Bukuresht, 07. 12. 2015: Protesta e Opozitës në Kosovë, gradualisht po transformohet në revoltë popullore. Situata është e mbarsur me shumë konflikte, të cilat kanë karakter shoqëror dhe politiko-ekonomik. Polarizimit të shoqërisë, varfërimit të skajshëm të bazës së saj, arogancës së klasës politike dhe pasurimit të saj të jashtëligjëshëm, ushtrimit të dhunës nga ana e qeverisë, korupsionit të përgjithësuar të administratës shtetërore, papunësisë, padrejtësisë, iu shtuan MARRËVESHJET me dushmanin e përjetshëm të popullit shqipetar. Kjo i vuri kapakun, e mbushi kupën, duke krijuar një situatë shpërthyese, e cila nuk mundet të kalojë pa një rishikim të plotë të momentit historik, në të cilën konflikti ka hyrë në një fazë të pakthyshme.
Duke ndjekur përshkallzimin e protestave hap mbas hapi dhe duke kujtuar situata të ngjashme historike në vëndin tonë apo dhe në Europë, nuk mund të mos konstatoj disa fenomene dhe karakteristika të përbashkëta, të cilat veprojnë pavarësisht nga ngjyrat specifike lokale. Kështu dalloj pjesëmarrësit e brëndëshëm, personazhet e këtij momenti të nxehtë, pa prekur “ndërkombëtarët” e mënҫur, që ngrohen rreth zjarrit. Nuk mungon asnjëri dhe të gjithë janë aktiv, sipas rolit që kanë marrë përsipër.
Kemi disa kategori pjesmarrëse të ngjarjes (revoltës) me role të ndryshme:
1. Historikisht kemi parë se gjatë një revolte popullore do dalin dhe shtypësit e saj, të cilët nuk janë gjë tjetër veҫ mercenarë. Në 28 Nëndor pash policinë që veproi si mercenare dhe zbatoi urdhërin por jo ligjin. Me ligj, me kushtetut, marrëveshjet as që duheshin firmosur fare, atëhere shkelsit e ligjit u bënë ata që dhanë urdhërin për të shtypur revoltën e opozitës;
2. Veҫ tyre, sigurisht që dolën në pah dhe “grev-thyesit”, pjesë e revoltës, të ndodhur diku nga bishti i saj. Ata nuk folën, pëshpëritën, të cilët do gjejnë përherë ndonjë justifikim për të frenuar aksionin popullor. Motivet e grev-thyesave janë të shumta, por asnjëra nuk përkon me interesin e popullit, përherë janë në kundërshtim, injorojnë motivin e revoltës, e nënvlerësojnë atë, hedhin shpresa të paqëna se qeveria do korigjohet, se do bëhet e arsyeshme dhe ҫdo gjë do shkojë në vëndin e vet, se opozita egzagjëron. Disa shkojnë aq larg sa besojnë se “ujku ndroi lëkurën” dhe rreziku nuk egziston;
3. Nuk mungojnë as përfituesit e revoltës, të cilët janë pjesa që rrëshqet pa u prekur, për tu ndodhur në fund (në rast suksesi) në vëndin e duhur për të marrë llokmën e madhe të kulaҫit. Këta, gjatë gjithë kohës janë më dysh, të gatshëm ta abandonojnë, janë të vëmëndëshëm dhe ndjekin se nga po anon peshorja. Këta nuk sakrifikojnë asgjë, të prirur për negociata të fshehta me këdo. Projektojnë të ardhmen e tyre dhe jo të popullit;
4. Iniciatorët, të revoltuarit e vërtetë, “heronjtë”, idealistët, janë ata që sakrifikojnë dhe e pësojnë kur revolta dështon. Këta, janë burimi i energjisë, truri, motori i lëvizjes. Në shumicën e rasteve eleminohen pas “dasmës”. Në rast dështimi eleminohen nga qeveria, në rast suksesi eleminohen nga përfituesit, eskalioni i dytë apo i tretë, i cili hyn i freskët në fund të betejës, kur tashmë përfundimi është i sigurt. Në rastet e veҫanta dhe më të ralla, iniciatorët abandonohen, harohen, extradohen, expulzohen. Në të gjitha variantet ata denigrohen, për të shuar ҫdo gjurmë të fenomenit, të efektit, që të mos mbijnë të tjerë, të paktën për një kohë të gjatë. Ky proҫes quhet higjenizim i vendit të ngjarjes;
5. Që në shpërthim të revoltës hyjnë në lojë “zjarrfiksat”, që shuajnë flakën e revoltës. Zakonisht këta janë kalemxhinj të “lirë, të pavarur”, shkrimtarë apo gazetarë, analistë me përvojë, për të cilët është një rast i mirë për të ngritur kokën, për të dalë nga hija, për tu evidentuar në publik, për të kapur thelën e majme që ua kanë marrë konkurentët e tyre, për tu hakmarrë me të gjithë dhe me veten e tyre, nëse ua lyp nevoja.
6. Pa popull nuk ka revoltë popullore, s’ka lëvizje. Konditë është që ai të jetë i zëmëruar keq, në prag të shpërthimit, mos ketë më shpresë, me fjalë të tjera ti ketë shkuar thika në palcë. Por kur populli është i lodhur, i mungon energjia e nevojshme për ta ҫuar revoltën e tij deri në fund, ndodh shuarja e saj, pastaj vjen nënshtrimi i shoqëruar me një vajtim të gjatë.
Mos vallë revoltës së opozitës i është shuar fitili dhe s’do ketë shpërthim? A thua se Albini ishte fitili dhe pa të ҫdo gjë mbaroi? Nuk dua ta besoj këtë variant, megjithëse e di fare mirë se Isa me Hashimin këtë shpresojnë, përndryshe… besoj se i kanë blerë biletat e avionit, i kanë gati në xhep, për ҫdo rast, ku i dihet! Janë si lepurat që kërcejnë nga shkuret ku janë fshehur, sa u afrohet ndonjë rrezik.
Ҫfarë fati do ketë kësaj rradhe Kosova dhe populli fukara?
Kjo pyetje më mundon!
Të gjithë pjemarrësit në ngjarrje (të përmëndur më sipër) janë të ndërgjegjshëm se opozita ka të drejtë, se qeveria e ka shkelur me këmbë interesin e popullit dhe ligjin, kushtetutën, por ja që secili vesh xhaketën e tij të rolit që merr, sipas interesit dhe sipas karakterit që ka.
A do vazhdojë protesta, apo me kaq do mbaroj filmi dhe secili do shkoj të rehatohet në shtëpin e tij?
Sa i hidhur është kthimi…, i plagosur fizikisht dhe shpirtërisht, pas një beteje shpresash të humbura. Nuk dua të ndjell keq, por tani momenti varet shumë nga populli, ai është energjia e pastër dhe e pashuar. Kush e manipulon popullin më mirë, fiton. Të tjerët do lëpijnë plagët në shtëpi në mos diku tjetër.