Prishtinë, 21 mars 2020: Nikolla Pashiçi ( 1912 ): “Serbia, i kërkon portet e Lezhës, Shëngjinit dhe të Durrësit”
Dalja në Detin Adriatik, në radhë të parë në detin shqiptar, ishte dhe vazhdon të jetë një ndër objektivat qendror të politikës imperialiste të shtetit serb, historikisht, të të gjitha qeverive serbe. Në këtë kuptim, edhe luftërat pushtuese, të cilat Serbia i ka zhvilluar në Kosovë, në Shqipëri, gjithnjë janë motivuar, veçmas me aspiratat serbe dhe ato ruse për dalje në det, përkatësisht, edhe në detin shqiptar. Dalja në detin shqiptar, për shtetin serb, ndër të tjera kishte synime, jo vetëm për fuqizimin ekonomik të Serbisë, por, në radhë të parë, për qëllime të politikave ekspansioniste në rrafshin e gjeopolitikës rajonale. Përgjatë historisë, dalja në detin shqiptar, përkatësisht në Detin Adratik, Serbisë, e bashkë me te edhe aleatit të saj sllav, Rusisë, do t’i jepte një favor të jashtëzakonshëm në planin ushtarak, gjeopolitik, forcimin e rëndësisë së shtetit serb përballë gjeopolitikës dhe sferave të interesit, në kohë dhe në hapësirë.
Nga ana tjetër, dalja në detin shqiptar e Serbisë, kishte rëndësi të madhe, strategjike për Rusinë. Kjo, ngase, Rusia, përmes ngulitjes së Serbisë në detin shqiptar, siguronte praninë e vetë ushtarake, jo vetëm me nëndetëse në ngushticën, gjirin e Sazanit, Otrantos. Kjo rëndësi strategjike për Rusinë, aleatin historik të Serbisë nuk ishte domethënëse vetëm në shekujtë, XVII, XVIII, XIX, por, veçmas në epokën e Luftës së Ftohtë, përkatësisht, të ekzistimit dhe funksionimit të Traktatit të Varshavës. Rusia, edhe sot, përmes politikave ekspansioniste të Serbisë, ka shumë interes të ketë qasje, prani, në detin shqiptar, pra, përmes autostradës, rrugës së kombit e cila, parashihet të lidhet me autostratën Beograd – Nish – Merdare. Në fakt, “Minishengeni”/ në të cilin projekt, parashihet edhe ngritja e një trupe, force ushtarake-policore,të cilën do ta komandonte Serbia) është rasti më i mirë, për Serbinë dhe për Rusinë për të pasur qasje të lirë në detin shqiptar, kjo, në emër të politikave evropiane të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe të mallrave.
Nikolla Pashiç (1845 – 1926)
Sidoqoftë, për lexuesin shqiptar, me qëllim të argumentimit të pikëpamjeve të mësipërme, pra, për planet, jashtëzakonisht të rrezikshme për çështjen shqiptare, ato të Serbisë dhe të Rusisë për daljen në detin shqiptar, le të flet historia, faktet, burimet e arkivave.
Gjatë historisë, në të gjitha projektet ruse, ishin përfshirë edhe diskutimet e zjarrta të serbëve të drejtuara ndaj bregdetit shqiptar të Detit Adriatik. Serbia, siç dihet, nuk pushoi së synuari për dalje të lirë në det. Kështu, edhe më 1912, kur qendrat e diplomacisë evropiane po diskutonin për idenë e formimit të një Shqipëria autonome dhe caktimin e kufijve të saj, gjithsesi të cunguar, pa Kosovën dhe pa Çamërinë, përfaqësuesi rus :”…kërkonte njëkohësisht daljen e Serbisë në Adriatik”!
Në këtë objektiv, kryeministri serb, Nikola Pashiç, më 7 nëntor 1912, në gazetën franceze, “Le Temps”, do të shprehej se, “ Serbia pa dalje në det nuk ka asnjë garanci për ekzistencën dhe zhvillimin e vetë ekonomik. Serbia kërkon portet e Shëngjinit, Lezhës, Durrësit…”… Gjithçka e kuptueshme, ngase, edhe sipas aneksit të fshehtë të Marrëveshjes për Aleancën në mes të Bullgarisë dhe Serbisë, të datës 26 shkurt 1912, Serbisë i njihej e drejta në territoret në Veri dhe në Perëndim të Malit Sharr. Lidhur me këtë dispozitë, duke synuar t’i siguronin vendit të tyre dalje në det, trupat serbe, përmes dhunës, masakrave, vrasjeve barbare, fillimisht të kryera në Kosovë, me 15 nëntor 1912 hynë në Lezhë dhe gradualisht pushtuan tërë Shqipërinë Veriore, arritën deri në Tiranë e në Durrës.
Prandaj, më 25 nëntor 1912, në gazetën, “Times” të Londrës u publikua deklarata e kryeministrit serb, Nikolla Pashiçit, sipas të cilit “ Serbia kërkon Durrësin me pjesën më të madhe të hinterlandit…”!
Ngjashëm sikur, kryeministri, Nikolla Pashiç, edhe kryeministri i sotëm i Serbisë, dhe nxënësi politik, tani pasuesi i Milloshevqit, Ivica Daçiçi, më 18 nëntor 2014 në Bruksel, në Konferencën Themeluese të Makro rajonit, Adriatik – Jon ka thënë se: ”Objektiv strategjik i Serbisë është dalja në det”!
Nikola Pashiçi ndërsa, kishte propozuar, Projektin e parë zyrtar të Qeverisë së Serbisë për daljen në detin shqiptar, duke ndërtuar, sipas tij, vijën hekurudhore, Danub – Durrës. Po i njëjti projekt ishte përfshirë, në ”15 pikat e Traktatit të Fshehtë të Aleancë Ushtarake të Mbretërisë serbe me Esat Pashë Toptanin, të nënshkruar, më 17 shtator 1914 në Nish”!
Më tej, 1919, Niklolla Pashiqi shkruante: “Minimumi që do të pranojmë nga aleatët është ky: kufiri buzë Drinit të Zi deri te bashkimi me Drinin e Bardhë e prej aty buzë Drinit deri në det…”!
Rusia ka përfitime nga dalja e Serbisë në detin shqiptar
Në punimin e tij me titull, “Dalja e Serbisë në Detin Adriatik”, njëri nga ideologët e politikave pushtuese serbe në raport me tokat shqiptare, Jovan Cvijiçi (1865-1927) shkruante: “…për shkak të nevojës së serbëve për “hapësirën jetësore”, Serbia duhet të dalë patjetër në Detin Adriatik dhe në një pjesë të detit shqiptar, qoftë me uzurpimin e territorit, qoftë përmes sigurimit të drejtave ekonomike dhe komunikuese për këtë hapësirë”! Po sipas, Akademikut serb, Jovan Cvijiçi mundësia më e butë, lehtë për dalje në Detin Shqiptar ishte ndërtimi i hekurudhës nëpër Luginën e Durrësit dhe të Matit…Duke shkruar për një betejë që, ushtria serbe e kishte zhvilluar dhe fituar në Lezhë, kundër ushtrisë malazeze, e cila paraprakisht kishte pushtuar këtë rajon të bregdetit shqiptar, Cvijiç konstaton se: “…u realizua një dëshirë e cila mbështetej tek i gjithë populli serb, sepse, territori shtetëror i tyre (mendohet i serbëve, A. Z ) do të shtrihej deri te portet e Adriatikut.”!
Prandaj, e inspiruar nga akademikët serbë, nga ideologët e politikave imperialiste serbe, nga fundi i vitit 1912, ushtria serbe, përmes gjenocidit dhe krimeve mbi popullin shqiptar, fillimisht, duke bërë masakra dhe duke e pushtuar Kosovën, e kishte okupuar pjesën veriore të Shqipërisë, përveç Shkodrës. Me ato masakra, dhe krimet ndaj popullatës shqiptare, nga Kosova, nga veriu i Shqipërisë, ushtria pushtuese serbe kishte arritur të depërtonte deri në portin e Durrësit.
Historiografia serbe e pranon se, pasi u pushtua Durrësi, Fuqitë Perëndimore nuk lejuan, i bën presion Serbisë për tu tërhequr, sepse, nuk pajtoheshin që, përmes pushtimit serb të Durrësit, të përfitonte edhe aleati i tyre, Rusia? Në një analogji mes atyre viteve dhe synimeve të sotme të Serbisë, për dalje në detin shqiptar, mund të kemi parasysh projektet më të reja serbe, për dalje në detin shqiptar?
Planet serbe, përkatësisht ruse, pra, për dalje në detin shqiptar, ishin pjesë e projekteve të politikës imperialiste serbe. Jovan Cvijiçi ishte i mendimit se, me Kongresin e Berlinit “Serbia është tokë e rrethuar”, kurse serbët janë “popull i burgosur”. Prandaj, sipas akademikut serb, Cvijiç, Serbia për të dalë nga ai burg, nga ai rrethim duhet medoemos të del në det, me qëllim që të pavarësohet…
Serbia, edhe në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitet e bashkëpunimit Shqipëri – Jugosllavi, 1945-1948, ka pasur pretendime, plane për daljen në detin shqiptar! Madje, projekti jugosllav që Shqipëria, në vitet e para të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, të bëhej Republikë e Shtatë e federatës jugosllave, kishte për synim, që bregdeti shqiptar, jugu i Shqipërisë të popullzohej me popullatën sllave, serbe! Në ato vite, kur, nën trysninë e jugosllavëve, serbëve, shteti shqiptar kishte pranuar që, të mos kishte dogana mes Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë, kur, ishte arritur marrëveshje që, leku të shndërrohet në valutë të përbashkët me jugosllavët, në dinar, që, ushtria jugosllave, serbe të vendosej në Korfuzë, kufirin me Greqi, po rrezikohej si kurrë njëherë më parë, pavarësia e shtetit shqiptar! Ishte koha, ishin vitet kur përbrenda udhëheqjes së Shqipërisë, kishte një bllok të fuqishëm politik, pro jugosllav, me në krye, Ministrin e Brendshëm, Koçi Xoxe i cili, kishte bashkëpunim sekret me ish Ministrin Punëve të Brendshëm të Jugosllavisë, serbin, Aleksandar Rankoviç. Në të vërtetë, falë, prishjes së marrëdhënieve të BRSS me Jugosllavinë, (1948) dhe pastaj prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë socialiste me Jugosllavinë serbe, Shqipëria, nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, me politikat kombëtare, shpëtoi nga gllabërimi serbo/jugosllav!
***
Politika e jashtme e Serbisë, së sotme, në raport me synimet e saja për daljen në detin shqiptar, nuk ka asnjë ndryshim mes planeve hegjemoniste serbe, të Qeverisë së Nikolla Pashiçit dhe qeverive tjera serbe, deri te Millosheviçi, Gjingjiçi, Koshtunica, Tadiçi dhe tani Vuçiçi.
A mjafton, prandaj, së paku, ky realitet, kjo e vërtetë historike, që, të ngrihet përgjegjësia, vigjilenca e burrështetasve të sotëm shqiptarë? Ndryshe, rrezikojmë që, Serbia, në rrethanat, jo vetëm të një “Minishengeni Ballkanik” një ditë, të kërkoi qasje, jo vetëm në rrugën e Kombit, por, edhe në portin e Durrësit, të Shëngjinit, e të Vlorës…?