Pashtriku.org, 06. 05. 2013 – Më 19. 03. 1913, në qytetin e Paramithisë, mitropoliti i Paramithisë, Athanagora Neofiti, kapiten Dhimitriadhi dhe dy oficerë të ardhur nga regjimenti i pavarur, të komanduar nga Ipiti, si dhe Panajot Zorba nënprefekt i Paramithisë dhe disa oficerë si Dhimosten Ringa, Dhimitër Çaçi nga Paramithia, Apostol Zoga e Jorgo Pako nga fshati Gliqi, kurdisën planin famëkeq dhe djallëzor për një masakër të disa krerëve e patriotëve të Çamërisë, për të terrorizuar e nënshtruar popullsinë muslimane, deri në detyrim për t’i larguar nga trojet e tyre amtare.
Këtë detyrë u caktua për ta bërë krimineli nga Gjiriti Marko Deljanaqi, Joti Spiros Popova, Stefan Theodhoraqi, Kozma Kaloi, e të tjerë. Ky urdhër u tha se vinte “nga lart”, ku u përmend emri i kolonel Ebitis. Këtyre kriminelëve ju dha edhe orientimi që ky operacion të kryhej shpejt dhe pa zhurmë, me një dinakëri greke dhe pa derdhur asnjë plumb.
Aty u caktua se si do të ndaheshin dhe si do të niste operacioni për arrestimin e çamëve. Marko Deljanaqi, ushtar i zellshëm i eprorëve kriminelë,dhe ndihmësave të tij, si Spiro Foto, e të ndihmuar nga priftërinjtë Kalustis dhe Papakosta, mblodhën andartët e postkomandove të fshatrave përrreth, si dhe kriminelë antishqiptarë nga fshatrat orthodhoksë të malësisë së Paramithisë, si Currila, Leftehuar, Llabanicë, Pllakoti, Selan, Popovë, etj. duke bërë mbi 200 kriminelë antiçamë. Në atë formacion nuk mungonte, përveç komandove, as Vasil Kollovoi nga Sotira, Theodhori Kaceli, Vasil Mastora, Angjel Nasto,Toli e Perikli Furka, Zhozho Bozako e Vasil Mitro Vasili, Jorgo Pako e Haris Konomi, që ishin nga fshati Gliqi, Jorgo Zhonda e Sotir e Nikoll Kutupi, nga Popova, Trifon Bello nga Selani, Theodhori Kopuli e Llambro Shuti, nga Sajadha, Hristo Hristovasilivllah nga Suli, Stefan Thodhe, Jan e Koço Fidhi, Koço Danello, Mitro Thoma e Panajot Nini nga Pleshavica,Vangjel Sotir Cili nga Nihori, Mihallaq Spiro, Angjel Luçi, Vangjel Jani nga Dhrahomia, Mihal Çito e të tjerë. Këta e të tjerët, ca të veshur ushtarakisht, dhe ca me veshje civile të armatosur rëndë, u grumbulluan në garnizonin e Paramithisë.
Pas disa ditësh stërvitje, ditën e diel, që binte data 27. 03. 1913, të gjithë këta kriminelë dolën nga garnizoni i Paramithisë që në orën tre të mëngjesit dhe u drejtuan për nga veriu i Paramithisë, drejt fshatit Nihuar, për të zbatuar urdhërin famëkeq të kryesisë së andartëve, për të arrestuar e eliminuar krerët patriotë dhe kryetrimat e luftës mbrojtëse të Janinës. Nga listat e gjata të luftëtarëve çamë, ata që do të përjetonin masakrën e parë ishin futur në rreth, për t’u eliminuar si kundërshtarë e antigrekë. E gjithë kjo ushtri, në errësirën e mëngjesit, u gjënd para fshatit Nihuar. Para se të hynin në fshat, komanda e këtyre kriminelëve dha komandën e ndalimit.
Nga një mbledhje operative dhe pak mënjanë turmës së andartëve, u vendos që andartët të ndaheshin në dy grupe, me qëllim që aksioni të kryhej shpejt. Aty u vendos radha e fshatrave, si dhe arrestimi pa zhurmë. Pas trokitjeve, kur të dilte personi do t’i thuhej se “kërkohej nga qeveria për t’u zgjedhur në post drejtues të fshatit a qytetit”, dhe sakaq do të arrestohej menjëherë. Grupi i parë do ta niste aksionin nga fshati Nihuar, i cili arrestoi dhjetë vetë; Bejaz Selimin, Adem Shehun, Durrahman Dautin, Harun Qamilin, Husejn Selimin, Rexhep Hasanin, dhe Nusret Shehun.
Pasi i lidhën dy e nga dy me tela, i vunë përpara në rrugën për të dalë në fshatin Shëmrizë, ku arrestuan Abedin Rakipin, Kasëm Osmanin, Sadush Dinen dhe Maksut Muharremin. Pasi i lidhën dhe këta, i bashkuan me ata të Nihorit. Pas këtij fshati, zbritën poshtë nga jugu për të dalë nga mbrapa fshatit Nikolicë. Në Nikolicë arrestuan tetë vetë: Hajri Mazen, Muhtar Dautin, Rifat Meron, Isa Nexhipin, Sherif Jonuzin e Veli Harunin. Nga Nikolica u drejtuan për në fshatin Grikë, ku aty arrestuan vetëm Selim Yzeirin dhe Malko Hasanin. Pasi i grumbulluan të lidhur, duke i kërcënuar me majat e bajonetave, i drejtuan për në fshatin Skupicë.
Nuk kishin ecur as dy a tre kilometra, kur andartët ndeshen me katër djem nga fshati Vrisi, të cilët kishin bërë gjithë atë rrugë në këmbë nga rrethinat e Janinës dhe kapen nga andartët afër fshatit të tyre. Këta ishin:Hasan e Shaqir Sulejmani, Rexhep Vërsela e Ruhan Haruni. Të gjithë të kapurit i vunë në mes dhe andartët anash, u nisën për në fshatin Skupicë, ku arrestuan: Murat Hasanin,Tahir e Shaban Selimin dhe në shtëpinë e Kushenjet arrestuan tre vëllezërit Bajram, Dalan e Nuredin Kushen të cilët, pasi i lidhin në shtëpitë e tyre i nxjerrin në oborr, ku sjellin dhe të arrestuarit e tjerë. Familiarët e Kushenjet i nxjerrin jashtë prej shtëpie, të cilët strehohen tek fqinjët e tyre. Avllia e shtëpisë ishte e lartë, prandai aty pritën edhe grupin e dytë, që mori anën e lumit Kalama.
Grupi i dytë e nisi me fshatin Mininë, ku arrestuan trembëdhjetë vetë: Xhelal Ademin, Veli e Husejn Muratin, Vejsel e Iliaz Balon, pastaj Resul Tahirin, Nuh e Ali Nuhun, Maliq Muçajn, Beqir Husin, Ibrahim Mamon, Mehmet Demën, Agush Meron. Pasi i vunë përpara të lidhur, i shtynë drejt rrjedhës së lumit dhe i afrohen fshatit të vogël Vratilë, ku pararoja e andartëve arrestuan: Dajlan Mehmetin, Vejsel Rexhepin, Ibrahim Muhtarin dhe Mustafa Shuaipin. Pas kutij arrestimi u ngjitën rrëz, malit përballë, ku gjendet fshati Koriqan. Aty arrestojnë Mehmet Mazen e Shuaip Meton. Mbas fshatit Koriqan andartët, së bashku me të arrestuarit, morën anën perëndimore të Skëmbit të Kuq, ku rruga të nxjerr në fshatin Bedelen.
Në këtë fshat arrestojnë Adem e Muhtar Sherifin, Resul Cenën, Iliaz Ahmetin e Osman Çafanë, të cilët edhe këta i lidhën dhe i bashkuan me grupin që vazhdonte rrugën për në Dramës, që është në perëndim të Bedelenit. Në Dramës arrestojnë:Tahir Avdullain, Sinan Brahimin, Rifat Haxhiun, Islam Qamilin, Husejn Latifin, Dalan Binozin, Fejzo Nazifin, Avdul Çafain, Damin Qamilin dhe Abedin Ahmetin. Pastaj andartët u turrën në fshatin Rrëzanj, ku arrestojnë: Isuf e Nusret Brahimin, Izet Veliun, Murat Telhain, e Ramadan Hasanin. I gjithë grupi i dytë, i lidhur, i drejtohet fshatit Skupicë dhe ndalin në shtëpinë e Kushenjet.
Me të mbërritur të gjithë në oborrin e shtëpisë, i riu 21 vjeçar nga Vratila, Vejsel Rexhepi, i ndihmuar edhe nga shoku, u zgjidh dhe u hodh mbi avlli, kërceu matanë, si një shqipe e vërtetë,dhe me një shpejtësi elimi, duke u dredhur sa majtas e djathtas për t’i shpëtuar plumbave të andartëve, vrapoi mes kopshteve, por e kap një plumb dhe, ngaqë ishte inxehtë, vrapon duke e shtrënguar plagën me dorë deri në shtëpi. Shpëtoi. Pra nga 73 ngelën 72 djem dhe burra të luginës së Thjamit, nga gjaku më i lashtë i kombit Thesprot. Andartët, të alarmuar, kontrolluan se mos kish ndonjë tjetër të zgjidhur, ua shtrënguan më shumë telat dhe me shpejtësi i nisën drejt Paramithisë.
Ec e ec, nën kërcënimin e bajonetave, pa arritur në qytetin e Paramithisë , nja pesë kilometra përpara, aty ku i thonë “ Rrapi i Kushes”, kolonës së andartëve u del përpara një njësi ushtarake prej pesë vetësh, që vinin nga komanda e përgjithshme ushtarake, me një letër që i u dha kryekriminelit nga Gjiriti Marko Deljanaqit. Kjo letër vinte nga një mbledhje urgjente e nën prefektit të Paramithisë, Panajot Zorbës, kapiten Dhimitriadhit, Neofitit si dhe dhespotit te Paramithisë, ku shkruanin se të arrestuarit s’duhet të vinin në qytetin e Paramithisë, pasi mund të acaronin qytetarët, që mund të ngriheshin në protestë me armë, prandaj ata të futen në ndonjë grykë dhe të ekzekutoheshin pa zë, pra pa armë. Kryekrimineli Marko Deljanaqi, pasi e lexoi, mblodhi kryesinë e andartëve dhe u tha të merrnin masa për ekzekutimin e tyre pa zë.
Pasi i udhëzoi, dha urdhër që të ndërronin drejtimin e rrugës, duke ju thënë të lidhurve se do t’i çonin në Janinë. Të kërcënuar nga armët e kriminelëve nisën rrugën andej nga donin andartët. Ata u futën në Përroin e Selanit, duke shkelur në zallishten e tij, u ngjitën lart ku përroi sa vjen e ngushtohet, sa mezi ecnin dy veta bashkë. Në rrugë e sipër, të lidhurit e kishin kuptuar pabesinë greke,e ndien që do t’i vrisnin, por s’kishin se ç’të bënin. Dramisioti Dalan Binozi u tha: “Ne e dime se ju po na shpini për të na vrarë, por mos kujtoni se me këtë pabesi që po bëni do të sosen çamët”. Me t’u futur në një ngushticë, ku të lidhurit ecnin në mes të përroit dhe nga të dyja anët të rrethuar nga andartët , dikush thirri: ”a, pano” (përsipër), aty ku thuhet se quhet, Liver a Limofadho, dyqind e ca andartë, u hodhën sipër të lidhurve, duke i goditur me bajoneta e sopata të vogla e me mjete të tjera të forta të 72 çamët.
Menjëherë gjysma e të goditurve ra përtokë. Goditje dhe ulërima. Ca u shpuan nga bajoneta, ca u goditën fort në kokë, një që s’u godit me të parën, kapi një andart, e afroi në fytyrë dhe e kafshoi aq forte, sa i këputi një copë të madhe mishi dhe ja hodhi në fytyrë. Andarti bërtiti aq fort, sa ulëriu gryka e përroit. Menjëherë atij iu hodhën sipër 4 a 5 andartë, duke e goditur me mjete të forta, sa ra menjëherë në tokë. Kush binte përmbys në përrua, i vërvitej ndonjë gur zalli në kokë me tërë forcën, që të mos ngrihej më. Uji i përroit u mbulua me gjak.
Një masakër kanibaliste që nuk kish njohur më parë historia. Andartët s’i lanë as të jepnin shpirt, dhe nisën t’i kontrollonin e t’u vidhnin edhe teshat. Më pas i kontrolluan se mos kishin dhëmbë të florinjtë. Ua thyenin dhëmbin me gurë dhe ua merrnin. Pas grabitjes i mbuluan me gurë zalli. Thonë se edhe pas një jave aty dëgjoheshin rënkime. Ai vend u ruajt nga roje specialë dhe askush nuk u lejua të merrte njeriun e tij të masakruar.
===========================
Masakra e Selanit, nisja e gjenocidit në Çamëri