NË 20 VJETORIN E PAVARËSISË: ‘SHQIPËRIA KA BËRË PËRPARIME TË JASHTËZAKONSHME NËN UDHËHEQJEN E MBRETIT ZOG’ (LE FIGARO, 1932)

Francë, 21 Nëntor 2017 “Le Figaro” ka botuar të dielën e 27 nëntorit 1932, në faqen n°2, një shkrim me rastin e 20 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Prestigjiozia franceze ka vënë në dukje asokohe përparim-zhvillimin e kombit tonë nën drejtimin e mbretit Zog.
Si ka qenë situata e Shqipërisë në vitin 1932 ? Në vijim, përshkrimi i “Le Figaro”, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
“28 nëntorin e ardhshëm, Shqipëria do të festojë 20 vjetorin e pavarësisë. Pikërisht, me 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë në Vlorë, pavarësi e njohur me 20 dhjetor nga Konferenca e Londrës.
Shqipëria ka bërë përparime të jashtëzakonshme nën udhëheqjen e mbretit Zog. Janë ndërtuar qindra kilometra rrugë, ura dhe shumë shkolla. Porti i Durrësit, punimet e të cilit kanë filluar prej tetë vitesh, së shpejti do të përfundojë. Uzina elektrike, kanale ujitëse, janë në ndërtim e sipër. Tetë linja ajrore lidhin vendin me pjesën tjetër të botës. Janë mundësuar udhëtime me anije, me ardhje dhe vajtje ditore ; këto anije janë ndërtuar me komoditetin më të fundit. Një hotel i madh dhe shumë modern është afër përfundimit në Durrës. Pikërisht, në plazhin e këtij qyteti, mbreti Zog e ka për zakon të kalojë pushimet e tij verore. Pavarësisht krizës globale që, natyrisht, ka prekur edhe Shqipërinë, zhvillimi i vendit nuk është vonuar.
Të gjithë udhëtarët që kanë qëndruar në Shqipëri e dinë se të huajt janë të mirëpritur. Madje, atyre u jepen shpesh konçesione. Kështu, ata kontribuojnë në prosperitetin e vendit.
Shqipëria ka miratuar moton “Ballkani për popujt e Ballkanit”. Sjellja e saj politike është të jetojë në marrëdhënie të mira me popujt fqinjë. Traktatet janë nënshkruar me vende të ndryshme. Tirana e vlerëson veçanërisht miqësinë e Francës, e cila në shumë raste ka pasur një ndikim të madh në çështjet shqiptare.
Le të shtojmë se shumë shqiptarë, të cilët janë në krye të punëve të vendit të tyre, kanë studiuar në Francë. Mbreti Zog, i cili e njeh mirë gjuhën tonë, është një ndjekës i zjarrtë i kulturës franceze. Shkrimtarët tanë të mëdhenj janë leximet e tij të preferuara. Dhe, thuhet se, ai nuk kalon një ditë, pa lexuar një numër të madh gazetash franceze.”
Nga Aurenc Bebja, Francë – (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania).

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura