PËRGJEGJËSIA E ARTISTIT

PËRGJEGJËSIA E ARTISTIT

Nga Albert Camus, Pashtriku – 28 korrik 2021

Një i mençur nga Lindja gjithmonë i lutej hyjnisë së tij ta mbronte nga të jetuarit në kohë interesante. Meqenëse ne nuk jemi të mençur si ai, hyjnia jonë nuk na ka mbrojtur sepse jetojmë në kohë interesante. Në çdo rast epoka jonë s’na lë asnjë mundësi që ta shpërfillim. Shkrimtarët e sotëm tashmë e dinë këtë. Nëse flasin, ata menjëherë kritikohen e sulmohen. Nëse qëndrojnë të heshtur nga përulësia, askush s’do të flasë kurrë për asgjë tjetër përveç heshtjes së tyre, për t’i fyer shumë rëndë.

Mes kësaj zhurmnaje shurdhuese, shkrimtarët s’mund të shpresojnë më të rrinë mënjanë për t’i bluar në mendje mendimet dhe reflektimet që çmojnë fort. Deri më tani ka qenë deri-diku e mundur të rrish mënjanë nga historia. Kushdo që s’pajtohej me ngjarjet shpesh mund të heshtte, ose të fliste për të tjera gjëra. Sot gjithçka ka ndryshuar: vetë heshtja ka marrë kuptim të frikshëm. Koha kur të qëndruarit mënjanë shihej si një zgjedhje, dhe qortohej ose vlerësohej si e tillë, artistët, duam ose jo, u përfshinë. Dhe këtu, fjala u përfshinë më duket shumë më e saktë sesa u angazhuan. Në fakt, nuk është thjesht çështje e angazhimit vullnetar të artistit, por më tepër e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Të gjithë artistët sot kanë hyrë në galerinë e kohës. Ata duhet ta pranojnë faktin edhe nëse e ndiejnë se anija e tyre qelbet nga era peshk, se ka me të vërtetë shumë mbikëqyrës tiranë dhe, për më tepër, që po del jashtë kursit të veprimit. Jemi në det të hapur. Artistët, si të gjithë të tjerët, duhet të shprehen, pa vdekur, nëse është e mundur – kjo do të thotë, duke vazhduar të jetojnë dhe të krijojnë.

Të them të drejtën, kjo s’është e lehtë dhe unë e kuptoj se si artistët mund t’i marrë malli për jetën e rehatshme të mëparshme. Ndryshimi që ka ndodhur ka qenë mjaft brutal. Sigurisht, në amfiteatrin e historisë gjithmonë ka pasur martirë dhe luanë. Martirët gjenin forcë tek ideja e lavdisë së përjetshme, luanët nga ushqimi shumë i përgjakshëm historik. Por, deri më tani artistët kanë mbetur gjithmonë mënjanë. Kënduan pa ndonjë arsye, për kënaqësinë e tyre ose, në rastet më të mira, për ta nxitur martirin dhe për t’u përpjekur ta shpërqendrojnë luanin nga preja. Tani, përkundrazi, artistët e gjejnë veten të zënë në kurth brenda amfiteatrit. Zërat e tyre, natyrshëm, s’tingëllojnë më njësoj: janë shumë më pak të sigurt.

Është e lehtë të shohësh se çfarë rrezikon të humbasë arti nga një përfshirje kaq e vazhdueshme: më së shumti humbet rehatinë e mëparshme, dhe atë liri hyjnore që jeton dhe merr frymë në veprat e Moxartit. Tani mund ta kuptojmë më mirë atmosferën sfilitëse dhe të paepur të veprave tona të artit, ngjitjet e tërbuara dhe rëniet e papritura. Kësisoj i themi vetes se e kuptojmë arsyen pse ka më shumë gazetarë sesa shkrimtarë, më shumë piktorë amatorë sesa Cézannes dhe pse letërsia për fëmijë dhe misteret e vrasjeve kanë zënë vendin e Luftës dhe paqes të Tolstoit ose të Manastirit të Parmës të Stendalit. Natyrisht, gjithmonë mund t’i kundërvihemi kësaj gjendjeje me vajtime humaniste, për t’u bërë ai që Stepan Trofimovichi dëshpërimisht dëshironte të simbolizonte te Djajtë e Dostojevskit: fyerjen e mishëruar te një njeri. Dhe pikërisht si ai personazh, ne po ashtu mund të përjetojmë periudha dëshpërimi qytetar. Por ai dëshpërim s’do të ndryshonte asgjë në lidhje me atë që vërtet po ndodh.

Për mendimin tim, do të ishte shumë më mirë të bëheshim pjesë e kohës sonë pasi epoka jonë po bërtet me zë të lartë që ta bëjmë këtë, duke pranuar me qetësi që epoka e mjeshtërve të adhuruar, artistëve me lulëkuqe në xhaketa dhe gjenitë e kolltukëve, ka mbaruar. Të krijosh sot, do të thotë të krijosh në mënyrë të rrezikshme. Çdo botim është një veprim i qëllimshëm dhe ai akt na bën të cenueshëm nga pasionet e një shekulli që s’fal asgjë. Dhe kështu, çështja s’është të dimë nëse të veprosh është apo nuk është e dëmshme për artin. Çështja, për këdo që s’mund të jetojë pa art dhe gjithçka që ai nënkupton është, thjesht, të dijë – duke pasur parasysh kontrollet e rrepta të ideologjive të panumërta (kaq shumë kulte, çfarë vetmie!) – se si mbetet e mundur liria enigmatike e krijimit.Në këtë aspekt, s’mjafton të thuash thjesht që arti kërcënohet nga fuqitë e shtetit. Në fakt, në këtë rast problemi do të ishte i thjeshtë: artisti ose do të luftonte ose do të kapitullonte. Problemi është më i ndërlikuar, më shumë çështje jete dhe vdekje, në çastin kur kuptojmë se beteja po bëhet brenda vetë artistëve. Urrejtja ndaj artit, e cila ka kaq shumë shembuj të mrekullueshëm në shoqërinë tonë, lulëzon kaq mirë sot sepse mbahet gjallë nga vetë artistët. Artistët që na paraprinë kishin dyshime, por ajo tek e cila dyshuan ishte talenti i tyre. Artistët e sotëm dyshojnë nëse arti i tyre është i nevojshëm. Racinei i vitit 1957 do të kërkonte falje sepse kishte shkruar Berenice në vend që të luftonte për Ediktin e Nantes.

Ky rivlerësim i artit nga artistët ka shumë arsye, por ne po shqyrtojmë vetëm ato më të rëndësishmet. Në skenarin më të mirë, kjo shpjegohet nga përshtypja që artistët bashkëkohorë mund të kenë se ata po gënjejnë ose po flasin pa ndonjë arsye nëse s’marrin parasysh fatkeqësitë e historisë. Ajo që karakterizon kohën tonë, është tensioni midis ndjeshmërisë bashkëkohore dhe ngritjes së masave të varfra. Ne e dimë që ato ekzistojnë, ndërsa më parë ishim të prirë t’i shpërfillnim. Dhe nëse jemi të vetëdijshëm për to, s’ndodh ngaqë elitat, elitat artistike apo të tjera, janë bërë më të mira. Jo, le ta kemi të qartë: ndodh ngaqë masat janë bërë më të forta dhe s’do të na lejojnë t’i harrojmë.

Ka edhe arsye të tjera për këtë heqje dorë nga përgjegjësia, disa prej të cilave janë më pak fisnike. Por cilat do që të jenë arsyet, ato kontribuojnë në të njëjtin qëllim: të shkurajojnë veprimtarinë e lirë krijuese duke sulmuar thelbin e saj kryesor, i cili është vetëbesimi i artistit krijues. Siç e ka thënë Emersoni në mënyrë kaq madhështore: “Bindja e njeriut ndaj gjenisë së vet është përcaktimi përfundimtar i besimit”. Dhe një shkrimtar tjetër amerikan i shekullit 19 ka shtuar: “Për sa kohë që një njeri mbetet besnik ndaj vetvetes, gjithçka është përparësi për të: qeveria, shoqëria, madje edhe dielli, hëna dhe yjet”. Një optimizëm i tillë i çuditshëm duket i vdekur sot. Artistët, në shumicën e rasteve, kanë turp për veten dhe privilegjet e tyre nëse kanë ndonjërën prej tyre. Më e rëndësishmja, ata duhet t’i përgjigjen pyetjes që i bëjnë vetes: A është arti një luks mashtrues?

(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Granit Zela)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura