PhDc.AFËRDITA DERVISHI: SHTËPIA E AHMET HAXHIUT STREHË E ARMËVE TË LIRISË DHE SHKOLLË E SHTYPIT

Prishtinë, 11. 12. 2016: (Fjala e redaktorës me rastin e përurimit të veprës “Ahmet Haxhiu dhe Atdheu”, botim i Kolegjit BIZNESI, Prishtinë, 2016) – Figurat e mëdha të lirisë së atdheut, na bëjnë borxhli që të bëjmë diçka të vyer për jetën, për veprimtarinë dhe për sakrificën e tyre të madhe.
Festave të nëntorit u kanë hije jo vetëm veprimtaritë kulturore, por edhe veprimtaritë atdhetare ngase formojnë bazat e historisë sonë. Në nëntorin e kaluar, u organizua Konferenca shkencore “Veprimtaria ushtarake dhe veprimtaria atdhetare e Ahmet Haxhiut”, kurse pas një viti po përurohet vepra me kumtesat e dala nga kjo veprimtari.
Dy institucione të njohura të Kosovës:
– Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe

– Kolegji “Biznesi”,
kanë dëshmuar vazhdimisht mbështetjen dhe angazhimin e tyre për trajtimin, analizimin dhe dokumentimin e vlerave kombëtare të cilat i bëjnë gjurmë të kujtesës historike shqiptare. Dekani, Z. Shyqeri Kabashi, ka mbështetur çdo ngjarje, me peshë kombëtare, me veprimtari përkujtimore dhe studimore. Një dëshmi e këtillë është edhe botimi i veprës që po e përurojmë sot “Ahmet Haxhiu dhe atdheu”. Faleminderit Dekan!
Festave të nëntorit u kane hije veprimtari që lidhen me shqiptarët dhe shqiptarinë. Prandaj, i ka hije shpallja e Bac Adem Demaçit, qytetar nderi i Tiranës, në nëntorin e Flamurit, e të Skënderbeut, në nëntorin e Adem Jasharit e nëntorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Faleminderit Tiranë! Urime Baca Adem!

PhDc.Afërdita Dervishi/
Më 30 Nëntor 2016, në sallën e Institutit Albanologjik të Kosovës në Prishtinë u promovua vepra “Ahmet Haxhiu dhe atdheu”, kushtuar njërës nga figurat shumë të rëndësishme të organizimit ilegal të luftës për çlirim e bashkim kombëtar – AHMET HAXHIU.

*  *  *

Në këtë vepër, lexuesit i ofrohen kumtesa interesante, në të cilat dalin fakte të rëndësishme, jo vetëm për figurën e Ahmet Haxhiut, por edhe për veprimtarinë e brezave të tërë të shqiptarëve në rrugën e madhe të luftës për liri dhe bashkim kombëtar. Prania e fakteve, e dëshmive, e të dhënave të dorës së parë, në këto kumtesa dhe e kujtimeve të bashkëveprimtarëve të gjallë të Ahmet Haxhiut, përbëjnë fondin e madh të dosjes për këtë figurë, e cila duke u bërë pronë e arkivit të shtetit shqiptar, do të bëhet edhe pronë e kujtesës sonë kombëtare. Ahmet Haxhiu me përkushtimin dhe guximin e tij, e gdhendi portretin prej heroit të devotshëm në historinë kombëtare shqiptare, për të mos vdekur kurrë.
Në veprën “Ahmet Haxhiu dhe atdheu”, janë botuar 17 kumtesa, të cilat trajtojnë shumë aspekte, rrethana, periudha kohore, ngjarje dhe pjesëmarrës në ato ngjarje, përmes të cilave dolën fakte të rëndësishme dhe të reja, për figurën e Ahmet Haxhiut, por edhe për përpjekjet çlirimtare të shqiptarëve në përgjithësi, në rrugën e madhe të luftës për liri.
Në kumtesën e tij “Ahmet Haxhiu, frymëzues i idealeve kombëtare”, ish-Presidenti, Alfred Moisiu, ndër të tjera trajton rolin e pazëvendësueshëm të heroit nga shkrimi i trakteve e letrave, mbledhja e armëve, e koordinimi që e bëjnë Ahmet Haxhiun, gjatë 50 vjeçarit të veprimtarisë së tij, nyjën qendrore e të gjitha organizimeve, nga ato për Flamur deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Duke i kujtuar ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ish-Presidenti, Moisiu, i bën thirrje klasës politike në mbarë trojet shqiptare që t’i shërbejnë vendit me integritet, mirëkuptim dhe respekt.
Gjeneral, Kudusi Lama, në kumtesën e tij ”Veprimtaria e Ahmet Haxhiut–shkollë e luftës për liri” trajton çështje thelbësore se si një veprimtar, një organizim, një popull i tërë bëhet shkollë e luftës për liri. Ahmet Haxhiu me veprën e tij, arriti të bëhet i pavdekshëm, arriti të krijojë portretin e veprimtarit dhe luftëtarit model për lirinë e atdheut e të kombit të tij, duke vënë gjithçka në shërbim të atdheut e të luftës për çlirim.
Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, në përmbledhjen e tij, shqyrton aspekte të luftës së shqiptarëve për liri, shpërfaq rëndësinë që ka rezistenca shqiptare përgjatë shekujve, si dhe luftën e Heroit Ahmet Haxhiu dhe shokëve të tij, që kurorëzohet me luftërat e Ushtrive Çlirimtare të shqiptarëve, të mbetur jashtë gjeografisë kombëtare të atdheut të cilën me të drejtë e pagëzon “Rilindja e dytë e shqiptarëve.
Me kumtesën, “Ideja dhe lufta e Ahmet Haxhiut për bashkimin kombëtar”, studiuesit dhe shkrimtarët e njohur Shaban Sinani dhe Emin Kabashi, kanë trajtuar rrafshin e mendësisë së luftës për liri, kur edhe veprimtaria e individit, në kuadër të tërësisë, bëhet vlerë e madhe e luftës për liri me përmasë kombëtare.
Veprimtari i njohur Mehmet Hajrizi, shqyrtoi rrethanat politike në periudhën e veprimit të Ahmet Haxhiut, duke ndërlidhur faktorët e brendshëm dhe disa faktorë të jashtëm politik në kohën e Lëvizjes Kombëtare, në kumtesën me titull “Konteksti politik i veprimtarisë së Ahmet Haxhiut”.
Gjeneral Sulejman Abazi, duke shpërfaqur atdhetarizmin e shqiptarëve, kujton se vepra dhe amaneti i dëshmorëve nuk pajtohet qëne të gjallët të harrojmë nacionalizimin agresiv të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, por as me tërheqjen përballë sfidave politike të kohës ku fjalën nuk e ka më pushka por politika dhe reflektimi i mendimit popullor.
Historiani Jakup Krasniqi, me kumtesën e tij, “Kontributi i Ahmet Haxhiut në lëvizjen kombëtare për çlirim”, përmend emrat e nderuar të atdhetarëve të lëvizjes kombëtare dhe guximin e vendosmërinë e Ahmet Haxhiut, në rrugëtimin e tij të pamposhtur e të dinjitetshëm për bërjen e lirisë dhe të bashkimit kombëtar.
Në kumtesën e Sabri Kiçmarit, bashkëveprimtar i Ahmet Haxhut, trajtohet veprimi praktik i Ahmet Haxhiut nga këndvështrimi i tri vlerave themelore: Liria, për të cilën heroi do të mbështetej në organizimin; ideja e republikës, për të shporrur sistemin shoqëror komunist të Jugosllavisë dhe të lidhjes komuniste të Kosovës dhe pavarësia si vlera e tretë.
Një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981, veprimtari Hydajet Hyseni, vë në pah prototipin e atdhetarit që ripërtërin dhe shumëfishon energjitë, aftësitë dhe mundësitë vepruese me çelësin mrekullibërës të bashkimit, në kumtesën, ”Ahmet Haxhiu, njeri i bashkimit”.
Bardhyl Mahmuti, bashkëveprimtar i Ahmet Haxhiut, sjellë të dhëna të dorës së parë për vendosmërinë, seriozitetin, qëndrimin dinjitoz të Ahmet Haxhiut, si dhe besimin që ai kishte krijuar tek Adem Demaçi dhe shokët e ilegales. Citoj: Ahmet Haxhiu, kishte bindjen e plotë se lufta e armatosur ishte e pashmangshme dhe do të ndodhte shumë shpejtë. Për këtë arsye, insistimi i tij kryesor konsistonte në domosdoshmërinë e armatosjes së radhëve të organizuara. Jo vetëm që mbronte qëndrimin, se përparësi kryesore e veprimtarisë ilegale, ishte përgatitja e luftës së armatosur çlirimtare, por ai personalisht ishte angazhuar në futjen e armatimit nga shtetet perëndimore në Kosovë, fshehjen e armëve dhe furnizimin strukturave të LPK-së, me armatimin e nevojshëm.
Bashkëveprimtari tjetër, Ramadan Pllana, solli kujtime, konkretizoi rrethana dhe veprimtari dhe ngjarje të kohës, së ilegales të Ahmet Haxhiut dhe të shokëve tjerë, përmes kumtesës, ”Ahmet Haxhiu-ANTE i LPK-së dhe frymëzues i UÇK-së“.
Në përmbledhjen e veprimtarit të shquar Bedri Islami, “Ahmet Haxhiu dhe Republika e Shqipërisë“, trajtohet përpjekja deri në vdekje e Ahmet Haxhiut për Kosovën dhe Shqipërinë si një tërësi e territorit shqiptar.
Bashkëveprimtari tjetër, Avni Dehari, në kumtesën e tij “Roli i Ahmet Haxhiut për zgjidhjen e çështjes kombëtare”, trajtoi formimin e luftëtarit Ahmet Haxhiu, rolin dhe përkushtimin e tij kombëtar, për lirinë dhe bashkimin kombëtar shqiptar.
Kumtesa e bashkëveprimtarit, Ramadan Avdiu, “Ahmet Haxhiu – ndërlidhës i gjeneratave të rezistencës antipushtuese”, është një kronologji e veprimtarisë kombëtare të Ahmet Haxhiut-Bacës me shokë, ku dëshmohet se Ahmet Haxhiu ishte protagonisti i fillimit, thellimit dhe kurorëzimit të rezistencës shqiptare.
Kumtesa e veprimtarit, Sadri Ramabaja, me temën “Tipologjia e strukturave shoqërore në Kosovë: Ahmet Haxhiu dhe roli i tij në ilegalen shqiptare”, dëshmon se Ahmet Haxhiu, ishte lindur e formësuar në ilegalen shqiptare, kurse arriti të krijojë lidhje të fuqishme me qarqet diplomatike, sidomos me ato shqiptare në Tiranë.

Shaban Muja, bashkëveprimtar i sektorit të veçantë, shpaloi kujtime dhe solli fakte të veprimtarisë së Ahmet Haxhiut dhe të veprimtarëve të ilegales të kohës përmes kumtesës së tij “Figura e Ahmet Haxhiut në lëvizjen kombëtare”.
Afërdita Dervishi, veprimtare e lëvizjes, me kumtesën, “Shtëpia e Ahmet Haxhiut, strehë e armëve të lirisë“ sjellë të dhëna me të cilat vërtetohet hipoteza-titull, se armët që kishte sjellë Ahmet Haxhiu, një pjesë e të cilave strehoheshin në shtëpinë e tij, në bunker e në bombola gazi, ishin pushkët e para të lirisë. Ato kishin vetëm një cak-luftëtarët e lirisë të luftës së UÇK-së.
Ky botim, i kumtesave të bëra me shumë përkushtim nga autorët e kumtesave, ka bërë një hap, drejt ndriçimit historik, jo vetëm të veprimtarisë së strumbullarit të lëvizjes atdhetare, Ahmet Haxhiut me shokë, por rrjedhimisht edhe tërë rrugën nëpër të cilën kaluan brezat e shqiptarëve për ta fituar lirinë me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto kumtesa lexuesit i sjellin frymën e atdhedashurisë, në rrethana dhe në ngjarje, të cilat kapërcejnë edhe realitetin e kohës, andaj veprimtarët e këtyre ngjarjeve na dalin të mëdhenj, edhe pse ata ishin njerëz të thjeshtë, të zakonshëm, të përditshëm, por vetëm dashurinë ndaj lirisë dhe bashkimit kombëtar e kishin të veçantë, e kishin dashuri hyjnore.
Duke u angazhuar në Konferencën shkencore dhe në botimin e kumtesave, kam pasur fatin të takojë njerëz dhe atdhetarë të ndryshëm, fjalë pak e krenar, jo vetëm që kishin bërë diçka për të mirën e atdheut. Po ashtu, kam ndjerë gatishmërinë e njerëzve që të sakrifikohen për idealet e dashurisë ndaj atdheut, pa të cilat jeta jonë nuk do të kishte ecje vertikale.
Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Kombit dhe Kolegji BIZNESI kanë bërë aktin më të qëlluar, ngase po vazhdojnë të ndriçojnë veprimtari të brezave të ndryshëm të veprimtarëve shqiptarë, kurse duke i botuar, po bëhet e mundur të arkivohen ato. Këto padyshim janë thesar i vlefshëm për brezat që do të vijnë, për ta kuptuar se liria nuk na erdhi e servirur por me shumë mund, me shumë sakrificë dhe me shumë gjak.

Faleminderit!
– Autorja është bashkëveprimtare dhe mbesa e atdhetarit, Ahmet Haxhiu!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura