PASQYRUESI I SITUATAVE SURREALISTE – KAFKA

PASQYRUESI I SITUATAVE SURREALISTE – KAFKA

Nga Xhelal Zejneli

E gjithë jeta ime është një histori e mbylljes së syve! – Kafka

 Alber Kamy (Albert Camus) dhe Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre) i prijnë listës së shkrimtarëve mbi të cilët ka ndikuar vepra e Kafkës. Nën ndikimi e autorit të “Procesit” legjendar kanë shkruar shumë laureatë të çmimit “Nobel”.

Termi kafkian ose kafkiane ka hyrë në teorinë e letërsisë për t’i përshkruar situatat surrealiste – mu si në veprat e tij. P.sh.: mjedis kafkian, atmosferë kafkiane…

*   *   *

Franc Kafka (Pragë, 3 korrik 1883 – sanatoriumi Kierling afër Vjenës, më 3 qershor 1924) është një prej figurave më të pazakonshme të letërsisë së shekullit XX. Lindi në Pragë në familjen e një tregtari hebraik. Në atë kohë Çekia ishte pjesë e Austro-Hungarisë. Kafka ishte më i madhi i gjashtë fëmijëve. Dy vëllezër i vdiqën të rinj. Franci u rrit me tri motrat. Babai i tyre ishte një afarist i suksesshëm. Nëna punonte në tregtizën familjare. Fëmijët u rritën kryesisht vetë, nën kujdesin e dadove dhe të shërbëtorëve të ndryshëm. Pas mbarimit të shkollës fillore, Kafka ndoqi gjimnazin klasik. Pasi kreu maturën në vitin 1901, u regjistrua në studimin e kimisë. Pas dy jave kaloi në drejtësi. Gjatë studimeve u njoh me Maks Brodin (Max Brod, Pragë, 27.05.1884 – Tel Aviv-Yafo, Izrael, 20.12.1968) i cili deri në fund të jetës do të mbetet shoku më i afërt i tij. Kafka iu bashkua klubit letrar të studentëve gjermanë. Lexonte me pasion. Klasikët i lexonte në gjuhën greke dhe latine. Lexonte shkrimtarin gjerman Johan Volfgang  Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832),tregimtarin dhe komediografin rus Nikolaj Vasileviç Gogol (1809-1852),romancierin dhenovelistin rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881),romancierin francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880)dhe shkrimtarët bashkëkohorë çekë. Studimet i kreu në vitin 1906. Pas punës së detyruar si praktikant, u punësua në shtëpinë e sigurimit “Generali”. Por, orari i punës që zgjaste dhjetë orë, prej 8 deri në orën 18, e ngarkonte së tepërmi, ia merrte kohën e të shkruarit gjë që e konsideronte si çështje më të rëndësishme. Nuk shkoi shumë dhe e la atë punë. Gjeti punë tjetër në Institutin e Sigurimit të Punëtorëve për Çekinë. Orari i punës këtu ishte më i shkurtër, ndaj i mbetej kohë për t’iu përkushtuar shkrimit. Në vitin 1912 u njoh me kushërirën e Maks Brodit – Felice Bauer (Prudnik, Poloni, 18.11.1887 – Rye, Nju-Jork, 15.10.1960). Maks Brodi ishte çifut i Çekisë, kurse Felice Bauer ishte çifute e Polonisë. Lidhja e Kafkës me të zgjati pesë vjet. Pjesa më e madhe e lidhjes së tyre u mbajt nëpërmjet letrave. Dy herë shpallën edhe fejesën, ndonëse kurrë nuk u kurorëzuan. Thuhet se Kafka njëherazi ka mbajtur lidhje edhe me një mike të tij. I dhënë pas femrave dhe seksit, Kafka shpesh i vizitonte bordelet. Pajisej edhe me revistat erotike të kohës së vet. Sipas pohimeve të miqve të tij, ka qenë edhe mjaft i turpshëm. Gjatë lidhjes me Felicen, Kafka ka shkruar disa tregime të shkurtra. Midis tyre edhe “Metamorfozën”. Lidhja midis Kafkës dhe Felices është ndërprerë në vitin 1917. Po atë vit Kafka është diagnostifikuar me tuberkulozë. Pas kësaj është fejuar edhe për së treti. E fejuara e radhës ka qenë Julie Voriçek (Julie Wohryzek, Pragë, 28.02.1891 – Oświęcim, Auschwitz, Poloni, 26.08.1944). Një kohë jetuan bashkë. Megjithëkëtë, as kjo martesë e Kafkës nuk u realizua. Ka që thonë se martesën e tyre mund ta ketë parandaluar babai i Kafkës i cili nuk është pajtuar që i biri t’i martohej me vajzë e cila nuk ka qenë çifute.

            Shënim: Në vitin 1921 Julie Wohryzek ishte martuar me një menaxher banke të quajtur Josef Werner. Jetuan bashkë disa vjet. Në fillim në Bukuresht e pastaj përsëri në Pragë. Në mars të vitit 1939 Republika Çeke u pushtua nga gjermanët. Forcat pushtuese gjermane e deportuan në Aushvic ku edhe e vranë më 26 gusht 1944.                         

*   *   *

            Në atë kohë, d.m.th. në vitin 1919 Kafka filloi të shkruante prozën autobiografike “Letër babait”. Versioni përfundimtar i këtij shkrimi arrin mbi njëqind faqe.

            “Letër babait“, midis tjerash shkruan:

            “Shumë i dashur baba,

para do kohe më ke pyetur përse them se kam frikë prej teje? Si zakonisht, nuk kam ditur t’i përgjigjem kësaj pyetjeje për dy arsye: e para, për shkak të frikës që ndjej prej teje; e dyta, për ta arsyetuar këtë frikë do të më duhej të paraqitja hollësi të shumta. Gojarisht nuk do të mund të përfshija as gjysmën e tyre. Edhe tani kur po të shkruaj, përgjigjja nuk do të jetë e plotë ngase edhe në të shkruar më pengojnë frika dhe pasojat e saj që kanë të bëjnë me ty. Pastaj edhe madhësia e çështjes e tejkalon kujtesën dhe aftësinë time për të gjykuar”.          

“Letër babait” (1919) është një rrëfim tronditës dhe thellësisht njerëzor i mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve tragjike midis një babai të fortë e arrogant dhe djalit të dobët dhe të pavendosur, në të cilën djali e hap shpirtin e vet, i pasqyron të gjitha mëkatet e babait dhe tërë pafuqinë e vet për t’iu kundërvënë. I frustruar dhimbshëm nga kjo mosmarrëveshje gjatë gjithë jetës së tij, shkrimin “Letër babait” Kafka e shkroi kur ishte 36 vjeç, por edhe në atë moshë nuk pati guxim t’ia dorëzonte botuesit.

*   *   *

Me burrin e motrës ai themeloi një kompani për prodhimin e azbestit. Në fillim merrte pjesë aktive, por me kalimin e kohës nuk iu duk e arsyeshme ta harxhonte kohën aty. Ky konflikt midis nevojës për një punë për të siguruar jetesën dhe nevojës për të shkruar, për të cilën jetonte, e përndoqi Kafkën deri në vitin 1918, kur prej institutit mori një pension invaliditeti. Kjo i mundësoi të kalonte ca kohë në fshat, në fermën ku punonte një nga motrat e tij. Këtë periudhë Kafka e përshkruan “ndoshta si më të lumturën” e jetës së tij. Atje shkroi një seri skicash që u botuan më vonë si “Aforizma nga Zürau”.

             Në vitin 1920 e filloi një lidhje me gazetaren, shkrimtaren, botuesen dhe përkthyesen  çeke Milena Jasenska (Pragë, 10.08.1896 – Kampi i përqendrimit Ravensbrück, Gjermani, 17.05.1944) të cilës i shkroi një mori letrash që më vonë u botuan me titullin e përbashkët “Letra Milenës” (Briefe an Milena, 1952). Letrat flasin për dramën personale njerëzore por edhe për përmasat e thella shoqërore dhe metafizike të shpirtit të autorit. Është një dëshmi tronditëse për përjetimet shpirtërore të Kafkës në kohën kur shoqërohej me Milena Jasenskën në vitet 1920-1923. 

Milena vdiq në kamp më 17 maj 1944 prej pasojave të operacionit të veshkës “të kryer në mënyrë kriminale”. Mendimet e fundit i kishte tek e bija. Në vitin 1955, Institucioni zyrtar përkujtimor i Izraelit për viktimat e holokaustit Jad Vashem (Yad Vashem) ia dha medaljen “Të drejtët midis popujve”. Ky institucion ruan kujtimin për hebrenjtë e vrarë në kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës II Botërore.

            Në vitin 1923 Kafka u lidh me Dora Diamant (Dwojra Diament apo Dymant; Pabianice, Poloni, 1900 – Londër, 15.08.1952), me të cilën një kohë kishte jetuar në Berlin. Lidhja midis tyre zgjati në vitet 1923-1924. Ajo posedonte disa nga shkrimet e fundit të Kafkës. Në vitin 1933 ato u konfiskuan nga Gestapoja gjermane. Ka që thonë se ajo i ka mbajtur ato shkrime kundër dëshirës së Kafkës i cili pak para vdekjes kishte kërkuar që shkrimet e tij të digjeshin. 

*   *   *

            Motra të Kafkës ishin Gabriele (“Ellie”) Hermannova (Kafka), (Pragë, 22.09.1889 – Kampi i shfarosjes Chelmno, Poloni, 1942), Valerie (“Valli”) Kafka, (Pragë, 25.09.1890 – Kampi i shfarosjes Chelmno, Poloni, 1944) dhe Ottilie (“Ottla”) Kafka, (Pragë, 29.10.1892 – Kampi i përqendrimit, Aushvic, 07.10.1943). Që të tria u vranë në kampet naziste të përqendrimit.  

*   *   *

            Pjesën e mbetur të jetës Kafka e kaloi kryesisht nëpër sanatoriumet për mjekimin e tuberkulozit. Vdiq në vitin 1924. U varros në Varrezat e reja hebraike në Pragë. Vlerësohet se 90% të shkrimeve të veta, para se të vdiste i asgjësoi, kryesisht i dogji.

Krijimin letrar e ka konsideruar si një çështje tejet të rëndësishme. Megjithëkëtë, botimit të veprave apo famës nuk i ka kushtuar rëndësi të veçantë. Në të gjallë, ka botuar shumë pak. Maks Brodit i ka lënë porosi me shkrim që krijimet letrare, ditarin dhe letrat – t’ia djeg, madje pa i lexuar fare. Maks Brodi nuk ia ka përmbushur porosinë. fatmirësisht, i ka shpëtuar zjarrit “Procesi” legjendar. Në vitet 1925-1935 Brodi boton përmbledhjen e veprave të Kafkës.

Duke pasur parasysh mënyrën e parregullt të punës të Kafkës, Brodit i është dashur të ndërhyjë: Për shembull romani “Procesi” ka pasur disa kapituj të papërfunduar, ndërkaq faqet nuk kanë qenë të paginuara (të numërtuara). Romani tjetër i famshëm “Kështjella” (Das Schloß, 1922, i botuar në vitin 1926) ka pasur fjali të papërfunduara. Me fjalë të tjera, botimet që panë dritën kanë qenë produkt i punës redaktuese dhe plotësuese.           

            Shumë më vonë, një grup ndërkombëtar ekspertësh, duke u bazuar në dorëshkrimet e ruajtura, i rikonstruktoi tekstet burimore të romaneve të Kafkës.

*   *   *

Ndikimi i Kafkës mbi krijuesit tjerë – Për shkak të kombinimit të stilit të thjeshtë, në dukje objektiv dhe motiveve absurde të përshkuar nga makthi, Kafka ushtroi ndikim mbi shumë shkrimtarë të tjerë. Prej tij u ndikuan edhe bashkëkohësit e tij. Për nga përshtypja e lebetisë dhe pafuqia e protagonistëve shpesh i afrohej ekspresivitetit të ekspresionizmit, kurse për nga motivet, nuk ka qenë larg surrealistëve. Ka qenë edhe pararendës i shumë lëvizjeve që do të pasonin.

Trashëgimisë së Kafkës i janë referuar sidomos ekzistencialistët si: romancieri, eseisti dhe dramaturgu francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960) dhe romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980).

Trashëgimisë së Kafkës iu referuan edhe shkrimtarët e absurdit si: dramaturgu dhe romancieri irlandez, kryesisht i shprehjes granceze Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989) dhe dramaturgu francez me prejardhje rumune Ezhen Jonesko (Eugène Ionesco, 1912-1994).

Gjurmët e Kafkës i hasim edhe te realizmi magjik i tregimtarit, poetit dhe eseistit  argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986) dhe te prozatori kolumbian, autor i romanit legjendar “Njëqind vjet vetmi” (Cien años de soledad, 1967) Gabriel Garsia Markez (Gabriel José García Márquez, 1927/1928-2014).

Ndikimi i Kafkës vërehet edhe te romanet filozofike bashkëkohore të prozatorit çek që jeton në Francë Milan Kundera (1929- 2023).

*   *   *

            Një prej veprave më të pazakonta të Kafkës është “Metamorfoza” (Die Verwandlung, 1915). Është vepër që ka hyrë në radhët e veprave të letërsisë klasike. Kuptimin plot makth mbi njeriun i cili papritmas shndërrohet në insekt e ndërlidh me pasqyrimin e hollësishëm të përditshmërisë banale, duke shtruar njëherazi pyetje të shumta për rëndësinë e identitetit, të familje dhe të asaj që është njerëzore.        

            Këtë histori të tjetërsimit të plotë disa kritikë e interpretojnë në mënyrë biografike. Në fund të fundit, Kafka si një hebre gjerman që jetonte në Pragë në kohën e përhapjes së antisemitizmit dhe si një shpirt krijues i tërhequr dhe artistik që kishte dalë nga hija e një babai jotolerant të  dhënë pas punëve, kishte arsye të mjaftueshme të ndjehej i tjetërsuar.    

            Kritikë të tjerë e theksojnë edhe fascinimin (magjepsjen) e Kafkës me filozofinë e filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçes (Friedrich Nietzche, 1844-1900) ose me idetë psikanalitiketë neurologut austriak me prejardhje hebraike, themelues i psikanalizësSigmund Frojd (Sigmund Freud; Příbor, Çeki, 06.05.1856 – Londër, 23.09.1939).

            Shumëkushedinë tregimin “Metamorfoza”: Një mëngjes agjenti tregtar Gregor Zamza zgjohet i shndërruar në insekt. Sipas origjinalit në gjuhën gjermane, ai është shndërruar në kandër (insekt i ndyrë, krimb, parazit) (gjermanisht Ungeziefer). Derisa përpiqet t’i gjejë zgjidhje kësaj që e ka gjetur, i bien derës anëtarët e familjes: nëna, babai dhe e motra. Shfaqet edhe shefi i Gregorit. Të gjithë janë të tmerruar, ndërsa situata sa vjen e bëhet më e rëndë. Pasi tani e tutje nuk mund të kujdeset për familjen, me fjalë të tjera, nuk ka të ardhura, Gregori sakaq e humb statusin e djalit të admiruar. Babai e tremb nëpër shtëpi duke iu kanosur me gazeta të mbështjella. Në një moment e godet edhe me mollë gjë që Gregorit i shkakton paralizë. E vetmja që pranon të kujdeset për Gregorin është motra e tij Grete e cila kishte dëshirë të bëhej violiniste. Megjithëkëtë, gjendja e pazakonshme ka edhe pasoja pozitive. Familja e Gregorit, e  mbështetur vetëm te të ardhurat e djalit, ishte bërë pasive. Pas shndërrimit të tij në insekt, dalëngadalë ajo i ndryshon shprehitë. Babai përsëri gjen punë, nëna fillon të qepë, ndërsa Greta punësohet në dyqan dhe fillon të mësojë stenografinë dhe gjërat themelore të gjuhës franceze. Një natë Gregori u shfaq para qiramarrësve të rinj. Ata u tmerruan. Tani edhe Grete erdhi në përfundim se këtë përbindësh familja duhet ta heqë qafe. I pikëlluar dhe i uritur, Gregori kthehet në dhomën e vet, ku edhe vdes. E liruar nga barra, familje shkon në piknik jashtë qytetit.        

*   *   *

Shumë kritikë sot shohin te “Metamorfoza” hulumtimin e fatit të njeriut për të cilin puna dhe kujdesi financiar për familjen bëhen arsye e vetme e të jetuarit, kurse çështja e vetëmohimit dhe marrëdhënies komplekse midis familjes që varej nga Gregori dhe vetë Gregorit, pa dyshim është një nga çështjet kryesore të kësaj vepre.

            Mirëpo, vepra mund të lexohet edhe si hulumtim i aspekteve të ndryshme të identitetit njerëzor, përkatësisht si një ekzaminim të asaj që në radhë të parë na bën qenie njerëzore: a është vallë kjo vetëm çështje e pamjes dhe e mundësisë për të komunikuar apo kemi të bëjmë me diçka të lindur dhe të patjetërsueshme te vetë koncepti i asaj që quhet njerëzore.    

 Xhelal Zejneli

“METAMORFOZA” – KAFKA

Ndikimi i veprave të Kafkës në letërsinë bashkëkohore është i madh. Ai është një prej autorëve universalë të letërsisë botërore dhe krijues i modeleve poetike më sugjestive të shekullit XX.                 

„Metamorfoza“ (Die Verwandlung) është tregim i tregimtarit austriak me prejardhje hebraike Franc Kafka (Pragë, 1883 – Kierling /Vjenë, 1924). U botua në vitin 1915. I ka 56 faqe. Është shkruar në gjuhën gjermane. Ngjarja zhvillohet në Pragë, në shekullin XX. Personazh kryesor është Gregor Zamza (Samsa). Në këtë tregim trajtohen temat, si: tjetërsimi, absurditeti dhe kotësia apo zbrazësia e shoqërisë moderne. Krahas romaneve “Procesi” (1914-1915) dhe “Kështjella” (1922, të botuar në vitin 1926), “Metamorfoza” është vepra më e njohur e Kafkës. Bashkë me tregimin “Strofulla”, “Metamorfoza” është vepra më simbolike e Kafkës. Sot e kësaj dite është një prej temave kryesore të analizave në shumë universitete të mbarë botës. Konsiderohet një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë së shekullit XX. Nobelisti tregimtari, dramaturgu dhe eseisti i shprehjes gjermane, Elias Kaneti (Elias Canetti; Rushçuk, Ruse/Bullgari, 1905 – Cyrih, 1994) e ka përshkruar tregimin si “një prej pak veprave të mëdha dhe më të përkryera të imagjinatës poetike të shkruara gjatë këtij shekulli”. Vepra fillon me metamorfozën apo transformimin e udhëtarit tregtar të vyer Gregor Zamza në buburrec tejet të madh.                    

 .             Veprimi ¬ 

Kur Gregor Zamza u zgjua një mëngjes prej ëndrrave të trazuara, e gjeti veten në shtrat, të transformuar në një insekt gjigant.

Me këtë fjali epokale Kafka, in medias res, e fillon tregimin e vet. Gregor Zamza, udhëtar tregtar i vyer, por pasiv, pas një nate të trazuar zgjohet në dhomën e vet të vogël dhe e kupton se është shndërruar në insekt. Edhe pse është shndërruar në kafshë, Zamza në fillim nuk është aq brengosur. E shqetëson fakti se nuk e ka dëgjuar zilen e orës, ndaj treni i parë i ka ikur. Vendos të shkojë me trenin pasues. Kishte menduar se s’do ta kishte problem të çohej, por menjëherë e kuptoi se vështirë mund të çohej. Gjendjen e vet momentale e arsyeton me lodhjen dhe mendon se kjo do t’i kalonte shpejt. Familja e vet kërkon të dijë se për çka bëhet fjalë. Nuk vonohet shumë vjen edhe prokuristi për të parë se ç’po ndodh me Gregorim.

Edhe pse formalisht i njerëzishëm, prokuristi nuk është shumë emocional ndaj Gregorit dhe pavarësisht gjendjes së tij, kërkon që ai të dalë. Ai i refuzon arsyetimet e familjes së Gregorit se këtu kemi të bëjmë me sëmundje dhe kërkon bisedë me të. Gregori u thotë se do të vijë, por zëri i tij, meqë ishte bërë buburrec, bëhet buçitës dhe i paartikuluar. Këta edhe s’e kuptojnë se për çfarë flet Gregori. Ndërkohë, ai me të gjitha forcat përpiqet të çohet nga krevati dhe të mbërrijë deri te dera e cila ishte e mbyllur me çelës. Ia del mbanë vetëm pas një zhurme të fortë kur bie në dysheme. Prokuristi e interpreton këtë si një shaka dhe provokim të Gregorit i cili po bën diçka nëpër dhomë. Pas shumë përpjekjeve mbërrin te dera dhe ngadalë ia del ta çelë. Derisa tentonte ta çelë, ajo u çel më shumë se i duhej. Grigori tashmë dukej krejt. Personi i parë që e vërejti Gregorin, përkatësisht buburrecin gjigant, ishte pikërisht prokuristi. Kur e pa Gregorin, bërtiti ‘O’ dhe mori të largohet. Shpejt pas kësaj përjetuan shok edhe anëtarët e familjes. Gregori, krejtësisht i pavetëdijshëm për shokun që shkaktonte, përpiqet t’ia sqarojë prokuristit situatën. Fillon t’i afrohet, kurse ky i largohet, derisa në fund nuk e nxjerr Zamzën nga banesa familjare. Kur babai erdhi në vete, krejt zemërim e futi Gregorin në dhomë dhe e mbylli derën me çelës.

Pjesa tjetër e veprimit, i pasqyruar nga perspektiva e Gregorit, zhvillohet disi në mënyrë statike, edhe pse kalon njëfarë kohe. Gregori e humb punën, kurse familja absolutisht nuk ka kurrfarë të ardhurash, përveç kursimeve dhe pagave të Gregorit tashmë të marra, që në planin afatgjatë s’janë të mjaftueshme. Derisa familje flet për planet, Gregori dalëngadalë dhe gradualisht kalbet në dhomën e vet, duke iu dhënë mundësia për të vëzhguar dhe për të dëgjuar. Gregori izolohet, kurse gjendja bestiale (shtazore) e tij përparon. E refuzon ushqimin më të parapëlqyer të tij. I ha vetëm mbetjet që kanë marrë erë dhe e humb aftësinë e komunikimit. Lëvizja e tij fillon të reduktohet në ecje nëpër mure dhe tavan.

Hobi i ri te motra Greta, e vetmja që kujdesej për të dhe që mund të hynte në dhomën e tij, e lindi idenë se dhoma e tij do të mund të lirohej në mënyrë që Gregori të kishte hapësirë më të madhe për hobin e tij të ri. Në fillim u gëzua për idenë e re, por tek ai përsëri lindi instinkti njerëzor, ndaj me paraqitjen e tij dhe me mbulimin e fotografisë që ndodhej në dhomë, ia bëri me dije familjes se nuk duhet t’i largojnë mobiliet nga dhoma. Kjo ishte e para prej dy ngjarjeve kur te Gregori u zgjua instinkti njerëzor që e kthente në botën reale dhe të luftonte kundër kafshës në të cilën u shndërrua. Dhoma i mbeti siç ishte. Kur e pa Gregorin, nënën e kaploi frika. Për t’iu hakmarrë, babai i mbushi xhepat me molla dhe me to filloi ta godasë Gregorin. Edhe pse ato nuk i shkaktonin ndonjë dëm të madh, njëra prej tyre iu ngul në shpinë dhe mbeti aty. Pas kësaj Gregori u tërhoq në dhomën e vet.

Pas një kohe familja Zamza (Samsa) i harxhoi paratë që kishte, kështu që të gjithë gjetën punë. Nëna si endëse, babai si derëtar, kurse puna e motrës ishte aq e mundimshme saqë ajo nisi ta lërë pas dore Gregorin. Përveç kësaj, në njërën prej dhomave morën disa qiraxhinj, tre burra me mjekër (që në veprën e Kafkës janë arketip). Anën e larguan dhe pranuan një shërbëtore të moshuar e cila ishte e vetmja që s’i frikohej Gregorit. Në praninë e tij ajo sillej normalisht. Secili prej tyre ishte i preokupuar me punën e vet, ndaj Gregori u bë gjithnjë më pak i rëndësishëm. Në dhomën e tij lënin gjëra të panevojshme dhe lloj-lloj hedhurinash shtëpiake. Dhoma e tij, bashkë me të, u bë vendgrumbullim hedhurinash, kurse ai sikur nuk ekzistonte fare, si një pjesë e vjetër mobilieje që u duhej por që nuk mund ta vënë në përdorim. Gregori erdhi në gjendje të kuptonte gjithashtu dyfytyrësinë e familjes së vet e cila gjithmonë ka qenë e varur prej tij duke u ankuar se ata vetë nuk mund të punonin. Tani familjarët dëshmuan se pa ndonjë mundim të madh edhe vetë mund të fitonin të ardhura. Është e çuditshme se si Gregori për këtë e fajësonte veten dhe jo familjen. Në përputhje me problemin e përhershëm që kishte të bënte me autoritetin, fajin e merrte mbi vete kurse atyre nuk ua merrte për të madhe. Në një çast kur e motra mori të luajë në violinë para qiraxhinjve, te Gregori përsëri u zgjua njerëzorja. Lojën e saj mesatare në violinë ai e cilësoi si gjenialitet dhe virtuozitet. Duke lëvizur me vështirësi, vendos ta shohë motrën duke i rënë instrumentit. Ai ende e fajësonte veten që nuk mundi ta dërgonte motrën në Konservator, ndonëse e kishte planifikuar një gjë të tillë. Për habinë e të gjithëve, ai hyn me vrull në dhomën ku ishin të tjerët. Zotërinjtë me mjekër e shikonin me interes, kurse familjarët u trembën. Mjekroshëve të cilët tani e prishin kontratën e qiramarrjes, u thonë të shkojnë nëpër dhomat e veta. Qiraxhinjtë hyjnë në dhomë, kurse familjarët tubohen në dhomën e pritjes. Marrin vendim që insektin të mos e konsiderojnë si bir të vetin dhe të gjithë e dëbojnë.

Gregori për së fundit herë hyn në dhomën e vet. Në atë dhomë, pothuajse i palëvizshëm, mbeti deri në fund. Molla mbi shpinë ishte kalbur dhe kishte krijuar një ndezje të rrezikshme që e paralizoi Gregorin. Ai u shtri në mes të dhomës. Duke u bërë kështu një objekt i panevojshëm, ai u pajtua me të gjithë. Gjatë natës – vdiq. Trupin e tij e gjet shërbëtorja e moshuar e cila e konfirmoi vdekjen. Tani falja përjeton njëfarë qetësimi. Vendosi të fillojë një jetë të re dhe të planifikojë një të ardhme më të bukur dhe më të mirë. U lindën ëndrra të reja dhe qëllime të mira. Gregor Zamza vdiq i vetmuar dhe i lënë pas dore. I shndërruar në buburrec, ky njeri vdiq së një kafshë që ishte fizikisht, por më e rëndë ishte vdekja e njerëzores së tij, e cila gjatë tërë tregimit qëndronte galuc në të, duke bërë përpjekje për t’u kthyer. Mjedisi i kufizuar tek ai nuk shihte tjetër pos një insekti të shëmtuar, ndaj e vrau shumë më parë se Zamza të vdiste fizikisht.         

                Personazhet dhe marrëdhëniet midis tyre

Babai: Pas transformimit, qëndrimi i babait ndaj të birit – Gregorit, është i ashpër. Ai e urren atë dhe nuk e konsideron djalë të vetin. Qëndrimi i tij buron nga qëndrimi i Kafkës ndaj babait të vet. Babai e rreh Gregorin dhe fare nuk e lë të dalë prej shtëpie. Madje s’e lë të dalë as nga dhoma. Aq i ashpër ishte saqë e godiste edhe me molla. Njëherë e qëlloi në shpinë dhe vdiq si pasojë e infektimit nga pema e kalbur. 

Nëna: Nëna e donte të birin Gregorin, por turpërohet nga të shndërruarit e tij në insekt. Si rrjedhojë, nuk dëshiron ta shohë. Megjithëkëtë, në fund e mori veten dhe i shkoi të birit. Kjo i shkaktoi kënaqësi Gregorit ngase për t’u ndjerë i lumtur, atij i mjaftonte t’ua dëgjonte qoftë edhe vetëm zërin. 

 Greta: E motra Greta është e vetmja në familje e cila vërtet e donte Gregorin. Ajo kujdesej për të, e ushqente dhe i ndihmonte kurdo që kishte mundësi. Edhe Gregori e donte atë, ndaj i vinte keq që nuk ia kishte treguar qëllimin për ta regjistruar në konservator ngase luante aq bukur në instrumente. Por, edhe ajo fillon ta nëpërkëmbë dhe t’i ngrejë duart prej tij. 

Tematika – Në këtë vepër Kafka flet për tjetërsimin e Gregorit. Ai është njeri, por është krejt tjetër, është ndryshe. Prandaj askush s’e do. Krejt familja e urren dhe dëshiron ta heqë qafe ngase si i tillë i turpëron familjarët. Për të kujdeset vetëm motra. Megjithëkëtë, Gregori është i vetmuar ngase përveç motrës, ai s’ka tjetër. Bota e tij është një dhomë e vogël nga e cila s’guxon dot të dalë. Ia kishte frikën babait i cili e urrente dhe i cili donte të bëjë çmos për ta hequr qafe. Kjo edhe ndodhi. Ai ia shkaktoi vdekjen ngase e qëlloi me mollë në shpinë. Kalbja e saj i shkaktoi infektim. Edhe e ëma e donte. Pikërisht për këtë arsye nuk dëshironte ta shihte   ngase nuk mund ta paramendonte të birin në atë gjendje.

Simbolika- Simboli i mollës ka domethënie të ndryshme. Një prej tyre mund të jetë edhe ‘molla e grindjes’. Motivi njihet që nga koha e letërsisë antike kur Parisi duhej t’ia jepte mollën e artë më të bukurës midis Herës, Atenës dhe Afroditës. Afrodita ia premton për grua Helenën e bukur, kështu që Parisi vendos t’ia japë mollën asaj. Nga ky veprim i tij Hera dhe Afrodita u ndjenë të fyera. Në shenjë hakmarrjeje ato e bënë Parisin dhe Helenën shkaktarë të drejtpërdrejtë të Luftës së Trojës, dymbëdhjetë shekuj para K. Prej atij momenti molla është bërë simbol i grindjes që në letërsi është shfrytëzuar shpesh.  

*   *   *

Shënim: Prokurist (procurator) është përfaqësues i shoqërisë ekonomike i cili ka për detyrë t’i respektojë të gjitha kufizimet dhe autorizimet që i janë dhënë për përfaqësim me vendim të organit kompetent të shoqërisë, me statut apo me aktin e themelimit. Është person të cilit i është dhënë prokurë apo autorizim tregtar i gjerë.  

Xhelal Zejneli

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura