PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: PROPOZIMI I KOMISIONIT TË FORMUAR NGA ANA E SEKRETARIATIT TË KK TË KOSOVËS E METOHISË PËR GJETJEN E FAJTORËVE TË DEFORMIMEVE (23)

Prishtinë, 16 Maj 2020: Deformimet e UDB-ës formë gjenocidale ndaj popullit shqiptarë
Në përbërjen e deformimeve që janë kryer nga ana e organeve të Sigurimit Shtetëror, ka një numër të madh të deformimeve me të cilat është lëndua rëndë e drejta elementare e njeriut, dhe jo vetëm kjo. U cenua rëndë liria e jeta e tyre që lirisht mund të themi se
tërë deformimet kishin karakterin gjenocidal që aplikoheshin nga sistemi i Jugosllavisë ndaj popullit shqiptarë.
Frika e shqiptarëve se edhe plenumet që denoncuan deformimet e UDB-es, janë lojë e shtetit
Nga ato materiale mund të kuptohet se keqpërdorimet e ndryshme dhe vepra penale ka pasur në të gjitha komunat në Kosovë, me dallime të vogla (diku më pak e diku më shumë). Megjithatë, nuk mund të thuhej me siguri se numri i rasteve të paraqitura ose ankesat që kanë ardhur nga qytetaret janë të sakta, se në disa komuna komunistët po ashtu edhe qytetaret kanë shkua haptas për ti denoncuar rastet, por në disa komuna ende ekziston frika dhe janë akoma të mbyllur, megjithatë kanë filluar të flasin. Është shqetësuese se kohëve të fundit ankesat për keqpërdorime kanë fillua të pakësohen. Megjithatë, anëtarët e komisionit mendojnë se kjo ka ardhur për shkak se ende ekziston frika tek qytetaret se edhe kjo mos është ndonjë lojë e shtetit dhe një ditë do ta pësojnë.
Komisionit në fjalë në mënyrë direkt iu kishin dorëzuar 121 ankesë. Të nënshkruara ishin vetëm 100 prej tyre, ndërsa anonime ishin 21 sosh. Vetë kjo e dhënë fletë mjaft se pas plenumit të IV të KQ të LKJ-së, qytetaret haptas i drejtohen organeve kompetente dhe i paraqesin të gjitha keqpërdorimet dhe padrejtësitë që iu ishin bërë gjatë kësaj periudhe, por çka është e vërteta kishte ende njerëz të cilët frikësoheshin dhe druanin që të dalin haptas.
Numri më i madh i ankesave kishte ardhur nga komuna e Gjakovës (47 ankesa), pastaj komuna e Pejës (19 ankesa), Prishtina (16 ankesa), Prizreni (13 ankesa), Skenderaj (10 ankesa), ndërsa nga komunat tjera kishin ardhur nga 5, 3 e nga disa edhe nga 1 ankesë.
Në komision kishte komuna që nuk kishin dorëzua asnjë ankesë si: Vushtrria, Lipjani, Dragashi, Suhareka, Kamenica, Vitia, Istogu, Leposaviqi, Kaçaniku, Klina e Gllogoci. Ndërsa kishte raste kur disa komuna ankesat e tyre i dorëzonin në një komunë të caktuar si rasti i komunës së Deçanit që ankesat i kishte dorëzua në komunën e Pejës. Por nuk do të thotë se komisioni nuk i kishte marr parasysh keqpërdorimet edhe në ato komuna që nuk kishin ankesa. Ngase në një dokument tjetër “ Pregled deformacija u SUP-u i Drzhavnoj Bezbednosti, Prishtina, septembar 1966”, thuhej se në të gjitha këto komuna kishte keqpërdorime dhe deformime të theksuara nga organet e sigurimit shtetëror. Se, për keqpërdorimet e organeve të sigurimit shtetëror ishte kuptuar nëpër mes të mbledhjeve që ishin mbajtur në terren.

Kush ishin personat që kishin keqpërdorur pozitën e tyre
Poqese ndalemi dhe shikojmë se kush ishin kryesit e veprave deformuese dhe kush i kishte bërë keqpërdorimet dhe veprat inkriminuese, ndaj kujt ishin bërë ankesat, nga kjo del se kryesisht veprat i kishin krye nëpunësit e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, dhe një numër i konsideruar i punëtorëve të UDB-es.
Pjesa më e madhe e ankesave është shkruar kundër operativistëve të SHSSH, madje disa ankesa janë ngritur në mënyrë direkt edhe ndaj naçallnikëve të UDB-es (tri ankesa),, pastaj për disa naçallnik të Sigurimit Shtetëror, komandir të stacioneve të policisë dhe nëpunësve të tjerë.
Megjithatë, ka raste kur deformimet dhe keqpërdorimet më të rënda ndaj shumicës së personave janë kryer me dijeninë e organeve më të larta të SHSSH të krahinës, por të gjitha ato i kanë heshtur ose në mënyrë të qetë janë pajtuar me to. Ka raste kur disa krime i kanë organizuar vet udhëheqësit e sigurimit nëpër mes të operativistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, të cilët tani janë strukur, nuk flasin gjëja se nuk din asgjë. Ka raste për të cilat akteret e krimeve sot flasin hapur për veprat e tyre.
Ka edhe raste të tilla kur disa veta nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror janë të mbyllur dhe bëjnë përgatitjet që të rezistojnë në mënyrë aktive ose pasive ndaj udhëheqësve të rinj në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror për zbulimin e deformimeve.
Nga 57 ankesa që i kanë dorëzua qytetaret, janë kryesisht kundër punëtorëve të sigurimit nga nacionaliteti serb e malazezë, 10 ankesa janë kundër punëtorëve shqiptar dhe turk. Këto të dhëna janë bazuar në bazë të emrit e mbiemrit.
Nga 100 ankesa të cilat kanë emër e mbiemër, prej tyre janë 96 shqiptar dhe 4 serbë.
Në këto ankesa ka 184 rast të keqpërdorimit dhe të deformimeve të organeve të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit.
– Vrasje e vetëvrasje janë gjithsej 74
– Lëndime trupore, 28 raste
– Keqpërdorime të natyrës materiale, 15 raste
– Keqpërdorim i grave, 7 veta
– Diskriminim politik i qytetarëve dhe udhëheqësve, 5 veta
– Dënim apo lirim i qytetarëve në mënyrë të padrejtë nën ndikimin e organeve të sigurimit, 21 veta
– Punësim apo largim i punëtorëve pa të drejtë, 5 veta.
– 33 raste janë nga ato nga më të ndryshmet të keqpërdorimeve të organeve të sigurimit.
Nga 184 raste, 182 janë kryer kundër qytetarëve shqiptar dhe turq, 2 raste ndaj nacionalitetit serbë. Kryesit e veprave ndaj shqiptarëve i kanë bërë nacionaliteti serb 168 vepra, ndërsa shqiptar 14 raste, ndërsa dy raste të keqpërdorimit ndaj serbëve i kanë kryer vet serbët.
Shumica e rasteve të pranuara kanë të dhëna për gjërat që janë keqpërdorime serioze dhe të rënda ndaj individëve dhe janë të argumentuara me të dhëna të argumentuara nga burime të tjera. Për disa krime më të rënda që janë të paraqitura i kanë vërtetua edhe vet nëpunësit e sigurimit të shtetit në deklaratat e tyre, që i kanë dhënë me shkrim , por ka pasur raste kur ata i kanë thënë hapur në mbledhjet e organizatave të partisë në repartet e tyre. Duhet theksuar se numri më i madh i krimeve ka ekzistuar dhe janë kryer ndaj personave të caktuar, çka do të thotë se nuk ka edhe aso raste të cilat janë të pabazuara mirë. Më e rëndësishmja është se qytetaret që kanë paraqitur rastet e keqpërdorimit janë në formë të shkruar, në diskutimet publike që në mënyrë dinjitoze dhe njëkohësisht kanë ngritur dhe kanë gjykuar keqtrajtimet dhe deformimet e përgjithshme të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit. Dhe njëkohësisht ato gabime iu drejtoheshin individëve të caktuar për të cilët mendonin se ishin përgjegjës.
Rrethanat që ndikuan në shtypjen e shqiptarëve
Nga materiali del se keqpërdorimet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit ishin kryer kryesisht ndaj shqiptarëve që ishte pasojë e disa rrethanave.
1. Territori i Kosovës çdoherë është trajtuar si vend i pa sigurt në tërë Jugosllavinë Pastaj populli shqiptar është par si popull i pabesueshëm, çka shpjegon se edhe në librat zyrtar për shkollën e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit si dhe në diskutimet e funksionarëve më të lart të këtij shërbimi. Është thënë se shqiptarët vetvetiu që janë pakicë nacionale janë më tepër të kthyer nga shteti amë dhe janë shumë të lehtë që të hynë në shërbim të tyre. Një situatë e tillë ka krijuar kushte për kryerjen e maliverzimeve e keqpërdorimeve të ndryshme në dëm të pjesëtarëve të popullsisë shqiptare dhe të vije në shprehje spekulimet nacionaliste e shoviniste.
