NJË AUTOBIOGRAFI E SHKURTËR E ADEM DEMAÇIT

Pashtriku.org, 29. 02. 2016: Në 80 vjetorin e lindjes / Sipas kujtimeve të nënës së tij kreshnike, Nazife Lahu’Demaçi, Adem Demaç u lind diku në gusht’shtator 1935, por zyrtarisht babai i tij Zeqiri e regjistroi më 26. 02. 1936. U rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, për herë, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit Adem, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm, por me guximin dhe kureshtjen e vet, shumë herë shkaktonte “skandale” politike”.
Gjatë një festimi të shkollës, Adem Demaçi, papritur e pyeti mësuesen e vet Vezire Gllavica, “Mësuese, përse shqiponja në flamurin tonë është e rrethuar me sëpata?”. Kjo pyetje prishi atmosferën në klasë. Mësuese Vezirja që, deri në atë moment, plot gëzim e hare, tregonte se si më 1912, në Vlorë, Ismail Qemali me burrat e tjerë shqiptarë kishte ngritur përsëri flamurin e Gjergj Kastriotit, vrik ua ktheu shpinën nxënësve dhe u zhgreh në vaj. Nxënësit duke vërejtur se mësuesja Vezire dëneste, edhe ata u zhgrehën në vaj. Vetëm Ademi i vogël mbeti si i ngrafitur nga habia përse e gjithë klasa bashkë me mësuesen qante për shkak të një pyetje aq të thjeshtë që i kishte drejtuar mësueses aq të dashur. Duke mos gjetur përgjigje ngushëlluese edhe ai iu bashkua vajit e dënesjes së përgjithëshme. Pas një copë here, mësuesja Vezire e mori veten, fshiu lotët, iu afrua Ademit të vogël dhe duke ia përkëdhelur flokët e bardhë iu drejtua nxënësve tashmë të qetësuar me fjalë trimëruese: “Edhe pak kohë shqiponja jonë ka për t’i luajtur krahët e vet të fuqishëm dhe ka për t’i bërë copë e grimë sopatat e zeza fashiste!”
Edhe si nxënës i klasës së parë të Gjimnazit Real të Prishtinës, më 1946, Adem Demaçi me pyetjen e vet “Pse edhe nxënësit serbë nuk mësojnë shqip sikurse shqiptarët që mësojnë serbisht?” që ia drejtoi arsimtares Zorka Peçenoviq, bëri që kjo e fundit, e befasuar dhe e dëshpëruar nga kjo pyetje, pasi që nuk ia doli ta qetësojë klasën me shpjegimet e veta, u zhgreh në vaj dhe me lot në sy u largua nga ora e mësimit, duke iu ankuar drejtorit të gjimnazit për atë që kishte ndodhur në klasë. Vetëm mosha fort e njomë e Ademit e shpëtoi atë që të mos përjashtohej nga shkolla.

– Adem Demaçi –

Në një tubim të letrarëve të Kosovës, më 1955, ku ishin të pranishëm edhe udhëheqës të lartë partiakë e shtetërorë të Kosovës dhe ku këmbëngulej që të provohej se në Kosovë ishin duke u bërë hapat e parë të letërsisë, Adem Demaçi, i cili sapo kishte filluar studimet e letërsisë në Beograd, u ngrit e tha se “ne nuk jemi duke bërë kurrëfarë hapash të parë, sepse ne kemi tashmë traditën tonë letrare, kemi Naimin, Çajupin, Migjenin, Spasen, Nolin, Kutelin dhe se ne vetëm duhet të vazhdojmë rrugën e tyre në letërsinë tonë”. Kjo qe një sfidë që tregoi se në mes të letrarëve të Kosovës po lind rebeli.
Gjithashtu, në një tubim tjetër, një vit më vonë, të letrarëve të Kosovës, pasi që Mehmet Hoxha, një udhëheqës ende me ndikim në hierarkinë e udhëheqësve shqiptarë të asaj kohe, u zotua që të mos lexohej dhe të mos botohej Ernest Koliqi që jetonte dhe krijonte në Itali, Adem Demaçi, duke marrë pjesë në diskutim tha se “nuk ka asgjë të keqe nëse e lexojmë Koliqin sepse ai është mjeshtër i rrallë i novelës shqipe dhe se ne kemi shumë çka të mësojmë nga ai”. Kjo nuk kaloi pa mërmëritje në qarqet politike të Kosovës, por regjimi komunist më shumë preferonte që, po qe e mundur, Demaçin e talentuar dhe tashmë të popullarizuar, ta bënte për vete se sa të merrte masa kundër tij.
Adem Demaçi, krahas krijimtarisë letrare, ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve. Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap. Dënonte fushatën e ashtuquajtur të mbledhjes së armëve që ishte ushtruar në dimrin e 1955 – 1956, dënonte arrestimin e dënimin e grupit të studentëve me në krye Rexhep Latifin dhe Nysret Novakazin në Prishtinë dhe grupin e Burhan Pashollit në Shkup, sepse këto raprezalje frikësonin edhe më shumë turmat shqiptare dhe bënin që edhe më shumë të merrte hov shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi.
Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, „Jeta e re“ falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit. Romani, nën petkun letrar, me aludime dhe metafora pothuaj të hapta ishte në të vërtetë nje mesazh politik. Porosi ishte që shqiptarët t’i lenin më një anë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe krejt energjitë e tyre t’i drejtonin kundër pushtuesit. Regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist. Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Kupa po mbushej. Ai do të vihej, shumë shpejt, para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të inkorporohej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të shqelmohej pa mëshirë nga regjimi dhe do të kalonte nëpër kalvarin e pafund të mundimeve.
Në verën e 1958, Demaçit iu sugjerua në mënyrë subtile që të inkuadrohej në rradhët e Lidhjes Komuniste, gjë që po ashtu butazi u refuzua nga ai. Mirëpo, kur pas një farë kohe atij ky sugjerim iu bë në mënyrë këmbëngulëse, Demaçi po ashtu u përgjigj me vendosmëri: “Shikoni, për ju më mirë do të jetë të mos ngatërroheni me këtë punë, sepse kur do të më përjashtonin nga Partia, dikush do të mund të kujtohej e të pyeste se kush qe ai që e propozoi Ademin të anëtarësohet në Lidhjen Komuniste dhe do ta “hanit” edhe ju bashkë me mua!”.

Adem Demaçi me mësuesen e tij Vezire Gllavica

Me kaq kupa u derdh!
Në kreun e UDB’së u vendos që Demaçit t’i merrej liria dhe me këtë hap të arriheshin dy objektiva: së pari të eliminohej vetë ai si element “turbullues” dhe së dyti dhe kjo është më e rëndësishmja, inteligjencës shqiptare t’i futej data dhe të mos guxonte të dilte nga binarët e nënshtrimit dhe të konformizmit. Për këtë qëllim, më 19. 11. 1958, në Prishtinë, “në emër të popullit” Adem Demaçi u arrestua dhe pas disa muajsh në hetuesi, u nxuar para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”.
Mirëpo para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të mos derdhet gjaku dhe të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me nënën e vet – Shqipërinë! Qytetarët që kishin mbushur sallën e madhe të gjyqit nuk i përmbajtën dot lotët. Vetëm nëna Nazife nuk qante. Ajo ishte krenare me birin e vet trim. Dënimin drakonik prej pesë vjetësh Adem Demaçi e priti me buzëqeshje. Sfidën e regjimit për t’u sakrifikuar krejtësisht dhe përgjithmonë për lirinë e Kosovës Demaçi e pranoi me një mendje dhe pa mëdyshje.
Pas daljes nga burgu i parë, nëna i pat thënë: “Bir i nënës, Nëna Nazife, herët ose vonë, një ditë do të vdesë, por populli shqiptar nuk ka për të vdekur kurrë, prandaj lere Nënën Nazife në dorën e Zotit e ti kapju popullit!”Adem Demaçit iu desh vetëm leja e nënës së vet që me krejt forcën, t’i përkushtohej përpjekjeve politike në funksion të lirimit të popullit shqiptar nga dominimi, diskriminimi dhe destruksioni serbomadh.
Nga pranvera e 1963, Adem Demaçi, bashkë me Ahmet Haxhiun (i ndjeri), Fazli Graicevcin ( i ndjeri), Zeqir Gërvallën, Selman Berishën, Azem Beqirin, Hilmi Rakovicën (i ndjeri), Emine Rakovicën, Rexhep Ukë Drenicën (i ndjeri), Tefik Karamanin, Xhaferr Mahmutxhikun, Dibran Bajraktarin (i ndjeri), Teki Dervishin (Kadri Kusarin (i ndjeri), Din Spahiun (i ndjeri), Isa Demajn (i ndjeri), Rexhep Elmazin (i ndjeri), Shefqet Strofcin, Avdyl Lahun (i ndjeri), Mustafa Venharin ( i ndjeri), Hysen Dacin, Mahmud Dacin ( i ndjeri), Durak Mazrekun ( i ndjeri), Mejreme Berishën, Sulejman Drinin ( i ndjeri), Elheme Shalën, Ali Sokolin (i ndjeri), Drita Halimin, Xheladin Dedën (i ndjeri), Ajshe Cakën dhe Nazmi Sejdiun, iu rrek punës së rrezikshme dhe tepër të vështirë për formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.
Regjimi policor serb kishte qenë gjatë tërë kohës në përcjellje të Adem Demaçit me shokë. Pas dy-tre aksioneve, më 8 qershor 1964, ky u arrestua bashkë me shumicën e organizatorëve. Pas hetimesh të egra, gjatë të cilave, nga torturat pat vdekur Fazli Grajcevci, grupi u nxuar para gjyqit. Dënimet qenë vërtet drakonike (prej gjashtë deri në pesëmbëdhjetë vjet), mirëpo edhe efekti politik, si në opinionin e brendëshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, ishte fort i madh. Në qarqet politike të kohës, regjimit të Jugosllavisë së atëhershme i duhej të përgjigjej ndaj shumë pyetjeve të pakëndëshme. Titoja, mjeshtri i madh i kozmetizimit të totalitarizmit, tashmë u detyrua të mendonte si të distancohej dhe të shpëtonte nga hija e Aleksandër Rankoviqit, për të vazhduar edhe më tutje pushtetin e vet.
Kur Adem Demaçi, më 8 qershor 1974, doli nga burgu i Pozharevcit, gjendja në Kosovë ishte larg më ndryshe se në qershor 1964. Edhe pse dominimi jugosllav ende ishte mjaft i pranishëm, për sa u takon çështjeve thelbësore për lirinë e Kosovës, gjasat për të arritur lirinë përmes një evolucioni të shkallëshkallshëm nuk ishin të pamundëshme. Dukej se për Titon dhe për komunistët, tashmë të moderuar sllovenë, kroatë dhe boshnjakë, ideja dhe mundësia e pavarësimit të dalëngadalshëm të të gjitha njësive federale nuk ishte më diçka e huaj dhe e largët, përfshi këtu edhe Kosovën, deri në një lidhje konfederale. Kështu do t’i jepej fund të gjitha kundërshtive dhe kundërthënieve nacionale në ish’federatën jugosllave. Mirëpo krerët e komunistëve serbë, maqedonas dhe malazias kishin frikë pikërisht nga një mundësi e tillë, prandaj po merrnin masa intensive në funksion të monolitizimit të shtetit jugosllav dhe të jugosllavizmit si variant i pansllavizmit ortodoks.
Në frymën e këtyre tendencave, gjatë vitit 1975 në Kosovë, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Vojvodinë, ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, u bënë shumë burgosje arbitrare dhe u montuan shumë procese gjyqësore kundër njerëzve të cilët policia sekrete serbe i konsideronte të rrezikshëm dhe bartës të forcave disintegruese të Jugosllavisë. Me këtë qëllim, me 6 tetor 1975, Adem Demaçi u burgos në Prishtinë për të tretën herë. Në procesin e kurdisur, pas hetimeve mizore, u dënuan, me dëshmitarë të rremë dhe në mënyrë të pamëshirshme, Adem Demaçi, Rexhep Mala (i ndjeri), Skënder Kastrati dhe 16 vetë të tjerë. Dënimet u prenë prej 15 deri në 5 vjet. Ndonëse fare i pafajshëm, Adem Demaçi, nuk hoqi dorë nga ideja e tij se shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lirë dhe të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe shqiptimin e dënimit ndaj tij prej 15 vjetësh ai e priti me buzëqeshje. Tani ai e kishte krejtësisht të qartë se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e shpartallimit të vet të sigurt.


Shtëpia ku e kaloi fëmijërinë Adem Demaçi

Në mars të vitit 1990, në kazamatin famëkeq të Stara Gradishkës, ku qendronin të patundur, Adem Demaçi dhe tridhjetë shqiptarë të tjerë, tash katërmbëdhjetë vjet, për herë të parë, autoritetet policore lejuan të hynin brenda nëpunësit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Pastaj lejuan të hynin edhe disa gazetarë. Të gjithë gazetarëve me të cilët pati rastin të takohej, Adem Demaçi u pati thënë se z. Millosheviq, me politikën e vet punon për shpartallimin e Jugosllavisë. Jugosllavinë tashmë e kishin përfshirë ethet e dekompozimit. Demaçi mundohej që ky dekompozim të bëhej dalëngadalë, në mënyrë paqësore dhe pa gjakderdhje. Nga perspektiva dhe rrethanat e asaj kohe kjo dukej e mundëshme.
Me 21 prill 1990, Adem Demaçi me shumë shokë nga burgjet e Kroacisë u liruan. Në intervistën e parë një ditë a dy pas lirimit nga burgu, që ai e dha për televizionin slloven, pa shprehur kurrëfarë urrejtje ose mllef hakmarrës, Ademi u mundua të hapte rrugë e shtigje për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme dhe të favorshme për të gjithë ata që jo vetëm me fjalë por edhe me vepra ishin për liri dhe barazi në hapësirat e Ballkanit. Në një takim në Ljubjanë, para një auditori të madh, Demaçi, nuk nguroi që të shprehej kundër variantit me luftë për zgjidhjen e mosmarrëveshjve me Serbinë. Madje për habinë e të gjithëve, duke synuar urat e mirëkuptimit, ai për herë të parë e përdori edhe dyfjalëshin “vëllezërit serbë”.
Në pranverë të vitit 1991 Demaçin e bindën që të merrte kryesinë e “Këshillit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”. Këshilli edhe deri atëhere kishte punuar dhe kishte dhënë ndihmesë të madhe, por me ardhjen e Adem Demaçit në krye të tij, falë autoritetit të tij të madh në popull, falë guximit, aftësive organizative dhe këmbënguljes së tij, këshilli, nga një kolektiv prej gjithsej 25 vullnetarësh, pa lokale të veta dhe pa mjete materiale, shumë shpejt, gjeti lokalet e veta të punës, krijoi mjete të domosdoshme materiale për një punë sadokudo normale, krijoi nëndegët e veta në të gjitha qendrat e Kosovës dhe në shumë qendra të njohura të botës, kështu që në rradhët e tij ai përfshiu më se 2000 anëtarë.
Fjala e lirë dhe mendimi i lirë i Këshillit me në krye Adem Demaçin po ndiheshin gjithnjë e më shumë në botë. Në dhjetor 1991, Parlamenti Evropian në Strasburg, me angazhimin e fortë të të ndjerit Aleksandër Langer, të zonjës Doris Pack, të shumicës së deputetëve të këtij parlamenti dhe me angazhimin e pakursyer të bashkëatdhëtarëve tanë Behare Rexhepi dhe Reshat Sahitaj, i akordoi z. Demaçi çmimin e lartë “Sakharov”. Pas kësaj mirënjohje të lartë Adem Demaçi ndërmori një turne të gjatë nëpër botë me ç’rast takoi shumë personalitete të njohura botërore si dhe shumë bashkëatdhëtarë tanë të shpërndarë në të katër anët e botës. Pas kthimit nga udhëtimi i dytë në SHBA, në pranverë 1993, Demaçi mori një ftesë për të kontaktuar drejtpërdrejt me shikuesit e televizionit të Beogradit dhe të Serbisë përmes televizionit të pavarur të Beogradit. Ftesën e pranoi pa mëdyshje. Brenda 100 minutave, sa zgjat zakonisht emisioni i drejtpërdrejt, mu në mes të Beogradit, Demaçi mbrojti me dinjitet, me argumenta dhe në mënyrë të shkëlqyeshme të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë të lirë dhe të pavarur si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.
Në verën e vitit 1994, me ftesë të Rrethit të intelektualëve të Beogradit (Beogradskij Krug), në krye të të cilit qendronte profesori i ndritur dhe disidenti i njohur, tash i ndjeri Miladin Zivotiq, Demaçi u gjend sërish në Beograd. Mbeti e paharrueshme fjala e tij e frymëzuar që ua tha intelektualëve të Beogardit: “Për këtë që kaq fort e dua lirinë për popullin tim, për këtë jeni edhe ju fajtorë, zotërinj të nderuar, sepse edhe prej jush kam mësuar se si duhet liria e pavarësia..” Edhe në vitin 1995, bashkë me Bajram Kosumin dhe Masar Stavilecin, Adem Demaçi, para po të njëjtit forum në Beograd, u mundua që të mbante gjallë dhe të forconte shansin e zgjidhjes paqësore të çështjes së Kosovës edhe pse “Marrëveshja e Dejtonit” qe një paralajmërim zhgënjyes për ata që besonin në zgjidhjet paqësore në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Pas shpërthimeve të para të organizuara në shumë pika të Kosovës njëkohësisht, në pranverë të 1996, me angazhimin energjik të anëtarëve të nënkëshillit tonë në Bruksel, Behare Rexhepit dhe Reshat Sahitajt, Adem Demaçi mori rrugën për në Bruksel, Hagë dhe Londër. Përpjekjet e Demaçit për të bindur dhe angazhuar fuqitë evropiane që të përdornin mjetet e tyre për të penguar gjakderdhjen edhe më të madhe që po paralajmërohej në Kosovë, hasën në moskuptimin dhe mospërfilljen e faktorëve përkatës dhe Demaçi u kthye në atdhe shumë i mërzitur dhe i zhgënjyer.
I bindur se pa gjak regjimi serb nuk kishte ndërmend që të hiqte dorë nga pushtimi i Kosovës, Demaçi, më në fund, nuk i refuzoi thirrjet, disa herë të përsëritura, që t’i bashkohej Partisë Parlamentare. Qëllimi ishte që me anë të PPK’së të krijohej mbështjellësi i domosdoshëm dhe i kualifikuar politik për lëvizjen çlirimtare që tanimë rridhte nga zemra e popullit dhe kishte vendosur të paguante çdo çmim për lirinë e vet. Qëllimi tjetër më i zgjeruar ishte që përmes PPK të krijohej “Forumi Demokratik i Kosovës”, një lëvizje e kompletuar gjithëpërfshirëse politike e cila do të na shpinte deri te liria e Kosovës me shumë më pak sakrifica. Me synim që UÇK të vendosej faktikisht dhe formalisht në qendër të lëvizjes gjithëpopullore për liri të Kosovës, Adem Demaçi bashkë me bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë të udhëheqjes së atëhershme të PPK, më 5 dhjetor 1997, i drejtoi një Letër të hapur UÇK’së. Me gjithë angazhimin e parezervë për realizimin e këtyre synimeve tejet të domosdoshme, këto përpjekje hasën në moskuptimin tragjik dhe paaftësinë fatale të aktorëve të tjerë politikë që nuk ishin në lartësinë e duhur të momentit dramatik historik.
Me 22 shkurt 1998, Adem Demaçi, në Prishtinë, në Qendrën Amerikane, në cilësinë e Kryetarit të PPK pati një përballje dramatike me të dërguarin special të SHBA-së për hapësirën e ish Jugosllavisë, z. Gelbard. Në përpjekjet e atëhershme të gabuara amerikane për të zgjidhur çështjen e Kosovës duke nënshtruar shqiptarët, z. Gelbard kërkoi nga Adem Demaçi që edhe ky të përkrahë tezën e tij të gabuar se UÇK ishte organizatë terroriste! Kjo kërkesë hasi në kundërshtimin e vendosur të Demaçit. Z. Gelbard tri herë me zë të ngritur i tha Demaçit se “UÇK-ja është organizatë terroriste”, kurse Demaçi tri herë përsëriti së UÇK-ja ishte organizatë çlirimtare. Takimi përfundoi në atë mënyrë që bashkëpunimi midis Adem Demaçit dhe PPK në njërën anë dhe amerikanëve në anën tjetër, rreth zgjidhjes së çështjes së së Kosovës, u ftoh për disa muaj të ardhëshëm.
Me 12 gusht 1998, me ftesën e udhëheqjes së UÇK-së në Tiranë u arrit marrëveshja gojore që Adem Demaçi të merrte përsipër udhëheqjen politike të UÇK-së dhe të përfitonte mundësinë për krijimin e Asamblesë së Kosovës. Pas kësaj, Adem Demaçi, në mes të Prishtinës, mu përpara kthetrave të kulçedrës kriminale, hapi Përfaqësinë Politike të UÇK-së dhe rreth vetes mblodhi shumë këshilltarë kompetentë që e ndihmuan pa rezerva për gjashtë muaj- deri më 26 shkurt 1999, aq sa edhe zgjati bashkëpunimi shumë i gjallë dhe i frytshëm midis udhëheqjes së UÇK-së dhe Adem Demacit e stafit të tij të vyer e lojal. Adem Demaçi nuk u pajtua me “Projektin e Rambujesë” sepse ai ofronte vetëm një autonomi tepër të cunguar për shqiptarët. Gjatë bombardimeve të forcave të NATO-s mbi Serbinë dhe mbi caqet usharake në Kosovë, Adem Demaçi refuzoi të fshihej ose të arratisej nga Kosova.

( Editori i www.pashtriku.org, 29. 09. 2010 )

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura