NAIM FRASHËRI NË AUSTRI, POEZI DHE SHKRIME TJERA

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

NAIM FRASHËRI NË AUSTRI, POEZI DHE SHKRIME TJERA

“Apostull i Shqiptarizmës”.  Naim Frashëri evokoi të kaluarën historike të shqiptarëve, poetizoi jetën në gjirin e natyrës dhe bukuritë e vendlindjes…

Vjenë, 20 shkurt 2023: Poeti mendimtar iluminist dhe veprimtar i arsimit e kulturës kombëtare, Naim Frashëri, është i njohur dhe vlerësuar nga çarqet evropiane të kohës. Figura e tij e gjithanshme, vuri themelet e Rilindjes Kombëtare dhe ai për së gjalli u pagëzua: “Apostull i Shqiptarizmës”.  Naim Frashëri evokoi të kaluarën historike të shqiptarëve, poetizoi jetën në gjirin e natyrës dhe bukuritë e vendlindjes.

Naim Frashëri nga viti 1874 deri në vitin 1876 punoi në Sarandë, drejtues i doganës; por në fund sëmurët nga mushkëritë, ai vuante nga tuberkulozi i hershëm dhe tani nga reumatizma e shoqëruar me  dhembje në gjunjë dhe nyje. Në këtë gjendje Naimi detyrohet të udhëton për shërim në banjën e njohur të Badenit, jo larg Vjenës, ku do qëndron gjashtë muaj. Sipas disa burimeve, duhet të ishte fillimi i vitit 1877. Përkujdesi dhe uji i banjës së Badenit i bëjnë mjaftë mirë për shëndetin e tij të rënduar.

Ardhja në Austri, atij i dha mundësinë të viziton  muzeun e njohur të Vjenës, Belvedere, aty ku aso kohe, ruheshin shpata dhe përkrenarja e Kryeheroit tonë,  Gjergj Kastriotit  Skënderbeut (1405-1468).  Shpirti i tij atdhetar u magjeps nga armët e Kryetrimit, i frymëzuar shkroi vargjet e njohura të tij:

Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,

Armët e ti’ kur i pashë

Ndë Belvedere në Vjenë,

Sikur pashë Skënderbenë.

Kështu Naim Frashëri në Vjenë, lidhet akoma më shumë me madhështinë e veprës  së  Gjergj  Kastriotit Skënderbeut. Një dekadë më vonë, në vitin 1898,  nxjerr në dritë veprën e tij “Istori e Skënderbeut”. “Mbi të gjitha këto, Historia e Skënderbeut shënon kulmin e përpjekjeve të vetëdijes patriotike të Naim Frashërit, në kohën kur të gjithë popujt e pushtuar nga otomanët kishin fituar pavarësinë. Prandaj, këtu më vendosmërisht se sa përpara shtrohet imperativi i luftës, i bashkimit, i lirisë”.

Në kohën kur Naim Frashëri erdhi në Vjenë dhe Baden për shërim, kishte pak shqiptarë, të paktën nuk kemi shënime për aktivitet e tyre. Para katër shekujsh ishte i njohur gjenerali  në Dinastinë e Habsburgëve, Gjergj Basta (Georg Basta), shqiptari nga fshati Bastja, rrethina e Sarandës. Basta në fund të jetës së tij ishte Guvernator i Vjenës ku dhe vdes në gusht të vitit 1907, varroset në Kishën e Kryqit të Shenjtë në Vjenë, kurse pesë vite më vonë eshtrat e tij varrosen në Kishën Françeskane të Vjenës. Kjo tregon se historia e pranisë së shqiptarëve në Austri është e vjetër dhe e pa hulumtuar.

Shqiptarët kudo që u gjenden jashtë territoreve etnike; në Evropë, Amerikë e Azi, në fillim shekullin e njëzet kishin përqendruar veprimtarinë në jetësimin e idealeve të rilindësve në bërjen e alfabetit dhe shtetit shqiptar. Sundimi i gjatë turk e kishte dëmtuar çdo gjë shqiptare, në radhë të parë gjuhën, trashëgiminë kulturore, fetare, zakonet. Idetë e Rilindësve u përvetësuan shpirtërisht si program veprimi natyrshëm duke ndikuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare.  

Katër vjet pasi Naim Frashëri mbylli sytë, Dr. Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, themeluan shoqërinë “Dija”.  Kryetar i shoqërisë “Dija” u zgjodh Dr. Gjergj Pekmezi kurse  Hilë Mosi sekretar i saj në Vjenë. Anëtarë kryesie dhe bashkëthemelues  Nikollë Ivanaj i degës në Raguzë. Dy vjet pas themelimit të “Dijes” intelektualët e njohur rreth saj nxjerrin “Kalendarin Kombëtar” një revistë ngjarjesh brenda një viti kalendarik i shtypur në alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”. Aty krahas shkrimeve tjera botohen tregime, anekdota, vjersha nga autor të ndryshëm. Në te do veçojmë poezinë kushtuar Naim Frshërit me titull: “Naim Beut”. Autori i saj nuk është shkruar.            

Naim Beut

Njashtu si shqipja nalt tue fluturue,

Ku përmbi re qohet me krahët e veta;

Njashtu ti Naim gjuhën tonë lartë ke que

Sa me u ndalë, filloi e me dal jeta.

*

Vjershat tuaja janë gjithaq mirë rreshtue

Sa shpesh herë prej gëzimit i habitur mbeta,

Kur unë ishe me gëzim tue i kendue

Se ti në mjaltën ke mbledhë, porsi bleta.

*

Ti vdiqe, prej kësaj bote je largua

Që e vështirshme, e rrejshme është e shkreta…

Por ti prapë mundesh me u këndue

*

Se vjershat tuaja janë aq të nxehta 

Sa prej shqiptarëve nuk kanë m’u harrua

Emri yt, deri sa të soset jeta.

  Kalendari Kombëtar, 1906, Vjenë

 Siç shihet vjersha i kushtohet Naim Frashëri pas vdekjes së tij i cili u bë frymëzim i shumë personaliteteve të kohës.  Naimi vdiq, por vetëm fizikisht, kurse shpirtërisht ai jeton i freskët në të gjitha gjeneratat. Autori i kësaj vjershe të fuqishme, sigurisht është nga radhët e shoqërisë “Dija” e cila nxori Kalendarin Kombëtar i botuar në Austri në vitin 1906. Kështu vepronin edhe kombet tjera, me botimin e kalendarëve kombëtar. 

Në Austri  shënohet 25 vjetori i vdekjes së Naim Frashërit, viti 1925

Safet Butka  nxori Fletushkën NAIM FRASHËRI, e botuar në Graz në vitin 1925 në shënim të njëzet e pesë vjetorit të vdekjes së Naimit.   

Njëri nga ata që shkroi me pasion rreth potit tonë të madh Naim Frashërit në Austri ishte Safet Butka, i cili studioi për filozofi në Grac. Ai  hulumtimin e tij e përmblodhi në fletushkën me titull: NAIM FRASHËRI NJË SHEMBËLL PËR DJALËRINË SHQIPTARE.        

Nxjerrë nga libra NAIM Be FRASHËRI prej një grupi studentësh të Austrisë (Graz), 1925.  

 Që në faqen e parë shkruan: “ Naimi  s’është vetëm një shembull si gjithë shembujt e mirë të historisë e literaturës kombëtare që tërheqë vërejtjen e fiton simpatinë e veç disave, po edhe një fytyrë e shkëlqyer e një personaliteti të rrallë që ka një vlerë aktuale, një vlerë që do shtohet dita – ditës duke pushtuar zemrat e gjithë atyre që do kenë fatin të njihen mirë me jetëshkrimin e veprat e tij. Kjo vlerë e karakterizon vetveten duke u pasuruar me zemra e shpirtra njerëzish “Unë jam në shpirtin taj…” ky burim lumtësije qiellore s’ e ka mëmën vetëm në ndjenjat poetike e patriotike. [1]

Në faqen e dytë shkëpusim disa fjali. “Nga libri “Naim be Frashëri prej Mali Kokojka (Lumo Skëndo), pseudonime të Mithat Frashërit, i shtypur në Sofije në vitin 1901, edhe nga “Kalendari Kombëtar”, 1926, prej një artikulli “Naim be Frashëri”, studim dhe kujtime: “Duke hyrë në Frashër, ndenë xhami të Sulejman be llinjet, në funt të një luadhi, duket një pyrg gurësh e një tufë drurësh që rrëfejnë qenjen e një shtëpie n’atë vent, rrëzuarë 20 (tani 40 e ca vjet më parë).  Të kishim fuqinë të shihnim një djalë të vogël, themi ish ay që do na zbukuronte e do na ngjallte gjuhën t’ënë me vjersha të ëmbëla e të shpirtshme e do të fitonte dashurinë e të gjithë neve e t’a quamë VJERSHËTORI. NAIM BE FRASHËRI”.

     Më tutje në fletushkë shkruan rreth biografisë së Naimit, rrethet, krijimtaria e tij. Në faqen 5 vijnë vargjet e fuqishme nga “Bagëti e Bujqësi”:

  O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!

Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!,

Shënimi i 25 vjetorit të vdekjes së tij në Graz, Vjenë dhe qytet tjera ku kishte studentë shqiptarë në Austri, i dha shtrirje të fuqishme mendimit filozofik të Naim Frashërit.  Austria gradualisht do bëhet qendër e studimeve albanologjike nga do dalin figurat madhor kombëtare të brumosura me ide iluministe të Rilindësve tanë.  Emri dhe idetë e Naim Frashërit tek shqiptarët në Austri do jenë të shënuara gjithandej në shoqatat studentore dhe shoqatave sportive e kulturore. Shtimi i mërgatës shqiptare u shënua me afirmimin e gjuhës shqipe në Austri, kur edhe themelohet Shoqata e Mësuesve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në vitin 1994. Emri i Apostullit të Shqiptarizmës u bë pjesë shpirtërore identifikuese kombëtare në Austri dhe kudo ku flitet e lexohet shqip.

[1] Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2008.

___________

Burime:

Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalor enciklopedik shqiptar l, Tiranë, 2008,

Vepra, Naim Frashëri, Prishtinë, 1987.

Rexhep Qosja, Naim Frashëri, Prishtinë, 1978.

Uran Asllani, Studentët shqiptar të Austrisë dhe veprimtaria e tyre, Tiranë, 2000.  

 Kalendari Kombëtar, Vjenë, 1906.

 Safet Butka, Naim Frashëri, Graz, 1925.

_________

HAZIR MEHMETI: ‘PELEGRIN’ PROMOVOHET NË VJENË

***

HAZIR MEHMETI: DARKA E LIRISË NË VJENË

***

HAZIR MEHMETI: ORË LETRARE FESTIVE NË VJENË – ME RASTIN E DITËS SË FLAMURIT

***

HAZIR MEHMETI: PËRFUNDON VITI SHKOLLOR NË AUSTRI

***

HAZIR MEHMETI: ‘SKËNDERBEU’ RIFRESKON POROSITË E TIJ NË VJENË!

***

HAZIR MEHMETI: NË VJENË SHQIPTARËT PJESË E JAVËS KULTURORE TË INTEGRIMIT

***

HAZIR MEHMETI: AUTORË SHQIPTARË PREZANTOHEN NË JAVËN E INTEGRIMIT NË VJENË

***

HAZIR MEHMETI: PROMOVIM FESTIV NË AMBASADËN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË VJENË TË AUSTRISË

***

***

HAZIR MEHMETI: NË VJENË U PROMOVUA ‘LIBRI I LUFTËS’ I AUTORIT NUHI BYTYQI

***


 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

GRAFOMANIA

GRAFOMANIA  PIKËPAMJE (Intervistë me vetveten) Met Rexhepi Le ta nisi për gjuhën. Çfarë gjuhe përdorim sot në komunikimin…