PETRIT BAJRAKTARI: UNIVERSITETI I SHITBLERJEVE

(Drenas, 26. 06. 2012) – UP, Export – Import, një ndërmarrje tregtare e përsosur për t’i pajisur përsonat e caktuar me dokumentacion universitar, me diploma doktorature apo t’i bëjë magjistër i cilës do lëmi, pa shkuar madje as edhe një ditë të vetme në fakultet. Për më shumë informata lajmërohuni në zyrat e Rektoratit të Univesitetit të Prishtinës që gjenden pran NLB Prishtina. Mund të na gjeni edhe në faqen e internetit: http://www.uni-pr.edu, ose edhe në numrat e telefonit: +381 38 244 183 / 244 186, dhe në Fax: +381 38 244 187.
Pra, siç po mund ta shihni, këtu nuk po bëhet fjalë për ndonjë firmë biznesore, por ky është Universiteti i Prishtinës, ku të gjithë ne nisemi për të marrë dije dhe për ta dhënë të njejtën më vonë. Por, tashmë ky universitet është shndërruar në një biznes profitabil nga disa persona të caktuar, që sikur e kanë privatizuar institucionin e dijes e po bëjnë çfarë po duan, madje përveç shitjes së diplomave, tashmë kanë filluar edhe të blejnë çmime. Keq-menaxhimi sistematik, keq-përdorimi dhe papërgjegjëshmëria totale e karakterizojnë sot institucionin më të lartë të arsimit në Kosovë. Në të gjitha fakultetet ka shumë probleme dhe parregullsi që gjithsesi shkojnë gjithnjë në dëmin e studentëve dhe të imazhit në përgjithësi të arsimit në vendin tonë.
Ndikimet politike, profesorët politikanë, rektorët pushtetarë dhe pasiviteti i organizatave të “papolitizuara” studentore kanë bërë që të bjerë cilësia që dikur e kishte UP-ja. Ligjërimi i dobët, mosrespektimi i orareve për mbajtjen e ligjeratave dhe të provimeve, pritjet e gjata në sportelet e të gjitha fakulteteve dhe pagesat e shtrenjta për semestër dhe për procedura shtesë, tregojnë saktësisht se gjendja në UP nuk është aspak mirë. Dhe përkundër kësaj, UP-ja nuk ndërmerr hapa të shpejt që të ketë pozitivitet në të metat e lartëcekura, por përkundrazi ata po vazhdojnë të merren më veten e tyre, duke u ngritur edhe më shume me “grada” të ndryshme, përmes pajisjes me diploma falso, ndërsa për “përparimet” në UP që ka bërë udhëheqja e tanishme në krye me Mujë Rugovën, Rektorati po merr çmime, por ama të blera, poashtu falso.

______________________________

SHIKONI NJE VIDEO…

____________________________

Një universitet ku ka profesorë me diploma falso kuptohet jo të gjithë, dhe një Rektorat ku udhëheqja aty keq-përdor buxhetin e taksapaguesve e sidomos të studentëve varfanjakë, duke u bërë milionerë vet e duke blerë çmime, është pasojë edhe e cilësisë së dobët në përgjithësi që po vërehet viteve të fundit. Këtu, në rastin konkret gjykatat dhe prokuroria natyrisht nëse do të ishin tërësisht të pavarura do të duhej të merren seriozisht dhe me nguti për hetimin në detaje të institucionit të dijes.
Ata që nisen të parët dhe të vetmit të denonconin shkeljet e mëdha në UP, si blerja e një çmimi nga “Business Initiative Direktion” (BID), pranimi i disa “profesorëve” me diploma të dyshimta, mungesa e profesorëve dhe asistentëve të tyre në ligjerata e në data të provimeve, dhe për korrupsionin që eshtë brenda këtij institucioni, janë disa studentë të
fakulteteve të ndryshme të cilët nuk duan asgjë më shumë se sa të mbretërojë rregulli i përgjithshëm në UP dhe jo më pak se kaq. Është Lëvizja Studentore për Barazi, Studim Kritik Veprim, ajo që në mesin e saj ka studentë të cilët nuk pajtohen assesi me të këqijat e shumta që janë në Universitetin e Prishtinës. Por, të pakuptueshme dhe aspak të drejta janë reagimet e ulëta të Rektorit Mujë Rugova, por edhe të disa pseudoprofesorëve, kur deklarojnë se ata po bëjnë zhurmë pa arsye dhe me direktiva të një partie politike. Së pari, duhet përmirësuar këtu që kur aludoni në VETËVENDOSJE!-n duhet ta thoni ashtu siç edhe është, lëvizje politike Iniciativë Qytetare, por asnjëherë parti politike. Pastaj, ne që jemi studentë, a nuk kemi të drejtë të anojmë dhe të veprojmë po prapë politikisht edhe jashtë organizimeve të UP-së? Mos vallë kjo ndalohet me rregulloret e shumta dhe Statutin e UPsë? Apo ky konstatim vlen vetëm për disa studentë që jemi pjesë e VETËVENDOSJE!-s, e që së fshehim në asnjë rast këtë fakt. Për më tepër krenohemi!
Madje “rrugaqëria” që sipas Mujë Rugovës e bënë SKV-ja, është në linjë më kërkesat e përditshme të studentëve të Universiteti të Prishtinës, është plotësisht në harmoni me hallet dhe problemet e shumta që kemi në fakultetet tona. “Rrugaqëria” që bënë SKV-ja dhe studentët që janë aty është aktivizëm politik dhe ngritje e konceptit të një qytetarie aktive. Prandaj pse frigoheni? Qëllimet janë veçse të mira, sepse ndryshimet në UP janë të nevojshme. Andaj, është shumë e tmerrshme të degjohen deklarata të ulëta e të pista nga një person, që megjithatë është Rektor i Universitetit, ndërsa në opinion shfaqet me fjalorin e një analfabeti tipik. Përveç kësaj, SKV e ka bërë të qartë se shumë studentë të këtij organizimi i takojnë Lëvizjes VETËVENDOSJE! Por, këtë sinqeritet nuk e kanë treguar asnjëherë dhe në asnjë rast organizatat studentore që unë parapelqej t’i quaj si të “papolitizuara”, në fakt e kundërta e kësaj. Skajshmërisht të politizuara.
Paniku tregon saktësisht dyshimin. Paniku është vet dyshimi. Dyshimi është paniku i paparë më herët, ngase mungonte pikërisht presioni e aktivizmi. Prandaj, organizimi i grupeve për vjedhje votash edhe në zgjedhjet e mbajtura në UP e vërtetuan panikun e arsyeshëm, sepse dyshimet për blerje çmimesh, shitje diplomash, ngritje të pozitave jashtë ligjeve dhe normave të lejuara janë të arsyeshme.
Ju e dini këtë, andaj ndjeheni në sikletin e panikut. Sigurisht, përveç kësaj ju e dini edhe atë thënjen popullore: “Në mos sot bëhet nesër, e në mos nesër dikur po” që nënkupton se as krimi politik që ju po e bëni duke dëmtuar të tashmën e duke e nxirë të ardhmen, as krimi ekonomik që ju po e bëni duke u pasuruar në kurriz të qytetarit, rrjedhimisht të studentit, e as çfarëdo lloj krimi tjetër nuk harrohen. Lëndet në gjykata është shumë e nevojshme të dërgohen e ta zënë vendin aty ku edhe e kanë. Ato mund t’i mbuloj pluhuri por asnjëherë nuk vjetërsohen.
(- Autori është Apsolvent në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Shkencave Politike)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura