RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE (1)

Flet Sabri Maxhuni Novosella

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE (1)

Prishtinë | Datë: 26 prill, 2022

ANITA SUSURI (INTERVISTUESJA),

RENEA BEGOLLI (KAMERA)

Sabri Novosella u lind në vitin 1943, në Vushtrri. Ai është autor i veprave të panumërta me karakter historik dhe politik. Ai u arrestua dy herë për veprimtari politike në vitin 1964 dhe 1970. Gjithsej i dënuar me nëntë vite burg. Në vitin 1979 është larguar në Turqi për shkak të përndjekjes politike nga autoritetet jugosllave. Më vonë është zhvendosur në Suedi, ku dhe ka vazhduar veprimtarinë e tij politike. Z. Novosella është themelues i kompanisë private “Dardania Company” dhe pronar i banjës “Nëna Naile”. Aktualisht, ai jeton me familjen në Prishtinë.

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Zoti Sabri, nëse mundeni me u prezentu, vitin e lindjes, vendin, diçka për prejardhjen e juaj? Familjen?

Sabri Novosella: Unë jam Sabri Maxhuni Novosella, baba Smajl Maxhuni, nana ime Naile Shala. Jam i lindur me 3 maj, 1943. Jam i lindur në Vushtrri, prejardhjen e kemi nga fshati Maxhunaj. Familja jonë me të vërtetë e ka ni histori të bujshme që nga e kaluara, që nga kangët që këndohen për Cen Maxhunin e tjerë, e tjerë. Në vazhdimësi pastaj prindët tonë, gjyshi im, ka qenë mik, shok i ngushtë i Hasan Prishtinës në vitin 1912, në luftën çlirimtare të Kosovës, faktikisht për të mund të them edhe ma vonë. Për vendimet ma të rëndësishme, kohnat ma të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar janë, Lidhja e Prizrenit, Kuvendi i Taksimit, Kuvendi i Mukjes e tjerë.

Pra, se çka ishte Kuvendi i Taksimit po i them disa fjalë të profesor  Zekerija Canës, të cilin e kam pasë mik. Thotë, “Po të zbatoheshin idetë e Hasan Prishtinës, po të zbatoheshin vendimet e Kuvendit të Taksimit, të shliroheshin katër vilajetet shqiptare, të shpallej pavarësia e Shqipërisë me Shkupin e çliruar. Vetëm dy orë të ekzistonte ajo pavarësi, tjetër rrjedhë do të kishte historia e kombit shqiptar”. Në atë shpallje të pavarësisë ka qenë edhe gjyshi im, Selim Maxhuni, Selim Cen Maxhuni, i cili kur më tregonte si fëmijë për ngjarjet e asaj kohe m’u doke sikur prrallë ashtu.

Kur ma vonë pata rast edhe më ra në dorë libri i Hasan Prishtinës, kujtime të shkurta nga ngjarjet e 1912-ës, të cilin libër e kom botu, e kom ribotu prapë, fotokopjume pa prekë asni pikë, asni presje në librin për Hasan Prishtina, “Hasan Prishtina dhe tradhëtia e madhe”. Në botimin e parë i kom botu dy mijë ekzemplarë, botimin e dytë i kom botu tre mijë ekzemplarë, botimin e tretë i kom botu pesë mijë ekzemplarë. Faktikisht në dhjetë mijë ekzemplarë është botu ai libër dhe libri i Hasan Prishtinës është ribotu në të edhe sot në bibliotekën time tre-katër libra kanë mbetë, se të gjithë i kanë marrë lexuesit.

Pra, baba, gjyshi im nga familja jonë, masanej në Luftën e Dytë Botërore ma kanë vra mixhën, Xhafer Maxhunin, ma kanë vra djalin e mixhës të babës. Na ka vra 27 maxhunë, që janë konë në luftë krah për krah me Shaban Polluzhën, heronj të kombit. Them me mburrje, me krenari, asniherë s’ka ndodhë asni mashkull i familjes tonë me kenë në anën e okupatorëve, në anën e serbëve. Na kanë vra Jahja Maxhunin kryetarin e NDSH-së për rrethin e Vushtrrisë. Kjo ka qenë në pika të shkurta e kaluara.

Pasanej në vitin 1953 kemi kaluar nga Vushtrria në Prishtinë kemi ardhë, jemi vendosë në Prishtinë. Si kemi ardhë këtu kojshi na ka qëllu Adem Demaçi. Ishte ai sa vjet para nesh, krijum ni afërsi me të. Ra Adem Demaçi në burg (1958), dul nga burgu edhe e themeloi organizatën Lëvizja Nacional, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve – LRBSh. Besoj që prej të parëve më njofoi Ademi, gja që unë meniherë me kënaqësi ma të madhe pranova dhe u organizova. Ishte viti 1963, u organizum. Pas ni kohe edhe pse isha mjaft i ri, isha në moshën 20 vjeçare, u organizova në moshën 20 vjeçare, na burgosën ni vit ma vonë.

Më zgjodhën anëtar të Komitetit të Qarkut të Prishtinës, ku ishim nantë veprimtarë në mesin e tyre isha edhe unë. Tanshi, po thom pak edhe me cinizëm pak edhe me shaka, gjithmonë flitet që kemi vujtë, kemi hjekë prej shkaut1. Jo, ne s’kemi hjekë, s’kemi vujtë fare, shkau ka hjekë prej nesh, shkau ka hjekë prej nesh. Shkau, çka me na bo, s’ka mujtë me na zhdukë. Me këto durë, se unë kam qenë në atë kohë kam qenë rrobaqepës me profesion, me kërkesë të Ademit edhe shokëve, i kam qepë 94 flamuj kombëtar shqiptarë. Në ni mëngjes kur janë ngritë okupatorat semi-komunist dhe i kanë pa flamujt që i kam qepë me durtë e mia të ngritun në të gjitha antë e Kosovës.

Ni shok i joni, ni veprimtar i joni i cili ka qenë ai në burg, Selmon Berisha ai e ka pasë për detyrë me ngritë flamuj edhe në Fushë Kosovë. Rastësisht kalon kah treni edhe e shef ni tren ka qenë kah ora dy-tre të natës, e sheh ni tren që ka pasë me shku për Beograd. Në ballë të trenit e vë ni flamur kombëtar fap aty e lidh mirë, e shtrëngon. Kështu që, të nesërmen në mëngjes kur mrrin treni në Beograd, në ballë flamurin kombëtar shqiptar. Unë e them me krenari, me mburrje që e kam kepë me durë të mija. Pra, veprimtaria jonë ka qenë, a din, me marrë që ka qenë gjeni.

Unë shkrimin e parë e kam shkru për Adem Demaçin, ma vonë. Jusuf Gërvalla ma ka botu në “Zërin e Kosovës” se unë isha në Turqi. E kam qujtë Adem Demaçi simbol i rezistencës kombëtare. Adem Demaçi ka qenë simbol i rezistencës kombëtare. Përcaktimet e organizatës tonë me program me status e të cilat janë sot, dokumente janë, askund Adem Demaçi s’ka përmend Stalin, s’ka përmend Enver Hoxhë, s’ka përmend parti, s’ka përmend komunizëm. Osht’ ni nen i veçantë i statutit të programit të LRBSh-së ku thotë, “Çdo ndihmë do ta pranojmë kah do të që vjen”. Pra, edhe prej Amerikës edhe prej tona antë e botës. “Nëse është e pakushtëzume”. Pra, është nen i posaçëm në statut.

Në veprimtarinë tonë u zhvillu ni aktivitet, po Adem Demaçi ishte shumë i meçëm, ishte… ai faktikisht, faktikisht qëllimet e tina ishin gjeniale. Se kush ishte Adem Demaçi po ju them juve, këtë ma ka vërtetue ni hungarez në burgun e Goliotokut. Pak ni ndërpremje. Me atë hungarezin u shoqnum, punojshim na kishin caktu në të njejtin vend me punu. Me ni rast i thom, ai hungarezi në burg tjetër kishte nejt me Adem Demaçin, se Adem Demaçi nejti 28 vjet nëpër burgje. E njifte Ademin. Po i thom ni ditë, “Ju hungarezët i keni puntë mirë”, tha, “Pse i kemi?” Thashë, “Po keni shkolla, keni punë, keni të drejta”.

Hungarezët në përgjithësi i kanë pasë puntë shumë mirë, si të gjithë banorët e Hungarisë e Vojvodinës. “Jo”, tha, Novosellac më thojke “Ne Novosellac, na i kem puntë shumë keq. Na kena m’u zhdukë, kena m’u shu krejt”, thotë, “ju i keni puntë shumë mirë”. Thashë, “Qysh ndodhë kjo? Pse na mirë? Edhe ju e dini puntë tona qysh janë”, “Jo”, tha. Po ju thom origjinal qysh ma ka thanë e po ju përkthej shqip, “Mi nemamo Adema Demačija, vi imate Adema Demačija, Ne nuk e kem Adem Demaçin, ju e keni Adem Demaçin. E lufta e Adem Demaçit që është kah e bon me ni mençuri të fortë, p’e përgatitë popullin shqiptarë për çlirimin e Kosovës. Për ni moment të duhur që Kosova e ka lirinë e sigurune”.

Ademi si gjeni që ishte asniherë nuk kanë ditë ekcese as vrasje, vetëm ni zhvillim të ni propagande të përgatitjes së popullit psiqikisht, ideologjikisht për momentin e caktum. Në momentin e caktum që gjithmonë t’u e parapa ndihma kahdo që të na vjen. Ndihmën e Amerikës e ka parapa gjithmonë. Kështu që…

Anita Susuri: Zotni Sabri, kisha dashtë pak me u kthy në do pika që i përmendet ma herët se po besoj që prej fëmijërisë të juj ka fillu ky zhvillimi, formësimi…

Sabri Novosella: Ma kanë vra mixhën.

Anita Susuri: Po. Më tregutë edhe për gjyshin e juj që kur keni qenë fmi ju ka tregu…

Sabri Novosella: Po.

Anita Susuri: Ju ka tregu për ato mbledhjet e vitit 19…

Sabri Novosella: Luftat, luftat. Luftat çlirimtare…

Anita Susuri: Çka ju ka treguar ma konkretisht?

Sabri Novosella: Po më ka tregu të gjitha ato që ma vonë i kom lexu në librin e birit ma të madh që e ka lind nana shqiptare, Hasan Prishtina. Ai ka tregu gjana shumë interesante. Në atë kohë… nashta më bon kjo pak dallim edhe prej atyne fëmive tjerë, se e pajke ndoshta interesimin tim. Më ka tregu gjana që unë edhe s’kom besu aq, po kur kam lexu librin e Hasan Prishtinës ato të gjitha kanë qenë ashtu. U shliru vijaleti i Kosovës me 32 mijë kilometra katror, u shliru Shkupi.

Po i citoj fjalët e gjyshit, “Erdhën nga të gjithë Avrupa [Evropa] e pytën Hasan Prishtinën, ‘Pse po lufton?’ Hasan Prishtina tha, ‘Po luftojmë me bo Shqipninë’. Intervenoi Isa Boletini, Riza Bekë Gjakova, tha, ‘Jo’, tha, ‘na nuk po luftojmë veç me bo Shqipninë, na nuk e dojmë Sulltan Reshanin e dojmë Sulltan Hamitin’”. Dhe ato i argumenton Hasan Prishtina në librin e tij kur thotë se vetëm me u folë, me u përmend jo indipendenca, pavarësia po veç m’u përmend autonomia, shpallja e autonomisë në Shkup u dufke me u vra me Isa Boletinin, Riza Bekë Gjakovën. Pasiqë të dytë ishin agjentë të Serbisë. Ishin në marrëveshje të ngushtë me Serbinë. Atyne ju duhej me bo ni luftë të kotë me shku me nxjerrë Sulltan Hamitin prej burgut të Selanikut.

Këto gjana kanë qenë atëherë për mu të pabesueshme. Ka qenë ndoshta pak edhe, se kur fliste gjyshi ai qante, thosha ndoshta edhe nga ajo dashuria e tepërt që e kishte ndaj Hasan Prishtinës. Kur e lexova librin e Hasan Prishtinës, gja që e kem atë libër te unë tashi osht’ e ribotume në pjesën e parë, ishin shumë të vërteta. Pasanena këto të vërteta po na i argumenton edhe historianja Elena Kocaqi, e cila i ka dy doktoratura. Ni doktoraturë e ka mbrojë në Tiranë, njo në Vienë, dhe flet që nga Shkupi bashkë me ushtrinë serbe Isa Botelini shkon deri në Vlorë, deri në Durrës. Ku vriten, e priten, e përgjakën territoret shqiptare, ai ishte bashkë me ta.

Po tani ta kemi parasysh, jo që kom diçka kundër, se familja jonë ka qenë me Hasan Prishtinën gjithmonë, ka qenë kundër Isa Botelinit. Po ta kemi të kjartë, unë s’kom asgja kundër Boletinëve, se ky Isa Boletini osht’ dëshmu që ka qenë agjent i kraljit. Por, e ka pasë, ka pasë shumë fëmi, më doket tetë djem ka pasë. Katër djem të Isa Boletinit janë heronj të kombit, që shumë pak përmenden. Njo e kanë vra në Shkodër, dy i kanë mbytë në burgje të Enver Hoxhës edhe një, domethonë i katërti, e kanë mbytë në Burgun e Prizrenit. Pasi që komunistët, Fadil Hoxha e kta kur e murrën. Pra, Boletinët janë familje e heronjëve, por kanë dhanë edhe tradhëtarë, kanë dhanë edhe heronjë. T’mos ketë ndonjë keqkuptim që kam diçka kundër Boletinëve. Apsolutisht.

Anita Susuri: Ju thatë që si fmi keni ardhë, domethonë, ndoshta në moshën dhjetë vjeçare keni qenë kur keni ardhë…

Sabri Novosella: Fiks dhjetë vjeçare.

Anita Susuri: Qysh e keni pa ju krejt atë dinamikën edhe të qytetit t’u u formu po edhe për jetën sociale të njerëzve, politike? Qysh e keni pa ju atë? Po mendoj ju si fmi ndoshta nuk e keni pasë shumë të qartë, apo ndoshta… si e keni përjetu?

Sabri Novosella: Më besoni, jam rritë që nga fëmijëria, jam rritë që nga fëminia me këtë frymë. Pse? E vranë sërbët, ma vranë mixhën. Pra, ‘45-ën s’isha shumë i vogël. Ma vranë ni dajë, Zymer Shalën. Familja jonë ishte me të vërtetë që e kishte… në familjen tonë në përgjithësi bisedat janë bo qysh na vranë, qysh na mytën, qysh qëndroi ky, qysh s’u gjetë kufoma e tij, s’u gjetë këtu kufoma e tij. Ne erdhëm në Prishtinë në vitin 1953, kur erdhëm në vitin 1953 në Prishtinë ishte Prishtina, në përgjithësi Kosova, shpërnguljet e mëdha që boheshin për Turqi…

Anita Susuri: Kohën e Rankoviqit.

Sabri Novosella: Po, kohën e Rankoviqit. Kështu që, në ato ditë kom shumë, shumë raste kam që ka përjetu tepër vështirë. Ne, baba e ka pasë ble do tokë përmi vorret shqiptare atje edhe përmi fabrika, ka qenë fabrika e tjegullave, e tullave i thojshin “Cigllanë”. Ni mëngjes t’u kalu asajde, i pasha njerëz janë tubue në ni strehë të fabrikës, u afrova. Kur u afrova e pashë aty kishte qenë, e kishte varë vetën. Jo me konop, me tel. Shumë po më vjen keq që më ka ikë emri për momentin, se me të vërtetë edhe mosha ime e ka bo që unë të ruhna. Po më duket edhe pas vaksinës {bën shenjë tek krahu} po harroj. E harrova emrin si e pat’. Gashi mbiemrin e ka pasë. I kishin kërku armë, e kishin torturu, i kishin thanë me na pru armë. Nga pamundësia me çu armë nuk ka dashtë me ra në dorë tyne m’u torturue. S’kish pasë pare me ble konop, me tel e kishte vjerrë vetën. Pra, rritesh me ni kohë të tmerrshme. Ku i pajshim njerëzit kah e varin vetën.

Tash dua t’ju them edhe ni rast, se osht’ shumë interesant. Ni fqinj i joni ka qenë burrë e grua edhe shpërngulja, shpërngulja ishte e tmerrshme. Vaji që u bojke, qysh e përjetojshin njerëzit. Ata e kishin ni qen. Unë kam pasë, i kam dashtë qentë. Tani edhe fmitë e mi qashtu, djemt, e nipat, e stërnipat. U thashë atyne që… ata u pregatitshin me shku në Turqi. U thashë atyne, “Kur shkoni në Turqi me ma dhanë qenin mue”, ata më thanë, “Kena me ta dhanë se e di që e man mirë”, e kështu. Erdhi dita m’u shpërngulë. Shkova me ta me ma dhanë qenin. Qeni s’ke që e prekë, nuk dahet prej tyne. Ata ecën e shkunë në kamë deri te Stacioni i Trenit. Qeni pas tyne. Ata hypën në tren, u nis treni për Turqi, qeni hupi. E ma s’e pashë për momentin.

Kur u ktheva te shpija ishte fqinji i jonë e pashë para derës ishte ulë qeni edhe rrinte. U munova me prekë, me më hongër, ikte. S’mujta me kapë. Merre me mend tash, puna e kafshës. Disa herë i çova ushqim nuk e hongër ushqimin. Mas katër-pesë dite ngordhi, ushqimin para e pat’. Nuk pranoi, vetëm të zotë e vet i pritke, të zotë nuk i erdhën se shkun, i hupën. Ashtuqë, vetëm vaji, ato përjetime që të shpërnguljes kanë qenë tmerr, tmerr kanë qenë. Kështu që, kem pasë ni jetë me të vërtetë shumë të bujshme.

Anita Susuri: Ju thatë që ka qenë fqinj i juji Adem Demaçi edhe qysh ka ndiku, si me thanë, prezenca e tij? Ai ka qenë ma i madh se ju.

Sabri Novosella: Po, ai ka qenë ‘35-sh unë i ‘43, domethonë tetë vjet ka qenë para meje.

Anita Susuri: Po. Qysh ka ndiku ai? A ka qenë edhe kjo domethonë arsyeja që ju me… sigurisht po.

Sabri Novosella: Valla s’di çka them, e them… bile edhe vet Ademi e thotë, bile vet Adem Demaçi e thotë…

Anita Susuri: Domethonë ju deshtët me lexu këtë… këtë shpesh e ka përmend në rrethin e juj Adem Demaçi…

Sabri Novosella: Qe, shpesh herë e ka përmend nëpër neja edhe tjera po e ka përmend edhe këtë.

Anita Susuri: “Gjatë gjykimit në vitin 1964, prokurori më akuzoi rëndë se i ka marrë në qafë kta të ri. Sabriu u ngrit dhe kërkoi fjalën. Gjykatësi duke shpresuar se do ta vërteton akuzën, ia dha fjalën dhe i tha që të dal në foltore. Sabriu tha, ‘Demaçi nuk mban përgjegjësi për antarësimin tim në lëvizje. Ka qenë vullneti im, çdo përgjegjësi ka qenë e imja’”. Po (qeshë), që ju pyta unë.

Sabri Novosella: Po.

Anita Susuri: Domethonë…

Sabri Novosella: Qe, për shembull, ka qenë edhe ni rast tjetër. Bile edhe këtë shumë herë e ka përmend Ademi. Kur na çunë… se në burg Adem Demaçi u dënu 15 vjet, mu më dënunë nantë vjet e kështu me radhë. Na çunë në burgun e Nishit nga nantë vetë përniherë në marincë të policisë. Kur u afrumë në dyert e burgut, atje ni polic e çeli derën e burgut me hye makina. Po ajo me hekra, ajo kërsiti dera grrum, grrum, grrum {onomotope}.

Ni milic që ishte me ne, që na përcillte tash u tallë me Adem Demaçin. Tha, serbisht po ua them, “Otvorite sarajska vrata” [srb.: Hapni dyert e sarajit/pallatit]. Unë ju përgjegja meniherë, “Otvorite sarajska vrata da primite Adema kosovskog junaka”. “Çelni dyrtë e parajsës”, ai tha me cinizëm. Thashë, “Çeli dyrtë e parajsës me pranu Ademin, trimin e Kosovës”. Ademi ma kthej, tha, “I Sabriju bajraktara” “Edhe Sabri flamurtarin”, që e kisha qepë. Kështu ishin momentet në situata tepër të rana, të shtira. Po edhe aty e kishim atë guximin tonë që gjithmonë armikut me ju përgjegjë.

Anita Susuri: Po po më intereson edhe ajo lagja ku keni jetu si fmi, çfarë lagje ka qenë? Qysh ka qenë infrastruktura me thanë? Shtëpitë?

Sabri Novosella: Po në përgjithësi…

Anita Susuri: Fqinjësia.

Sabri Novosella: Në përgjithësi shtëpitë kanë qenë shtëpi të marume mund të them në kohën e osmanlisë. Shtëpi të vjetra kanë qenë. Në aso shpi kem jetue. Po tash me Adem Demaçin kem qenë derë më derë edhe jemi kontakt masanej edhe nana ime me nanën e Adem Demaçit kanë pasë atë afërsinë e përhershme. Por, faktikisht që nga koha që kam shku jemi vendosë në atë lagje quhej Lagja Çekli, se ka qenë ni qeshme e kahershme. Rruga Rijeka, aty kemi qenë me Ademin vazhdimisht derisa u organizum.

Pasi u organizum atëherë veç kontakte kishim të caktume, deri në burgosje. Pas burgosjes jemi liru. Pasi ka dalë prej burgut Adem Demaçi, kemi qenë gjithmonë bashkë. Edhe mas burgut të fundit… bile ni pjesë të mirë e ka kalu edhe në Banjë të mia, masi i kom maru. Se në Banjë e kanë pasë gjithmonë rregull edhe e kanë, prindët e dëshmorëve mirren pa pagesë. Ish të burgosurit politikë mirren pa pagesë, invalidët e luftës mirren pa pagesë, e tjera, e tjera. Kështu që… kurse Ademi e ka pasë dhomën e posaçme, ashtu si Nura edhe profesor Skender Riza edhe ai e ka pasë dhomën e posaçme. Ndjesë se ka dekë.

Janë mundu me tregu ni kujdes ndaj ktyne njerëzve. Kurse, kurse ramja e Ademit në burg, në burgun e parë. Se në burgun e parë u ra në ‘58-ën, i majti tri vjet. E pat’ ni qëllim heroik. Qëndrimi i Adem Demaçit para burgut ishte madhështor. Faktikisht ato fjaltë që i tha Adem Demaçi para burgut mrena natës u përhapën, u përhapën në krejt Kosovën. Ishte koha e shpërnguljes. Ai e majti ni fjalim, fjala e tij ke e ashpër kundër shpërnguljes. “Ky osht’ vendi jonë, ktu janë vorret tona, ktu na duhet me hi në dhé, nuk bon m’u largu kurrsesi”. Më besoni, të nesërmen kanë fillu m’u përhapë fjaltë e Adem Demaçit edhe kanë ndiku shumë në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova për në Turqi.

Anita Susuri: Po më intereson edhe në atë kohë qysh ka qenë fryma? A u vrejt qajo fryma e rezistencës apo ma shumë njerëzit janë dorëzu? Se ka pasë shumë që kanë shku.

Sabri Novosella: Shif çka them. Si gjithmonë ka qenë ni numër i caktum të cilët janë marrë me aktivitete konkrete. Pjesa dërmuese e popullit kanë qenë të paknaqun. Pak familje ka që nuk janë goditë qysh nga okupimi, që nga okupimi i Kosovës, riokupimi i Kosovës nga serbo-sllavët dhe deri në vazhdimësi. Kështu që edhe ai për ne ishte ni tmerr i madh tash. Pasi u riokupu Kosova u bo ni riokupim me të vërtetë i tmerrshëm. Pasiqë erdhën nga Shqipëria… se ne Shqipërinë na kanë shpallë, e kanë thanë me argumente se kuvendi i Mukjes, është një prej kuvendeve ma të rëndësishme në historinë e kombit shqiptarë. Në të cilin kuvend morën pjesë përfaqësues e të gjitha rrymave politike edhe u murr vendim që me luftue kundër Nazi-fashizmit. Konform forcave, njerëzve, mundësive ushtarake, armatimit në aleancë të ngushtë me aleatët anglo-amerikan.

Kurse Milladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha në vitin 1941 e themelojnë një bandë gjakatare, ni bandë kriminelësh me emrin Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila kishte për detyrë, kishte për detyre faktikisht m’i vra shqiptartë. Merre me mend, u vranë 28 mijë dëshmorë me emra e mbiemra, u varrosën tu u vra mes veti. Bile, kallxojnë ni rast në ni tubim në Tetovë foli Paskal Milo i lavdoi brikadat shqiptare qysh kanë luftu në Kosovë për çlirimin e Kosovës. Edhe u ngrit Sabri Godo, e kom të inxhizume, se kishin ardhë, na kishin thirrë në atë tubim në Tetovë. Ni tubim ke, na kishin thirrë disa nga Kosova, disa nga Shqipëria. Nga Shqipëria ishte edhe Paskal Milo dhe Sabri Godo. Bile Sabri Godo i revoltum me Paskal Milon që tha e kena shliru, kena kontribu në shlirimin e Kosovës dhe dul e tha ni gja që osht’ shumë interesant dhe osht’ e çlirune.

Tha, “Ishte në moshën 17-18 vjeçare, pra isha fmi. Na organizunë me shku në luftë kundër gjermanit në vitin 1945, kur tërhiqej gjermani. Na çunë në ato brigadat në Mal të Zi. Pas dy-tri ditësh na erdh urdhëri, duhet me shku në Kosovë. Në Kosovë të luftojmë Nazi-fashistët, gjermanin, me shliru Kosovën. U gzumë të gjithë. Po shkojmë në Kosovë te vllezërit tonë kosovarë, t’i ndihmojmë, kontribojmë në çlirimin e Kosovës. Na shkum në Kosovë, filloi lufta. Ni gjerman nuk e kemi pa. Me sy të mi”, para 400-500 vetëve e thonte, “me sy të mi i kom pa kah 15-20 kufoma të shqiptarëve duke i futë me ni pus”, na i thojmë bunar ata i thojnë pus. “Bojnin masakër kundër shqiptarëve ku merrshin pjesë edhe brigadat e Milladin Popoviqit”, për shembull Mugoshës dhe të Enver Hoxhës.

Ishin ato situata me të vërtetë tepër të rana, tepër të vështira. Kështu që, kjo shkoi deri në ‘48-ën. Në ‘48-ën pastaj ndodhi kjo rezoluta e infobyrosë, Tito u nda dhe u lidh me botën e perëndimit, me Amerikën. Disa shqiptarë prapë, bile shkun nëpër burgje. Gja që ata lanë pasoja tepër tepër të rana. Kështu që, ku e patëm fjalën për Adem Demaçin. Adem Demaçi edhe nga burgu rrezatonte rreze lirie, dritë lirie. Pse? Qëndrimi i tina ishte jashtëzakonisht i mirë, i drejtë. Pa lejue m’u futë në vetëvrasje. Ashtu siç ndodhi pas kushtetutës të ‘74-ës, gjë që do të folim.

Anita Susuri: Po. Deshta me ju pytë në Prishtinë cilën shkollë keni vazhdu, shkollën fillore shkollimin e juj?

Sabri Novosella: Shkolla fillore, “Vuk Karaxhiq”, tash quhet shkolla, “Elena Gjika”. Aty e kom kry tetëvjeçaren. Pasanej…

Anita Susuri: Qysh kanë qenë qato vite të shkollimit?

Sabri Novosella: Po ato kanë qenë shkollë në gjuhën shqipe, po shkollë e shkaut. Merre me mend në klasën e pestë në serbisht e kisha pasë dysh më doket ka qenë, ka qenë. Edhe në provim shkova, pse ni notë e pata të dobët në serbisht më ngelën në klasë, u dashtë me përsërit klasën. Ishte ni gjendje tepër e randë, tepër e vështirë. Pasanena na ishim në burg, na burgosën edhe msusët. Na burgosën Rashit Krasniqin, na burgosën… katër-pesë msusë na burgosën.

Anita Susuri: Ata kanë qenë ndonjë organizatë apo?

Sabri Novosella: Po, po, në organizatë kanë qenë. Ka qenë organizata NDSh-eiste, se organizatat në Kosovë që janë themelue deri mas vitit 1900, masi u fitu kushtetuta e ‘74-tes organizatat kanë qenë kombëtare, kanë qenë natyraliste. Tash pasi u themelue, që ishte për shembull, burgosjen e ‘64-ës, tani erdhën burgosja e ‘68-ën, demostratat e ‘68-ës të cilat ishin komplet kombëtare, atëdhetare. Kështu që edhe vet Jugosllavia i kishte dy linja. E kishte linjën serbo-sllave ortodokse edhe e kishte linjën kroato-sllovene katolike pro evro-amerikane.

Në kreun e Jugosllavisë vazhdimisht ishte kjo ndeshje. Bile p’e citoj ni akademik serb të cilin e kam ndëgjue në Suedi, se unë jam në Suedi, prej ‘84-ës. Pata rast me ndëgjue në emision të Beogradit. Ai akademiku plak, kishte qenë në spital kishte dalë nga spitali, që për mu më ka bo përshtypje jashtëzakonisht shumë. Ishin shku gazetartë me ia bo ni vizitë edhe mes tjerash e pytën, thanë, “Kur u nda Jugosllavia?” Adademiku u përgjigj, “Jugosllavia u nda në mbledhjen e AVNOJ-it2. Tha, “Kur murr fund ndamja e Jugosllavisë?” Tha, “Ndamja e Jugosllavisë murr fund me kushtetutën e vitit 1974”.

Kështu që, tash kush organizoi mbledhjen e AVNOJ-it? Tita, kroato-sllovenët. Kush e pruni kushtetutën e 1974? Prapë, u rrxu Rankoviqi, u bonë ni varg veprimesh. Se aty ndesheshin dy rryma, rryma serbo-sllavo-ortodokse dhe rryma kroato-katolike pro-europo-amerikane. Tani, kushtetuta e ‘74-tes ishte ni fitore jashtëzakonisht e madhe kundër lindjes sllavo-greke-ortodokse, sllavo-serbo-ruso ortodokse. Ajo fitore e popullit shqiptar, i solli shumë të mira. I solli shumë të mira. Pse? U hapën shkolla, u hapën fakultete, u punsunë njerëzit.

Merre me mend erdh ligji, katër vetë që punësohen me konë tre shqiptarë, me konë ni serb. Kjo fitore e madhe. Pra, gja që pat’ kërkesa edhe m’u konë Kosova Republikë, por nuk e lejunë serbët. Po edhe pse nuk e lejunë m’u konë republikë, ajo faktikisht u bo krahinë autonome, pjesë e Republikës së Serbisë edhe pjesë konstituive e Federatës Jugosllave. Tani këtu erdhën disa situata të tmerrshme. Pse? Njanën anë punohej me të madhe me fitu çka të munësh me fitu, me përfitu çka të munësh me përfitu. Dhe çdo gja shkonte, përkundër burgosjes, përkundër… gja që na masanej edhe të burgosun nuk jemi. Se ato burgosjet që i bonin serbët i bonin me qëllim thjeshtë me trazu Kosovën, me trazu Kosovën.

Kështu që, ndërkohë ne e kishim të organizume tani në organizatë Metush Krasniqin, Shefqet Jasharin, Jusuf Gërvallën e tjerë, që në programin tonë, në statutin tonë e kishim, “Asni veprim, asni ekces mos me bo deri…” se ishim të bindur Kosova pa luftë nuk çlirohet. Ishim të bindur që ajo luftë ka me përfundu, ajo luftë ka fillu me vdekjen e Titos. Të gjithë… ngase e dishim këtë punë, ashtu si ndodhi. Me vdekjen e Titos ka me vdekë Jugosllavia. E kemi pasë edhe në program edhe në statut, “Pa vdekë Tita armtë s’i marrim. Armtë e para s’kanë me qenë tontë, pushka parë s’ka me qenë e jona”. Me bindje të thellë që kroatët kanë me fillu edhe ashtu ndodhi.

Po tani çka ndodhi? Këto arritje që i pat’ Kosova me të madhe u hapën shkollat, u hapën fakultetet, u hoqën vizat. Tash ishte ni dëshirë e madhe e kosovarëve, po edhe ni pjesë e të udhëheqësisë, se ni pjesë e udhëheqësisë e kosovarëve ishte me kroato-sllovenë, ishte kombëtare. Ni pjesë në pakicë ishte me serbë, malazezë, ortodoksë. Për shembull, m’i përmend me emra, Ali Shukria e Sinan Hasani e këta tjertë. Tani, ishte dëshira e shqiptarëve që të kemi marrëdhanie të mira me Shqipërinë. Regjimi i Titos nuk pengojke. Fillunë m’u thirrë profesorë nga Tirana. Vishin me vështirësi tepër të mëdha.

Por, ndërkohë, kjo gjendje e Kosovës, kjo kërkesë e Kosovës që m’i lidhë marrëdhaniet me Shqipninë… saqë u dha në vitin, u dha ni… në Televizionin e Prishtinës në vitin 1980. E dha ni informatë, “Vitin e ardhshëm kosovarët do të bëjnë pushimet në bregdetin e Shqipnisë, në Durrës. Studentët e Kosovës do të studiojnë në Universitetin e Tiranës. Studentët e Shqipërisë do të studiojnë në Universitetin e Prishtinës. Profesorët nga Shqipëria”, veç vishin aty ktu, “do të vijnë në Kosovë. Profesorët nga Kosova do të shkojnë në Shqipëri”.

Kjo Enver Hoxhën dhe bandën kriminale të tij, bandën gjakatare të tij e tmerroi. Tani, atyne u dushke me ndërmarrë diçka. Çka me ndërmarrë? Me themelue ni organizatë. Në fakt kjo me ndikimin e tyre u formu Organizata Marksiste-Leniniste në krye me Hydajet Hysenin, Kadri Zekën, Jakup Krasniqin edhe tjertë. E tash, vet libri i Kadri Zekës osht’ programi ma i mirë që nga fillimi deri në mbarim. Stalini, Enver Hoxha. Shoku Stalin, shoku Enver Hoxha. E tani çka ndodhi? Atyne ju duhej me goditë Kosovën.

Në vitin 1979 me 20 dhetor u rrezikova të burgosem. U burgos… u rreziku m’u burgos Jusuf Gërvalla, iku. U burgos Shefqet Jashari, u burgos Hysen Gërvalla, vllau i Jusuf Gërvallës e disa tjerë. Atëherë me vështirësi tepër të mëdha, me ndihmën e… ma s’pari motra që paska qenë këtu, burri i motrës më çoi në Podujevë. Tri netë më la te vllau i vet, mas tri nete erdh ni shok i vllaut edhe ai aktivist, Fuad Hajdini. Më murr me kerr edhe me më murr se u dufke me më largu prej atyhit se isha i rrezikum. Bile më tha, “Sabri”, tha, “unë jom ardhë me të marrë me kerr”, motra met aty. Tha, “Unë ka me bo çka të thu ti. Nëse thu me kalu kufinin, ia msyjmë kah të thu ti. Nëse thu m’i kap armët e me qëndru, po qëndrojmë”. Domethonë, si ni shok mjaft i mirë.

Thashë, “Unë du me shku në Gjakovë”. Se atje e kisha, ishte anëtar i Komitetit Qëndror, te ni… me Metush Krasniqin, Jusuf Gërvallën, Shefqet Jasharin e themelum organizatën pas shlirimit tonë nga burgu. E themelum Organizatën Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare. Kështu që, unë shkova në Gjakovë me Fuad Hajdinin. Aty te Marku, te Mark Mërturi shkum. Bile ju çova edhe fotografinë e Mark Mërturit e keni aty. Me një familje me të cilën kom marrëdhanie të përhershme tash e… edhe nga Gjakova, ai Marku meniherë e thirri ni shok të vetin, ni aktivist me kerr edhe tha, “Nuk bon me kalu kufinin, me tentu me kalu kufinin kah Gjakova se po sillen policia shumë, po duhet me shku në Mal të Zi”.

1 Shka (m.), shkinë (f.), shumës shkijet, term perogativ që shqiptarët e përdorin për serbët.

2 Këshilli Antifashist i Çlirimit Popullor të Jugosllavisë (AVNOJ: Antifašističko veće narodnog oslobođenja Jugoslavije), ishte një organizatë politike e Komiteteve Popullore Çlirimtare që u krijuan më 26 nëntor 1942 për të administruar territoret nën kontrollin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sabri Novosella, Intervistë / Pjesa e Parë

(VIJON …)

————————————

Flet Sabri Maxhuni Novosella

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE (2)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura