DR.MOIKOM ZEQO: APEL PËR UKSHIN HOTIN (QERSHOR 1999) – KOSOVA DHE KOMBI SHQIPTAR KANË NEVOJË URGJENTE PËR MENDIMIN E UKSHIN HOTIT

Pashtriku.org, 14. 05. 2015 – Politikisht shqiptarët e Kosovës merren shpesh në mënyrë të paprinciptë me njëri-tjetrin, grinden, shahen dhe përçahen, në një kohë që duhet vetëm të bashkohen. Këta politikanë shëtisin nëpër botë, japin intervista dhe i japin shumë rëndësi kultit të vetëvetes dhe protagonizmit vetiak. Çuditërisht, këta politikanë nuk flasin, ose harrojnë të flasin, për Ukshin Hotin. Po Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezente kudo.
– Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit.
– Ukshin Hoti plotëson mangësitë e politikanëve tjerë.
– Ukshin Hoti është më i emancipuar, më trim dhe më i vendosur se shumë nga elita intelektuale e Kosovës.
– Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij.
– Ukshin Hoti e bëri sakrificën jo për individët, jo për emrat e lakuar të politikës, po për vetë Kosovën, për vetë kombin shqiptar.
– Ukshin Hoti është emblemë përfaqësuese e Kosovës, një hero i Kosovës.
E bëj këtë apel publik jo i shtyrë nga miqësia ime vetiake me Ukshin Hotin. Miqësia vetiake në këtë rast nuk ka asnjë kuptim. E bëj këtë apel publik i shtyrë nga vlera e qëndrueshme qytetare, morale dhe mbarëkombëtare e Ukshin Hotit.
– Ukshin Hoti duhet të jetojë. I duhet ndalur dora policisë dhe gestapos serbe që Ukshin Hoti të mos e pësojë dhe të mos zhduket pa nam e nishan.

Apeli për Ukshin Hotin duhet të jetë një nga motivet më të thekshme dhe të përditshme të diplomacisë shqiptare, të shtetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, të tërë kancelarive diplomatike të botës.
Rasti i Ukshin Hotit u duhet sugjeruar tërë organizmave ndërkombëtarë. Të gjithë duhet të bëjmë diçka për ta shpëtuar, në mënyrë që të mbijetojë Ukshin Hoti.
Indiferenca është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij.
Jeta e Ukshin Hotit është e shenjtë. Atë nuk mund ta përdhosë dhe as ta shkatërrojë askush.
Ukshin Hoti është një nga bijtë më të mëdhenj të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Qershor 1999

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura