PROF.DR.MARIGLEN VERLI: POLITIKAT EKONOMIKE GREKO-SERBE PËR SHKOMBËTARIZIMIN E KOSOVËS DHE ҪAMËRISË PAS VITIT 1913

Tiranë, 31. 07. 2013 – Në përpjekjet për thyerjen, gjunjëzimin e më tej asimilimin e popujve të tjerë dhe për shkombëtarizimin e trojeve të huaja, pushtuesit kudo dhe kurdoherë kanë përdorur fort armën ekonomike. Këtë kanë bërë edhe pushtuesit serbë e grekë në trevat shqiptare. Vetëm në 120-130 vitet e fundit, sulmi ekonomik mbi popullsinë shqiptare në trevat që u bënë objekt i ekspansionit dhe pasi u aneksuan nga Serbia dhe Greqia, u bënë përpjekje për t’i spastruar etnikisht, është përsëritur disa herë. Shpronësimet kolektive në Kosovë nga princi i Serbisë, Obrenoviç
Në vitin 1878 princi i Serbisë Millan Obrenoviçi, pasi aneksoi Sanxhakun e Nishit, shpronësoi tokën dhe pasuritë e rreth 100 mijë shqiptarëve, të cilët i pati dëbuar me zjarr e hekur prej trojeve të veta. Ato kaluan gradualisht në duart e kolonëve serbë. Fat të ngjashëm patën edhe shumë prona të shqiptarëve në viset e aneksuara në këtë kohë nga Mali i Zi. Shpronësime kolektive të shqiptarëve myslimanë që u gjendën në viset e përfituara nga Greqia, sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, kryen edhe qarqet drejtuese të Athinës.
Lufta Ballkanike në fillim të dekadës së dytë të shek.XX e zhvendosi teatrin e veprimeve më në thellësi të trevave shqiptare. Kosova dhe vise të tjera shqiptare veriperëndimore dhe lindore ranë rishtaz në duart e Serbisë dhe të Malit të Zi. Kurse Greqia okupoi Çamërinë dhe viset e tjera jugore e juglindore.
Shumë shpejt qysh në pranverën e vitit 1914, regjimet pushtuese të krajlëve Peter Karagjeorgjeviç dhe Nikolla Njegosh nxituan të ligjëronin dhe institucionalizonin shpronësimin e popullsisë vendase shqiptare në interes të kolonëve të ardhur serbë e malazezë.
Mbreti i ri i Greqisë Kostandini, i cili mori pushtetin në marsin e vitit 1913, pas vdekjes së të atit, Georgit I, bënte ndërkohë përpjekje të ethshme për inskenimin e të ashtuquajturës “Lëvizje autonomiste Vorioepirote”, për të lehtësuar aneksimin e krahinave të tjera shqiptare, të Korçës dhe Gjirokastrës, të cilat Fuqitë e Mëdha ia kishin njohur Shqipërisë. Por njëherësh edhe ai i kushtoi kujdes të veçantë projektimit të transformimeve pronësore në viset shqiptare që sipas vendimit të Konferencës së Londrës mbetën brenda kufijve të Greqisë.

Golgota çame 1913 …

Kur nisi shpronësimi në Çamëri
Shpronësimi agrar i shqiptarëve dhe vendosja në tokën e tyre e kolonëve grekë, sikurse në Kosovë, u nxit dhe filloi arbitrarisht menjëherë pas Luftërave Ballkanike. Mbështetur në një nen të Kushtetutës së vitit 1911, që krijonte shteg për goditjen e pronarëve të mëdhenj të tokës, në kazatë e Filatit, Paramithisë dhe Margëlliçit u shpronësuan 16 çifligje të familjeve të mëdha të Dematëve, Sejkove, Çaparenjve, Dinenjve etj.
Si u përvetësua gjysma e tokës në Kosovë
Procesi i shpronësimit të shqiptarëve i ndërprerë përkohësisht nga Lufta e Parë Botërore, u ripërtëri në një shkallë edhe më të lartë pas saj. Në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene (e cila pas vitit 1929 u quajt zyrtarisht Mbretëria Jugosllave), të porsakrijuar më 1 dhjetor 1918 nën drejtimin e dinastisë së Karagjeorgjeviçëve, në krahasim me vitet 1913-1915 kishte ndryshuar vetëm radha e veprimeve. Ndërsa më parë, në rrethanat e turbullta të luftërave të njëpasnjëshme (Lufta I Ballkanike, Lufta II Ballkanike, Lufta I Botërore) shpërngulja i pati paraprirë shpronësimit, në kushtet e reja të pasluftës botërore, kur faktori ndërkombëtar ishte më i vëmendshëm, dhe një sërë traktatesh ishin nënshkruar, shpronësimi që mund të justifikohej me reforma sociale, sikurse ishte reforma agrare doli në krye.
Gjatë 22 vjetëve të ekzistencës së Jugosllavisë monarkike në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare të aneksuara, kryesisht nëpërmjet të ashtuquajturës reformë agrare, iu shpronësuan popullsisë shqiptare rreth 381 000 hektarë tokë nga të cilat 280 000 ha në viset etnike shqiptare. Vetëm në Kosovë u shpronësuan gjatë kësaj kohe afro 200 mijë hektarë, ose më tepër se gjysma e tokës së saj bujqësore. Madje gati 3/4 e kësaj sipërfaqeje i përkiste fshatarësisë shqiptare, në formën private ose kolektive të pronësisë, dhe vetëm 1/4 kishte qenë tokë çifligjesh për të cilën formulohej një arsyetim ligjor me argumente sociale.
Llogaritet se deri në vitin 1941 rreth gjysma e popullsisë shqiptare në Jugosllavi, prej 800-900 mijë banorësh, kishte pësuar drejtpërsëdrejti nga goditja ekonomike që i dha pushteti serb nëpërmjet një reforme agrare specifike, që përcaktohej nga projekti i kolonizimit sllav. Përfituesit, në çdo rast, kuptohet, ishin elementë sllavë, dhe me përparësi, rreth 17 mijë familje kolonësh agrarë ose rreth 70-80 mijë vetë, (rreth 14 mijë familje me mbi 60 mijë vetëm në Kosovë) të sjellë nga Serbia, Mali i Zi dhe vise të tjera sllave të Jugosllavisë, bile edhe nga shtete të tjerë, të cilët me këtë rast përfituan mesatarisht 8,5 ha tokë për familje.
Përveç shpronësimit agrar popullsia shqiptare që jetonte në Kosovë dhe në vise të tjera të aneksuara nga Mbretëria Jugosllave, pësoi edhe goditje të tjera të karakterit ekonomik. Në shumë dokumente të kohës theksoheshin edhe “pengesa në tregti…, suprimimi i koncesioneve … etj.” Shqiptarët bojkotoheshin me gjithfarë mënyrash edhe në marrëdhëniet e ndryshme financiare e të kreditit, ngarkoheshin me gjoba për pretekste nga më absurdet, madje ishin të detyruar të shlyenin taksa e tatime deri 3 herë më të larta në krahasim me serbët etj. Nuk ishin të rralla rastet kur pasurisë së shqiptarëve i vihej zjarri në fshehtësi, ose shkatërrohej nga bandat shoviniste që vepronin me nxitjen dhe nën mbrojtjen e autoriteteve të regjimit.
Terrori grek dhe shpërnguljet masive në Çamëri
Pas Luftës së Parë Botërore, njësoj si në Jugosllavi edhe qarqet e larta të Greqisë ligjëruan plotësisht dhe rifilluan intensivisht politikën e shpronësimit të popullsisë shqiptare. Në vitin 1919 u miratua Ligji nr.2952 dhe më pas një varg aktesh ligjore e nënligjore që legjitimuan veprimtarinë specifike agresive të administratës dhe policisë në fushën e shpronësimeve, shitblerjeve, qeradhënies etj. si pasojë e kësaj politike pronat e shqiptarëve myslimanë bënë objekt shpronësimi dhe toka të parashikuara për kolonizim.
Për këtë qëllim u shfrytëzuan veçanërisht momenti i shkëmbimit të popullsisë me Turqinë, që pasoi luftën greko-turke të viteve 1919-1922. Ndër 350 mijë të ashtuquajturit “turq” të shpërngulur nga Greqia në Turqi (në shkëmbim të 1 200 mijë të krishterëve, kryesisht grekë të larguar nga Azia e Vogël) disa dhjetëra mijë ishin shqiptarë të besimit mysliman. Në viset e tyre parashikohej vendosja e 60 mijë refugjatëve grekë. Agresiviteti i autoriteteve greke ishte aq i madh saqë në fshatrat Nihor, Karbunarë, Draganj, Pjadhul, Gurrës, Luarat, Lopës etj., shqiptarëve myslimanë iu morën jo vetëm tokat bujqësore në pronësi private e kolektive, por edhe kopshtet dhe shtëpitë.
Fakti është tepër domethënës për të treguar synimin e njëjtë shovinist, shkombëtarizues të qarqeve drejtuese të Athinës, aq më tepër po të mbahet parasysh se në trevat e aneksuara nga Greqia që shtriheshin matanë kufirit politik shqiptaro-grek, ndërmjet Prevezës dhe Follorinës, në vitin 1913 jetonin rreth 115 mijë shqiptarë (3/4 myslimanë, 1/4 të krishterë). Vetëm nga viset e Follorinës dhe Kosturit brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke filluar nga viti 1922, u shpronësuan arbitrarisht pa shpërblim rreth 35-40 mijë shqiptarë, të cilët kishin qenë kryesisht banorë të 38 fshatrave mjaft të zhvilluara.
Prej popullsisë shqiptare myslimane u zbrazën edhe qytetet e Janinës, Prevezës, Pargës etj. Këtu më fatlumët arritën para largimit, të shisnin për pak para pasurinë që vlente shumë më tepër. Për gjithë sa ndodhte nuk munguan protestat, por Fuqitë e Mëdha dhe Lidhja e Kombeve nuk ndikuan sa duhet ose nuk qenë në gjendje ta ndalnin këtë eksod të imponuar. Autoritetet greke vetëm në gjysmën e dytë të viteve 30, pasi kishin kryer me dhunë shumë shpronësime dhe një numër të madh shpërnguljesh, kaluan në forma më të buta.
Ndoshta pati kundërthënie edhe në elitën politike greke, sikurse përmendet rasti i kreut të shtetit në vitin 1925-1926, gjeneralit Pangalos me origjinë arianite. Që nga kjo kohë autoritetet greke vepruan më tepër duke nxitur përmes propagandës sistematike dhe kredive, blerjen e pronave të shqiptarëve edhe në ato vise të Çamërisë si Paramithia, Gumenica, Margëlliçi etj., ku kompaktësia dhe qëndresa këmbëngulëse e popullsisë shqiptare i kishte penguar të realizonin projektet e hershme për të finalizuar me një goditje të shpejtë shkombëtarizimin dhe asimilimin e vendit.
Bojkotimi dhe denigrimi i çamëve myslimanë
Në shpejtimin e procesit të shpronësimit dhe shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë nga vendbanimet e tyre të lashta, pa dyshim, luajtën rol dhe kolonët grekë të ardhur gjithë mllef nga Azia e Vogël, ku kishin humbur pronat e tyre.
Autoritetet greke qëllimisht i instaluan ata jo vetëm në vendet nga u larguan turqit, por edhe në viset shqiptare, në shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve myslimanë, për të nxitur konflikte dhe për të mos u lënë atyre tjetër alternativë përveç shpërnguljes. Është domethënës fakti se 12 500 refugjatët e parë grekë të ardhur u instaluan në tokat nga po shpërnguleshin shqiptarët. Sikurse regjimi i Beogradit në Kosovë etj. edhe ai i Athinës, me çdo mjet i denigroi e bojkotoi ekonomikisht shqiptarët myslimanë, madje i terrorizoi ata me gjithfarë mënyrash legale e ilegale për t’ua bërë sa më të vështirë jetën e për t’u ngulitur psikozën e shpërnguljes. Përsa i përket shqiptarëve të krishterë ata nuk u prekën shumë. Ndaj tyre u ndoq politika e prishjes së lidhjeve kombëtare, asimilimit kulturor dhe nxitjes me çdo mjet të urrejtjes fetare.
Strategjia e shpërnguljeve pas Luftës së Dytë Botërore
Pas Luftës së Dytë Botërore arma ekonomike është përdorur sërish kundër shqiptarëve. Qarqe të caktuara drejtuese të Beogradit dhe Athinës, duke huajtur nga paraardhësit arsenalin e mjeteve dhe metodave të sprovuara të spastrimit etnik, i përshtatën ato armë sipas kushteve të reja. Në Jugosllavi fillimisht u bënë përpjekje për të ripërtëritur në trevat shqiptare rezultatet agrare kolonizuese e Karagjeorgjeviçëve.
Fshatarët shqiptarë nuk iu njohën shitblerjet e tokës të kryera gjatë luftës, madje i detyruan të ndërtonin dhe kompletonin me orendi shtëpitë e kolonëve të dëmtuara gjatë viteve të luftës (1941-1944), t’i furnizonin familjet e këtyre me sasi të mëdha produktesh ushqimore, që arrinin në mijëra tonë. Fshatarëve shqiptarë iu rekuizuan gjithashtu edhe mijëra tonë drithë për nevojat e forcave të mëdha ushtarake të dislokuara në viset shqiptare, të cilat vetëm në Kosovë kishin një efektiv prej 40 mijë vetësh.
Përsa i përket Greqisë, aty në vitet 1944-1945, nëpërmjet bandave shoviniste të Napolon Zervës, me zjarr e me hekur, u shpërngulën 25 mijë shqiptarët e fundit myslimanë të Çamërisë. Për të shpëtuar nga vdekja e sigurt ata u detyruan të lënë pronat e pasuritë e të braktisin me dhimbje vatrën amtare dhe të shpërndahen në krahina të ndryshme në brendësi të shtetit shqiptar nga Konispoli, Saranda, Delvina, Berati, Vlora, Fieri e Lushnja, deri në Kavajë, Durrës, Elbasan, Tiranë e gjetiu.
Si u detyruan të shpërngulen një milion shqiptarë të Kosovës
Shqiptarët në Jugosllavi u goditën ekonomikisht edhe në mesin e viteve 50, gjatë aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, pësuan humbje të mëdha materiale edhe gjatë procesit të shpërnguljeve masive me dhunë, që zgjatën deri në mesin e viteve 60 duke përfshirë disa qindra mijë vetë. (Mund të dokumentohet se që nga viti 1877-1878 e deri në vitin 1966 nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi janë detyruar të shpërngulen rreth 1 milion shqiptarë).

Por humbjen më të rëndë ua shkaktoi shqiptarëve politika zyrtare konstante e lënies së qëllimtë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi në prapambetje ekonomike. Investimet gjithnjë të pamjaftueshme, struktura e papërshtatshme e tyre, ngarkesa e madhe me borxhe si dhe dispariteti i imponuar i çmimeve në marrëdhëniet tregtare, përcaktuan dyfishimin e prapambetjes relative të Kosovës në treguesit kryesorë ekonomikë në raport me mesataren federative.
Shpërbërja e Jugosllavisë Federative e gjeti Kosovën me ato degë të ekonomisë, të cilat nuk i siguronin as rentabilitetin e nevojshëm, as zënien me punë të forcave të lira. Kurse viti 1998-1999 e gjeti ekonominë e Kosovës në asfiksi të plotë, të vjedhur e shkatërruar, me një dëm të pallogaritur në afro 20 miliard dollarë, dhe me një popullsi aktive 90% të papunë. Ende asgjë për rikthimin e çamëve në vatrat amtare. Ndërkohë, gjatë viteve të Pasluftës së Dytë Botërore në Greqi, pasi ishte eliminuar gati tërësisht popullsia shqiptare myslimane, për popullsinë shqiptare të krishtere vazhdoi politika e mosnjohjes së identitetit kombëtar dhe e asimilimit të plotë.
Viset e tyre u lanë nën nivelin e zhvillimit të viseve të tjera të shtetit. Përsa i përket popullsisë myslimane të shpërngulur veçanërisht asaj çame të vendosur në Shqipëri, edhe pasi ranë barrierat e Luftës së Ftohtë dhe u përmirësuan marrëdhëniet zyrtare midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë, ende s’është bërë asgjë për njohjen e të drejtës së rikthimit në vatrën amtare të rizotërimit të pronave dhe të njohjes e respektimit të gjithë atyre të drejtave, të pranuara për minoritetet në kartat ndërkombëtare, të cilat minoriteti grek në Shqipëri nuk i ka patur të pakta. BE të korrigjojë padrejtësitë historike Bashkimi Europian, anëtare e së cilës është edhe Greqia, e ku natyrisht aspiron të anëtarësohet edhe Shqipëria, për t’u zhvilluar në rrugën e përcaktuar të integrimit, nuk mund të pajtohet e as të lerë të pakorrigjuara pasojat e politikave të tejkaluara shoviniste, që dhunonin komunitetet e ndryshme etnike, të drejtat dhe pronën e tyre të shenjtë.
Çatia e përbashkët europiane nuk ka alternativë përveçse korrigjimin e atyre padrejtësive. E shkuara nuk duhet harruar, por duhet parë domosdoshmërisht me sytë e së ardhmes së përbashkët Europiane.

……………………………………..

DOKUMENTARE

 —————————————–

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura