MUSTAFË XHEMAILI: PLANI I VASO ҪUBRILOVIҪIT I VITIT 1944 MBI SHPËRNGULJEN E POPUJVE JOSLLAVË (I)

(Pashtriku.org, 20. 11. 2012) – Referati i ideologut kryesor Vaso Çubrilloviçit për shkombëtarizimin, shpërnguljen dhe zhdukjen e shqiptarëve, me titull, „Shpërngulja e shqiptarëve“ që e mbajti në Klubin e Kulturës Serbe, më 7 mars 1937, u botua në gazetën „Liria“, në nëntor të vitit 1981, në Zvicër, duke ia bërë opinionit të qart se çfarë vepre kriminale bëri ky shovinist.
Tash, nga arkivat e errëta, të mbushura me elaborate të tilla të Çubrilloviçit dhe shokëve të tij, nxirret në dritë para opinionit edhe një referat tjetër i këtij kryeçetniku, me titull „Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e Re“**), që ai e lexoi më 3 nëntor 1944, në valën e çlirimit të Jugosllavisë nga nazifashizmi.
Qëllimi i botimit si libër të veçantë dhe i nxjerrjes në dritë të këtij referati nga ana e Redaksisë së botimeve „Liria“ të „Zërit të Kosovës“, organ i LPRK-së (Zvicër, tetor 1987), është që të shihet pikërisht përmasa monstruoze e synimeve të shovinistëve, të vërtetohet me vet dokumentet e tyre se kush ka bërë dhe bënë krime mbi popujt, kush ka shpërngulur e shpërngulë qindra e mijëra banorë nga Jugosllavia, kush vepron kështu në mbështetje të kësaj platforme (dhe të ngjashme). Me këtë edhe një herë u çirret maska atyre dhe të shihet qëllimi i vetëm dhe i përhershëm i serbëve se ishte dhe mbeti krijimi i një Jugosllavie vetëm me banorë sllavë – shndërrimi i Federatës në një Serbi të Madhe.

Antishqiptari Vaso Ҫubriloviç

………………………………………………………………….

Ky referat për nga gjerësia e trajtimit të çështjes së shpërnguljeve të pakicave kombëtare nga Jugosllavia është një akt tjetër kriminal kundër popujve josllavë, të cilët, udhëheqësit shovinist të PKJ-së dhe UNÇJ-së, menjëherë pas përvetësimit të referatit të Çubrilloviçit, filluan në masë të gjerë të shpërngulin gjermanët dhe rumunët nga Vojvodina dhe shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia. Ky ishte një akt i papresedan kriminal kundër popujve josllavë që bashkë me popujt tjerë luftuan tok për ta shporrë nazifashizmin për të fituar lirinë me gjakun e mijëra e mijëra dëshmorëve në fushat e betejave me armë në dorë. Në vend se popujt josllavë të gëzojnë lirinë, ata iu nënshtruan terrorit të paparë ndonjëherë, terrorit që as ushtritë nazifashiste nuk e përdorën. Iu nënshtruan raprezaljeve, vrasjeve, ndjekjeve dhe shpërnguljeve masive jashtë kufijve të Jugosllavisë. Ata iu eksponuan një ndjekjeje të pashembulltë me plumbin prapa kokës, me plumbin e një ushtrie e të një partie që deri dje kishte luftuar kundër nazifashizmit, ndërsa tash luftonte kundër popujve.
Masat monstruoze të shpërnguljes së popujve josllavë nga Jugosllavia u zbatuan pikërisht ashtu siç udhëzonte dhe porosiste ushtrinë e Jugosllavisë dhe PKJ-në ideologu Çubrilloviç, me devizën se vetëm në kohë luftërash është e përshtatshme dhe efikase pastrimi i Jugosllavisë nga pakicat kombëtare.
Përmasat dhe karakteri i vërtetë i këtij referati të Çubrilloviçit janë edhe më të theksuara kur ky u bë një PROGRAM konkret që iu dha në dorë Kuvendit të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë dhe UNÇJ-së menjëherë pas LDB-së, për ta zbatuar, jo vetëm kundër një populli të veçantë, siç bëri më 1937 me programin „Shpërngulja e shqiptarëve“, por kësaj radhe kundër të gjithë popujve josllavë që jetonin brenda kufijve të Jugosllavisë së Vjetër, dhe tash, po brenda kufijve të njëjtë të Jugosllavisë së Re(!). Qëllimi kryesor ishte që të krijohej shteti etnik jugosllav dhe Serbia e Madhe, duke i zgjeruar tokat e saj në dëm të popujve josllavë, veçanërisht të shqiptarëve. Kjo ëndërr e vjetër e serbomëdhenjve të krajlëve të vjetër e të rinj, u josh më të madhe në prag të mbarimit të LDB-së. Gjatë përfudnimit të kësaj katrahure, ata filluan me ngutë ta realizojnë ëndrrën e tyre.
Të shohim shkurtimisht përmes shifrave së në ç‘përmasa u zbatuan këto platforma të Çubrilloviçit „Shpërngulja e shqiptarëve“ dhe „Problemi i pakicave kombëtare të Jugosllavisë së re“ kundër popullit shqiptar.
„Të pangopur në mizoritë e tyre dhe të tërbuar nga deviza e shqiptarëve: „Vdesimn por vendin nuk e lëshojmë“,- serbomëdhenjtë vunë në veprim „shkencën“ e shfarosjes, ideologjinë dhe mjetet e pogromit. Tamam kësaj faze i përkasin veprat çnjerëzore të serbomëdhenjve me damkë të tipit të Vaso Çubrilloviçit, Anastasije Urosheviçit e të tjerë monstra të tilla të të ashtuquajturit Klubi Serb i Kulturës në Beograd, krijesës së zezë të borgjezisë reaksionare serbe në vitet 1937-1939, e për fat të keq, siç do të mësonim shumë më vonë, pararendës i institucioneve të së njëjtës platformë në Jugosllavinë e viteve 1945 e këtej“ („Titistët“, f.9).
Gjatë viteve 1876-1878, ushtria pushtuese serbe, dëboi nga viset e pushtuara shqiptare të Toplicës, Vranjës, Leskocit, Kurshumlisë, Prokuples mëse 300 mijë shqiptarë, u shkatërruan dhe u rrënuan rrafsh me tokë 80 fshatra. Që nga këto luftëra e gjerë në Luftën e Dytë Botërore janë pushkatuar, e shkuar në thikë, zhdukur e humbur mbi 200 mijë shqiptarë. Shumë nga ata, gra, fëmijë, ndërsa që prej kësaj kohe e gjerë në LDB, janë shpërngulur për në Turqi, Shqipëri e gjetiu mbi 500 mijë shqiptarë.
Sipas raporteve të Drejtorisë së Lartë të Reformës Agrare në Jugosllavi, gjatë viteve 1920-1940, shqiptarëve iu morën dhe iu plaçkitën 381.245 hektarë tokë. Vetëm në vitin 1941, kryengritësve shqiptarë të Lëvizjes Kaçake iu plaçkitën dhe iu morën edhe 12.523 hektarë tokë (Arkivi i Jugosllavisë, S.96, K. 15-57, K21-69, dokumenti 36982/6a).
Në bazë të statistikave (jo të plota), midis dy luftërave botërore, gjatë kohës së kolonizimit 1919-1941, në Kosovë, Qeveria e Beogradit i vendosi 58.000 kolonë serbë e malazezë e u krujuan në tokat shqiptare 370 fshatra kolonistësh serbo-malazezë. („Përparimi“ nr. 4e 5, 1970 dhe nr.10, 1970; „Gjurmime Albanologjike“, viti 1972, të botuar në Prishtinë).
Emrat e 15 mijë kolonistëve i ka dhënë Dr. Milorad Obradoviq, duke ia bashkangjitur regjistrin e emrave veprës së vetë „Reforma Agrare dhe kolonizimi në Kosovë 1919-1941“, Prishtinë, 1982.
Nga Vojvodina dhe pjesët e tjera të Jugosllavisë u shpërngulën me dhunë, ashtu siç porositë Çubrilloviçi 500-600 mijë gjermanë. Këtë e vërtetojnë shumë burime dhe kohëve të fundit (në shtatorin e vitit 1987) u botua edhe një fejton në gazetën „Borba“ me titull „Gjermanët danubianë prej Karlit VI deri te Hitleri“ në të cilin fejton, pushtetmbajt¨sit përpiqen të justifikojnë „këtë dënim kolektiv të të gjithë qytetarëve të një kombësie“. Ata përpiqen të justifikojnë platformën kriminale të Çubrilloviqit duke e mbështetur plotësisht atë.
„Para Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavi jetonin rreth 550.000 gjermanë, kryesisht n¨èe Vojvodinë, dhe ishin bashkësi kompakte dhe e përparuar. Me mbarimin e luftës, Qeveria jugosllave u mori atyre të gjitha të rejtat dhe i shpërnguli nga vendi. Sipas një burimi, në Gjermani do të shpërnguleshin rreth 320.000, në Bashkimin Sovjetik 50.000, ndërsa 180.000 veta llogaritej të asimiloheshin“. (Pol Sup „Komunizmi dhe çështja kombëtare në Jugosllavi“, Nju-Jork 1968 f.103. (Krahaso shifrat që jep Çubrilloviç në këtë referat për shpërnguljen e gjermanëve nga Jugosllavia, vëretja ime mxh).
Mandej dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre me qindra e mijëra rumunë, hungarezë dhe italianë duke i flakur jashtë kufijve të Jugosllavisë dhe pokështu bënë edhe ndaj popullit tonë në Kosovë.
Sa i përket mënyrës dhe metodave të shpërnguljes së shqiptarëve, ashtu si në referatin e tij „Shpërngulja e shqiptarëve“, dhe në referatin „Problemi i pakicave konbëtare në Jugosllavisnë e re“, Çunrilloviçi porositë Kuvendin e Jugosllavisë dhe UNÇJ-në që të kenë kujdes, sepse një shpërngulje masive si të gjermanëve dhe rumunëve nuk mund të aplikohet te shqiptarët, por duhet që për ta, të përdoret një politikë tjetër rreth shpërnguljes së tyre: shqiptarët duhet shpërngulur e shfarosur në mënyrë sistematike!
Si pasojë e drejtpërdrejtë e politikës shtypëse e diskriminuese të regjimit shovinist të Beogradit, kundër popullit shqiptar në Jugosllavi, vetëm prej vitit 1912 e deri në vitin 1976, nga viset shqiptare në Jugosllavi u zhdukën fizikisht mbi 277 mijë shqiptarë dhe u shpërngulën nga trojet e veta mëse 973 mijë (gjithëset të zhdukur e të shpërngulur 1 million e 250 mijë shqiptarë). Prej dokumentave të ndryshme burimore del se midis dy luftërave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm në Turqi, regjimi i mbështetur në platformat e Çubrilloviçit, shpërnguli mbi 700 mijë shqiptarë, kryesisht nga Kosova dhe viset shqiptare në Maqedoninë Perëndimore. Vetëm Pas LDB-së nga terrori, plumbi, bajoneta e helmi i regjimi i Beogradit u zhdukën mbi 70 mijë shqiptarë. Nga këta u zhdukën menjëherë (pas aprovimit të Referatit të Çubrilloviçit, në nëntor të vitit 1944 deri më 1948 kur vranë dhe u zhduikën 40 mijë , ndërsa në mes viteve 1949-1956 edhe 30 mijë shqiptarë.
Duke u bazuar në platformën e Çubrilloviçit, menjëherë pas LDB-së, regjimi i Beogradit shpërnguli me dhunë për në Turqi 40 mijë shqiptarë. Ndërsa vetëm mes viteve 1953-1960 (pra për 7 vjetë) pasardhësi i Çubrilloviçit, Rankoviçi, zbatoi me përpikëmri platformën e mësuesit të tij dhe nga „obllasti“ i Kosovës shpërnguli edhe 283 mijë shqiptarë në Turqi e gjetiu (Revista „VUS“, nr. 1001, Zagreb, më 7 gusht 1971).
Pas demonstratave dhe grevave revolucionare që zhvilloi populli i Kosovës dhe klasa punëtore e saj më 1981, serbomëdhenjtë fabrikuan në ofiçinat e Federatës parullën „Shpërngulja e serbo-malazezëve nga Kosova“ me qëllim që në emër të kësaj parulle të dëshmojnë gjoja për presionin e shqiptarëve mbi pakicat serbo-malazeze, për të na denoncuar e kompremetuar para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm; për të zvogëluar e minimizuar dhe mohuar fare kërkesat e drejta dhe të ligjshme kushtetutare që u shtruan në demonstratat dhe grevat e përgjithshme të Pranverës së vitit 1981 për konstituimin e Republikëssë Kosovës në kuadër të RSFJ-së. Pastaj Beogradi shpiku parullën e gënjeshtërt „Kosova etnikisht e pastër“, që po e kërkoka populli ynë dhe në emër të saj kolonizoi tokat tona ndërsa në anën tjetër shpërngulnin shqiptarët.
Kush është pushtues e kush i pushtuar në Kosovë, kaherë e di populli ynë dhe mbarë bota. Dihet gjithashtu se një popull i pushtuar nuk mund të bëjë presion mbi asnjë popull fqinj, apo që bashkëjeton me ta, sepse ai është i detyruara të mbrohet nga presioni që i bëhet prej pushtuesve nga shtypja dhe shfrytëzimi, nga dhuna e vrasjet e vazhdueshme që bëhen në shkallë të gjerë.
Por, të gjitha këto armiku pushtues i bënë me qëllim për të mbuluar masat e egra që ka ndërmarrë e po ndërmerr kundër Kosovës.
Me mbajtjen e Plenumit të 9-të të KQ të LKJ-së kundër Kosovës, pushtuesit serbo-maqedono-malazezë shtuan edhe më shumë terrorin, dhunën, shatazhin, vrasjet dhe burgosjet mbi shqiptarët.
Ky Plenum famkeq, më i ashpëri dhe më i egri pas LDB-së kundër popullit tonë të robëruar, në vete ngërthen platformën për shkombëtarizim dhe shfarosjen e shqiptarëve në Jugosllavi, që jetojnë në trojet e veta të stërlashta.
Këmbëngulja dhe qëndresa, rezistenca dhe uniteti i popullit tonë, për të fituar të drejtat e ligjshme i detyroi shovinistët e Beogradit, që të bëjë çmos, për t‘i futur në vallen e pakrye kundër Kosovës edhe republikat e tjera, e veçanërisht ate të Kroacisë dhe të Sllovenisë. Edhe me këtë rast, udhëheqësit shovinistë nxorën nga arkivat sekrete ushtarake elaboratet e ideologëve të Klubit të Kulturës Serbe të vitit 1937 (sot i restauruar në „Francuska 7“ në Beograd) dhe ua servuan lëvizjes çetnike që e organizuan në Kosovë e gjetiu, për t‘i marrë si shembull se si duhet, në mënyrë teorike e praktike të vazhdojnë shkombëtarizimin dhe zhdukjen e shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve politikë të Jugosllavisë.
Përsëri u hapën dosjet, kutijat e arkivave ushtarake që përmbajnë në vete elaboratete e Çubrilloviçit, Cvijiçit, Urosheviçit e Andriçit me shokë. Duke i retushuar e përshtatur me metoda të reja, më perfide, dhe duke ia përshtatur kohës dhe rethanave, duke i mveshur ato me slloganet e „vëllazë[1]rim-bashkimit të popujve të Jugosllavisë“, „bashkëjetesës ndërnacionale“, përpiluan elaborate të reja: „Konkluzionet e Plenumit të 9-të të KQ të LKJ-së“ ku precizohen 22 pika se çfarë masa dhune do të zbatohen në mënyrë praktike kundër popullit shqiptar në Jugosllavi dhe „Memorandum“-in e Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Serbisë, një platformë e Lëvizjes Çetnike në Kosovë.
Këto dy platforma të reja kundër Kosovës e kanë mbështetjen e fuqishme në platformat e errëta të shovinistëve të Çubrilloviçit me shokë, por me një dallim! Derisa Platformat e këtyre shovinistëve të tërbuar kundër popullit tonë dhe përgjithësisht kundër popujve josllavë, u përpiluan nga vet ata, pra në mënyrë individuale „Memorandumi“ u përpilua nga një Akademi shkencore(!) e Serbisë si dhe 22 Konkluzionet e vitit 1987 nga LKJ, nga një Parti, pra nga vet shteti dhe mekanizmat e tij!
Kjo do të thotë se ndjekjet, persekutimet, pogromet kundër shqiptarëve, nuk janë më thjeshtë çështje individuale të idnividëve, por janë preokupim dhe çështje e një regjimi të tërë shovinist, që në mënyrë kolektive përpilon platforma për shkombëtarizimin dhe shfarosjen e shqiptarëve në Jugosllavi edhe në ditët e sotme, edhe në ditët e Evropës së qytetëruar!

Vaso Çubrilloviç :
PROBLEMI I PAKICAVE KOMBËTARE NË JUGOSLLAVINË E RE

… Krahas tjerave na kanë futur në të gjitha ato obligime rreth asaj se si të sillemi me pakicat kombëtare. Ne, ato obligime, me ndërgjegje i kemi përmbushur plotësisht. Te ne pakicat kanë gëzuar të gjitha të drejtat qytetare, kanë pasur autonimi të plotë dhe të drejtën e lidhjeve me vendet amë, posaqërisht këto i kanë shfrytëzuar gjermanët. Ata kanë pasur shkollën e tyre fillore dhe ate të mesme. Përmes Kulturbundit kanë qenë të lidhur ngusht mes tyre dhe një varg lidhjesh ekonomike, duke filluar nga shoqëritë kooperativiste e deri te bankat kanë shërbyer për përparimin ekonomik të popullit gjerman në Jugosllavi. Edhe politikisht gjermanët kanë qenë të organizuar dhe të përfaqësuar përmes Klubit gjerman në Kuvendin Popullor. Të organizuar kanë qenë edhe hungarezët në Vojvodinë, por jo aq fort dhe gjithanshëm. Arnautët *) në Stara Serbi **) dhe Maqedoni ia arritën që përmes autonomisë së Bashkësisë fetare muslimane, të fitojnë një dorë të organizatës, e cila gjithanshëm u shërbeu qëllimeve të tyre kulturore e nacional-politike.
Kështu pakicat kombëtare në Jugosllavi e shfrytëzuan zemërgjerësinë dhe durimin tonë, ashtu si në gjithë Evropën dhe kjo tregoi se asnjë lëshim nuk shoi dëshirën e pakicave të veçanta që të lidhen me shtetet e tyre amë përtej kufijve tanë. Përkundrazi, qysh para lufte është hetuar forcimi i dëshirës për separatizëm, dëshira e pakicave kombëtare në të gjitha shtetet, pra, edhe në tonin. Të gjitha privilegjet ekonomike e kulturore u kanë shërbyer që t‘i shfrytëzojnë dhe zhvillojnë me shtetet e tyre. Pas paraqitjes së lëvizjes nacional-socialiste në Gjermani, pakicat e tyre i nxitën pakicat e tjera në këtë çështje. Udhëheqësit e Rajhut të Tretë me vetëdije dhe me plan i shfrytëzuan pakicat e tyre.
(…) ***)
Kur në pranverën e vitit 1944 vërshuan divizionet e motorizuara në Kosovë e gjithë bota shqiptare u hodh në këmbë me armë në dorë dhe u shkoi në ndihmë. Të armatosur nga gjermanët, shqiptarët filluan në mënyrë të pamëshirshme të shkretojnë fshatrat serbe. Me mijëra shtëpi u dogjën, populli u sul për arratisje. Kush ka qenë në atë kohë në Mal të Zi dhe Serbi ka mundur të shoh lumin e të arratisurve se si ikin kah veriu apo jugu për të shpëtuar vetëm shpirtin. Trupat italiane dhe gjermane u dhanë dorë shqiptarëve që të largojnë popullin tonë nga Kosova. Ata u dhanë armë dhe përgatitjen komplete ushtarake, edhe kur në vendet fqinjë, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni filloi kryengritja popullore Nacionalçlirimtare e partizanëve kundër okupatorit, shqiptarët e këtyre anëve shërbyen si ndihmë kryesore e forcave të okupatorit kundër kësaj kryengritjeje. Shqiptarët e Kosovës shkuan në luftë së bashku me gjermanët dhe italianët kundër partizanëve në të gjitha vendet fqinje. Arradhat e tyre, për shkak të gjakpirësisë së tyre dhe plaçkitjes kanë qenë tmerr dhe barrë e rëndë për banorët e këtyre anëve. Ata edhe më vonë kanë vepruar kështu, kur u tërhoqën forcat gjermane nga Greqia dhe Jugosllavia, drejt veriut nëpër Kosovë. Shqiptarët gjatë LNÇ-së ishin pengesa kryesore për lidhjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në mes Malit të Zi, Bosnjës dhe Serbisë, me lëvizjen në Shqipëri dhe në Maqedoni. Njerëzit që kanë drejtuar organizimin e ushtrisë nacionalçlirimtare, e dinë këtë më së miri.
Kur flitet për qëndrimin e shqiptarëve në luftë në Kosovë dhe Maqedoni, mund ta marrë ndonjë rast të denj. Veçanërisht që të gjithë duhet ta pranojmë qëndrimin heroik të shqiptarëve të Shqipërisë së vërtetë. Ata që nga fillimi luftuan kundër fashistëve që ua shkelën atdheun e tyre, në mënyrë shoqërore dhe lojale bashkëpunuan me LNÇ në Mal të Zi dhe në Maqedoni, duke u vënë edhe në dispozicion të udhëheqësit – Mareshal Tito. Popujt e Jugosllavisë këtë nuk guxojnë ta harrojnë kurrë dhe në të gjitha rastet e mundshme, patjetër duhet bërë përpjekje që t‘ua kthejmë besimin me besim për t‘u ndihmuar të varfërve në këtë anë të Drinit, që edhe ata sa më parë, ekonomikisht dhe në kulturë, të përparojnë e të hyjnë në radhët e popujve të kulturuar të Evropës.
Por, simpatia që ne ndiejmë ndaj popullit të Shqipërisë, nuk guxon që të na pengojë për të çëruar hesapet me kuislingët kryengritës të Kosovës.
Shihet nga ato që u shkruan më lart se tri grupet kryesore të pakicave kombëtare në Jugosllavi, vetvetes ia kanë marrë të drejtat qytetare. Për shkak të paraqitjes së tyre të hapur, të qëndrimit të tyre armiqësor, kundër shtetit në të cilin jetojnë. Për këtë edhe kanë humbur të drejtën që të quhen më tutje qytetarë tanë.
Ata duhet larguar nga shteti ynë, sepse këtë e kanë merituar.
Shkaqet se përse duhet të zgjidhim çështjen e pakicave në Jugosllavi
Përveç qëndrimeve jolojale ka edhe arsye tjera të thella shtetërore, të cilat neve na detyrojnë që të shfrytëzojmë këtë luftë dhe të zgjidhim çështjen e shpërnguljes së pakicave. Pakicat tona ne i tërhoqëm dhe ato nuk janë të rrezikshme për shkak të numrit të tyre sa janë të rrezikshme për shkak të pozitës së tyre gjeopolitike dhe për shkak të lidhjeve që kanë kanë me vendet amë, që janë fqinj tanë. Ata do të shfrytëzojnë shumë nga këta fqinj që të luftojnë kundër neshë, njëkohësisht shërbejnë si urë lidhjeje në mes shtetit tonë dhe popujve fqinj. Federata Demokratike e Jugosllavisë mund të ketë paqe dhe zhvillim të sigurt vetëm atëherë nëse bëhet e pastër etnikisht, duke e zgjidhur problemin e pakicave dhe njëherë e përgjithmonë do të largojmë shkaqet e fërkimeve në mes vetes dhe shteteve fqinje.
Kur vështrojmë hartat dhe tabelat, shohim se pakicat tona janë përqëndruar në pozita mjaft strategjike të ekonomisë së shtetit tonë. Për shembull në Vojvodinë, që sundon pjesën nëndanubiane e të Danubit, zotërohet e gjithë Evropa e mesme në Ballkan dhe po të merret në aspektin gjeopolitik, në mënyrë strategjike, kjo pjesë është çelësi i Ballkanit. Pa të vendet jugosllave, Serbia dhe Kroacia do të humbasin mbështetjen në Dravë, Savë dhe Moravë dhe përsëri do të mbetemi pa krahinat e rëndësishme periferike të ndonjë Austrie të re apo Turqie. Vojvodina është drithnik për gjithë Jugosllavinë dhe ne, aty nuk kemi asnjëserb, asnjë kroat. Ne patjetër për të duhet të luftojmë, për shkak se duhet t‘i ushqejmë miliona qytetarë tanë në krahinat pasive jugore që nga Sava dhe Danubi.
Kur dikush provon të krijoj një plan për ardhmërinë e bujqësisë të vendeve jugosllave, ai nuk mundet as ta paramendoj atë plan pa Vojvodinën si drithnik rezervë. Tokat jugore që nga Sava dhe Danubi me pasuritë e tyre minerale, me pasuritë pyjore dhe hidroenergjetike të bollshme, afrojnë të gjitha mundësitë për ndërtimin e industrisë moderne. Por ajo mund të ndërtohet vetëm në rast se fushat vojvodinase sjellin mjaft drithëra për ushqim të masave punëtore. Megjithatë, ne serbët dhe kroatët në këtë Vojvodinë, përbëjmë vetëm pjesën relative, për këtë arsye mund të na ndodhë që në këtë luftë hungarezët ta marrin Baçkën, ndërsa gjermanët, përmes pakicave të veta në Banatë, të krijojnë Rajhun e vogël.
Ngjashëm është edhe pozita e tokave rreth Malit Sharr, tash së tepërmi e dendur me shqiptarë. Aty ndodhen ujërat ballkanike, që prej aty derdhen në tri detëra. Për këtë Kosova gjithmonë është konsideruar si qendër strategjike në Ballkan.. Në anën tjetër, duke mbajtur pjesën qendrore të Ballkanit, ndahet Mali i Zi nga Serbia e këto të dyja nga Maqedonia. Këto vende të Federatës Demokratike të Jugosllavisë nuk do të jenë fort të lidhura mes veti derisa nuk do të fitojë hapësirën e pastër etnike. Kjo veçanërisht është çështje shumë e rëndësishme për Maqedoninë. Pjesën e brigjeve të Epërme të lumit Vardar në dorë e kanë shqiptarët, pjesën e brigjeve të Poshtme në dorë e kanë grekët. Ne, sllavët e jugut mbajmë vetëm pjesën e mesme të tyre. Pozicionet janë tepër të dobëta, që të mos vehet ajo çështje në diskutim, siç bëri Italia në këtë luftë, duke ia bashkuar Shqipërisë jo vetëm Kosovën por edhe Dibrën, Kërçovën, Gostivarin e Tetovën. Ne nuk guxojmë të kemi iluzione në çështjen e zhvillimit të marrëdhënieve të ardhshme në Evropë. Kjo luftë e tmerrshme vështirë se do të jetë e fundit. Edhe më tutje ne do të gjendemi në udhëkryqe të zotërave, për këtë edhe do të jemi të eksponuar goditjes së parë në ndonjë luftë të re.
Detyra ime është, që atyre të cilët e drejtojnë fatin e këtij vendi, t‘u tregoj se që tash duhet të parashikojnë mundësitë dhe të sigurohemi të mos përsëriten ngjarjet e kësaj lufte. Zyrtarët e Jugosllavisë së Vjetër më 1918 nuk i kishin këto parasysh kur i mbajtën pakicat kombëtare. Madje nga arsyet politiko-patriotike, këto pakica ata i ndihmuan. Ne, këtë luftë, e paguam me dhjetëra mijëra koka njerëzish. Kjo më nuk guxon të ndodhë. Edhe ekonomikisht ne kemi leverdi nga plleshmëria e Pollogut dhe e Kosovës. Rreth atyre gjenden tokat tona të varfëra si Mali i Zi, Sanxhaku, Novi Pazari, veriu i Malit të Sharrit dhe masat e blegtorëve maqedonas në jug të Maleve të Sharrit. Ata kërkojnë me të drejtë që t‘u kthehet toka e cila iu rrëmbye nga shqiptarët, të cilët vërshuan këto 150 vjetët e fundit. Unë, qëllimisht, në këtë referat në qendër të vemendjens kam Vojvodinën dhe Kosovën, sepse konsideroj që është nyja e problemit tonë mbi pakicat. Vetëm llogaria e ftohtë shtetërore, medoemos, duhet të ndreq politikën tonë në këtë çështje. Ne kemi edhe pakicat e shpërndara nëpër krahina të tjera që padyshim, pas gjithë atij terrori të tmerrshëm, të cilët me anë të ndihmës së gjermanëve vendas, erdhën gjermanët e Rajhut nëpër krahinat sllave, por ata kanë plotësisht të drejtë për të kërkuar pastrimin e tokave të veta nga Folkdojçerët. Politika e re kufitare në mes mes nesh dhe Austrisë, domodo duhet të jetë edhe ajo e kufijve të pastër etnikë në mes të sllovenëve dhe gjermanëve. Për fillim shtrohet çështja për shpërnguljen e vetëm disa mijëra gjermanëve, e pastaj vetë sllovenët pa komplikacion të madh do ta kryejnë këtë punë. Pakicat gjermane dhe hungareze nëpër Kroaci e Slloveni, Bosnjë e Hercegovinë lidhen me bregdetin e pastër etnik të popujve të Jugosllavisë, pakica të cilat ose do të ndiqen ose do të përmbyten në një rezistencë të madhe. Por, problemi kryesor është se si t‘i shkatërrojmë blloqet e pakicave kombëtare që janë në ato vende të rëndësishme gjeopolitike. Për këtë, patjetër, duhet ngritur në këmbë forcat e përgjithshme të shtetit tonë përmes qeverisë federale.
Pasi që sollëm këtu arsyet se përse duhet ta pastrojmë shtetin nga pakicat kombëtare, të shohim se a ka mundësi të realizohet ky plan.

Po të merret objektivisht çështja e pakicave kombëtare mund të rregullohet përmes shteteve të tyre amtare. Mirëpo, përvoja nga kjo luftë i tregoi gjithë Evropës se kjo nuk është megjithatë e sigurt. Pavarësisht shfrytëzimit e pakicave kombëtare gjermane nga Rajhu i Tretë, doli përfundimi se kjo çështje mund të rregullohet vetëm përmes të shpërnguljes të këtyre pakicave. Vetë Rajhu i Tretë përdori një politikë brutale të kolonizimit, duke dërguar miliona vetë në një anë të Evropës herë në një anë tjetër. Ai përgatiti plane për shpërnguljen e popujve të lirë dhe me një politikë të paramenduar të kolonizimit. U përpoq të mposhtë juglindjen dhe lindjen e Evropës. Po të fitonte në këtë luftë, sllavët tanë të jugut, posaqërisht serbët, do të humbnin nga faqja e dheut. Këtë mënyrë të zgjidhjes së problemit të pakicave e pranuan edhe anëtarët e paktit të tyre Italia dhe Hungaria. Për këtë është e kuptueshme, që edhe anëtarët e paktit tonë, në këtë luftë të zgjidhin çështjen e pakicave kombëtare përmes shpërnguljeve. Për herë të parë Bashkimi Sovjetik e pranoi qysh para lufte këtë metodë të zgjidhjes së problemit të pakicave. Ai kaherë i shpërnguli karelcët rreth kufirit finlandez. Nga krahinat bregdetare në Lindjen e Largët i shpërnguli koreanët dhe kinezët, madje edhe në Turkmenistan. Kur më 1920, Bashkimi Sovjetik e krijoi (duke e pushtuar) Besarabinë, ai i shpërnguli nga ajo 150 mijë gjermanë të Besarabisë. Qytete të tëra prej barkash ndërtuan gjermanët atë vit në grykën e Savës dhe Danubit dhe në Fushën e Zemunit. Ne beogradasit, në atë kohë, patëm rastin të shohim trenat transportues me gjermanë të atyre llogoreve para se të nisen për Rajhun gjerman. Edhe tash, gjatë luftës, Bashkimi Sovjetik merret me ndërrimin e banorëve duke shpërngulur polakët nga Ukraina dhe Bjellorusia përtej kufirit sovjeto-polak dhe merr nga aty ukrainasit dhe bjellorusët për t‘i vendosur në Bashkimin Sovjetik. Duke u thirrë në këta shembujë edhe ne kemi të drejtë që të kërkojmë nga anëtarët e lidhjes sonë që, çështjen e pakicave, ta zgjidhim po në këtë mënyrë – përmes shpërnguljes.
Më shumë se cilido popull tjetër në Evropë, ne kemi të drejtë për të kërkuar që të na lejojnë anëtarët e lidhjes sonë për të zgjidhur kështu problemin e pakicave. Asnjë popull në Evropë nuk i ka duruar pakicat sikurse ne. Më shumë se një million njerëz, gra dhe fëmijë ranë në këtë luftë të tmerrshme dhe ate tri herë më shumë u vranë të pafuqishmit se sa ata që ranë në fushën e luftës me pushkë në dorë. Një pjesë të madhe të fajit për këtë kasaphanë e mbajnë mbi vete, ashtu siç e pamë, pakicat tona. Anëtarëve të koalicionit tonë duhet t‘ua themi dhe t‘ua dokumentojmë këtë. Thellësisht jam i bindur se ata do të na kuptojnë dhe do t‘i mbështesin dëshirat tona. Posaqërisht, shpresat e mëdha i mbështesim te Bashkimi Sovjetik vëlla. Ne qemë populli i vetëm i pushtuar nga okupatori gjerman, i cili u ngrit në kryengritje kundër gjermanëve prapa shpinës së tyre, atëherë kur Hitleri në vitin 1941 dërgoi hordhitë gjermane në Leningrad, Moskë dhe Stalingrad. Tri vjet ne luftuan në LNÇ në kushtet më të rënda. Për këtë arsye ne, me të drejt, shpresojmë te Bashkimi Sovjetik vëlla se do të na ndihmojë dhe, kështu, të zgjidhim çështjen e pakicave kombëtare në shtetin tonë, ashtu siç e zgjidhi dhe e zgjidhë ai në vendin e vet.
Çështja e pakicave kombëtare zgjidhet me anë të shpërnguljeve të tyre më së lehti gjatë luftërave, siç është edhe kjo e sotmja. Kjo shkon në dëmë të atyre popujve, të cilët ishin kundërshtarët tanë gjatë luftës. Ata na kanë sulmuar neve e jo ne ata. Ata na e shkretuan tokën tonë. Me vetëdije i shfrytëzuan pakicat e tyre në luftë kundër nesh. Ndaj tyre ne nuk kemi kurrfarë pretendimesh territoriale, duke përjashtuar pretendimin kundër Italisë për çështjen e Istrës, Goricës dhe Gradishkës. Për këtë, me shumë të drejtë, si fitimtarë, mund të kërkojmë që t‘i pranojnë pakicat e veta kur t‘i shpërngulim nga shteti ynë.
Kjo luftë me masat e veta kryengritës, parapërgatiti disponimin psikologjik për shpërnguljen. Pakicat tona janë të vetëdijshme se çka kanë bërë dhe kanë parasysh të gjitha këto elemente për të cilat folëm deri tash. Asnjëherë nuk kemi pasur kushte kaq të volitshme se sa në momentet e pikërishme për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes së pakicave kombëtare. Kjo varet, në plan të parë nga largpamësia dhe efikasiteti i atyre njerëzve që vendosin për fatin e popujve tanë se a do të zgjidhet drejt kjo çështje. Thellësisht jam i bindur se ata e kuptojnë rëndësinë e tërsishme të këtij problemi dhe do të dinë si të marrin qëndrim për zgjidhjen e tij.
Për këtë edhe po i shkruaj këto radhë.

VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura