PROF.As.DR.VANGJEL KICI: NAFTA SHQIPTARE, UNË DHE SHOKËT E MI!

Toronto (Kanada), 29 qershor 2020: Nafta shqiptare është goditur dy herë. Goditja e parë është bërë më 1975, kundër gjoja “grupit armiqësor të naftës”. Goditja përfundimtare është bërë pas vitit 1990, me ardhjen e gjoja “demokracisë”. Pse është goditur nafta? Sepse ajo e mbante në këmbë shtetin shqiptar. Qëllimi ishte ky: Shkatërro naftën, që të rrëzohet shteti.
***
Gjatë regjimit monist nafta e mbante në këmbë shtetin shqiptar. Shkatërrimi i naftës rrëzonte shtetin. Prova e parë e shkatërrimit të naftës shqiptare (d.m.th. e rrëzimit të shtetit) u bë më 1975, me goditjen gjoja të “grupit armiqësor të naftës”. Shtrohet pyetja: Kush e bëri këtë goditje? Sepse Enveri në ato vite ishte i sëmur… Në fakt, kishte gabime në sektorin e naftës, por jo punë armiqësore, jo sabotime…Në të vërtetë, punë armiqësore ishte goditja, që iu bë sektorit të naftës. Disa gjeologë të shquar të naftës shqiptare u pushkatuan, kurse shumë të tjerë u burgosën. Autorin e këtij shkrimi, në atë kohë Bashkëpunëtor Shkencor në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit, e dënuan padrejtësisht si të dyshuar për sabotime, duke e çuar punëtor për riedukim tek klasa punëtore në prodhim (5 vjet!!).

Goditjen përfundimtare nafta shqiptare e pësoi pas vitit 1990, me ardhjen e gjoja “demokracisë”. U mbyll Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit në Fier, bashkë me Sektorin e Gjeofizikës. U mbyll Instituti Teknologjik i Naftës. U mbyllën Ndërmarrjet e Shpim-Kërkimit, Ndërmarrjet e Shpim-Shfrytëzimit, uzinat mekanike të naftës, uzinat e përpunimit të naftës etj. U zhdukën sondat e shumta të shpimit. Shumë shkencëtarë dhe specialistë të naftës u hodhën në rrugë. Shumë shkencëtarve të naftës “u doli lotaria”, dhe shkuan në SHBA, në Kanada etj. Një pjesë mbeti në Shqipëri. Të gjitha këto veprime u bënë, që me naftën të merreshin vetëm të huajt, dhe jo shqiptarët.
Vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit u dhanë me koncesione korruptive. Ato po grabiten plotësisht nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar, të djathtë dhe të majtë. E gjithë Shqipëria u nxor në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Këto kompani, gjatë 30 vjetve, kanë bërë shumë pak kërkime për naftë dhe gaz, dhe nuk kanë zbuluar asnjë vendburim të ri. Një pjesë e tyre janë kompani mafioze, kompani fantazma. Ato sillen në Shqipëri gjoja për kërkime nafte dhe gazi, por në fakt nuk bëjnë asnjë kërkim. Ato vetëm i bllokojnë kërkimet e naftës dhe të gazit. Ky bllokim i qellimshëm i kërkimeve të naftës dhe të gazit ka vazhduar gjatë 30 vjetve të fundit.
Kështu u shkatërruan edhe minierat, industria (uzinat, fabrikat…), bujqësia etj. Të gjitha këto shkatërrime u bënë dhe vazhdojnë të bëhen vetëm për një qëllim: Që Shqipëria të falimentojë, d.m.th. të rrëzohet!!!
Si pasojë e këtyre shkatërrimeve, shqiptarët mbetën pa punë. Ata u detyruan të dyndeshin masivisht për punë, në mënyrë të paligjëshme dhe të përbuzur, drejt Greqisë, Italisë etj. Sot, nëqoftëse qeveria shqiptare kundërshton ndonjë kërkesë të padrejtë të qeverive të këtyre shteteve, ato kërcënojnë me kthimin në Shqipëri të emigrantve, që janë mbi një million! Prandaj, qeveria shqiptare detyrohet të plotësojë çdo kërkesë të tyre, qoftë edhe e dëmshme për Shqipërinë!!!
Cila është zgjidhja?
Duhet zhvillim ekonomik, që të forcohemi politikisht, ushtarakisht etj. Vetëm kështu mund të jetojmë me dinjitet dhe të lumtur në vendin tonë. Vetëm nafta dhe gazi mund ta zhvillojnë të gjithë ekonominë e Shqipërisë.
Po shokët e mi çfarë bëjnë në këtë situatë?
Një pjesë ka ikur në botën tjetër…Pjesa e mbetur janë pensionistë, jashtë shtetit dhe në Shqipëri. Ata jetojnë me një pension të varfër shqiptar.
Një pakicë, që janë më të rinj, punojnë në vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit, që janë dhënë me koncesione tek kompanitë e huaja…
Çfarë bëjnë shokët e mi pensionistë jashtë shtetit? Disa kanë shkruar dhe botuar libra, mbi perspektivën e madhe naftë-gazmbajtëse të Shqipërisë. Disa kanë shkruar dhe botuar artikuj të ndryshëm në gazeta, ku shprehen mendime, se çfarë duhet bërë në sektorin e naftës shqiptare…
Po shokët e mi pensionistë në Shqipëri, çfarë bëjnë?
Disa shkruajnë kujtime nga puna e dikurshme në sektorin e naftës. Dhe mirë bëjnë. Disa, për të kaluar kohën, merren me komente në facebook. Një pjesë tjetër, gjatë disa viteve rresht, merren me statusin e naftëtarit, sepse qeveria qëllimisht i sorrollat. Cili është përfitimi nga statusi? Në mënyrë figurative, naftëtarve përfituesë të statusit u rriten të ardhurat mujore me vlerën e 5 kg domate!!! Pra, statusi është në qendër të vemendjes së tyre, dhe jo se çfarë duhet bërë në sektorin e naftës. Ata kërkojnë më mirë “një vezë sot, se një pulë mot”. Ata nuk bëjnë asnjë protestë kundër katastrofës dhe grabitjes së madhe në sektorin e naftës. Ata nuk bëjnë asnjë protestë kundër bllokimit të qellimshëm të kërkimeve të naftës dhe të gazit. Ata nuk kërkojnë shtetëzimin e naftës, dhe nuk tregojnë asnjë rrugëzgjidhje. Përkundrazi, disa prej tyre i thurin lavde kryeministrit Rama! Prandaj, qeveria vazhdon me prapësitë e saja në sektorin e naftës…
Autori i këtij shkrimi, pas vitit 1980 (deri më 1998) ka punuar në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike në Tiranë. Si punonjës i këtij Instituti, ai ka studjuar stratigrafinë e Shqipërisë Lindore dhe Veriore, ku nuk kanë punuar gjeologët e Institutit të Naftës. Këto studime, në terren dhe në laborator, i dhanë mundësinë autorit të shkruante dhe botonte disa libra, mbi perspektivën e madhe naftë-gazmbajtëse, sidomos të Shqipërisë Lindore (Brezi Ofiolitik i Mirditës, që vazhdon në Kosovë). Në këto libra ka shumë ide të reja gjeologjike, të bazuara me fakte. Disa nga këto ide, siç është ajo mbi perspektivën e jashtzakonshme naftë-gazmbajtëse të Brezit Ofiolitik të Mirditës,, po të vërtetohen në jetë (gjë që është shumë e mundur), mund ta shpëtojnë Shqipërinë nga katastrofa, dhe ta lulëzojnë atë. Qëllimi i autorit të këtij shkrimi ka qenë dhe është ky: Me anë të gjeologjisë të ndihmojë popullin, që të shpëtojë një herë e përgjithmonë nga varfëria ekonomike shumëshekullore.
Këto libra janë postuar tek saiti ARI I ZI/facebook, që t’i lexojnë gjeologët dhe gjeofizikanët në Shqipëri. Por çfarë po ndodh? Disa shokë të mi gjeologë, shumë dashamirës ndaj meje, pa i lexuar fare këto libra, mendimet e mija i konsiderojnë hipoteza, d.m.th. supozime!!! Kur e pyeta njërin prej tyre, nëse i kishte lexuar librat, përgjigja e tij ishte: “Vetëm një paragraf”. Pse kështu? Sepse mendimet e mija janë kundër pikëpamjeve të deritanishme të gjithë gjeologve!! Prandaj ato konsiderohen hipoteza (supozime). Harrojnë këta shokë, se zbulimet i bëjnë personat, që punojnë me pasion, dhe jo kolektivat. Ata mbështesin “vijën e masave” të nënës Parti!!
Në situatën e sotme, çfarë duhet bërë?
Duhet ndryshim rrënjësor politik. Kjo klasë politike antishqiptare, e pas viteve 1990 (të djathtë dhe të majtë, që janë të njëllojtë), duhet zhdukur. Të shtetëzohen (nacionalizohen, kombëtarizohen) nafta dhe minierat. Të zhvillohet bujqësia, energjetika, turizmi etj. Thembra e Akilit mendoj se është kërkimi i naftës dhe i gazit në gëlqerorët poshtë Brezit Ofiolitik të Mirditës, pa harruar zonat rreth vendburimeve ekzistuese. Paçim fat!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura