Tetovë, 18 janar 2019: Pa barazi të plotë kushtetuese të popullit shqiptar në Republikën e Maqedonisë Veriore orientimi evropian i këtij shteti shndërrohet në farsë politike
Në lidhje me ndryshimet kushtetuese aktuale në Republikën e Maqedonisë Veriore, të cilat duhet të përmbyllen deri nga mesi e këtij muaji (15 janar 2019), të cilat dalin si obligime të palëve nënshkruese të Marrëveshjes së Prespës, mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, disa nga partitë politike parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni përfundimisht po heshtin për arsyet që vetëm ato i dinë, ndërsa dy partitë parlamentare opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, siç duket bëjnë pazare të ulëta me Qeverinë e Maqedonisë Veriore në lidhje me barazinë e plotë të popullit shqiptar në këtë shtet.
Edhe një herë, u apelojmë përfaqësuesve të këtyre partive politike që të mos shpenzojnë energji, kohë dhe mund, për çështjet teknike, të cilat duhet të rregullohen me Kushtetutë; për detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Prespës dhe përgjithësisht për të drejtat që burojnë nga e drejta ndërkombëtare dhe nga marrëveshjet e nënshkruara dypalëshe mes Maqedonisë dhe shteteve fqinje, siç është çështja e kufizimit të Maqedonisë me Kosovën; çështja e shtetësisë, e cila është çështje teknike dhe dytësore, e që mund të rregullohet edhe me ligj, sepse shqiptarëve edhe si pakicë kombëtare, siç trajtohen sot, mund t’u garantohet e drejta e deklarimit të përkatësisë kombëtare të tyre.
Janë dy çështje më të rëndësishme, më madhore, kruciale, për të cilat përfundimisht duhet të merren vesh pala maqedonase dhe pala shqiptare, në interes të shtetit, të stabilitetit, paqes dhe sigurisë, të orientimit evropian të shtetit të Maqedonisë Veriore, edhe atë:
1. Statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit shqiptar shtetformues, jo pakicë kombëtare, apo si përqindje e qytetarëve pa identitet, shifër numerika prej 20%; dhe
2. Gjuha shqipe të jetë zyrtare, e cila është rregulluar pjesërisht, por nuk është padefinuar mirë, saktë dhe drejtë, meqë sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, i cili është miratuar nga Parlamenti por ende nuk ka hyrë në fuqi për shkaqe të cilat i din opinioni vendës dhe ai ndërkombëtar. Me Kushtetutë gjuha shqipe duhet të definohet saktë me emrin e saj të natyrshëm, si: Gjuha shqipe, jo si gjuhë pa emër dhe gjuhë e qytetarëve mbi 20% të cilët e flasin këtë gjuhë.
Përfaqësuesit e partive politike të shqiptarëve, përmes ndryshimeve kushtetuese aktuale duhet ta bëjnë më të mirën e mundshme, sa dinë dhe mundin, por nuk duhet të harrojnë se:
1. Shqiptarët në Maqedoni janë popull i vetëm autokton dhe janë shumicë në trojet e veta etnike, ku kanë jetuar dhe jetojnë në vazhdimësi historike dhe gjeografike;
2. Pushtetet e derisotme jodemokratike në Maqedoni, si ish regjimi komunist jugosllav dhe pushtetet e derisotme të periudhës së tranzicionit demokratik, shqiptarët i konsiderojnë si të padrejtë, jodemokratikë dhe me qasje shoviniste ndaj popullit shqiptar në Maqedoni;
3. Populli shqiptar në Maqedoni e ka bojkotuar referendumin e njëanshëm për pavarësinë e Maqedonisë, më 8 shtator 1991, për shkak të synimeve për bashkimin e mëvonshëm të këtij shteti me shtetet tjera të dalë nga ish federata jugosllave;
4. Populli shqiptar në Maqedoni ka organizuar referendumin për Autonomi politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, në janar të vitit 1992, me të cilin e kanë njohur sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij shteti, por jo edhe statusin kushtetues-juridike dhe pozitën politike të tyre, si popull i nënshtruar, si pakicë kombëtare dhe qiraxhi në shtëpinë e tyre;
5. Përfaqësuesit shqiptarë në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, më 17 nëntor 1991, nuk e kanë votuar Kushtetutën e këtij shteti, për shkaqet e sipërpërmendara;
6. Shqiptarët e kanë kundërshtuar vazhdimisht, edhe me forcën e armëve në vitin 2001, politikën diskriminuese, nënshtrimin e tyre në këtë shtet, trajtimin si qytetarë të rendit të dytë, si pakicë kombëtare, duke u përpjekur, kërkuar dhe luftuar për barazi të plotë kombëtare në Maqedoni;
7. Përfaqësuesit shqiptarë e kanë nënshkruar Marrëveshjen kornizë të Ohrit, më 2001, me garanci ndërkombëtare, për barazi të plotë të popullit shqiptar në shtetin e përbashkët të Maqedonisë, edhe pse me ndryshimet kushtetuese më 2001, në frymën e kësaj Marrëveshje, ajo u keqinterpretua dhe u kontrabanduan të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar për barazi të plotë kombëtare në Maqedoni.
Këshilli i Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni, përmes Memorandumit dhe Kërkesës drejtuar organeve të pushtetit, partive politike parlamentare dhe institucioneve ndërkombëtare, me kohë i ka paralajmëruar për përgjegjësinë historike që duhet të mbajnë këta faktorë, për të ardhmen e shtetit të Maqedonisë Veriore, orientimin evropian të tij dhe prespektivë më të sigurt.
Shansi historik është në duar e pushtetit aktual në Maqedoni dhe në përgjegjësinë e përfaqësuesve shqiptarë në këtë pushtet, që të vendosin drejtë dhe me përgjegjësi për të ardhmen më të mirë të qytetarëve dhe të shtetit të Maqedonisë Veriore.
Kjo është nyja kryesore e cila doemos duhet të zgjidhet nga pushteti aktual në Maqedoni, në interes të stabilitetit, paqes dhe sigurisë, ardhmërisë evropiane të Maqedonisë Veriore.