Klubet shqiptare në mërgim
PROCESVERBALI I MBLEDHJES SЁ PARЁ TЁ BASHKЁSISЁ SЁ KLUBEVE SHQIPTARE – GJENEVЁ, MЁ 16.10.1983
DOKUMENT 4
(klubet)
KLUBET SHQIPTARE NË EMIGRACION DHE ROLI I TYRE
Klubet tona luajtën një rol të veçantë që në hapat e parë. Klubet u bënë vatra të vërteta të mërgimtarëve kurbetçarë në vendet perëndimore. Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe militantë të tjerë të çështjes kombëtare i kushtuan rëndësi të madhe klubeve, të cilat ekzistonin dhe për t’u hapur edhe të tjera gjithkund ku kishte bashkatdhetarë nga Kosova e vise të tjera në ish-Jugosllavi. Por në atë kohë rol kryesor luajtën klubet e Dyseldorfit, klubi “Emin Duraku”, i cili kishte kaluar plotësisht në anën e popullit, pra në mbështetje të kërkesave popullore, po ashtu dhe klubi “Kosova” në Bilefeld. Në Zvicër ishin klubi “Përparimi” në Zyrih, i cili dha kontribut të madh në organizimin e çështjes kombëtare me në krye Vebi Kastratin kryetar dhe Salih Sadikun, Shefket Musliun, Zejdi Ismajlin e shumë të tjerë. Nuk lihet anash as klubi “Ikballe Prishtina” në Gjenevë me disa nga aktivistët e dalluar si Kadri Avdullahu etj. Klubi “Asim Vokshi” në Lozanë dhe klubi “Xheladin Zeqiri” në Sant-Galen etj.
Po ashtu edhe klubi “Avni Rustemi” në Paris, Francë dhe në Bruksel. Në Belgjikë klubi “Idriz Seferi”, apo siç e quanin ndryshe shoqata me emrin e Avni Rustemit. Këto dhe disa klube të tjera ishin të lidhura me organizatat që në atë kohë zhvillonin një aktivitet të planifikuar në këto vende të lartpërmendura. Andaj edhe Jusufi e Kadriu ishin drejtpërsëdrejti me këto dhe bënin çmos që edhe ato të tjerat të ktheheshin në anën e popullit dhe të punonin për popullin tonë dhe jo në bashkëpunim me spiunët e titistëve shqiptarë. Në atë kohë kishte edhe nga ata që luanin role të dyfishta, ca individë që sot dihen edhe me emra se cilët janë, por unë nuk do t’i përmend me emra, pasi ata e kuptuan se ç’gabime kishin bërë e iu kthyen anës së popullit dhe kanë treguar mandej gadishmëri për punë dhe kanë hyrë në rrethe ku janë duke kontribuar së mbari. Vetë puna e tyre do të dëshmojë se a do ta gjejnë vendin e vet në mesin e popullit dikur të dënuar barabar me armiqtë që na dënonin. Po e them një fjalë të bacit Avdyl Krasniqi që në vitin 1971 nxori eshtrat e Heroit dhe kryetrimit Azem Galica nga shpella mbi 73 metra nën sipërfaqen e tokës, pra po i citoj fjalët e tij: “Bacooo, sot është gjithçka e errët dhe sikur të shkelësh përmbi ar nuk e sheh dot, por një ditë do të vijë, që do t’i shohim të gjitha… ” dhe fjala tjetër e tij: “O Faridin, sot është më mirë të derdh gjakun një herë se sa lotin përherë… ” Pra është fakt se rolin e kanë luajtur individë dhe duke u zgjeruar edhe në grupe, në organizata, e kanë mbajtur gjallë punën dhe aktivitetin pa e shkëputur për asnjë moment. Eh sa herë më kanë thënë se ju jeni duke vepruar si në ëndërr, se kjo që po kërkoni ju nuk bëhet kurrë. Por mjaft individë, grupe dhe më vonë organizata nuk ia kanë vënë veshin këtyre shpresëhumburve dhe kanë vazhduar me sakrifica e përpjekje deri në ditët e sotme dhe do të vazhdojnë kështu deri në fitoren e plotë, deri në fitoren përfundimtare mbi armiqtë dhe pushtuesit. Fitorja kurrë nuk është e plotë, se ajo duhet ruajtur dhe duhet ndërtuar. Pra klubet dhe shoqatat ishin dhe mbeten vatër e vërtetë e mërgimtarëve. Unë po jap disa dokumente të veprimtarisë së këtyre klubeve nga periudha e viteve 80-e këtej. Procesverbale, Peticione, Letra-programe, ftesa që flasin vetë për të kaluarën se sa ka qenë interesimi dhe sa kanë bërë ata që e shihnin së largu fitoren dhe jo si sot që akoma disave nuk u besohet.
***
Procesverbali i mbledhjes së parë të Bashkësisë së klubeve e mbajtur më 16. 10. 1983 në Gjenevë.
Rendi i ditës
1. Diskutimi dhe miratimi i Statusit të Bashkësisë
2. Zgjedhja e udhëheqjes
3. Të ndryshme
1. Mbledhjen e hapi Skënderi (Xhafer Durmishi), i cili u foli delegatëve për përmbajtjen e rendit të ditës dhe të mbledhjes. Të pranishmit nuk patën vërejtje në rendin e ditës dhe ai u miratua unanimisht. U hap diskutimi rreth pikës së parë të rendit të ditës. Skënderi lexoi statutin e përgatitur nga një grup shokësh për t’ia parashtruar mbledhjes për diskutim. Projekt-Statuti u pëlqye në përgjithësi. Diskutimet kryesore u bënë në atë pikë që kishte të bënte me organin udhëheqës të Bashkësisë. Këshilli drejtues i punës në projekt-statut ishte paraparë të ketë pesë vetë si KDP. Ai do të përbëhet nga katër këshilltarë nga të gjitha shtetet në Evropën Perëndimore, mërgimtarë që janë treguar më aktivë, si nga RFGJ, Zvicra, Belgjika dhe Franca. Ky vendim i Statutit u aprovua nga delegatët e tjerë, pasi u hodh në votë. Me shumicën e votave u vendos që KDP të ketë 3 vetë dhe 4 këshilltarë. Diskutim i ngjashëm u zhvillua edhe rreth intervalit të takimeve të Bashkësisë dhe organit udhëheqës të saj, sepse një problem i tillë ende nuk ishte precizuar gjer në fund. lshte paraparë që Bashkësia t’i mbajë tubimet e veta në çdo katër muaj. Por me propozim të delegatit të Dyseldorfi, Dortmundit u shtrua me votë çështja se KDP duhet të mblidhet një herë në tre muaj, kurse Bashkësia me të gjithë delegatët të mblidhet një herë në gjashtë muaj. Pika të tjera të diskutueshme në projekt-statut nuk pati dhe nuk u ngritën për diskutim. Skënderi lexoi Statutin me pikat e propozuara dhe ai u miratua njëzëri nga të gjithë delegatët. Me kaq u mbyll pika e parë e rendit të ditës.
2. Rreth çështjes së udhëheqjes, aktivistët më të dalluar në këtë drejtim në mbledhjen e Bashkësisë, për shkak të lehtësive dhe njohjes së njerëzve, kishin ardhur në këtë mbledhje me propozime konkrete, te cilat u hodhën me radhë në votë. Propozimet ua parashtroi me radhë delegatëve Skënderi, i cili udhëhiqte mbledhjen. Përjashtim bëri rasti i Xhavit Ramabajës, i cili u propozua nga delegati i Hamburgut Ali Kosova (Ademi). Me ndjekjen e një procedure të tillë në KDP u zgjodhën:
1. Faridin Tafallari, kryetar (Shtutgart),
2. Qamil Rexhepi, sekretar (Dyseldorf),
3. Qamil Salihu, për çështje propagande (Gjenevë).
Këshilltar u zgjodhën Xh. (Xhemil) Beçiri, këshilltar pranë KDP nga Zvicra (St. Galen), Xhavit Ramabaja nga RFGJ (Bilefeld), Ibush Bytyqi Francë (Paris). Çështja e këshilltarit nga Belgjika mbeti të diskutohet në një radhë tjetër për shumë arsye specifike të emigracionit në Belgjikë. Edhe pika e dytë e rendit të ditës me këto vendime u mbyll.
3. Në pikën 3 të rendit të ditës diskutimet ishin të llojllojshme dhe kryesisht u sollën rreth përvojës së deritanishme të punës nëpër klube. Çështja e respektimit të simboleve të RSFJ mori një kohë të diskutimit. Mendimet e të gjithëve ishin që në atë drejtim të hiqet një vijë elastike në klubet shqiptare, të hiqen simbolet jugugosllave pa marrë parasysh egërsinë e pushtetit. Me këto përmbajtje diskutimesh dhe këto vendime u dha fund punimeve të veta mbledhja e punës e Bashkësisë së klubeve dhe rretheve shqiptare në Evropën Perëndimore.
Procesmbajtësi. Q.
—————-
(Ngas libri i autorit Faridin Tafallari: Dhimbje krenare, Tiranë 1998, faqe 259 – 261)
Sheradin Berisha © Pashtriku.org, shkurt 2025
—————-
***
SI U SHPËRNDA “ZËRI I KOSOVËS”, ORGAN I LRSHJ-LPRK-së, NË VITET 1982 – 1984 (ADRESAT)
***
BURGOSJA E 17 VEPRIMTARЁVE TЁ LЁVIZJES NЁ SHTUTGART (MЁ 11.11.1983) DHE NDIHMA PЁR DALJEN E TYRE NGA BURGU