Shkup, 11. 11. 2016: Dr. Qerim Lita, deri më tani ka publikuar një mori artikujsh me karakter; studimor, publicistik, fejtone e disa monografi, si dhe pesë përmbledhje me dokumente arkivore. Tani para opinionit paraqitet me përmbledhje të re dokumentesh, e gjashta me radhë në numër, me titull: Tokat e Liruara (1941-1944), Shkup, 2016, botues Logos A në Shkup, e që është objekt i këtij promovimi.
Fillimisht, për të kuptuar rendësin e botimit të kë kësaj përmbledhje me dokumente, duhet përkujtuar shkurt rëndësinë e vetë dokumenteve historike për historiografinë, gjegjësisht për shkencën e historisë, e cila për studimin e të kaluarës së shoqërisë njerëzore në veçanti iu referohet dhe mbështetet në burimet historike. Ndaj dhe një nga detyrat kryesore të historiografisë është gjurmimi permanent i burimeve të reja dhe shtimi i radhëve të llojeve të tyre. Pra, burimet historike përbëjnë bazën e punës shkencore të historianit, sepse vetëm mbi bazë të fakteve dhe argumenteve që u referohen atyre ai mund të kontribuon në avancimin e mendimit shkencorë për çështje dhe segmente të veçanta të një ngjarje, fenomeni apo procesi të caktuar historik.
Me një fjalë, burimet historike për historianin janë rruga për të arritur deri te faktet historike, ndërkaq faktet historike janë pjesë e patejkalueshme për hartimin e një vepre historike, Ata (faktet historike) vërtetohen mbi bazë të të dhënave më të rëndësishme që hasen në burime historike të dorës së parë (primare). Shkolla faktografike (e Rankes) historiografike lidhur me faktet mban qëndrimin që lexuesit të i mundësohet që vetë të nxjerrë përfundime në bazë të fakteve të radhitura.
Në këtë prizëm duhet vlerësuar edhe përmbledhjen me dokumente historike arkivore me titull: Tokat e Liruara (1941-1944). Përzgjedhjen e dokumenteve, përkthimin dhe redaktimin e tyre i ka bërë vetë dr. Qerimi. Në këtë përmbledhje publikohen në mënyrë integrale gjithsej 867 dokumente arkivore, të cilët ruhen në origjinal kryesisht në Arkivin Qendror të Shqipërisë, në Tiranë dhe një pjesë në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë (FYROM), në Shkup. Lënda arkivale e publikuar në këtë Përmbledhja është mbarështuar në katër vëllime që së bashku numërojnë gjithsej 1543 faqe.
Ndërkaq dokumentet arkivore në përmbledhje janë radhitur në mënyrë kronologjike dhe atë tematike të numëruar me numra arab, por dhe të përcjell me sqarime të nevojshme në referenca përkatëse. Do theksuar se kjo përmbledhje dokumentesh është titulluar: “Tokat e Liruara” për dy arsye, dhe atë: E para, nga se pjesa dërmuese e dokumenteve të prezantuara këtu ruhen në Arkivin Qendror të Shqipërisë, në Fondin po me të njëjtin emër: “Tokat e Liruara”, por dhe për arsyen tjetër se këto dokumente u dedikohen një pjese të tokave etnike shqiptare të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore u bënë pjesë integrale e Shqipërisë politike të atëhershme dhe të emërtuara po ashtu: “Tokat e Liruara”.
Dokumentet e publikuara në tre vëllimet e para hedhin dritë mbi zhvillimet shoqërore, politike, ekonomike e kombëtare, kurse në vëllimin e katërt mbi zhvillimet arsimore, kulturore në Tokat e Liruara në harkun kohor midis viteve 1941-1944. Kështu, në tre vëllimet e para hasim të dhëna në lidhje me “Kufijt e Shqipnis Ethnike”, dhe atë: mbi gjendjen politike dhe ekonomike në Tokat e Liruara; për krijimin e Administratës të Ekonomisë Kombëtare në këto toka; mbi emërimet dhe politikën e kuadrove në institucionet shtetërore në Tokat e Liruara; rreth krimeve bullgare mbi popullsinë shqiptare në krahinat e pushtuara por dhe në zonat në të dy krahët për rreth vijës kufitare; pasta mbi çështje të organizimit fetar në Tokat e Liruara, pasurisë së tundshme e të patundshme të institucioneve fetare në veçanti të Teqesë bektashiane Harabati Baba, në Tetovë, dhe administrimit të saj; rreth çështjeve agrare e të kolonizimit nga ish regjimi serb; hapjes së gjykatave në Tokat e Liruara; pastaj mbi veprimtarinë kulturore të seksioneve, shtypit dhe propagandës në Tokat e Liruara; mbi politikat e arsimit kombëtar në Tokat e Liruara; rreth organizimit të regjistrimit të popullsisë në territorin në Tokat e Liruara; mbi organizimin dhe propagandën komuniste; mbi realizimin e politikës kombëtare të Qeverisë Shqiptare; për shkaqet e shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga Zona pushtuese bullgare; mbi veprimet e çetës vullnetare të Xhemë Gostivarit dhe përpjekjeve të tij me bandat partizane prill 1943; relacionet midis komunistëve shqiptar e jugosllav në vitin 1943; mbi misionin e Svetozar Vukmanoviq –Tempo në Shqipëri e më gjerë; mbi operacionet e fuqive komuniste jugosllave për pushtimin e Trevave Lindore Shqiptare gjatë nëntorit të vitit 1944 dhe qëndresës së shqiptarëve; mbi format e terrorit të fuqive partizane mbi popullatën civile shqiptare pas pushtimit etj.
Ndërkaq, vëllimi i katërt i tëri i kushtohet ngritjes së sistemit arsimorë fillor e të mesëm në Tokat e Liruara, që për Trevat Lindore shqiptare ky sistem arsimor deri më sot paraqet të vetmen periudhë kohore kur rinia shkollore e këtyre trevave qe përfshirë në një sistem arsimor kombëtar shqiptarë, e jo shqip si ato të më vonshmit dhe sot. Ashtu që në këtë vëllim hasim një mori të dhënash historike, mbi: gjendjen kulturore e arsimore të shqiptarëve në Tokat e Liruara, përkatësisht mbi numrin e pakt të kuadrove vendore me arsim të mesëm e të lartë për shkak të politikës arsimore e kulturore serbe/jugosllave kundër shqiptare e zbatuar në mënyrë speciale ndaj shqiptarëve; pastaj mbi hartimin e listave të mësueseve nga mbarë Shqipëria politike dhe angazhimit të tyre në përhapjen e dritës së diturisë në Prefekturën e Dibrës e në prefekturat tjera; mbi ngritjen e rrjetit arsimor fillor e të mesëm në vitin 1941 e në vazhdim; mbi veprimtarinë e “Inspektorisë së Arsimit” në Dibër e cila mbulonte prefekturën e Dibrës dhe të “Drejtorive Didaktive” në rrethet (nënprefekturat) e Dibrës, Gostivarit, Kërçovës etj.; lidhur me vështirësitë që shfaqeshin për sigurimin e numrit të nevojshëm të mësuesve; por dhe mbi entuziazmin e popullatës shqiptare për hapjen e shkollave kombëtare shqiptare në prefekturën e Dibrës, e manifestuar edhe me “mikpritjen shqiptarçe” të mësuesve, si p.sh. gëzimi dhe emocionet e shfaqura në raste të tilla ndër shqiptarët e të dy besimeve fetare, të Rekës së Madhe (Sipërme) të Dibrës për hapjen e shkollave kombëtare, e që të gjitha këto përshkruhen në mënyrë autentike nga një veprimtarë nga më të shquarit në këtë fushë Peter Elezit, në gazetën e kohës “KOSOVA”.
Si përfundim, mendoj se prurja e këtyre dokumenteve në sasi të këtillë është me shumë rëndësi për historinë tonë, për faktin se historianët e këtij krahu pak kanë pasur qasje në lëndën arkivore të proveniencës shqiptare. Andaj tani është krijuar dhe një mundësi për studiuesit që në këtë përmbledhje dokumentesh të gjejnë një informacion të pasur dhe në shumë raste krejt të ri për çështje konkrete historike, që në analizat shkencore do të iu shërbej si referencë serioze në ballafaqimin e fakteve historike të proveniencave të ndryshme, për të dalë në konkluzione të drejta objektive historiografie.
Në fund duhet shtuar se nivelin e kësaj vepre e shton dhe përgatitja e lartë teknike nga ana e botuesit.
Prof. dr. Halim PURELLKU, Shkup – 30.10.2016,Shkup