2. Veç kësaj, se kryesit e keqpërdorimeve në veprimtarin e përgjithshme të këtij shërbimi, shumicën e përbënin serbët e malazezët çka dëshmon se përbërja nacionale e kuadrit në këtë shërbim ishte asisoj e veçanërisht që ata edhe ishin të orientuar në atë mënyrë. Përveç deformimeve që kishin të bënin me disa qytetar, Shërbimi i Sigurimit të Shtetit kishte ndikua që edhe ndaj inteligjencës shqiptare të shikohet me një dyshim të veçantë. Për shembull, një numër i madh i kuadrit arsimor, u përjashtuan nga puna si element armiqësor, edhe pse asnjëherë nuk ishte vërtetua se ata ishin armiq të shtetit. Ishte e vërteta se një numër i madh i tyre ishte i pakënaqur me situatën në vend dhe ishte i organizuar në grupe e organizata ilegale, por nuk ishin zbulua. Këto konstatime të paverifikuara ishin pranuar vetëm se vinin nga nëpunësit e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit. Tutje, shqiptarët për një kohë të gjatë nuk i kishin pranuar në shkollat për oficer dhe nën oficer, vetëm se ishin element i pabesueshëm për shtetin. Të gjitha këto dhe deformimet e tjera shkonin në kundërshtim me vijën e politikën e LKJ, dhe ishin të drejtuara për shkatërrimin e vëllazërimit e bashkimit të popujve në Kosovë e Metohi, në zhvillimin sa më të madh të shovinizmit. Një shërbim i tillë i organeve të sigurimit ishte një frenues për zhvillimin e sistemit vetëqeverisës në afirmimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarëve. Ishte krejt e natyrshme dhe e kuptueshme në revoltën e madhe të popullit për të shprehur pakënaqësinë dhe për të ngritur çështjen e deformimeve e të keqpërdorimeve në këtë shërbim.
3. Pjesëtarët e SSH ishin përzier në të gjitha fushat e jetës politiko-shoqërore në krahinë, kishin shkuar aq larg sa ishin përzier edhe në programet e planet shkollore. Ata kishin vlerësuar edhe anën ideore të planeve shkollore, pastaj raportet dhe krijimtarinë në fushën e kulturës, kontrollonin se çfarë duhet të shtypet në revistën e arkivit shtetëror, kishin theksuar e gjykuar disa debate të karakterit nacionaliste-shoviniste në disa publikime etj.
4. Në praktikën e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit ishte përvetësua metoda e dyshimit masiv dhe e përcjelljes së qytetarëve, sidomos të funksionarëve politik e shtetëror, duke filluar nga anëtarët e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, të deputetëve e deri tek komiteti krahinor e deri te anëtarët e komiteteve komunale dhe të udhëheqësit e vendeve, për të cilët ishin hapur edhe dosjet e veçanta. Sipas linjës së Shërbimit të Shtetit ishin hapur 50.159 dosje, dhe në linjën e kriminalitetit ekzistonin 103.399 dosje. Burime për të dhënat e personave ishin shfrytëzuar në shumë raste personat problematik, me të kaluar të dyshimtë dhe nga element armiqësor. Për njerëzit e politikës dhe qytetaret e ndershëm, por qëllimi i krejt këtij informacioni ishte shfrytëzimi i tyre, për keqpërdorim, dhe nga kjo rezulton se metodat e punës dhe praktika e organeve të sigurimit shtetëror ishin të gabuara. Nganjëherë ishte shkua edhe në atë drejtim sa kishin montua ngjarje të karakterit armiqësor nga vet nëpunësit e shërbimit dhe bashkëpunëtoret e tyre, që situata në Kosovë të duket edhe më e paqëndrueshme për të akuzuar njerëzit e pafajshëm.
5. Është vërtetua edhe kjo se ka pasur keqpërdorime serioze nga ana e disa anëtarëve të shërbimit të sigurimit për qëllim të zbulimit të veprave penale, për sigurimin e dëshmive, e sidomos këto janë manifestua duke i detyruar njerëzit për të deklaruar dëshmi të rrejshme si ndaj të akuzuarve po ashtu edhe ndaj dëshmitarëve, bile ka pasur raste kur i tërë procesi ka qenë i montuar. Po ashtu ka pasur raste kur organet e sigurimit kanë ndikuar në organet e gjyqësisë si tek prokuroret po ashtu edhe tek gjykatësit.
Sa i përket krahinës së Kosovës shërbimi i sigurimit shtetëror haptas ka qenë i privilegjuar nga shërbimet tjera të shtetit.
VIJON …
_____________
PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: PROPOZIMI I KOMISIONIT TË FORMUAR NGA ANA E SEKRETARIATIT TË KK TË KOSOVËS E METOHISË PËR GJETJEN E FAJTORËVE TË DEFORMIMEVE (22)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9934

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura