PETRIT BAJRAKTARI: MJERIMI PËR VETËVRASJE

Drenas, 22. 05. 2012 – Para pak ditësh, opinioni në Kosovë por edhe më gjërë u trondit nga lajmi se ish luftëtari i UÇK-së, Arsim Berisha, kishte bërë vetëvrasje. Ky rast nuk është i pari i kësaj natyre meqë fatkeqësisht që nga paslufta e deri më sot thuhet të kenë bërë vetëvrasje për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e sociale rreth 40 ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Realiteti në të cilin po jetojmë nuk është as për së afërmi në përputhje me idealin, sakrificën dhe mundin që bëmë ne luftëtarët e UÇK-së. Ne që sakrifikuam gjithçka për këtë vend, ne që luftuam për lirinë e popullit, ne që gjakun e derdhëm në istikame, sot jemi më të diskriminuar se kushdo tjetër në shoqërinë tonë.
Shteti për të cilin luftuam nën emblemën e UÇK-së, nuk ka bërë asgjë e as që po bën diçka, në mënyrë që gjendja sociale të përmirësohet, dhe ta kemi vendin e merituar në shoqëri. Përkundrazi, na ka harruar krejtësisht. Mbase nuk dua tu hy në hak, sepse paskan bërë diçka. Kuvendi i Kosovës me shumicë votash të deputetëve të pushtetit, miratuan ligjin për vlerat e luftës me ç’rast veteranët ndahen nga dëshmorët dhe nga invalidët e UÇK-së dhe kësisoj i humbin kuptimin emrit shumë të dashur për shqiptarët gjithandej, Ushtria Çlirmitare e Kosovës. Me këtë ligj, i cili kaloj me vota edhe të atyre që dje ishin pjesë e kësaj ushtrie, veteranëve tashmë u “njihet statusi”, por ama në letër e jo në praktikën e kujdesit për ta. Me këtë ligj na lanë raste sociale, por se as ato nuk po i marrim, sepse në qendrat sociale po na thonë se jeni të rritur dhe të aftë për punë. Pra, kemi mbetur që të tjerët fatkeqësisht të tallen me ne. UÇK-së duhet t’i bëhët njohja politike nga institucionet e Kosovës e jo kategoritë e dala nga lufta të trajtohen si raste sociale. E kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur deri më sot. Pra, edhe sot e kësaj dite statusi ynë prej veterani të luftës nuk është njohur as politikisht e madje nuk trajtohemi as si raste sociale.

Shpeshtimi i Vetëvrasjeve të ushtarëve të UCK-së nga mjerimi!

________________________________________________

Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë tashmë pjesë e pandashme e udhëheqësve të shtetit të Kosovës, madje këtu hynë edhe ata që dje ishin bashkë më ne, që sot për shkak të gjendjes së mjerueshme në të cilën gjendemi, po detyrohemi të bëjmë edhe vetëvrasje. Pra, janë komandantët dhe udhëheqësit politikë të UÇK-së, që paligjshëm janë pasuruar skajshmërisht, ndërsa ushtarët luftëtarët e vërtetë vetëm sa janë varfëruar edhe më shumë se sa që ishin. Ne që ishim pjesë e kësaj ushtrie, e dimë fare mirë se si kishte shkuar puna gjatë kohës së luftës e si po shkon sot. Natyrisht, ishte obligim i secilit shqiptar që të ishte pjesë e luftës së drejtë të UÇK-së dhe të luftonte për lirinë e popullit e për bashkim kombëtar edhe pse kjo e fundit nuk u arrit, ngase ishin pikërisht udhëheqësit politikë të UÇK-së, të cilët na çarmatosën para kohe dhe kështu amaneti i dëshmorëve të kombit mbeti në gjysmë të rrugës.
Por, përkundër kësaj, rrjedhat pas përfundimit të luftës sikur bënë që edhe ajopak që ishte arritur, me shumë mund e sakrificë, të degradojë deri në atë masë sa jo rallë herë po ndihemi sikur jemi robër të lirisë, ndërsa në anën tjetër ata që nuk bënë asgjë për këtë vend po u ngjajnë mbretërve, duke shfrytëzuar padrejtësisht e paturpësisht meritokracinë e të tjerëve. Sot, ne të djeshmit, jemi të harruar, jemi të papunë, jemi pa bukë dhe jemi pa kurrfarë përkujdesje institucionale të shtetit, dhe në këtë mënyrë mirëqenia jonë sociale është nën zero. Përveq kësaj, shumë shokë tanë duke qenë se nuk u mbrojten asnjëherë nga askush, sot gjenden në burgje të ndryshme të Kosovës dhe jashtë saj, me akuza të papara e të motivuara politikisht, për kinse krime lufte.
Dhe, pashmangshëm kur takohemi disa prej shokëve të djeshëm, i bëjmë disa pyetje njëri tjetrit por pa gjetur përgjigjje asnjëherë.
Pse jemi të harruar nga shteti?
Pse jemi pa kushte normale të jetesës?
Pse disa prej “bashkëluftëtarëve” tanë të jenë të ndryshëm aq shumë nga ne të tjerët?
Pse ata të pasur e ne të varfër?
Pse të jemi viktim e lojrave politike të Qeverive të ndryshme, herë Qeveri Llapjane, herë Qeveri Dukagjinase e herë Drenicake!?
Pse, pse……??
Por, unë përmes këtij shkrimi reagues e dëshpërues do të mundohem që të paktën mendimin tim ta jap në pyetjet e shpeshta që po ua bëjmë njëri tjetrit. Pra, për gjendjen e mjerueshme në të cilën jemi, fajtorë kryesorë janë ata që dje na komandonin, sepse i kanë rregulluar punët për vete dhe për familjarët e tyre, ndërsa për neve as që u bie ndërmend ndonjëherë. Veç kësaj, njerëzit e këtillë, të papërgjegjëshëm, qeveritë e korruptuara dhe partitë politike abuzuese, qëllimshëm punuan në atë drejtim sa të jemi kështu si jemi, të zhgënjyer e të harruar krejtësisht. E, mbase fajtorë jemi edhe vet ne, sepse pritjet tona po e humbin kuptimin dhe rrjedhimisht pushteti nuk ndërmerr masa për të na përmirësuar të tashmën dhe të ardhmen tonë.
Sot, kemi ardhur në një situatë që padashje të jemi pasiv në atë se çka po ndodhë me vendin për të cilin luftuam, por vetëm të mendojmë se si të mbijetojmë ose t’i japim fund jetës duke u vetëvrarë. Thjeshtë, po mundohen të na e humbin krenarinë për të djeshmen, ndërsa po na barrikadojnë rrugën për të ardhmen. Kjo sigurisht do të vazhdojë për aq kohë sa ne do t’i tolerojmë e do t’i presim kështu pafundësisht. Megjithëkëtë, ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi krenarë për të kaluarën, duke u angazhuar e duke mos u ndalur së kontribuari për një të ardhme më të ndritur për kombin tonë.
Ndërsa atyre që tradhëtuan amanetin e dëshmorëve duhet t’u vij turp, sepse edhe ashtu turpësisht do të përfundojnë, meqë e ardhmja është e vlerave të vërteta e jo e sahanlëpirësve dhe e maskarenjëve. Prandaj, përkundër gjendjes së mjerueshme në të cilen gjendemi, ne duhet të vazhdojmë përpara dhe të mos ndalemi deri sa të jemi gjallë sepse është detyrë që e kemi ndaj kombit tonë.
– Autori është ish ushtar i UÇK-së, Brigada 121 “Ismet Jashari” Kumanova.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

TRADITA …

Shoqëria Kulturore Artistike “Tradita”, prezantuese e denjë e vlerave autoktone  trashëgimore të Anës së Malit Nga Gjekë Gjonaj,…