Sipas të dhënave të gazetës Narodni list të 2 prillit 1881, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka ngritur në Prizren Qeverinë e vet të plotë, në krye me mutesarrifin Shaip Agë – Spahiun – Perollin. Të gjithë nëpunësit i ka vendosur Lidhja dhe të gjitha tatimet mblidhen për Lidhjen, e cila do të ftojë Sulltanin të emëronte kryetarin, i cili këtu do të sundojë në emër të tij. “Nëse Turqia nuk e plotëson këtë kërkesë, Lidhja është e gatshme të shpallë pavarësinë e Shqipërisë”. Ndërkaq, gazeta serbe Istok e 3 prillit 1881, duke pasqyruar revoltën shqiptare pas arrestimit të anëtarëve të Degës së Lidhjes në Shkup, shkroi: “Shqipëria u ngrit në këmbë përsëri.”
Realisht, Dervish Pasha, më 7 prill 1881, ishte në dijeni të plotë për hapat që kishte marrë Këshilli i Madh, përkatësisht Këshilli Drejtues (Kryesor, Qendror) i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i drejtuar nga Myderrizi i Madh, Haxhí Ymer Efendi Prizreni, i mbështetur fuqimisht në Shuaip agë Spahiun dhe Sylejman agë Vokshin. Këto tri personalitete paraqitnin triumviratin drejtues të fazës më vendimtare të Revolucionit Kombëtar Shqiptar që udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Për ta përballuar ofensivën e një armateje të rregullt prej më se 20 mijë ushtarësh e ushtarakësh osmanë kundër forcave të Këshillit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shuaip agë Spahiu, me kompetencën e Kryetarit të “Qeverisë së Pavarur” të Shqipërisë, dha “kushtrimin që meshkujt prej 17 vjeç të rrokshin armët e të shkoshin në Shtime për me luftue, me mbrojtë atdheun!”
Pas prerjes së linjës telefonike në Prizren, më 28 mars 1881, që ishte bërë sipas urdhrit të Haxhí Ymer Prizrenit, me propozimin e Sylejman agë Vokshit, Këshilli i Madh (Këshilli Drejtues) i urdhëroi Këshillit të Degës së Prizenit të dërgonte dy telegrafistë me një makinë telegrafike në pozitat e forcave të Lidhjes Shqiptare në Shtime, për të qëndruar në lidhje të përhershme me Këshillin Drejtues – realisht me myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenin. Po kështu, nga post-telegrafi i Prizrenit të përcilleshin vetëm ato informata e telegrame që do t’i censuronte e t’i lejonte Kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Haxhí Ymer Prizreni, tashti edhe Kryekomandant faktik i ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në ditët dramatike për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në prill të vitit 1881, përkrah myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit, në Komitetin Drejtues (Qendror) të Lidhjes në Prizren ishin të pranishëm dhe vepronin: Halim Efendiu, Zekeria Aga, Sylejman Vokshi, Haqim Efendiu, Mustafë Aga, Halil Efendiu, Xheladin Efendiu, Xhemshit Beu, Hasan Beu etj. si dhe: Haxhí Sylejmani dhe myderriz Ali Efendiu nga Gjakova, Zejnel Efendiu nga Peja, Rauf Efendiu, Haxhí Jonuzi, Jakup Efendiu dhe Abdyl Efendiu të Prizrenit, të cilët e mbanin nën vështrim veprimtarinë e post-telegrafit në Prizren, së paku prej 28 marsit 1881.
Duhet të theksohet se këtu nga 5 prilli 1881, kur Sylejman agë Vokshi dhe dy myderrizët famëlartë gjakovarë: Hasan Efendi Shllaku dhe Ali Efendiu e lanë Prizrenin dhe shkuan në Gjakovë, për t’u vu në krye të malësorëve për Frontin e Ferizajt, koordinimi i të gjitha veprimeve në Komitetin Qendror (Këshillin Drejtues) të Prizrenit shkonte përmes dy personaliteteve kyçe: myderrizit Haxhí Ymer Prizeni dhe Shuaip agë Spahisë – Perollit, i cili, pasi dha kushtrimin për mobilizimin e vullnetarëve prej moshës 17-70 vjeç, urdhëroi mbylljen e pazarit të Prizrenit dhe i ftoi dy batalionet dhe dy bateritë e ushtrisë osmane, që ishin mbyllur në Kala, t’i dorëzonin armët, të siguruar se do “të liheshin të lirë”. Ndërkaq, kryetari i Lidhjes, Haxhí Ymer Prizreni, u dërgoi ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll një telegram me të cilin kërkonte të ndikonin në Portën e Lartë të heqë dorë nga dërgimi i ushtarëve dhe nga përdorimi i dhunës kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë.
Me operacionin ushtarak perandorak osman kundër Kosovës në ballë me Lidhjen Shqiptare të myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit, fenomen i ushtarakut dhe i burrështetit shqiptar dinjitoz, komandonin Haxhí Osman Mustafë Pasha, strateg ushtarak i njohur, Ibrahim Pasha, dinak më shumë se dhelpra dhe Muhtar Ahmet Pasha, njohës i mirë i terrenit shqiptar. Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit në krye me Myderrizin e Madh, Haxhí Ymer Efendi Prizrenin e pathyeshëm në idealet për t’i dalë zot Shqipërisë, si biri më i mirë i saj, më 15 prill 1881, i dërgoi Sulltanit një Memorandum shumë përmbajtjesor dhe të rëndësishëm për historinë e pavarësisë së shtetit shqiptar.
Në atë dokument u pasqyruan shkaqet kryesore të rebelimit të popullit shqiptar dhe qëllimet që ka për t’i arritur populli shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pa marrë parasysh çmimin e sakrificave. Në fjalinë e parë të dokumentit, për trazirat dhe kryengritjen gjithëpopullore në Shqipëri, fajësohet qeveria osmane, e cila, qysh nga shtypja e Revolucionit Borgjez Osman të vitit 1876, me administrim joadekuat prodhoi një “gjendje kaotike” në të gjitha viset e Turqisë Evropiane – Rumelisë.
Kjo bëri që “shumë krahina të banuara me popullsi myslimane”, pra edhe krahina të tëra shqiptare, të kalojnë “në duar të Bullgarisë, të Austrisë, të Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Pjesa e mbetur e Rumelisë me popullsi shqiptare, e cila është e njohur për trimërinë dhe për qëndrueshmërinë e saj, është gati që edhe ajo të kalojë në duar të armiqve dhe në këtë drejtim janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për pushtimin e saj” – theksohej në Memorandum.
Portës së Lartë edhe njëherë i tërhiqej vërejtja nga Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, përkatësisht nga Haxhí Ymer Prizreni, të shkundej nga antishqiptarizma për të parë rrezikun që Ballkani dhe Evropa po ia përgatisnin ardhmënisë së popullit shqiptar e Shqipërisë. Në dokument theksohej: “Nëpër të gjitha viset shqiptare qarkullojnë spiunët dhe diversantët të cilët janë dërguar nga shtetet e lartpërmendura me qëllim të na përçajnë në mes vetes, duke i bërë përgatitjet për okupimin e viseve tona.
Mirëpo, armiqtë tanë janë bindur për besnikërinë dhe patriotizmin tanë ndaj atdheut dhe kanë konstatuar se jemi shumë të qëndrueshëm. Mu për këtë arsye atyre nuk u mbetet tjetër gjë përveç dëshira e tyre për të na shkatërruar. Këtë çështje e ka kuptuar çdo njeri i yni, i vogël dhe i madh”.
Më tutje, me një oportunitet politik të domosdoshëm për momentin historik, si përpjekje për të ndikuar në ndërprerjen e operacioneve të Dervish Pashës kundër Lidhjes Shqiptare në Kosovë, konstatohej: “Duke marrë parasysh rrethanat se kemi jetuar në pesë shekujt e fundit nën sundimin e Perandorisë Osmane, përsëri e kemi gëzuar lirinë e plotë të ekzistencës sonë në atdheun tonë, prandaj jemi të gatshëm t’i mbrojmë viset tona të cilave u kërcënohet rreziku nga copëtimi”.
Në vazhdim, duke iu drejtuar Sulltan Abdylhamidit II, i cili deri në fund të vitit 1880 e përkrahu fuqimisht Lidhjen Shqiptare dhe programin e saj për autonominë e Shqipërisë, duke mbajtur korrespondencë për këto çështje me myderriz Haxhí Ymer Prizrenin dhe me personalitete të tjera shqiptare, në Memorandum u përmblodhën pikat kryesore të Programit politik e luftarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit:
“Na gjithashtu e njoftojmë Lartëmadhërinë e Tij, Sulltanin, se qe katër vjet jemi bashkuar dhe kemi formuar Lidhjen tonë dhe e ndjejmë veten se jemi shumë të sigurt.
Qëllimi i Lidhjes sonë është sa vijon:
1. Të mbrohen të gjitha të drejtat tona ligjore;
2. Të mbrohet e drejta jonë kombëtare;
3. Të mbrohemi nga ata që gjenden përbrenda viseve tona dhe tentojnë të na prishin qetësinë;
4. Të mbrohemi nga sulmet e armiqve dhe nga ndikimet e huaja që vijnë nga jashtë;
5. Të jetojmë nën sezerenitetin dhe nënshtetësinë e Perandorisë Osmane”.
Në Memorandumin e Ymer Prizrenit, të 15 prillt 1881, pasqyrohej vendosmëria shqiptare për idealet e shenjta të kombësisë dhe të lirisë së Atdheut: Thuhej qartë: “Duke u bazuar në vendimet dhe idetë e përgjithshme të Lidhjes, kemi ardhur në përfundim që pa e formuar një qeveri të njësuar nuk ka tjetër zgjidhje. Kjo është konstatuar dhe vërtetuar unanimisht”. Së këndejmi, konstatohej në dokument: “derisa të ekzistojë dhe të veprojë Lidhja në Shqipëri të gjitha sulmet do të përballohen me lehtësi. Këshillat e Lidhjes kanë çliruar Plavën dhe Gucinë dhe (shqiptarët) kanë ndryshuar plotësisht. Lidhja e tyre nuk është më e frymëzuar dhe e entuziazmuar të luftojë në emër të idealit fetar, në emër të profetit, as në emër të bartësit të kurorës së Mbretërisë Osmane – Sulltanit”.
Ky dokument relevant i historisë pasqyron bindjen politike kombëtare dhe vendosmërinë e hartuesit – Haxhí Ymer Prizrenit, kryetarit të Komitetit Qendror të Lidhjes. Në vazhdim të citatit të mësipërm, i tërhiqej vërejtja Sulltanit dhe Portës së Lartë se “duke marrë parasysh kohën dhe situatën kritike, duhet të shqyrtohen kërkesat e shqiptarëve dhe të aprovohen. Në të kundërtën, edhe ata persona që deri në fund kanë qenë besnikë ndaj Sulltanit, tani, nëse shpërthen ndonjë kryengritje e përgjithshme, do të rrinë anash”. Dhe, Haxhí Ymer Prizreni, para se t’i përmblidhte kërkesat në një pikë të vetme, Portën dhe Sulltanin i bënte me dije se “neve jemi të detyruar që këtë çështje tonën t’ua parashtrojmë dhe t’ua bëjmë me dije të gjithë ambasadorëve (të Fuqive të Mëdha) që gjenden në Stamboll”.
Dokumenti përmbyllej me lutjen që kundërmonte erë kërcënimi gjithëshqiptar për një të drejtë legjitime të mohuar nga Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha evropiane, të vendosjes dhe të ruajtjes së status quos në Turqinë e mbetur, për ta copëtuar në një të ardhme, në rrethana politike e ushtarake edhe më të përshtatshme; për ta shlyrë popullin shqiptar dhe Shqipërinë nga historia për shekujt që do të vinin:
“Me dashamirësi lutet Lartmadhëria e Tij, Sulltani, që kësaj radhe ta shqyrtojë definitivisht mirë çështjen tonë. Nëse ajo vendoset në mënyrë të drejtë dhe reale, atëherë ne do të na keni në besnikërinë Tuaj më të sinqertë dhe të jashtëzakonshme. Në çdo pikëpamje dhënia e urdhrit i takon atij i cili e ka pushtetin”. Dokumenti vërtetohej me vulën: “Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit”.
Memorandumi i Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i datës 15 prill 1881, do të mbetet njëri ndër dokumentet më të rëndësishme të mendimit politik shqiptar të orëve të fundit të Lidhjes Shqiptare të viteve 1877-1887, me një porosi – Dhiatë për nipër e stërnipër të shqiptarëve të tubuar rreth e përqark idesë së Myderrizit të Madh – Haxhí Ymer Efendi Prizrenit: Përpjekje, sakrifica, martirizim pa çmim për çlirimin dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike!
Sulltani dhe Porta e Lartë, tashti vegla në duar të Rusisë pansllaviste, nuk lëvizën dhe “Dervish Pasha nuk zgjodhi mjete për t’i qëruar hesapet me forcat e Lidhjes së Prizrenit”. Forcat pararoje të Komitetit Qendror të Lidhjes u thyen me kanonadat artilerike në Shtime e Grykë të Carralevës. Para forcave osmane nga Carraleva për në Malësi të Gjakovës do të tërhiqen edhe komandantet legjendarë të Lidhjes Shqiptare, bashkëluftëtarët më tëvendosur të Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit, Sylejman agë Vokshi me Ali Ibrahimin – Ibrën e Shipshanit dhe personalitete e luftëtarë të vendosur për të vazhduar rezistencën shqiptare së fundi si Orë zgjimi e shqiptarësisë së Kosovës dhe më gjerë.
Po kështu, edhe Myderrizi i Madh – Haxhí Ymer Efendi Prizreni, Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sapo Dervish Pasha doli në Qafë të Dulës, më 21 prill 1881, dhe me artileri mund të shkatërronte Prizrenin, Ymeri mori vendim të tërhiqej së bashku me njësinë që siguronte Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë prej rreth 500 luftëtarësh. Iu bashkua forcave të Sylejman agë Vokshit – Ali Ibrës në Malësi të Gjakovës.Më 30 prill 1881,i shoqëruar prej njerëzve besnikë, Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizreni u nis në drejtim të Durrësit. Fillimisht kaloi në fshatin Bytyç të Kazasë së Pukës, në vartësi të Vilajetit të Shkodrës, dhe u vendos ilegalisht në shtëpinë e imamit Mahmud Efendiut, i cili do të organizojë lidhjen për përcjelljen e sigurt të Haxhí Ymerit deri në Shkodër.
Nga burimet relevante do të shihet se Haxhí Ymer Prizreni dhe Abdyl Halit be Frashëri kishin marrë për detyrë të kalonin jashtë vendit, jashtë Perandorisë Osmane, për ta mbajtur gjallë aktivitetin politik të Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse Sylejman agë Vokshi e Ali Ibra të mbanin gjallë frymën luftarake liridashëse të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke kthyer Malësinë e Gjakovës dhe malësitë e tjera të Kosovës në kështjella të papushtueshme të Shqipërisë autonome të dalë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Dhe, derisa Abdyl be Frashëri, në rrugë për “në Evropë” do të kapet më 1 maj 1881, në vise midis Dibrës -Tiranës dhe Elbasanit, myderrizi Haxhí Ymer Prizreni, më 18 maj 1881, pas shumë peripecish do të kalojë në Ulqinin e okupuar nga Mali i Zi, për ta mbajtur gjallë kërkesën për autonominë e Shqipërisë në Portën e Lartë, në Oborrin e Sulltanit dhe në kujtesën historike shqiptare deri me martirizimin e tij, më 12 qershor 1887.
Sipas gazetës zagrebase, Obzor, Haxhí Ymeri sapo mori informata për kapjen, burgosjen dhe keqtrajtimin e Abdyl be Frashërit, i shkroi dhe iu kërcënua Dervish Pashës, të ruante jetën e Abdylit: “Kryetari i Lidhjes i ka dërguar Dervish Pashës letër me të cilën i kërcënohej se do të vrasë të gjithë turqit në rrethinë dhe do t’ua kallë shtëpitë, nëse i ndodh një e keqe vëllamit të tij, Abdyl Beut”. Nga Puka deri në Shkodër Haxhí Ymer Prizreni udhëtoi para datës 12 maj 1881, kurse në Shkodër, në konak të bashkëveprimtarit politik dhe mik i tij i ngushtë, Jusuf Efendi Golemit, qëndroi gjashtë net” dhe pastaj “kaloi në Ulqin”.
Gjykata Ushtarake e Shkodrës, e cila dënoi shoqëruesit e Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit nga Bytyçi deri në Shkodër, si çdo gjyq i një fuqie shtetërore okupuese, në Hoxhën e Madh – Haxhí Ymer Prizrenin, portretoi një personalitet aventurist, të lig e tradhtar të pushtetit. Kjo do të thoshte: Kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte i çelnikët në kërkesat për ruajtjen e tërësisë së Shqipërisë Etnike, për lirinë dhe për pavarësinë e saj. Në procesverbal thuhej: “Kur doli urdhri për kapjen e tij dhe kur pa se godina e kryengritjes që kishte themeluar dhe kishte përgatitur ai u shemb dhe u shkatërrua, u arratis si tradhtar e frikacak”!?!
Të dhënat burimore të proveniencave të ndryshme vërtetojnë se Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizreni kurrë nuk doli para gjyqit të okupatorit osman – turk dhe i “thyer para forcës shumë herë më të fuqishme – osmane dhe ndërkombëtare, u tërhoq në emigrim vetëm e vetëm të mos e nënshkruante – si kryetar i saj – kapitullimin e Lidhjes”. Me fjalë të tjera, siç shkruaja më 1978: “Lufta e tij prej burri të shtetit ishte e goditur me forcë nga brenda – prej Portës dhe ushtrisë turke më elite dhe nga jashtë prej Ligës së faktorëve evropianë antishqiptarë. I vendosur në veprën e filluar, i pajisur me njohuri teorike dhe praktike revolucionare, i thyer nga armiku shumë herë më i fuqishëm, u tërhoq në emigrim, pa e nënshkruar kapitullimin e tij dhe të Lidhjes. Vendosmëria, energjia, dinakëria prej njeriut me kulturë të lartë islame dhe strategjia politike e bënë këtë burrë qeveritar shqiptar të periudhës së Lidhjes Shqiptare të rëndësishëm – cilësi që ia nënvizoi edhe shtypi kroat i kohës”.
Nga të dhënat e proveniencës policore malaziase shihet se Myderrizi i Madh – Haxhí Ymer Efendi Prizreni, kaloi në Ulqinin e okupuar nga Mali i Zi më datën 6/18 maj 1881, rreth orës 17.15, dhe u vendos në familjen e mikut të tij dhe të bashkëmendimtarit politik, Myderriz Salih Efendi Hylja. Administratori i Malit të Zi në Ulqin, vojvoda Sima Popoviq, po atë ditë, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, vojvodën Masho Verbica në Cetinjë, sa vijon: “Hoxha i Madh i Prizrenit, Haxhí Ymer Efendiu, ka ardhur në Ulqin dhe është vendosur te Hoxha ynë i Madh, Salih Efendiu, i cili sot ka qenë së bashku me të tek unë që të ma paraqet. Haxhí Ymer Efendiu ka ikur nga Prizreni, kur ka ardhur atje Dervish Pasha. Ai më ka deklaruar se kërkon strehim në Mal të Zi, kurse Salih Efendiu është për të (mbështetje – strehues) i mirë”.
Më tutje, administratori malazias i Ulqinit vinte në spikamë se: “Ndonëse mund të mendohet se ai (Haxhí Ymer Efendiu) mund të ketë edhe qëllime të tjera, ai me siguri këtu nuk do të mund të bënte asgjë, e të mos e dija menjëherë. Ai më tha se edhe disa udhëheqës kryesor të Lidhjes së Prizrenit janë arratisur dhe se më kryesori Abdullah Beu (Abdyl Frashëri) ndoshta do të vijë edhe vetë në Ulqin. Është kënaqësi të dëgjohet edhe kjo se Lidhja, e cila e mbajti Ulqinin, tashti kërkon strehim në të “ – përfundonte V.S. Popoviq.
Vojvoda Masho Verbica nga Cetinja, më 7/19 maj 1881, informonte Vojvodën Sima Popoviq në Ulqin se “Ka ardhur këtu nga Prizreni popi Jovan Popoviq, prift prizrenas i ndjekur prej Dervish Pashës. Ai është ndjekur për shkak se e ka ndihmuar (për arratisje) Ymer Efendinë. Ai e njeh Ymer Efendinë dhe e lavdëron se është njeri i mirë dhe i mençur, dhe se me të vërtetë nuk qëndron në kurrfarë marrëdhëniesh të fshehta me Dervish Pashën. Sipas thënies të të përmendurit Popoviq, familja e Ymer Efendisë është internuar nga Prizreni në Manastir, e ndoshta në Selanik.”
Nga përmbajtja e dy dokumenteve të sjella më sipër shihet qartë se Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizreni prej datës 22 prill deri më 18 maj 1881 nuk kishte njohuri se ç’kishte ndodhur me familjen e tij në Prizren. “Ymer Efendiu shkoi n’Ylqin, n’atë qytet të cilin para disa mujve si kryetar i Qendrës pat dhënë urdhën me e mbrojtë me çdo sakrificë. Pranoi nga zemërimi të rrojë nën sllavët se sa nën Turqit të cilët nuk e mbajtën fjalën e i dulën të pabesë” – do të konstatojë Xhafer Belegu, më 1939, sepse Sulltani dhe Porta ia mohuan premtimet për autonominë e Shqipërisë.
Sipas burimeve të proveniencës vjeneze, diplomacia austriake, njëra ndër diplomacitë evropiane, që kishte mbështetje më të fuqishme në Shqipërinë Veriore dhe pikërisht në radhët e priftërinjve katolikë, për arratisjen e Myderriz Haxhí Ymerit në “Mal të Zi” do të informohet nga Prizreni vetëm nga mesi i qershorit 1881. Realisht, nënkonsulli austro-hungarez në Shkup i shkroi Vjenës, më 14 qershor 1881, një informatë me shumë të dhëna për Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenin, për rolin e tij gjatë periudhës së veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për sakrificat që ai i përballoi pas marshimit të ushtrisë perandorake osmane në Piemontin e Shqipërisë – në Kosovë: “Përkundër thirrjeve të njëpasnjëshme të (Dervish) Pashës që të kthehet në Prizren, ai arriti të qëndrojë i fshehur në këto male” të Malësisë së Gjakovës dhe “më vonë filluan reprezaljet për ta shtrënguar të paraqitet te Mareshali”, Dervish Pasha, e së fundi duke ia “arrestuar familjen për t’ia dërguar në Stamboll”.
Diplomati vjenez, më tutje, do të konstatojë se “Kryetari i Lidhjes Shqiptare i përballoi të gjitha këto reprezalje dhe nuk u kthye në Prizren”, e “kur Dervish Pasha kërkoi t’ia sillnin kokën e Haxhí Ymerit (por preferonte ta kapnin gjallë), atëherë nisi të qarkullojë lajmi se Haxhí Ymeri në të ikur kishte marrë me vete dokumente tepër të rëndësishme për qeverinë turke, prandaj Dervish Pasha dron se me vrasjen e Ymerit këto dokumente do të binin në duart indirekte të ndonjë dorasi që t’i keqpërdorte”.
Në vazhdim ky diplomat informonte Vjenën se “Sipas lajmeve që më erdhen sot (d.m.th. më 14 qershor 1881) nga Prizreni, ai (Haxhí Ymeri) paska arritur të ikë në Mal të Zi” dhe vinte në pah opinionin se “Haxhí Ymeri duhet të ketë ruajtur letrën e shkruar me dorën e Sulltanit që tani gjendet në fron. Në këtë letër Sulltani e autorizonte Haxhí Ymerin ta formojë Lidhjen e Prizrenit, duke i dhënë pëlqimin dhe instruksione për veprimtarinë e Lidhjes. Kur pas disa kohësh Dervish Pasha ngulte këmbë që Haxhí Ymeri të kthehej në Prizren, duke i premtuar se do të mbetej i pandëshkuar nëse paraqitej vetë, ai përgjigjet se nuk beson në dokrra të tilla, meqë sapo të kthehej, do t’ia merrnin duarsh adutin më të shtrenjtë, letrën e shkruar me dorën e Sulltanit, mjetin e tij më të fortë të vetëmbrojtjes, duke e shpallur menjëherë tradhtar, siç kanë bërë me shumë njerëz të tjerë”.
Këtu e do vendi të konstatojmë e nga fundi i prillit ose në fillim të majit të vitit 1881 Dervish Pasha e internoi familjen e Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenit “në Manicë” (në Anadoll), kurse Shuaip agë Spahiun e internoi “me tërë familjen e tij në Vilajetin e Adanës, në qytetin Nibs në Anadoll”. Atje vdiq në rrethana të pasqaruara. Dhe, këtu duhet të theksohet fakti se: Fuqitë e Mëdha evropiane nuk ndërmorën asgjë kundër barbarizmit të Dervish Pashës në Kosovë e gjetkë në Shqipëri në prill – maj 1881, dhe as nuk do të hapin gojën kundër arrestimeve, burgosjeve e internimeve mizore të veprimtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – vinte në spikamë El-Vakaié e datës 21 korrik 1881.
VIJON…
Postime të Lidhura
FLET LUMNIJE GASHI, BIJA E XHELADIN GASHIT – KOMANDANT PLAKUT: ‘BABI IM, KA QENË PERSONALITET I ILEGALES SHQIPTARE’
Pashtriku.org, 7 dhjetor 2017: (“Babi im, ka qenë personalitet i shquar i ilegales shqiptare e cila ia ndryshoi…
SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (1)
Pashtriku, 26 mars 2021: Në vitin 2006 në shtypshkronjën “EMAL” në Tiranë u botua libri “METEORË LIRIE” i…
DR.MOIKOM ZEQO: DAVID SELENICA, GJENIU I IKONOGRAFISË SHQIPTARE I 1000 AFRESKEVE
Tiranë, 16. 06. 2014 – Është momenti kur dijetarë shqiptarë dhe të huaj po lartësojnë vizionin shkencor, traditën…
PËRPARIM DEMI: SFERA E DIJES
Bukuresht, 26. 02. 2014 – Kam lexuar mjaft sa për të kuptuar se sa pak di dhe sa…
You are in reality a excellent webmaster. This web site loading velocity is amazing.
It seems that you’re doing any distinctive trick.
Moreover, the contents are masterpiece. you have performed a great
job in this subject! Similar here: bezpieczne zakupy and also here:
Dobry sklep
Hi! Do you know if they make any plugins to assist
with Search Engine Optimization? I’m trying to get my blog to rank for some targeted keywords but I’m not seeing very good success.
If you know of any please share. Kudos! You can read similar text here: Sklep online
Hey! Do you know if they make any plugins to assist
with SEO? I’m trying to get my blog to rank for some targeted keywords but I’m not seeing very good success.
If you know of any please share. Thanks! You can read similar blog here: Najlepszy sklep