PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (3)

Prishtinë, 02. 07. 2015 – (Marrja në pyetje e dëshmitarëve) – Pas vendimeve që i kishte lëshua gjykata hetuese, organi kompetent kishte fillua që t’i marri në pyetje dëshmitarët. Dëshmitari i parë që u mor në hetuesi ishte Brahim Mursel Maliqi, bujk nga Prekazi i Epërm, me datë 20 prill 1959 në ora 18 të mbrëmjes. Dëshmitari Brahim Murseli dëshmonte për Ramadan Zenel Zenelin, duke thënë se atij i kujtohej se “Një muaj para ramazanit, ai kishte qenë mysafir tek Emin Maliqi (xhaxhai i tij). Kur ishte ngritur për të shkua në shtëpi, ishte takua me Ramadan Zenelin, që e thirrin “Keça”. Biseda kishte fillua në atë mënyrë, që Ramadani i kishte thënë se ai në fshat njihej si njeri besnik dhe që respekton besën, dhe mu për këtë njerëzit kishin respekt ndaj tij. Pas këtyre fjalëve komplimetuese i kishte tregua në besim se në fshat është formua një organizatë ilegale patriotike, të cilën e udhëheq Bislim Bislimi. Ajo ka për detyrë që të luftoi dhe të angazhohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në këtë organizatë ka shumë anëtar në mesin e të cilëve ka edhe oficer. Në fund e kishte pyetur se a donë edhe ai të jetë anëtar i saj. E kishte thirrur që të marri pjesë në një mbledhje ku do të mblidheshin të gjithë anëtarët e tjerë. Brahimi nuk kishte pranuar dhe nuk kishte dashur as që të dijë për këtë organizatë. Brahimi duke i ditur pasojat e saja poçes zbulohet organizata, i kishte thënë se e ka familjen e vet dhe problemet e veta, i kishte thënë që nuk po mundem me hallet e mija t’i dali në krye kësaj jete.

Brahim Murseli fillimisht kishte dyshuar se Ramadani pasi se ishte aktivist i PKJ-së, dyshonte se mos ishte ndonjë provokim nga ana e tij, që të zbuloi se a jam unë i knaqun apo jo me sistemin e ri. Mu për këtë nuk kam pranua të jem anëtar i saj. Në pyetjen e hetuesit se pse me këtë rast nuk i ka lajmërua organet kompetente për këtë, ai ishte përgjigjur, se nuk ka pas guxim ngase nuk e dinte situatën si ishte dhe ishte frikua nga policia se mund të ndodhte që të merreshin masa edhe ndaj atij.
Në pyetje e kishte marr serbi, Gjoko Mijanoviq, ndërsa procesverbalin e kishte mbajtur Milorad Milivojeviq.
Deklarata e dytë e Ramadan Zenelit,
Ramadan Zeneli u mor në pyetje edhe me datën 20 prill, 1959, në orën 9 të paradites. Hetuesia ishte zhvillua në lokalet e SPB në Mitrovicë të Kosovës. Sipas dokumentit nr. 263 të datës 21 prill 1959, thuhej se ”Kur e kishte vërejtur se me çfarë vepra armiqësore ngarkohej, në hetuesin e dytë kishte deklarua se : “Për shumë vite pas çlirimit unë kam qenë këshilltar (odbornik) në fshatin Prekazi i Epërm, nga e cila detyrë u ndërrova me rastin e zgjedhjeve të vitit 1959. Më dukej se ka qenë shtatori kur unë isha në pazarin e Mitrovicës, duke u kthyer në shtëpi me Sherif Sejdi Musliun e Bislim Tahir Bislimin, që të dy nga fshati Prekaz i Epërm. Q të dy i njihesha mirë. Bislimi na kishte pyetur neve se a mundet me qenë i lirë që të na thoshte diçka. Duke mos e ditur se çfarë do na thoshte, unë i dhashë leje që mundet lirisht me fol pa kurrfarë frike. Ai na u drejtua me këto fjalë : A jeni ju të besës që të punoni për Shqipëri. Sherif Muslia nuk foli asgjë, ndërsa unë nuk u pajtova duke i thënë se qe 14 vjet pas lufte, gjithnjë kam qenë këshilltar në Këshillin e fshatit, dhe po ky pushtet më ka nda 2,5 hektar e gjysmë tokë punuese, me të cilën kam zgjidhur problemin e varfërisë nga e kaluara, e tani më shumë kisha dashur që të jem në burgjet e Jugosllavisë se sa të punoi për Shqipërinë. Me këtë bisedë Bislimi nuk u pajtua dhe u hidhërua në mua. Dhe nga një deklarim i tillë, Bislimi me mua nuk foli fare deri sa erdhëm në fshat”.
Ramadan Zeneli me Bislim Tahirin ishte takua edhe një herë tjetër. Takimi kishte ndodhur diçka më vonë, sigurisht në nëntor të vitit 1958, ai kishte qene ne rruge, para shtëpisë se vet. Në ndërkohë aty pari kishte kalua Bislim Tahiri, pasi se e kishte pare, e kishte thirr që të shkonim s’bashku tek Sherif Muslia, me të cilën ai ishte pajtua. Në shtëpinë e Sherifit Musliut kishin qëndruar dhe kishin bisedua mbi 2-3 orë. Në fillim, Bislimi iu ishte drejtua Ramadanit dhe Sherifit, duke iu bërë pyetje lidhur me bisedën që kishim pasur në vendin e quajtur “Zmiq” dhe i kishte pyetur se cfar kishim vendosur se a do te punonim per Shqipërinë. Sherifi përsëri nuk ishte përgjigjur fare, ndërsa Ramadani përsëri i kishte thënë se nga të gjitha bisedat që kishim pasur, nënkuptohej se nga ajo punë nuk ka asgjë. Për t’i bindur edhe më shumë për aktivitetin e tij, iu kishte tregua se në kohën e mbledhjes së rrushit, ai kishte qenë në Shqipëri, por për hir të aktivitetit dhe punës rreth organizatës, atë e kishin kthye këtu për të vazhduar punën. Kësaj deklarate ai nuk kishte besua dhe i kishte thënë troç se kjo ishte e pamundur. Për ti bindur, iu kishte thënë se kjo ishe e vërtet dhe se ka njerëz të shumtë që punojnë për organizatën. Ramadani i kishte bëre edhe një pyetje, duke i thënë “atëherë më trego se kush janë ata persona. Nuk më tregoi”. Por, kishte shtuar se “personat që janë në organizatë, i kemi emrat e tyre, por janë me pseudonime dhe nuk do ti zbulosh kurrë. Ata punojnë vetëm me mua. Detyrë e jona është që t’i likuidojmë bashkëpunëtoret e UDB-es, të bëjmë diversione duke shkatërrua telat e telefonave, dhe duke i ngritur në ajër urat kryesore të kësaj ane”.
Edhe një pyetje tjetër i kishte bërë Bislimit se “pse duhet të bashkohet Kosova me Shqipërinë, ai iu kishte përgjigjur se në mes këtyre ka dallime të mëdha në drejtim të kombeve dhe të kombësive në Jugosllavi, dhe kjo ndodh sidomos me neve shqiptarët në Kosovë që kemi shumë më pakë të drejta se sa Serbët e Malazezet; se disa serbë e malazezë kanë më tepër se nga 15-20 hektar tokë të punës, ndërsa porezë për të paguajnë shumë më pak se shqiptarët; po ashtu, shqiptarët jetojnë në Shqipëri sikurse edhe ne shqiptarë jemi që jetojmë këtu, dhe mu për këtë shkak duhet të mos kemi kufi ndarës në mes nesh. Pas kësaj bisede, Bislimi iu kishte vu si detyrë Ramadanit dhe Sherifit që të punojnë sa munden që të angazhojnë njerëz për organizatë, por duke mos harruar që ata të jenë njerëz të besës dhe të kenë tradita patriotike familjare. Po ashtu si detyrë e vazhdueshme kishte mbetur që të furnizoheshin me armatim, mundësisht edhe të blinin edhe me parat qe do na vinin nga Shqipëria. Në këtë mbledhje diçka tjetër nuk ishte bisedua dhe ishin ndarë me premtimin se së shpejti do te takoheshin në një mbledhje tjetër për të biseduar lidhur me angazhimin e anëtarëve të rinj në organizatë.

Me marrjen e detyrave nga Bislimi, ai ishte takua me Ibrahim Maliqin nga fshati Prekaz i Epërm. I kishte tregua ne bese se Bislimi kishte formua një organizatë ilegale, e cila po angazhohej që Kosova ti bashkohet Shqipërisë. Ne nji mënyrë i kishte propozuar qe te behej edhe ai anëtar i saj. Ai nuk kishte pranua, por i kishte thënë se është shumë i nxënë e nuk ka kohë për këto punë. Pas kësaj bisede, ai kurrë nuk kishte folur me të, lidhur me organizatën.
Një ditë tjetër kishte bisedua me Istref Osmanin, duke i thënë edhe këtij të njëjtat fjalë që i kishte thënë Bislimi në mbledhje. Istref Osmani nuk u pajtua me mua dhe iu duk se kjo punë është e pamundur. I thash poqese nuk beson, eja një ditë në mbledhje dhe dëgjoje se çfarë fletë me neve Bislimi. Ai u pajtua që të vijë në mbledhjen e ardhshme.
“Disa ditë para ramazanit, 8 apo 9 ditë, unë isha para shtëpisë sime, dhe pash nga larg që Bislim Tahiri po shkonte në drejtim të shtëpisë të Musli Sherifit. Kur më pa më thirri që të shkoja edhe unë te Sherifi dhe të bisedonim lidhur me detyrat e marra nga mbledhja e kaluar. Unë nuk shkova menjëherë, por prita që të errësohej dhe aty pari kaloi Istref Osmani, atëherë ishte momenti i duhur që ta ftoja që edhe ai të vinte tek Sherif Muslija, se aty ndodhej edhe Bislim Tahiri dhe të dëgjonte se për çfarë po flasim, me të cilën u pajtua edhe Istrefi. Në shtëpi u takuam me Sherifin dhe Bislimin. Aty qëndruam 2-3 orë duke biseduar për punën e organizatës. Biseduam për pranimin e anëtarëve të rinj. I tregova se kam biseduar me Ibrahim Maliqin, por ai nuk ka pranuar, ndërsa për Istref Osmanin i tregova se e kam sjell këtu, dhe ai na tha se lidhur me organizatën me askënd nuk kishte bisedua. Në mbledhje u fol shtruar për “besën” dhe rolin e saj tek shqiptarët. Po ashtu u bisedua lidhur me tradhtinë dhe të gjithë ata që tradhëtojn do të likuidohen nga ana e anëtarëve të organizatës kishte thene Ramadani.
Bislimi të takim iu kishte tregua te pranishmëve se pse organizata është quajtur “Vuajtja”,. Ai kishte shtua se shqiptarët nën okupimin jugosllav janë kah vuajnë shumë dhe nuk kanë kurrfarë të drejtash, janë të shtypur dhe të përndjekur. Organizata ilegale “Vuajtja”, ka për qëllim që të luftoi dhe të shkëput Kosovën nga Jugosllavia dhe t’ia bashkojë Shqipërisë. Dhe në fund poqese hetohet se anëtarët e organizatës do të zbuloheshin, ata do të largoheshin për Shqipëri dhe kohë pas kohe do të vijnë në Kosovë me detyra të caktuara. Pastaj Bislimi s’bashku me anetaret e tjere te organizates kishin përpunua Notën që e kishte shkrua Qeveria e Jugosllavisë dhe i kishte dërgua Shqipërisë, lidhur me depërtimin e spiunëve nga Qeveria shqiptare. Ne takim kishin ardhur në përfundim se sa e interesuar ishte Shqipëria për Kosovën dhe shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi. Edhe me tej prioritet kishte ngelur për anëtarët e saj e njëjta detyrë që e kishin edhe spiunët shqiptar që vinin nga Shqipëria. Edhe më tej kishte ngelur detyrë permanente që sa më shumë të organizojmë njerëz në organizatë. Po në këtë mbledhje u njoftuan se edhe arkëtari i kooperativës bujqësore në Klinën e Epërme, përndryshe me origjinë nga Klina e Poshtme- Adem Alia, është anëtarë i saj, duke na rrëfyer se Ademi kishte marrë për detyrë që të zbulonte bashkëpunëtorët e UDB-es në fshatrat: Tërnavc, Kuqici, Klinë e Epërme, Klinë e Mesme dhe Klinë e Poshtme, qëllimi i së cilës ishte që me rastin e zbulimit të tyre të futet frika tek qytetaret që të tjerët mos të angazhohen në këto organe. Ishin njoftua gjithqashtu se këtë grup e udhëheqte Hafiz Hoxha i cili në ndërkohë ishte zbuluar dhe ishte dënuar me pesë vite burg.
Pas mbledhjes dëshira me e madhe e tij kishte qene që të dëgjonte Sherifin se çfarë mendonte për organizatën dhe a do të pranonte që të jetë anëtarë i saj. Ai e kishte pyetur Sherifin se a do të jetë anëtar i saj? Ai ishte përgjigjur se nuk done të jetë anëtar por do të ndihmojë në organizimin e anëtarëve dhe me rastin e ikjes së tyre për Shqipëri do iu ofrojë ndihmë të pa kursyer per ta.
Në pyetje e kishte marr Gjoko Mijanoviq, ndërsa procesmbajtës ishte Milorad Milivojeviq.
Hetuesia e tretë e Ramadan Zenelit
Më 16 maj 1959, Ramadan Zeneli ishte marr përsëri në hetuesi nga Gjoko Mijanoviq, nga ora 13 e ditës. Në pyetje ishte marr kryesisht për punën e organizatës “Vuajtja” dhe lidhur me të kishte shtua “Në deklaratën time të 20 prillit 1959, kam thënë se në mbledhjen që është mbajt në shtëpinë e Sherif Musliut kemi qenë : unë, Bislim Tahiri, Istref Osmani dhe i zoti shtëpisë Sherif Muslia. Por 3-4 ditë pas mbledhjes isha takua me Sherif Musliun dhe kemi bisedua shumë gjatë për situatën në organizatë. Gjate kësaj bisede erdhëm në përfundim se në organizatë si anëtarë i ri por, e pa sqaruar deri në fund kishte mbetur puna e Muhametit nga fshati Llaushë. Por, gjatë bisedës që patëm në mbledhje u kuptua se Muhameti ishte i njoftuar detajisht lidhur me formimin e organizatës. Por, sa më kujtohet mua, në çdo mbledhje si detyrë primare dhe vazhdimisht është thënë se organizata duhet të plotësohet me anëtarë të rinj. Duke u nisur nga kjo edhe Istref Osmani kishte sjell Muhamedin me vete.
Deklarata e Istref Osmanit
Pas zbulimit të organizatës, në hetuesi ishte marr edhe Istref Osmani. Më datë 20 prill 1959, në ora 15 kishte fillua marrja në pyetje nga personi i autorizuar nga SPB-ja e Mitrovicës së Kosovës, Gjoko Mijanoviqi, ndërsa procesmbajtës ishte Milorad Milivojeviqi.
Istref Osmani ishte nga fshati Prekazi i Epërm, i lindur më 1925 nga babai Osman dhe nëna Razë e lindur Tahiri. Bujk, dinte shkrim lexim por asnjë klasë të shkollës fillore nuk kishte të mbaruar. Ushtrinë e kishte mbaruar gjatë viteve 1944-1947 në Resnje të Maqedonisë. Më parë nuk kishte qenë i dënuar e as i dekoruar. Gjendja ekonomike e tij ishte shumë i varfër. Letërnjoftimi ishte i lëshuar në Serbicë.

Gjatë kohës kur ishte arrestua dhe me njoftimin se për çfarë akuzohej, ai kishte deklarua se : dita e saktë nuk i kujtohej por kishte thënë se 7-10 ditë para ramazanit, ishte duke shkuar në drejtim të shtëpisë se vet, për në Prekazin e Epërm. Në afërsi të shtëpisë së Ramadan Zenelit i quajtur Keqa, i kishte dal para Ramadani dhe duke biseduar me të i kishte thënë se një ditë do të më thirre mua po ashtu edhe Ibrahim Maliqin duke shtuar se ka një punë me neve, por nuk i kishte tregua se çfarë pune kishte por çka ishte e vërteta as ai nuk kishte tregua ndonjë interesim. Pas kësaj bisede me Ramadanin, për hir të pazarit kishte shkua në Mitrovicë. Nga Mitrovica ishte kthyer bashkë me Ibrahim Murselin. Gjate rrugës i kishte tregua se si ishte takua me Ramadanin dhe i kishte thënë se do na thërret një natë tek ai në shtëpi, por nuk e dinte arsyen e takimit. Ibrahimi shprehi njëfarë shqetësimi dhe kishte shtua ”athua vallë çfarë ka ai me ne”. Pas bisedës me Ibrahimin, pas 2-3 dite ai kishte shkua tek kovaqi Fejzë Fazlija, nga fshati Prekazë i Epërm, i cili jetonte në vendin e quajtur “Bozhovac”. Duke u kthyer nga atje në natë, afër shtëpisë së Ramadan Zenelit kishte vërejtur se ai po bisedonte me Sherif Musliun. Ata e kishin thirr edhe atë që të shkonte tek ata, ai kishte pranua. Pastaj duke shkuar në shtëpinë e Sherif Musliut, Ramadani ishte nda nga ata, por në shtëpinë e Sherif Musliut kishte shkua bashkë me Bislim Tahiri, po ashtu edhe me Ramadan Zenelin. Me këtë rast Istrefi kishte kërkua se duhet të shkonte, ngase vëllezërit do të merakosën se nuk e din se ku ishte. Në atë moment ata kishin fillua të diskutonin duke e pyetur Sherifin apo Ramadanin se a ka diçka të re. Ndërsa Ramadani iu kishte tregua se e kishte ftua edhe Ibrahim Maliqin por ai nuk ka ardhur, ndërsa për mua tregoi se më kishte takua në rrugë dhe kaherë më kishte premtua se do të më thirr në një takim kësisoj.. Bislimi i njoftoi të pranishmit se si asht shok i mirë i im, dhe prej meje nuk ka nevojë që të frikohen se unë do ti tradhtoi, dhe mu për këtë më kishin thirrur që të më pranin në organizatë. Më pyeti Bislimi se çfarë mendoj për organizatën dhe a mundem me llogarit që nga sot se je anëtarë i saj. Shokëve iu thash se unë jam njeri pa shkollë, dhe nuk merrem fare me politikë. Por iu dhashë me kuptua se ata edhe pse unë nuk do të jem anëtar i saj, ata janë të lirë të punojnë çfarë të duan dhe nga unë të mos frikohen fare se unë më parë do të vdisja se sa do i tradhtoja. Pas kësaj fjale u largova nga aty duke më përcjell Bislimi e Ramadani.
Ata ishin kthyer përsëri tek shtëpia e Sherifit. Në këtë mbledhje ishte lexua edhe gazeta të cilën e kishte sjell Bislimi lidhur me dënimin e Hafiz Hoxhës që ishte mbajtur në Prizren. Bislimi na tregoi se ai kishte ardhur enkas nga Shqipëria për të parë dhe organizuar punët në këtë organizatë, por mjerisht është kapur nga policia dhe është dënuar me burg. Po ashtu u informuam se Bislimi kishte marr shumë letra nga Adem Gjemë Alia, arkëtar në Kooperativë bujqësore në Klinën e Epërme.
Hetuesia përfundoi në ora 16.
Deklarata e dytë e Istref Osmanit
Istref Osmani u mor në pyetje edhe me datën 16 maj 1959, në zyrat e SPB-së në Mitrovicë të Kosovës. Në bisedë merrnin pjesë po i njëjti hetues e procesmbajtës, vetëm se ora e marrjes në pyetje kishte ndryshua. Në ora 16 kishte fillua hetuesia ndërsa kishte përfundua në ora 17.
Pas shumë torturave të bëra nga ana e hetuesve, Istrefi kishte deklaruar se gjatë kohës së Ramazanit, kishte shkua në pazarin e Mitrovicës. Tek unë në Pazar erdhi Muhamet Kamer Qerimi, mik i imi nga fshati Llaushë, që punonte si punëtor në Zveqan, për tu informua për familjen e tij në fshat ngase vinte pak më rrallë. Ai më bëri pyetjen se çfarë ka të re në fshatin tënd. I tregova se ka gjithçka. I tregova se në Prekazin e Epërm është formua një organizatë ilegale e quajtur me emrin “Vuajtja”. Ajo punon për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe i tregova po ashtu se personat që më thirrën në mbledhje nuk i njihja por ata më treguan për organizatën. I tregova se si më propozuan të jem anëtar i saj por gjithashtu në atë mbrëmje u përmend edhe emri i tij. Ai filloi të më pyeste se kush ishin ata persona, sa ishin por asgjë më shumë nuk i tregova por i thash se ata ishin shumë të vendosur në punën e tyre dhe më kërcënuan se poqese tregoi do të më likuidonin. Më pyeti se në atë mbledhje kishte ndonjë simbol apo flamur. Më propozoi se poqese unë shkojë përsëri ta thirrja edhe atë, që të shihte se kush ishin ata njerëz dhe çfarë kërkonin.
Istrefi kishte shtua se qe nga ajo dite Muhamedin nuk e kishte takua por, në ndërkohë i kishte tregua Ramadanit. Bile në një rast Ramadani i kishte thëne a nuk munde ta bindësh Muhametin që të bëhet anëtarë i organizatës. Por, njëherë tjeter i kishte thënë se mos Muhameti do t’i lajmëronte tek organet e sigurimit. Istrefi e kishte bindur se ai nuk është i këtyre punëve dhe se fundja nuk e di se kush është i angazhuar krejt ne organizate.
Duhet theksuar se veç të akuzuarve në hetuesi u morën edhe shumë persona të tjerë të cilët ndoshta vetëm një herë kishin folur në mes veti. Metoda e presionit ishte e madhe, andaj njerëzit ishin të lodhur dhe të dërmuar nga torturat që i bënin organet e hetuesisë. Veç zhvillimit te hetuesisë ndaj të akuzuarve, në organet e hetuesisë ishin marr shumë dëshmitarë e të afërt të të akuzuarve. Por më e vështira për të akuzuarit ishte procesi i ballafaqimit në mes tyre. Kjo ishte një procedurë tronditëse, kur njerëzit kishin presion të jashtëzakonshëm për të dëshmuar edhe atë që kurrë nuk e kishin dëgjuar dhe nuk iu kishte thënë i akuzuari. Pas përfundimit të hetuesisë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ngriti aktakuzë kundër të pandehurve.
Procesverbalet e mbledhjeve të organizatës ilegale atdhetare “Vuajtja” me numër KU.102/59
Mbledhja e pare e organizatës

Mbledhja e parë e organizatës “Vuajtja” ishte mbajtur në shtëpinë e Sherif…. Në të ishte bërë fjalë për Besën e tradhtinë dhe ishin marr detyrat për anëtarët e organizatës.
“Për me u formue një shoqëri e këtill si që kemi fillue këte tonën, si pikë së pari duhet me qenë “Besa” fjala e vërtetë.
Besa: fjala Besa kur flitet nuk të premton asgja, por besa duhetë mbahet dhe të ruhet njësoj si dritat e synit. Besa asht thelbi i karakterit të çdo njeriu, “Besa” asht ushqimi i njerëzis”, “Besa asht qerdhja e trimenis” besa asht dhe fytyra e bardhë e shtëpisë tjera.
“Pa besa”: Fjala pabesa prej të gjitha fjalëve tjera dallohet se kjo fjalë asht e dukshme, para bahet e pabesa e mbasandaj falet, edhe pabesa asht thelbi i karakterit të njeriut. “Pabesa asht mrazi që i thanë rrahjet bimës”, Pabesa asht korita ku ushqehen qenët dhe bisha tjera e tjera…
Nji thirrje e shkurt: thërras nji shoqni që e njehë kombin e vetë, që padrejtësin e urren në çdo vend, që e ndanë të mirën nga e keqja që ta njehë uthullen dhe mjaltën që veten e pret e shoqënin se shet, etj…
Mbledhja e dytë
17-IX-1958 viti

Proqes i mbajtun në takimin në odën e Sherif Muslisë, Prekaz.
Marrin pjesë Ramadan Keqa dhe Sherif Muslia. Rendi i ditës: Padrejtësit në mjekime, mban Bislim Tahiri.
Të dashtun shokë neve shohim në çdo vend dhe hasim në padrejtësi por nji që na bjenë ma shpesh në sy asht mjekimi neper spitale të ndryshme . Aparati mjekues (sherues) udhëheqë si pas qejfit të vetë, psh. Në Mitrovicë në qoftë se nuk je nën siguranjë asht e kotë me pas vendë shprazt për katundar ose në qoftë se nuk njihesh me mjekun në stan. Që përshembull disa: Baba i jem Tahiri para nji kohe e pati nanen e vet smut, prej- raku në buxë. U paraqit te mjeku në Mitrovicë, i dhanë nji put për Beograd, shkojti në në Beograd, ju sosen (hargjuan) të hollat, dhe u kthye me gjithë nanen të pa serume, erdhi në Mitrovicë prap te Dr. Vuksanoviqi ku e kishte marr putin dhe në stan me të holla dhe disa copa pula e veze, e morri dhe brenda nji kohe të shkurtë e shëndoshi, e kemi edhe shumë tjera.
Eventuale: Tash meqenëse neve jemi shumë pak dhe çdo punë ose çdo ikje kishte me qenë shumë pavleftë, bare në qoftë se ikim dotë ndien mbar Kosmeti. Për këtë arsye duhet që këtë numër me zgjanue sa ma shumë, dhe kishem meu vetë juve a kini ndonji shok që do të pëlqej me juve apo jo. Ramadan Keqa pyet si dotu thomi na atyne që me ardhë me neve. (Bisa) neve do tu thom që kemi lidhje me Shqipni, dhe do të jemi edhe nën rrogë. Ky propozim u pranue nga ana e tyne. Ramadani: une për afër 10 vetë mundem me i organizue, e nja dy i kam veq te gatem ata janë Brahim Murseli dhe Istref Osmani. Sherifi thotë une due me shkue, e kam nja dikun e ku sa nevoja me ditë ju.

Të dashtun shok edhe une e kam nji shum i kthjellt dhe në qendër ku mundim çdo lajm dhe punë politike me marr vesh dhe simbas mendimit tem asht shumë i zellshem dhe trim shqiptar.
Ramadani – Ju lutem mos po na shplonë se duket si shumë punon për pushtet (Unë e garantova që jo)
Në takimin e ardhshem do të takohemi edhe me ata shokët e juaj shok Ramadan e Sherif- e pranojmi.

Mbledhja e trete
….1958…
Klinë e Epërm
Takimi me Adem Aliun arkëtar i Koop. Bujqësore.

Pa proqes: Mbrenda ne zyre ka qenë Ibish Zena dhe me thotë që ta pres deri të maron puna, i dhash nj letër mema shtypë në maqin- më tha ma jep për natje netra e ta qoj për atë vllahun që e kije në gjimnaz në Serbicë mbasi ai gjithë kthehet kah na me lue me thmi tonë- unë spranova, veq i thash mema dhanë do letra me punue edhe une diçka, ku me dha nji tabak edhe nji laps e nji liber- Shkrimtaret jugosllav- Puna e zyres mbaroi dhe jemi dal në rrugë për Mitrovicë tue hecë ngadalë dhe tue bisedue, ku une e njoftova Ademin me takimin që në ardhshem kemi me mbajt, Ademi më qortoi me këto fjalë: Unë e di që ti je budall bre Bislim se nuk mbahet takimi me nji shumicë shokësh, se ata mund bahet që e shplojn shoqi shoqin me ndnji inati. Por duhet me mbajt me praktikën e aradheve partizane. Psh. Nji doktorr ka mbajt takim 60-100 shokë edhe veq në treshe e prandaj edhe ti ashtu duhet.
Daja Adem une po e pranoi kete por qellimin kryesor e kam me tejkalue kufirin, po e shof se fizikisht jamë shumë i dobt me punue mbasi çdo ditë mari injeksione, por shpetimi i jem ashtë me kalue kufinin e ose me vazhdue shkollën ose me marr rrogen e me ndejt e ndoshta barem shëndoshna.
Ademi: Pash nderin kur vjen puna me kalue më lajmron edhe mue se rroga 7000 din. Me shoqni spo del me pi. Unë i thash: në qoftëse punon eja edhe ti me neve. Ademi tha në qoft nevoja edhe me çdo takim vi, por e mira asht që ju të mbani, me mue mos të takoheni se kamë shumë hetime nga UDB-a.
I kam dhanë si detyrë mbasi punon ketu që t[i shplojë spiunet në këto katune Klinë e Ulët, Klinë e Mesme, Klinë e Epërme dhe Tërnavc, premtimin ma dha që brenda nji kohe të shkurt ka me krye ketë detyrë.
Muer fund bisedimi i ynë te Tahirovit e Klinës.
Mbledhja e katërt
27 Nanduer 1958 viti,
Prekazi i Epër.

Proqesi i mbajtun në takimin e treshës sonë Ramadani, Sherifi edhe Bislimi. Rendi i ditës: Festa nacionale e 28 Nandori 1912 edhe eventuale. Në odën e Sherif Muslis.
Të dashtun shokë në këto ditë mbahet festimi në mbar Shqipnin, ku valojn flamujt e ndryshëm të Shqipënisë e nuk ka as kand e ndertes që nuk ngrihet flamuri kombtar dhe kang e valle shqipe.
Ramadani pyet: A doni me nderrmar farë detyre me krye në këto ditë për nderë të festës kombëtare?
Ju lutem shok Ramadan vetëm e vetëm ky takim i ynë do të jet si kujtim i kësaj date të lavdishme.
Sherifi pyet dotëishte lehtë fare që në prure të keq edhe meu kput telat e telefonit asht shumë vend i përshtatshëm për ndonji aksion…
I dashtuni shok Sherif kjo dotë ishte krye po në qoft se neve e parashohim me hik, e kjo nuk do të ishte nji gja e vlefshme as për popull mbasi populli mund të rrahen për këtë punë.
Ramadani, une e kam vrejt Brahim Murselin që jemi nën rrogë dhe me ka pyt pse nuk vjen rroga e jonë mbasi neve jemi met vertete shqiptar edhe spritoj me vdes aspak pers hipni.
I dashni Ramadan kallxoj: Në qoftëse bahemi afer 50 veta mundet me na mbrri rroga kurse me neve 5-7 veta ska as si me na mbrri rroga pa shkue me marr na vetë (kjo ka qenë përgjigje e ime e trilluese).

Mbledhja e peste
1959
Proqes i mbajtun në takimin e mbajtun në odën e Sherifit. Marrin pjesë Une, Ramadan Keqa, Sherif Muslija e Istref Osmani.

Rendi i ditës: Përpunimi i Notës, Jugosllavisë- dërgue ambasadorit të Shqipënisë në Beograd.
Une kam lexue notën të shtypun në Rilindje e mbasandaj diskutimi rreth sajna.
Ramadan Keq diskuton: Të dashtun shokë a shifni që ata nga ana e jashtme vijn dhe futën në burg ketu dmth për popullin tonë e neve jemi ketu edhe nuk shpurthim aspak.
Istref Osmani: Neve jemi njerz të shtypun e nuk dimi asgja, a une jam kanë në ushtrin e Shipnis e prandaj e njoh fare mirë se çfare luftaresh ka në Shipni e prandaj edhe na ose qita djemt tonë me qenë atje në shkolla kishin me qenë të gatem në çdo hap me vdesë. Kurse neve kështu të shtypun edhe ende dihemi që jemi gjallë.
Ramadani:Neve asht shumë vështir me punue në nj iksi lloj vendi ku ka shumë spiun, por une kisha dhanë mendimin që çdo spiun i shpluem që përpikënisht i vërtetuem, që të zhdukim ne çdo menyë e dotë punojmi ma lehtë.
I dashtuni Ramadan une nuk ishem konë i mendimit me zhduk shqiptar, e do të vjen nji kohë që denohemi si Brahim Tërnavci e ma mirë vetëm i shplojm e gati po si të ishin të vramë.
Procesi mbetet ke Sherif Musliu, mbasi asht si ma i kujtuem.

Fund
Procesmbajtës Bislim Tahiri

(VIJON… )

_____________

PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4244
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4245
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4247
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (4)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4248

* * *
LEXONI NE FORMATIN ‘PDF’:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/sabile-kecmezi-basha-vuajtja.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura