnë një agjendë të përbashkët politike, ata kanë nevojë t`i flakin partitë politike dhe të formojnë një Këshill Kombëtar, të jenë të bashkuar rreth vendimmarrjeve në shërbim të popullit, të luftojnë kundër padrejtësive shekullore sepse edhe shtetet fqinje edhe bashkësia ndërkombëtare i dinë fare mirë padrejtësitë ndaj shqiptarëve.
Ata kanë nevojë për shumë gjëra por këto që i përmenda më lartë janë urgjente sepse popullit iu është ndalur frymëmarrja. Ai në këtë gjendje të rëndë politike dhe nën këtë ambient të kontaminuar nuk mund të marrë fryme lirshëm, dhe është në pyetje jeta, ekzistenca. Prandaj duhet reaguar, por si zakonisht bashkë dhe vetëm bashkë, ai i cili ndahet nga kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar nuk mund të quhet shqiptar. Shqiptarët nuk kërkojnë më tepër se ajo që i takon në bazë të kushtetutave demokratike, shihni kushtetutat e shteteve perëndimore: SHBA, Zvicrës, Gjermanisë, Suedisë, Belgjikës etj,… etj.
Dhe si zakonisht duhet protestuar sepse Qeveria e Shkupit në bazë të fakteve në të kaluarën, ajo nuk dëgjon për kërkesat e shqiptarëve, duhet protestuar por gjithmonë bashkë dhe vetëm nën hijen e flamurit kombëtar. Me shekuj atdhetarët flamurin kombëtar e kanë ruajtur dhe e kanë ngritur, mbajtur lartë e më lartë, kurse poetët dhe këngëtarët popullor janë mundur të thurin vargjet dhe këngët më të mira për të, sepse është flamuri i përpjekjeve shekullore, sepse është flamuri që ka mbajtur gjallë shpirtin e idealistëve dhe veprimtarëve më të mirë të kombit, është flamuri me të cilin në fushë betejë kanë rënë dëshmorët e kombit. Flamuri kuq e zi është flamuri i identitetit dhe dinjitetit kombëtar. Nuk ka asgjë në botë që mund të zëvendësojë për shqiptarët flamurin e kuq e zi. Doktrinat cilat do qofshin ato nuk mund të zbehin pamjen dhe historinë e flamurit kombëtar. Më kotë janë munduar individë me tru të shpërlarë, njerëz të inicuar nga grupe të ndryshme politike dhe ideologjike, më kot janë munduar grupe njerëzish, të ndryshojnë pamjen e flamurit kombëtar, apo ta zhbëjnë nga faqja e dheut. Historikisht është dëshmuar se një gjë e tillë ka dështuar, edhe në kohën e ish- Jugosllavisë arnat që ia vënë flamurit shqiptar dështuan, ata arna kanë mbetur në trupin e skortës politike por jo në trupin e popullit shqiptar, sepse flamuri kombëtar identifikon përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe bashkim kombëtar.
Shqiptarët kanë nevojë të flasin me një zë, të hanë me një lugë, të jetojnë padallime, ta duan njëri tjetrin dhe të veprojnë së bashku për ta kaluar këtë katrahurë politike. Kjo luftë përçarëse që është mbjellë nga politikat e kohës, shqiptarëve nuk iu bënë nder, shqiptarët nuk mund ta shohin kurrë drejtësinë dhe lirinë me sy, sepse janë në shërbim të të tjerëve, të huajve, të atyre, të cilët shqiptarët i përdorin si masha, kur iu duan i marrin, dhe kur iu duan i lëshojnë. Fatkeqësisht është një numër i konsiderueshëm i njerëzve të politikës, të cilët për interesat e tyre personale dhe grupore janë shndërruar në masha, në masha të së keqes njerëzore dhe si të tillë për popullin shqiptar janë të dëmshëm dhe të panevojshëm.
Pra, shqiptarët në IRJM nuk kanë nevojë për luftë, sepse luftën e kanë fituar në vitin 2001 nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, shqiptarët nuk kanë nevojë që të zihen në mes veti sepse kanë shumë halle dhe probleme me ligjet në fuqi, shqiptarët kanë nevojë për t`u bashkuar, shqiptarët kanë nevojë që të flasin me një zë para ndërkombëtarëve dhe të thonë të vërtetën për diskriminimin politik të shqiptarëve në të gjitha fushat, sepse kështu mund të realizojnë idealin e dëshmorëve të kombit, për të fituar lirinë, në të kundërtën ata kurrë nuk mund ta shohin lirinë, kurrë nuk mund të jetojnë si në Evropën demokratike, të lirë në vendin e tyre.
Prandaj bashkohuni për të ardhmen e fëmijëve tuaj, në të mirën e popullit shqiptar, i cili historikisht hoqi të zitë e ullirit në thundrën e diskriminimit politik në IRJM.
Shoqata Atdhetare “Liria Kombëtare” – Zvicër, Mr. Vaxhid Sejdiu – kryetar
Zürich, 18 Maj 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura