PROF. DR. ABDULLA MEHMETI: STATUSI I POPULLIT SHQIPTAR, ÇELËS PËR ARDHMËRINË E MAQEDONISË

Tetovë, 9. 12. 2016: (Çka duhet të dinë qytetarët para se të votojnë më 11 dhjetor?) – Plani strategjik për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni, përmes forcave progresive në vend dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, po zbatohet me sukses.
Faza e parë dhe më e rëndësishme e këtij Plani është delegjitimimi dhe rënia e pushtetit të derisotëm.
Këto zgjedhje nuk do të sigurojnë zgjidhje, por do të hapin rrugë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura deri më sot, sidomos për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni.
Detyra kryesore e faktorit politik shqiptar në të ardhmen
Pa zgjidhjen e statusit juridik-kushtetues dhe politik të popullit shqiptar në Maqedoni, asnjë çështje tjetër nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë.
Prandaj, detyra e parë dhe më e rëndësishme e forcave politike të shqiptarëve, fituese në këto zgjedhje, duhet të jetë avancimi me çdo kusht i statusit juridik-kushtetues dhe politik i popullit shqiptar, i cili është çelësi i të gjitha zgjidhjeve të tjera në të ardhmen.
Pa avancimin e këtij statusi asnjë zgjidhje tjetër nuk mund të jetë e drejtë dhe në interes të shqiptarëve, siç është alternativa e proklamuar nga forcat opozitare maqedonase për ridefinimin e Maqedonisë si shtet i qytetarëve ,,të barabartë”.

Asnjë populli, sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk i garantohet e drejta e vetëvendosjes, e zgjidhjes së fatit dhe të ardhmes së tij, pa zgjidhjen e këtij statusi.
Të gjitha alternativat tjera për sigurimin e barazisë së plotë të shqiptarëve në këtë shtet, si decentralizimi i pushtetit lokal, kantonizimi ose federalizimi, nuk mund të shtrohen si çështje në tavolinën e bisedimeve mes palëve brenda vendit, ose me ndërmjetësim ndërkombëtar, pa zgjidhjen e këtij statusi, ndërsa me zgjidhjen e këtij statusi të popullit shqiptar pushon nevoja e kërkimit të alternativave të tjera të kësaj natyre.
Statusin e popullit konstituiv, shqiptarëve ua garantojnë autoktonia e tyre dhe e drejta e trashëguar
Kjo e drejtë e popullit shqiptar i garantohet nga autoktonia e tij në këtë territor dhe e drejta e trashëguar, mes tjerash edhe nga ish federata jugosllave, ku shqiptarët në nivel të saj dhe në nivel të ish Republikës Socialiste të Maqedonisë, kanë qenë popull konstituiv, sipas kushtetutës së vitit 1974.
Kjo e drejtë u është suprimuar shqiptarëve në Maqedoni, fillimisht përmes amendamenteve kushtetuese nga regjimi komunist, në vitet e ’80-ta, e sidomos pas pavarësimit të Maqedonisë, me kushtetutën e vitit 1991 dhe me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, në saje të naivitetit dhe kolaboracionizmit të politikanëve shqiptarë të asaj kohe.
Të gjitha çështjet tjera të pazgjidhura, si: përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare; përdorimi i simboleve, flamuri, stema dhe himni; ndarja e drejtë dhe e barabartë e buxhetit; përfaqësimi adekuat në institucione; zhvillimi i barabartë ekonomik i të gjitha rajoneve; çështjet e arsimit dhe kulturës; si dhe të gjitha çështjet tjera në sferat ku shqiptarët janë të diskriminuar nga pushteti, mund të zgjidhen në mënyrë të drejtë vetëm pas zgjidhjes së kësaj çështje madhore, garantimit me kushtetutë të statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve si popull konstitutiv në Republikën e Maqedonisë.
Politika sllave për ndarjen e Maqedonisë
Kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur deri më sot edhe për shkak të politikave të gabuara të faktorit shqiptar, duke u ndihmuar qarqeve politike sllave, para së gjithash serbe, ruse, greke dhe bullgare, për ndarjen e Maqedonisë, fillimisht me shkëputjen e rajonit të Pollogut nga ky shtet, për t’ia bashkangjitur njërit nga shtetet shqiptare, Kosovës ose Shqipërisë, kinse duke i mashtruar shqiptarët me realizimin e ëndrrës për ,,bashkim kombëtar”. Përmes kësaj strategjie, sllavët do të krijonin alibi edhe për ndarjen e Kosovës, mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Këtë tendencë e kanë pasur dhe e kanë edhe sot disa qarqe politike në Maqedoni, që nga pavarësimi i këtij shteti, me formulimin e pyetjes së referendumit për pavarësinë e Maqedonisë, përkatësisht pjesën e dytë të pyetjes, për të drejtën e bashkëngjitjes së vendit me një shtet tjetër. Kuptohet, pasi ta kenë zgjidhur problemin me pjesën shqiptare, ku ata përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë, Tetovë, Gostar dhe Dibër.
Këto janë arsyet pse nuk u zgjidh drejtë statusi juridik-kushtetues dhe politik i shqiptarëve deri më sot. Plani për ndarjen e Maqedonisë është përgatitur në qarqet sllave jashtë vendit, është përpunuar nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, ndërsa tendenca për realizimin e tij ka pasur disa herë nga qeveritë e vendit, me ndihmën edhe të partnerëve shqiptarë.
Perspektiva
Maqedonia e sotme, para së gjithash është shtet i shqiptarëve, e maqedonasve dhe të tjerëve që jetojnë në këtë vend, si nga aspekti historik, kulturor, etnik dhe territorial, por edhe për nga tradita konstitucionale e formimit të këtij shteti.
Shqiptarët në Maqedoni, sidomos faktori politik, forcat intelektuale, sektori civil dhe të gjithë shqiptarët në vend dhe diasporë, duhet të fokusohen në realizimin e këtij qëllimi, pa humbur kohë dhe shpenzuar energji për çështje të tjera dytësore, të parëndësishme dhe në interes të politikave ditore, për aq më pak të bëhen pre e manipulimeve me ndikime nga faktorë të jashtëm, të cilët janë të interesuar për realizimin të planeve të veta gjeostrategjike në Maqedoni dhe në rajonin më të gjerë.
Krahas kësaj, shqiptarët duhet të jenë promotorë për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, të cilat do të jenë garancia më e mirë për ruajtjen e paqes në vend dhe sigurisë ndërkombëtare, sigurimin e progresit dhe mirëqenies së qytetarëve në të ardhmen.

(9.XII.2016)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura