PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (3)

Pashtriku.org, 09. 05. 2015 – (3. REVISTA “LIRIA”, NR. 3. E BEFASON UDB’në) – Revista “Liria”, vazhdoi të dal edhe më vonë, edhe atëherë kur çdo gjë ishte e vështirë dhe tepër e rëndë. Vazhdoi të botohej edhe atëherë kur gjahu ndaj shqiptarëve ishte i pa dënueshëm (1981), vazhdoi të ecë edhe atëherë kur nuk ecej fare, çka do të thotë, se revista u botua edhe pas demonstratave studentore e gjithë popullore të pranverës shqiptare të vitit 1981. ”Liria” ishte po ajo revistë, vetëm se tani kishte një eksperiencë më të gjatë, dhe një numër autorësh ilegalistësh më të pjekur dhe më të kujdesshëm. Ajo tani dilte me një tirazh më të shtuar, dhe gati lirshëm mund të themi se s’kishte familje shqiptare që nuk e siguronte fshehurazi këtë revistë. Revistën ilegale jo vetëm që e lexonin dhe e siguronin, por ata të cilët kishin mundësi edhe e fotokopjonin dhe e shpërndanin gjithandej ku kishin mundësi. Ishte rrezik të të zbulonin këtë revistë UDB- ashët, mirëpo njerëzit nuk qanin kokën. Kishte ardhur një kohë, dhe një moment kur njerëzit ishin të lodhur dhe për asgjë nuk qanin kokën. Kështu me gjasë kishte ndodhur edhe me ne, thuajse njerëzit (shqiptaret) në heshtje, me një rregull të pa shkruar ishin marr vesh se tani kishte ardhur momenti “Ja të rrojmë të lirë – ja të vdesim të tanë”.
Ky numër i revistës dashamirët e saj i gëzoi pa masë, që kaherë e kishin pritur. Kishin pritur një informim objektiv. Popullata shqiptare ishte e lodhur nga gënjeshtrat dhe ofendimet nga shtypi i vendit. Ishin të lodhur nga një informim i dirigjuar nga lart. Shpirti iu kishte ardhur në grykë, siç thoshte populli me njollosje e fyerje të bijve dhe bijave më të devotshme të popullit. Andaj një shkrim si ky që e kishte botuar revista në faqen e parë e që vazhdonte gjerë në faqen e nëntë, ishte i pritur. Edhe ky numër sikurse numrat e më parëm i kishin rënë në dorë të policisë. Dhe si mos të bije, kur në Kosovën e përgjakur ishin vërsulur me qindra e mija hetues nga gjithë Jugosllavia, dhe përgjonin, vetëm e vetëm që të zbulojnë aktorët kryesor të demonstratave studentore. U burgosën e u malltretuan, u përgjakën e u vranë shumë të tjerë, burgjet e ish- Jugosllavisë u mbushën me të rinj shqiptar nga të gjitha trojet shqiptare në ish- Jugosllavi.

Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla (1981)

3. 1. Lufta jonë e drejtë do të triumfojë
Shkrimi “Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë”, vërehet se edhe në këtë tekst është zbuluar autori. Vlen të njoftohen lexuesit se hetuesit e sigurimit jugosllav, gjatë tërë kohës bënin hulumtime, dhe bënin presion të vazhdueshëm te të burgosurit për të tregua se kush ishin autorët e shkrimeve në gazetë. Ndodhte shpesh, që gjatë bastisjeve që bënin në shtëpitë e të burgosurve u zbulonin skicat e shkrimeve që më parë i kishin bërë vet autorët, dhe në këtë mënyrë vinin gjerë te e vërteta, dhe u zbulonin autorët e vërtet. Hetuesit për të treguar dhe dëshmuar para të burgosurve në revistë çdo herë me laps grafiti shënonin nismëtaret ose emrin e mbiemrin e plotë të autorit. Autori i shkrimit sipas shkrimit që kanë bërë udbashët në revistë është kush tjetër pos Hydajet Hyseni. Teksti është i shkruar nga Hydajet Hyseni në një gjuhë të rrjedhshme, dhe fund e krye i kushtohet demonstratave, dhe shkaqeve që sollën deri te këto. Punimi është i ndarë në nëntituj që në mënyrë të shkurtuar do i prezantojmë në vazhdim. Autori nëpër mes të këtij shkrimi e njofton opinionin e gjerë, si atë të brendshëm njashtu edhe atë ndërkombëtare se “ Këto kohët e fundit, e tërë Kosova jonë kreshnike ishte arenë e përleshjeve të përgjakshme midis popullit tonë trim dhe regjimit të urryer të revizionistëve jugosllavë. Të bashkuar si një grusht i vetëm e i pathyeshëm, dhjeta mija punëtor, fshatarë, studentë, nxënës e intelektualë, burra, gra, pleq e fëmijë, lanë kantieret e tyre të punës, lanë arat dhe bankat, lanë shtëpitë e tyre dhe, me grushte të ngritur, vërshuan si lumë i furishëm e i papërmbajtur nëpër rrugët e pothuajse të gjitha qyteteve të Kosovës. E gjithë Kosova jonë trime u ngrit në këmbë dhe i tregoi edhe njëherë botës se, si në të kaluarën e saj të lavdishme, edhe sot di tu përgjigjet armiqve të saj ashtu si i ka hije: me grusht” .Në bazë të shkrimit dhe gjuhës që përdor autori vërehet mllefi dhe urrejtja e pa përmbajtur e autorit ndaj sistemit okupues dhe hyzmeqarëve të tyre
“Armiku”, thotë autori ishte i tmerruar nga grushti i popullit, robëruesit revizionist të Beogradit dhe zagarët e tyre në Kosovë, grisën maskat, pas të cilave fshiheshin, dhe, duke përdorur mjetet dhe armët e tyre të fundit, tanket dhe çizmen ushtarake, treguan fytyrën e tyre të vërtetë fashiste. Pas maskave të çjerra, populli i ynë dhe popujt e botës panë lakuriq fantazmat e zeza të Drazha Mihajlloviqëve, Çubrilloviqëve e Rankoviqëve”.
Siç dihej, pas demonstratave studentore, ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi filloi një fushat e paparë sulmesh e shpifjesh. Pushtetarët dhe shërbëtoret e tyre filluan të punojnë sipas devizës ”Rrej shumë, se diçka mbetet”, okupuesit dhe tradhtarët, duke mohuar edhe ato gjëra që vetë i kishin thënë vetëm pakë kohë më parë, mundoheshin të bindshin shqiptarët dhe të tjerët se Kosova e okupuar dhe e varfër na qenka një parajsë e vërtet, një vend ku kombe e kombësi të ndryshme jetuakan të lira, të barabarta e të lumtur, në një mirëqenie e bollëk të paparë, se pikërisht kjo gjendje ‘kaq e mrekullueshme” po i penguaka disa forca e grupe “ nacionaliste” e “irredentiste”, “dogmatike e staliniste”, “reaksionare” e “kundërrevolucionare”, të cilat, me “parulla demagogjike sociale e nacionale” si dhe me kërcënime, shantazhe e vandalizëm”, paskan arritur t’i mashtronin e ti hedhin në greva e demonstrata disa qindra veta dhe kështu paskan prishur vëllazërimin e bashkimin, paskan cenuar integritetin e Jugosllavisë, paskan sulmuar frytet e revolucionit dhe, sidomos, të arriturat e popullit shqiptar, bile edhe paskan dashur të bëjnë “kontrarevolucion”!!!
Në nëntitullin e shkrimit “ Cila është e vërteta”, autori na prezanton të vërtetën e hidhur për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar në Jugosllavi. Edhe pse okupatori mundohej me çdo kusht dhe me çdo mjet për ta fshehur të vërtetën, po megjithatë ajo shteg dhe del në sipërfaqe. Populli shqiptar thotë autori u ndodhë në një gjendje të rëndë dhe të padurueshme, mbi të cilët ushtrohej një shtypje e shfrytëzim i egër e i shumëfishtë kolonial. Kjo nuk mund të fshihej as para të huajve e as mos të flasim para shqiptarëve , të cilët mbanin mbi supet e veta tërë peshën e robërisë.
Qytetarët e Kosovës i dinin pasurit e shumta e të paskajshme të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, por edhe të tjerët e dinin dhe e njihnin prapambeturin e theksuar të tyre. Gjithkush e di (këtë të dhënë e dinin edhe vetë pushtetarët) se Kosova, ashtu si edhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi, jo vetëm që nuk u zhvillonte më shpejt se republikat e Jugosllavisë, po përkundrazi diferenca, si në shkallën e zhvillimit ashtu edhe në dinamikën e tij, po shtohej nga viti në vit. Prandaj, gjithkush, me të drejt, bënte pyetjen : Pse ndodhë kështu? E kjo e dhënë ishte fare e lehtë për ta ditur ngase Kosova dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi nuk ishin të lira, se ato ishin koloni të thjeshta të republikave jugosllave, se ato ishin plaçka tregu dhe burim i thjesht i lëndëve të para dhe i krahut të lirë të punës. Kosova kishte pasuri të shumta, të cilat nuk u shfrytëzonin për të mirën e saj. Në Kosovë gjatë gjithë okupimit jugosllav u derdhte lumë djerse e bijve të saj, për të tjerët, dhe ishte shumë dëshpëruese kur të tjetër i shfrytëzonin ato, dhe tjetërkush u pasuronte me të mirat e saja. Në vazhdim, në shkrim bëhen analiza të thukëta për gjendjen në Kosovë dhe në terë Jugosllavinë. Prodhimet shoqërore dhe të ardhurat kombëtare 3-4 herë ishin më të ulëta se mesatarja e përgjithshme jugosllave, dhe rreth gjysma e popullsisë ishte analfabete, më shumë se çdo i dhjeti banor kishte marr rrugën në kurbet dhe akoma më shumë kishte të papunë , qindra fshatar të Kosovës ishin pa rrymë elektrike, pa rrugë, pa asnjë shitore dhe pa asnjë mbrojtje shëndetësore…Këto ishin vetëm nga disa tregues që flasin për gjendjen e vërtetë të popullit shqiptar të Kosovës, pa përfshirë këtu viset e tjera shqiptare, ku gjendja ishte edhe më e rëndë, dhe vazhdimisht ushtrohej një politikë e tillë shoviniste dhe asimiluese, që e kishin lakmi edhe vendet më raciste të botës.
Në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi shumica e popullsisë, sidomos ajo shqiptare , jetonte në skamje, varfëri e mjerim të vërtet. Një pjesë e mirë e popullsisë nuk kishte kurrfarë të ardhurash, e edhe ata që merrnin diçka, ose nuk mund të të gjejnë në treg as mallrat më të nevojshme të jetës, ose edhe po ti gjenin, ato kushtonin aq shtrenjtë (dhe shtrenjtoheshin çdo ditë) dhe nuk mundeshin ti blinin fare .
Në gjendje aspak më të mirë nuk ishte as fshatari ynë, i cili, në gjendjen tepër të rëndë në të cilën ndodhej bujqësia, nuk kishte leverdi të punojë as atë pak tokë, që akoma nuk ia kishin gllabëruar shteti dhe uzurpatorët, sepse siç thoshte fshatari, “dara u delte më shtrenjtë se barra. Ishte pikërisht kjo gjendje e padurueshme që po i detyronte fshataret që t’ia mësyjnë në mënyrë masive kurbetit e qytetit, ku i priste i njëjti fat.
Edhe më e mjerueshme ishte gjendja e rinisë shkollore dhe e asaj studentore. Aq të vështira ishin kushtet e tyre të jetës dhe të mësimit sa që nuk mundeshin të krahasoheshin jo vetëm me ato të shokëve të tyre në Jugosllavi, por edhe as me një vend tjetër më të varfër. Ishin të shumta shkollat dhe fakultetet që zhvillonin mësime në kushte që ishin jashtë çdo norme shëndetësore dhe pedagogjike. Shumë student dhe nxënës po kalbnin trupin e tyre të njom nëpër podrume të lagështa dhe stalla të tilla ku nuk jetonin dot as kafshët. Dhe për të qenë ironia edhe më e madhe, çmimi i këtyre kushteve ishte aq i lartë sa studenti nuk mundte ta paguante as me gjithë bursën apo kredinë që merrte. Nuk ishin të pakt studentët e nxënësit që e hanin bukën thatë ose me ndonjë “zdenkë” (copë e vogël djathi) apo ata që e hanin bukën e mykur, të sjellë nga shtëpia, prandaj edhe suksesi në studime ishte aq i pakënaqshëm ” konstaton autori.
Rinia kosovare mund të mbaronte fakultete, mundë të përfundonte shkolla të mesme, por askush atyre nuk iu siguronte punë. Pra, e ardhmja e rinisë sonë nuk ishte fare e sigurt .
Me një fjalë, poçes analizohet në tersi situata në Kosovë, del se të pakënaqur ishin edhe punëtorët e fshatarët. Të pakënaqur ishin nxënësit dhe studentët, me një fjalë tërë populli ishte i pakënaqur. Në një gjendje të tillë të padurueshme, e natyrshme ishte që tërë populli ishte mbështetur për muri, e thika po i prekte ashtin dhe mjaftonte një shkëndijë e vogël që të merrte flakë e tërë Kosova. Këtë shkëndijë kaherë të pritur nga masat e gjëra, e ndezën me 11 mars studentet trima të Universitetit të Kosovës. Ata kishin kërkuar shumë herë më parë në rrugë e në forma të ndryshme, që të përmirësohet gjendja e tyre e mjeruar, por për ankesat e tyre nuk çau kokën askush. Të ngopur me gënjeshtra e premtime boshe, studentet tanë nuk duruan më, por u bashkuan si një grusht dhe dolën e demonstruan nëpër rrugët e Prishtinës.
Edhe pse kërkesat e parullat e demonstratës së parë ishin kryesisht me karakter social dhe ekonomik, ajo u cilësua si armiqësore dhe jo vetëm që nuk u përfillën fare kërkesat e studentëve, jo që nuk u morë asnjë masë për përmirësimin e gjendjes së tyre, por ndaj tyre u përdorë dhuna policore. Kjo dhe arrestimet që u bënë ndaj tyre, e shtuan edhe më shumë pakënaqësinë dhe revoltën e studentëve, e cila shpërtheu më me forcë dhe më me vendosmëri më të madhe në demonstratat e 26 marsit . Studentëve në këtë demonstratë iu bashkua edhe një numër i madh i punëtorëve, nxënësve dhe qytetarëve të tjerë. Përveç parullave të mëparshme, në përgjithësi ekonomike e sociale, kësaj here u ngritën edhe kërkesa e parulla politike. Demonstrata e 26 marsit ishte më popullore dhe më shumë kishte karakter politik. Mirëpo, po me 26 mars ndodhi edhe masakra më e madhe ndaj demonstruesve. Me tradhti studentet u futen nëpër konvikte. Dhe në ndihmë kolegëve policë të Kosovës iu erdhën edhe njësitë speciale të Beogradit. Ata erdhën jo për tjetër vetëm e vetëm sa për të shfryrë mllefin e tyre shovinistët mbi rininë, mbi vëllezërit, dhe motrat tona. Dhe xhelatët “udbashë” të Rankoviqit e treguan veten dhe kënaqën jo vetëm vojvodët e tyre në Nish e Beograd, por edhe krerët kuislingë në Kosovë. Xhandarët e Beogradit thyen dyer e dritare të konvikteve, rrahën egërsisht secilin që gjenin për para, fyenin e shanin në mënyrën më të poshtër jo vetëm vëllezërit e motrat, por fyenin gjithë popullin shqiptar, sidomos shfrynin vrerin me të shara në nënat shqiptare… Rrugaçët e Beogradit shkuan deri atje sa thyen edhe dollapët e studentëve dhe plaçkitën edhe ato pak para e plaçka që kishin lënë studentet në dhomat e tyre. Qindra studentëve të gjymtuar e të lënduar rëndë, jo vetëm që nuk iu dha ndihma e nevojshme mjekësore, por ata u dërguan ashtu siç ishin drejt e në çeli, ku i rrahën e i torturuan përsëri në mënyrën më shtazarake .
Paria politike e Kosovës jo vetëm që nuk bëri asgjë për ta penguar këtë masakër, jo vetëm që nuk ngriti zërin kundër veprimeve kriminale të çetnike të Rankoviqit, por e kërcënoi rininë dhe popullin shqiptar me masa edhe më të ashpra, poçes edhe njëherë guxojnë e ngritën përsëri.
Se sa u gabuan në vlerësimet e tyre, shovinistët jugosllavë u bindën shumë shpejt. Dhuna dhe terrori fashist jo vetëm nuk frikësoi rininë trime, por përkundrazi, e shtuan edhe më shumë pezmin dhe urrejtjen e tyre ndaj armiqve dhe tradhtarëve. Kupa e pakënaqësisë dhe revoltës ishte mbushur shumë më herët, por tani, pas dhunës që u përdor ndajë sajë, ajo nuk zinte më. Në këmbë u ngritë i gjithë populli. Demonstrata e greva të shumta shpërthyen anë e këndë Kosovës. Në demonstrata hodhën parullat: “Punëtorë, studentë, fshatarë, jemi një e të pandarë” dhe ashtu u bë. Dhjeta mijëra punëtorë, fshatarë, studentë, nxënës, zejtarë e intelektualë u bashkuan si një trup i vetëm në një bllok të fuqishëm e të paparë. Dhe përvoja vërtetonte se kur energjitë e pashterueshme të rinisë bashkohen me luftën revolucionare të klasës punëtore dhe masave të tera popullore, nuk ka forcë në botë që mund ta mposhtin luftën e tyre” komenton pjesëmarrësi i demonstratave.
Megjithëse pushtetarët ndërmorën masa të jashtëzakonshme dhe me gjithë mungesën e organizimit e përgatitjeve të nevojshme të demonstruesve, forcat policore nuk mundën ta ndalin armatën e madhe të popullit që mbushi rrugët e të gjitha qyteteve të Kosovës.
Ditën e një prillit, nga të gjitha anët e Prishtinës, lumenj të mëdhenj demonstruesish qan përmes reve të gazit lotsjellës, plumbave dhe bajonetave dhe u derdhën në qendrën e qytetit, u bashkuan dhe formuan aty një det të madh e të paparë. Pamja që mori qendra e Prishtinës ishte vërtetë madhështore. Nuk mund të shihej aty asgjë tjetër përveç kazmave, lopatave e çekanëve që ngiteshin kërcënueshëm para selisë së komunistëve të Kosovës, përveç grushteve të fuqishëm të mase 20 mijë demonstruesve të të gjitha moshave e profesioneve, që ishin bashkuar në një grusht të vetëm e kolosal. Nuk mund të dëgjohej aty asgjë tjetër përveç korit madhështor të popullit që kumbonte në të gjithë qytetin, përveç brohoritjeve të fuqishme: “Kushtet për studentët!”, “Kushte për puntorët!”, “Çmimeve stop!”, “Duam punë!”, “Ktheni kurbetëçinjët!”, “Mjaft me shtypje e shfrytëzim!”, “Poshtë robëria- Rroftë liria!”, “Lironani shokët!”, “Kërkojmë llogari!”, “Të burgosurit kosovar kthenani në kosovë!” , “Trepça është jona!”, “Kosova është jona!”, “Kosova- kosovarve!”, “Kosova- republikë!”, “Duam vetëvendosje!”, “Të gjithë shqiptaret jemi një!”, “Jemi shqiptar, s”jemi jugosllavë!” etj…etj rrëfen vet pjesëmarrësi i demonstratave.
Qëndresa e fuqishme e popullit dhe kërkesat e tij të drejta u kallën tmerrin armiqve dhe bashkëpunëtorëve të cilët pa asnjë paralajmërim, pa asnjë përpjekje për tu marrë veshë me popullin që kërkonte të drejtat e veta, por në të njëjtën kohë kërkonte llogari e përgjegjësi për ato që kishin ndodhur më parë. Në këtë rast okupuesi tregoi fytyrën e tij të vërtet, popullit iu përgjigj me një sulm tjetër akoma më brutal dhe më çnjerëzor se ato të mëparshmet. Kundër popullit duarthatë e të pa mbrojtur, në mesin e të cilit kishte edhe gra, pleq e fëmijë, udhëheqja e Jugosllavisë “socialiste”, “humane” e “demokratike” urdhëroi sulmin jo vetëm me kërbaçë e gazra lotsjellëse, trullosëse e helmuese, por intervenoi edhe me armë të zjarrta. Gjatë tërë natës së 1-2 prillit, banorët e Prishtinës dhe të një sërë qytetesh të tjera, dëgjuan të shtëna të pa ndërprera armësh që zbrazeshin mbi trupat e njom dhe të uritur të bijve dhe bijave shqiptare. Rrugët e shumë qyteteve kosovare u skuqën me gjak, por populli nuk u frikësua. Ai i hapi dyert dhe i strehoi bijtë dhe bijat e tij luftëtar, u dha bukë, krip e zemër e u a lidhi plagët. Populli e kuptoi atë natë edhe më mirë se kush ishin armiqtë e tij të vërtetë dhe kush ishin bijtë e tij të vërtetë .
Pas kësaj ndërhyrjeje trishtuese të policisë jugosllave, me një mënyrë apo tjetër, pushtetarët e dinin se populli nuk do qëndroi i qetë dhe duar kryq. Andaj për “mbrojtjen” e Kosovës angazhuan edhe ushtrinë- “APJ”-në, tanket dhe aviacionin, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosën orën policore. Jo vetëm burgjet, por edhe stadiumet u mbushën me të burgosur, kurse konviktet e nxënësve dhe të studentëve u mbushën plotë e përplot policë të ardhur nga Serbia dhe viset e tjera të Jugosllavisë. Më shumë se kaq nuk mund të bënte Jugosllavia e Titos, ngase kështu nuk kishte bërë as Jugosllavia e kralve, nuk kishte bërë as Gjermania e Hitlerit. Por as këto masa fashiste nuk e trembën popullin e pamposhtur të Kosovës. Ata që kishin menduar se me tanke e aeroplan mundë ta frikësonin popullin shqiptar, ishin mashtruar keqas .
Ajo që ndodhi me 2 prill, duhet të jetë mësim më i mirë për çdo armik dhe tradhtar. Në Prishtinë dhe në shumë qytete të Kosovës, atë ditë punëtorët nuk dolën në punë, nxënësit nuk shkuan në shkolla. Ata atë ditë kishin vetëm një drejtim dhe një kahe e cila i shpinte në demonstrata të reja. Me vetorganizim u ngritën barrikada të reja forcave të ushtrisë dhe policisë dhe u përleshën me to me heroizëm të paparë. Në këmbë ishte ngritur i madh e i vogël. Përball tankeve e mitralozave, populli tundte grushtin e tij të fuqishëm. Pothuajse të gjitha dyert e shtëpive ishin të hapura për bijtë e nënave. Dora e madhe e popullit u sillte vazhdimisht bukë e ujë luftëtarëve të tij. Infermierë dhe mjekë mantel e zemërbardhë të spitalit të Prishtinës u sillnin pa ndërprerë ushqime, fasha e barëra demonstruesve, u mjekonin dhe u lidhnin plagët. Kishin arsye ata oficerë e ushtarë të huaj që kapnin kokën dhe fërkonin sytë nga guximi i tyre. Bijat dhe bijtë e Kosovës kreshnike, duarthatë po zemër zjarr, ua hapnin gjoksin plumbave të armikut, bile kishte edhe aso që hidheshin edhe mbi tanke” siç ishte rasti i vashës trime nga Hogoshti i Dardanës ( ish- Kamenicë).
Demonstratat që shpërthyen anë e këndë Kosovës u shuan me gjak. Qindra bijë e bija të popullit u vranë, u plagosën dhe u lënduan rëndë, por lufta e drejtë e popullit për të drejta e liri nuk u shua kurrë. Në përkrahje të kërkesave të drejta të popullit, në shumë qytete të Kosovës shpërthyen greva e demonstrata të tjera, kurse vëllezërit tanë që ndodheshin në kurbet organizonin dhe vazhdonin të organizonin demonstrata të fuqishme dhe mitingje të shumta proteste nëpër vende të ndryshme të botës. Populli ynë edhe më tej vazhdonte luftën e tij në forma të ndryshme, dhe përsëri dot vazhdojë atë deri në realizimin e plotë të kërkesave dhe aspiratave të tij, deri në fitoren e tij të plotë.
Nga vet shkrimi i gazetës vijmë në përfundim se autori i shkrimit sikurse të gjithë ne ishte i mllefosur ndaj parisë politike të Kosovës. Mu kjo edhe ishte shkaku që autori nëntitullin e shkrimit e pagëzon: “Jo rinisë, por tradhtarët janë plehu i Kosovës” .
“Pas shumë diskutimeve që i ndërmorën për të shqyrtuar shkaqet dhe arsyet e demonstratave studentore” shkruan autori. Në takimet e shumta nga vet kreu politik kosovar dolën akuzat më të rënda, me të cilat vlerësime nuk u pajtuan demonstruesit dhe intelektualet e Kosovës. Andaj anëtarët e organizatës reaguan shumë ashpër në shtypin ilegal të kohës. Njëri nga shkrimet që iu kushtua demonstratave studentore të vitit 1981, ishte edhe shkrimi i lartpërmendur, në të cilën autori thotë se “Hyzmeqaret besnik të të huajve dhe armiqtë si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Dushan Ristiqi, Ali Shukrija, Asllan Fazlija etj, jo vetëm që u dalluan në masat e egra që u ndërmorën kundër rinisë dhe popullit tonë, por po tregohen shumë të zellshëm edhe në fushatën propagandues që kishin marr jugosllavët në të gjithë Jugosllavinë për ti dënuar demonstratat e Kosovës dhe kërkesat e tyre , thotë autori i shkrimit.
Këta prefektë anadollakë të tipit të Qazim Mulletit, me fjalimet e tyre gjysmë shqip e gjysmë serbisht, akoma pa u tharë gjaku rinor që u derdhë, akoma pa i varrosur dhjeta djem e vajza që i vranë mizorisht, u munduan të na bindin se bijtë e bijat e popullit qenkan “rrugaçë”, “nacionalistë”, e “reaksionarë”, se ata qenkan “Agenta të të tjerëve”, se rinia e pastër e Kosovës qenka “plehu i Kosovës”.
Autori thotë se “Bijtë dhe bijat e Kosovës kreshnike nuk e kanë damkosur dhe nuk do ta damkosin kurrë kombin e popullin shqiptar, ata nuk janë “huliganë” e agjentë të të huajve. Por janë bijtë më të mirë e më besnikë të popullit, ata nuk janë plehu i Kosovës, por floriri i saj. Jo rinia, po tradhtarët e njollosin popullin shqiptar…”
Gjatë kohës kur ndodhën demonstratat , edhe pse ishte shumë transparente se i tërë populli i përkrahte studentët dhe rininë përparimtare, ata (pushtetarët), trumbetonin se “rinia është e jona”, “rinia do të jetë me ne” etj. Dhe nuk donin të pranonin se rinia përparimtare e Kosovës kurrë nuk kishte qenë dhe nuk do të jetë me ta, kurrë nuk kishte qenë me ta, nuk ishte as atëherë dhe as që do të jetë ndonjëherë. Ajo kishte zgjedhur rrugën e vetë të vetme , rrugën që i kishin lënë amanet edhe dëshmorët e demonstratave të fundit, që ranë me heroizëm për të mos vdekur kurrë .
Si çdo kund në botë, nuk kishte forcë që mundte ta largonte rininë e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga kjo rrugë e lavdishme.
Në nëntitullin e shkrimit “Demonstrata e Kosovës janë vepër e popullit të saj“, u bënte fjalë për ngjarjet e vitit 1981. Menjëherë pas 11 marsit, pushtetarët dhe hyzmeqaret e tyre filluan një fushatë të paparë duke trumbetuar se demonstratat i kishin organizuar armiqtë e vendit dhe ata nga bota e jashtme. Duke dhënë pa hezituar mendimet kuturu të vetat se me popullin u manipulua dhe se ata janë shumë të kënaqur që jetojnë në Jugosllavi, dhe duke përdorur lloj- lloj ofendimesh e shpifjesh kundër Shqipërisë.
Në këtë mënyrë donin ti mbulonin shkaqet e vërteta që e shtynë popullin që të ngritët në greva dhe demonstrata. Ata e dinë mirë se këto shkaqe ishin se Kosova ishte në një pozitë të vështirë dhe të pabarabartë me republikat tjera, ishte nën shtypjen e egër dhe të shfrytëzimit të egër e të vazhdueshëm e të shumëfishtë që ushtrohej mbi masat e saja punonjëse, rol kyçë luante edhe mungesa e një sërë të drejtash dhe lirish kombëtare e demokratike, dhe pakënaqësia e madhe që mbretëronte kudo dhe që po shtohej çdo ditë, ishte evidente, edhe pse u mundonin ti kamuflonin, sepse pikërisht ata dhe politika e tyre ishin shkaktarë të një gjendjeje të këtillë dhe rrjedhimisht edhe të demonstratave e të grevave që u bënë në Kosovë. Po të mos ishte kjo gjendje kaq e vështirë dhe populli të jetonte vërtet i lirë e i lumtur, siç duan të thonë ata, atëherë asnjë forcë e brendshme e as e jashtme nuk do të mundë ta nxirrte popullin në rrugë, sado që të përdornim “parulla demagogjike”
“Sa ishte logjike” thotë autori, se në çdo fjalim dhe në çdo artikull që u shkrua rreth demonstratave u thoshte se “masat u mashtruan nga parullat demagogjike që u hodhën”, por harrojnë të thonë se ato parulla na qenkan “demagogjike”, dhe deri sa qenkan të tilla, si u bë që populli të jetë aq “mendjelehtë”, sa jo vetëm që përkrahu që në fillim parullat e kërkesat e demonstruesve , por i përkrahte ato edhe më vonë, bile akoma edhe më me ngulmë. Është interesant që të dihej gjithashtu se, përse krerët e Beogradit e kalemxhinjtë e tyre nuk i zënë fare në gojë edhe parullat e tilla të demonstruesve si: “Duam punë!”, “Ktheni kurbetçinjtë!”, “Çmimeve stop!”, “Lironani shokët!”, “Të burgosurit kosovar, ktheni në Kosovë!” etj.? Pse ata nuk po e shpjegojnë “karakterin demagogjik dhe armiqësor” edhe të këtyre parullave, dhe pse nuk po i zgjidhin këto probleme të mëdha, në mënyrë që “forcat armiqësore” të mos munden t’i “mashtronin” masat herëve tjera?” , në këtë propagandë armiqësore u kyçën që të gjithë, por rolin kryesor e lozi shtypi i Beogradit, që nuk ngelnin pas as mjetet e informimit të Kosovës.
Duke i paraqitur demonstratat dhe grevat e vitit 1981-1982 që kishin ndodhur në Kosovë, si vepra të grupeve e forcave të ndryshme të organizuara, pushtetarët në një mënyrë u bëjnë atyre një nder të madhe, e madje edhe të tepruar. Pararoja e organizuar në Kosovë, dhe patriotët e vërtetë, pa dyshim që kanë luajture rol të rëndësishëm në këtë lëvizje revolucionare, por duhet thënë hapur se detyrën e saj në organizimin dhe udhëheqjen e masave, ajo ka qenë dashur dhe ka mundur ta kryente edhe më mirë. Grevat dhe demonstratat në Kosovë, më shumë se të organizuara ishin spontane. Ato nuk janë dhe nuk mund të ishin vepër e askujt tjetër, por e vetë popullit të saj heroik. Ai ishte iniciatori, udhëheqësi dhe organizatori kryesor.
Është për tu theksuar edhe qëllimi tjetër i krerëve dhe kalemxhinjve të pushtuesit, të cilët, edhe pse e dinin sigurisht se gjatë gjithë demonstratave brohoritej pa ndërprerë e nga të gjithë për republikë të Kosovës, për barazi e të drejta kombëtare, megjithatë ata mundohen ti paraqesin demonstratat e Kosovës si vepër të reaksionit antikomunist shqiptar. Duke qenë të bindur se mbeturinat e reaksionit, ballistë etj… nuk kanë pothuajse kurrfarë influence në popullin e sidomos në rinin e Kosovës dhe të viseve të tjera të banuara me shqiptarë., pushtetarët mundoheshin ta bindnin popullin se pikërisht, këta reaksionar qëndronin në krye të demonstratave dhe jo bijtë e popullit, revolucionarët dhe patriotët e vërtetë. Në këtë mënyrë ata orvateshin ti shkëpusnin masat popullore nga pararoja e tyre që në të vërtetë, siç treguan ngjarjet e fundit, janë një dhe të pandarë. Propaganda e tillë ishte edhe një shërbim i mirë për reaksionin antikomunist shqiptar, i cili ishte shumë i interesuar për të krijuar bindjen se ai ishte akoma gjallë dhe se akoma ka ndikim në popullin shqiptar .
Në pjesën e shkrimit “Kush po e nxitë nacionalizmin”, ajo që bie në sy më së shumti në fushatën e gjerë propagandistike që ka shpërthyer në të gjithë Jugosllavinë kundër demonstratave në Kosovë, kundër demonstruesve e madje edhe kundër të gjithë popullit tonë, ishin akuzat e shumta për “nacionalizëm”, “irredentizëm” , “separatizëm” e madje edhe për “shovinizëm shqiptaromadhë”. Pa u lëshuar në argumentimin e asaj që thonë pushtetarët që nga më të mëdhenjtë deri te më të vegjlit, çirren me të madhe se gjoja demonstratat paskan pasur për qëllim të nxisin nacionalizmin dhe shovinizmin shqiptar, të mbjellin mosbesimin, përçarjen dhe urrejtjen ndërnacionale në Kosovë dhe Jugosllavi, të shkatërrojnë vëllazërimin e bashkimin e tyre dhe gati sa nuk thonë se demonstruesit paskan dashur ta pushtojnë e gjithë Jugosllavinë.
Ashtu pa dashur shtrohet pyetja, po vallë, ç’nacionalizëm e ç’shovinizëm kishte në grevat dhe demonstratat që bëri populli në Kosovë? Ç’nacionalizëm e ç’shovinizëm kishte në parullat kundër papunësisë, kurbetit e ngritjeve të çmimeve? Ç’kishte nacionaliste e shoviniste në kërkesën e drejtë për kthimin në Kosovë të burgosurve kosovar, ose në kërkesën gjithashtu të drejtë që Kosova dhe viset e tjera shqiptare të çlirohen nga zgjedha koloniale, që krahinës së Kosovës ti i pet statusi i republikës në kuadër të Federatës Jugosllave? Që keqe u erdhi popujve jugosllavë në Kosovë e Jugosllavi nga demonstratat që u bënë dhe ç’të keqe do tu sillte atyre realizimi i kërkesave të drejta të demonstruesve? Asnjë, bash absolutisht asnjë të keqe. Lufta e studentëve, e punëtorëve dhe e gjithë popullit të Kosovës për të drejta e liri, jo vetëm që nuk drejtohet aspak kundër popujve jugosllavë, jo vetëm që nuk ju sjell asnjë të keqe, po përkundrazi, ajo e ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejt luftën që bëjnë edhe punëtorët dhe masat e tjera punonjëse jugosllave për të drejtat e veta. Aq më tepër kjo vlente për pakicat serbe, malaziase, turke etj, në Kosovë , të cilat lirinë e tyre nuk mund ta shohin në shtypjen dhe robërimin e popullit shqiptar, por përkundrazi, në lirinë e tij të plotë ”, i elaboronë ngjarjet autori.
Siç dihej se gjatë historisë populli shqiptar, ka vuajtur shumë nga pushtuesit e huaj, gjithmonë ka luftuar kundër okupatorëve e zullumqarëve të huaj, por ai vetë kurrë nuk ka qenë pushtues, kurrë nuk ka qenë shovinistë e zullumqar ndaj të tjerëve. Ai kurdoherë ka ditur të bëjë dallimin mes popujve të tjerë, me të cilët ka jetuar në miqësi e fqinjësi të mirë, dhe krerëve të tyre shovinist, kundër të cilëve ka luftuar pa mëshirë. Jo vetëm në LNÇ, por edhe në luftën patriotike të Azem Bejtës e Isa Boletinit, populli ka dënuar çdo lloj dhune e zullumi ndaj pjesëtarëve të pafajshëm të kombësive jo shqiptare .
Sa ishte paqësor populli shqiptarë u vërtetua edhe ne ngjarjet e vitit 1981 që ndodhën në Kosovë. Gjatë demonstratave, jo vetëm që nuk u hodh asnjë parullë kundër popujve të tjerë, po përkundrazi, më se një herë u theksua qartë dallimi mes popujve jugosllav e krerëve të tyre shovinist. Gjatë demonstratave jo vetëm që nuk u dëmtua popullsia jo shqiptare , por pati edhe serbë, malazias, turq, romë etj, që iu bashkuan grevave dhe demonstratave, ose u solidarizuan me to, strehuan demonstruesit, u dhanë bukë dhe u a lidhën plagët .
Populli shqiptar gjatë historisë ishte dallua për patriotizëm, por qe deshi, kur fati nuk ishte në anën tonë, vërtet ishte patriot, por kurrë, shovinist. Shovinistët ishin ata që e kishin robëruar atë, e kishin copëtuar dhe e mbanin me dhunë nën zgjedhë, e jo shqiptarët që luftonin për të drejtat dhe lirit e tij, pa u rënë në qafë të tjerëve. Kolonialistët janë ata që sjellin polici, ushtri e tanke në Kosovë, ata që vrasin , gjymtojnë, rrahin e poshtërojnë popullin , e jo ata që ngrenë zërin dhe grushtet kundër një mizorie të tillë. Përçarjen dhe urrejtjen e rrezikshme ndërnacionale nuk e nxit populli i Kosovës dhe rinia e tij, por udhëheqja në Jugosllavi dhe Kosovë, e cila duke e shtrembëruar të vërtetën rreth Kosovës dhe luftës së saj të drejtë, orvatët të nxit një frymë antishqiptare kudo në Jugosllavi. Jo ne, por pushteti jugosllavë ka nxitur dhe po nxisin konflikte ndërnacionale në mënyrë që ti bëjnë masat punonjëse të harrojnë problemet e tyre të mëdha ekonomike e sociale, për të lënë në plan të dytë luftën e tyre klasore kundër shtypjes dhe shfrytëzimit. Pas një elaborimi të gjatë të ngjarjeve të vitit 1981, autori prezanton shkrimin me nëntitullin “Rroftë Republika Socialiste e Kosovës” , Duke shtuar se “populli shqiptar në Jugosllavi edhe më parë në forma e rrugë të ndryshme, ka kërkuar zgjidhje të drejtë të çështjes së tij kombëtare, ka kërkuar që atij ti njihet e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij. Për këtë të drejtë kishte luftuar me shekuj shqiptari.
Populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera të banuara me shqiptar u ngrit në Luftën Nacionalçlirimtare, i bindur se, pas fitores së saj, edhe ai do të fitonte të drejtën për të qenë i lirë dhe i pavarur. Udhëheqja e atëhershme e PKJ-së dhe vetë Titua, më se një herë kishin shpallur se pas luftës do tu njiheshin dhe garantoheshin të gjithë popujve brenda kufijve të Jugosllavisë së vjetër, edhe popullit shqiptar , të drejtën për vetëvendosje dhe shkëputje. Por, pas luftës, ata jo vetëm që nuk e garantuan këtë të drejtë, por e shkelën atë me gjak. Ata që guxuan të kërkojnë këtë të drejtë të ligjshme dhe të premtuar, u shpallën armiq, u vranë, u burgosën, u ndoqën. Tjetër kush vendosi për fatin e popullit tonë të robëruar .
Dihet botërisht se në mbledhjen e AVNOJ-it, ku u vendos edhe për fatin e popullit shqiptar dhe të tokave të tij, që fuqitë e mëdha imperialiste padrejtësisht i kishin ndarë nga shteti shqiptar dhe i kishin lënë nën zgjedhën e Serbisë dhe të Malit të Zi, ku nuk merrte pjesë asnjë delegat shqiptar ”.
Megjithëkëtë, pushtetarët jugosllav thonë pa pikën e turpit të kundërtën, gjëja se populli ynë paska shprehur vetë vullnetin e tij që të jetë kështu siç është. Ç’vullnet i çuditshëm! Shqiptarët që rrojnë në tokat e tyre (dhe përbëjnë shumicën absolute të popullsisë), paskan dashur dhe paskan shprehur vullnetin (për hatër të Titos dhe Rankoviqit), jo vetëm të mbesin në kuadrin e Jugosllavisë, por edhe të copëtohen një pjesë në Kosovën autonome, një pjesë në Maqedoni, një pjesë në Serbinë e ngushtë dhe një pjesë tjetër në Republikën e Malit të Zi.. Mjerisht ishin larg Kosovës Kroacia dhe Sllovenia, se sigurisht edhe atyre “do tu takonte” ndonjë copë tokë shqiptare!
Nëse populli i Kosovës paska vendosur vet që të jetë kështu si është dhe nëse ai e paska lidhur fatin e tij me Jugosllavinë, me LKJ-në dhe me Titon, atëherë, pse ai nuk gëzon të drejtën për vetëvendosje, që Kushtetuta e Jugosllavisë u siguron popujve të tjerë? Pse të mos i lejohet që të vendosë vetë për fatin e tij, kur ai, siç thonë pushtetarët, “dashka të jetë kështu siç është”. Është mase e qartë se të gjitha që thonë pushtetarët jugosllavë për “vëllazërim- bashkimin”, për “barazinë” e “bashkëjetesën”, për “zgjidhjen e drejtë, bile ideale, të çështjes kombëtare” s’janë tjetër veçse demagogji, veçse një rrenë e madhe dhe e kulluar .
Trumbetohet se në Jugosllavi “çështja kombëtare është zgjidhur në mënyrë marksiste”, bile Tito , për “kontributin e madh” që paska dhënë në këtë fushë, është shpallur edhe doktor nderi, për ironi, pikërisht në Universitetin e Kosovës!. Por, vallë çka marksiste në zgjidhjen që revizionistët i kanë bërë çështjes kombëtare në Jugosllavi, zgjidhje që ndryshon fare pak nga “zgjidhja” që i kishin bërë asaj kralët e Jugosllavisë së vjetër” shpjegon autori me argumente historike.
Për të vazhduar më tutje se propaganda jugosllave akuzon parullën “Kosova- Republikë”, se gjoja ajo nxit nacionalizmin, separatizmin e shovinizmin, thuajse në Jugosllavi nuk paska republika të tjera! Sipas kësaj del se të gjithë ata popuj që kërkojnë vetëvendosje, e të mos flasim për shkëputje, qenkan “nacionalistë” e “shovinistë”. Krerë të ndryshëm e “teoreticent” jugosllavë dhe sidomos “politiçar” e “koka të mëdha të shkencës” në Kosovë, mundohen ta bindin me çdo mënyrë popullin tonë se ai është krejt i lirë, i barabartë, i pavarur dhe bile i privilegjuar, se autonomia që ka Kosova, nuk ka kurrfarë dallimi nga republika etj…etj… Interesant populli si ky i yni! Jeton në “liri” e “barazi” të plotë dhe nuk i sheh ato! (Kështu nuk shihte ai as “lirinë” dhe “qytetërimin” që i kishte siguruar atij dikur fashizmi) .sa absurde ishin të dhënat që ofronin juristet kosovar.

LIRIA – MAJ 1981, Nr.3.

Po të jetë se statusi i autonomisë qenka e njëjta gjë me statusin e republikës, siç po thuhet shpesh, atëherë përse nuk realizohet kërkesa e popullit të Kosovës për republikë, edhe pse për të po derdhet gjak? Se çfarë është, në të vërtetë “autonomia” që ka Kosova, se sa është ajo në fakt subjekt i pavarur i Federatës dhe se sa është ajo në duart e kosovarëve, dëshmuan më së miri ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë. Karakteri revolucionar ose reaksionar i një kërkese kombëtare, qëndron në faktin se nëse realizimi i saj do të ndihmonte ose do ta pengonte zhvillimin e përgjithshëm të atij populli. Cili është ai që mund të thotë (dhe të mos gënjej se çlirimi nga zgjedha koloniale nuk do ta ndihmonte zhvillimin e përgjithshëm dhe çështjen e socializmit, jo vetëm në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, por edhe në gjithë Jugosllavinë.?”
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Stane Dollanc në një intervistë pat thënë në mes të tjerash, se Republika e Kosovës do të ishte shkatërrim për Jugosllavinë, dhe këtij avazi i binin edhe më shumë artikujt e fjalimet e të tjerëve, duke paraqitur shkatërrimin e Federatës Jugosllave edhe si qëllimin kryesor të demonstratave në Kosovës!
Autori mendonte se shteti jugosllav dhe çdo shtet tjetër shumëkombësh ka rrezik të shkatërrohet jo duke u dhënë popujve të shtypur lirinë, por duke ua mohuar atë, duke ia mohuar të drejtën që ata të vendosnin vetë për fatin e tyre, duke u përpjekur për ti mbajtur ata me dhunë në zgjedhën koloniale. Edhe sikur robëria e Kosovës të ishte shtylla që e mbanë Jugosllavin dhe po të jetë vënia në vend e padrejtësive që i janë bërë dhe po i bëhen popullit tonë do të thoshte shkatërrim i shtetit jugosllav, atëherë del se ky farë shteti do të shkatërrohet patjetër dhe do të duhej shkatërruar, pasi është ndërtuar keq, pasi se është ngritur në dëm të lirisë së popujve të tjerë .
Duke i mbrojtur “zgjidhjet” që i kanë bërë çështjes kombëtare të Kosovës fuqitë e mëdha, imperialiste dhe qarqet monarkiste të Serbisë dhe të Malit të Zi, pushtetarët jugosllav shkelin me të dy këmbët mësimet e demokracisë mbi çështjen kombëtare .
Me qëllim të armiqësimit të popujve jugosllavë dhe popullit tonë, klika e Beogradit mundohet ti paraqes demonstratat e Kosovës dhe sidomos kërkesën për republikë si “sulm të drejtuar kundër popullit serbë, malazezë, maqedonas dhe popujve të tjerë të Jugosllavisë”. Po për këtë qëllim, ata kanë organizuar nëpër qytete të ndryshme të Jugosllavisë edhe tubime dhe protesta nën parullën : “Zhivot damo , Kosovo ne damo” (jetën e japim- Kosovën se japim), por kralët e rinj të Beogradit dhe ata që iu shkojnë pas tyre duhet ta dinë mirë se Kosova nuk është çiflig i tyre dhe i askujt në botë. Kosova është e kosovarëve dhe vetëm kosovarët kanë të drejtë të vendosin për fatin e saj.
Kërkesat e drejta të popullit për ta hequr qafe zgjedhën koloniale, jo vetëm që nuk drejtoheshin kundër interesave të masave popullore në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, po përkundrazi, ato ishin edhe në interesin e tyre, prandaj edhe duhej ta përkrahnin.
Parulla “Rroftë Republika Socialiste e Kosovës” ishte e drejtë, prandaj edhe përkrahej nga çdo shqiptar. Kërkesat e tij të ligjshme për republikë nuk mundi ti a shuajnë popullit asnjë lloj propagande e frazeologjie, sado e ashpër ose kërcënues që të jetë, ashtu siç nuk mundi ti a shuajnë as masat e egra të dhunës e terrorit, as plumbat e tanket e diktaturës. Për realizimin e kësaj të drejte të ligjshme, populli ynë trim e patriot do të luftojë pa marrë parasysh asnjë sakrificë, deri sa në kushtetutë të shohë të shkruar: Republika Socialiste e Kosovës. sugjeronte autori.
Me qëllim të diskreditimit të rinisë dhe të gjithë popullit tonë, propaganda në Jugosllavi dhe në Kosovë mori një fushat të shpifjeve dhe trillimeve kundër demonstruesve, andaj edhe nëntitulli i shkrimit “Kriminelët akuzojnë për vandalizëm” dëshmon qartë se si dha çka ndërmori okupuesi ndaj popullatës liridashëse. Sipas asaj që thonë qarqet okupuese, demonstratat nuk i kishte bërë populli, po “nja 200 – 300 rrugaç, studentë të dobët, e punëtorë të këqij”, të cilët nuk paskan pasur asnjë qëllim tjetër, pos të “shkaktojnë incidente e gjakderdhje, të shkatërrojnë pronën shoqërore, të thyejnë shitoret dhe të vjedhin mallin”. Ata, jo vetëm që i paskan “detyruar njerëzit me dhunë që të dilnin në demonstrata”, por edhe paskan “ vënë përpara fëmijë me qëllim që organet policore të mos mundin të shtien mbi ta”!!! Çfarë shpifje e çfarë trillime thotë autori, thuajse populli ishte naiv dhe nuk e dinte të vërtetën.
Çdo kush mund të bënte pyetjen: Si është e mundur që disa qindra “huliganë” të bëjnë, gjatë një muaji reshtë, greva e demonstrata të njëpasnjëshme, bile në të gjithë Kosovën? Si ia arritën disa “rrugaç” siç thoshin ata, që të nxjerrin “me dhunë” masat në demonstrata, kurse pushtetarët me gjithë dhunën e presionin që vërtetë ushtrohej mbi ta , me gjithë organet e shumta që kanë dhe me gjithë demagogjinë e tyre të njohur, nuk ia arritën të nxjerrin popullin në mitingjet që organizoheshin , për të “pritur” stafetën , pikërisht atë ditë kur bëheshin demonstratat. Si nuk iu mjaftoi gjithë ajo polici që sollën nga Serbia, por u detyruan të fusin në veprim edhe ushtrinë me tanke e avion, të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme dhe të vendosnin orën policore.
Çdo kush e dinte dhe e kishte të qartë se demonstratat që ishin organizuar në Kosovë gjatë vitit 1981 ishin popullore, se me demonstruesit ishte i gjithë populli, se populli kishte dal të kërkonte në mënyrë paqësore të drejtat e tij, ndryshe nuk do të ndaleshin aq lehtë armiqtë që guxonin të sulmonin me armë popullin e paarmatosur. Gjithkush e shihte se zhurma e madhe që bëhej rreth gjoja brutalitetit dhe vandalizmit të demonstruesve, me tërë ketë bëheshin përpjekje për të fshehur brutalitetin dhe vandalizmin e tyre. për tua hedhur demonstruesve fajin e përgjegjësin për dhunën e paparë që u përdorë, dhe për gjakun që ishte derdhur .
Natyrisht, në demonstrata të tilla të mëdha e popullore, është e natyrshme që të ndodhë dhe të bëhej edhe ndonjë veprim i nxituar, i pamatur dhe i panevojshëm. Edhe në demonstratat e 1981-shit, nuk përjashtohej të jetë bërë edhe ndonjë veprim i tillë, por karakteristikë e përgjithshme e demonstruesve të Kosovës ishte rregulli, durimi, pjekuria dhe gjakftohtësia shembullore. Vërtet populli kishte dal në demonstrata por jo në kryengritje , ai i kërkonte të drejtat dhe lirin që nuk e kishte, dhe jo gjakderdhje , prandaj ai edhe ngriti parullën “Pa dëmtime”, “Pa incidente” , dhe vërtet pothuaj se asnjë dëm, asnjë incident nuk u bë nga ana e demonstruesve para se të sulmoheshin nga policia. Nuk do të bëheshin kurrë dëmet që u bënë, nuk do të derdhej as gjaku që u derdh, sikurse ndaj popullit demonstrues të mos përdorej që në fillim dhuna policore dhe, sidomos , sikur mos të kishte ndërhyrë policia e huaj, e cila me veprimet e saja shoviniste të padëgjuara bëri që jo vetëm populli, por edhe policët kosovarë të përlesheshin me ta. Vandalistë e brutale, mizore e kriminele, në të vërtetë, ishin veprimet e policisë fashiste dhe të UDB-es rankoviçiane, që ushtruan mbi popullin shqiptarë gjithë atë dhunë e terror të paparë. Përgjegjësit kryesor për atë që ndodhi në Kosovë ishin krerët politik, qofshin ata në Beograd apo në Kosovë, qofshin shqiptarë apo jo shqiptarë, që urdhëruan shuarjen me gjak të demonstratave, ishin edhe ata që sollën në Kosovë policinë e Serbisë e të Jugosllavisë për të gjakosur, rrahur e poshtëruar popullin, për të tmerruar edhe foshnjat në djep, për të shkretuar rrugët dhe arat tona, përgjegjës ishin të gjithë ata që e bënë Salvador të dytë Kosovën . Ata janë përgjegjës për të gjitha ato që kishin ndodhur dhe ndodhen në Kosovë, ata janë përgjegjës për gjakun që u derdh dhe pa dyshim për këtë, një ditë, do të japin llogari (siç po japin tani në Hagë), para botës.

(VIJON…)

***
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (4)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3992

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura