PROF.DR.HALIM PURELLKU: KOMITETI I KOSOVËS (1924-1936)

Shkup, 13 qershor 2018:
KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” (1924 – PRILL 1926)
Historia e Komitetit të Kosovës deri në vitin 1923 ishte tërësisht e lidhur me lëvizjen e përgjithshme çlirimtare shqiptare, por nga fundi i vitit 1923 liderë të caktuar si Zija Dibra, Bajram Curri etj., nën ndikimin e forcimit të luftës revolucionare gjithëballkanike, filluan të orientohen kah Fronti i përbashkët revolucionar, ndaj dhe bashkëpunonin me të gjithë faktorët revolucionarë në Ballkan dhe jashtë tij.1 Gjatë vitit 1924, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, kryetar i të cilit ishte Hasan Prishtina, vazhdonte të ishte faktor i rëndësishëm revolucionar jo vetëm në Kosovë 2 e Shqipëri, por dhe në Ballkan dhe si gjithherë qëllimi themelor i Komitetit ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.3 Deri në vitin 1924-fillimi i vitit 1925 selia e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës ishte në Shkodër.4

Përballë sulmeve të forcave reaksionare të Ahmet Zogut, të mbështetura nga njësitë serbe e vrangeliste dhe duke mos pasur asnjë mbështetje në shtet, me përjashtim të inteligjencies liberale numerikisht të vogël, qeveria e Fan Nolit ra më 20 dhjetor 1924. Pika 11 (njëmbëdhjetë) e Marrëveshjes së Ahmet Zogut me Qeverinë serbe, të vitit 1924, në Beograd, parashikonte shpërbërjen e Komitetit të Kosovës dhe përndjekjen e anëtarëve të këtij komiteti nga ana Qeverisë shqiptare, kështu dhe ndodhi. Ahmet Zogu e shpërndau Komitetin e Kosovës dhe në mënyrë të pakompromis i përndiqte anëtarët e Komitetit, andaj grupe të caktuara fanolistësh e kosovarësh të cilët ngelën në Shqipëri u ishin ekspozuar përndjekjeve dhe likuidimeve. Një numër i anëtarëve të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, si Bedri Pejani, Ibrahim Jakova etj., emigruan nga Shqipëria dhe u vendosën në Bari e Brindizi të Italisë. Brenda janarit të vitit 1925 nga Brindizi u larguan pjesa dërrmuese e tyre dhe një pjesë u vendosën në Vjenë e pjesa tjetër u vendos në Gjenevë.5
Ndërkaq, Organizatori dhe kryetari i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës Hasan Prishtina, me kohë e kaloi kufirin me Greqinë dhe fshihej diku në Selanik te jatakët e Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedone (VMRO-së). Kaçakët e tjerë u shpërndanë në mbarë Shtetin shqiptar më së shumti rreth Shijakut dhe Krujës.6 Kurse nga vjeshta e vitit 1925 e deri në pranverë të vitit 1927 Hasan Prishtina jetonte në Zarë dhe ishte kryetar i një Komiteti Revolucionar shqiptar.7 Të gjithë emigrantët politik shqiptarë, ndër to dhe figura të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, të cilët u degdisën jashtë Shqipërisë dhe jetonin në emigrim, ndiqeshin hap pas hapi nga Tirana zyrtare dhe u qe ndaluar edhe hyrja në Shqipëri.8

Kështu, që nga fillimi i vitit 1925, Komiteti i Kosovës, vepronte në kushte të rënda në emigrim, larg Kosovës e Shtetit shqiptar. Por, në marrëdhënie me grupimet politike shqiptare dhe ato ballkanike Komiteti vazhdonte të paraqitej si vazhdues i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, përkatësisht si përfaqësues i shqiptarëve nën sundimin e Jugosllavisë.9 Gjithashtu, që nga fillim i dhjetorit të vitit 1925 edhe veprimtaria e fuqive të armatosura (çetave kaçake) të Komitetit ishte në rënie të vazhdueshme si në Shqipëri ashtu dhe në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene. Gjatë dimrit të vitit 1925 e në vazhdim Lëvizja guerile / kaçake apo çetat kaçake u përballën me masa energjike permanente që i ndërmerrnin kundër tyre si Qeveria shqiptare ashtu dhe Qeveria serbo-kroato-sllovene. Qëllimi i dy qeverive ishte të pengonin strehimin e çetave kaçake në Shtetin shqiptar dhe të shfrytëzonin pauzën e dimrit, për të zbuluar vendstrehimet (jatakët) e kaçakëve me qëllim të zhdukjes së kaçakëve.10
Në kushte të rënies së lëvizjes kombëtare çlirimtare, fanolistë, kosovarë etj., të tubuar në Vjenë, vendosën të krijojnë Organizatë unike kombëtare revolucionare. Me shumë vështirësi ata u pajtuan, më saktë u gjysmë pajtuan, rreth një sërë çështjes themelore rreth veprimtarisë së tyre në të ardhmen dhe në mars të vitit 1925 e krijuan “Komitetin Nacional Revolucionar Shqiptar” (KONARE), në përbërje të të cilit hynë përfaqësues të thuajse të të gjitha grupeve revolucionare shqiptare; të majta, të djathta, nacionaliste etj., pra edhe Komiteti i Kosovës. Kryetar i organizatës u zgjodh Fan Noli. KONARE veproi deri në 24 prill 1927. Në maj të vitit 1925 Komiteti Nacional Revolucionar Shqiptar (KONARE) shpalli Deklaratën e vet të parë drejtuar popullit shqiptar, ku shpalosi qëllimet e veta. Qëllimi kryesor i këtij komiteti ishte organizimi i kryengritjes së armatosur kundër Ahmet Zogut dhe largimi i tij nga pushteti. Por, përpara masave të ndërmarra nga Zogu si; arrestime në masë etj., KONARE nuk arriti ta shtrijë ndikimin e vet brenda në Shqipëri e as të organizojë kryengritje kundër Ahmet Zogut.11 Nga korriku i vitit 1925 KONARE d.m.th. dhe Komiteti i Kosovës së bashku botonin në Gjenevë organin e tyre “LIRIA KOMBËTARE” në 1000 kopje dhe shpërndarja/distribuimi i kësaj gazete relativisht ishte i madh. E lexonin kryesisht emigracioni shqiptar në Ballkan, në Turqi, në Europë dhe në Amerikë, kurse deri në 200-300 kopje hynin dhe në Shqipëri e Kosovë. Ndonëse deri në vitin 1927 nuk ishte mjaftueshëm i qartë profilimi i politik i këtij organi/gazete, atë e ndihmuan dhe një grup i të rinjve shqiptarë që studionin në BRSS.12
Ndërkaq, në përgjigje të krijimit të Komitetit Nacional Revolucionar Shqiptar (KONARE) dhe Deklaratës së tij, Ahmet Zogu e likuidoi revolucionarin shqiptar më popullor (më të famshëm) Luigj Gurakuqin dhe bëri arrestime masive të personave të dyshuar për simpatitë ndaj emigracionit revolucionar.13
Krahas aderimit në KONARE, Komiteti i Kosovës në pranverë të vitit 1925 për motive iridentiste aderonte dhe në Komitetin e Organizatave Nacional Revolucionare Ballkanike (KNRB) i formuar në pranverën e vitit 1924, i cili komitet që nga fillimi mbështeste opsionin e bashkimit të Kosovës me Shtetin shqiptar brenda Federatës Ballkanike eventuale.14 Ndërkaq, në maj të vitit 1925, Komiteti i Kosovës iu drejtua me një thirrje popullit të Kosovës, me të cilën shpallej Kosova për qendër të veprimtarisë së Komitetit, si dhe kërkohej liria e Kosovës dhe bashkimi i saj me Shqipërinë.15

Hasan Prishtina (1873 – 1933)

Mirëpo, planet e konaristëve për një zgjerim të shpejtë të veprimtarisë masive në Shqipëri nuk u realizuan, për arsye se kuadri kryesor i veprimtarëve-organizatorëve në Shqipëri ranë në burg ose ishin të detyruar të largohen jashtë vendit. Megjithatë, pavarësisht situatave të pavolitshme, konaristët për çdo pranverë e vjeshtë bënin plane për organizim të kryengritjeve në Shqipëri dhe në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene. Planifikohej që së paku me grupe të vogla të nisen në luftë, me shpresë se do ia dalin të tërheqin pas tyre popullatën e shumtë shqiptare në Mbretërinë Serbo Kroato Sllovene, por jo vetëm shqiptarët por dhe masat fshatare në Serbi. Por, këto plane nuk u realizuan kurrë.16 Realizimi i qëllimeve politike të shqiptarëve asokohe pengohej jo vetëm nga faktorët e brendshëm në tokat shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë, por dhe nga Mbretëria Serbo Kroato Sllovene, Italia, Greqia, Anglia etj.17
“KOMITETI I ÇLIRIMIT TË KOSOVËS” APO “ORGANIZATA REVOLUCIONARE E KOSOVËS” (PRANVERË/PRIL 1926 – 1930)
Në pranverë të vitit 1926 midis fanolistëve dhe kosovarëve u paraqitën pikëpamje të ndryshme për sa u përkiste veprimtarive taktike dhe propagandistike të KONARE-së. Kosovarët insistonin për një veprim më të vendosur në Kosovë, të cilën e llogaritnin si bazë më e rëndësishme momentale. Pas një kohe të shkurtër, KONARE dhe Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës e hoqën nga rendi i ditës çështjen e kryengritjes dhe, ata gradualisht filluan të kalojnë kah veprimtaria e organizuar ilegale e cila kërkonte më shumë kohë.
Mirëpo, në pranverë të vitit 1926, këto përçarje rezultuan me shkëputjen nga KONARE dhe formimi i “Organizatës Revolucionare të Kosovës” (“Komitetit të Kosovës”) në krye me Bedri Pejanin, por Komiteti vazhdoi të mbajë kontakt me KONARE-n. Objektivi parësor i Komitetit të Kosovës ishte çlirimi i Kosovës, ndaj dhe qendrën e veprimtarisë së vet e barti në Kosovë.18 Komitetit i Kosovës që në pranverë të vitit 1926 shumë shpejt arriti të ketë ndikim të konsiderueshëm në regjionin e Kosovës. Brenda një afati shumë të shkurtër Komiteti krijoj degët e tij mbi parimin e formës së grupeve të armatosura (çetave/guerile), si: në Gjakovë, Prizren, Krasniqe, Lumë, Jeni Pazar, Gostivar, Rugovë, Has, Mërtur etj. Kryetar të degëve të Komitetit të Kosovës njëherazi ishin prijësit (kryetarët) e çetave. Asokohe numri i përgjithshëm i anëtarëve të degëve/çetave sillej rreth 500 veta/anëtarë. Por, organizimi dhe strukturimi në këtë formë i Komitetit të Kosovës; në degë/çeta shoqërohej me mangësi shumë të madhe, nga të cilat ishte dhe disiplina jo fort e lartë e tyre. Vullneti i çetave ishte që sa më parë, pa ndonjë analizë gjithëpërfshirëse, të hyjë në betejë me forcat kundërshtare, siç ishte dhe pjesëmarrja e një pjese të tyre në mënyrë stihike në Kryengritjen e Dukagjinit, nëntor 1926, pa mos pritur direktivë nga qendra e tyre. Ndaj dhe Komiteti i Kosovës ishte i detyruar të punojë më shumë me këto grupe, për edukimin e tyre elementar politik, mirëpo Komiteti kishte në dispozicion shumë pak persona/kuadro të përgatitura për një veprimtari të tillë politike. Pavarësisht vështirësive në të cilat haste Komiteti i Kosovës, tani ai më ishte ngritur në fuqi autoritative në sy të popullatës vendase. Ai (Komiteti) vazhdonte të qëndrojë në pozita kundër regjimit të Mbretërisë SKS, por pak nga pak mësoi t’i shfrytëzojë dhe mundësitë e veprimtarisë politike legale në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene/Jugosllavisë.
Nga ana tjetër edhe serbët e vlerësonin ndikimin e Komitetit të Kosovës në radhët e popullatës dhe të qarqeve të caktuara, ndaj dhe jo njëherë tentuan që ta përdorin atë në lojërat e veta politike të ndryshme kundër A. Zogut dhe kundër italianëve.19 Gjithashtu, edhe italianët vepruan njëlloj për t’i kthyer kosovarët kundër serbëve. Mirëpo, kosovarët të mësuar nga përvoja përkatëse e deriatëhershme, nuk ranë në gracka të tilla, me përjashtim të Hasan Prishtinës i cili i vetmi kaloi te italianët.20 Është me interes se nga fundi i gushtit 1926 në Gjermani pati një takim të Hasan Prishtinës me Fan Nolin, e pastaj Hasani më 6 shtator 1926 u kthye rishtas në Vjenë, nga këtu do të udhëtojë për në Zarë.21
Gjithashtu asokohe edhe KONARE e shtriu ndikimin e vet në Shqipëri, nëpërmjet të sistemit të tresheve nëpër qytete të ndryshme (Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë, Durrës, Shkodër).22 Konaristët dhe kosovarët kishin vënë kontakt edhe me shqiptarët “e asimiluar” në Greqi.23
Kryengritja e Dukagjinit, në Shqipërinë e Veriut, nëntor të vitit 1926, e cila thuajse filloi papritmas, i befasoi si Komitetin e Kosovës ashtu dhe KONARE-n. Në kryengritje qenë përfshirë në mënyrë stihike grupe minore të parëndësishme të kosovarëve edhe disa konaristë. Por, kryengritja u përdor nga Italia dhe si një instrument presioni ndaj qeverisë shqiptare në arritjen e paktit italo-shqiptar (pakti i parë, nëntor 1926), që i detyroi konaristët dhe kosovarët që t’i vënë gishtin kokës dhe ta ndërrojnë taktikën e luftës/veprimtarisë së tyre për të mos u ndihmuar me veprimtarinë e tyre armiqve të jashtëm të Shqipërisë.
Më 24 prill 1927, KONARE dhe Komiteti i Kosovës dolën me një deklaratë të përbashkët drejtuar popullit shqiptar. Deklarata qe nënshkruar nga Fan Noli, Lano Borshi, dr. Omer Nishani, Kostë (Konstandin) Boshnjaku, dr. Nush Bushati dhe kapiten Azis Çami, për Komitetin e Çlirimit Nacional (KONARE), kurse për Komitetin e Çlirimit të Kosovës (për herë të parë shfaqet me këtë emër) kanë nënshkruar Bedri Pejani, Qamil Bala dhe dr. Ibrahim Jakova. Me këtë Deklaratë jo vetëm që paraqitet gjerësisht historia dhe gjendja politike e shqiptarëve, por dhe përfundimisht unifikoheshin qëndrimet e tyre për shumë çështje më të rëndësishme, të cilat më parë ishin kontestuese dhe të padefinuara. Opsioni i përbashkët politik i këtyre dy organizatave ishte çlirimi dhe bashkimi i popullit shqiptar në një shtet shqiptar i cili do ishte anëtar i Federatës Ballkanike.
Marrëveshja e këtyre dy organizatave rezultoi dhe me spastrim e natyrshëm të radhëve të tyre nga element të ndryshëm opurtinist, të papërgatitur etj., me qëndrime të ndryshme rreth çështjeve të rëndësishme politike e kombëtare. Në vitin 1927 nga KONARE u larguan Koculi, Mustafa Kruja, Tromara, si dhe Hasan Prishtina për shkak të italofilizmit të tij. Spastrimi i radhëve si duket rezultoi me pak përforcim të radhëve të KONARE-së dhe të Komitetit të Çlirimin të Kosovës.24 Tani në plan të parë ishte çështja e Kosovës, bëheshin përpjekje për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës dhe në përgjithësi ndaj çështjes shqiptare. Në këtë kuadër, ishin intervistat dhe artikujt e shumtë të drejtuesve të Komitetit të Çlirimit të Kosovës dhe të Komitetit të Çlirimit Nacional (KONARE), si: Bedri Pejani, Ibrahim Jakova, Qamil Bala, Fan Noli, Kostë (Konstandin) Boshnjaku etj.25
Por kundër unifikimit të faktorit politik shqiptar rreth interesave kombëtare shqiptare u ngrit Kominterna. Në vitin 1928 Seksioni Ballkanik i Kominternës, në bazë të vendimeve të marra në mbledhjen e vet më 2 maj 1928, Komitetit të Kosovës i sugjeronte: Pa impenjimin sovjetik mos ta pranonte propozimin e organizatës Bashkimi Kombëtar për paraqitje të përbashkët gjatë këtij viti kundër qeverisë së Ahmet Zogut; Të forcohej agjitacioni në radhët e popullit shqiptar mbi bazë të qëllimeve të platformës politike që ishin pavarësi kombëtare dhe zbatimi i reformës agrare. Të pengohej veprimtaria e Bashkimit Kombëtar dhe KONARES. Në rast të shpërthimit të ndonjë kryengritje në Shqipëri Komiteti të implikohej maksimalisht në zbatim të programit të vet etj.26
KTHIMI NË SHQIPËRI DHE RIORGANIZIMI (1930 – 1936)
Pas shpalljes së Mbretërisë Shqiptare në vitin 1928, në radhët e Komitetit të Çlirimit të Kosovës në emigrim, filloi të shfaqet ideja për t’u kthyer në Shqipëri.27 Kundër kësaj ideje ishte KONARE, e cila në Konferencën e saj të mbajtur nga 22 shkurt e deri në 7 mars 1930 në Berlin, vlerësonte se bashkëpunimi i Komitetit të Kosovës me A Zogun dha rezultate të këqija dhe rrezikonte që Komiteti të shndërrohej në instrument në duart e Ahmet Zogut. Ndaj dhe qe vendosur që KONARE nëpërmjet shtypit të zhvillojë një fushatë për t’ia sqaruar opinionit se “Komiteti i Kosovës është organizatë e pavarur”/ e veçantë dhe vepron si e tillë.28
Megjithatë, afrimi dhe bashkëpunimi i Zogut me emigracionin kosovar, si dhe qëndrimi bashkëpunues i tij ndaj Kosovës, duket se ka rezultuar me një marrëveshje të fshehtë bashkëpunimi të mbretit të shqiptarëve Zogu me Komitetin e Kosovës dhe, me zhvendosjen e selisë së Komitetit në Shqipëri.29 Por zhvendosja e Komitetit të Kosovës në Shqipëri nuk qe bërë pa ndërlikimin e Kominternës. Kështu, në vitin 1930 Komiteti Revolucionar i Berlinit, Seksioni i Kominternës, e dërgoi në Shqipëri Bedri Pejanin, që të punojë për vënien e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik, si dhe për formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Sipas Bedri Pejanit kjo part (PKSH) u formua gjatë viteve 1930-1931. Do theksuar se për të fshehur qëllimet e vërteta të shkuarjes së Bedri Pejanit në Shqipëri, propaganda komuniste trumbetonte se ai ishte shitur te Ahmet Zogu.30 Pos, Bedri Pejanit në Shqipëri qe kthyer dhe Ali Kelmendi me instruksione dhe detyra të marra nga Seksioni Ballkanik i Kominternës, por dhe Ibrahim Jakova, Asllan Beja, Loro Gazlluri etj. Kthimi i një pjese të emigracionit politik shqiptar në Shqipëri qe vlerësuar edhe si likuidim i Komitetit të Çlirimit të Kosovës.31
Në qershor të vitit 1930, sipas Ministrisë së Jashtme jugosllave, Mbreti Zogu kishte shprehur gatishmëri për riorganizimin e Komitetit të Kosovës, i cili do të ndahej në dy komitete dhe atë: Komiteti kryesor do të jetë me seli në Tiranë dhe Komiteti i dytë do të jetë me seli në Vjenë në krye të të cilit do ishte Hasan Prishtina të cilin nuk e konsideronte për armik. Gjithashtu, Mbreti Zogu i ftonte të gjithë emigrantët të kthehen në Shqipëri dhe të punojnë në interes të Atdheut.32
Që nga fillimi i vitit 1931, Komiteti i Kosovës veç më “ekziston në Shqipëri”, për këtë ishte në dijeni dhe Ministria jugosllave e Punëve të Jashtme. Mbi bazë të analizës së vet, 1 prill 1931, kjo ministri i njoftoi legatat jugosllave në Parisë, në Londër dhe Delegacionin e Përhershëm pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, se qëllimi i kthimit të Komitetit të Kosovës është “përgatitja e çlirimit dhe e bashkimit të të gjithë shqiptarëve…” Për arritjen e këtij qëllimi Komiteti i Kosovës kishte hartuar një “PLAN PUNE” të veprimit të faktorit shqiptar në botë, në Jugosllavi dhe në Shqipëri, dhe atë:
-Në botën e jashtme: Të ndërmerret aksioni agjitacioni/propagandimi në botën e jashtme për revidimin e Traktatit të paqes (Versajit); për të drejtën etnike dhe historike të shqiptarëve për Kosovën; të akuzohet Mbretëria jugosllave para Evropës për moszbatimin e Traktatit mbi pakicatë/minoritet, si dhe për zhdukjen fizike të elementit shqiptar dhe kolonizimin e trevave shqiptare me element joshqiptar.
– Në Jugosllavi: Të bëhet agjitacion ndër shqiptarë për dashuri ndaj Shqipërisë; për forcimin/ngritjen e vetëdijes kombëtare; për forcimin e besimit ndër shqiptarët për çlirimin e shpejtë; të zhvillohet veprimtari antijugosllave në të gjitha fushat.
– Në Shqipëri: Të veprohet për përhapjen dhe zhvillimin e irridentës shqiptare; mbështetje për emigrantët; forcimi ushtarak i Shqipërisë; propagandë dhe angazhim për aleancë me Italinë dhe me Bullgarinë.
Mbështetje morale e materiale për arritjen e këtyre qëllimeve jepnin Shqipëria, Italia dhe sipas të dhënave të paverifikuara edhe Bullgaria, Rusia Sovjetike dhe ”muratorët e Lirë”.33
Në vitet 1930-1933 Komiteti i Kosovës vepronte aktivisht, në bashkëpunim me figura të tjera drejtuese publike të lëvizjes kosovare dhe me rrymën e quajtur “irridenta kosovare prozogiste”. Saqë legata italiane në Vjenë në vitin 1934 Komitetin e Kosovës e vlerësonte si “organizata më e shquar e brendshme revolucionare”.34
Nga fillimi i gushtit të vitit 1934 burimet dokumentare jugosllave njoftojnë se tani më Komiteti i Kosovës ekzistonte jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Jugosllavi. Si duket tani Komiteti i Kosovës ishte organizuar në dy komitete në Shqipëri e Jugosllavi, sipas projektit të Mbretit Zogu, të qershorit të vitit 1930. Ndërkaq, gjatë viteve 1934 – 1936 Mbreti Ahmet Zogu Komitetin e Kosovës e administronte me anë të instruksioneve që i jepte nëpërmjet të Beqir Rexhës, kapiten i xhandarmerisë shqiptare, me origjinë nga Kërrnjina e Burimit (Istogut), i cili për momentin llogaritej si njeriu më i besuar i tij.35 Figurat kryesore në Komitetin e Kosovës, dhe mbase ato të cilët përbënin kryesinë e re të tij në periudhën nga viti 1934 e deri në prill të vitit 1939, ishin: Sali Vuçiterni, ish-ministër i qeverisë së parë mbretërore, Ismet bej Kryeziu, ish-deputet në parlamentin e Mbretërisë SKS dhe një person i besueshëm i Oborrit mbretëror shqiptar, dhe Bedri bej Pejani.36 Në vitin 1936 Bedri Pejani lider shumëvjeçar i Komitetit të Kosovës, ndodhej në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, i cili ishte jo fort i dëshirueshëm për Romën dhe Bullgarinë. Për kohën e nënshkrimit të Paktit italo-shqiptar (19 mars 1936) pushteti për hir të Italisë e largoi për një kohë Pejanin nga Tirana dhe e izoloi, do të thotë nuk e arrestoi, në një hotel në Berat, por nga mesi i qershorit ai sërish u kthye në Tiranë.37
Burimet ushtarake jugosllave që nga janari – prilli i vitit 1936 bëjnë fjalë rreth përpjekjeve për riorganizimin e Komitetit të Kosovës në Vlorë, me kryetar Sali Hoxhën Vuçiterrnin, nënkryetar Arilla nga Ohri, Sekretar Jusuf Beshiri, anëtarë: Abdurrahman Krosi, Rexhep Jella, Hysen bej Selmani, Kadri efendiu nga Gjakova. Gjithashtu bëhet fjalë dhe për aktivitetin për forcimin e propagandës shqiptare dhe ndërmarrjen e ndonjë aksioni të kaçakëve në të ashtuquajturën “Serbia e Jugut”.38 Mirëpo, përfaqësuesi ushtarak jugosllav në Tiranë, në një raport të tij më 10 maj 1936 mohon kategorikisht se është kryer riorganizimi dhe zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Komitetit të Kosovës, por pohon se është e mundur që personat e përmendur të jenë anëtarë të Komitetit të Kosovës.39
Mirëpo, lidhur me këtë, legati bullgar në Shqipëri J. Peev, në një raport të datës 29 nëntor 1936, drejtuar ministrit të jashtëm bullgar, njofton se në qershor të vitit 1936 Sali Hoxha Vuçiterrni ishte zgjedhur kryetar i Komitetit të Kosovës, të cilin e karakterizon si i besuar i Mbretit Zogu. Është indikative se zgjedhja/emërimi i Sali Vuçiterrnës ndodhi në kohën e izolimit në Berat të Bedri Pejanit. Peevi, Komitetin e Kosovës e karakterizonte si gjysmëlegal, gjysmëkonspirativ.40
Si duket, pas riorganizimit të Komitetit të Kosovës filloi dhe riorganizimi dhe riaktivizimi i çetave kaçake (guerile). Në shtator të vitit 1936, burimet arkivale serbe bënin fjalë dhe për formimin e çetave kaçake në Mbretërinë Shqiptare. Një çetë e tillë prej 25 vetash kaloi kufirin shtetëror shqiptaro-jugosllav dhe bëri një aksion të armatosur në fshatin Duf të Rekës së Dibrës.41
Shkup, 19 Mars 2018
__________________________
Literatura e shfrytëzuar:
1 .) Универзитет „Св. Кирил и Методиј„, Правен Факултетр„Јусинијан Први„ Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга II, 672-1432, Скопје, 2008, (në vazhdim: Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга II.672-1432…, dok. nr. 300, f. 959.
2.) Me emrin/nocionin “Kosovë”, nënkuptohet trevatë shqiptare nën sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, përkatësisht jugosllave, kurse me emrin/nocionin “kosovar” nënkuptohet pjesa e popullit shqiptar nën sundimin e Mbretërisë Serbe-Kroato- Slloven.
3.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век, Составувачи: проф. Ленина Жила, Владо Поповски, Свети Николе: Мѓународен центар за славјанска просвета, 2012, (në vazhdim: Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…),dok. nr. 25, f. 59 dhe dok. nr. 140, f. 291.
4.) Државен архив на Република Македонија, Италијански дипломатски документи за Македонија, том I, книга 2, 1925-1927, Избор, превод, вовед и редакција Аленка Лапе, Скопје, 200)5, ( në vazhdim: Италијански дипломатски документи за Македонија, том I, книга 2, 1925-1927….), dok. Nr. 144, f. 417; Nr. 144, fq. 417.
5.) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës në bashkëpunim me organizatat e tjera politike (1925-1939), në: Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, (Përmbledhje kumtesash), Tiranë, 2004, (në vazhdim: Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…), fq. 131; Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 293; Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940) , Документи, Книга II, 672-1432…, dok. nr. 300, f. 957-976; Италијански дипломатски документи за Македонија, том I, книга 2…, dok. Nr. 30, f. 166-167; Државен архив на Република Македонија (në vazhdim: ДАРМ), Фонд (në vazhdim: Ф.) Архив Војно историски институт (në vazhdim: АВИИ, Микрофилм (në vazhdim: M) 349, Beograd, 11 maja 1952 godine, Shqipëria në periudhën midis dy luftrave.
6,) ДАРМ, Ф. АВИИ. Ðœ. 349, Beograd, 11 maja 1952 godine, Shqipëria në periudhën midis dy luftërave.
7.) Dr. Tahir Abdyli, Hasan Prishtina, Prishtinë, 1990, f. 268.
8.) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., f. 133; Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 293.
9.) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., f. 133-134.
10.) Италијански дипломатски документи за Македонија, том I, книга 2…., dok. Nr. 48, f. 194-195.
11.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 293; Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга II 672 1432…, dok. nr. 300, f. 963;Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., fq. 132; Historia e poullit shqiptar, III, Tiranë, 2007, 277.
12.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 299; Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга II, 672 1432…, dok. nr. 300, f. 967-988; Historia e popullit shqiptar, III, Tiranë, 2007, fq. 278.
13.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век..,.dok. nr. 140, f. 293; Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга III, 6721432…, dok. nr. 300, f. 963.
14,) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…, fq. 131-132.
15.) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., fq. 135.
16.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 293 dhe 295;
17.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 295-297.
18.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 295; Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга II, 6721432…, dok. nr. 300, f. 963, 967; Historia e poullit shqiptar, III, Tiranë, 2007, fq. 277.
19.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 197; Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга III, 6721432…, dok. nr. 300, f. 976.
20.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 299.
21.) Hasan Prishtina (Përmbledhje dokumentesh), 1918-1934, Përgatitur nga Kujtim Nuro dhe Neszir Bato, Tiranë, dok. Nr. 123, f. 165166..
22.) Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга II, 6721432…, dok. nr. 300, f. 976.
23.) Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга II, 6721432…, dok. nr. 300, f. 975.
24.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. nr. 140, f. 295; Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга II, 6721432…, dok. nr. 30o, f. 928; Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., fq. 137-139.
25.) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., fq. 140-141..
26.) Македонското прашање во советската надворешна политика (1922-1940), Документи, Книга III, 6721432…, dok. nr. 309, f. 1005.
27.) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., fq. 143.
28.) Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. “prilog”/(kontribut. nr. 2, f. 343, 345.
29.) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., fq. 143-144;
30.) Dr. Hakif Bajrami, Bedri Pejani, Një jetë dhe një vdekje për Shqipërinë etnike (1885-1946), Prishtinë, 1994, f. 63; Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. prilog 1 Nr. 1, 341.
31.) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., fq. 143-144; Советско-Албанските односи во 20-тите и 30-тите години на XX век…, dok. prilog (kontribut) 1 Nr. 1, 341; “prilog” nr. 2, f. 343, 345.
32.) Dr. Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente), Prishtinë, 1996, fq. 105.
33.) Dr. Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi,… , fq. 113
34.) Prof as. Dr. Fatmira Rama, Komiteti i Kosovës…., fq. 147.
35.) Arhiv Vojnoistorijskog instituta, Beograd (në vazhdim: AVII), popisnik XVII, kut. 95-A, fasc. 2, dok. br. 1, list 29, За досије: Косовски комитет, У Београду, 10 и 12.о8.1934 год.
36.) AИНИ, Скопје, Ф. Главен генералштаб (në vazhdim: ГГШ), Кутија (К.) XXXVI/7, Ред, бр. 741, Стр. Пов.Ђ. Бр. 1699, у Београду, 23.10.1937, Raport tremujor (korrik, gusht, shtator 1937) mbi veprimtarinë e Komitetit Maqedonas, të Kosovës dhe atij Kroat, fq. 10
37.) Централен държавен архив (në vazhdim: ЦДА), София, Фонд (në vazhdim: Ф.) 325K. 1. 73., Legati bullgar, mistrit të jashtëm bullgar, Tiranë. 26. Qershor 1936, Rezervat.
38.) ДАРМ, Скопје, Ф. АВИИ, Ðœ. 346, Пов. Ђ. Об. Бр. 2624, 29,1.1936 год. Београд, Shkresë e Zyrës së informimit të Shtabit të Përgjithshëm në Beograd; Po aty, Ðœ. 346, Пов. Ђ. Об. Бр. 4403,4.o4. 1936, у Београду.
39.) ДАРМ, Скопје, Ф. АВИИ, М. 346, Пов. Бр. 95, 10 maj 1936, у Тирани.
40.) ЦДА, София, Ф.325K.1.158.200-201, J Peev, ministrit të jashëm bullgarë, Tiranë, 21 nëntor 1936, Rezervat; Po aty, Ф.325K.1.157.214; Po aty, Ф.325K.1.158.218-224, J Peev, ministrit të jashëm bullgarë, Tiranë, 22 qershor 1936, Rezervat; Po aty, Ф.325, K. 1. 73., Legati bullgar, mistrit të jashtëm bullgar, Tiranë. 26. Qershor 1936, Rezervat ; Prof. dr. Pajazit Nushi, Në vend të parathënies, në veprën e Hakif Bajramit, “Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi” (Dokumente), Prishtinë, 1996, fq. 34.
41.) ДAРM.Ф. АВИИ. М.346. Пов. Бр.320.29 Септембра 1936 год. у Тирани.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura