PROF. AGIM ZOGAJ: PROJEKTI KOMBËTAR I VESELIT

Prishtinë, 29 Maj 2020: Zbardhja, dënimi i krimeve serbe – prioritet
Kosova, 21 vjet pas përfundimit të luftës, vazhdon të sfidohet me përplasje në zhvillimet e brendshme politike. Ato, zhvillime, nuk janë, gjithnjë në funksion të forcimit të shtetit, sepse, kemi vendnumërim dhe jo progres, në ecjet drejt stabilizimit dhe prosperitetit të vendit. Ndërkohë që, edhe në raport me Serbinë, nuk kemi strategji të fuqishme e cila na garanton sukses, në përballjet me tendencat e vazhdueshme të saj për ta destabilizuar Kosovën, për ta mbajtur peng, ecjen tonë drejt integrimeve evro-atlantike. Prandaj, përballja me Serbinë, ka nënkuptuar edhe ndriçimin e krimeve serbe të luftës në Kosovë, vrasjet në masë, deri te krimet më ordinere, të cilat, me standardet ndërkombëtare, Serbinë do të mund ta padisnim edhe për gjenocid ndaj popullatës shqiptare në Kosovë!

Në gjithë këtë atmosferë politike, për shumë çka mjaft kundërthënëse, me një qeveri në ikje, dhe me një tjetër të paralajmëruar në ardhje, Kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli, ka dalë me projektin, me vite të shumëpritur, për ngritjen e Tribunalit për zbardhjen, dënimin e krimeve serbe të kryera në luftën e Kosovës. Gjithsesi, në kontekstin e zhvillimeve, nëpër të cilat po kalon vendi ynë, iniciativa, projekti i z. Veseli është shumë i qëlluar dhe dëshmon se, elitat politike të shtetit të Kosovës, sikur në rastin e Kryetarit të PDK-së, duhet të merren me probleme dhe çështje, të cilat janë me interes thelbësor për shtetin tonë.
Zbardhja e krimeve serbe në luftën e Kosovës, por edhe gjatë historisë sonë më të re, si dhe dënimi i kriminelëve serbë të luftës duhet të jetë ndër prioritetet e institucioneve, dhe jo, kjo çështje, edhe pse me gjithë respekt, të ngel, vetëm në objektivat dhe detyrat e KMDLNJ-së e asociacioneve, shoqatave të ngjashme. Zbardhja e plotë e krimeve serbe në luftën e Kosovës dhe, vënia para drejtësisë e kriminelëve serbë, vrasësve të luftës, si dhe, e urdhëruesve të tyre, nuk është vetëm çështje humane, etike, por, në radhë të parë, detyrim për të gjithë ata kriminelë serbë të cilët duhet të përballen me ligjin, me drejtësinë!

Nisma e kreykuvendarit Veseli, për themelimin e një Tribunali për krimet serbe përkrahet nga shoqatat e të pagjeturve (Radiokosovaelire, 7 Maj 2019)

Serbia, më në fund, pra, edhe përmes Tribunalit përkatës, duhet ta kuptojë se, shekulli i XXI, nuk është më, epoka e viteve 1912 – 1918, koha e pushtimit serb të Kosovës, e as periudha e viteve 1924 – 1927 kur, “…Serbia, kishte vrarë 12.400 shqiptarë, kishte burgosur 22.000 dhe kishte shkatërruar 6000 shtëpi” dhe nuk ishte ndëshkuar për krime lufte! (Shih: Oliver Jens Schmitt, Der Balkan im 20. Jahrhundert. Eine postimperiale Geaschichte. Botoi: Kohlhammer. f. 336 )
Politika serbomadhe, duhet të ndëshkohet!
Në këtë kontekst, siç theksuam, Projekti kombëtar i Kryetarit të PDK-së, z. Kadri Veseli për ta ngritur Tribunalin për zbardhjen, dënimin e krimeve serbe në luftën e Kosovës, është një iniciativë, jashtëzakonisht e menduar mirë dhe me reflektime të shumë anshme.
– Së pari, përmes kësaj iniciative, në nivel kombëtar, Serbisë do t’i bënim të ditur, më mirë të themi, do t’ia rikujtonim se, Kosova, institucionet e vendit tonë, në asnjë mënyrë nuk heqin dorë nga ndriçimi i plotë i të gjitha vrasjeve, krimeve, masakrave barbare serbe në luftën e Kosovës. Pra, nga ndriçimi dhe nga ndjekja penale e të gjithë atyre personave, serbë, të cilët, në cilësi të ushtrisë serbe, grupeve para ushtarake, policisë sekrete etj., kanë vra popullatën civile shqiptare.
– E dyta, përmes Tribunalit përkatës, bëhet edhe një veprim kah ndëshkimi institucional, ndëshkimi i drejtë dhe përmes ligjit, i atyre kriminelëve serbë të luftës, të cilët, ende po shëtisin nëpër Serbi. Aq më keq, për shkak të mungesës së Tribunalit, për zbardhjen e krimeve serbe në luftën e Kosovës, të dënimit të atyre që kanë bërë krime lufte, ndaj popullatës civile në Kosovë, disa prej kriminelëve serbë të luftës janë kapur duke hyrë ose duke dalë nga kufijtë e Kosovës.
Është e pa falshme për institucionet e vendit që, sot e 21 vjet pas përfundimit të luftës së Kosovës, kur, Serbia po i mban të fshehura mbi 1600 mbetje mortore të shqiptarëve, kriminelët serbë, të enden, të shëtisin, lirisht nëpër vendbanimet e Kosovës, nëpër ato vise, ku kanë masakruar civilë shqiptarë.
Me themelimin e Tribunalit, në një masë, do të vihet drejtësia dhe, edhe falangat serbe të luftës, edhe frymëzuesit e tyre, do ta kuptojnë se, drejtësia vonon, por, megjithatë, ajo nuk harron dhe ndëshkon, secilin që ka bërë krime lufte!
Serbia, shteti, qeveria, qytetarët dhe jo vetëm urdhëruesit e krimeve serbe në luftën e Kosovës, do ta kuptojnë se, mbajnë përgjegjësi, jo vetëm morale, jo vetëm humane, njerëzore për krimet serbe që, shteti i tyre i ka bërë në luftën e Kosovës. Serbia, duke filluar nga presidenti Vuçiç, edhe përmes Tribunalit përkatës, duhet të ndërgjegjësohet se, nuk mund të shpëtojë pa u përballë me historinë e përgjakshme, me historinë e krimeve serbe, deri në gjenocid, të cilën e ka shkaktuar ndaj popullit të Kosovës.
E themi, deri në gjenocid, sepse, pushteti kriminal serb, me në krye Millosheviqin, përmes luftës së Kosovës, vrasjeve të fëmijëve, grave, pleqve shqiptarë, ka pasur plane për asgjësimin e popullit, banorëve shqiptarë nga Kosova, nga vatrat tona historike. Vrasjet, dëbimet me dhunë të popullatës nga vendbanimet e veta, nga toka e vetë, nga Atdheu i tij, janë, siç ka vepruar Serbia me popullin tonë, janë argumente të mjaftueshme për ta vënë, para drejtësisë ndërkombëtare, politikën e gjenocidit nga ana e Serbisë.
E treta, institucionet e Kosovës kanë obligim, detyrim, kombëtar, siç e thekson z Veseli, që, ta themelojnë Tribunalin për zbardhjen dhe dënimin e krimeve serbe në Kosovë, për vënien para drejtësisë të gjithë ata kriminelë serbë të cilët, kanë bërë krime, që i kanë duart e përgjakura me vrasjet e shqiptarëve. Pra, kjo duhet realizuar, edhe në shenjë nderimi, përulje për të gjitha viktimat shqiptare nga krimet serbe. Ne, të gjallët, këtë e kemi për obligim ndaj bashkëkombësve tanë, sepse, gjaku i tyre i dredhur, është themel i shtetit të Kosovës. Ndryshe, nëpër historinë e ardhshme kombëtare, pluhuri i turpit, i pa përgjegjësisë dhe i mallkimit do të na mbulojë!

_________________
Veseli: Krijimi i një Tribunal ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë është në nderin dhe dinjitetin e këtij vendi
Radiokosovaelirë, 15 Prill 2019
https://www.radiokosovaelire.com/veseli-krijimi-i-nje-tribunal-nderkombetar-per-krimet-serbe-ne-kosove-eshte-ne-nderin-dhe-dinjitetin-e-ketij-vendi/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura