PROF.DR.MUHAMET PRIRRAKU: HASAN PRISHTINA – VLERË SUBLIME E KOMBIT

(Prishtinë, 20. 11. 2012) – Hasan Prishtina me fatin e luftës për çlirimin e kombit u lidh nga fillimi i shekullit XX, por në Dritën e historisë politike doli pas fitorës së Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, i cili për fortesë i pati viset shqiptare… Hasan Prishtina kurrë nuk pushoi së vepruari për ribashkimin e kombit të copëtuar, deri në minutat kur e përjetoi martirizimin (më 14 gusht 1933), nga dora e zgjatur e Ahmet Zogut, edhe për interesa të albano¬fobisë Serbe shekullore.
E parapëlqeva që këtë fjalë ta nisja me këshillën e Hasan Prishtinës – amanet për brezat shiqiptar: “Dhe, para së gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj!”
Një sentencë që na vije nga Bibla përmes Kuranit tek ne, saktëson:
“Luftëtari me jetë,
dijetari me penë,
i pasuri me pasuri, qëndrojnë roje kujdestare në mbrojtje të lirisë së Atdheut…!”
Me kompetencë shkencore mund të konstatoj se në Hasan Prishtinën kemi trinomin e mësipërm: të Luftëtarit, të dijetarit dhe të të pasurit në shërbim të mbrojtjes së tërësisë e të lirisë së atdheut Shqipëri deri atje ku bukës i thuhet “bukë” e ujit “ujë”!

Kolosi i Kombit Hasan Prishtina

…………………………………………………

Emil Zola i famshëm shkroi: ”Vetëm fatosat vdesin të pagjunjëzuar dhe pa hequr dorë nga e kaluara!”, kurse i madhi ynë, Hasan Prishtina, pesë vjet para martirizimit do të saktësoj: “Unë kam një rrugë të caktuar para mejet, atë kam shkelë dhe atë do të shkelë deri në vdekje, rrugën e indipendencës ma të plotë të tan Shqipnisë!”
Fatosi i kombit, Hasani, krenohej me prejardhjen drenicase dhe Drenicën stërgyshore e kishte bastion për luftën e tij politike e luftarake për lirinë e kombit. Mësimet e para, Hasani i mori në vendlindje (Vushtrri), ku e kreu edhe gjimna¬zin. Meqë dilte nga një familje intelektuale tregtare që dha kryetarin e Degës së Lidhjes Shqiprare të Prizrenit për Vushtrri dhe dy pashallarë, Shkollimin e lartë e mbaroi në Selanik e në Stamboll, në gjuhën frënge.
Hasan Prishtina me fatin e luftës për çlirimin e kombit u lidh nga fillimi i shekullit XX, por në Dritën e historisë politike doli pas fitorës së Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, i cili për fortesë i pati viset shqiptare.
Rilindësi ynë, Sami Frashëri, shkroi: “Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij!”, ndaj të ecim nëpër veprën e Hasanit, por vetëm sikur të kalonim mbi gurët e një vau të rrembyeshën, nisur nga zgjedhja e tij deputet i Parlamentin Osman për Prefekturën e Prishtinës në nëntor të vitit 1908.
Meqë xhonturqit e etnisë turke abuzuan me fitorën e revolucionit demokratik, deputët shqiptarë dhe intelegjencia rilindëse preferuan kryengritjen e armatosur për të fituar autonominë e Shqipërisë, e cila do të përfshinte katër vilajetet me shumicë shqiptare: të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, me një sipërfa¬qe të përgjithshme prej 90.100 km2. Këto kërkesa ishin palca e programit politik të Kryengritjeve të vitit 1909 – 1910, 1911 dhe 1912, të cilat për kala i patën viset shqiptare që edhe sot janë jashtë Shqipërisë Londineze.
Realisht, Hasan Prishtina shenjat e para të mospajtimit me xhonturqit i shfaqi pas Kongresit të Alfabetit të Shqipes në Manastir, i cili morri një vendim soloman, të dëmshëm për të ardhmen e kombit shqiptar, ndaj sapo filloi Kryen¬gri¬tja e vitit 1910 në Kosovë, Hasani e inicoi thirrjen e Kongresit të Dytë të Manastirit, i cili, realisht, u drejtua nga personalitetet ndjekës besnikë të Hasan Prishtinës. Ky kongres e vendosi fatin e alfabetit të kombit tonë.
Në vijim, Hasan Prishtina, i përkrahur nga udhëheqësia e klubit arsimor “Bashkimi” të Shkupit i dërgoi në Normalen e Elabasanit 38 nxënës nga Kosova, shumicën me financim të tij. Së këndejmi, rilindësi Josif Bageri, duke shkruar për kontributin e Hasan Prishtinës për shkollën shqipe dhe lirinë e Shqipërisë, do të konstatojë: ”Ky trim, biri i Shqipnis ështe shembull me veprat e tij kaq shumë shqiptarëve” kurseMustafa Asim Kruja, bashkëveprimtar e biografi i parë i Hasanit, do të saktësoj: “Fjala e tij, penda e tij si dhe kuleta e tij janë në dispozicion të çështjes kombëtare. Në tribunën e parlamentit ai është Jupiteri që gjëmon dhe ua kthen të tjerëve vetimat nga qielli mbi kokën e armiqve të popullit shqiptar!”
Dija dhe guximi i Hasan Prishtinës është në Themelet e “Shqypnis” së Hafëz Ymerit – “sa ni Hanë…! ”Hasani për mëvetësinë e Shqipërisë Etnike ishte i lidhur me çarqet ushtarake vjeneze që nga Viti 1904, dhe një javë para se ta shpallte kustrimin për Revolucionin Shqiptar Çlirimtar në Parlamentin Turk, kërkoi përkrahjen diplomatike të Vjenës e më vonë edhe të Anglisë e të fuqive të tjera evropiane për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.
Një ditë pas fjalimit historik të Hasan Prishtinës në Parlamentin Turk (më 11 janar 1912), me iniciativën e Ismail Qemalit u thirrë “Kuvendi i Taksimit”, ku u dha betimi për organizimin e Kryengritjes gjithëshqiptare për autonominë e gjithë Shqipërisë.
Hasan Prishtina pa vonuar do të kthehet në Kryeselinë historike të Kosovës, në Shkup, vuri kontakte me përfaqësuesit e VMRO’së bullgare për luftën çlirimtre të përbashkët, kurse nga Anglia kërkoi ta përkrahte kauzën kombëtare shqiptare të lirisë. Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina doli në kështjellën e Shqipërisë, në Drenicë dhe e lëshoj kushtrimin e Kryengritjes së Përgjithshme!
Kushtrimi bëri jehonë në mbarë vilajetin e Kosovës, kurse sukseset në front Hasanit ia hapën“Portat” e Pritshinës. Më 24 korrik 1912 Këshilli i ministrave i Turqisë e formoi komisionin për të biseduar për të ardhmen e Shqipërisë në kornizat perandorake osmane. Bisedimet vazhduan deri më 9 gusht 1912.
Kërkesat kryesore që i mbrojti Hasan Prishtina mund të sublimohen në këto pika: “Të njifen zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë; autoritetet civile e ushtarake të kenë kombësi shqiptare; ushtria shqiptare të shërbejë në Shqipëri e të jetë komanda prej oficerëve shqiptarë; veprimet zyrtare në Shqipëri të bëhen në gjuhën shqipe”.
Këto kërkesa do të detajizohen në “14 pikat historike të Hasan Prishtinës” me të cilat sigurohejAutonomia e Shqipërisë. Fatkeqësisht viset e tjera të Shqipërisë nuk u ngritën në përmasat që kërkonte momenti historik, e në anën tjetër qeveria serbe ndërhyri me para ndër personalitetet që komandonin pjesën më të madhe të forcave kryengritëse, që bëri të mos vendosej fati i Shqipërisë sipas “Betimit të Taksimit”.
Kjo “punë shqiptarçe” e tregtare Vlerën e kombit, Hasanin, të bënte të pamundurën që të shpëtonte diçka nga fitorja me pushkë, ndaj më 17 gusht 1912, e informoi “Shtabin Kryesor të Kryengritjes” dhe opinionin botëror se: “kërkesat e pranuara nga qeveria janë ato të propo¬zuara nga e gjithë Shqipëria”,e më 18 gusht urdhëroj të shpërndaheshin kryengritësit!
Për krajatat dhe fatin e kryengritjes së Kosovës të 5 majit – 18 gushtit 1912, Hasan Prishtina shkroi në broshurën “Nji shkurtim kujtimesh për Kryengritjen shqiptare të vjetit 1912”.
Burri i madh, Hasan Prishtina, përmes bashëpunëtorëve më besnikë: Bedri be Pejanit, Salih Gjukë Dukagjinit e Rexhep Mitrovicës kontribuoi edhe për organizimin e “Kuvendit Gjithëshqiptar të Vlorës”. Këtu e vlen të saktësojmë faktin se në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor Hasan Prishtina foli në seancën e Parlamentit Osman në Stamboll dhe kërkoi nga Kabineti qeveritar veprime ushtarake të shpejta për ta shpëtuar Shqipërinë nga okupimi dhe masakrat gjenocidiale të ushtrive të “Aleancës Ballkanike”, të përkrahura nga pesë fuqitë e mëdha, kasap të Shqipë¬risë: Rusia, Anglia, Franca, Italia dhe Austro- Hungaria.
Gjatë rrugës së kthimit nga Stambolli në atdhe, Hasan Prishtina do të kapet nga ushtria serbe dhe do të dërgohet në burgun e “Kalemegdanit”, ku ishin sjellë edhe disa krerë të kapur në Shkup e gjetkë në Kosovë, midis të cilëve edhe shërbëtorë besnikë të Serbisë, të cilët më vonë do të shpërblehen me pensione të përjetshme.
Filozofi i shquar, Emerson, shkroi së: “Njerëzit me karakter janë ndërgjegje e popullit të cilit i përkasin”. Kësaj lagjeje i përkiste edhe Fatosi i kombit tonë, Hasan Prishtina, i cili pas lirimit nga internimi në pranverë të vitit 1913, përmes Vjenës e Trieshtës arriti në Vlorë për të dhënë kontributin e nevojshëm në ngritjen e shtetit Shqipëri. Këtë rrugë e ndoqi besnikërisht edhe gjatë Luftës së Parë botërore në Kosovë, si edhe në Shqipërinë Londineze nga fillimvitet e ’20-ta. Nevoja e jetës së kombit Hasan Prishtinën e solli në postin e Kryeministrit të Shqinërisë më 8 dhjetor 1921, por për ta evituar luftën civile, dha dorëheqje më 11 dhjetor. Për shumicën e personaliteteve të veshur me pushtete krahinore Shqipëria Londineze ishte e mjaftueshme!?!
Hasan Prishtina punoi i pa gjunjëzuar për ta ngritur shtetin shqiptar në piemont të kombit e të copëtur mizorisht, por hasi në pengesa të pakapër¬cye¬shme të një pjesë e personaliteteve të veshur me pushtet, sa që u detyrua të kalonte “kaçakë” e në emigrim të përjetshëm së bashku me gruan fisnike, Igballen.
Hasan Prishtina kurrë nuk pushoi së vepruari për ribashkimin e kombit të copëtuar, deri në minutat kur e përjetoi martirizimin (më 14 gusht 1933), nga dora e zgjatur e Ahmet Zogut, edhe për interesa të albano¬fobisë Serbe shekullore.
Rëndësin e veprës patriotike shëmbullore të Hasan Prishinës për kombin shqiptar e ka përmbledhur në një sentencë dëshmori i Shqipërisë Etnike nga Nëntori i Përgjakur 1944, Stak Mark Mirdita: ‘’Në jetë je i detyruar të shkelësh shumë rrugë, por nga njëra nuk guxon të largohesh, kurrë! Ajo është rruga e shqip¬tarisë që na vie nga Skënderbeu te Hasan Prishtina…!”
Amanet i pashkelshëm për brezat pas nesh!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura