OLSJAN TOPALLI: DHUNA NË FAMILJE, BETEJË E PËRJETSHME PËR TA MUNDUR KËTË FENOMEN DRAMATIK!

Elbasan, 05. 03. 2015 – Dhuna në familje nuk është më një fenomen i ri për shoqërinë njerëzore, por e cila ka fituar një vëmendje të gjerë publike për shkak të ndryshimit të opinioneve dhe mendësisë lidhur me marëdhëniet familjare. Si pjesë e historisë së kësaj shoqërie, gratë janë konsideruar pronë e burrave, ndaj edhe rrahjet, madje edhe vrasjet, kanë qenë të zakonshme dhe të pranueshme. Dhuna në familje prek të gjithë shoqërinë njerëzore, në të gjitha nivelet sociale dhe ekonomike të saj, pavarësisht se, në dukje, mbizotëron besimi se shtresat më të prekura janë ato të ulëta. Viktimat më të shumta në numër të dhunës në familje, e njohur dhe në literaturën psikologjike edhe si dhuna në marëdhëniet intime, janë femrat.
Sipas statistikave në të gjithë botën, një femër rrezikon më tëpër të dhunohet brenda shtëpisë së saj sesa në rrugë, që do të thotë që ka më tepër gjasa që agresori isaj të jetë një familjarë, partner, sesa një i panjohur. Disa studiues besojnë se dhuna familjare është faktori kryesor përshpejtues i homicidit familjar. Dinamika e këtyre vrasjeve është mjaft e ndërlikuar dhe përpjekjet kërkimore për të identifikuar disa tipare të përbashkëta të këtyre bashkëshortëve vrasës, pra për të ndërtuar një profil të qëndrueshëm të tyre, nuk kanë qenë shumë të suksesshme. Ata janë një grup heterogjen. Megjithatë, në rrekje per të kuptuar sadopak psikologjinë e këtyre vrasësve, besohet se këta meshkuj shfaqin atë që quhet agresioni i zhvendosur. Disa meshkuj përjetojnë inat dhe zemërim për shkak të ndryshimeve madhore dhe të shpejta që kanë ndodhur në pozicionin e tyre në shoqëri. Duke qenë se, shpeshherë, ata janë të paaftë për ti përballuar psikologjikisht ato, ata reagojnë duke sulmuar njerëzit më të cënueshëm përreth, që janë partneret e tyre.

Gjetjet e fushës tregojnë se këta persona mund të kenë probleme me kontrollin dhe dominimin e bashkëshortes. Tek ta mund të shuhet frika, frika dhe braktisja nga refuzimi, pasi, si fëmijë, janë të privuar nga dashuria dhe përkujdesja familjare dhe nuk kanë mësuar të krijojnë besim tek të tjerët. Mund të kenë histori dhune në familjet ku janë rritur, probleme me abuzimin me alkoolin apo substancat narkotike, mund të shfaqin xhelozi, tipare poseduese, çrregullime personaliteti shoqëruar me depresion, ankth. Dy faktorë mjaft të qenësishëm që mund të përshkallëzojnë dhunën në vrasje janë humbja e vendit të punës dhe braktisja nga basahkëshortja. Kjo e fundit nuk do të thotë që bashkëshortet janë të detyruara të qëndrojnë përjetë me abuzuesin e tyre, por duhet një hap i peshuar mirë, me një plan konkret, për të parashikuar vështirësitë kryesore që do të pasojnë.
Një dëftesë tjetër që na vjen nga këto ngjarje të fundit është se sa pak e njohim si shoqëri këtë lloj dhune dhe se sa pak të përgatitur jemi për të vepruar ndaj saj dhe për ta parandaluar atë. Dhe për të filluar parandalimin e saj, kërkohet në radhë të parë një përcaktim i problemit, një njohje e mirë dhe e vërtetë e incidencës, tipareve, shkaqeve, për të zhvilluar më tej politika dhe stategji vepruese dhe parandaluese. Ndër të tjera, në mënyrë të ngutshme, është e nevojshme që policia të mbledhë në mënyrë të saktë, të plotë dhe të qëndrueshme të dhëna lidhur me dhunën familjare. Është e domosdoshme që të ngrejë një marëdhënie të ndërsjellë bashkëpunimi dhe përgjegjësie me psikologët e atashuar pranë këtij institucioni, për të parandaluar një profil abuzuesi dhe viktime, në mënyrë që të fillojmë pastaj të kuptojmë gjithë tablonë. Futja e neneve të reja që adresojnë këtë dhunë në Kodin Penal dhe ashpërsimi i tyre, megjithëse brohoritjet si arritje, jo domosdoshmerisht përkthehet në uljen e incidencës së këtyre rasteve. Ato nuk mjaftojnë në vetvete, duke qenë se dhuna në familje i ka rrënjët në sistemet e besimeve sociale të një shoqërie patriarkale, të cilat favorizojnë meshkujt, paragjykojnë femrat dhe ushqejnë dhunën ndaj këtyre të fundit.
Kjo kërkon domosdoshmërisht një rritje kolektive ndërgjegjësimi dhe tolerancë zero ndaj dhunës familjare, si dhe shkollimin dhe edukimin e femrave që në vogëli, që ato të jenë më të përgatitura ti përballojnë një situate të tillë. Është e nvojshme që të gjitha institucionet përgjegjëse të përmirësojnë shërbimet dhe masat mbrojtëse ndaj viktimave të kësaj dhune dhe veçanërisht të sigurojnë zbatimin e tyre. Pjesë e këtyre masave duhet të jetë pashmangshmërisht edhe suporti ekonomik për ato femra që kanë vullnetin të largohen nga një marëdhënie abuzimi. Por mbase më e rëndësishme nga të gjitha këto është që gjithsecili prej nesh të kuptojë dhe të ndjejë se në çdo rast dhune familjare nuk është çështje që zgjidhet brenda mureve të shtëpisë ku ndodh dhuna, por është një problem që na përket të gjithëve dhe çdokush ka përgjegjësi për të, për të mbrojtur gratë, për të mbrojtur nënat dhe motrat tona. Për të mbrojtur çdo qënie të brishtë siç janë femrat. Ti themi JO kësaj dore të rëndë që lëshohet pamëshirshëm dhe tërbueshëm mbi perëndeshën tonë të bukurisë.

…………………………..

STOP DHUNËS, DHUNA VRET!

………………………………………………………..

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura