Tiranë, 11 dhjetor 2017: Brenda 140 viteve territoret shqiptare cënohen tri herë me pazare ndërkombëtare. Rishikimi i vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi në verën e vitit 2016, është i treti demarkacion për këtë periudhë, të trija të kërkuara dhe të fituara nga Mali i Zi. Është e habitshme, por njëkohësisht dhe realitet, që përfaqësues të shteteve të fuqishme europiane kanë qenë përherë në krahë të palës tjetër dhe jo të shqiptarëve.
Janë ndërkombëtarët ata që këshillonin politikën e Tiranës zyrtare t’i bënte leshime Athinës për shtrirjen e varrezave të ushtarëve grekë, rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke 1940-1941, në dobi të Marrëveshjes së Asocim Stabilizmit. Dhe ata ndërtuan me shumë dëshirë disa varreza, madje shkulën dhe eshtrat e grave dhe fëmijëve shqiptarë të vdekur dekada më parë, të cilat u futën në arkat e inoksit për eshtra ushtarësh. Më pas u kërkua përulje nga politika shqiptare për të pranuar demarkacionin kufitar detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, ashtu siç dëshironte Athina. Kjo duhej bërë, në rast se Shqipëria dëshironte të bëhej anëtare e NATO-s. Ndërhyrje të tilla nuk bëheshin zyrtarisht, por nëpërmjet individëve që përfaqësonin institucione të larta europiane.
Në fakt marrëveshja u nënshkrua, por nuk ka hyrë në fuqi, falë një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, që e bëri të pamundur ratifikimin e saj. Por nuk mund të mohojmë faktin që ky episod ka lënë shije të hidhur, pasi pala greke vazhdon të kërkoi finalizimin e marrëveshjes, madje kanë të drejtë sepse qeveria shqiptare e ka nënshkruar atë. Nëse ajo marrëveshje arrihet, Shqipëria humbet 354 kilometra katrore nga territori i detit.
Për fat të keq, askush prej specialistëve apo politikanëve që u angazhua në këto pazare nuk mbajti përgjegjësi, edhe pse kemi të bëjmë me një veprim në dëm të popullit shqiptar. Natyrisht, shtyrja e kufirit detar nuk është çështje shumë e thjeshtë, pasi për ujërat detare pyeten edhe kufitarët, një prej të cilëve është Italia, e cila nuk dëshiron që Greqia të bllokojë Otranton.
Vija e tretë e Demarkacionit
E përmendëm Demarkacionin detar me Greqinë, pasi njëjta gjë po ndodh me kufirin midis Malit të Zi dhe Kosovës. Siç e thamë më lart, tashmë kërkohet të vendoset për herë të tretë vija kufitare midis Malit të Zi dhe Kosovës, apo “demarkacioni” midis këtyre dy vendeve. Po e fillojmë nga rishikimi i kufirit për herë të tretë dhe më pas të rikthehemi në demarkacionin e parë dhe të dytë. Kosovës po i kërkohet me ngut, që në këmbim të liberalizimit të vizave të nënshkruajë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi duke e quajtur kusht të BE-së dhe hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit europian. Nuk po përmendim emrat e atyre që u morën me hartimin e asaj marrëveshjeje dhe çfarë përfituan individualisht në këmbim të miratimit të saj, por jemi të sigurt që e kanë ngrohur kuletën. E njëjta gjë u bë dhe me marrëveshjen e arritur me Serbinë për krijimin e asosacionit të komunave me shumicë serbe.
Sot me të drejtë shtrohet pyetja: Përse faktori ndërkombëtar, BE dhe së fundmi edhe SHBA, kërkojnë lëshime vetëm nga pala shqiptare? Lëshime në Kongresin e Berlinit për të qetësuar shpirtrat e trazuar të fqinjëve të Shqipërisë, duke u dhënë pjesë nga trojet shqiptare. Lëshime në vitin 1913, me shpresën se ndarja e Shqipërisë midis fqinjëve do të shmangte luftën e madhe. Lëshime sërish dhe në ditët tona, se ndryshe nuk liberalizohen vizat, nuk hapen negociatat, nuk hyjmë dot në Europë etj. Përse gjithë kjo ngutje? Shqiptarët mbeten përherë në krahun e humbësit. Serbia e realizoi qëllimin e saj dhe iu garantuan negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën më 14 dhjetor, ndërsa Kosovës, meqë lëshoi në favor të Serbisë, iu miratua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, nënshkruar me 27 tetor 2015. Kjo ndodh për shkak se pala shqiptare nuk punon me strategji të qartë, sepse institucionet me rëndësi si në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk kanë në krye njerëzit kompetentë, apo ata janë denigruar në vite dhe janë lenë jashtë vëmendjes.
Tashmë që diskutohet çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, duhet të flitet më qartë, të sqarohen argumentet e ndarjes së djeshme dhe ndryshimet që kërkohen të bëhen në ndarjen e sotme. Ekspertë kosovar pohojnë humbje territoresh nga kjo ndarje jo teknike, të cilat luhaten nga 9 000 deri në 12 000 ha. Pra bëhet fjalë për sipërfaqe të konsiderueshme. Kjo realizohet duke shkelur parimet më elementare ndërkombëtare të vendosjes së kufijve, bazuar në kriteret etnografikë, gjeografikë e ekonomik.
Në këtë diskutim apo debat që ka marrë përmasa të mëdha, shqiptarët e Kosovës ndihen të vetmuar. Politikës kosovare i thuhet me forcë, madje dhe në mënyrë ultimative, se Demarkacioni duhet pranuar pasi kështu ka vendosur BE, kështu mendon Amerika dhe nëse nuk miratohet Demarkacioni, nuk ka liberalizim të vizave etj. Nuk duhet harruar që europianët dhe amerikanët, në radhë të parë shohin interesat e tyre. Një politikan austriak, dashamirës i Shqipërisë, në fund të shekullit të XIX i deklaroi një diplomati shqiptar, se Albania (Shqipëria) nuk ka miqë të huajë por vetëm armiqë, për shkak të pozicionit gjeografik të saj. Miq kini vetëm njeri-tjetrin, ndaj shtrëngoni radhët dhe punoni të fitoni pavarësinë. Po ky politikan besonte se, me një politikë të kujdesshme, në momente të caktuara edhe midis armiqve mund të gjendej ndonjë që të vihej në shërbim të çështjes shqiptare, për shkak të interesave të tyre dhe “të rivalitetit midis armiqve të Shqipërisë”. Pra të shfrytëzohen mosmarrëveshjet e palëve të interesuara. Kjo do të thotë që politika shqiptare detyrohet të dëgjojë çfarë thonë diplomatët europianë dhe ata amerikanë, por më në fund të bëjë atë që i intereson kombit të vetë, të mbrojnë interesat kombëtare shqiptare.
Për fat të keq, sa herë diskutohen çështje midis fqinjëve, Shqipëria del e humbur dhe thuhet se u bë ky apo ai gabim. Këto nxitime apo gabime ndodhin për shkak se në zgjidhjen e problemeve madhore nuk caktohen njerëz kompetentë, madje shpesh herë individët që bëhen pjesë e komisioneve të tilla “emërohen” nga pala e interesuar dhe politika shqiptare pranon nënshtrimin, në këmbim të jetëgjatësisë së karriges së njerit apo tjetrit politikan. Janë pikërisht këto gabime të njëpasnjëshme dhe paaftësi e politikës shqiptare, që në një farë mase çoi në ngushtimin e vazhdueshëm të kufijve. Tashmë që Kosova fitoi pavarësinë, nuk duhet të gabojmë ende dhe të lëshojmë territore të reja, kur mund të tregohemi më të kujdesshëm, të bindim faktorin ndërkombëtar dhe ta ndërgjegjësojmë atë për të vërtetën historike.
Me që palët nuk pajtohen me vijën e demarkacionit të përcaktuar, do të ishte mirë që Parlamenti i Kosovës të mos nxitohej. Mund ta shtynte diskutimin e kësaj çështjeje për një moment tjetër, pasi koha bën të vetën. Mund të lind nevoja për zgjidhjen e konfliktit me ndihmën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, me praninë e ekspertëve të paanshëm dhe jo duke sulmuar njëri tjetrin për shitje e tradhëti. Politika kosovare dhe ajo shqiptare nuk duhet të ketë frikë nga kundërshtitë. Raste të kundështive nuk kanë mungur edhe brenda republikave të ish-Jugosllavisë, siç është rasti i kufirit midis Kroacisë dhe Sllovenisë. Megjithëse Sllovenia i ka kontestuar ndërkombëtarët, askush nuk e ka penguar për të hyrë në NATO apo për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Për hir të liberalizimit të vizave nuk mund të sakrifikohen territore. Shpesh këmbëngulet për miratimin e shpejt të vijës së demarkacionit, duke nxjerrë në plan të parë Europën apo SHBA-të, por jo çdo që thuhet prej tyre është e saktë dhe e padikustueshme. Historia ka provuar që Fuqitë e Mëdha kanë marrë shpesh herë vendime të gabuara dhe më pas i kanë pohuar ato. Pendesë kanë shprehur edhe për rastin e Shqipërisë, lidhur me vendimet e marra në Kongresin e Berlinit (1878) apo Konferencën e Londrës (1913), por do të ishte mirë që të reflektohej dhe jo të përsëriten pafund gabime të tilla.
Sot kërkohet që në Kosovë e Shqipëri, pozitë e opozitë, të kenë disa piketa të përbashkëta të çështjes kombëtare, të cilat të mos shkelen nga asnjë palë. Shihni politikën e fqinjëve tanë. Asnjë parti nuk del kundër interesave madhore të kombit, pavarësisht se kush qeveris. Nuk ka kohë për të sulmuar njeri-tjetrin në parlamentin kosovar, por të shihet mundësia për të bindur dhe deputetë nga radhët e pozitës për të votuar në dobi të Kosovës, pra të dalin nga reshti nëse ndërgjegja e tyre e ndjen rrezikun për vendin e vetë.
Demarkacioni i parë me Malin e Zi
Demarkacioni i parë ka ndodhur në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, kur shqiptarët qenë në ballë të kryengritjeve antiosmane, në të cilat kanë derdhur shumë gjak, ndonëse kërkuan dhe përfituan fare pak ose aspak prej tyre. Përkundrazi, serbët dhe malazezët u treguan më racionalë. Në vitet 1875-1877, kryengritjet serbe ndaj Perandorisë Osmane dështuan dhe krerët e Serbisë nënshkruan paqe me Portën e Lartë, por kjo nuk i pengoi që në vitin 1878 të këmbëngulnin dhe të fitonin pavarësinë, e cila u konfirmua në kohën që zhvillonte punimet Kongresi i Berlinit, më 1878.
Mali i Zi në atë kohë arriti disa sukese në luftime, të cilat i shumfishoi me propagandën e zhvilluar dhe nuk pranoi të nënshkruante paqe me Perandorinë, pa përfituar më parë toka prej territoreve të banuara nga shqiptarët. Kjo përkoi me kohën që në krye të Perandorisë Osmane erdhi sulltan Abdyl Hamiti. Më 31 gusht të vitit 1876, Abdyl Hamiti hypi në fron, por duke ditur që perandoria po gryhej përditë e më shumë nga konfliktet e brendshme, premtoi miratimin e Kushtetutës, të cilën e konsakroi për herë të parë më 12 dhjetor të vitit 1876. Në vitin 1877 dha urdhër për t’u bërë zgjedhjet e deputetëve dhe më 7 mars të vitit 1877 urdhëroi hapjen e parlamentit të parë osman në Stamboll.
Kërkesën e Malit të Zi për t’u zgjeruar në trojet e banuara nga shqiptarë, qeveria osmane e shtroi në Parlamentin e Stambollit. Aty morën pjesë ministri i jashtëm Safet Pasha dhe ministri i Brendshëm, Xhevdet Pasha, të cilët shprehën mendimin se për t’u nënshkruar paqja me Malin e Zi, gjë që ishte e dobishme për Perandorinë, Malit të Zi duhej t’i jepeshin disa krahina shqiptare.
Është interesante të përmendet rezistenca e deputetit të atij parlamenti, Jusuf Efendi Uruçi, që përfaqësonte Shkodrën. Ai kundërshtoi me forcë kërkesën malazeze për t’u shtrirë deri në vijën e lumit Moraça. Pjesa e kërkuar prej tyre përfshinte krahinën e Kuçit me 20 fshatra, ku banonin 15 mijë shqiptarë, nënprefekturat Shpuzë, Zhabjak, katundet Selcë, Shestan i Sipërm dhe Shestan i Poshtëm, Gorë, Roviq, Zojçe, Tugjemil i Sipërm dhe i Poshtëm, Shushan, Bërcë, krahinën e Spiçit me dy fortesat e saj. Uruçi paralajmëronte Parlamentin Osman të mos e miratonte një kërkesë të tillë, pasi kjo do të bënte që malazezët të vendosnin topat në kodrën Malenerdo, prej nga qyteti i Podgoricës dhe fusha e tij do të qenë objekt bombardimi. Për pasojë, në një moment tjetër, do të merreshin prej malazezëve dhe ato zona. Sipas tij, që të kuptohej qartë ajo çfarë thoshte, duhej që çdo deputetë të kishte hartën përpara, pasi në atë territor përfshiheshin dhjetra kulla të fortifikuara si kalatë, ku qenë derdhur miliona lira. Brenda atyre krahinave përfshiheshin kulla e Dervish Pashës, Smail Pasha, Pazareshte, Brun, Blloça, Serdar, Hifzije, Avnije, Yzejrije, Shefqetije, Çeuzel, Sauk, Stenoslaf, Germishor, Manastir, Togalla, Verbinak, Çunikam, Vejlibrik, Plloçe. Po ashty përfshiheshin qytetet Shpuzë, Zhabjak, katundet Gerba, Dilam, Luzhan, Memeshiq, Vodanik, Leshkobol, Kokot, Lefiq etj. Nëse parlamenti e miratonte grabitjen e trojeve shqiptare, kjo do të bënte që nesër ata të merrnin Podgoricën, Grudën dhe Hotin, Kelmendin dhe Kastratin dhe do të rendnin drejt liqenit të Shkodrës, Koplikut, Reçit e Shkodrës. Sipas tij, kërkesat malazeze nuk bëheshin thjesht për ekonomi, por kishin qëllime më të largëta, bashkimin e trojeve të tyre me ato serbe, mbase dhe bullgare. Për deputetin e Shkodrës, nëse vendosej t’i jepeshin tokat shqiptare malazezëve, do të derdhej shumë gjak, pasi asnjë shqiptar nuk pranonte të lëshonte vatanin, “pasi e dinë që ai truall është larë më gjak në vite e shekuj, nuk mund të lënë në dorë të pushtuesve varret e të parëve, gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre”.
Berlini favorizon sllavët
Megjithë kundërshtitë e bëra nga deputetët e trevave shqiptare, qeveria osmane pranoi të bënte lëshime dhe Kongresi i Berlinit bëri të vetën, duke kaluar në dobi të malazezëve mbi 5 mijë km katrore truall të banuar nga shqiptarë. Përsëri deputeti shqiptar Jusuf Uruçi, më 15 qershor 1878, i dërgoi një telegram Kongresit të Berlinit në emër të 28 atdhetarëve që përfaqësonin shumicën e trevave shqiptare, në të cilën thuhej: “Traktati i Shën Stefanit i njeh Malit të Zi zgjerime në Shqipërinë e Veriut, dmth portet e Adriatikut, të Tivarit dhe të Ulqinit, me kështjellat dhe pozitat strategjike si Podgorica e Shpuza, që i përkitën gjithmonë këtij vendi dhe i shërbyen për mbrojtjen kundër armiqve. Duke patur parasysh këto, ju lutemi të merrni parasysh rreziqet që i kërcënohen qënies sonë dhe kemi nderin të deklarojmë se kombi shqiptar, qoftë myslimanë apo katolikë, krejtësisht i ndryshëm si racë e besim nga ai i sllavëve, është i një mendimi në vendimin për të mbrojtur atdheun e tij kundër shkëputjes së tokave që është projektuar, kundër historisë, interesave dhe dëshirave të tij….”. (Arkivi i Vjenës nr. A 836, L. 771; FK 394-395)
Askush nuk mendonte për Shqipërinë që rënkonte e vuante mizorinë e barbarëve. Gjithçka justifikohej me frazeologjira ambasadorësh, ndërsa Shqipëria kishte filluar të zvogëlohej dalëngadalë, duke pritur orën e shpëtimit nga bijtë e saj. Para Mbledhjes së Berlinit, në vitin 1878, pra, në fund të shekullit XIX, Shqipëria kishte sipërfaqe territori 114 728 km2. Nga viti 1820, kur fitoi pavarësinë Greqia dhe deri në vitin 1878, kur në Kongresin e Berlinit u dha pavarësia prej Perandorisë Osmane, në dobi të Serbisë dhe Malit të Zi, Shqipërisë iu morën 5 mijë km2.
Kjo ndodhi sepse Kongresi i Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878), u mbajt pikërisht për të balancuar interesat e ortodoksisë, duke e shndërruar Shqipërinë etnike në “gjah” të Rusisë. Fuqitë e Mëdha që vendosën për fatin e Shqipërisë, nuk i dëgjuan thirrjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke mos i njohur të drejtat e kombit shqiptar. Vendimi i tyre ishte traktati i varrimit të Shqipërisë. Për këtë shkak, kryesuesi i Kongresit të Berlinit, Otto Bismark, fitoi epitetin ¬kasapi i kombit shqiptar. Sipas të dhënave dokumentare, Mali i Zi u rrit me rreth 4 683 km2, Serbia me rreth 10 500 km2. Është fjala për pushtimin dhe aneksimin e pjesës absolute të Sanxhakut, të Nishit, të Vilajetit të Kosovës, i cili kishte 10 972 km2. Greqia u zgjerua me rreth 9 275 km2. Sipas Traktatit të Kongresit të Berlinit, nga njësia etnokulturore dhe gjeopolitike e Shqipërisë, u shkëputën 24 458 km2.
Shqiptarët, popullsi më e madhe se grekët e serbët
Para Kongresit të Berlinit, pikërisht në kohën kur është mbajtur Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Shqipëria kishte territor dhe popullsi më të madhe se ajo e serbëve dhe grekëve. Në vitin 1878, aty banonin mbi 1 700 000 banorë. Një fakt i tillë pranohet nga shumë autorë e studiues të huaj. Studiuesi austriak Han, në veprën “Studime shqiptare”, botuar më 1853, si dhe anglezi Spenser, në veprën “Udhëpërshkrime nga Turqia Europiane”, botuar po në këtë vit, konstatojnë se në Ballkan, në një trevë të njësishme jetojnë rreth 1 600 000 shqiptarë. Studiuesi C. Saks, në veprën e tij “Harta etnografike e Turqisë europiane”, botuar në vitin 1877, pohon se në Ballkan jetojnë rreth 1 900 000 shqiptarë. Ndërsa Pashko Vasa, një nga ideologët e shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, pjesëtar i grupit osman që merrej me reformat, vë në dukje se numri i shqiptarëve kap shifrën mbi 2 milionë banorë, prej të cilëve 1 milionë myslimanë, 750 mijë ortodoksë dhe 250 mijë katolikë. Shifra të përafërta japin dhe studjues pro sllavë. Atasheu ushtarak rus në Beograd, koloneli Beker, në veprën e tij “Shqipëria dhe shqiptarët”, botuar në vitin 1880, pohon se shqiptarët janë rreth 1 850 000 banorë.
Ka autorë që japin shifra më të larta, ashtu si të tjerë që i zvogëlojnë ato. Por shumica e autorëve pranojnë se në kohën e Krizës Lindore (vitet 1870-1880), shqiptarët e vendosur në trevë etnikisht të pastër dhe të njëhësishme në Ballkanin Perëndimor, përbënin rreth 1 700 000 banorë. Pas Kongresit të Berlinit, ku kufijtë e fqinjëve u zgjeruan, në shtetin grek jetonin 1 400 000 banorë dhe sipërfaqe 51.300 km2. Në Serbi, 1 600 000 banorë, në 54 800 km2 dhe në Malin e Zi, 190 000 banorë. Pra, siç shihet, në prag të Krizës Lindore, shqiptarët ishin një popullsi më e madhe se ajo e fqinjëve, ose në kufij të përafërt me to. Por, ndërsa fqinjët ndoqën politikën e zgjerimit të trojeve të tyre me dhunë, mbështetur nga shtete të të njëjtit besim fetar, shqiptarët kërkonin paqe e mirëkuptim, të cilën nuk e gjetën kurrë. Pas ngushtimit të territorit të shqiptarëve, pak e nga pak, në fund të shek. XIX, shqiptarët shtriheshin në sanxhakun e Prishtinës, Prizrenit, Dibrës, Shkupit, Manastirit, Ohrit, Beratit, Gjirokastrës, Prevezës dhe Shkodrës, ku janë popullsi e vetme, ose e dominuar mbi 97 përqind nga shqiptarë. Vetëm në sanxhakët e Nishit dhe Novi Pazarit shqiptarët nuk janë shumicë.
Demarkacioni i dytë
Në vitin 1912, malazezët në kombinim me serbët morën pjesë në atë që u quajt Lufta Ballkanike. Ata ditën të punonin dhe në radhët e tyre përfshinë shumë luftëtarë shqiptarë. Pasi dolën fitues në përballje me ushtrinë perandorake, paraqitën pretendimet e tyre territoriale në dëm të trojeve shqiptare, me kusht që të nënshkruanin paqen. Projekti serbo-malazez e kërkonte kufirin verior të Shqipërisë në lumin Mat, kufirin lindor në Drin dhe Liqenin e Ohrit, duke pasur të drejtën e daljes në Detin Adriatik. Mali i Zi synonte të merrte Ultësirën e Shkodrës me gjithë Liqenin, Hotin, Grudën, Tuzin, Gucinë, Plavën, Rrugovën, Pejën dhe Gjakovën me rrethinat e saj. Në janar 1913, ata ia paraqitën hartën e kufirit ministrit të Jashtëm Anglez, Eduard Grei. Të njëjtin dokument ua shpërndajnë dhe gjashtë ambasadorëve. Ky projekt mbështetej fort nga rusët dhe nuk merrte parasysh interesat jetësore të shqiptarëve, po kërkonte përvetësimin e territoreve që ishin të banuara, pothuaj tërësisht me popullsi shqiptare.
Qeveria e Përkohshme e Vlorës i dërgoi Konferencës një memorandum, në të cilën mbronte interesat territoriale të Shqipërisë dhe hidhte poshtë shpifjet që bëheshin ndaj popullit shqiptar. Ajo u bënte të ditur krerëve të Konferencës së Ambasadorëve, se populli shqiptar përbën grupimin më etnik, më kompakt dhe më homogjen të Gadishullit të Ballkanit. Prejardhja, gjuha, zakonet dhe karakteri i tij dallojnë plotësisht nga racat që janë fqinje me të dhe i japin individualitet të veçantë, në sajë të të cilit ka ditur t’i bëjë ballë asimilimit. Shqiptarët nuk kanë hequr dorë kurrë nga e drejta e pavarësisë, sepse vetëm ajo ka mundësi të zhdukë në të ardhmen pengesat që rrjedhin nga ndikimet prapanike dhe ato të huaja. Populli shqiptar kërkon kufijtë e tij që janë të natyrshëm dhe që imponohen si nga kushtet etnike, ashtu dhe nga e drejta e tij, si banues i parë i Ballkanit.
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, Shqipëria etnike zinte një sipërfaqe prej 90 mijë km2 dhe kishte 2 697 960 banorë. Ajo përbëhej nga 4 vilajete: Vilajeti i Kosovës, me 32 900 km2; Vilajeti i Shkodrës, me 10 970 km2; Vilajeti i Manastirit, me 28.500 km2; Vilajeti i Janinës, me 17 900 km2. Fatkeqësisht, për të ardhmen e kombit shqiptar dhe të paqes në Ballkan, Konferenca e Ambasadorëve (dhjetor 1912 – gusht 1913), nuk e mori parasysh aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe nuk i përfilli kriteret etnike, ekonomike dhe gjeostrategjike për vendosjen e kufijve të saj. Serbia, në bazë të një politike të tillë, e shtoi sipërfaqen e territorit të vet me 39 000 km2, nga e cila 34 000 km2 tokë shqiptare me 1 090 000 banorë, ose 55 për qind të banorëve të saj. Mali i Zi u zgjerua me 7000 km2 dhe mori 260 000 banorë, duke dyfishuar popullsinë e vet. Greqia u zmadhua në territor me 51 000 km2, nga e cila 10 700 km2 tokë shqiptare, me rreth 425 000 banorë. Duke filluar nga viti 1821, kanë mbetur jashtë kufijve të diktuar, mbi 1 624 000 shqiptarë.
Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, në emër të Fuqive të Mëdha, më 29 korrik 1913 aprovoi projektin austro-hungarez për “Principatën e Shqipërisë”, duke i lënë asaj 28 760 km2, me rreth 800 mijë banorë ose një të katërtën e territorit dhe popullsisë. Kështu, nga katër vilajetet e Shqipërisë, Londra shkëputi prej trupit të kombit shqiptar, në favor të Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, 61 510 km2 dhe mbi 1.8 milionë banorë, me shumicë absolute shqiptare.
Në total, duke filluar nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 deri në Konferencën e Ambasadorëve 1913, Shqipërisë i janë shkëputur gati 85 000 km2. Gjatë Luftrave Ballkanike (1911-1913) dhe Luftës së Parë Botërore (1914-1918) sllavët përzunë me dhunë mbi 500 mijë shqiptarë, 800 lokalitete u zhdukën me themel dhe u vranë rreth 350 mijë të tjerë.
Sipas të dhënave të Abdyl Frashërit dhe Mehmet Bej Vrionit, më 1879 Shqipëria etnike kishte 2 300 000 banorë, tërësisht shqiptarë; në vitin 1920, regjistroheshin 1 779 929 banorë, ose 520 mijë më pak. Nikolla Ivanaj, duke bërë fjalë për vitin 1912, sipas Komitetit të Shqipërisë, thotë se popullsia ishte rreth 3 milionë banorë. Po të konsiderohet e saktë një shifër e tillë, do të thotë që nga Luftrat Ballkanike deri në vitin 1920, rezulton të jenë zhdukur më shumë se 1.2 milionë shqiptarë.
– Autori është Doktor i Shkencave Historike.
Postime të Lidhura
LE MATIN (1914) / ISMAIL QEMAL BEU, PAS DORËHEQJES NGA QEVERIA E PËRKOHSHME, RRUGËS PËR NË COTE-D’AZUR
Francë, 24 Nëntor 2018: “Le Matin” ka botuar, të martën e 27 janarit 1914, në faqen n°3, një…
Robert Coalson: Nata kur Hitleri dhe Stalini ndanë Evropën (më 23/24 gusht 1939)
Pashtriku, 27 mars 2021: Para 82 vjetësh, Pakti Molotov-Ribentrop e ndau Evropën Qendrore dhe atë Veriore në sfera…
SHEMSI SYLA: EPOPEJA E UҪK’së – NË MALËSINË E ZHEGOCIT (PRILL 1999)
Gjilan, 17 prill 2017: Okupatori serb, para se të nisej në ofensivë kundër forcave të UÇK-së në Malësinë…
SHERADIN BERISHA: 50 VJET MË PARË – DEMONSTRATA E PEJËS, MË 19 TETOR 1968!
Pashtriku.org, 19 tetor 2018: Pas demonstratës së parë të organizuar në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren (më…