PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (7) /E FUNDIT/

Pashtriku.org, 27. 04. 2015 – (Telegramet që i dërgon kongresi personaliteteve të kohës) – Gjatë punës së kongresit u vendos që disa personaliteteve të njohura botërore t’iu dërgohen telegrame falënderimi. Në mesin e të propozuarve ishte kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkelqesia e tij Richard Nixonit. Në telegram që i kishin shkruar pjesëmarrësit e kongresit në mes tjerash kishin shkruar edhe këto fjalë: “Shqiptarët në mërgim pjesëtar të grumbullit kombëtar Shqiptar në Jugosllavi, të mbledhur në Kongresin e tyre të parë botor në hotelin Conrad Hilton të Chicagos, më 24 dhe 25 Nëntor 1973. Ju përshëndesin me nderim edhe e çmojnë me të madhe zërin e lartë që keni. Duke folur në emër të mase dy milion vëllezërve tonë në Jugosllavi që nuk mund të hapin gojën, dëshirojmë, zotni Kryetar, t’ju shfaqim se sa të shqetësuar jemi për fatin e tyre, mbasi atyre u janë mohua ma të shumta të drejtat njerëzore, qytetare dhe kombëtare qe kanë grumbujt e tjerë kombëtar në Jugosllavi. Kërkojmë ndërhyrjen tuaj shumë të çmueshme për me e përmirësua gjendjen e tyre”:

Telegram përshëndetës i dërguan edhe Kurt Waldheim, Sekretar i Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po ashtu telegrame i dërguan edhe ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë.
Kongresi miratoi Rezolutën e Lidhjes Kosovare
Në kongres veç diskutimeve e debateve që u zhvilluan në të, po ashtu u miratua njëzëri Rezoluta e parë të Lidhjes Kosovare.
Mbasi të pranishmit shqyrtuan gjendjen në Kosovë në përgjithësi, punët e kryera nga Lidhja Kosovare dhe veprimet e ardhshme, vendosi një zëri që të ndërmarri edhe këta hapa të mëtejshëm:
1. Edhe më tej të ndiçet me kujdes çdo zhvillim i gjendjes së brendshme në Jugosllavi;
2. Të vihet në dukje se autonomia si është sot, e mbërthyem republikës serbe dhe e ndamë nga krahinat e tjera shqiptare që gjenden pa liri, pa autonomi, në republikën Maqedone dhe Malazeze, përbën një tjetër copëtim të mase dy milion shqiptarëve që janë shkëput nga kombi i tyre 50 vjet më parë.
3. Të theksohet se me fjalën Kosovë nuk quajmë vetëm Fushën e Kosovës, por përmbledhim edhe pjesën shqiptare të Maqedonisë, Rrafshin e Dukagjinit si dhe krahinat shqiptare të përpirë prej Malit të Zi me qytetet bregdetare të Ulqinit e të Tivarit.
4. T’i njoftohet botës mbar padrejtësia e konferencës së Londrës, e cila më 22 mars 1913, vendosi ta ndaj përgjysmë tokën shqiptare, pa pyetur banorët shqiptar të asaj krahine, bile t’ue shkua kundër vullnetit të tyre dhe t’ue mos përfillë luftërat e tyre për liri, për vetë sundim dhe plotëni kombëtare.
5. Të caktohet ky mot, si “Vjet zije kombëtare”, për të kujtua gjashtëdhjetë vjetorin e cungimit të Shqipërisë, të padrejtësisë ma të madhe që është krye në Evropë.
6. Të njoftohet bota se imperializmi nuk ka ekzistua vetëm në Afrikë dhe në Azi, por ka ekzistua dhe ekziston ende edhe sot mu në zemër të Evropës siç ashtë rasti i ma shumë se dy milion shqiptarëve nën sundimin e Jugosllavisë dhe nën sundimin e Greqisë.
7. T’u kujtohet shqiptarëve nën Jugosllavi dhe të gjithë shqiptarëve në botë se të drejtat tona duhet t’i fitojmë na vetë me qëndresën tonë, me punën tonë, me sakrificën tonë, me përpjekjen tonë të vazhdueshme dhe zoti ka për të na ndihmua.

Karta e Parimeve të Lidhjes Kosovare
Po ashtu në Kongres u miratua edhe Karta e Parimeve që gjithsej u rrumbullakosua në pesë pika kryesore:
1. Lidhja Kosovare është një Lëvizje e gjanë që kërkon me i bashkua Kosovaret në mërgim dhe me i bashkërenditur përpjekjet e tyre për me mbrojt të drejtat kombëtare.
2. Qëllimi i Lidhjes Kosovare është me i dhanë zemër qëndresës së grumbullit etnik shqiptar në Jugosllavi për me mbrojt të drejtat e veta kundër shtypjeve të autoriteteve Jugosllave.
3. Lidhja Kosovare do të kërkojë që të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi ( domethënë Krahina autonome e Kosovës, krahinat shqiptare në Maqedoni, Krahina shqiptare në Mal të Zi, dhe krahinat shqiptare të ngjitura Republikës së Serbisë, të mbledhura të gjitha bashkë), t’u njihet e drejta e formimit të një administrate autonome në një shkallë të barabartë me kombësitë e tjera, sipas kushtetutës së Shtetit Federativ të Jugosllavisë.
4. Lidhja Kosovare do të kërkojë që një bashkim të këtillë të të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi t’i njihej e drejta e vetëvendosjes së popujve, sipas parimeve të shpallura me Kartën e Atlantikut dhe të pranuar prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
5. Lidhja Kosovare fton çdo Kosovar, shqiptar në Jugosllavi, të marri pjesë në përpjekjet e saja për arritjen e këtyre qëllimeve.

Të gjitha këto dokumente të rëndësishme u pranuan një zëri nga të gjithë të pranishmit e Kongresit të Parë Botëror të Lidhjes Kosovare, të mbajtur në Chikago të Amerikës, në Hotelin Konrad Hilton, më 24 e 25 nëntor 1973.
Përmbajtja e Statutit të Organizatës së Lidhjes Kosovare
Në Kongres u miratua edhe statuti i Lidhjes Kosovare në të cilën përfshiheshin 15 pika nga angazhimet dhe veprimtaria e Organizatës së Lidhjes Kosovare. Këto ishin:
1. janë anëtarë të Lidhjes Kosovare, të gjithë shqiptarët që pranojnë edhe i binden me vullnet e me ndërgjegje Statutit edhe programit të Lidhjes Kosovare.
2. E përkrahin Lidhjen Kosovare të gjithë shqiptarët që duan edhe e kërkojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në liri, pavarësi dhe demokraci.
3. Lidhja Kosovare mbështetë dhe i rregullon veprimet e veta të brendshme në Partinë demokratike.
4. Kongresi është forumi më i lartë i Lidhjes Kosovare, i cili mblidhet çdo katër vjet.
5. Vendimet e marra në Kongres do të jenë rruga e lidhjes Kosovare dhe do të zbatohen nga organet që zgjidhen nga Kongresi.
6. organet e Lidhjes Kosovare janë: a) Komiteti Qendror; b) Degët; c) Ndërlidhësit dhe përfaqësuesit.

7. Komiteti Qendror, i dal nga kongresi, zbaton vendimet e Kongresit, sipas kushteve të tashme dhe të ardhshme të mërgimit.
8. Komiteti Qendror përbëhet prej gjashtëmbëdhjetë vetash, nga të cilët katër vende lihen hapët për me u plotësua në një kohë të volitshme me njëzë që Komiteti Qendror i sheh të përshtatshëm.
9. Komiteti Qendror cakton Sekretarin e Përgjithshëm edhe përgjithësitë e financës, të organizmit, të shtypit edhe të informatave.
10. Komiteti Qendror ngarkohet nga kongresi të caktojë Këshillin e gjerë të përbërë prej tridhjetë vetash, mbasi të jetë këshillua me degët dhe me ndërlidhësit.
11. Detyrat e Këshillit të gjanë është me ndihmua dhe këshillua Komitetin Qendror në veprimtarin e tij.
12. Lidhja Kosovare ka edhe degët dhe ndërlidhësit edhe përfaqësuesit e vet në çdo anë të botës.
13. Aty ku ka ma shumë se pesë anëtarë të Lidhjes Kosovare, mund të krijohet Dega e Lidhjes Kosovare, e cila zgjedhë në gjirin e vet, Kryetarin, arkëtarin dhe sekretarin. Kryetari i degës ashtë ndërlidhës me Komitetin Qendror. Zgjedhjet në Degë do të bëhen çdo vjet.
14. Kongresi ngarkon Komitetin Qendror të caktojë Ndërlidhësit dhe Përfaqësuesit, të cilët edhe i udhëzon për punën që do të bëjnë.
15. Organi zyrtar i Lidhjes Kosovare është “Përpjekja Kosovare”.
Shtypi dhe Informimi në Lidhjen Kosovare
Lidhja Kosovare, shtypin e sheh si mjetin më të përsosur për të bërë sensibilizimin dhe propagandimin e punës së saj në opinionin e gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar.
1. Lidhja Kosovare e sheh të arsyeshme t’i mbështes parimet e veta me anën e shtypit dhe çdo trajte të jetës komunikimi.
2. Organi zyrtar i saj është “Përpjekja Kosovare”
3. Ngarkohet Komiteti Qendror që të organizojë dhe të bashkërendojë veprimet për me i bë të ditur popullit shqiptar dhe botës të vërtetën për gjendjen, ngjarjet dhe aspiratat e shqiptarëve nën Jugosllavi.
Financimi i Lidhjes Kosovare
1. Lidhja Kosovare i bënë thirrje çdo shqiptari të ndihmojë duke dhënë një pagesë të rregullt dhe në rast nevoje, të jashtëzakonshme, sipas fuqisë dhe vullnetit.
2. Ngarkon Komitetin Qendror, për administrimin e ndihmave, si të jetë nevoja.
3. Komiteti Qendror do të paraqes një pasqyrë të të ardhurave dhe të shpenzimeve, para çdo Kongresi, i cili do ti kontrollojë për pëlqim.

Urimet të cilat arritën gjatë punës së Kongresit:
Gjatë zhvillimit të punëve në kongres, kryesisë së saj dhe pjesëmarrësve iu arritën shumë letra dhe telegrame urimi.
Në mesin e urimeve që kishin arritur po veçojmë vetëm disa nga ato si:
Nga Shtëpia e Bardhë:
“Ju faleminderit që me ftoni për të marr pjesë në Kongresin tuaj kombëtar më 24-25 nëntor . Më vjen keq që jam i zënë në ato ditë, por çmojë shumë festën tuaj.
Ju uroi me zemër qi të keni një Kongres me sukses”
William J. Baroody, Jr. Ndihmës i Posaçëm i Presidentit
Nga Departamenti i Shtetit:
“Sekretari i shtetit ka porositur t’iu shfaq nga ana e tij se e çmon shumë qi e ftoni si mik nderi në darkën e Kongresit të Lidhjes Kosovare më 25 nëntor, porse i vjen keq që është i zënë atë ditë edhe nuk mundet me ardhur .
John A. Baker, Jr.
Drejtor i Zyrës së Punëve të Evropës Lindore
Telegram urimi Kongresit i kishte arritur edhe nga Kryetari i Bashkisë së Chicago-s
Në të shkruante: Më vije shumë keq që jam i zënë edhe nuk mundem me ardhur sonte te ju. Dashnorët e lirisë në të tërë botën i mbëshetisin dëshirat e Lidhjes Kosovare. Na në Chicago e kemi për nderë qi ju keni zgjedhë qytetin tonë për këtë hap shumë më rëndësi në udhën e lirisë. Me shumë të fala nga zemra.”
Richard J. Daley
Kryetari i Bashkisë së Chicago-s
Urime nga Senatori J.W. Fulbright
“E kam marr telegramin tuaj të 24 nëntorit që ka të bëjë me gjendjen e mjeruar, në të cilën po vuajnë shumë Shqiptar në Jugosllavi. Ju faleminderit që më keni lajmua.”
J.W. Fulbrght
Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit
Nga senatori Adlai E. Stevenson III
“Ju faleminderit shumë që më keni ftua në Kongresin Tuaj më 24-25 nëntor.
E dijë se kjo mbledhje do të ketë shumë rëndësi edhe prandaj kam dashur me gjithë zemër ta pranofsha ftesën e juaj të mirë. Për fat të keq, sipas programit që kam pas të bëmë më parë, kam me qenë i zënë atë ditë. Më vjen keq që nuk mundem me ardhur në një mbledhje kaq shumë të vlefshme, por shpresojë të mos ma merrni për të keq.
Ju faleminderit edhe një herë për ftesën tuaj”
Adlai Stevenson
Nga Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte ardhur ky telegram urimi:

Kongresi i Lidhjes Kosovare kishte marr edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara një përgjigje të nënshkruar nga Z, Jacob Th. Moller, drejtor i seksionit të të Drejtave të Njeriut. Kjo përgjigje thotë se në mbledhjen më të afërt të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të paraqitet një shkurtim i shkresës që iu dërgua Komisionit nga ana e Kongresit të Lidhjes Kosovare. Nga një kopje e asaj shkrese ka me iu dërgua edhe të gjitha qeverive të shteteve që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara .
Nga letra e Z. Harry T. Fultz, ish drejtor i Shkollës teknike të Tiranës edhe mik i çmueshëm i Tiranës.
“… Me gjithë se kam dëshirë të madhe të jem bashkë me ju, largesa e madhe edhe vështirësitë e udhëtimit më ndalojnë me ardhur, prandaj ju lutem të më falni.
Gëzohem kur shoh se Lidhja Kosovare asht plotë jetë dhe veprim edhe ashtë e zonja të organizojë dhe të mbledh një Kongres botëror në këtë kohë. Puna që po bëni ju le të jetë një shembull i mirë për organizatën dhe grupet të tjera shqiptarësh që punojnë për të mbajtur në këmbë unjisimin e Shqipërisë.
Ju uroi të gjithëve që Kongresi i juaj të dali me faqe të bardhë edhe me plane për veprime të vlefshme në kohën e ardhshme.”
Harry T. Fultz
Nga senatori PHilip A. Nart
“Ju faleminderit që më keni thirr në darkën e juaj më 25 të nëntorit. Nuk kam asnjë dyshim se do të ishte gëzim i madh për mua ta kalofsha atë kohë bashkë me ju, porse, për fat të keq timin, jam i zënë gjetiu, edhe më vjen me të vërtet shumë keq që nuk mundem me ardhur.
Ju faleminderit edhe një herë edhe ju uroi me gjithë zemër“
Philip S. Hart
Nga deputeti L.C. Arends:
“Ju faleminderit shumë që më ftoni të jem mik në darkën e Kongresit të Lidhjes Kosovare, në Chicago, më 25 nëntor. E çmojë shumë ftesën tuaj.
Por më vjen shumë keq që nuk mundem me ardhur, mbasi jam i zënë me programe të mëparshme. Ju e dini mirë se kam qenë gjithmonë një nga ata qi e kanë përkrahur në Dhomën e Deputetëve lirinë e Shqiptarëve, edhe prandaj do të isha i kënaqur, po të kisha mundur me ardhur.
Ju uroi me gjithë zemër.”
L. C. Arends
Nga Këshilli i Kombësive të Partisë republikane:

“Ju faleminderit që më ftoni në Kongresin Botëror të Lidhjes Kosovare. Për fat të keq, nuk mundem me ardhur, por ju lutem tu jepni urimet e mija nga zemra të gjithë atyre që vijnë në Kongres.
Le të shpresojmë edhe le të punojmë të gjithë për një Shqipëri me të vërtetë të pavarur. Jam i sigurt se puna e pa kursyer e Lidhjes Kosovare ka me e bamë të vërtetë këtë ëndërr.”
Laszlo Pasztor
Kryetari i Këshillit
Nga Partia Katundare Polake:
“Partia Katundare Polake e përshëndet Kongresin e Parë Botëror të Lidhjes Kosovare edhe i dërgon urimet nga zemra për një veprim faqebardhë.
Rroftë Shqipëria e lirë demokratike edhe Lidhja Kosovare.”
Boleslaw Krakovski
Kryetar i Degës së Chicago-s
Nga letra e të ndjerit Lutfi Spahiut:

“Ftesën që ma bëni për Kongresin Botëror të Lidhjes Kosovare e mora edhe me zemër ju falënderoi.
Për arsye shëndeti nuk mundem me marrë pjesë; i bindur se Kongresi ka për të pas rrjedhime të dobishme për të ardhmen e Kosovës e të mbar Shqipërisë, këtij i urojë suksese të plota.
… Si rrjedhim i përpjekjes së Shqiptarëve e sidomos të atyre të Kosovës, Shqipëria më në fund, e fitoi Independencën e vet, por mjerisht vetë Kosova mbeti nën një tjetër okupim ma të egër e më të rrezikshëm, nën okupimin serb. E pra Shqipëria pa Kosovë-burim jetësor për Atdheun- nuk mund të jetojë e lirë: bahet gjithmonë e kurdoherë preja e të tjerëve.
Kosovën dhe Kosovaret i njoh. I njoh edhe vetëmohimin e tyre, patriotizmin e tyre, përpjekjet e tyre për tu bashkua me Shqipërinë Nënë. Dhe dita e hareshme pa tjetër, herët a vonë, ka me ardhur, por shpejtimi dhe plotësimi i këtij ideali varet te përpjekja e të gjithë shqiptarëve dhe sidomos te ajo e Kosovarëve vetë.
Duke ju dëshirua edhe një herë suksese të plota me këtë shteg ju dërgoi urime të përzemërta edhe për 28 Nëntorin”
Lutfi Spahiu
Nga letra e Z. Gjon Gjonmarkaj, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike Shqiptare edhe anëtar i Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë”:

“… Nuk po më rrihet pa ju dërgua solidaritetin , prezencën morale, përshëndetjet dhe urimet e Lidhjes demokratike Shqiptare dhe të Degës së Komitetit Demokratik “Shqipnija e Lirë” për Siqeli, për një sukses të shkëlqyer në punimet e Kongresit dhe të programit kombëtar të Lidhjes Kosovare.
…Si pjesëtar i bashkësisë etnike Evropiane, Lidhja Kosovare u bë zëshme e Kosovës së robëruar dhe e dy milionëve shqiptar të veçuam me përdhuni nga Nëna-Shqipëri. Lidhja Kosovare jo vetëm që denoncoi botërisht padrejtësitë dhe persekutimet e vazhdueshme që bëhen kundër popullit të Kosovës kreshnike, por tregoi me fakte përpara miqve dhe armiqve se nuk mund të ketë kurrë Shqipëri pa Kosovë dhe as Kosovë pa Shqipëri.
Forcat Kombëtare Demokratike Shqiptare, të mbledhura rreth Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë”, në Lidhjen Kosovare shohin një rreze drite çlirimtare për Kosovën Shqiptare dhe nuk ka me mungua edhe sot e mbrapa përkrahja dhe bashkëpunimi i këtyre forcave deri sa të bahet i vërtet ideali i sajë.
Rroftë Kosova e lirë dhe e bashkuese me Nanën Shqipni!
Rroftë Shqypnija Ethnike!”
Gjon Gjonmarkaj
Nga letra e z. Kolonel Muharrem Bajraktarit, Kryetar i Lëvizjes Indipendente:

“Në emër të bashkatdhetarëve të Lëvizjes Indipendente, urojmë Lidhjen Kosovare dhe Kongresin që mbahet më 24-24 nëntor 1973, për të drejtat e lirisë kombëtare të Kosovës, të Shqipënisë Ethnike, tuj shpresue qo Kongresi të ketë suksese në veprimet drejtë arratjes së çlirimit të Kosovës dhe të shqiptarëve të robnuem.
Na, bijtë e Shqipes, vëllezënve të robnuem duhet t’u napim të gjitha ndhmat morale e materiale për të fitua lirinë kombëtare. Mjaftë makanë vuajtnën thundrrën epushtimit: e ardhmja pa dyshim ka me i bashkua me Nanen Shqipëri”
Muharrem Bajraktari
Nga letra e Prof. Hysni Hoxhës, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare:

“… Shpirti fluturon në at vend ku jeni mbledhur e zemra qohet peshë për këtë nismë të madhe t’ua mbajt të parinë Kongres Botëror, për të mbrojtur Kosovën e dashur, që vuan nën zgjedhën jugosllave. Kjo jetë e zezë e Djepit të shqiptarizmës na plagosi zemrën e na copëtoi shpirtin. … Me vrasjen e Bajram Currit e me pushimin e Komitetit të Kosovës, pesëdhjetë vjet më parë,pothuajse humbëm shpresat. Mirëpo, në Luftën e Dytë Botërore, me daljen e të ndjerit Mithat Frashërit në skenën politike, përsëri shpresat u ngjallën. Mbasandaj edhe ky yll i fundit shkoi ena la, mirëpo, si i pari, e si i dyti, paskan lanë trashëgimtar. Bijë të denjë për të ndjek rrugën e tyre. Qe, pra, ju atje në vendin e lirë e të madh demokrat jeni t’ua bë vepra madhore.

Ju shtrëngoi dorën e ju uroj me zemër, ju shkoftë mbar puna për lirinë e Kosovës. Rroftë Shqipëria Etnike.”
Hysni Hoxha
Nga letra e Z. Ramadan Fetahut, ushtar i Ballit Kombëtar:

“… Ju uroi punë të mbar në Kongresin e parë që po banë Lidhja Kosovare.
Mbas gjithë këtyre përpjekjeve të gjata në mërgim, ky kongres do t’iu japi shpresë e zemër të gjithë Kosovarëve, kudo, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. Dita e madhe ka me ardhur, sepse përpjekjet dhe mundimet e Lidhjes Kosovare nuk kanë me shkua kot.
Rroftë Kosova kreshnike! Rroftë Shqipnija Ethnike!”
Ramadan Fetahu

GAZETA “PËRPJEKJA KOSOVARE” EDHE NË GJUHËN ANGLEZE
Gazeta “Përpjekja Kosovare”, veç që botohej në gjuhën shqipe, mërgimtarët tanë që jetonin në shtetet perëndimore kishin marr për obligim që çdo numër të saj që botohej ta përkthenin në gjuhën angleze. Qëllimi i saj veç se dihej. E rëndësishme ishte që e vërteta të depërtonte në qarqet ndërkombëtare dhe sa më shpejt e më mirë të njoftohej opinioni ndërkombëtar për ngjarjet e tmerrshme që ndodhnin në Kosovë. Gazeta “Përpjekja Kosovare” e përkthyer në gjuhën angleze, anëtarët e organizatës “Lidhja Kosovare” e kishin marr për obligim që ajo të shpërndahej në kancelarit e shteteve perëndimore. Po ashtu ajo shpërndahej tek të huajt, dhe në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Shtypi veç që kishte luajtur një rol të madh tek të gjithë shqiptarët që kishin mërguar në Amerikë, Evropë, Turqi e Australi, me përkthimin e saj, ishte bërë puna më e mençur e mërgimtarëve se nëpër mes të saj arriti suksesin më të madh që çështja e Kosovës dhe problemi i saj i pazgjidhur të sensibilizohej edhe më shumë në qarqet ndërkombëtare. Mund të themi lirshëm se shtypi i mërgatës, i përkthyer në gjuhën angleze, pati një jehon dhe një ndikim të madh tek bota e lirë dhe e qytetëruar. Kjo ishte ajo që u fut thellë në ndërgjegjen e tyre, dhe trokiti pa ndërprerë që duhet zgjuar, për të përmirësuar gabimet e mëhershme ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

– FUND –

________________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (1)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3897
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (2)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3898
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (3)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3906
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (4)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3922
***
PJESA E PESTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (5)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3923
***
PJESA E GJASHTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: PËRPJEKJET E GAZETËS ‘PËRPJEKJA KOSOVARE’ NË MËRGIM (6)

HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3930

==========================================

LEXONI LIBRIN NË FORMATIN ‘PDF’:


– Prof.dr.Sabile Keçmezi-Basha-
PËRPJEKJET E GAZETËS “PËRPJEKJA KOSOVARE”  NË MËRGIM
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Sabile-K.Basha-perpjekja-kosovare.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura