PROF.DR.SABILE KEÇMEZI: MULLA NUREDIN MAXHERA-NJË JETË TË TËRË PËR ATDHE E FE

Prishtinë, 10 dhjetor 2019: HOMAZH ME RASTIN E 50-të VJETORIT TË VDEKJES SË ATDHETARIT MULLA NUREDIN MAXHERËS – (Pas komunikimit të aktgjykimit, gjykatësi e pyet hoxhën se a është i kënaqur me lartësinë e dënimit, hoxha i përgjigjet se i vjen keq që nuk ka mundur të punoi edhe më tepër për popullin e vet.)
Duke hulumtuar për organizimin, veprimtarin dhe arrestimin e anëtarëve të organizatës ilegale “Organizata Revolucionare për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” të Kadri Halimit, më bëri përshtypje se në shumë vende përmendej Hoxha – atdhetar-Mulla Nuredin Maxhera. Hoxhë Maxhera, ishte njëra ndër figurat e ndritshme që më zgjoi kërshërinë dhe më nxiti që të hulumtoja dhe të dija diç më tepër për jetën dhe veprën e këtij atdhetari të madhe. Ai, padyshim ishte figurë emblematike dhe njëri ndër organizatorët e lëvizjes ilegale shqiptare në anën e Preshevës. Mulla Nuredin Maxhera ishte personalitet që e stolisnin virtyte të larta si: Urtësia, Trimëria, dashuria e pakufizuar ndaj atdheut, njeri i besës, fjalëpakë, i mençur dhe organizator e veprimtar për mbrojtjen e tokave shqiptare.
Kush ishte Mulla Nuredin Maxhera
Nuredin Xhemajli ose më vonë si do të njihet me vonë me Mulla Nuredin Maxhera (mbiemër që do e marri në bazë të fshatit ku kishte lindur, që quhej Maxhera, në Malësinë e Karadakut të Preshevës). Nuredin Xhemajli u lind në fshatin Maxherë, më vitin 1902. Në kohën kur u lind ai, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, bënte përgatitjet e mëdha për aktin më të madhërishëm, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Familja e Nuredinit ishte një familje atdhetare dhe asnjëherë dhe në asnjë moment nuk kursente për çështje të kombit dhe për çështjen kombëtare. Me kalimin e viteve i riu Nuredini, fitonte tiparet e të parëve për atdhetari dhe për zgjuarsi. Shkollën fillore e mbaroi në Preshevë, ndërsa Medresenë e vazhdoi dhe e përfundoi me sukses të dalluar në Gjilan. Pas përfundimit të medresesë, pasi se mungesa e njerëzve të shkolluar ishte e dukshme, ai vendos që të angazhohej në fshatin e tij si imam, por në ndërkohë shërbente edhe në fshatrat për rreth si: në Sllubicë, Gare, Maxhere, Bukoc, Gosponicë (1) etj.

Gjithsesi, duhet përmendur se, angazhimi i tij si hoxhë, ishte i mirëseardhur për veprimtarin ilegale që ai ishte angazhuar katërçipërisht. Shpesh ndodhte që ligjëratat e tija të mbajtura para xhematit, shndërroheshin në një kushtrim të lirisë për popullin shqiptarë të asaj ane. Mulla Nuredini, përveç përgatitjes shkollore që kishte, kishte të lindur oratorin dhe aftësinë që të ishte i afërt me njerëzit dhe fliste shtruar me ta, për problemet e përditshme, por edhe ato kombëtare që e mundonin popullin. Ishte një njeri i devotshëm por edhe atdhetar i madh. Robërinë dhe okupatorët nuk i duronte dot. Shpesh ndodhte që në xhamit ku mbante ligjërime ai tërësisht ia kushtonte luftës dhe çështjes së pazgjidhur shqiptare.
Më 1941 deri më 1944 Kosova mbeti e ndarë në tri zona pushtimi atë italiane, gjermane e bullgare. Pasi se Maxhera e Presheva ngelën nën zonën bullgare, familja e hoxhë Maxherës u detyrua të shpërngulët për në Përlepnicë, komuna e Gjilanit. Atje familja qëndroi për tri vite duke e ndjerë vetën më të sigurt, ngase, veprimtaria dhe aktiviteti i hoxhës që në ditët e para iu kishte rënë në sy armiqve të popullit shqiptarë. Gjatë qëndrimit në fshatin e Përlepnicës, hoxha atdhetar me takimet që mbante me fshatarët, hetoi me të madhe padrejtësinë që po iu bëhej popullit shqiptar dhe mu kjo ndikoi që të mos rrinte duarkryq. Gjatë kësaj kohe pati takime të shumta me atdhetarët e asaj ane, por edhe krijoi miqësi të reja me familjet më në zë të kohës. Kishte miqësi me atdhetarin e njohur të Anamoravës-Ramiz Cërrnicën, Zeqë Vërbanin e shumë të tjerë. Duke e konstatuar se gjakmarrja ishte plagë e pambyllur e popullit tonë, ai zhvilloi shumë aktivitete që të mbyllte këtë plagë. Populli duke e parë dashurin e madhe të hoxhës ndaj kombit propozuan dhe zgjodhën si kryeplak të Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve në Malësinë e Karadakut. Janë të njohura në popull sa e sa pajtime të gjaqeve që u bënë me ndërmjetësimin e vet mulla Nuredinit.
Situata politike në Kosovë 1945
Qëndresa e popullit shqiptar nuk është e njohur vetëm në dekadat e fundit të shekullit XX. Ajo ka filluar shumë më herët se Konferenca e Bujanit (3l dhjetor l943 – l e 2 janar l944), se Kuvendi i Prizrenit (l945), se Kryengritja e Drenicës (l945), e se shumë e shumë ngjarje madhore të historisë sonë. Mirëpo, ndër sfidat më të mëdha ishte viti l945 dhe periudha që pason. Ishte koha kur shqiptarët, pa dëshirën e tyre, mbetën në kuadër të Serbisë e të ish-Jugosllavisë. Nuk ishte hera e parë që shqiptarëve iu mohua një e drejtë e ligjshme e tyre, por ky do të jetë mashtrimi më i madh që komunistët jugosllavë ua bënë shqiptarëve. Andaj, rezistenca ishte fati ynë historik. Deri vonë historiografia shqiptare nuk u mor me këto ngjarje, jo vetëm pse okupuesi u kujdes që t’i shpallte tema tabu, siç e patën shpallur të tillë tërë rezistencën shqiptare kundër robërisë, por edhe pse ende nuk ishte mbyllur fleta e fundit e kësaj historie, e cila vazhdoi të rridhte gjithnjë e më bujshëm në viset etnike shqiptare.
Pas vitit 1945, Kosova përsëri u robërua. Shqiptarët përsëri vendosën të qëndronin dhe të rezistonin, ashtu siç i kishin mësuar shekujt dhe të parët. Edhe më tutje në rend të obligimeve historike mbeti obligimi dhe qëllimi suprem i lëvizjes – çlirimi i trojeve të mbetura nën sundimin e huaj dhe bashkimi i tyre me shtetin amë. Kjo dëshmon se lufta e armatosur që nisën djemtë e vashat më të mira të Kosovës më l998 i ka rrënjët qysh te pushtimi osman, kur populli shqiptar u ngrit si një për ta çliruar vendin e për t’u vënë krah popujve të Evropës dhe të Ballkanit me shtetin e vet kombëtar.
Vendosja e administrimit ushtarak (8 shkurt l945) dhe më vonë, në vitet që pasuan, bëri që monarkia jugosllave të vishej me këmishë të re. Shovinistët serbomalazias me yllin partizan në ballë, e kthyen Kosovën në një kasaphanë të paparë. Popullata shqiptare, bijtë dhe bijat më të mira të kombit, binin nga rafalet. Fshatra të tëra bëheshin hi e pluhur nga flaka e lubisë serbe. OZN-a famëkeqe, e më vonë UDB-ja, fillojnë ekspeditat e tyre kriminale. Mijëra të tjerë u masakruan në Mitrovicë, në Gjilan, në Ferizaj, në Podujevë, në Istog, në Pejë, në Prizren e në vende të tjera gjithandej ku jetonin shqiptarët. Në emër të pastrimeve nga elementet armiqësore, dhjetëra e mijëra shqiptarë u zhdukën pa gjurmë. Në këto kushte të llahtarshme Kosova gjeti forcë dhe nisi rezistencën e saj të gjatë. Dhe, që në fillim u ngrit Drenica. Prijësi popullor, Shaban Polluzha, në vend që të shkonte në Srem, ku e urdhëronin komandantët, me tetë mijë luftëtarë të tij, kthehet në Drenicën trime për t’i mbrojtur gratë e fëmijët shqiptarë nga deliri gjakpirës i divizioneve serbomalaziase, të udhëhequra nga koloneli Sava Derleviq. Kryengritja e Drenicës u shua me gjak. E përgjakur deri në asht, e lidhur këmbë e krye nga dhuna e pushtetit ushtarak, Kosova arriti në Kuvendin e Prizrenit, që u mbajt më 8-l0 korrik l945.
Pas këtij kuvendi, pasoi një periudhë e rëndë e e sëmurë. Kjo kohë shumë pak premtonte se diçka e re dhe e mirë do të lindte në horizontin e zi të Kosovës. Qeveria e re, pinjolle e pushtetit të vjetër, vazhdonte me përpjekje të ethshme që në çdo por të jetës të shuante çdo ndjenjë kombëtare dhe liridashëse. Edhe pse presionet vazhdonin, populli gjeti një mënyrë tjetër të rezistencës, që ishte shumë më kuptimplotë, ama edhe ishte e rrezikshme. Në ilegalitet të thellë filluan të vepronin organizatat e shumta patriotike shqiptare, si: Komiteti Nacinal Demokratik Shqiptar, Besa Kombëtare dhe disa të tjera më të vogla. Lëvizja patriotike shqiptare në Kosovë kishte një shtrirje të madhe në kohë dhe në hapësirë, që përfshinte vitet l945-l998, me aktivitete dhe me problematikë të larmishme, me momente kulmore dhe herë-herë shpërthyese, që dilte nga suazat e ilegalitetit, si në vitet l968, l97l, l981, l989 dhe në fund më l997, kur iu vu ballë për ballë regjimit të Beogradit.
Formimi i organizatës “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”
Organizata “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, u formua në muajin maj të vitit 1960. Duhet cekur se vitet e 50 e të 60-ta ishin vite shumë të rënda për shqiptarët që kishin ngelur nën Jugosllavi. Në këtë gjendje ndikim të dukshëm kishte luajtur edhe prishja e marrëdhënieve në mes grupit të shteteve socialiste dhe Jugosllavisë, apo siç njihej ndryshe koha e Informbyrosë. Duke e ndjerë robërinë edhe më tepër mbi kurrizin e popullit, disa intelektual kishin marr përsipër që të formonin një organizatë ilegale të cilën e pagëzuan me emrin shumë simbolik dhe transparent për qëllimet e tyre “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”. Emri i organizatës kishte të bënte edhe me vet programin e saj, i cili kishte të bënte me bashkimin e të gjitha tokave shqiptare që ishin okupuar nga Jugosllavia që ti bashkoheshin Shqipërisë.
Fillimisht, organizatorët dhe themeluesit e organizatës ishin: Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha. Që të tre edhe më herët kishin qenë të përndjekur politikisht (1952-1954), dhe kishin përjetuar kaluarin e burgjeve të Goli Otokut si Kadri Halimi e Ali Aliu, ndërsa Ramadan Hoxha kishte qenë në Burgun e Mitrovicës së Sremit. Sipas të dhënave që i ka lënë atdhetari Kadri Halimi, thuhet se de jure organizata nuk u themelua, porse në terren u themeluan degët e saja. Nuk u zgjodh asnjëherë kryetari i saj, porse që të tre themeluesit e saj ishin udhëheqës të saj. Organizata kishte marr qëndrim që në takimet e tyre të shpeshta që i mbanin që të trajtohen tema dhe të merren qëndrimet kryekëput të karakterit kombëtar dhe në terren të ketë shtrirje të gjerë si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi si dhe në Serbi (Medvegjë, Preshevë e Bujanoc).

Kadri Halimi dhe Ali Aliu

Veprimtaria e kësaj organizate u zhvillua kryesisht në formë treshesh, dhe në bazë të dokumenteve shihej se kishte një numër të konsideruar anëtarësh. Edhe kjo, sikurse edhe organizatat tjera ilegale kishte programin e saj që kryesisht e mbështeste në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Lidhjes së Pejës, Konferencës së Bujanit dhe të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare.
Pasi se ishte themeluar organizata, në mbledhjet e më vonshme që u mbanin u bisedua shtruar se në çfarë forme dhe në çfarë mënyre do të bëhej organizimi i saj. U mor qëndrimi që në lagjet e qyteteve dhe nëpër fshatra të organizohen grupe të veçanta që do të anëtarësonin anëtarët aty edhe ku vepronin, ndërsa nëpër komuna do të formoheshin këshilla apo komitete të rretheve. Të tëra këto përgatitje u bëheshin me qëllim se kur të kryhej ky organizim, në të gjitha trevat shqiptare do të thirrej Konferenca apo Kuvendi i Përgjithshme si organ përfaqësues i organizatës.
Organizatorët e organizatës ishin të mendimit se pasi të zgjidhen përfaqësuesit nga komunat e rrethet ku ishin formuar komitetet, përfaqësuesit e tyre do të merrnin pjesë në Kuvend, dhe udhëheqësja e ngushtë e kryetari i saj do të zgjidheshin me vota të fshehta, por deri më atë kohë organizata do të udhëhiqej nga një organ i përkohshëm që do të quhej “Komiteti revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” (2)
Është për tu habitur se në dokumentet e proceseve gjyqësore më ka rënë të lexoj se Organizata ilegale atdhetare, kishte një emër pak më ndryshe, ngase në dokumente thuhej se ajo e kishte emrin “Organizata antirevizioniste për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” (3), dhe kishte për qëllim bashkimin e tokave shqiptare me Shqipërinë.
Në mbledhjet e shumta që kishin mbajtur më vonë, në bazë të dokumenteve thuhej se ata kishin përgatitur që të paraqesin disa kërkesa imediate, sendërtimi i së cilave parashikohej në perspektivë.
Veprimtaria atdhetare e Mulla Nuredin Maxherës në Organizatën Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (ORBSH)
E thamë edhe më herët se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Kosova ngeli nën okupimin serbo-sllavë, andaj atdhetarët e shumtë nuk u pajtuan me këtë fat, por ata, pa hezituar u aktivizuan në organizata të shumta atdhetare ilegale. Po këtë rrugë të atdhedashurisë e vazhdoi edhe hoxha- atdhetar, Mulla Nuredin Maxherja, i cili iu bashkua atdhetarëve -miqve të vet siç ishte Kadri Halimi, Ali Aliu, Ramadan Hoxha e atdhetarë të tjerë.
Pas shumë aktiviteteve e veprimeve atdhetare ilegale, organizatorët e organizatës zbulohen, arrestohen, burgosën dhe dënohen me shumë vite burgu. Gjithashtu pa kaluar një kohë e gjatë zbulohen dhe arrestohen edhe grupi i Mulla Nuredin Maxherës, i cili përbëhej prej 8 vetave.
Më 13 tetor 1961, në Gjykatën e Qarkut të Vrajës, mbahet procesi gjyqësor të cilin e udhëhoqi kryetari i trupit gjykues Dragutin Nikoliqi.
Në librin e tij, atdhetari Kadri Halimi shkruan se në pyetjen e parë e provokative që i bëhet hoxhës nga ana e gjykatësit ishte:
-Gjykatësi: Thuaje të vërtetën se a shkruan në Kur’an se Zoti është një dhe i pari, kurse pushteti i dyti, dhe ai që ngre dorë kundër pushtetit është i pabesë e i pabesim?
-Mulla Nuredini i përgjigjet: Po, por kundër cilit pushtet? Sikur të kisha qua dorë kundër pushtetit tim shqiptar, do të më gjykonin Perëndia dhe populli. Unë veprova kundër pushtetit të huaj, atij jugosllav, e për këtë Zoti dhe populli do të më lavdërojnë.
Pas këtij dialogu në gjykatore, kryetari i trupit gjykues, pas komunikimit të aktgjykimit e pyet hoxhën se a është i kënaqur me lartësinë e dënimit, hoxha i përgjigjet se i vjen keq që nuk ka mundur të punoi edhe më tepër për popullin e vet.
Në këtë proces gjyqësor u dënuan 8 veta:
1. Mulla Nuredin Xhemaili-Maxhera-Malsia e Karadakut, 2 vjet e 6 muaj burg të rëndë (4), (në një shkrim tjetër e kam hasur se Mulla Nuredini dënohet me 8 vjet burg, ngase kjo më dukej edhe më e përafërt, ngase Mulla Nuredini arrestohet e dënohet më vitin 1961, ndërsa lirohet nga burgu në prill të vitit 1969)
2. Ali Xhelili – Ilincë, 3, 6 muaj burg të rëndë
3. Fevzi Aliu- Preshevë, 3 vjet burg të rëndë
4. Tefik Haxhia, Geraj i Preshevës
5. Zahir Sakipi- Golemidol, 1 vjet burg të rëndë
6. Nuredin Aliu- Preshevë, 3 vjet burg të rëndë
7. Jetish Jetishi- Depcë, 1 vjet burg të rëndë
8. Hetem Ajdini – Sefer- komuna e Preshevës,1 vjet burg të rëndë

Duhet theksuar se gjatë qëndrimit në burg, gjatë hetuesisë, hetuesit edhe pse përdorën metodat më të rënda ndaj hoxhës dhe shokëve të tij, ai qëndroi i pa trembur dhe në asnjë moment nuk tregoi shokët. Andaj, po nga këto tortura, atdhetari u sëmurë rëndë. Pasi se lirohet nga burgu, në muajin prill, më 1969, në muajin qershor, ai mbyll sytë me mallin dhe dashurin e madhe që kishte për vendin e, që e la nën robëri skllavëruese. Ai mbylli sytë për të mos vdekur kurrë.
U varros me nderimet më të larta nga bashkëkombësit e vet që i deshi shumë dhe që nuk kurseu ama asgjë, bashe asgjë për lirinë e vendit. U varros në pranin e shumë qytetarëve të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës edhe më gjerë. Populli gjithmonë do ta kujtoi me pietet figurën e ndritur të hoxhës-atdhetar, duke ngritur lapidarë për të dhe duke ruajtur kujtimet ma sublime për qëndresën e tij. I lehtë i qoftë dheu i atdheut.
__________
Fusnotat:
1. Fehmi Ramadani, Mulla Nuredin Maxhera, figurë e ndritshme e kombit dhe e fesë, https://pashtriku.beepworld.de/files/Histori/Histori_09/fehmi_ramadani_mulla_nuredin_maxhera_22.5.09.htm
2. Në organizatat ilegale shqiptare që vepronin nën ish-Jugosllavi, nën termin Kosovë nënkuptoheshin të gjitha tokat shqiptare që kishin ngelur të okupuara nga Jugosllavia.
3. Në librin e Kadri Halimit, thuhej se u përcaktuan për këtë termë “Revizionist” jo se kishte ndonjë prapavijë ideologjike, por për shkak se më 1945 ishte bërë revidimi I vendimeve të Konferencës së Bujanit, pa e pyetur popullin, pa referendum popullor, Kosova i qe aneksuar Serbisë, andaj kishte kuptimin e tradhtisë të synimeve të proklamuara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
4. Kadri Halimi, shkëndijat e lirisë, I.A. Prishtinë, 2011, 58

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura