NEHAT JAHIU: NE DHE SHOKËT TANË NUK LUFTUAM PËR KARRIGE…

Tetovë, 19. 02. 2015 – Ne dhe shokët tanë nuk luftuam, nuk derdhëm djersën, gjakun dhe nuk e dhamë jetën për karrige. Sot kur përkujtohen përvjetoret e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të kësaj ushtrie të lavdishme shqiptare, neve nuk na ftojnë, sepse nuk dimë çfarë të flasim për këtë luftë dhe për këto beteja, sepse ne nuk e dimë se çfarë është era e barotit. Ne nuk e dimë se si e kemi përjetuar kur na është plagosur një shok në vijën e frontit dhe ka dhënë amanetin në duart tona. Ne nuk e dimë se edhe sot na kujtohen duart e përgjakura nga trupi i invalidve dhe dëshmorëve të kombit. Neve edhe sot plagët na pikojnë gjak. Ne kemi shumëçka për të thënë dhe do të vijë një ditë kur të gjitha do ti themi, sepse historia jonë është shkruar me djersën dhe gjakun tonë. Neve nuk mund të na shkruajnë histori dhe ta na lexojnë referate ata që nuk e dinë se çfarë është lufta. Ne dimë gjithëçka dhe shumëçka. Gjithëçka vonon, por nuk harron. Ne sot pas kaq vitesh nuk dimë asgjë për këtë luftë dhe për shokët tanë që sot nuk janë në mesin tonë, sepse nuk jemi pjesëmarrës të saj. Për këtë dinë të flasin dhe meritorë për tu ftuar nëpër përvjetore janë ata të podrumeve dhe ata të çajtoreve të cilët kur e filluam luftën ikën nga vendlindja dhe na lanë vetëm neve dhe popullin, ndërsa sot ata kanë ftesa speciale në përvjetore përkujtimore… dhe në manifestime të ndryshme dhe ulen në rendet e para në karrige të veshur me kostume dhe me kollare dhe përpillosen herë majtas e herë djathtas që ti kapin kamerat televizive.
Ata që dje na shanë neve, na e shanë nënën, babën e gjithëçka tjetër. Na thanë terorista dhe…, që po ua prishim rehatinë etj. Ne besojmë se do të vijë një ditë kur do të ndahet shapi nga sheqeri. Njëherë e përgjithmonë duhet ti themi gjërat troç e shqip dhe mos të ngurrojmë, mos të frikësohemi, sepse këtë e kemi për obligim. Këtë na e kanë lënë amanet shokët tanë që ranë në betejat e kësaj lufte në altarinë e lirisë. Nuk guxojmë ta harrojmë amanetin e tyre para disa hajnava, matrapazëve, karrieristave…, që sot në emrin dhe kontributin tonë dhe të popullit bëjnë pazarllëqe për një post karrige, për një vend pune dhe…., ndërsa ende kemi shokë të luftës që bredhin rrugëve të atdheut duke vuajtur për një kafshatë buke dhe pë një dhomë strehimi për vete dhe për familjet e tyre. Ku i kemi një numër të shokve tanë të luftës që nga mospërfillja e tyre na ikën dhe po na ikin nga vendi për të cilin luftuan dhe sot po bredhin në mërgim nëpër rrugët e botës.  E merituan këtë ata?!….

Duhet njëherë e përgjithmonë që ti lënë të qetë dëshmorët e kombit në varr e mos të shkelin mbi gjakun dhe eshtrat e tyre, sepse mjaft u ngopëm me referate, por të kthehen nga familjet e tyre dhe ti shikojnë ata ( ato) si po jetojnë, si po shkollohen fëmijët e tyre, si po jetojnë, a po punësohen dhe kë po duhet ta lusin dhe ti përkulen për shkollimin dhe punësimin e fëmijëve tyre. Ky është një absurd mbi absurdin! Këtë nuk mund ta shohin vetëm të verbrit. E di se u bë shumë vonë dhe gjithnjë po manipulojnë disa hajna, korruptues dhe…., që në emrin tonë dhe në emrin e gjakut të shokëve tanë. Njëherë e përgjithmonë ka ardhë koha ta ngrisim zërin dhe këtyre matrapazëve t’u themi stop. T’u themi se ne e kemi e fjalën të flasim për luftën dhe ruajtjen e vlerave të tyre, sepse e kemi gjoksin të mbushur me barot. Ne duhet ta ngrisim zërin dhe të flasim për invalidët e luftës të cilëve akoma ju kullojnë gjak plagët. Ne duhet të flasim për këtë popull, sepse ky popull ka qenë me ne dhe ka ndarë kafshatën e bukës për ne. Ne duhet t’ju themi mjaftë dhe mbylle gojën se ti nuk ke të drejtë të flasësh për dëshmorët dhe familjet e tyre, sepse ju ishit disa që sot vendosni për gjithçka, ndërsa gjatë luftës nuk latë gjë pa na thënë dhe nuk ju kemi parë askund kur digjej kjo tokë e ky qiell. E sot ju vendosni për ne. Ju rrahni gjoks për atdhetarizëm dhe…Nuk ju vjen turp! Po ju nuk keni turp dhe nuk ka se si t’ju vije turp…
Ju fitoni tendera në emrin e gjakut tonë. Disa prej jush vozitni makina me qindra mija euro. Ju aq shumë na keni harruar as që na njihni sot se kush jemi, sepse keni bërë kumari me ata, që gjithnjë ishin kundër nesh dhe… Ju vendosni për ne, për fatin e fëmijëve tanë. Ju disa vendosni edhe për fatin e popullit tonë. Gjithë këtë disa jeni duke e bërë, duke na shitur neve dhe ata që ranë dëshmorë, vetëm për t’u pasuruar dhe për një kolltuk. Në këtë rast duhet të potencojmë se të gjithë nuk jeni të tillë. Jo, jo aspak nuk jeni të njejtë, por duhet ja sot ja kurrë të pastrohet gruri nga egjëra, të ndahet shapi nga sheqeri dhe atëherë besojmë se nuk do të shkelin më disa hajna të fëlliqur mbi idealin tonë dhe të shokëve tanë që ranë në luftë për këtë ideal, që mos të na e baltosin sot disa të paciptë që nuk kanë të bëjnë me asgjë njerëzore, e mos të bisedojmë se në shpirtin e tyre ka pasur ndonjëherë, nuk ka sot dhe nuk do të ketë as nesër një pikë ideali për asgjë, pos intereseve të tyre personale që janë në gjendje për lekë të shkelin mbi gjithçka siç po shkelin edhe sot mbi kontributin, gymtyrat tona dhe mbi gjakun e shokëve tanë të idealit, dëshmorëve të kombit. Respekt!

=====================================

Nuk guxojmë ta harrojmë amanetin e dëshmorëve!

………………………………………..

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura