Toronto, (Kanada) 1 mars 2019: Është e vërtetë se në Shqipëri ka ndotje të madhe të mjedisit, nga nafta dhe gazi. Fajtore për këtë është mungesa e ligjeve, ose moszbatimi i tyre. Gjatë regjimit të kaluar, në mes të qytetit të Kuçovës kalonte kanali me mbeturina nafte dhe acide naftanike nga uzina e përpunimit. I paharruari Ing. Toptani, me kulturë gjermane, dikur më tha: ‘Unë propozova, që uzina të ndërtohej prapa kodrës, që të mos ndotej qyteti, por nga Komiteti i Partisë më thanë se vepra e partisë duhet bërë në faqen e këtejme të kodrës, që ta shohë populli”. Ndotjet me naftë, në vendburimet e naftës, janë për shkak të shkeljeve të rregulloreve.
Era e keqe e gazit squfuror, në sektorin Patos-Ballsh, shkaktohet nga nafta bituminoze squfurore e vendburimit të Visokës dhe atij të Ballshit. Edhe në vende të tjera të botës ka vendburime të tilla nafte jo cilësore. Nuk duhet përgjithësuar, se e gjithë nafta dhe gazi i Shqipërisë janë jo cilësore. Për shembull, vendburimi i Kocovës dhe ai i Marinzës etj., nuk e kanë erën e keqe squfurore.
Lumi i Gjanicës, që kalon në mes të qytetit të Fierit, është i ndotur nga uzina e përpunimit të naftës në Ballsh. Kjo uzinë nxjerr shumë mbeturina, sepse ka teknologji të vjetëruar. Kjo uzinë, pas vitit 1990, është shkatërruar së tepërmi. Ajo ndot mjedisin, sepse shkelen rregullat dhe ligjet.
Ndotjet e mjedisit, ajrit dhe ujit në Marinëz, Zharrëz, Delvinë etj., ndodhin për shkak të shfrytëzimit barbar të naftës nga kompanitë e huaja. Në kontratë nuk janë shënuar mbrojtjet e mjedisit dhe gjobat për kundërvajtësit.
Kudo në botë shfrytëzohet nafta dhe gazi, por ka ligje të forta për mbrojtjen e mjedisit. Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar e shfrytëzojnë naftën në Detin e Veriut, dhe nuk ndotin aspak ujrat detare. Pra, ndotja e mjedisit mbrohet me ligje dhe rregulla të forta.
Në Portë e Hapur, para pak ditësh, postova artikullin me titull: “Fuqia magjike (naftë-gazmbajtëse) e Brezit Ofiolitik Mirditë-Kosovë”. Në këtë artikull shihen qartë disa nga qellimet kryesore, që janë:
1- Shqiptarë! Brezi Ofiolitik Mirditë-Kosovë ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz (me cilësi të mirë, jo bituminoze, jo squfurore, sepse kështu e kanë basenet pas harkut). Të shtetëzohet nafta!
2- Mos lejoni privatizimin e Albpetrol-it, domethënë shitjen dhe grabitjen e vendburimeve të naftës nga qeveritarët tanë, në bashkëpunim me të huajt.
3- Nafta shtetërore mund ta shpëtojë Shqipërinë nga katastrofa ekonomike. Nafta shtetërore do të hapë shumë vende të reja dhe të përhershme pune. Ajo mund ta zhduk papunësinë dhe të frenojë emigrimin masiv të shqiptarve. Nafta shtetërore mund ta zhvillojë të gjithë ekonominë e Shqipërisë, dhe të rrisë mirëqënien e popullit….
Populli shqiptar nuk ka nevojë vetëm për mjedis dhe ajër të pastër, por ka nevojë për të gjitha ato, që u shkruan më sipër. Pra, le ta zhvillojmë naftën, duke mbrojtur mjedisin!
Shpëtimi ynë duhet kërkuar tek zhvillimi i sektorit shtetëror të naftës, dhe jo tek zhvillimi i turizmit, me ajër të pastër. Mbështetja vetëm tek zhvillimi i turizmit është një mashtrim i madh (për të tërhequr mendimin nga nafta, që po grabitet!). Agroturizëm domethënë turizëm në fshat. Ky turizëm mund të zhvillohet në disa fshatra piktoreske, si në Valbonë, Theth etj., por në përgjithësi fshatrat tona kanë shumë mungesa. Pushtetarët tanë e “ndritën” fshatin, dhe tani ftojnë të huajt: Hajdeni shihni mrekullinë që kemi bërë! Turistët e huaj vijnë të kënaqen, dhe jo të pikëllohen, duke parë mjerimin në fshat, duke parë “vende dhe popuj” të prapambetur. Ata mund të mashtrohen nga reklamat dhe të vijnë një herë, por kurrë më! Hajde turizëm hajde! Kështu do të zhvillohet Shqipëria?!