Vlorë, 21 korrik 2020: Një atdhetar i çmuar nga Himara jonë, [poet dhe pedagog historie] docent Odise Çaçi po i flet kohës me zërin e gjakut e të shpirtit …
Që nga data 30 shtator 2009 deri më sot e në vijim, çdo mëngjes unë përshëndetem, sa hap Bibliotekën e Universitetit ku punoj, me librin “Kënga ime je Palasë”, sepse e kam në tavolinën time të punës si libër të veçantë. Edhe kur mbyll orarin zyrtar, i them mirupafshim nesër “Këngës”, së Odisesë, sepse më freskon gjakun kombëtar dhe frymën e dashurisë për vendlindjen. Odiseja, në librin e dhuruar më ka lënë një autograf të çmuar: “Mikut dhe shokut tim, Albert Abazi [Habazaj], besnik nga Tërbaçi i traditave e Lavdisë! Njeriut që ndezi shkëndijat tek unë për rrugën e poezisë!”. Me respekt Odise Çaçi (Firma). Libri blihet e shitet. Autografi kushton shumë, ai as blihet, as shitet dot. Faleminderit, Odise, miku im i vjetër me vlera të larta! Mua më kanë dhuruar shumë libra, miqtë e mi që shkruajnë. Edhe unë, po ashtu kam dhuruar librat e mia miqve të mirë. Libri yt, i dashur vëlla Odise, më ka lënë mbresa të pashlyeshme, që me leximin e parë, atë ditë të mërkurë të 30 shtatorit, që më fale librin tënd, e çdo herë që e rilexoj, e studioj me dëshirë.
Miqësisht në respekt të penës tënde, në adhurim të shpirtit tënd të zjarrtë, që më ngjan me një pishë të ndezur për Atdhe e Kulturë, po të lë me shkrim mendimet e mia për poezitë e librit “Kënga ime je Palasë”, i strukturuar poetikisht me 5 cikle.
Cikli i parë hapet me vjershën “Palasa ime je”, ku ndjej menjëherë sa lexoj këtë vjershë: histori, atdhetari, ndjenjë. Veçoj vargjet “Mali këngë dhe re, /shaluar mbi vitet”, thjesht natyrshëm, figurat stilistike bien në këtë strofë si ato qershitë e pjekura. Më pëlqen strofa: “Vitesh ndër tabore, /Me armiq të pa fe,/ Detit dallgë eri,/ Malit shqotë e re”/. Ndihet nervi poetik, që pulson me ndjenjën kombëtare. Te strofa VI evidentohet se amaneti bëhet këngë e kënga simbol e simboli është flamuri, prandaj ti këndon me të vërtetë si bir i Palasës, Himarës, Labërisë, Vlorës e Shqipërisë: “Për nderin e kësaj toke,/ Flamuri kullon gjak”.
Nga kënga e dytë “I dehur prej bukurisë”, më mbetën në mendje vargje te tilla kuptimplote si “Rrapi i Palasës”, “motak me Skënderbenë”. Paralelja e hequr historikisht nëpërmjet vargjeve është e qartë. Këtu jemi Shqipëri, Himarë, jemi arbër me rrënjë, sepse siç shkruan më tej “Bilbilenjtë”, Miro Tërbaçi, /Ti i mbaje për pushim,/ Rrënjët e tua, thellë shekuj,/ I thanë damarët tradhëtisë”. Dhe ai, Rrapi Legjendar i Palasës u mbetet brezave “një fragment historie”. Personalisht të jam dy herë mirënjohës, si tërbaçiot, që ti vlerëson Miro Tërbaçin, bijën trime të fshatit tim dhe Bilbilenjtë, të cilëve të parët e mi u dhanë besën, i strehuan dhe sakrifikuan veten e tyre, por edhe kreshnikët e Labërisë ua shlyen nderin me jetë.
Te vjersha “Gdhendur në legjendë”, kushtuar Ali Pashë Tepelenës, ndjej në tërësi të ndezur atë zjarrin epik me vargje të goditura si “trim Ali Pasha,/ flakë e vetetimës”. E bukur është dhe strofa e dytë, e shtata, apo vargje si “vitet qysh të rrudhën,/ thinjat të mbuluan”, apo “si vetëtimë trimi”, ku autori portretizon këtë figurë interesante e komplekse të historisë së pashallëqeve shqiptare të viteve 1787-1810, siç ishte Ali Tepelena. Strofa e tretë mund të ishte ndërtuar dhe kështu: “Mbi kalë më kujton,/ Gjergjin tonë, kolosin,/ Tutje horizontit,/ Aleksandër Mollosin” Te vjersha “E bukura gjuhë”, në strofën e dytë “Po ç`e do që ftesa,/ e shkruar greqisht,/ seç ma prishi mëndjen,/ seç u ndjeva ligsht” shfaqet i shqetësuar shqiptari i pastër. Në dy vargjet që vijojnë “Vallë si humbën fjalët,/ fjalët pellazgjike”, ndjejmë dhembjen kushtruese të autorit. Është dhimbje e apel për të gjithë ne. Dhe shpresa kurorëzohet me dy vargjet finale: “Shqipja-gjuhë e zemrës,/ krahët i bën flatra”, për fluturimin e kthjellët të kulturës sonë qytetare. Është po aty shumë simbolike fotografia e autorit me akademikun Shaban Demiraj, vlonjatin që mbjell Lule Shqipe.
Te vjersha “Pashka në Palasë”, sidomos tek vjersha e dytë, vargjet 5-8 dhe vargjet f. 17-18, vërej se, ngaqë merr dhe bekimin e Nolit, autori nuk pajtohet me padrejtësitë e zotërinjve të mëdhenj, që e duan Shqipërinë thelë për të joshur orekset e tyre shovene. Tre vargjet e fundit: “Dhe Pashka do të vijë,/ Prapë një vit më pas,/ Le të na flasë Bibla,/ Shqip me zë të qartë”, vërej besimin qytetar dhe intelektual të autorit, gjë që vjen nga guximi i motivuar i një studiuesi serioz të historisë së lashtë të këtyre trojeve me rrënjë pellazgjike.
Te vjersha të tjetëra si “Shqiponja e këtij vatani” (kushtuar Himarës), dalloj vargje që të lëndojnë frymëmarrjen kombëtare si “Ëndër dhe fjalë, /Ligatë e pa shpresë”, apo “Dil himariot, dil, /dëftoje cili je!”, që të mbushin me një rrebesh burrëror për të treguar integritetin tokësor të Himarës sonë… Mbresa të lënë vargjet: “Kush e helmoi plakun e Kombit…/…Evropa plakë/, si ulkonjë, përpjekur” te vjersha “Evropa Plakë” “Shqiponja në flamur,/ sypafjetur kurdoherë”, te “I pari Flamurtar”, ku autori i drejtohet Evropës “Ta kesh për nder,/ se ne “Ishim mbroje trimërie, për ty në epokën e Kastriotit, se Shqipëria te vjersha “Shtiza e Flamurit”, veçoj strofën e dytë: “Shtiza e Flamurit”, Shtylla e një Kombi,/ Nuk Harrohet lehtë, /Ai që e mbolli”. Me vargje të thjeshta ngre në madhështi kujtesën popullore dhe adhurimin për simbolet kombëtare si Flamuri dhe Ismail Qemali.
Vjersha “Komisar” (atyre që ju përkushtuan Shqipërisë), e shkruar sipas frymës së stilit Nolian, është ë vërtetë, e dhembshur, me pathos e nderim të merituar, për ata që dritëruan si komisarë të Lirisë, jo për ata që abuzuan e donin ta shuanin Lirinë. Spikasin vargjet “Baltë u hodh përmbi ty,/ Kur mbi terrin mbetet dritë/…Komisar, ku je pse s`dukesh…/As po epesh, as po zhdukesh”, në këtë kohë të tallazitur, ku hipokritët zhgërryejnë idealin e paster, por autori e mbyll vjershën me strofën domethënëse: “Po u zbardh pendë e korbit,/ Do zbardhet e kuqja e Flamurit, / Aq do e humbë komisari,/ Është vlerë e një burri”.
Te vjersha “Lapidari”, fiksoj kaq: Autori e cilëson lapidarian “Kujtesë e Kombit”, Histori e gjallë. Kaq vlen. Të tjerat janë mbushje. Ka dhe vargje të lehta…
Tek Vjersha “Populli” më bën përshtypje se shikoj poezi moderne me palcë dashurie për historinë e kombeve te globit. “Shtëpitë krah për krah,/ Zemra të ngrira… Përse kjo ngrirje?… Jep mesazhin e dashurisë njerëzore e respetit reciprok. Dhe kujton klithmërisht me qytetarin: “Popuj, /Ruajuni nga Antarktida!”.
Te poezia “Jeta”, veçoj vargjet: “Në këtë planet të vjetër,/ shkoj e vij si refugjat,/ Jeta është prostitutë,/ herë të puth e herë të shan”, apo konkluzimi jetësor: “Kur të ikën buzëqeshja,/ Nuk ka më kuptim jeta”/. Te “Jeta” vërej një koncept të pasur filozofiko – ndjesor, ose më saktë koncentrat në vargje që merr trajtën e një monumenti të trishtuar.
Në çdo poezi të librit, që më dhuroi Odiseja, kam bërë shënimet e mia, me shumë dashamirësi, siç i vlerësoj unë, si për Albertin, jo për Odisenë. Kjo nga që e çmoj kulturën e tij, njohuritë serioze për historinë, shpirtin e tij atdhetar, shqetësimin intelektual dhe dashurinë për vendlindjen, që duhet të jetë e para për çdo njeri, aq më tepër, për atë që guxon dhe e përdor (jo shpërdorues) penën.
Te vjersha e shkurtër me tetë vargje “Pashka dhe 5 maji shqiptar”. “5 maji/, Martir/ Edhe Pashkë/ Dy pika gjaku/ Plazmë e historisë/ Lot/ Edhe lule/ Në gji të Kombit/… ka ritëm, art, atdhe konkret. Kam lënë këtë shënim: Bukur!Kjo është poezia dinjitoze!
Te “5 Maj 2002” ndihet ndjenja reale, lëndore e respektit për ata që u flijuan për Ne dhe i kemi në Panteon. “Heshtur rrinë ata/ Po dheu gjëmon/ atje ku mermeri i skalitur/ Me yllin e kuq/ Rrëshqet, rrëshqet…/Pret një lulekuq”!?
Edhe te poezia tjetër “Lapidari”, spikasin dy vargjet e para të ndërtuara sipas motiveve popullore “Në lëndinat ngritur,/ Krenaria e Kohës”. Ka dhe shumë vargje të tjera, të thjeshta, pa shumë lëng figurativ, por libri shquan për mushtin shqiptarisht të ëmbël, të dashur, që të jep edukim atdhetar. Vjershën “Shkodra” do ta quaja Kamerë në Vargje, për Shkodër Loken me emër.
Te “Pisha Flamur”, kam shënuar: “Duke qenë historian, autori në vargje u mëson brezave, por edhe njerëzve sot historinë e këtyre trevave, i njeh personalitetet që kanë vepruar dhe për të cilët dëshmitare ka qënë “Pisha Flamur”. Me këto 18 vjersha plotëson autori Ciklin e parë të librit me nëntitullin e brendshëm: “E kaluara: Gjak vetëtime, Këngë zemre”.
Ciklin e dytë: “Këngët e vendlindjes” autori e nis me vargjet: “Gjaku e shpirti i një populli,/ Qëndron tek dheu Amë…”.Tamam një fjalë e urtë. Në këtë cikël nis Kënga e Parë: “Mbi shpinë të shekujve”. E shkurtër në vargje, vetëm tetë, e gjatë në mendim. Në vargjet: “Mbi shpinë të shekujve…/ Nëpër zë të erës…/ Këmbët thellë në Jon”, duket art i kthjellët dhe gdhëndje mendimtari e fjalës së shkruar, qartësisht, e daltuar me guxim nga autori. Më tej vazhdojnë disa poezi të lehta, që më tepër janë përpjekje morale të edukimit atdhetar për brezat që të mos e harrojnë historinë dhe të kenë gjithmonë mall për vendlindjen. Nostalgjia e autorit shfaqet e brendshme e burimore për vendlindjen e tij, kur zë e kujton vendet e toponimet, sepse përmbi zonjën Palasë janë majat që mbledhin perënditë , sepse “Në këmbë të Shën Jorgjit,/ shtrihet Shën Ilia,/ Me mjekër të bardhë,/ Yll nga perëndia”. Me këto vargje autori injekton dhe tek ne respektin për Palasën, krijojmë, apo plotësojmë një imazh adhurimi për këtë vend ku “Fshati i bukur në bregore,/ me bregdetin kuvendon/”, që fuqi i jep trimit, që burim i jep mirësisë, ndaj e quan autori vendlindjen e tij sot me të drejtë: “Palasë, dritë e syrit”. Kurbeti, plaga e hapur, si kudo ndihet dhe në Palasë ndaj “Nëna vështron nga deti,/ Me dallgët nis kuvendimin”, sepse kanë ikur, si gjithë shqiptarët, refugjatë në vende të tjera, deri në Australi e Kanada si “Zogj shtegtarë në shqotë”, jo vetëm palasikotët, por gjithe shqiptarët duhet të kthehen e të kontribuojnë këtu, të ndihen në vendin e tyre mirë e të dobishëm. Nëse dikur i degdiste jatagani osman dhe pas 1830-ës dhe ai grek, po sot? Varfëria???!!! Vendi ynë është me resurse të begata. Truri i Kombit, gjaku i Kombit e ka këtu vlerën, mbi rrënjën e ullirit, mbi këtë dhè të lashtë, të bollshëm për të bërë një jetë normale dhe për të realizuar zhvillimin dhe përparimin. Ky është dhe mesazhi që përçon autori, jo vetëm për lexuesin e librit, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë sot… Një vjershë është ribotuar në libër (ajo “I dehur prej bukurisë), ndoshta gabim nga pakujdesia e shtypshkronjës, po a e dini që më pëlqeu ribotimi i saj, se duket sikur autori me shpirt këmbëngul “Krenohemi me historinë tonë”. Ta çojmë përpara në kohët e sotme me këtë krenari, të mos rrënohet, se është thesari ynë.
Te “Gjeneralët e Palasës”, autori u thur himn atyre kapedanëve me pallë, si Zaho Jorgji, Zhani Palasikoti, Ilia Leka, Damian Palasikoti, Aleks Brana, Jovan LLongo, Mëhill Naçi etj, “ushqyer me qumësht mali”, sepse në kohën që ata bënë “Në Shën Dhimitër fëmijët,/ Lodronin me perëndinë”, sepse dhe kur i goditi shigjeta e armikut, me gjakun që u ndizte në gjoks lanë amanetin: “Ruani Shën Sofinë e artë!” se është Nderi i Kombit tonë. Po në këtë vjershë ndjej dhembjen e përçudnimit të besimit fetar, që ishim të krishterë dhe perandorët turkoshakë na mballosën myslimanizmin, që s`ka të bëjë me rrënjët tona, me origjinën tonë. “Kjo Palasa, fshat i rrallë,/ Nxori goxha gjeneralë…/ Sot varka e hedhur në det,/ një vapor po tërheq”. Këto vargje nuk duan komente të tepërta.
Cikli i tretë nis me këto vargje të vetë autorit: “Plagë kurbeti”, “Shpresë e këngë/, Palasa u thërret”… Është tashmë i ravijëzuar meraku, shqetësimi dhe mendimi i autorit që bijtë të kthehen te Nëna dhe për këtë që te meditimi “Lisi shekullor”, kujton hijeshinë e vendit ku “Zogjtë cicëronin, /Si zogjtë fëmijët”… ku “në ujrat e Jonit, /presin perënditë”. Odiseja ka një adhurim hyjnor, gati mitologjik për vendlindjen, për gurët e Krecit, për fshatin e braktisur; u thotë vëllezërve shqiptarë te “Balta mëmëdhetare”, me qortim ruhuni nga buzëqeshjet cinike, se të ngulin thikën, siç kanë bërë, hiqini syzet e errëta ndaj Shqipërisë se e kemi “motër, mëmë e babë”, o të shkretë.!
Te “Penëartët për Shqipërinë” autori merr si model referimi Çajupin, Naimin, Migjenin, Nolin, Dritëroin, Aleks Çaçin, Petro Markon, Jakov Xoxën, si edhe plakun Balë e Nik Petën, jo thjesht për nostalgji ndaj vendit “ku shqiptari u flet qiejve”, por që ta duam si sytë e ballit këtë vend, sepse Kalorësi i Lirisë Petro Marko “me thonj do i mbyste/ ata që zhdukën ullinjtë”, sepse “jemi Himariotë shqiptarë!”.
Klithma atdhetare e autorit si një Mëmë e drobitur arrin kulmin me vargjet: “Ku veni o trima, o djema,/ Një komb mori arratinë!”… Nuk dua ta kujtoj strofën e fundit të kësaj vjershe, kur “Shqipen e zuri sikleti”, sepse ndjen një trishtim fatal, realitet të hidhur.
Te vjersha “Brengë refugjati”, f. 69, kam lënë këtë shënim: Fan Noli ynë i vogël…. Si ritëm, si motiv në trajtën e kohës që jetojmë, pra në këtë vjershë unë ndjej një gërshetim në minaturë të shpirtit të gurrës popullore me një eshtër të Fan Nolit! Kam sugjerimin që vargu I strofës I “Pa shpresë, i venitur”, për efekte të rimës, apo më saktë të muzikalitetit të rimës metrike mund të bëhej “Pa shpresë e i venitur”, po kështu vargu I, strofa III “Pres me shpresë në udhë” mund të bëhej “Edhe pres me shpresë në udhë”…, apo po në këtë strofë dy vargjet e fundit: “dhe në fund vjen qeraja/ nisi kuja, vjen hataja”… jo thjesht në respekt të Fan Nolit.
Te vjersha “Njeriu flori” kam shënuar: “E mirë si thënie, veçse moralizuese. Ndërsa tek vjersha “Iku Behari”, vlerësoj vargun III dhe IV të strofës II: “Mushkonja mbi krye,/ porsi avion”, shënoj: Ç’thënie! Krahasim i bukur, por i dhëmbshur, se bëhet fjalë për këto troje. Strofa e fundit, e treta është e zakonshme, e rëndomtë, s`ka finale poetike.
Te vjersha “Mall i Nënës”, jam ndalur goxha e kam lënë këto shënime: Të gjithë bijtë e Nënave, qofshin mbretër, presidentë, apo dhe fermerë qofshin, të dinë e të kuptojnë që Nëna është, siç thotë Odise Jorgji Çaçi: “Nëna jonë e shtrënjtë, o jetë”, se është thirrur NËNË ajo, që na ka bërë ne, që na ka nxjerrë nga barku i saj në jetë. “Nënë, o e mira Nënë,/ Mbaje atë pikëz lot”, i shkruan djali Nënës, autori, miku im i vlefshëm dhe unë i them: “Kurajo e vlefshme, Odise, je simbol i durimit, të halleve, që ke kaluar (i kam shkruar në librin e tij shënimet që citoj). “Nënëmira, a kupton”, thotë Odiseja. Po, ky është varg i prekshëm, varg derti, një kuvendim real, i dashur, me shqetësim i nënës, me birin e saj … Në një vjershëz me katër strofa e përmend me dhëmbshuri e mall djali Odiseja, ku tre herë shkruan:
“Nënë jonë, e shtrënjtë, o jetë;
“Nënë, o e mira Nënë;
“Nënë Mira, a kupton…
Vërej tre shkallëzime:
Vlerësim për Nënën, që na krijoi,
Dashurinë dhe respektin, e theksuar dy herë, që Nëna është e mirë, se na bëri ne.
Po ne ç’do të bëjmë?
Koha ka kërkesa, koncepte, ide praktike të reja. Prapë Nëna është mirësia. Nuk e shqetëson poeti Nënën, si fëmijë i thotë: “A më kupton?”… dhe patjetër Nëna do ta kuptojë.
Poezia “Dikush më mungon”, për mua është deklarative, e ngrohtë, e thjeshtë, por tepër njerëzore.
Poezia: “Përse harrove Atdhenë” është prozaike, por sidomos edhe pse nuk ka figura të shumta artistike, strofave: “Ke të drejtë se kanë djersitur,/Baballarët me opinga,/Me pesë kokrra ullinj rronin, /Për t`i mbajtur ato brinja”, do të mbahet mend, se ka të vërtetën e kohës. Te vargjet 3, 4 të strofës III “Shtëpia si kala,/ po thërrmohet dita-ditës”, shkruan autori, duhet të kuptojmë që po gremiset krenaria e brezave, ndaj të mbledhim mendtë e kokës, se prapë na kujton Odiseja jemi “pellazgë” nga Bregu i Jonit… Pa u dukur, autori evindentohet që ka njohuri për historinë në tërësi. Dhe unë nëpër faqet e librit “Palasa, Kënga ime je” futem e ndihem në një botë pellazgjike, të lashtë, të lartë, të gjërë, të thellë, ndjej rrënjët e mia të pa shkulura dot nga tramundanat.
Cikli tjetër “Dashuria për Njeriun” është pjesa më e vyer, e zemrës që nis me vargjet e sinqerta e të vërteta për humanisten fisnike Nermin Vlora Falachi: “Me aromë lirie/ ti u rrite zonjë,/ madhështinë ia ngrite,/ Dheut që rënkon”. Nermini është shëmbëlltyrë e atdhetarisë së kulturuar për ne, ndaj dhe Odiseja e cilëson “Zjarr nga zjarri i dheut”. Ky varg del si një shpërthim nga bërthama ku rrënjëzoi Pema e Qytetërimit që njeh bota njerëzore e ku Nermin shfaq vrullin që e ka pushtuar për fuqinë e dhënë nga të parët e saj.
Te poezia me dy strofa e tetë vargje të Odise Çaçit: “Takim me Ali Podrimjen”, lexoj: “I përkushtuar ai,/ I trishtuar ish,/ përse vallë një re/ përmbi vetull kish?/ Mos rëndonte kombi/ Që ndodhej në lak?!/ Trimit i flet syri,/ Goja ca më pak…” dhe shkruaj në f. 83 për këtë krijim të Odisesë: Kjo është poezia! Ndërkohë kënaqem se ndjej vlerësim konkret për poetin, që është simbol i ekzistencës kombëtare.
Te vjersha e thjeshtë kushtuar piktorit me famë botërore, Ibrahim Kodrës, me origjinë shqiptare dhe me gjurmë në kulturën e re evropiane gjej këto vargje të frymëzuara: “Përkrah Pikasos, /Penelin e shkunde, /Ngjyrat e Ylberit,/ I zbrite, i puthe”, ndërsa tek vjersha e gjatë “Petro Marko”, Vlorë, më 10.5.2008 (Shqiponjë e Bregut të Detit”, kemi horizont, kemi frymëmarrje. “Aty ku flitet shqip,/ Për Damian e Gjergj/ Aty ku fustanella/ Jetonte e qetë”, etj… Jepet në vargje natyrshëm, ajo krenari e qënësishme, ekzistente, e pa bujshme për traditat e trevave tona, e bujshme e vlerësuar për botën tutje, të qytetëruarën. Në vargjet “Shqetësimi yt,/ vështrim shqiponje…” kemi një portret real, jo vetëm artistik për Petro Markon nga autori. Kemi dy blloqe paralele, që lidhen si një bashkim monolit i pathyer. Nga njëra anë, shqetësimi dhe vështrimi, nga ana tjetër Petro Marko dhe Shqiponja. Lexoj vargjet: “Çfarë nuk u tha/ Për malin e Çikës/ Qepallat e saj prisnin stuhitë,/ Malit kërkonin/ T’i hiqnin fuqinë/ Shqiponjës sytë,/ Detit puhinë./ Stuhi mbi stuhi,/ Zgalemi i Jonit/ Qerpiku s`ju drodh/ Petro Himariotit! Dhe shkruaj: Simboli në këto 12 vargje është në lartësi të merituar, që nuk mund të zëvendësohet me vargje të tjera për Petro Markon, po e përsëris edhe një herë, për atë kalorës me krahë të lirisë. Petro Marko është vigan idesh. Këtë e evidenton edhe Odise Çaçi, që dukshëm dallon se është një bërthamë petromarkoiste, sikurse edhe unë e ndjej veten… Në vargjet e thjeshta nga ana artistike, por të mbarsura me çiltërsinë e ajrit që merr nga Çika dhe Joni, shikoj të gjallë portretin e Petro Markos dhe kujtoj vargjet popullore “Ah, kjo gjuha arbërishte,/ Është gjuhë trimërishte.”
Odiseja nuk mburret që është nipi i euroditit shqiptar Aleks Gogo Çaçi, por e respekton që u lind në Palasë dhe për këtë ndihet krenar, tregon se u rrit në Myzeqe ku “Buka e Misrit/ I mbiu në bark/ dhe Beun e kuq/ e shporri nga vetja,/ e donte nga ky komb ta shporte. Te vargjet: “Aleks, baba vëlla e nip/ Bregdeti i Jonit/ Po jep shpirt/ Beton sot, dikur bunker/ Vila pashallarësh/ Pa pronë kanë mbirë/ Në çdo cep të detit Jon/ Vajtojnë ullinjtë me oi…”. Derti i madh autorin e detyron t`i kthehet paraardhësit të tij, Aleks Çaçit, t`i kërkojë mendjen e urtë, të qetë, të qartë, sepse po qaset gjëma, po na prishet ajëri, po na bunkerizohet frymëmarrja, po qajnë ullinjtë, si njerëzit. O Zot! Vargjet e fundit janë thirrje për ullinjtë, për jetën, që po pritet të digjet…
Ky cikël mbyllet me dy lirika të sinqerta: “Aneta” dhe “Një zile telefoni”. Te “Aneta” autori gurgullon romantizmin e shpirtit të tij njerëzor: “E qeshura tek ti zbardh,/ Ti je dielli në shtëpi”/ Ti je Afro në Agim,/ Je rrezja përmbi re”. Të gjitha superlativat që ka thurur autori janë të pranueshme në këtë rast dhe s`kanë nevojë për asnjë përforcim tjetër figurativ, sepse kemi një përfaqësim jetësor të qëndisur artistikisht, siç di Odiseja.
Edhe vjershën kushtuar shokut të tij Luan Sina, po ta shtrydhësh kullon mall sepse “Një zile telefoni/ Oqeanin kaptoi/…Fjalët rrjedhin lotë”, kur “Malli shkrin gurin/ Malli derdh lotin/ Malli zgjon shpresat/ dhe pushton globin”, për mikun e vërtetë.
Te Cikli i fundit “Fabula dhe filozofime” autori shprehet se tek fabulat dhe aforizmat bën lojën e kujtesës. Te “Kuçedra” shoh një Aleks Çaçi të ri me një fjalë figurative të pastër dhe një nerv të brendshëm tronditës.
Te “Qeni” mbahet mend vargu IV: “Besnik ti, zotnia jo”. Te “Pylli”, shikoj dëshirën e Njeriut të Jetës te vargjet “Si ky blerim/ Dua çdo njeri/ Ta ketë në shpirt/ Ta ketë në sy”. Ka disa fabula të lehta më tej, por te “Macja” kam lënë shënimin: Fabul kuptimplote me mesazhe të qarta për të përbuzur veset e këqia te njerëzit.
“Zemra” kalon si një fllad, si erë e lehtë, e freskët, e këndshme. Po kështu “Ditë e mirë” kalon si një fllad, si erë e lehtë, e freskët, e këndshme. Gjithashtu “Ditë e mirë” është shkruar si një lirikë e pastër. Ndërsa te vjersha “Të pres” shoh një baba stoik për dhembjen e Dritës së Syrit, edhe pse “dielli u struk”, prêt, prêt… e rron me kujtimin e Albanit…
Te poezia “Besa” kam lënë këtë shënim: Një e vërtetë rrënqethëse ku besa, që vlon aq shumë, më shumë se floriri, të ngrijë si akulli. Te poezia “Urrejtje” shënoj: Poezi e bukur në formë e përmbjatje. Ka disa vjersha të lehta përsëri, por gjithsesi të pranueshme për një libër modest, (titujt e vjershave nuk i përmend, s`është nevoja).
Te vjersha “Perëndisë”, autori shkruan: “Ju luta Perëndisë/ Përse e kryqëzuan Krishtin?/ Dhe ajo m`u përgjigj: “Për ju o njerëz të mallkuar”!” – Kjo është poezia, lë shënimin tim: Pon Pilati e dënoi me vdekje me mbërthim në kryq predikuesin moral e fetar, Jezusin, që u bë Mesia, vetë Krishti për shërbesat ndaj mirësisë e çiltërsisë njerëzore, se u sakrifikua për Njeriun e Mirë, sa u bë e mbetet simbol, por e keqja i turret egërsisht të mirës, me smirën e saj barbare. E kështu, dufi i poetit, i njeriut, filozofit shpërthen me katër vargje.
“A do të ketë një ditë vdekje”… është një poezi filozofike, e mbledhur, serioze, shkruar me nota krenarie të përmbajtura. Me kaq i mbylla shënimet e mia për librin me 120 faqe “Kënga ime je Palasë” të autorit Odise Çaçi, ku ndjeva kënaqësi, ku u ndjeva njeri në çdo faqe që lexova, ku njoha më mirë botën shpirtërore të mikut tim të mirë dhe konkludoj që te Odise Çaçi pashë profilin e tij të plotë, si njeri që emeton dashuri njerëzore; si historian i guximshëm, si studiues serioz, i kujdesshëm e këmbëngulës; si atdhetar i zjarrtë që e do Shqipërinë shumë dhe vendlindjen, Palasën si dritën e syrit; njoha intelektualin e vërtetë e kurajoz, që është aq i domosdoshëm, në kohën që jetojmë, për kontributet qytetare e kombëtare që jep. Respekt njeriut që guxoi e mori penën, nuk e shpërdoroi atë, por e përdori me zjarr të brendshëm atdhetar.
Respekte Odise Çaçit, që respekton poezinë!
Vlorë, e enjte, 21.01.2010
Me respekt, Albert Rexhep Habazaj,
përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”,Vlorë
kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
*) Ky material, i përgatitur para një dekade e më shumë, ndodhet me shkrim dore në arkivin e poetit dhe historianit doc. Odise Çaçi, ish- pedagog në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë (sot në pension). Nuk është botuar më parë, por autori i shkrimit ndihet mirë edhe letrarisht, që poeti qytetar, pajisur me kulturë qytetare, e kërkoi vetë publikimin e shkrimit, edhe pse ngriten probleme që kërkojnë dashamirësi dhe kuptueshmëri me ndershmëri letrare.