PASHTRIKU: NË TIRANË U MBAJT SIMPOZIUMI I II-të NDËRKOMBËTAR ‘PELLAZGËT, GJUHA DHE PASARDHËSIT E TYRE’

(Pashtriku.org, 13. 11. 2012) – Më 9 e 10. 11. 2012, në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u mbajt Simpoziumi i II Ndërkombëtar “Pellazgët, Gjuha dhe Pasardhësit e tyre” i organizuar nga Qendra e Studimeve Pellazgjike dhe Sh.L.P “Vitrina”. Simpoziumin e hapi dhe moderoi Kryetari i Shoqatёs “Qendra e Studimeve Pellazgjike”, Prof.Dr.Luftulla Peza. Z.Peza para të pranishmëve solli përshëndetjet e miqve studiues të cilët nuk kishin mundësi të vinin në këtë simpozium.

Kryetari i Shoqatёs “Qendra e Studimeve Pellazgjike”, Prof.Dr.Luftulla Peza

…………………………………………

Më pas, iu dha fjala arkeologut dhe studiuesit të njohur Prof.Dr.Neritan Ceka, i cili në kumtesën e tij përmendi detaje të gërmimeve arkeologjike ku janë gjetur gjurmë pellazge në Shqipëri. Duke cituar studime nga studiues të njohur shqiptarë edhe të huaj, Prof.Dr.N.Ceka, paraqiti fakte historike dhe krijoi lidhje midis gjetjeve arkeologjike dhe burimeve gjuhësore. Ai tregon si nё studimet pellazgjike hasim probleme të komplikuara pasi këtu kemi gjurmë gjuhësore, arkeologjike, etj. Burimet e shkruara japin shumë pak të dhëna që nga lufta e Trojës (shek XII) e deri në lashtësinë e Neolitit. Në bazë të burimeve historike përmenden shumë pak pellazgët që shtriheshin në Mesdhe. Sa më shumë kalon koha aq më pak flitet për pellazgët pasi po ndodh globalizimi i kulturave. Gjithashtu, foli për objektet e kultit, përshkrimin e tyre dhe çfarë përfaqësojnë këto objekte duke u gërshetuar me popujt në atë kohë, gjurmët që ato kanë lënë ndër shekuj. Z. Ceka e mbylli diskutimin duke thënë se duhet të jemi sa më të ftohtë nga pikëpamja patriotike, nga ngacmimet e fqinjëve tanë, duhet të jemi sa më modestë në trajtimin e temave pasi nuk mund të nxjerrim përfundime duke shqyrtuar vetëm një aspekt.

Prof.Dr.Neritan Ceka dhe kryesuesit e Simpoziumit.

………………………………………………

Pas fjalës përshëndetëse dhe kumtesës shkencore të z.Ceka, Simpoziumi filloi me punimet shkencore të pjesëmarrësve, studiues shqiptarë që punojnë brenda dhe jashtë vendit. Mbi studimet pellazgjike në lidhje me fakte gjuhësore dhe gjurmë arkeologjike referuan: Prof.Dr.Luftulla Peza dhe MSc Liliana Peza, Prof.Dr.Leonard Prifti, Prof.Dr.Rexhep Doçi, Ing.Anastas Shuke, Fatbardha Demi, Brahmi Avdyli etj. Një referim interesant mbi mitet e reptilëve në periudhën pellazgjike bëri Prof.Dr.Idriz Haxhiu, ku shpjegoi me hollësi dhe detaje gojëdhënat dhe simbolet që kanë qënë mijëra vjet më parë dhe vazhdojnë ende ditët e sotme. Ai e mbylli kumtesën e tij duke treguar historikun e shkëmbinjve në vende të ndryshme dhe gojëdhanat mbi mitin e gjarprit. Në vazhdim lexoni kumtesën e studiueses Fatbardha Demi.

RRUGA E ZBULIMIT TË EMRIT TË BESIMIT PELLAZG

DHE I VASHËS KRAHË-SHQIPONJË

Sipas Pr.Angelo Carcagnit «natyra e besimit është kolektive». Besimi si dukuri është prodhim i mendimit të grupit, për rrjedhojë është i varur nga mjeti i komunikimit të njerëzve, pra nga « gjuha ». Gjatë udhë-formimit të gjuhës është formësuar edhe besimi. Këto dy dukuri, u bashkë-lidhën tek njeriu primitiv, jo thjesht për të shkëmbyer me njeri-tjetrin njoftime për Botën që i rrethonte, por sidomos për t’u mbrojtur dhe bashkuar forcat në luftën e përditshme për ekzistencë. Zanafilla e besimit, qe shprehje e proçesit të zbulimit të natyrës nga ana e njeriut primitiv, të zhvillimit të mendimit mbi veten dhe të ardhmen, të botës së tij emocionale, të imagjinatës dhe kultivimit të ndjenjës së çiftit dhe grupit. Kjo periudhë që studiuesit e lidhin me fundin e periudhës Paleolite dhe çfaqjes së njeriut të Nadertalit, (afërsisht 30 mijë vjet pk) shënon edhe lindjen e besimit dhe, që ka mbritur në ditët tona, me dëshmi materiale, si vizatime të shpellave, varret në formë Tumule etj.

Fatbardha Demi

…………………………………………………….

Por çfarë mund të themi për besimin e Pellazgëve, kur vetë qënia e kësaj popullsie në tekstet mësimore është lënë jashtë listës, kjo edhe nga institucionet tona Albanologjike, megjithëse jemi pasardhësit historikë të tyre? Pra asgjë, ndërkohë, si Homeri edhe autorët e tjerë të Lashtësisë përmëndin faktin se përpara pellazgëve nuk njihet ndonjë popullsi tjetër në Europë dhe se Dodona është faltorja e tyre më e lashtë dhe më e njohur. Studimet e studiuesve, sidomos ato shqiptare, kanë dëshmuar se besimi pellazg është ruajtur deri në ditët tona me të gjitha elementet shprehëse të veta: në gjuhë, në traditën gojore, në mite, në rite, simbole, etnografi, muzikologji, arkeologji, etj.
Në të gjitha këto forma, ay është dëshmues pikërisht i asaj periudhe dhjetra-mijravjeçare e besimit të njeriut europian, jo vetëm në përmbajtje, por edhe emërtime. E megjithatë ka mbritur në shk 21 pa emerin e tij, por nën emërtimet: para-historik apo pagan (ky i fundit në fakt është një shprehje ofenduese «fshatar» e ardhur nga koha, kur kristianizmi u bë besim i Shtetit). Duke patur parasysh këtë “pasuri” të trashëguar për besimin pellazg, jam përqëndruar vetëm tek emërtimi i tij dhe i kultit që e ka përfaqësuar. Gjithashtu kam trajtuar edhe dy boshtet kryesore të këtij besimi:
a) përfaqësimin e trefishtë
b) Kultin e Dhe-Mitrës.
Që pellazgët dardano-thesprot i kishin dhënë emër besimit dhe kultit të tij, në fillim ishte një hamëndsim, dhe kërkonte fillimisht që të përcaktohej rruga e zbullimit të tij. Kjo rrugë nuk mund të ishte veçse vetë rruga e formimit dhe zhvillimit të besimit. Them dardano-thesprot sepse nga mitet e mbëritura në ditët tona, Dardani qe themeluesi i tempullit të Samothrakës dhe njihet si reformator i besimit. Qe i pari që krijoi idenë e një Perëndije mbrojtëse të qytetit-Palladës, fjalë e shqipes (pall- shpatë). Ndërsa faltorja e Dodonës dhe krijimi i miteve dhe kulteve të para, i përkasin krijimtarise së thesprotëve molos. Prandaj me të drejtë, kur flasim për besimin e Pellazgëve, duhet të theksojmë autorsinë e dardano-thesprotëve.
Me qënëse koha është shumë e shkurtër për një temë kaq të gjerë, po çfaq shkurtimisht rrugën e gjyrmimit tim në këtë drejtim. Si çdo gjurmues u kapa nga filli që ka mbritur deri në ditët tona për besimin e lashtë: Hellenizmin. A ishte ky emërtim administrativ i Mbretit Ellen, siç qe emërtimi “roman” i mëvonshëm, apo i përkiste besimit? Që Hellenizmi përfaqësonte vetëm besimin e arbërve, është dëshmuar në literaturën historike deri në shk 19, vetëm studiuesit tanë zyrtare nuk e dinë këtë fakt. Mbas këtij shekulli, ky emërtim ju bashkangjit artificialisht në materialet historike, nën simbolin e fushatës së Aleksandrit të Madh, të gjitha formave të veprimtarisë, gjuhës, besimit ortodoks, shkencës dhe filozofisë, arkitekturës, artit por edhe popullsisë të shoqërive, mbretërive apo shteteve të jugut ballkanik nga lashtësia deri më sot.
Nga mitollogjia dhe nga Homeri kemi përmëndjen e Elenit. Por asgjë për lidhjen e tij me Dodonën apo tempujt e tjerë të mëvonshëm pellazgjik. Deri më sot edhe Perënditë e Olimpit me gjithëse kanë emërtime të gjuhës shqipe, në tekstet shkollore i quajnë “të importuara” por “të veshura me kostume lokale”. Në këtë drejtim një ndihmesë të madhe (dhe kontribut për Albanologjinë dhe Historinë e Lashtësisë europiane e botërore) ka patur studimi i Niko Stillos «Etruskishte Toskërishte». I nisur nga një rrugë krahasuese të miteve, teksteve fetare, bagazhit të tij të traditës gojore nga zona e Çamërise dhe sidomos të zotërimit të dialektit çam të gjuhës shqipe dhe materialit historik të literaturës së huaj, autori na njohu me Familjen sheraxhije të Mbretërve dhe Mbretëreshave thesprote, me në krye Alpanin apo Panin (Albanin), që mbretëronin të shënjtëruar mbi Olimp. Këtu, ndërmjet shumë emërtimeve të djalit binjak të Alpanit, zbulohet nga pasqyrat etruske edhe emri «Elinai» (Helleni) dhe siç ndodhte në Lashtësi, Mbreti ishte edhe Prifti i Madh që përfaqësonte Perëndinë para njerëzve. Simbolikisht ishte fytyra tokësore e vetë Perëndisë!

Fatbardha Demi – duke argumentuar me ilustrime temën e trajtuar në simpozium.

…………………………………………

Po cila perëndi adhurohej dhe kishte kultin e saj në Dodonë ? Të gjitha studimet e huaja pohojnë se kjo faltore i kushtohej Hënës dhe se përpara se t’i faleshin Zeusit, besimtarët arbër i janë falur Dionës. Në Mitollogji kulti i Hënës është paraqitur nën emrin e Perëndeshës Selena (ajo që sillte dritën e agimit, sjelle-sja) dhe prifterinjtë që i shërbenin asaj janë emërtuar «sellë», siç e pohon edhe Homeri por jo banorët, të cilët vazhdonin të kishin emërtimin e tyre të sotëm Thamyres-Çamë. Si përfaqesuesi dhe zëdhënësi i saj, Prifti i Madh, u emërtua Selleni, ku “s” e lehtë u zëvëndësua me “h” dhe tek shkruesit është paraqitur si “Helleni-Eleni”. Që forma zanafillore e emrit të Perëndeshës Selene ka qene Sellena, na e vërtetojnë toponimet dhe emri i vetë priftërinjve “sellë”. Vetëm në Francë janë 12 komuna dhe një vargmal me këtë emër, ku fjala “Sellë” qëndron e veçuar. Prandaj emërtimi zanafillor i besimit pellazg ka qënë “ SELLENIZMI” i cili ka mbritur në ditët tona i ndryshuar jo vetëm si emërtim në formën “Hellenizmi”, por edhe në përkatësi dhe përmbajtjen e vet.
Po ç’fare roli ka luajtur Sellenizmi në Europën Euro-Aziatike që përfaqëson Perandorinë e Pellazgëve? Sellenizmi, ka qënë BESIMI i parë, origjinal dhe në zhvillim, i pallazgëve dardano-thesprot (iper-borealë), që ka ndikuar fuqishëm në besimet e lashta dhe të më vonshme të të gjithë Europës Pellazgjike. Ky ndikim ndihet në strukturë, në simbole e në rite. Duke u përqëndruar vetëm në thelbin e tij, mund të pohojmë se: Roli i Sellenizmit ka qënë thelbësor në krijimin e dy kulteve më të rëndësishëm të besimit dhe mitollogjisë Euro-Aziatike, Kultit të përfaqësimit të trefishtë dhe Kultit të Dhe-Mitrës.
Sellenizmi zanafillor qe besim hënor (më sakt i Dritës hënore) dhe kishte si kult Sellenën të pasqyruar edhe në vepra të shumta të artit, si në reliev, pikturë dhe skulpura që i gjejmë në shumë zona të Perandorisë së Pellazgëve. Por më e rëndesishmja është ajo e Faltores së Samothrakës. Një vashë e re, gjatë një vrapimi të lehtë, e ndihmuar nga krahë të hapura të shqiponjës të ngjitura në shpinë. Siç dihet kjo faltore u themelua nga Dardani dhe përdorej për zhvillimin e riteve të mistereve që bëheshin gjatë natës. Nata ishte mbreteria e Sellenës që u sillte sipas miteve, dritën e agimit njerëzve. Po sipas miteve Sellena ishte bijë e Titanëve, Ipero (Shqiponjës) dhe Teia dhe Titanët qenë Pellazgë. Pra statuja i përkiste kultit të Sellenës krahë-shqiponjë dhe përfaqësonte besimin hënor dodonas të Pellazgëve – SELLENIZMIN. Sot ajo na vjen e pagëzuar si Perendesha Nike (tek grekët) dhe Fitorja (tek romakët) pa u thelluan se përse qe vendosur në tempullin pellazg të Samothrakës dhe nga kush i kishte trashëguar krahët e shqiponjës dhe cfurkun tre-dhëmbësh si dhe simbole të tjera. Këtë përfundim të shqyrtimit llogjik të fakteve, e mbështet historia tragjike e statujës së Sellenës/Luna, në Curi-Julian (Senatin) e Romës që dëshmon, se vasha krahe-shqiponje përfaqësonte kultin e Sellenizmit.
Sellenizmi ishte besimi, që kishte në qendër të tij simbolin e Shqiponjës. Studiuesi Dh.Pilika vëren se, sipas zbulimeve të qeramikës së shekujve VI,V pk e me vonë, pa dallim shteti shprehet fakti se, në pikpamjen e përgjithshme të asaj kohe mbi simbolin e shqiponjës, ajo lidhej me Dodonën si epiqendër dhe me rrezatimet e saj gjithandej… edhe Plani urbanistik i Aleksandrisë (shk Ivpk) është konceptuar në trajtë shkabe, njësoj si ai i Janinës shekuj më vonë, në kohën e Ali Pashë Tepelenës. (f69 Dhimitër Pilika, Botimet Enciklopedike, 2005) Kjo figurë është më popullore tek arbërit, në të gjitha format e krijimtarisë dhe ka ardhur me të drejtë deri në ditët tona: në emblemën e flamurit, në emërtimin e gjuhës, shtetit, të qytetarëve dhe të Kombit tonë.

……………………………………….

Më gjerësisht këtë kumtesë mund ta lexoni këtu:
FATBARDHA DEMI: RRUGA E ZBULIMIT TË EMRIT TË BESIMIT

PELLAZG DHE I VASHËS KRAHË-SHQIPONJË
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=961

————————————————–

 

====================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura