MSc.ALBERT HABAZAJ: PALI SHTËMBARI, 60 VJET MONOPATEVE TË PROZËS SHQIPE

Vlorë, 8 korrik 2017: Kush është njeriu Pali Shtëmbari që njoh unë? Kam vite e vite që i jam përkushtuar profilit letrar të shkrimtarëve vlonjatë dhe rolit të tyre në letërsinë shqipe të shekullit të njëzetë, duke i trajtuar sipar kriterit alfabetik. Kam vite e, po t’i flas kujtesës, bëhen rreth 40 vjet që e njoh personalisht Pali Shtëmbarin si autor, që me penën e tij, është shfaqur në dy fusha: në një nga gjinitë e letërsisë artistike, siç është proza dhe në gjininë letrare të publicistikës, siç është reportazhi. Jo vetëm ngaqë e kam ndër miqtë më të vjetër të penës, theksoj që profili i tij është i gjithëkohshëm në horizontet letrare, pa e ndërprerë shkrimin në rrjedhat e kohës. Është një emër i kërkuar, i mirëpritur dhe i dashur në letërsinë për fëmijë. Është përfshirë në librin informativ dhe vlerësues “Lexikon. Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872 -1995) hartuar nga prof. Odhise K. Grillo (Botimet Enciklopedike, Tiranë, 1997, f. 220), ku përfshihen rreth 530 autorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora. Pali shkruan se shikon, se ndjen, se ka botë. Shkruan se e do të bukurën, qytetaren, jetësoren, të moralshmen. Shkruan se e bën natyrshëm e pa sforco aktin hyjnor të krijimit. Nuk di të duket ai njeri. Nuk di të mburret. Jeton thjeshtërisht e shkruan mjeshtërisht në thjeshtësinë e tij dhe qesh qytetarisht. Ajo qeshje e Palit, aq e çiltër dhe dashamirëse është një shigjetë e vërtetë në gjoksin e atyre që po nxjerrin në faliment dhe industrinë e dekoratave për vlerat e shquara (shqyera) ndër shkrimtarinë shqiptare e më tej, sfidojnë dhe atë universale!…
Pali Shtëmbari ka 60 vite në udhëtimin letrar të botuar në shtypin e kohës lokal e qendror, drejt, taptëpjetë e monopateve të prozës shqipe. Pali bën letërsi të thjeshtë, por të lexueshme dhe të këndshme, ku natyrshëm lexuesi bëhet më i bukur estetikisht, moralisht dhe artistikisht. Pali lexon shumë, sidomos letërsi të huaj; ka kërkesa të larta ndaj vetes. E njeh mirë strukturën e novelës dhe tregimit, ku angazhohet të japë kontributin e vetë letrar origjinal, me lëndë të pasur jetësore. Në fakt, i ka patur qysh në rininë e hershme interesat e larta ndaj leximit dhe studimit. Heminguej është pika e tij e dobët. Edhe sot e kësaj dite, që rrokullisi me qetësi 77 vite jete, kërkon autorë të huaj, kritikë letrare të studiuesve të huaj, dhe jo vetëm Umberto Econ. Ai më vjen gati çdo mëngjes te puna dhe, pas përshëndetjes, kërkon me qetësi dhe i orientuar në raftet e Bibliotekës për prurjet e reja, gjen ç’ka i intereson dhe ulet në “vendin e tij”, pa shqetësuar kënd, lexon, shënon, çon librin ku e mori (se ia di saktë vendin) dhe, buzagaz largohet, për t’u rikthyer të nesërmen. Është, si të thuash, anëtar i jashtëm i Bibliotekës së Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Dhe shumë korrekt. Dhuron dhe libra të vjetër për bibliotekën. Shtembari di të nderojë shkrimtarët shqiptarë, që e kanë përkrahur dhe i kanë dhënë dorën të gjejë dhe të eci në Udhën e Krijimit. Në bisedat tona, ai gjithmonë shpreh mirënjohje për Petro Markon, Shevqet Musarajn, Vath Koreshin, Naum Priftin, Anastas Kondon, Odhise Grillon e Teodor Laçon. Ndihet ndikimi i tyre në letërsinë e tij, por asnjëherë nuk bie në pozitat gufosëse të imitimit dështarak. Pa diskutim që Dritëroin e ka idhull. Gjithmonë më thotë: “Shkruaj për poetin e Vlorës, Hiqmet Meçaj. Atë ka Vlora. Me banim në Vlorë. I vetmi nga të mëdhenjtë që s’u largua nga qyteti. I krahasueshëm me Xhevon, me të madhin Xhevahir Spahiu, por ca dembel… – dhe qesh bukur – Pa po të flasim për Fatos Arapin, ai është kryepoet, i kalon kufijtë e Shqipërisë, i përket përmasave europiane”. Kur e ngacmoj për ata “të liqtë”, rrudh fytyrën e do të ndërrojë temën e bisedës. Jo më tepër nga këmbëngulja e kureshtja ime, por, më tepër, nga dashamirësia dhe sinqeriteti i bisedës, dorëzohet dhe m’i tregon 2-3 kokrra. Unë s’kam ndërmend t’i bëj publikë emrat e tyre, se s’është në natyrën time sot (“pas lufte”), aq më shumë, që letrarët e rinj, shkruesit e asaj kohe, sidomos kush vinte nga rrethet në qendër e ka provuar cinizmin e cave sipër, në Lidhje. Ata që kanë ikur, i morën me vete cmirat e ligësitë; ata që ende rrojnë, besoj, u rëndon ndërgjegja, ose ndoshta do të ngarkohen mirë me barrën morale, që e tyre është…Asnjëherë Pali nuk më ka kërkuar t’i shkruaj dy rreshta, kur ca të tjerë, edhe fare të patalentuar: “cëzzz!…”, si ato “miskonjat e gushtit” – siç ankohej gjyshja ime, i ndrittë shpirti, atje ku prehet! Emrin e Palit e kisha dëgjuar me kohë, ndër emrat letrarë të qytetit si Shefqet Tigani, Mihallaq Qilleri, Maro Pasho, Duro Mustafaj, Viron Kona, Fadil Zeqiri, Irfan Bregu, Ferhat Çakërri, Minush Jero, Bashkim Kozeli, Kastriot Mahilaj, Luan Malaj, Odise Goro, Ruzhdi Gole, Anasats Bita, Merita Caci, etj. E dija që P. Shtëmbari ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të paktën qysh nga viti 1981, sepse më kujtohet, që pikërisht në fillimshkurtin e atij viti jam takuar me Palin, në analizën vjetore të Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Vlorës, kur kryetar qe kompozitori Pirro Cakrani dhe, krahas krijuesve të dëgjuar të qytetit, si piktori Nestor Jonuzi, shkrimtari Shefqet Tigani, skulptori Skënder Tena, Mira Mijo, m’u dha dhe mua fjala të flisja, si letrar i ri. Në atë analizë, mori pjesë dhe shkrimtari i shquar Dritëro Agolli, në atë kohë kryetar i LSHA të Shqipërisë. Me ardhjen e demokracisë, bashkë me piktorin e pedagogun e paharruar Ilmi Bani, (me gjithë ulje – ngritjet e kohës dhe dritëhijet e ndonjë individi, ngarkuar deri në majë të flokut me hipokrizi ndaj vertikalëve të linjës), e mbajtëm LSHA të Vlorës. Ishim bashkë me krijuesit e qytetit. Edhe Pali. Realzuam veprimtari të bukura vetë, por edhe me LSHA, Fier, ku drejtonte miku ynë i mirë, i ditur e i hapur, i paharruar Kristaq Shtëmbari, Mësues i Popullit. Profesor Kristaqi kishte një mbiemër me Palin, pra kishin të bënin. Gjatë bisedave, diskutonim dhe për të parët e tyre dhe gjeneza i çonte tek Muzakajt e Myzeqesë, pra na dilnin me gjak princor…Nuk është vetëm nderimi për emrin e prof. Kristaqit shtysë e vlerësimit që kam për Palin, por është vetë Pali që, me fjalën e tij të ngrohtë, me sjelljen e tij qytetare, me veprën e tij letrare, më ka bërë për vete. Është model i korrektesës shoqërore dhe letrare. Pali Shtëmbari është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë.

Krijuesi Pali Shtëmbari

Retrospektivë. Më ngacmoi një urim miqësor në formë kartoline, botuar në revistën e përjavshme letraro – artistike “Obelisk”, Nr. 47 (79), 26 dhjetor 2009, f. 18, botim i shtëpisë botuese “ADA”. Mevlud Buci shkruan edhe këtë strofë për Pali Shtëmbarin, njeriun e mirë, qytetarin e urtë dhe prozatorin e dukshëm në mënyrë drejtvizore të njëtrajtshme në botën letrare shqiptare: “Ka mirësi Vlora e Flamurit,/ Me plot krijues porsi thesari,/ Je asgan e deli burri,/ Tregimtar Pali Shtëmbari”. Mevlud Buci është një autor i njohur, por Pali nuk e njeh, ndaj i bëri përshtypje, se si mund të shkruajë kaq mirë një i panjohur. “I ka pëlqyer pena jote, o Pali – i them -, “se mbi të gjitha zgjodhi …” letërsinë studiuesi, – ia kthej me shaka, duke lozur me vargjet një kënge lirike të kohës së monizmit.
Herë pas here jam marrë me botimin e prozës së tij letrare në shtypin qendror manual në Tiranë, si gazeta “Telegraf”, “Nacional”, “Tirana Observer”, apo në shtypin online si: “Fjala e lirë” (Londër), “Dielli” (Boston), VOAL (Gjenevë, Zvcër) “Dituria” (Suedi), “Zemra shqiptare”, “Tribuna shqiptare”, “Bota sot” etj. Nëpërmjet fisnikut qytetar Altin Sinani, më datën 30. 05. 2015 në gazetën “Tirana Observer” i botojmë Palit tregimin “Prag vdekje”, si një suprizë e këndshme për 75 vjetorin e autorit me këtë mbi shënim: “Shkrimtari Pali Shtëmbari mbushi 75 vjeç. Gëzuar ditëlindjen dhe pena flori! Pali Shtembari, lindur më 29 Maj 1940, sapo mbushi 75 vjeç dhe radhitet ndër shkrimtarët më të vjetër të qytetit të Vlorës. Është një brez me poetë e shkrimtarë të njohur si Hiqmet Meçaj, Duro Mustafai, Shevqet Tigani, Irfan Bregu, Mihallaq Qilleri, Luan Toto, Dionis Qirzidhi etj., apo dhe xhevahiri Xhevahir Spahiu, që u vlonjatizua aq shumë gjatë viteve që jetoi në qytetin bregdetar. P. Shtëmabri ka filluar të botojë në shtypin letrar të kohës, qysh në vitet ’60 të shekullit të kaluar, sidomos në faqen letrare të gazetës “Zëri i Rinisë”. Ai ruan respekt e mirënjohje për shkrimtarët e paharruar Vath Koreshi e Odise Grillo, që i përkrahnin shumë krijuesit e rinj, për shkrimtarët e mirënjohur dhe të dashur ato vite me talentet e reja si Fatos Arapi, Teodor Laço, Fatos Kongoli etj. Pali Shtembari ka lëvruar letërsinë për fëmijë, është tregimtar dhe novelist, që trillin letrar e merr nga realiteti, me kohë dhe vend ngjarjeje, “duke na lënë kështu në kufijtë e reales dhe ireales, imagjinatës dhe iluzionit”, siç e cilëson studiuesja e njohur Dr. Rovena Vata. Këtë fundmaji, për 75-vjetorin e lindjes, edhe gazeta “Tirana Observer” e uron duke i botuar tregimin e mëposhtëm, të papublikuar më parë. A. Habazaj”.
Jetëshkrimi i autorit.
Pali Loli Shtëmbari – Muzaka ka lindur në qytetin e Vlorës më 26 maj 1940. Pasi mbaroi shkollën shtatë vjeçare, përpos një kursi vizatimi që bëri me piktorin e talentuar Vasil Talo, fitoi konkursin për të vazhduar më tej studimet në Liceun ARtistik në Tiranë, mirëpo drejtori a e shkollës nuk ia përcolli dokumentet për atje, kështu që e la për më tej këtë pasion. Piktura qe një një dhunti e trashëguar në gjen tek Shtëmbarajt. Me kohën, u largua nga ky pasion, pasi i ra në dorë romani i Xhek Londonit, i cili e linte po thuaj çdo natë pa gjumë. Këtej mori shtysën, që iu fut letërsisë kur mbaroi gjimnazin, sepse kur hodhi dokumentet për të vazhduar studimet e larta, kërkoi për letërsi, por nuk ia dhanë, por i ligjëruan atë të ekonomikut, gjë që nuk e pati për qejf. Për arsye ekonomike, i la studimete larta, edhe pse mund të shkonte në një degë tjetër të universitetit, por ishin gjashtë fëmijë, pa baba. U fut në punë si zdhukthëtar, profesion që e ushtroi gjatë, gjer sa e çuan në Kinë për specializim si teknolog për prodhimin e llampës elektrike. Në Fabrikën e Llampave, Vlorë punoi me përkushtim, ndërgjegje e profesionalizëm deri sa doli në pension. Ca kohë punoi në arsim, mësues në shkollën “Marigo Posio”, Vlorë. Në Fabrikën e Llampave ka kujtimet e pashlyeshme, më të bukurat e jetës letrare, dhe letërkëmbimet me sekretarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërsië, Çeçon aq të dashur me talentet e reja, edhe ftesat për takime të krijuesve, edhe festat për çmimet letrare letrare që fitonte, edhe kënaqësinë e ndarjes me shokët e kolektivit të kënaqësisë që i jepte botimi i një shkrimi, një skice, reportazhi, tregimi, novele apo dhe libri, si dhe mendimin kritik të specialistëve të fushës për botimet e tij, që po tërhiqte vëmendjen e botës letrare të kohës.
Një jetë e tërë letrare e mban të ri, të qeshur, të hapur, të thjeshtë e të pandarë me krijimin. Pali, intuitivisht ka parë me dobi njohëse e promovuese gazetën, qysh në fillimet e krijimit. Nuk i është ndarë botimeve në shtypin lokal e atë qendror. “Më mirë një publikim në gazetë – thotë Pali, – se sa një botim libri, sepse librin e lexojnë 300, 500 apo 1000 vetë, ja 2000, rrallë; ndërsa gazeta ka tirazh të madh dhe lexohet nga njerëz të shumtë e të krahinave të ndryshme, të kulturave të ndryshme, me mozaik arsimor, dokesh, traditash e shijesh letraro – estetike e morale”.
Prindërit e Palit, Elpiniqi dhe Loli Shtëmbari lindën 6 fëmijë (tri vajza e tre djem), nga këta Pali doli shkrimtar, i ndjeri Niko skulptor e karikaturist, Lefteri, piktor, që u dallua sidomos për kompozimin “Migjeni (vaj), piktor. Edhe motra e vogël, Ledia Shtëmbari Zharku është marrë me prozë letrare të gjinisë së shkurtër, (skica e tregime) dhe sot është arkitekte në Tiranë. Mund ta përmendim tregimin e saj “Një natë sa një jetë”, botuar në gazetën “Drita”, 27 priil 2003, f. 12. Motra është ndërkohë edhe lexuesja e parë, korrektuesja dhe redaktore e shkrimeve letrare të Palit. Nga nëna Niqi, janë stërnipër të Karl Gegës. Kuptojmë që kemi kemi të bëjmë me një familje qytetare letrare artistike. E kanë në gjenezë artin, sepse baba Loli i tyre është marrë me gdhendje druri dhe kishte një emër të respektuar në punët artizanale në qytet, krahas Adem Xhakës, Albert Dedës e pak të tjerëve në qytet.
Kush është krijuesi Pali Shtëmbari që njoh unë?
Pali Shtëmbari, gjatë 60 viteve krijimtari, ka botuar tregime në shtypin e kohës me drejtim letrar si në gazetat “Zëri i Rinisë” e “Drita”, në revistat “Nëntori”, “Shqiptarja e re” “Pionieri”, patjetër në gazetën lokale “Zëri i Vlorës”, biles dhe në gazetën më të rëndësishme të kohës “Zëri i Popullit”, apo “Libri dhe filmi” etj. Gjithashtu, me shumë mund, arriti të botojë dhe dy libra për fëmijë: “Hodo Kapedani”, tregime për fëmijë”, 1975; “Kur dola partizan”, novelë e tregime, 1979, botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri në kolanën “Bilioteka e pionierit”. Ai punonte dhe shkruante. Iu rrëzuan nga botimi vëllime me tregime e novella, si dhe jë roman, kryesisht për gabime ideore. Gjatë kësaj kohe pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Me rënien e diktaturës, angazhohet tërsisht në të gjithë shtypin me drejtim letrar: “Drita”, “Fjala”, “Art Plus”, “Temp”, “Ndryshe”, “Nacional”, “Obelisk”, në shtypin online, pa harruar gazetat që bohohen periodikisht në Vlorë, si “Aulona”, “Drita e Vlorës”, “Vlora”, Albaia Times” etj. Në vitin 2008, Shtëpia Botuese GEER, Tiranë, i boton librin me 33 tregime “Vdekje në det”, ndërsa Shtëpia Botuese “ADA”, Tiranë, në vitin 2013 i boton librin tjetër me tregime “Idil arbëror”. Për këtë vëllim, autori është nderuar me çmim të dytë nga Bashkia e qytetit Vlorë, Biblioteka, kurse në Mal të Zi; po për këtë libër është vlerësuar me çmim të tretë. Mungesa e parave e detyron të mos botojë dot librin me përshtypje dhe shënime udhëtimi “Mbi tokën kineze”, të cilin e përgatiti në vitin 1981 mbi mbresat në Nankin, 1968, që e publikoi në gazetën “Ndryshe” në 5 numra, gjatë vitit 2008. Shtëmbari është përfshirë në vëllimin “Antologji e autorëve vlonjatë”, 2006; në “Antologji me tregime”, Shtëpia Botuese “ADA”, 2008; në “Antologji me tregime”, nga gazeta “Ndryshe”, 2008, etj. Ndërkohë, edhe pse nuk do t’i përmendë, Pali ka marrë edhe disa vlerësime, si: “Medalje pune”, nga Kuvendi Popullor, 1989; Çmim të tretë nga gazeta “Zëri i Rinisë” për tregimin “Mjegull”, 1968; Diplomë për prozën e shkurtër nga klubi i shkrimtarëve “Petro Marko”, 2010; dy çmime vlerësuese nga Shtëpia Botuese “ADA”, për tregimin “Bisnesmeni”, 2013 dhe për tregimin “Pistoleta”, 2015.
Botimi i parë serioz në shtypin qendror të fushës është tregimi “Natë partizane”, botuar në revistën “Nëndori”, revistë e përmuajshme letrare – artistike, shoqërore – politike, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, viti XIV i botimit, Shtator – 1967, f. 59 – 71. Ndër botimet e para, autori kujton gazetën “Zëri i Rinisë”, pas mbarimit të shërbimit ushtarak, në vitet 1963 – ’64. Edhe botimin e parë në shtypin lokal, në gazetën “Zëri i Vlorës” po në këto vite e ka. Bëri bujë me skicën letrare “Lampa e parë” botuar në gazetën “Zëri i Vlorës”, e dielë, 30 Nëntor 1969, f. 2. Nga që ato janë shumë, nuk do të bëjmë inventarin e shkrimeve, reportazheve apo krijimeve të Palit, se nuk është as synimi ynë, por vlen të theksojmë, se duke qenë edhe punëtor i kualifikuar dhe jetën e punëtorit e njeh në detaj, ai shkruan për këtë shtresë të shoqërisë dhe bëhet zëri letrar i saj, me penë të thjeshtë, të pabujshëm, por që zë vend dhe po krijon ngadalë- ngadalë stilin e tij të të shkruarit, si vëzhgues serioz i realitetit të jetuar. Jeta në tregimet e Shtëmbarit jepet e thjeshtë, siç jetohet, edhe me dramat e saj, që, në fakt janë të natyrshme në përditshëmri dhe patjetër në letërsi. Ajo vjen me penelata të kursyera, larg figuracionit abstrakt e të pakonceptueshëm, me nota realiste, të besueshme, plot dramacitet, tipare qqia rrisin vlerën prozës së autorit. Tipar i autorit është që ai nuk merr guximin të shkruaj për diçka që nuk e njeh. Një ngjarje, histori apo person nuk mund të futet dot me urdhër apo me mik në laboratorin e tij krijues, veçse nga muza e tij. Marrim vetëm një rast. Në novelën “Kur dola partizan” autori pasqyron anët më tragjike të popullit, atë të shtypjes dhe shfrytëzimit të dyfishtë të të huajve dhe veglave të verbëra vendase tek pushtuesit për interesat e tyre të vogla. Ngjarjet zhvillohen në Selenicë, në minierën e serës. Autori nuk e njihte Selenicën, se s’kishte qenë asnjëherë më parë atje. Pasi ndez shkrepsen e krijimit, nuk mund të rrijë rehat. Duhet ndezur zjarri letrar, që të ngrohen lexuesit dhe të mos digjen. Për këtë, së pari, merr informacionin e duhur, lexon, pyet, shkruan, mban shënime, gris, rishkruan. Dhe shkon në Selenicë, në minierë. Njihet deri në kapilarë me jetën e minatorit, me historinë e trevës, me etnografinë, me traditat, me realitetin e jetuar nga më të vjetrit. Rri aq sa bindet se e ka marrë lëndën e parë. Tashmë di ta ndërtojë fabulën. Ngjarja, e treguar në vetë të parë, i jep dorë autorit që emocioni të rritet nga faqja në faqe e novelës, tensioni i konfliktit të njohur de të thënë që në krye rritet bashkë me vdekjen aksidentale të babait të Baxhulit, heroit kryesor të veprës, fëmijës, që na tregon mbresat e përshtypjet, e që shkallëzohet më tej me arrestimin e Ganos, revoltën e hapur të vetë Baxhulit dhe përgatitjen e tyre për të dalë partizan…
Pali kujton me respekt ata që kanë ndihmuar për botimin e materialeve letrare si Zoi Toska e Dasho Matodashaj në Vlorë dhe Vath Koreshi për talentet e reja në Tiranë. Nga dosja e tij dalin dhjetra e qindra faqe gazetash, ku ai ka botuar shkrimet publicistike dhe tregimet e tij, aq të dashura për autorin, sikur t’i kishte fëmijë. Na bëjnë përshtypje letërkëmbimet me Sh. Musarajn, katalogë botimesh, ku përfshihen dhe vepra të tij, si ftesa të ndryshme nga LSHA e kohës etj. Një përgjigje letre e Musarajt nga Tirana mban datën 22/ 6/ 1967. Po citoj një ftesë, drejtuar letrarit P. Shtëmbari, që në ato vite po hidhte hapat e para: “Sh. Pali Shtëmbari (emri dhe mbiemri, me bojë, me shkrim dore, shën. im – A.H) Më datën 18 dhjetor 1967, ora 9,00 në Pallatin e madh të Kulturës zhvillohet Konferenca Kombëtare e Letrarëve dhe Artistëve të rinj, organizuar nga KQ i BRPSH dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”. Konferenca qe dy ditor dhe vazhdoi dhe më datën 19 dhjetor. Për mbresat e asaj konference Pali mund të bëjë një shkrim më vete. Një gazetë me format të madh, e zverdhur fare më tërheq vëmendjen. Qenkërka aq e dashura për kohën – “Zëri i Rinisë”, e shtunë, 23 Nëndor 1968, f. 3, që më mbërthen tek rubrika “Fleta jonë letrare artistike” dhe nëntitullin “Fituesit e konkursit për vepra letrare dhe të arteve figurative, shpallur nga gazeta “Zëri i Rinisë”. Janë shkruar fituesit e shpallur ditën e 27 vjetorit të themelimit të BRPSH në konkursin për novella, tregime, poema, cikël vjershash, skeçe, skica letrare dhe vizatim. Lexoj emrin e Koço Kostës, që ka fituar çmim të dytë për tregimin “Vajza guximtare”. Lexoj emrin e Frederik Reshpjes, po çmim të dytë për poemthin “Zëmër rinore”. Për poezi lexoj emrat e Vllasova Mustës, Mehmet Elezit, Betim Muços, Beatriçe Balliçit, Niko Kacalidhës e Ndoc Paplekës. Për skica letrare, çmim i dytë u jepet skicave letrare; “Përse bien daullet” dhe “Vizitorët e jashtëzakoshëm” të Faslli Halitit. Çmim i tretë i jepet skicës letrare “Mjergull” të Pali Shtëmbarit. Në faqen 4 është botuar skica “Mjergull”, që të mbush me freski, lirshmëri, me mesazhe të hapura për miqësi, që kap temë interesante të kohës së jetuar, larg skematizmit dhe rrathëve konformistë. Frymëmarrjen e pastër letrare nga një copëz jetëz vullnetare në ndërtim, dhënë me lakonizëm e musht artistik në atë skicë, po ta rilexojmë, edhe sot e ndjejmë e mirë na bën për shëndetin tonë letrar. Dhe autori ishte vetëm 28 vjeç. Si duket, qysh në atë moshë ai e pëlqeu të renë edhe në lerëtsi, pa e kërkuar. Ajo i vinte vetë në trillet e tij, spontanisht, “pa leje”. Kujtojmë tregimin “Të vështrosh thellësinë”, botuar në gazetën “Drita”, datë 6.II. 1972. Tregimi është ndërtuar mbi historinë e një vajze tetëmbëdhjetë vjeçare, që e kanë fijuar me mblesëri. Por ajo nuk e dashuron Shazon, të fejuarin që i bënë, ajo nuk dëshiron të martohet me mblesëri. Problem që nge Pali Shtëmbari nuk ishte i ri, përkundrazi, këto probleme sociale në ato vite pasqyrohesin gjersisht dhe thelësisht në letërsinë shqiptare, pork y autor solli diçka të re me prozën e tij, diçka poetike, meditative. Edhe në këtë tregim të bën përshtypje thjeshtësia, ngrohtësia e sinqeriteti i të treguarit. Kjo cilësi do ta shoqërojë autorin në çdo krijim të tij deri më sot në moshën 77 vjeçare. Si duket e siç kuptojmë kështu është autori, i thjeshtë, i sinqertë, një usta i natyrshëm i teknikave të tregimit. Dhe tregimi në fjalë, botuar rreth gjysmë shekulli më parë, nuk ka asgjë të sforcuar, asgjë artificiale nuk lëviz brenda krijimit. Autori është përpjekur dhe ia ka arritur të depërtojë në botën e brendshme të heroinës, të analizojë pikologjin ë esaj në lidhje me moshën, kushtet e mjedisit shoqëror e familjar me dëshirat dhe ëndrrat e saj rinore. Tregimi shquhet për detajet e gjetura funksionale të përpjestuara e të motivuara artistikisht. E kujtuam këtë tregim, jo thjesht për të njohur lexuesit e kohëve të reja me pasqyrimin artistik të realiteve të ndodhura, për mentalitetetet konservatore e partakale të kohëve kur vajza tregtohej si mall, si plaçkë tregu, por edhe sot, por edhe si një vëmendje morale në sotshmërinë, herë – herë të paqartë, kur vajzat e reja, gjimnazstet peshkohen nga bosët e hashashit, tw makinave verbuese e limuzinave marramendwse, nga padronwt e tregtimit të mishit të bardhë e lloj – lloj derrash socialw. Pali Shtëmbari është marrë dhe me poezi, më tepër për të kënaqur shijet e veta, edhe pse ka bulëza botimesh, nga ku mund të përmendim dhe disa vjershëza te gazeta “Muzgu”, por proza është ara ku nuk resht së lëruari e së mbjelli bujku i qetë i fjalës Pali Shtëmbari. Tematika e veprës letrare të tij kryesisht mbushet nga temat shoqërore, ato aktuale, apo dhe me motive nga lufta, si psh. te libri “Idil arbëror”, që trajton luftën për pavarësinë e Kosovës, apo libri i hershëm “Hodo Kapedani” që e merr frymëzimin nga Epopeja e Njëzetës dhe trimëritë e burrave e grave labe, ngaqë krahina e Labërisë mbajti peshën kryesore të kësaj lufte çlirimtare, ndihmuar po thuaj nga gjithë trevat e vendit, deri nga Tiranë, Kruja, Kukësi apo shqiptarët vatranë të Amerikës. Edhe Pali e ka një hero të traditës që e frymëzon, ka Rrapo Çelon nga Sevasteri, shqiponjën e Kudhës – Grehotit në Luftën e Vlorës, që u bë burim force për luftëtarët çlirimtarë me trimërinë dhe guximin e tij shembullor. Për krijimtarinë e tij kanë shkruar pena serioze si Odhise Grillo, Anastas Kondo, Vath Koreshi, Bardhosh Gaçe, Shefqet Tigani, Kujtim Dashi, Rovena Vata etj.
Tregimi i Palit, në tërësi, është pasqyrim artistik i botës së tij të brendshme. Motoja krijuese e Shëmbarit është urtësia e Kiplingut, që thotë: “Autori të ndërtojë fabulën, të mos diktojë kumtin”.
“Ëngjëj të vrarë” është titulli i librit më të ri me 20 tregime dhe një novelë i autorit Pali Shtëmbari, që s’ka pushim shkrimor, ku pasqyrohen artistikisht përjetimet e autorit, bota që ai ka njohur, shqetësimet qytetare, dinamika e jetës me plastikën e saj dhe psikologjinë përkatëse të dashueshme të personazheve të tij.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura