IBISH NEZIRI: BEDRI ISLAMI – E KEMI BORXH TA THEMI TË VËRTETËN!

Buchs, 8. 6. 2016: Ashtu sikurse çdo gjë që është folur apo shkruar për LPRK’në – LPK’në edhe këtë debat me shumë interesim e kam përcjellur, pa dashur të kyqem në të, por meqë brenda 24 orëve të fundit emri im është përmendur dy herë, e ndiej për obligim që t’i them dy fjalë për kontestin e përmendjes së emrit tim. Këtë e bëjë ngase një pjesë të mirë të jetës sime ia kam kushtuar punës dhe aktivitetit në këtë organizatë, për të cilën nuk jam i pandieshëm, sepse janë vitet e punës sime me të cilat gjithnjë jam ndier mirë dhe krenar.
Emri im përmendet në kontestin nëse kam qenë apo nuk kam qenë anëtar i GOR-it të dalë nga Mbledhja, tani më e mirënjohure Kollarës (prill 1993). Sa për njoftim, njësoj kam qenë edhe anëtar i GOR-it për përgaditjen e Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme në vitin 1991 dhe si i tillë kam qenë i dërguar edhe në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPRK-së – Dega Jashtë Vendit, në shtatorin e vitit 1991.
Por të kthehem të Mbledhja Konsultative e Kollarës.
Me që disa emra po përmenden si pjesëmarrës të Mbledhjes së Kollares dhe disa nuk po përmenden, unë mbajë mend mirë se nga Këshilli i Rrethit të Pejës në mbledhje kanë qenë:
– Hidajete Krasniqi, në cilësinë e anëtares së KP të LPRK-së,
– Gani Fetaj anëtar i Kryesisë së KRR në Pejë dhe
– unë në cilësinë e kryetarit të KRR të Pejës,
ndërkaq nga Këshilli i Rrethit të Rugovës pjesëmarrës ka qenë Salih Lajçi, kryetar i atij Këshilli.
Pas shumë debatesh e vërejtjesh, si ndodhë zakonisht në mbledhje të tilla janë zgjedhur edhe anëtarët e GOR-it dhe janë ndarë detyrat. Unë kam qenë njëri ndër ta dhe jam ngarkuar për përgaditjen e dokumenteve programore dhe statutare në frymën e diskutimeve të bëra gjatë kësaj mbledhjeje. Aty është vendosur që për çështje programore të jetë edhe një anëtar tjetër, emri i të cilit nuk është përmendur, por është thënë se atë do ta vëjnë në kontakt me mua, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ka ndodhur dhe unë asnjëherë nuk i kam mësuar arsyet.

– Ibish Neziri dhe Bedri Islami – 

Është kërkuar nga unë që me „shokun“ që unë nuk e njihja se kush ishte apo pa të ta vazhdoja punën në përgaditjen e atyre dokumenteve. Kam punuar me netë të tëra në përgaditjen e tyre, shpesh i ndihmuar nga Gani Fetaj, me të cilin atë kohë banoja në Prishtinë. Dokumentet janë dorëzuar me kohë dhe kopjet e atyre dokumenteve i ruaj edhe sot e kësaj dite.
Në mbledhjen e Katër të Përgjithshme, edhe pse sipas detyrës zyrtare dhe të qenit delegat i Pejës do të duhej të mirrja pjesë, nuk kam marrë pjesë, jo për fajin tim, as unë e as delegati tjetër.
Tani më është e njohur se çfarë ka ndodhur pas asaj mbledhjeje të vitit 1993. Në mesin e atyre që u kërkuan për arrestim isha edhe unë, por si thotë një fjalë e urtë „Këmbët e lehta, faqja e bardhë“ (edhe pse jo gjithnjë) ia mbatha jashtë ndër të fundit, pas vendimit që kishte marrë kryesia e Këshillit të Rrethit të LPK-së në Pejë. Në fillim të vitit 1994 Ahmet Haxhiu, tani Hero i Kosovës dhe unë i kemi ngritur disa çështje. Më vonë qe krijuar edhe një komision, të cilin e udhëhiqte Ibrahim Kelmendi, në përbërje të të cilit ishin edhe Bashkim Mazreku dhe Bislim Elshani. Për çudi pak kohë më vonë Bashkim Mazreku e ka pushuar veprimtarinë e tij në LPK për arësye të cilat unë nuk i di, ndërkaq Bislimi është emëruar kryeredaktor i ZiK-ut.
Shumë vjetë më vonë, pasi Bedri Islami filloj të shkruaj për Mbledhjen e Kollarës dhe GOR-in, kuptova se „nuk paskësha qenë“ pjesë e tij. Kam biseduar dy tri herë drejtpërdrejt me Bedriun për korrigjimin e lëshimit në „listën“ e anëtarëve të GOR-it, por bisedat nuk kanë dhënë rezultat. Kur ma mori mendja se u teprua dhe të heshtja më tutje nuk do të ishte korrekte ndaj organizatës, njerëzve me të cilët kam bashkëpunuar dhe i kam udhëhequr e përfaqësuar, si edhe ndaj familjarëve të mij i kam shkruar Bedri Islamit në CHAT-in privat. Sot në një reagim të Bedriut, të publikuar dhe të tërhequr prej tij e të publikuar më vonë nga Sheradin Berisha lexova se „edhe Ibish Neziri më ka thënë se ka qenë“, ndryshe nga sa më ka shkruar në reagimin tim (gjithnjë privat), vendosa të reagoj. Bedriu thotë shkruan edhe se më ka mik. Se jam mik i tij nuk ka asnjë dyshim. Asnjëherë nuk e kam kontestuar dhe nuk e kontestoj, por nëse ai është mik imi nuk e dij. Dua të besoj se po. Mirëpo, disa gjëra nuk kanë të bëjnë me miqësi apo jomiqësi, për të mos thënë armiqësi, por kanë të bëjnë me të vërtetën, të cilën e kemi borxh ta themi. Për më tepër po e sjell bisedën e fundit me Bedri Islamin pa ia hequr as pikën as presjën. Ata që janë të interesuar për këtë debat le të gjykojnë. Biseda është zhvilluar përmes çatit në FB në datat e mëposhtme.
***
Bedri Islami
08.02.2014 20:22

Mirembrema Ibish, te kerkoj ndjese, sepse pa dashje, kam anashkaluar emerin tend ne GOR. Nuk kam pasur asnje qellim te prapshte dhe besoj se nga njohja jone e vjeter, me kupton drejte. Tani u konsultova me shenimet perkatese dhe vura re gabimin tim.Edhe nje here te kerkoj ndjese…nuk besoj se do te jem i keqkuptuar.Bedri
***

Ibish Neziri
09.02.2014 21:42
I nderuari Bedri, uroj të jeni mirë ju dhe familja juaj e nderuar!
Më vije keq që duhet të të them se nuk është hera e parë që me apo pa dashje anashkalohet emri im dhe kjo as që do të më bënte përshtypje sikur të mos ndjehesha në radhë të parë borxhli ndaj familjes sime, dy bijve të mi të lindur pas atyre zhvillimeve dhe time shoqeje, e cila veprimtarinë time e njeh shumë mirë, sikur të mos isha borxhli ndaj nënës sime të ndjerë, e cila sa herë më ka percejllur gjithnjë duke e pyetur vetëvetën nëse do t’i kthehem përsëri në shtëpi apo jo, sikur të mos ndjehesha borxhli ndaj organizatës, së cilës me tërë qenien time i jam përkushtuar, sikur të mos ndjehesha borxhli ndaj atyre që më kanë pas deleguar dhe sikur të mos ndjehesha borxhli ndaj të vërtetës, të cilën ia kemi borxh të gjithë atyre që sot janë në jetë dhe atyre që nesër do të vijnë.
Unë njëherë iu kam pas thënë, por duket se paskeni harruar, se Ibish Neziri nuk hesht përgjithmonë.
Kur flasim ose shkruajmë për organizatën, ose le të flasim apo shkruajm ashtu si ka qenë ose të mos shkruajmë më mirë fare. Unë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast as nuk kam dashur dhe as nuk dua të debatojë publikisht me asnjë njeri për gjëra të tilla e aq më pak me juve, por nëse vazhdohet kështu, natyrisht se do të flas dikur edhe unë. Fundja këto janë të thëna edhe në kujtimet e mia të cilave hap pas hapi jam duke iu shkuar nga përfundimi. E dini apo nuk e dini, në LPRK e më vonë në LPK gjurmët e mia janë bukur të dukshme, për ata që duan t’i shohin e për ata që nuk duan, edhe nuk janë, por sa për njoftimin tuaj, për dy mbledhjet e përgjithshme, të tretën dhe të katërtën kam qenë anëtar i grupit të Organizimit dhe Riorganizimit. Në të tretën kam qenë edhe pjesëmarrës i dërguar nga GOR në mbledhjen e III të përgjithshme të Degës Jashtë Vendit. Kur flasim për Mbledhjën e Kollarës, edhe këtë për njoftimin tuaj, nëse e marrim për nga rëndësia një organizatë pa program e statut edhe nuk është organizatë apo subjekt, sepse programi dhe statuti janë baza, themeli i cilitdo subjekt, prandaj edhe i LPRK-së – LPK-së, e unë nga Mbledhja e Kollarës kam dalur si anëtar i GOR-it, i ngarkuar për çështje programore dhe statutare dhe punën time e kam kryer në mënyrë të shkëlqyeshme.
Disa herë nga bashkëveprimtarët e mi, të cilët më kanë deleguar në atë mbledhje dhe të tillë që kanë qenë pjesëmarrës të mbledhjes më është tërhequr vërejtja për heshtjën time dhe unë e kam vazhduar heshtjën, por nuk do ta vazhdoj për gjithnjë, me siguri. Ju nuk jeni të detyruar të shkruani dhe unë nuk këmbëngul në këtë, por unë e ndjej më shumë se të nevojshme për hirë të atyre që ua shkrova më lartë t’i plotësoj të dhënat tuaja, dhe plotësimi im do të ndikonte në besueshmërinë e shkrimeve tuaja gjë që kurrë nuk kisha dashur të ndodhte.
Sa i përket dashjes tuaj që të mos jeni i keqkuptuar, besomëni se edhe unë kisha dashtë të mos jeni i keqkuptuar!
Me respekt
Ibishi
***

Tani edhe një herë po e theksoj se nga Mbledhja e Kollarës kam dalur njëri nga anëtarët e GOR-it, i pëlqej kjo dikujt apo nuk i pëlqej. Për fatin e mirë nuk kemi qenë vetëm katër – pesë veta, por përfaqësues nga e gjithë hapësira e pushtuar shqiptare, përjashto Çamërinë, prandaj „Dielli nuk mbulohet me shoshë“ si thotë populli. Për tjera çështje të ngritura në këtë debat nuk do të flas. Këto dhe të tjera tani më kanë zënë vend në kujtimet e mia dhe kur të ma merr mendja se duhet, do t’i publikoj në tërësi ose pjesërisht. Thënia e të vërtetës, pavarësisht divergjencave është në nderin e secilit!

Buchs, 8 qershor 2016

__________________

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KOMENTET E SHLYERA TË BEDRI ISLAMIT TE SHKRIMI I FATMIR BRAJSHORIT

***
Bedri Zenel Islami
8. Juni um 10:09

Ne te vertete nuk desha te isha pjese e ketij debati. Megjithate, me ate vemendje qe meriton, lexova shenimin politik, gjysem pamflet te zotit Brajshori. E drejta e tij eshte te vleresoj libra dhe autore dhe per kete nuk behem merak.Themelore eshte se nuk gjeta se ku kam gabuar, cilat jane paqartesite dhe trillimet. Lidhur me Grupin e Organizimit dhe Riorganizimit dhe Mbledhjen e IV te Pergjithshme,me perjashtim te nje emeri,per te cilin kemi dy mendime te ndryshme, gjithcka eshte e njejte. Trajtimi qe ai ben Grupit te organizimit dhe te Riorganizimit, trajtim qe nuk ehte ne librin tone, eshte qendrim i tij, te cilin e ndeshi per here te pare. Do te ishte me interes te sqaroj se nga i mora te dhenat: Po sjell nje fragment nga shenimet e veprimtarit te vjeter, pjese e Grupit te Organizim Riorganizimit, te Mbledhjes se kercoves, te Mbledhjes se IV te pergjithshme, dhe drejtues i organizates, Ramdan Avdiut. Ai shkruan: ” Mbledhja është mbajtur në shtëpinë e Halit Zeqirit në fshatin Kollare për arsye se : Ali Ahmeti, Emrush Xhemaili, Gafurr Elshani dhe Bilall Sherifi ishin ilegalë qe kishin ardhur nga dega jashte vendit, dhe për të mos i rrezikuar gjate kalimi të kufirit i cili në atë kohë kontrollohej rreptë kemi vendosur që mbledhjen konsultative ta mbajmë ne Kërçovë. Mbledhja caktoi detyra të ngutshme për përgatitjen e mbledhjes së katërtë të përgjithshme, zgjodhi grupin e organizimit dhe riorganizimit si dhe miratoi Konkluzat në bazë të së cilave do të veprohej deri në mbledhjen e katër të Përgjithshme. Me zbatimin e konkluzave ngarkohej GOR-i dhe Kryesia e LPK., Anëtarë të GOR u zgjodhën. Ramadan Avdiu, Kryetar, Hashim Thaçi, Bilall Sherifi, Adnan Asllani dhe Olusi Beqiri anëtarë. Për përmbushjen e detyrave GOR-in duhej ta ndihmonte Kryesia e LPK të cilën përveq Ramadan Avdiut e përbënin edhe Xhavit Haziri, Halil Selimi, Hydajete Krasniqi dhe Guximtar Labenishti. Më 26 dhe 27 korrik të vitit 1993 në Prishtinë u mbajt mbledhja e katërt e Përgjithshme e LPRK. Mbledhja bëri ndryshime në Programin dhe Statutin e Organizatës, Ndërroi emrin nga LPRK në Lëvizja Popullore e Kosovës, aprovoi rezolucionet, zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm dhe mori vendime të veçanta ndër të cilët edhe atë të përgatitjeve për luftë të armatosur kundër pushtuesve. Mbledhja mbylli punimet me sukses të plotë.
Ne mbledhje kanë marrë pjesë.
1. Xhavit Haziri
2. Halil Selimi
3. Ramadan Avdiu
4. Hashim Thaçi
5. Adnan Asllani
6. Guximtar Labënishti
7. Fazli Veliu
8. Emrush Xhemaili
9. Beqir Beqa
10. Sabri Kiçmari
11. Bilall Sherifi
12. Shaqir Shaqiri
13. Mehmet Bislimi
14. Binak Berisha
15. Xhemail Rudi
16. Daut Rexhepi
. Olusi Beqiri
18. Bedri Halimi
19. Fatmir Brajshori
20. Xheladin Gashi
21. Bajram ………
22. Ejup Thaçi
23. Isa Krasniqi
24. Hajredin Hyseni etj.
***
Bedri Zenel Islami
8. Juni um 10:14

Shenimi im: GOR ka qene i perbere prej 5 veteve, si kam cituar. Kete e pohojne edhe te tjere. Miku im Ibish neziri ka ka thene se ka qene edhe ai; per mua kjo do te ishte me e vlefshme, sepse te pakten Ibishin e kam mik. Shenimi i dyte qe del nga ramadani: Kryesia ka ekzistuar dhe eshte perbere nga 5 vete: Ramadani, Xhavit haziri, Halil Selim, Hydajete Krasniqi dhe Gucimtar Labinishti. Shenimi i trete:Mbledhja e IV e pergjithshme ka zgjedhur keshillin e pergjithshem,cka pohohet edhe nga te tjere. Bisedat e shokeve jane te incizuara. Nga ky keshill ,dy antare te tij, Xhavit haziri dhe Bajrush Xhemajli jane arrestuar menjehere pas mbledhjes. Arsyetimi i zotit Brajshori se ” te pakten, ai nuk ka votuar per to” eshte jo vetem naiv, por edhe i padenje. Olusi beqiri qe zoti Brajshori nuk e ka njohur,sipas deshmise se ramadan Avdiut ka marre pjese edhe ne Konsulten e korcoves, edhe ne Mbledhjen e IV te Pergjithshme.
***

………………………………………………..

(Titulli është i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura