GJOKË DABAJ: Ç’ËSHTË KY INAT KAQ I MADH KUNDËR SHQIPTARËVET?!

Durrës, 30 tetor 2017: Kam shkruar edhe më parë për këtë dukuri të çuditshme antishqiptare të Perendimit, por afera e fundit kundër qeverisë Rama dhe humbja e heshtur e Vetëvendosjes, po më shtyjnë që t’i rikthehem edhe njëherë së njëjtës temë.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kish dhe ka inat shumë të madh kundër shqiptrëvet! Mbas Blerit s’pat më ndaj nesh asnjë shenjë dashamirësie. Qeveria e SHBA-së, s’e di prej cilës kohë, ka inat të madh kundër shqiptarëvet. U pa kjo edhe këtë herë nga qëndrimi i z.Lu dhe i z. Li, si dhe nga fytyra e qeshur e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, ku e vetmja “arsye” për të qenë i kënaqur me zgjedhjet ishte shampanja që derdhën sërbët. Qeveritë e Spanjës kanë pasur dhe kanë inat të madh kundër shqiptarëvet. Kur ato nuk dallohen prej Millosheviqit në veprimet ndaj Katalonjës, ç’mund të presësh prej tyre për viset e Shqipërisë?! Qeveritë e Francës dhe të tjera qeveri të BE-së kanë pasur dhe kanë inat të madh kundër shqiptarëvet. Ato, gdhihu e ngrysu, po u thonë fukarenjvet shqiptarë: Jepjani Malit të Zi edhe një copë mal, po deshët t’ju japim bileta avioni për të fluturuar!
Për qeveritë ruse, sërbe, greke, po edhe turke, dihet prej shekujsh: Ato duan të mos ekzistojnë fare shqiptarët. Prandaj për ato, në këtë shkrim, as që ia vlen të ndalemi.
Mua më çudisin shumë Perendimorët. E quaj miopi të tyren. E quaj veprimtari kundër interesavet të tyre vetjakë në këtë pjesë të botës. Ata nuk po e përkrahin, përkundrazi, po e shtyjnë me bërryla aleatin e tyre më të natyrshëm në këtë krah të Evropës Juglindore.

Në shekujt e pushtimit osman nuk kemi dëgjuar asnjë shtet të Perendimit që, për shembull, t’i kërkojë Perandorisë Osmane të hapë shkolla arbërishte në Arbëri, apo, në shekujt 18 e 19, shkolla shqipe në Shqipëri. E pra, Vatikani i miratonte dhe i financonte edhe gllagolicën kroate, edhe qirilicën bullgaro-sërbo-ruse. Në shekujt 16, 17 dhe 18 kish kërkesa të mëdha nga ana e arbërvet, qoftë për përkrahje kulturore, qoftë për përkrahje politike e ushtarake. Le të kujtojmë këtu përpjekjet madhore largpamëse të një vargu kuvendesh arbërorë të shekullit 17 dhe të fillimshekullit 18. Le të kujtojmë këtu përpjekjet përgjëruese dhe vetëmohuese të Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit.
Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (ndaç thuaj në vitet e Krizës Lindore), u dëgjuan të gjithë zërat, deri edhe cijatjet prej miu të një knjazi malazias, me popullsi më të vogël se ajo e Shkodrës, por zëri i shqiptarëvet nuk u dëgjua. Shkuan kot ndërhyrjet dhe udhëtimet e diplomatëvet tanë të kalibrit botëror, shkuan kot memorandumet me një përmbajtje dhe stil nga më të qytetëruarit, shkuan kot kryengritjet me armë, kryengritje nga më humanet në të gjithë aspektet. U lamë tërësisht në mëshirën e ekspeditavet ndëshkimore të një perandorie që po vdiste.
Në fillim të shekullit 20 mund të themi: Shyqyr që Austro-Hungaria, e cila gjithshtu po vdiste, e pa një lloj interesi, për vete, por ndoshta edhe më gjërë e më me largpamësi, përndryshe as pavarësia e një të trete të Shqipërisë nuk do të ishte njohur.
U njoh një copë Shqipëri më 1913-n dhe u dënua me vdekje në një Traktat të Fshehtë më 1915-n. Interesat e kujt mbroheshin në atë traktat të firmosur në Londër? A mbroheshin interesat e Perendimit? Jo! Këtë mund ta kuptojë edhe një analfabet, mjafton që të ketë dëgjuar diç nga historia. Ai traktat ishte tërësisht antievropianoperendimor, i pranuar meskinisht, miopisht dhe frikacakërisht, pikërisht prej atyre që duhej ta mbronin Perendimin.
Më 1919-n e 1920-n kemi prapë një veprimtari antishqiptare të Perendimit, veprimtari e cila në thelb vazhdonte të ishte edhe antievropianoperendimore. Që nga Fronti i Selanikut trupat franceze i patën shoqëruar trupat sërbe, që ishin ngjitur drejt Sërbisë duke i bërë shkrumb të zi vendbanimet e shqiptarëvet dhe duke e mbushur truallin e Shqipërisë me kufoma shqiptarësh. Franca në radhë të parë, por e gjithë e quajtura Antantë, heshti ndaj krimevet të Sërbisë dhe nxitoi të krijojë një Mbretëri Jugosllave, në të vërtetë mbretëri sërbe, në dëm të shqiptarëvet, por edhe për bela të vetëvetes.
Revolucionin tonë Demokratik të Qershorit 1924 nuk e përkrahu as nuk e njohu asnjë qeveri perendimore. Përkundrazi, e quajtën „të kuq“ një prift shqiptar që e kryesonte atë revolucion, në një kohë kur të kuqtë e mirëfilltë e kishin përmbytur krejt Evropën. A ka idiotizëm politiko-diplomatik më flagrant se të akuzosh për komunist një prift me veladon, i cili çdo të diel çon meshë dhe i lutet Jezusit?! Por politikanët e Perendimit nuk e kishin inatin me priftin. Ata e kishin inatin, një inat atavik të çuditshëm, me Shqipërinë dhe me shqiptarët.
E pushtoi më 1939-n Italia fashiste Shqipërinë. Ahmet Zogun e arratisur nuk e përkrahu asnjë qeveri perendimore antifashiste. E theksoj edhe njëherë: Qeveritë antifashiste evropiane nuk e përkrahën mbretin e shqiptarëvet, të cilin e kishin përzënë fashistët nga atdheu i tij. Shkoi në Londër monarku shqiptar, në Londrën monarkike, por nuk mori as edhe një strehim dinjitoz dhe u detyrua të degdiset në fund të Afrikës.
Gjatë Luftës së Dytë Enver Hoxha i pranoi dhe i priti si aleatë misonet ushtarkë anglezë dhe amerikanë. Por ata, gjatë gjithë asaj lufte s’bënë tjetër veçse punuan për t’ia hequr Enver Hoxhës dhe për t’ia ngarkuar dikujt tjetër udhëheqjen e asaj lufte. Një Abaz Kup, një Mit‘hat Frashër, një Abaz Ermenj, një Mustafa Gjinish, një Muharrem Bajraktar, kushdo mund të ishte aleat i anglezëvet dhe amerikanëvet, vetëm një Enver Hoxhë të mos ishte. Pse? A sepse Enveri ishte komunist? Por komunistë ishin edhe Titoja, edhe Stalini, edhe shumë të tjerë, me të cilët anglezët dhe amerikanët ishin në aleancë, sado me rezerva e me prapamendime, por nënshkruanin me ta marrëveshje të të gjithë nivelevet.
Anglezët dhe amerikanët nuk e donin Enver Hoxhën, jo se ishte komunist, por sepse ai, si në kohën e luftës, ashtu edhe më vonë, po i mbronte më me këmbëngulje se të tjerët, interesat e Kombit Shqiptar. Duke mos përkrahur Enver Hoxhën, Perendimi në fakt, në mënyrë strategjikisht të palogjikshme, po pozicionohej, si dhe në të shkuarën, kundër Kombit Shqiptar. Ç’dreq të mire do t’i sillnin Perendimit Greqia dhe Sërbia, në krahasim me një Shqipëri të plotë dhe të fortë?! Le që, edhe duke përkrahur efektivisht Shqipërinë, Perendimi aty do t’i kish edhe Sërbinë, edhe Greqinë. A mos do të bëheshin më antiperendimorë se ç‘ishin sërbët dhe grekët, nëse i jepeshin Shqipërisë pjesët që i takonin?!
Mbas Luftës, po ai Perendim punoi me të gjithë mjetet për të rrëzuar qeverisjen e Enverit në Republikën e Shqipërisë, duke përdorur si plasdarm diversantësh, si Greqinë e juntës ushtarake, ashtu edhe Jugosllavinë komuniste. Një miopi tërësisht e pajustifikueshme.
Perendimit s’i bënin aspak përshtypje komunistët jugosllavë. Mjaftonte që nëpërmjet shtetit të tyre të hidheshin në Republikën Popullore të Shqipërisë diversantë të stërvitur e të armatosur. Vetëm Shqipëri komuniste nuk duhej të kish në këtë botë! Jugosllavi komuniste le të kishte! Edhe Rumani komuniste le të kishte! Franca në ata vite lidhte marrëveshje me Rumaninë komuniste. Në të vërtetë, Perendimi nuk donte të kish shtet të pavarur shqiptar! Po pse kështu, o ju njerëz që e quani veten model të lirisë dhe demokracisë?!
Asnjë shtet perendimor nuk u prononcua kundër shpërnguljes me dhunë nga shteti jugosllav komunist në drejtim të Turqisë kapitaliste. Asnjë shtet perendimor nuk e ngriti zërin zyrtarisht për t’u dhënë të drejta nacionale shqiptarëvet që, për fajin e vetë Perendimit, gjendeshin nën sundimin e grekëvet. Asnjë shtet perendimor nuk e përkrahu zyrtarisht, qoftë edhe me një rezolutë në OKB, kërkesën e shqiptarëvet për republikë në Jugosllavinë Federative, sado që ajo kërkesë ishte krejt e ligjshme.
Të vetmet punë të mira që ka bërë Perendimi për shqiptarët kanë qenë: Njohja e një shteti shqiptar, edhe ai i rrëgjuar në një të tretën e Shqipërisë, në fillim të shekullit 20, dhe njohja e një shteti të dytë shqiptar në fillim të shekullit 21. Të dyja këto njohje kanë qenë rezultat i përpjekjevet dhe i luftëravet titanike të Kombit Shqiptar, për t’u bërë edhe administrativisht, domethënë, edhe si një shtet, i barabartë midis të barabartëvet, pjesë e Evropës. Gjithsesi, për këto dy njohje shqiptarët duhet t’i jenë dhe do t’i jenë mirënjohës Perendimit përjetë.
Mirëpo, duhet ta themi shkurt, qartë dhe me shumë keqardhje: Është lënë e po lihet përshtypja sikur po ai Perendim është penduar edhe për atë pak pavarësi që na e ka njohur. Krejt historia mbas 1913-s shkon në favor pikërisht të kësaj përshtypjeje tepër të hidhur. Edhe të gjithë vitet mbas njohjes së Republikës së Kosovës po këtë përshtypje na kanë krijuar si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja.
Në Republikën e Kosovës sistematikisht po u vihen shkopinj nën rrota forcavet të vërteta atdhedashëse shqiptare. Nuk ka asnjë shenjë, ku të dëshmohet që Perendimi po e pengon ridepërtimin sërb në Republikën e Kosovës, sado që ai ridepërtim shkon qartazi në dëm të vetë Perendimit. Edhe zgjedhjet e fundit e treguan që forcat patriotike shqiptare në Republikën e Kosovës e kanë praktikisht të pamundur për të ardhur në pushtet dhe duhet të jesh i verbër që të mos e shohësh që këtu ka dorë pikërisht politika antishqiptare, çuditërisht tejet antiperendimore e vetë qarqevet qeverisës të Perendimit.
A janë tradhtarë të vendevet të tyre këta mospërkrahës permanentë të Kombit Shqiptar?! Një ndër konkluzionet më të zbutur për politikën perendimore në drejtim të shqiptarëvet do të mund të ishte ky: Politikanët e Evropës e më vonë përfshirë edhe ata të SHBA-së, kanë zbatuar dhe po zbatojnë „strategji“ aq „afatgjata“ sa ç’do të zgjaste mandati i tyre qeverisës. Mbasi të mbarojë mandati im, mendojnë ata, aq më bën se ç’do të ndodhë me vendin tim. Bëni analiza dhe do të shihni! Politikanët e Perendimit kanë bërë dhe bëjnë politikë DITORE. Ata nuk bëjnë politika as javore e mujore, le më shekullore apo për disa shekuj dhe kjo do ta çojë Perendimin në greminë.
Nën dritën e kësaj logjike vetëkuptohet që aq u bën të këtillë politikanëve ç’do të ndodhë nesër në Kosovë, kur baza ushtarake ruse e përtejkufirit ta kërcënojë me raketa bazën ushtarake amerikane të Bonstilit. Në një të tillë rast, kur komunat sërbe do të kërkojnë „të drejtat“ e tyre dhe kur sërbët të mbështetur nga rusët të sulen për t’i ndihmuar „vëllezërit“ e vet, Bonstili ka për t’u tërhequr me bisht ndër shalë, duke i lënë shqiptarët nën mëshirën e rrethanavet, siç edhe janë lënë në fund të Luftës së Dytë Botërore.
E njëjta gjë po ndodh prej më shumë se 25 vjetësh edhe në Republikën e Shqipërisë. Le të marrim vetëm njërën fushë të ngjarjevet, politikën, shfaqur fare qartë në dy forma. Në krahun e quajtur „të djathtë“ vëmë re një varg vdekjesh misterioze. Vdiq Pjetër Arbnori, por nuk e dimë si vdiq. Vdiq Gramoz Pashkoja me gjithë të birin, por nuk e dimë si mundën të rreshtohen dy a tre aksidente njëri mbas tjetrit. U vra Azem Hajdari, por ende edhe sot askush nuk di të thotë si ndodhi dhe pse ndodhi ajo vrasje. U vra aksidentalisht njëfarë Kristopuli diku në Voskopojë, por nuk dihet si mundi të ndodhë ai farë aksidenti. E gjeti vdekja Olldshin dhe s’u muar vesh asgjë e saktë.
Ka pasur vdekje të tilla edhe në Republikën e Kosovës. Mjafton të kujtojmë Fehmi Aganin.
Forma e dytë është ajo e diskreditimit politik me anë akuzash e gjyqesh për faje të emërtuar ordinerë. Është filluar me Nexhmie Hoxhën dhe me Ramiz Alinë. Është vazhduar me Fatos Nanon. Po zbatohet tash e njëjta skemë me Saimir Tahirin dhe, me sa duket, do të vazhdojë e njëjta skemë edhe me Ed Ramën.
Në Republikën e Kosovës u luajt e njëjta lojë me Limajn, me Haradinajn e me të tjerë shqiptarë që kanë luftuar për të drejtat e për lirinë e shqiptarëvet.
Kjo nuk është luftë kundër krimit. Kjo është në radhë të parë luftë politike kundër patriotëvet shqiptarë. Sapo një shqiptar të dëshmojë sado pak patriotizëm, ai e ka të pamundur të mbërrijë deri në sferat udhëheqëse, qoftë në Republikën e Shqipërisë, qoftë në Republikën e Kosovës, por edhe në pjesët e tjera të Shqipërisë.
Veprimtari kriminale dhe krime ordinerë ka në krahun „e djathtë“ me shumicë. Por atje nuk e ka pësuar askush deri më sot për të tillë krime, qoftë edhe për vjedhje shumë të mëdha apo për shkatërrime të atillë që i tejkalojnë edhe kufijtë e së besueshmes. Gjyqe diskreditues nuk ka pasur për „të djathtët“. Për „të djathtët“ ka pasur vetëm vdekje misterioze, me sa duket, sa herë që dikush prej tyre ka shfaqur shenja kujdesi apo brenge të vërtetë, jo të shtirur, ndaj Kombit dhe Atdheut.
Pse të ketë gjyqe diskreditues vetëm për pjesën e „majtë“? Sepse e majta përgjithësisht mbron interesat e një mase më të gjërë të popullit, pra është më e prirur për t’i dalë zot kombit. Në këtë vazhdë, „e majta“, në marrëveshje me kompamitë e huaja, përpiqet të mos ua falë krejt pasurinë kombëtare të huajvet.
Po pse të mos ketë gjyqe diskreditues për krahun „e djathtë“ dhe të ketë ndëshkime individësh në forma rigorozisht të kamufluara? Sepse krahu „i djathtë“ sidomos në vende të vegjël dhe në kombe të vegjël, është përfaqësues grupesh numerikisht të pakët dhe përgjithësisht servilë ndaj të mëdhenjvet. „Të djathtët“ në kombet e vegjël nuk janë liridashës. Ata janë kolaboracionistë në dëm të popujvet të vet dhe janë të parapëlqyer prej sundimtarëvet botërorë, veç tjerash, edhe sepse ata ua dorëzojnë të huajvet pasuritë e kombit të vet. Mjafton të jenë vetë të lëvduar dhe të privilegjuar.
Mendja është për të gjykuar dhe sytë janë për të shikuar. Të gjitha këto ngjarje, shfaqur, siç e pamë, në dy forma, njëra për krahun „e djathtë“ e tjetra për „të majtin“, a mos kanë ndodhur së brendshmi, pa u dirigjuar nga jashtë?! Sigurisht që të gjitha këto punë janë orkestruar dhe orkestrohen prej shërbimevet të fshehtë. Ndoshta prej FBI-së, për të cilën shpeshherë nuk dihet, madje nuk di as ajo vetë, a mbron interesat e SHBA-së apo të dikujt tjetër. Ndoshta të përzier, një mishmash spiunazhi, prej të cilit s’ka ç’del tjetër veçse katrahurë.
Dhe unë, përfundimisht, inatin e pushtetarëvet perendimorë ndaj shqiptarëvet e shoh si shprehje e veprimevet, në thelb, regresivë dhe antiperendimorë, dirigjuar prej forcash që nuk shohin më larg se hunda.
Gjendur ndër të këtilla kthetra e dhëmbë, siç gjendet një mi ndër kthetrat e dhëmbët e një maceje të panginjshme, ne shqiptarëvet nuk na lejohet të ndalemi te konstatimet. Nuk na lejohet, pra, të mbetemi në pozitën e miut, se jemi njerëz dhe jemi komb nga më vitalët që njeh historia njerëzore. Duhet të bëjmë analiza të thella historiko-etno-sociologjike! Duhet të shikojmë ku e kemi ne vetë fajin dhe të bëhemi zot i vetëvetes, jo si individë, por si komb, si tërësi kombëtare! T’i braktisim njëherë e mirë hallakatjet pa një PROGRAM KOMBËTAR dhe t‘i hyjmë punës SERIOZE për të dalë prej qorrsokaqesh! Ne duhet pa tjetër t’ia mbushim mendjen Evropës dhe krejt Perendimit, se jemi në këto hapësira FAKTOR I RËNDËSISHËM dhe se pa na trajtuar ne shqiptarët si të barabartë, këtu nuk mund të ketë mbarëvajtje. Mbarëvajtje do të ketë, jo vetëm në këtë gadishull, por në krejt Evropën, vetëm atëherë kur shqiptarëvet do t’u jenë plotësuar kërkesat, ato kërkesa që i kanë merituar historikisht.
Gjokë Dabaj, Durrës 25-29 tetor 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura