NJË RRËFIM NGA UDHËTIMI I ANGLEZËVE NË SHQIPËRI NË KOHËN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

NJË RRËFIM NGA UDHËTIMI I ANGLEZËVE NË SHQIPËRI NË KOHËN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Nga Durim Abdullahu, Pashtriku 13 qershor 2023

Në tetor të vitit 1878, katër shokë anglezë, Edward – një gazetar dhe tre artistë Brown, Robinson dhe Jones, u nisën nga Anglia dhe duke ndjekur bregun lindor të Adriatikut zbritën deri në Shkodër. Ata kishin vendosur të kalonin disa javë në Shqipëri për të pikturuar peisazhet e egra të natyrës shqiptare dhe kostumet piktoreske të njerëzve. Të paktën, ky ishte justifikimi i tyre para njerëzve dhe këta ishin emrat e tyre të rremë, sepse e vërteta e tyre ishte krejt tjetër. Ata ishin katër spiunë të nisur me mision nga Anglia për të spiunuar drejtuesit e Lidhjes Shqiptare dhe për të raportuar për gjendjen në terren. Për këtë arsye, gjatë gjithë udhëtimit të tyre misterioz, ata mbajtën lidhje me Kirby Green, konsullin britanik në Shkodër dhe Charles Louis John, konsullin britanik në Prizren. 

Me tu kthyer në Londër, në pranverën e vitit 1880, njëri nga ta, Edward Frederick Knight, gazetar i gazetave The Times dhe Morning Times, botoi në Londër një libër siç e thotë dhe titulli, për Shqipërinë një rrëfim nga udhëtimi i fundit. Këtu, ai evokon një takim të tij të fshehtë me një nga prijësit e Lidhjes, për të cilin, duke ia ruajtur anonimitetin, Knight shkruan: “I thashë se anglezët donin të mësonin cilat ishin synimet e Lidhjes. Synimi ynë – tha, – është të mbrojmë tokat tona nga armiqtë. Kryetarët e Lidhjes janë betuar. Edhe Shqipëria duhet të jetë e pavarur dhe fuqitë e mëdha duhet të na njohin.” Përkundër përpjekjeve të tij të ndërmjetësuara nga kryetarë lokalë fisesh, Knight nuk arriti ta takonte Ali Pashë Gucinë, që e kishte nuhatur misionin bartnin këta anglezë dhe e refuzoi takimin. Sidoqoftë, Edward Frederick Knight na ka lënë një skanim të detajuar të gjendjes në Shqipërinë e kohës së Lidhjes, të njerëzve dhe vlimeve politike. E kështu ka bërë edhe miku i tij tjetër me emër të fshehur, që unë besoj se ishte Richard Caton Woodville, e i cili te libri i tij autobiografik “Random Recollections” (“Kujtime të rastësishme”), botuar vetëm më 1914, sjellë edhe disa skica e ilustrime të ushtarëve të Lidhjes së Prizrenit.     

Që nga vitet 1938 dhe ’39, kur Mehdi Frashëri dhe Xhafer Belegu i shkruajtën dy veprat e para për Lidhjen e Prizrenit dhe deri më 1997 kur Kristo Frashëri e botoi monografinë e tij si studimi më i plotë deri sot për këtë temë, historia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është studiuar nga shumë autorë, të nisur prej burimesh dhe pikëpamjesh të ndryshme. Cili ishte konteksti historik dhe cilat ishin mikrokontekstet sociale në të cilat ndodhën ngjarjet e gjithë ecurisë së Lidhjes së Prizrenit? Si u bë që në zonat më perëndimore të Perandorisë Osmane, një organizim politik i shqiptarëve për mbrojtjen e territoreve të tyre nga popujt ballkanikë, i përballi ata me fuqitë më të mëdha të kohës, në beteja heroike për tokat e tyre? Si rrodhën ngjarjet që një organizatë politike si Lidhja derivoi dhe kanalizoi një lëvizje të tërë drejt kombformimit dhe shtetndërtimit te shqiptarët? Cilat ishin diskutimet dhe pëplasjet mes rrymave autonomiste, indipendentiste dhe otomaniste brenda Lidhjes?

A mund të ndërtohet një prosopografi apo një profil grupor i prijësve të parive që drejtuan me këshillat e Lidhjes, për të parë se kush ishin këta njerëz: Iliaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Zija Prishtina, Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshi, Ahmet Koronica, Seit Toptani, Mustafa Nuri Vlora e Abdullah Pashë Dreni?

Botimi i burimeve osmane, austriake, britanike e italiane të nxjerra nga arkivat, kanë përplotësuar shpesh deri në detaje të ndodhurat e Lidhjes Shqiptare dhe zhvillimet e asaj kohe. Pikërisht për shkak të njohjes me burime të panjohura më parë, historia e Lidhjes së Prizrenit mund dhe duhet të analizohet edhe më thellësisht dhe të çëmtohet edhe më imtësisht, veçanërisht në kuadër të gjendjes socio-kulturore te shqiptarët dhe në raport me pozicionet politike ndërkombëtare.           

Vërtetë në kohën e Lidhjes shqiptarët humbën jo pak territore në zonat kufitare me shtetet ballkanike, por ata fituan një traditë shumë të fuqishme të organizimit politik, në kulmin e nacionalizmave shovinist ballkanikë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u kthye nga një organizatë politike dhe ushtarake në një lëvizje që prodhoi një frymë e cila vuri themelet e shtetndërtimit dhe kombformimit te shqiptarët.    

Më 10 qershor 1878, nga këtu në Prizren u nis një rrugëtim i përbashkët dhe i gjatë që asnjëherë nuk merr fund, sepse ai ndjek udhën e emancipimit politik dhe të artikulimit autentik të qenies politike shqiptare. Andaj kaq natyrshëm, edhe 145 vite më pas, ne e kujtojmë historinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke e synuar mirëmbajtjen dhe kultivimin e asaj trashëgimie politike.

Ju faleminderit!

– Fjalim i lexuar me 10 qershor 2023 ne Prizren, në 145 vjetorin e Lidhjes.

……………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura