NARRATIVA E RREME E BEDRI ISLAMIT PËR KRIJIMIN E GJYKATËS SPECIALE

Tradhëtia zakonisht vjen nga manipulimi, por edhe nga injoranca

Narrativa (rrëfenja) e z.Bedri Islami dhe gjithë të ngjashmëve të tjerë, andej e këtej lumit Drin, se gjoja kjo Gjykatë Speciale do të krijohej nga OKB-ja është e rreme.

Nga Dritan Goxhaj, Pashtriku 18 Janar 2023

Më datë 16 Janar 2023, gazeta Dita, e cila botohet këtu në Tiranë, ka publikuar një shkrim të ish-kryetarit të LPK-së, z. Bedri Islami, me titull “Kosova, Rama dhe Thaçi”.

Në atë shkrim më tërhoqi vëmendjen një shprehje e veçantë, ku thuhet: “Ai (Hashimi) nguli këmbë për të krijuar Gjykatën Speciale përmes Paralamentit të Kosovës, duke shmangur mundësinë e dytë, përmes Këshillit të Sigurimit”.

Edhe pse e mar me mend deri diku, sërish nuk arrij që t’i jap një shpjegim logjik arsyes, se përse ish kryetari i LPK-së, por dhe shumë të tjerë, në tentativë për të justifikuar Hashimin ose, rrallë herë edhe për ta denigruar atë, po tentojnë që të ngrejnë një narrativë (një rrëfenjë) të rreme për krijimin e Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale në Kosovë.

Rrëfenja e rreme që këta individë, dhe që nuk janë të pakët, dhe që kërkojnë ta potencojnë, është pjesa ku ata, si në kor ose sikur t’i ketë instruktuar e njëjta qëndër, deklarojnë: “Gjykata Speciale do të ngrihej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nëse nuk e ngrente vetë Kosova”.

Për ta sqaruar njëherë e mirë dhe për ta rrëzuar këtë lloj narrative (rrëfenje), le të shohim pak historikun e ngritjes së kësaj lloj Gjykate Speciale dhe Prokurorie, dhe se kjo Gjykatë e kjo Prokurori nuk mund të ngrihej kurrë nga OKB-ja.

Më 11 qershor të vitit 2007 deputeti i Parlamentit Europian Dick Marty bëri publike për herë të parë në Këshillin e Evopës një raport, në të cilin ai akuzon UҪK-në: për trafikim organesh njerëzore si dhe për krime lufte të kryera në Kosovë dhe në Veri të Shqipërisë.

Me këmbënguljen e tij dhe lobimin rus e serb në KiE, ky organizëm në vitin 2011 miratoi një rezolutë me të cilën kërkon hetime për akuzat e Dick Marty.

Si pasojë e këtij vendimi të Këshillit të Evropës, BE-ja, nëpërmjet misionit të EULEX-it në Kosovë, në muajin Shtator të vitit 2011 vendosi të krijojë një Task Forcë Hetimore Speciale (TFHS). Kjo Task Forcë filloi nga puna në Tetor të po atij viti, e kryesuar nga një amerikan, si mbështetje e shprehur kjo nga Amerika: “se kjo Task Forcë do të ndihmojë Kosovën të ndërtojë kredibilitetin e saj ndërkombëtar”.

Për dy vite e gjysëm TFHS-ja ka zhvilluar hetime intensive për konstatimin e akuzave të ngritura në raportin e Dick Marty-t. Ky hetim përfshinë intervistat e qindra dëshmitarëve nëpër vendet e Evropës dhe në Kosovë.

Ai ka përfshirë shqyrtimin e mijëra faqeve të dokumenteve të përpiluara nga organizata dhe individë të shumtë, që ishin të angazhuar në Kosovë që pas mbarimit të luftës.

Edhe pse kjo Task Forcë pretendonte se kishte bërë hetime intensive, ajo në fakt i ka bazuar të gjitha akuzat e saj mbi dy raporte të bëra në vitin 1999.

Njëri prej atyre raporteve është bërë nga OSBE-ja, i titulluar “As Seen As Told” (Siç u pa, e siç u tha), dhe tjetri i bërë nga Human Rights Watch, me titull “Abuses Against Serbs and Roma in the New Kosovo” (Abuzimet kundër serbëve dhe romëve në Kosovën e Re); si dhe mbi disa mijëra dokumenta të përpiluar nga Qeveria e Serbisë.

Ndërsa, për sa i përket akuzës për trafikim organesh, pas këtij hetimi, kjo Task Forcë deklaroi: “Kumtesat që janë dhënë nga disa njerëz, duke lënë të kuptohet që qindra njerëz janë vrarë për qëllimin e trafikimit të organeve, janë krejtësisht të pambështetura nga të dhënat që ne kemi dhe që Dick Marty kishte”.

Ndërsa prokurori amerikan që udhëhiqte këtë Task Forcë, në deklaratën e tij bërë në vitin 2014 deklaroi: “Përsa i përket procesit, u kuptua nga fillimi kur BE-ja mori përsipër këtë çështje, që disa masa të jashtëzakonshme ishin të nevojshme për të zhvilluar hetimin dhe për të siguruar integritetin e një hetimi të kësaj natyre. Kjo çoi në vendosjen e TFHS-së, e një njësie hetimore autonome, me seli jashtë Kosovës, në Bruksel”.

Dhe një vit më vonë, në muajin gusht 2015, Paralmenti i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese dhe krijimin e kësaj Gjykate dhe Prokurorie Speciale!

Sikundër shihet nga kjo kronologji e shkurtër, në gjithë këtë proces për ngritjen e kësaj Gjykate dhe Prokurorie Speciale, institucioni i vetëm i angazhuar për ngritjen e tyre dhe i interesuar, rezulton të jetë vetëm BE-ja.

Dhe këtë, BE-ja e ka realizuar nëpërmjet disa organizmave të saj, të cilat janë: Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian, Shërbimi i Komisionit Evropian për Instrumentin e Politikës së Jashtme dhe Zyra e Kapaciteteve për Planifikim dhe Drejtim Civil.

Këtë e vërteton sërish kryehetuesi amerikan i kësaj Task Force, kur deklaron: “Duke e kaluar këtë nëpër burokracinë e institucioneve të ndryshme të BE-së, duke marrë konsensusin e 28 shteteve anëtarë, duke siguruar zotimin e një shteti nikoqir dhe duke i adresuar shqetësimet e tij, dhe më në fund, duke përmbushur hapat e nevojshëm ligjorë e ata proceduralë në Kosovë për të krijuar këtë Gjykatë ka qenë një proces, i cili ka qenë pabesueshmerisht i ndërlikuar dhe që ka kërkuar shumë kohë. Përderisa shumica e këtyre hapave janë kryer, dhe Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës formalisht janë zotuar për të themeluar një Gjykatë me garancitë e duhura, Statuti i Gjykatës dhe ndryshimet e caktuara në ligjin Kosovar, duhej të viheshin në veprim para se Gjykata të mund të fillonte punë”.

Natyrshëm lind pyetja: Përse BE-ja, nën ndikimin rus, serb dhe veçanërisht francez, kërkonte që kjo Gjykatë dhe kjo Prokurori të krijohej nga vetë Kosova?!

Përgjigjja e kësaj pyetjeje qëndron në një paragraf të deklaratës së krye hetuesit amerikan të Task Forcës: “Realiteti është që TPNJ-ja (Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi) kishte juridiksionin për të ndjekur krimet që ndodhën gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, pra deri në pikën kur përfundoi lufta në mesin e qershorit të vitit 1999”.

Dhe realiteti është që kjo Gjykatë bëri hetime, por ajo nuk arriti kurrë të gjejë prova për këto krime të supozuara, ndaj dhe nuk arriti të ngrejë asnjë akuzë.

Dhe BE-ja nuk e nxorri nga hiçi këtë lloj Gjykate e Prokurorie Speciale, por ajo e bëri këtë duke kopjuar praktikën e ngritjes së Gjykatës së vitit 1972 në Irlandë, për të gjykuar ish pjestarët e IRA (Irish Republican Army), e cila ishte një lloj Gjykate pa juri, njësoj si dhe kjo Gjykata Speciale e ngritur nga Kosova.

Dhe Gjykata e ngritur në Irlandë ishte një Gjykatë ndaj të cilës edhe Amnesty International, si dhe vetë OKB-ja, nëpërmjet Unitet Nations Commission on Human Rights, (Komisioni për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara), kanë bërë raporte tepër kritike ndaj asaj gjykate, e cila është e ngjashme me Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale që miratoi Hashimi me 82 deputetët e Parlamentit të Kosovës.

Në raportet e këtyre dy organizmave ndërkombëtare kritikohet Gjykata e Irlandës: “Për procedurat e saj dhe për të qenë një Gjykatë Speciale, e cila rëndom nuk duhet të përdoret kundër civilëve”.

Ndër kritikat e tjera janë edhe mungesa e një jurie, e ngjashme me Gjykatën Speciale e miratuar në Kosovë dhe përdorimi i Gjykatës për krimet të supozuara apo “të zakonshme”.

Edhe përmes Gjykatës Speciale e ngritur në Kosovë, ish pjesëtarët e UҪK-së po gjykohen dhe akuzohen edhe për vepra të supozuara, të kryera mbas lufte. Por pas lufte të gjithë këta individë janë civilë dhe jo ushtarakë, ndaj mbi ta nuk mund të përdoret një Gjykatë Speciale, por, nëse ka prova për ato vepra që pretendohet, duhet t’i gjykojnë gjykatat e tjera në Kosovë.

Ndërsa, për ata që do pretendojnë se kjo gjykatë po gjykon edhe vepra të supozuara të ndodhura gjatë luftës, në radhë të parë, duhet të rilexojnë sërish deklaratën e krye-hetuesit amerikan të Task Forcës Speciale, të cilën e kam cituar më lat, se këto krime i përkisnin si gjykim Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi.

Së dyti, tashmë, këta ish-pjestarë të UÇK-së që akuzohen dhe dënohen si në rastin e Salih Mustafës, pas plot 22 viteve, ata janë civilë dhe jo ushtarakë, pasi UҪK-ja ka pushuar së ekzistuari që në Qershorin e vitit 1999.

Dhe, në gjithë këtë shpjegim të sipërcituar gjënden dy nga faktet kryesore që hedhin poshtë narrativën (rrëfenjën) e rreme të z.Bedri Islami dhe gjithë të ngjashmëve të tjerë, andej e këtej lumit Drin, se gjoja kjo Gjykatë Speciale do të krijohej nga OKB-ja.

Fakti i parë është se, OKB-ja e ka krijuar një Gjykatë për Krime Lufte, dhe ajo është Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. Dhe, duke qënë se edhe Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, atëherë Kosova nuk do të mund të krijonte një Gjykatë tjetër Ndërkombëtare të veçantë për këtë zonë gjeografike.

Fakti i dytë, Kosova nuk mund të krijonte një gjykatë të ngjashme me një për të cilën një nga organizmat e saja ka përpiluar një raport tepër kritik për këtë lloj gjykate.

Fakti i tretë, që hedh poshtë këtë narrativë të rreme, është se krijimi i një gjykate apo edhe miratimi i një rezolute nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kërkon votimin unanim të të gjithë anëtarëve të saj. Pasi në këtë Këshill asnjë vendim apo rezolutë nuk quhet e miratuar me shumicë votash, ngaqë ekziston e drejta e vetos.

Dhe një gjykatë të tillë, ashtu siç pretendojnë z.Bedri dhe gjithë të ngjashmit e tjerë, për më shumë edhe e propozuar nga Rusia, në asnjë mënyrë nuk do të votohej nga SHBA. Dhe kjo, sidomos mbas vitit 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë! Qysh pas atij viti, të gjitha institucionet ligjore në Kosovë, po të kishin qënë sadopak të vëmëndshëm dhe hulumtues, do ta kishin konstatuar, se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk ka kaluar asnjë rezolutë e propozuar nga Rusia, pasi Amerika nuk e ka votuar atë.

Dhe, pas gjithë këtij sqarimi pak të gjatë, lind pyetja: Këta që vazhdojnë të krijojnë narrativën se kjo gjykatë do të krijohej nga OKB-ja, nëse nuk e miratonte vetë Kosova, janë ose të paditur, ose janë manipulues?

Unë nuk e di se ç’janë.

Por ama e di, se edhe injoranca edhe manipulimi të çojnë në tradhëti, sikundër i çuan Hashimin dhe shokët e tij në tradhëti kombëtare, me miratimin e kësaj Gjykate dhe Prokurorie Speciale.

Dhe, po të tradhëtosh UҪK-në dhe idealin e saj do të thotë të tradhëtosh Kosovën dhe, rrjedhimisht, do të thotë ta shesësh atë.

Ps: Kolaboracionisti Mit’hat Frashëri thoshte: “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”.

Tiranë, 17 janar 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura