NË NJË VJETORIN E SHKSH “MIGJENI”, LUBJANË 22 – 23. VI. 1990

NË NJË VJETORIN E SHKSH “MIGJENI”, LUBJANË 22 – 23. VI. 1990

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 25 tetor 2021

Më 22 – 23 qershor 1990, Shoqata Kulturore Shqiptare “MIGJENI” që vepronte në Lubjanë të Sllovenisë në krye me Naim Malokun, Sali Kabashin, Shemsi Reçicën, Bislim Elshanin etj., (ku botohej Revista ALTERNATIVA, ndërkohë edhe Gazeta REPUBLIKA), ka festuar një vjetorin e themelimit të saj. Gjatë këtyre dy ditëve u organizuan shumë manifestime… Tubimi qëndror u mbajt në ambientet e Shtëpisë “CANKARI” në Lubjanë, ndërsa koncerti me këngëtarët Shkurte Fejza… dhe humoristët e estradës sonë Mixha Ramë, Leci… u organizua në Qendrën Sportive të këtij qyteti. Në këtë event të rëndësishëm Kombëtar morën pjesë Adem Demaçi, Zeqir Gërvalla, shumë intelektualë, profesorë e akademik si Rexhep Qosja, Idriz Ajeti etj., minatorë të Trepçës, studentë nga universiteti i Prishtinës dhe mijëra bashkatdhetarë, që punonin e vepronin në Slloveni dhe në shtetet tjera perëndimore.

***

Paraqitja e parë publike e Adem Demaçit pas daljes nga burgu u bë në këtë event të madh kulturor në Lubjanë.

“Populli ynë është me të vërtetë një popull heroik, një popull i guximshëm, një popull i papërkulur, një popull i paepur. Këtë nuk e themi sepse jemi romantik, sepse duam ta mashtrojmë vetëveten, por sepse faktet flasin kështu”, ka thënë Demaçi.

Adem Demaçi në Lublanë më 1990 – Paraqitja e parë publike pas lirimit nga burgu. Në organizim të Shoqatës Shqiptare “Migjeni” të Lublanës në Sallën “Cankarjev Dom”:

***

Të nderuar miq, me këtë rast përpara jush sjell një pasqyrim të këtij manifestimi përmes fotografive (nga arkivi im), dhe të cilat flasin më shumë se fjalët!

Shtojcë

“PRAP HARRUAM SE 32 VJET MË PARË SHQIPTARËVE TË VETMUAR IU PAT ARDHË PËRKRAHJA NGA TUBIMI NË CANKARJEV DOM?!

Shkruan: Salih Kabashi

Më 27 shkurt 1989 në Slloveni u bënë bashkë të gjithë pa marrë parasysh orientimin politik dhe organizuan atë që deri atëherë dukej e paimagjinueshme. Ndodhi ajo që njihet gjerësisht si Tubimi në Cankarjev Dom.

Edhepse, pas dramës së minatorëve kosovarë, qëllimi fillestar ka qenë që në Lubjanë e nëpër Slloveni të organizoheshin manifestime e parakalime masovike në rrugë, deri edhe demonstrata, pushteti i atëhershëm megjithatë arriti që tubimin tashmë historik në përkrahje kërkesave kosovare ta mbante në një ambient të mbyllur.

Mbizotëroi mendimi se me asgjë nuk duhet t’u ngjanim mitingjeve të njohura serbe, ku rrugëve e shesheve nëpër Serbi e Mal të Zi bëhej politikë rrugaçësh. 

Sllovenët me zërin e fuqishëm në Cankarjev Dom treguan se nuk pajtoheshin me sjelljen e Serbisë në Federatë dhe se mbështesnin kërkesat e Kosovës që nga Beogradi të mos u prekej autonomia.

A don të thoshte se CD ende nuk shkonte më larg se përkrahje për ruajtjen e autonomisë së Kosovës dhe me këtë edhe të themeleve kushtetuese të 1974-ës? Po. Sepse Sllovenia e Kuçanit ende e mendonte veten brenda Jugosllavisë!

Pokështu, edhe pse në rritje, ende nuk paraqisnin shumicën ato forca që donin shkëputjen përfundimtare të Sllovenisë nga Federata.

Një ndryshim tepër i madh i qëndrimit slloven lidhur me shkëputjen e republikës së tyre nga Federata jugosllave erdhi pa vonuar shumë. Meritore për ndryshimin e disponimit slloven kundër shtetit të përbashkët më nuk ishte Kosova por vetë Serbia, e cila me propagandën nacionaliste të shfrenuar kundër diskutimeve në CD, me bojkotin e mallrave sllovene në tregun serb, me sjellje të vrazhda ndaj “tradhtisë” që gjoja SLO po i bënte Serbisë. Pra, çmenduria serbe dhe mitingjet e saj histerike para Kuvendit federativ në BG, edhe iluzionistëve të fundit sllovenë se ende ishte e mundur mbajtja në këmbë e një federate me një Serbi të tërbuar nga nacionalizmi, ua hapi sytë, kështu u krijua masa e nevojshme kritike, e cila e bëri për vete idenë independentiste për republikën e vogël 2 milionëshe.

Sllovenia më nuk kishte dy opcione për ardhmërinë e saj.

Ajo më nuk po e fshihte idenë e Sllovenisë tërësisht të pavaruar e jashtë Jugosllavisë. Dalëngadalë ajo as Kosovës nuk do t’ia mohonte të drejtën për Republikën Shqiptare.

Shqiptarëve në Slloveni por edhe në Kosovë, Cankarjev Domi iu dha krahë.

Menjëherë në Mars ata formuan Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, i cili informoi në mënyrë sistematike opinionin botëror, Parlamentin Evropian, Bashkimin Evropian, Bundestagun Gjerman, Kongresin e Senatun amerikan, mbi gjendjen në Kosovën e shtypur nga Serbia e Jugosllavia.

Në Qershor 1989 doli po në Lubjanë numri i parë i revistës Alternativa me botimet e saj që sfiduan si asnjëherë më parë censurën staliniste e komuniste-çetnike serbe, maqedonase e malazeze.

***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura