PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: COPTIMET E SHQIPËRISË GJATË SHEKUJVE XVIII – XX

(Prishtinë, 17. 03. 2012) – “Shqipëria mund të formojë fort mirë një shtet independent ndërmjet Serbisë dhe Greqisë: mjerisht, fatkeqësi e tyre është që gjenden midis shteteve që duan të rriten dhe ndoshta shpresat e patriotëve shqiptarë do të dalin të kota…!” – Amie Boue, musafir i një fshatari të Carralevës në vitet e ’30-ta të shekullit XIX.
     Të dhënat nga hulumtimet shkencore vërtetojnë se Shqipëria në prag të Luftës austro-turke të viteve 1683-1690, zinte një sipërfaqe ballkanike prej rreth 120 000km2. Këtë madhësi njësia etnokulturore e gjepolitike e Shqipërisë e pati deri para mesit të shek. XIX. Madje sipas përkufizimeve të diplomatit dhe enciklopedistit austriak Georg von Hahn dhe të enciklopedistit shqiptar Sami Frashëri, njësia e Shqipërisë brenda Perandorisë Osmane del edhe më e madhe .
     Shqipëria në shtrirjen e saj etnike hyri në luftë për çlirimin nacional nga Perandoria Osmane shumë para se të hynin Mali i Zi , Serbia, Greqia dhe Bullgaria . Këtë përpjekje shënuan luftërat e Begollajve të Pejës, të Qupërlive të Velesit, të Bushatasve të Shkodrës, të Ali pashë Tepelenës së Janinës, të Gjinollajve të Prishtinës, të Vrionëve të Beratit, të Rrotullave të Prizrenit, të Toptanëve të Tiranës etj .
     Copëtimin dhe tkurrjen e arealit etnik shqiptar Rusia dhe Evropa e nisën nga fundi i shek. XVIII dhe në fillim të shek, XIX. Këso kohe Fuqitë e vendosjes shkëputën nga njësia Shqipëri rreth 5 000 km2 për interesa të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë në fillim të ngritjes së tyre .
     Në fillim të ngritjes së shtetit të Serbisë, nga fillimi shek. XIX deri në fund të viteve 30-ta të atij shekulli, u asimiluan në serb mijëra shqiptarë dhe mijëra të tjerë u shpërngulën me dhunë nga Serbia e Millosh Obrenoviqit. Sundimtari i Serbisë, Millosh Obrenoviqi, është i pari që zyrtarisht i vuri themelet e Strategjisë serbe të spastrimit etnik shqiptarë të pjesëve të Shqiprisë Etnike, të aneksuara Serbisë. Ai, në vitet njëzeta të shek. XIX, ngriti fonde të posaçme për finansimin e njësiteve terroriste e paramilitare serbe për shpërnguljen e shqiptarëve nga viset e Krushevcit dhe të gjashtë Nahive të Nishit, të aneksuara në fillim të viteve të tridhjeta.

     Copëtimi i dytë ndërkombëtar i njësisë etnokuluturore dhe gjeopolitike të Shqipërisë është projektuar me Traktatin e Paqës së Shën Stefani, të 3 marsit 1878, me të cilën duhej të mbyllej Lufta ruso-turke e viteve 1877-1878. Ky traktat parashihte copëtimin e katër të pestave të Shqipërisë Etnike për interesa të Bullgarisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi .
     Meqë me këtë traktat “paqësor” pansllavizmi rus dilte dhe bëhej sundues në Adriatik dhe në Mesdhe, dhe kështu rrezikonte interesat e Evropës në Adriatik, në Mesdhe dhe në Lindje, në përgjithësi, kancelari i Gjemanisë, Bismarku, i lidhi kundër inetresave të Rusisë: Anglinë, Austro-Hungarinë, Francën dhe Italinë, e thirri Kongresin e Berlinit, i cili aprovoi, më 13 korrik 1878, një ndarje tjetër për interesat ruso-evropiane në Ballkan, Mesdhe dhe Lindje .
     Sipas këtij Traktati politik ndërkombëtar, nga areali i Shqipërisë Etnike përfundimisht u shkëputën rreth 24.458 km2 tokë me shumicë shqiptare ose absolutisht shqiptare. Pikërisht Greqia u zgjerua me 9 275 km2 tokë me shumicë shqiptare, Serbia për rreth 10 500 km2 tokë absolutisht shqiptare dhe Mali i Zi me rreth 4.683 km2 tokë absolutisht shqiptare dhe me shumicë shqiptaro-boshnjake. Sipas këtij Traktati Bullgaria u largua nga tokat e premtuara shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e në Shqipërinë e Mesme .
Meqë, aktualisht, Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithësi është në luftë me pushtuesin serb, shprehje kjo tepër e vrazhdtë e fundit të një fuqie koloniale në Evropë, duhet të theksohet se pjesa të cilën e aneksoi Serbia me ndihmën e Rusisë, të Francës, të Anglisë, të Gjermanisë dhe të Italisë, ishte pjesë etnike e Dardanisë antike, përkatësisht e Kosovës historike të njohur, kësokohe, me emrin Vilajeti i Kosovës, i cili me 1877 kishte reth 43 400 km2. Këtu, duhet të theksohet se, më 1878, Shqipëria me rreth 115 000 km2 kishte rreth 2 800 000 banorë, prej të cilëve rreth 2 300 000 shqiptarë, kurse të tjerët ishin: vllehë, romë, bullgarë, grekë, serbë, turq, ebrej etj .
     Serbia, në spastrimin e shqiptarëve etnikë nga viset e aneksuara të Sanxhakut të Nishit – Toplicë, Kosaonicë e Pustarekë të Vilajetit të Kosovës, përdori Strategjinë e tokës së djegur, të cilën aktualisht po e përdorë soldateska serbe në Kosovë dhe më gjërë. Kësaj strategjie i dha frymë princi i Serbisë, Millan Obranoviqi, i cili urdhëronte ushtarakët e paramilitarët çetnikë: “Meritat më të mëdha ndaj shtetit dhe kombit serb do t’i ketë ai, i cili do të arrijë të zhdukë e të shpërngul më shumë shqiptarë!” .
     Kështu, me strategjinë e tokës së djegur, spastruan rreth 300 000 shqiptarë në rreth 700 lokalitete, prej të cilave rreth 640 të pastër shqiptare dhe me shumicë shqiptare. Rreth 350 000 shqiptarë i largoi nga trojet e tyre etnike ushtria greke e malazeze. Dhe, do saktësuar faktin se në Luftën ruso-turke të vitit 1877/78 serbët, grekët dhe malazeztë vranë dhe masakruan me shumë se 70 000 shqiptarë, rrafshuan përtokë rreth 600 lokalitete .

Shpërngulja e shqiptarëve nga Sangjaku i Nishit 1877-78.

     Më 1882, Rusia kërkoi nga Serbia që kjo të iniconte themelimin e Aleancës ballkanike të Serbisë, të Bullgarisë, të Malit të Zi e të Greqisë, me detyrë të përgatiste politikisht dhe ushtarakisht copëtimin përfundimtar të Shqipërisë. Ndërkaq, qarqeve kishtare, publicistike e shkencore sllave dhe greke iu dha për detyrë të shpifnin çdo gjë që do të çonte në mosnjohjen evropiane e botërore të ekzistimit të kombit shqiptar, të kultivonin urrejtjen raciste e fetare kundër popullit shqiptarë me shumicë absolute myslimane, të përgatisnin opinionin e krishterë evropian e botëror për të futur në përdorim nocione e përmbajtje me kërkesa pansllaviste – panortodokse në përgjithësi, për zhdukjen fizike dhe për asimilimin e shqiptarëve në sllavë e në grekë .
    Ndërkaq, më 1896, Rusia doli haptaz me kërkesa për ngritjen e Aleancës ushtarake ballkanike si krah i saj ushtarak në Ballkan, me detyrë të përgatiste luftën pushtuese të Shqipërisë, dhe për copëtimin e saj, për zhdukjen fizike të kombit shqiptar. Kjo nxiti rikrijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me një përkrahje të fshehtë të Sulltanit dhe të Portës së Lartë. Në krye të kësaj Lidhje ishte vën Mulla Zejnelabedin Biberi – Haxhí Zeka i Pejës, ish veprimtari dhe bashkëluftëtari më besnik i Myderis Ymer Prizrenit. Kjo Lidhje u legalizua në Kuvendin e Pejës, më 26-30 janar 1899, me emrin Lidhja Shqiptare “Besa-besë” të Pejës, e cila veproi me sukses kundër planeve të Aleancës ballkanike pansllavisto-greke, deri më vrasjen e Mulla Zekës, më 1902, nga Serbia .
     Sulltani, Porta e Lartë dhe Kuvendi i Turqisë, më 17 gusht 1912, i pranuan kërkesat e kryengritjes për Autonominë e Shqipërisë në shtrirje të katër vilajeteve shqiptare, të cilat, siç u tha më lartë, përfshinin 90 270 km2 të tokës ballkanike të banuara me shumicë absolute shqiptare dhe pikërisht: Vilajetin e Kosovës me 32 900 km2, të Shkodrës me 10 970 km2, të Manastirit me 28 500 km2 dhe të Janinës me 17 900 km2.
     Njësia etnokulturore e gjeopolitike e Shqipërisë, Shqipëria Etnike dhe historike, këso kohe, sipas Sallnameve (vjetarëve statistikorë zyrtarë), të vilajeteve të Perandorisë Osmane, kishte rreth 3 804 000 banorë, prej të cilëve, sipas të dhënave të Komitetit të Shqipërisë të Nikollë Ivanajt, pati 3 000 000 shqiptarë, pra rreth 700 000 më shumë se me 1898, që ishte rezultat i shtimit natyror për 14 vjet .
Kështu, nga 8-20 tetor 1912 Aleanca ushatarke ballkanike me logjistikë ruse dhe së paku me përkrahje morale e politike dhe me armatim evropian, sulmoi nga të gjitha anët Shqipërinë e dërrmuar në Kryengritjet e viteve 1908-1912, për shkëputjen nga Perandoria Osmane .
     Lufta e Aleancës ballkanike, pas së cilës qëndronte fuqimisht dhe haptaz Rusia cariste, do të mbyllet me Konferencën e Ambasadorëve: të Rusisë, të Anglisë, të Francës, të Gjermanisë, të Austro-Hungarisë dhe të Italisë në Londër, nga dhjetori 1912 deri në gusht të vitit 1913. Kjo Konferencë zgjati kaq shumë për shkak se akterët nuk mund të pajtoheshin për interesat imperialiste pansllavisto-perëndimore (katolike – protestane) në ndarjen e pjesëve të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe në Lindje.

Katër vilajetet shqiptare…

 

     Në Londër, Shqipëria përjetoi copëtimin e tretë ndërkombëtar ruso-evropian. Siç u tha, për ineresa të Austro-Hungarisë dhe të Italisë, u ngrit shteti i Shqipërisë në një rrip bregdetar nga Butrinti deri në Shkodër, me një hinterland që zinte rreth 28 600 km2. Me disa korrigjime të mëvonshme ky shtet arriti 28 748 km2. Kjo sipërfaqe ishte më pakë se 1/3 pjesë e Shqipërisë Etnike të vitit 1912, ose edhe më qartë, ishte gati sa Vilajeti i Manastirit dhe pikërisht më i vogël se Vilajeti i Kosovës më 1878 për 14 800 km2 dhe më e vogël se Vilajeti i Kosovës më 1912 për 4.300 km2. Londra – Serbinë e zgjeroi për 39 000 km2, me 1 290 000 banorë, prej të cilave rreth 34 000 km2 tokë shqiptare me rreth 1 090 000 banorë, Mali i Zi u zgjerua për rreth 7 000 km2, me rreth 260 000 banorë, kryesisht shqiptarë dhe boshnjakë dhe Greqia u zgjerua për 51 300 km2, me 1.624.000 banorë. U shtri mbi sipërfaqen e tërësishme të Çamërisë shqiptare që kishte rreth 425 000 banorë .

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura