NJЁ JETЁ MES IDEALIT DHE TRAGJEDISЁ!

NJЁ JETЁ MES IDEALIT DHE TRAGJEDISЁ!

Një jetë mes idealit dhe tragjedisë

Nga dimrat migjenianë të viteve ’70 deri te dhimbja e një aksidenti fatal në mërgim

U rritëm me varfëri e mungesë të gjërave elementare.
Na mbante gjallë vetëm shpresa se pas stuhive vjen kthjellimi. U shkolluam me një racion buke, me opinga llastiku që digjnin lëkurën e dëmtonin ashtin. Por, vullneti i çeliktë mposhte vuajtjet dhe skamjen e dimrave migjenianë.

Në vjeshtën e vitit 1974, me gëzim e entuziazëm nisëm mësimet në Gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës. Ishte kohë ëndrrash. Arsimtarët tanë, të rinj në moshë e të mëdhenj në përkushtim, na dhanë jo vetëm dije, por edhe dinjitet. Atmosfera ishte familjare. Ndamë libra, ndamë bukë, ndamë ëndrra. Luajtëm futboll, hendboll e basketboll. Çdo gjë e kishim bashkë.

Pastaj erdhën vitet e zymta. Fillimi i viteve ’80 solli dhembje e lot. Autonomia u suprimua, shkollat u mbyllën, festat u ndaluan, ekzistenca jonë u mohua. Por edhe nën hijen e tytave, përpiqeshim të gatuanim kulaçin e mbijetesës.

Në këtë stuhi që përfshiu Kosovën, u goditën sidomos ata që mbanin gjallë dritën e dijes.

Ndër ta ishte edhe Fetah Rrustem Sheholli nga Hertica e Llapit, profesor shumëvjeçar në Gjimnazin “8 Nëntori”. Ai nuk e braktisi vendin për luks. E detyruan. E detyroi dhuna, sepse këmbëngulte që gjuha shqipe të jetonte – qoftë edhe në shtëpi-shkolla. Më 1 maj 1994 u keqtrajtua rëndë fizikisht.

Së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij 6-vjeçar, Ngadhënjimin, mori rrugën e mërgimit drejt Zvicrës.

Por mërgimi nuk ia ndërpreu misionin. Fetahu vazhdoi të punojë me fëmijët shqiptarë në kantonin Aarau deri në pension. U bë shtyllë e arsimit plotësues. Po ashtu, për dy mandate, udhëhoqi me sukses shoqatën bamirëse “Ali Ajeti” në Olten.

Ai besonte se arma më e fortë e një kombi është shkolla dhe solidariteti ndaj njëri-tjetrit.

Këtë besim ua përcolli edhe fëmijëve. Ngadhënjimi u rrit me librin në dorë dhe me amanetin se Atdheut i duhen njerëz të arsimuar e të përkushtuar ndaj tij. Kreu studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Cyrihut dhe u bë ekspert në fushën e tij.

Ishte fryt i sakrificës prindërore. Ishte dëshmi se mundi nuk shkon kot. Por jeta, e paparashikueshme dhe e pamëshirshme, ndërpreu rrugëtimin e tij.

Në moshën 38-vjeçare, në rrugët e Austrisë, një aksident i rëndë komunikacioni i mori jetën Ngadhënjimit, në kulmin e pjekurisë. Ai la pas dy djem jetimë, bashkëshorten me dhembjen plumb në zemër dhe prindërit që do ta kujtojnë me lot e mall.

Jeta, me të fshehtat dhe të papriturat e saj, lëndoi rëndë prindërit e Ngadhënjimit, të cilët kishin përballuar varfërinë, represionin, rrahjen, mërgimin – e tani u përballën me goditjen më të rëndë: humbjen e djalit.

Vdekja është gjithmonë e rëndë.
Por vdekja larg Atdheut – është plagë që nuk mbyllet kurrë.

Ngadhënjimi iku, por mbeti dëshmia e një brezi që besoi në dije, në punë dhe në ideal.
Mbeti kujtimi i një jete që u rrit mes sakrificës dhe u ndërpre padrejtësisht në kulmin e saj.

Ky mort që prek deri në palcë na imponon edhe pyetjen:

Sa shumë duhet të paguajë një familje shqiptare për të jetuar me dinjitet?

ARIF EJUPI
Gjenevë, 23 shkurt 2026

***

Kur rruga bëhet mort

Ishe nisur për në Atdhe,

më gëzueshëm se asnjëherë,

me zemrën plot përshëndetje

për familjarë, shokë e miq.

Fluturoje si zogu

drejt folesë.

Por një orë e ligë,

mbështjellë me pëlhurë katrani,

të përpiu.

Kulla në Hertizë

të pret me trinën hapur,

me rrëfimet e gjyshit

mbi të bëmat e Azem Makollit.

Mijëra njerëz,

me dorën në zemër,

luten për shpirtin tënd të bardhë

që nuk e priti Nëntorin e tridhjetë e nëntë.

Dashnia prush për Atdhe

ty dhe shumë të tjerë

në rrugët serpentine të Evropës

tinëzisht u ka marrë.

ARIF EJUPI

Gjenevë, 24 shkurt 2026

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

PËRGJEGJËSIA!

PËRGJEGJËSIA! Nga Sheradin Berisha, Facebook 26 mars 2022 “OBSH: ‘Omicron’ mund të kolapsojë sistemin shëndetësor në mbarë botën”,…