ORA E HISTORISË …

Nga Rexhep Kasumaj, Mars, 24, 2024

Orë e historisë që do të kumbojë përjetë

(Dhe hakërrima e serbit)

1.

Sot 25 vjet më parë, ushtritë aleate, ushtritë e lirisë, filluan bombardimin, e kjo domethënë nisën fundin e shtetit serb në Kosovë.

Dhe rënja përfundimtare e Serbisë ishte ikja e saj qenërore me bisht ndër këmbë, 12 qershor 1999, në Vitin e madh që prente kohën e ndante mijëvjeçarët.

Dhe, natyrisht, Ideja e armatosur çlirimtare i përkiste Ushtrisë së saj.

Por, para çdo ideje, si do të mësoja nga autori i “Vargjeve satanike”, Rushdi, shtrohen dy pyetje fundamentore.

E para, a do të bëj kompromis kur është e dobët dhe, më rëndësore akoma, si do të sillet ajo pas fitores?

Përgjigja ndaj tyre, do të përcaktojë gjithmonë arsyen dhe kuptimin e saj!

2.

Serbi i humbur Vuçiq, teatron.

Një dyzinë ftyrash e rolesh që ndërrohen shpejtësisht. Ankohet për moskuptim. Për Brukselin që s’e ndjen. Pastaj për asociacionin e munguar dhe dinarshuarjen e trishtuar.

Pastaj, papritur, merr frymë thellë. Ringjallet e nis të kujtojë betejën dhe, natyrshëm, disfatën e fundshekullit.

Por, tani, thotë ai, pason pjesa e dytë e lojës. Dhe afron soldateskën e tij afër kufijëve të Kosovës.

Por, q’andej i vjen një përshëndetje e ngrohtë: Eni, eni (mori shkina, si do të thoshte Fishta) u thotë ambasadori i Amerikës. Do iu presim. Me karamele? Jo ore! Do ndesheni armësh më të fuqishme në historinë e botës.

Tani, s’mund t’mos kujtoj Stipe Mesiçin legjendar kur, në vërejtjen se Kroacia po blenë armë, pat thënë në mënyrë lapidare: mos keni menduar se në kohë lufte do të blinim lapse me bojë?

Por jo! Teatrimi serb dërgon mesazh tjetër.

Është lojë tinzare për të përfituar lëshime politike. Që, në këmbim të paqësimit të tij,  Kosova të mos pranohet në Këshillin e Europës. Dhe, pastaj, të themelojë Asociatën e veriut dhe të rikthejë dinarin në qarkullimin monetar të Kosovës.

Ndryshe: luftë. Luftën që nuk do t’a bëj. As përsëritjen e të parës, e as pjesën e dytë të saj.

3.

Dëgjojmë shpesh, ndonjëherë mbase me pak humor, se gratë janë ëngjëj në qeverisje. As korrupsion, as dhunë e as prirje autokratike që rrëmon rendin libertar.

Mirëpo, pa një fije të vetme mosbesimi, referencat e reja të korrentëve politikë nuk mbështesin fort këtë premisë.

Në pejsazhin politik të Europës, ndaj, djathtizmi përceptohet kërcënim i parë i qytetnisë demokratike.

E, rrjedhon, që këtej, se pikërisht tri gra: Le Pen, Meloni e Weidel, i prijnë krahëve të radikalizmit të djathtë në vendet e tyre. E para, në Francë, e dyta, tashmë në pushtet, në Itali dhe e fundit që mund të gjendet fare pranë ndalimit, në Gjermani.

E pra, në tre vendet më të mëdhenj të Europës. Të unionit politik të saj.

Dhe janë këto, gjermanja e francezja veçanërisht, që kanë trëmbur njerëzinë duke parandjerë lëkundje, madje rrëzim të rendit gjeopolitik e vleror të Europës.

A nuk dëshmon ky hov radikalizmi me flamuj femëror, se janë të barabarta, e ndaj, të njësojta si burrat në gjithçka? Dhe në politikën e lartë, poashtu?

Pa asnjë dyshim!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura