PROF.DR.VEBI XHEMAILI: DERVISH CARA-TETOVA KËRKON AUTONOMINË E SHQIPËRISË PARA 170 VJETËSH (I)

Tetovë, 05. 10. 2014: (Me rastin e 170 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Cares) – Ky Kolos nga Tetova me tërë forcat e veta iu kundërvu një perandorie të madhe siç ishte ajo osmane në atë kohë. Ky komandant u hodh në kryengritje për përmirsimin e jetës ekonomile dhe sociale të popullësisë të këtyre anëve pa dallim feje dhe race, duke bërë luftë deri në vdekje për çlirimin e trevave lindore shqiptare. Lufta zgjati më më shumë se pesë muaj, nga janari 1844 deri më 21 maj të vitit 1844, kur u kap i gjallë Derish Care me shokë. Ky kolos e humbi luftën ballë për ballë me ushtrinë e Hajredin Pashës në betejën e Katllanovës më 21 maj 1844. Gjatë kësaj lufte Komandanti shqiptar nga Pollogu i Tetovës pati disa takime edhe me diplomat të huaj; anglez, francez, po ashtu ka qenë i përcjellur edhe nga politika serbe serbe dhe ajo ruse.
Edhe pse gjatë kësaj kryengritje ishte figura më këmëngulse që kërkonte publikisht para diplomatëve të huaj se shqiptarëve të Shqipërisë duhet tu njihet autonomia as më pak as më shumë se ajo e serbisë dhe Greqisë. Ky komandant këto kërkesa i parashtroi edhe para Hajredin Pashës, por të tëra këto kërkesa kombëtare sikur sot e kësaj dite nuk nuk janë bindëse për historiografinë sllave, pasi disa historian maqedonas në krye me Matkovskin kanë shkruar vepra vuliminoze, ku kanë tentuar këto kërkesa dhe trimërinë e pashoq dhe bujarinë e tij ta paraqesin si sllav apo maqedonas me origjinë torbeshe nga fshati Urviç, që fare nuk kanë të bëjnë me të vërtetën shkencore, pasi këto shrime të ngjyrosura me politikë ditore dhe fare nuk i kontribojnë Shkencës së Historisë, pasi nuk paraqesin realitetin dhe zhvillimet e ngjarjeve historike dhe luftës së tyre për liri në këtë pjesë të Shqipërisë Lindore gjatë vitetve 1843-1844.
Sipas raportit të konsullit britanik nga Selaniku, gjendja në Shqipëri pas shpalljes së Gjylhanes u tensionua mjaft.1 Fillimi i vitit 1943 filloi me trazira lokale në gjithë Shqipërinë. Në mars të vitit 1843, në Selanik erdhi valiu i Rumelisë, Mustafa Nuri Pasha, i cili pati një konsultim me konsullin anglez. Nuri Pasha haptazi i deklaroi: “Në Shqipëri i kanë të përzier gishtat agjentët rus dhe francezë për nxitjen e kryengritjes së popullatës, bile se ka të dhëna që agjentët rus ndajnë edhe para popullatës për blerjen e armatimit, për t’u çuar në kryengritje”.2

Kryengritja shqiptare për herë të parë përmendet në dokumentet serbe, më 5 korrik 1843, nga prefekti i qarkut të Aleksincit, i cili lajmëronte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, se Mehmed Pasha i Shkupit ka kërkuar nga çdo shtëpi shqiptare të japë nga një ushtar (nizam). Meqë shqiptarët kishin refuzuar kërkesën të rekrutonin ushtarë, u krijuan përleshje të mëdha në mes kryengritësve dhe njerëzve të pashës që bënin rekrutimin. Shqiptarët me të shpejtë u grumbulluan në Shkup me mbi 6.000 kryengritës dhe rrethuan qytetin, ku kërkonin nga pashai i Shkupit të ndërpritet rekrutimi. Mehmet Pasha kërkoi nga kryengritësit që t’i lejohet të shkojë për në Stamboll dhe të parashtrojë kërkesat e shqiptarëve, por ata nuk u pajtuan dhe kërkonin që në vend të tij të shkojë lajmëtari i tij. Në pritje të lajmëtarit, pashai përhapi lajmin se 40 taborë janë nisur nga Selaniku në drejtim të Shkupit, ndërsa në ndihmë do të vijë edhe pashai i Vrajës dhe do të bashkohet me ushtrinë e sulltanit.3
Udhëpërshkruesi i njohur për Ballkanin, A. Grizebahu, në vitet e 40-ta të shek. XIX, deklaron: “Havzi Pasha u emërua si udhëheqës në Shkup, si përfaqësues i vjetër i fisit tetovar. Ky ndan mendimin se fisi i tij ka sunduar me Sanxhakun e Shkupit “qysh para 200 vjetësh”.4 Ky, sipas kontaktit që ka pasur kokë më kokë me pashallarët, gjatë qëndrimit të tij në Shkup dhe Tetovë, u interesua edhe për pakicën sllave në Shkup dhe jetën e tyre, si dhe ka biseduar për rrethanat ekonomike dhe politike që përfshinte Pashallëkun e Tetovës dhe atë Shkupit. Ky territor ishte i ndarë në 14 kaza ose rrethe. Këto ishin: kazatë e Shkupit, Kaçanikut, Tetovës, Kërçovës, Dibrës, Qustendilit, Radovishit, Kriva Pallankës, Kratovës e të Koçanës.5
Por, sa u përhap lajmi në Shkup për burgosjen e pashallarëve nga Sulltani, shqiptarët nga hidhërimi me të shpejtë rrokën armët dhe u çuan në këmbë, gati të gjithë “si me qenë një”.6 Ky rebelim i shqiptarëve, në korrik të vitit 1843, shtyri vezirin e madh, Mehmet Jusuf Pashën, së bashku me Hajredin Pashën, të tërheqin fermanin për të mbledhur rekrutë për sulltanin, kështu që situata pak a shumë u qetësua. Por, në vjeshtë të vitit 1843, Pashai i Shkupit, Mehmet pashë Jusufi, përsëri dha urdhër të mblidhen ushtarë të rregullt për Perandorinë Turke. Shqiptarët nuk pritnin këtë urdhër nga sulltani, që Këto reforma dhe aplikimi i tyre në Shqipërinë Verilindore, në vitin 1843(7), preku në palcë klasën feudale shqiptare, të pasurit, bejlerët e posaçërisht pashallarët shqiptarë, të cilët rreth vetes në emër të perandorisë mbanin ushtarë dhe rroje personale. Me këtë ushtri, ata komandonin sipas dëshirës dhe nevojës së vet, duke mos i përfillur shpeshherë kërkesat e sulltanit. Në këto rrethana revolte u paraqit Dervish Aga, një i afërm i Havzi Pashës, i cili arriti së shpejti ta sundojë tërë Gegërinë. Në shtator të vitit 1843, Dervish Aga shpalli veten për udhëheqës të Gegërisë (Shqipërisë Verilindore).8
KRYENGRITJA DERVISH CARES FALSIFIKOHET NGA TIRANA DHE PRISHTINA
Kryengritja e Dervish Cares falsifikohet nga Tirana dhe Prishtina 9 Siç është e njohur në bazë të dokumenteve Kryengritja e Dervish Cares filloi në shtator të vitit 1843. Kjo kryengritje filloi si rezistencë gjithë popullore, por e theksuar ishte në pjesën e Shqipërisë Lindore. Kjo rezistencë rritej dita-ditës kundra reformave të Tanzimatit, e në veçanti kundra sulltanit, që këto reforma të mos zbatohen në pashallëqet shqiptare, ose thënë ndryshe në tërë krahinat shqiptare të Shqipërisë Etnike, ku prekej interesi i tyre, pasi në këtë territor dominonte populli shqiptar dhe gjuha shqipe.10
Sipas dokumenteve serbe: “Epiqendra e kësaj ngjarje me rëndësi të madhe ishte në Gegalik (Gegëri).11 Shtetet sllave të Ballkanit, Shqipërinë Lindore e kishin pagëzuar sipas popullsisë gege që jeton në këtë pjesë të Shqipërisë etnike, ata në gjuhën sllave e quanin “Gegalik”, toka e gegëve, territori i gegëve, që nënkupton territorin e Shqipërisë Verilindore. Po ashtu edhe diplomacia gjermane Shqipërinë e ndanë në Toskë, që kanë jetuar në Shqipërinë e Jugut, dhe Gegë që përfshinin territorin e Shqipërisë Verilindore.
Pra historiografia sllave me emrin “Gegalik”, quanin territorin e Shqipërisë Verilindore, të banuar me shqiptarë siç i quanin ata “Gegë”, kështu thirrej Shqipëria nga të gjithë bashkëkohësit dhe studiuesit e ndryshëm të kohës. Kryengritja, sipas udhëheqësit të saj u pagëzua; “Kryengritja e Dervish Cares”, e cila filloi në Gostivar,12 e jo në Shkup, sipas botimit më të ri të Historisë së popullit shqiptar, të botuar në Tiranë në vitin 2002.13
Poashtu ka edhe një gabim tjetër nga historiografia e Prishtinës, se kjo kryengritje ka filluar në Prishtinë, ku thuhet gabimisht se: “ kryengritje e madhe shqiptare plasi në vitin 1844 në Prishtinë, duke u përhap kah Prizreni, Gjakova, Shkupi, Tetova, e cila në fund u shua në gjak thuhet në librin e Branko Horvatit të botuar në Lubjanë në vitin 1989, f, 37.”14 Por e vërteta është, se kjo Kryengritje ka filluar në vjeshtën e vitit 1843 në Gostivar dhe me të shpejtë u përhap në tërë fushën e Pollogut të Epërm, deri në Tetovë me rrethinë15. Pra epiqendra e kësaj lëvizje ishte në Gostivar, ku në krye të qytetit qëndronte nëpunësi i Xheladin Beut, që udhëhiqte me Gostivarin, i cili shumë shpjet u dallua si organizator tejet i aftë. Ky mbante në atë kohë gradën “Aga”, që do të thotë udhëheqës, (Çarshi Agasi-Kryeshef i policisë), me fjalë të tjera, komandant i qytetit. Ky në fillim ishte nënoficer te Havzi Pasha pasi ishte edhe dhëndri i tij, kurse më vonë e fitoi besimin dhe u emërua për udhëheqës te Xheladin Beu dhe udhëhiqte me Gostivarin. Në nëntor 1843 u shpall i pavarur nga eprorët e tij; Xheladin Beu i Tetovës dhe Sulltani.16


Tetova si qendër e pashallëkut gjatë viteve 1830-1842

VENDLINDJA E DERVISH CARES
Dervish Care është i lindur në fshatin Pallçisht të Tetovës. Ky u bë i njohur në historiografinë shqiptare mbiemrin e familjes së tij “Care”, e jo si thotë Toskovi e shpalli veten “Car”.17 Toskovi si duket në bazë të dokumenteve ekzistuese, e ka ngatërruar mbiemrin e familjes të Dervish Cares me fshatin Caren, nga ka ardhur familja e tij në vitin 1795, nga fshati Kalis. Ky fshat ndodhet në rajonin e Kalisit përgjatë rrjedhës së lumit Drin.18 Ndërsa JOVAN Trifunovski, Albansko stanovnishtvo u Makedoniji, Beograd 1988, f. 41; ky albanofob pranon se shumë familje shqiptare mbajnë mbiemrat e fshatrave si është rasti me Dervish Caren nga fshati Caren përgjatë lumit Drin, krahinë e Kalisit.
Po ashtu emrin dhe etnogjenezën shqiptare të këtij heroi kombëtar tenton ta ndryshojë edhe vetë Matkovski, në librin e tij në faqen. 787.19 me titull O”tporot vo Makedonija Tom. IV, Shkup 1983, f. 787. i cili në sqarimin e tij deklaron se: Dervish Care ka qenë me prejardhje “torbesh”. Ky këtë falsifikim bënë për hirë të politikës ditore dhe e dyta për ta plotësuar në boshllëk të historisë maqedonase që ka dhe do të ketë në këto hapësira që sot quhen Maqedonia Perëndimore e njohur në historiografinë shqiptare si trevat e Shqipërisë lindorte.V.Xh. Ky autor nuk donë të pranojë se familja e tij sot jeton e shpërndarë në disa fshatra me popullsi shqiptare në fushën e Pollogut dhe më gjerë. Ndërsa “torbeshët” jetojnë nëpër enklava dhe për nga profesioni dallojnë dhe shumë vështirë përzihen me të tjerët. Matkovski në fund pranon “se ishte prijës i shqiptarëve të Veriut”.
FAMILJA E NGUSHTË E DERVISH CARES
Familja e tij, sipas dëshmive më të reja, në fillim vendoset në fshatin Urviç. Baba i Drevish Cares quhej Sulejman dhe kishte tre vëllezër, ndërsa Dervish Cara kishte një vëlla që quhej Isen dhe një djalë dhe quhej Asllan.20 Sot trungu i kësaj familje është e shpërndarë në disa fshatra të Pollogut, deri në Tetovë.21 Pas largimit të tre vëllezërve për në Turqi, Dervish Aga-Poda u bë tejet i njohur, pasi kishte afërsi familjare me nënën dhe të shoqen e Havzi Pashës, që jetonin në Shkup. Ky kishte përkrahjen e tyre financiare edhe gjatë kryengritjes. Prandaj, pas luftës, familja e Havzi Pashës me nënën dhe të shoqen dënohen nga guvernatori i Shkupit, Hajredin Pasha, me internim në Anadoll.22 Ky gjatë sundimit të Xheladin Beut në Pashallëkun e Tetovës, ishte emëruar për nëpunës në Gostivar dhe u tregua organizator shumë i mirë dhe tejet i aftë. Ky shfrytëzoi dobësitë e Xheladin Beut si udhëheqës dhe u bë tejet i njohur në mbrojte të qytetarëve të Gostivarit me rrethinë, duke apeluar te njerëzit e vet, që mos të japin nizamë. Sipas dokumenteve serbe; “Dervish Cara ishte nga Tetova dhe ishte një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Havzi Pashës.23 Ky për meritat që kishte në mirëmbajtjen e rregullit dhe qetësisë, paguhej me rrogë mujore prej 500 groshëve-lekëve.24
Dervish Care urdhëroi shtabin e vet që me një pjesë të ushtrisë së tij të kontrollohen pikat strategjike në drejtim të malit Sharr, që lidhë rrugën e vjetër ilire-romake (Tetovë-Prizren), e cila kalon nëpër fshatrat Shipkovicë, Brodec, Sellcë dhe Vejcë, për të vëzhguar rrugët e anës së Prizrenit, për ndonjë sulm eventual të ushtrisë turke prapa shpine, si ndihmë Xheladin Beut dhe administratës turke në qytet. Tetova tanimë ishte ndarë në dy pjesë. Njëra ishte me kryengritësit dhe pjesa tjetër me Haxhi Hasanin, zëvendës i Xheladin Beut. Ky, në fillim, së bashku me familjen e tij dhe nëpunësit turq, ishte mbyllur në Kalanë e Tetovës. Më vonë, Xheladin Beu iku në Shkup te Mehmet Beu,25 ndërsa një pjesë e mercenarëve të tij operonin në pjesën veriore të qytetit të vjetër, në drejtim të fshatit Poroj. Këta bënin rezistencë të fuqishme, duke pritur ndihmën e ushtrisë osmane, për ta ripushtuar përsëri Tetovën dhe Gostivarin.
Në raportet e të dy konsujve shihet qartë se kryengritësit e pushtuan Tetovën më 31 janar të vitit 1844. Në raportin e njëjtë që e jep konsulli anglez, Blanti, thuhet: “Dy udhëheqësit shqiptarë, Dervish Care dhe Sulejman Toli, me disa mijëra kryengritës janë ngritur në kryengritje dhe kanë rrethuar Shkupin, i cili në atë kohë kishte 36 mijë banorë. Pashës iu dha një ultimatum prej 11 ditësh që të lëshojë qytetin, por nëse këtë nuk do e bënte brenda afatit të caktuar, do të digjej i tërë qyteti.26
Por, Hasan Pasha i cili ishte një shqiptar i ngritur, nuk pranoi urdhrat e kryengritësve dhe nuk e lëshoi qytetin. Nëna e Havzi Pashës me të madhe ka ndihmuar kryengritësit. Numri i tyre ishte gjithnjë në rritje dhe ata ishin deri 1000 vullnetarë.27 Në këto rrethana lufte, Hasan Pasha me 1600 ushtarë të rregullt u përqendrua në Kalanë e Shkupit. Kryengritësit, pas një rrethimi të gjatë, nga fundi i shkurtit hynë në Shkup.28
Tani më qendra kryengritëse nga Tetova u bart në Shkup. Këtu formohet Këshilli i Përkohshëm i Kryengritësve, në të cilin hynë njerëz sipas meritave që kishin treguar deri atëherë. Ky këshill e emëron njëzëri Dervish Caren për Komandat të Përgjithshëm të Kryengritjes. Shtabi kryengritës, në fillim u vendos në hanin më të bukur që ekzistonte në atë kohë, pranë Urës së Gurit. Tanimë qytete të tëra mbaheshin në duar të kryengritësve shqiptarë dhe ata kishin dëbuar nëpunësit turq dhe vetë e mbanin pushtetin në duart e tyre.29
Me hyrjen e shqiptarëve në Shkup, qytet me 36 mijë banorë, dominonte elementi shqiptar si në kohën e Skënderbeut gjatë viteve 1467-1468. (30) Për peshën e kësaj kryengritje më të madhe shqiptare flasin edhe raportet e huaja diplomatike, ku raportohet se qeveria turke po bën përgatitje të mëdha ushtarake për ta shuar sa më parë kryengritjen shqiptare. Kjo shihet më së miri në një raport dërguar nga konsulli francez në Selanik, të datës 12 prill 1843 (31), “se ka parë një ushtri të madhe prej 32.000 ushtarësh, të cilët janë nisur prej në Edrene për në Manastir, për të luftuar kundër kryengritësve shqiptarë që kishin çua krye në Tetovë e Gostivar”.32
Këtë numër të madh të ushtarëve që e paraqet konsulli francez e verifikon edhe udhëpërshkruesi rus Viktor Grigorieviç, i cili viziton Manastirin në vitin 1843, deklaron: “Në Manastir kam parë shumë ushtarë që ishin të gatshëm për të sulmuar kryengritësit shqiptarë”. Ky sllavist rus ka ushqyer një urrejtje të paparë kundër shqiptarëve.33
Nga raportet e konsujve shihet qartë se popullsia myslimane dhe ajo e krishtere shqiptare me simpati e mbajtën anën e kryengritësve, bile ajo e ndihmoi me ushqim, në ato kushte të vështira klimatike të dimrit. Ajo i doli në ndihmë duke i strehuar në shtëpitë e tyre në të gjitha fshatrat për rreth Shkupit. Por, kështu nuk ndodhi me popullsinë sllave, e cila haptazi ishte kundër kryengritjes dhe fare nuk mori pjesë, “bile edhe akuzoi kryengritësit shqiptarë, për abuzime dhe veprime negative ndaj tyre”. V. Xh).
ÇLIRIMI I QYTETEVE TJERA TË SHQIPËRISË LINDORE
Dervish Care, me udhëheqësit e tjerë, vazhdoi çlirimin e qyteteve tjera të Shqipërisë Lindore, sipas marrëveshjes së janarit 1844. Kah fundi i shkurtit, një ushtri tjetër që ishte mbledhur në Vaksincë, nën komandën e Bajram Vaksincës, që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Dervish Cares, kishte çliruar territore të tëra në Kumanovë me rrethinë. Këta më vonë çlirojnë Preshevën, Bujanocin dhe bënin përgatitje për të pushtuar Vrajën, që ishte qendër e pashallëkut. Në atë kohë, drejtues i Pashallëkut ishte Hysen Pasha. Kryengritësit shqiptarë nga Presheva, Dobrovojsaka, Bujanoci, Vraja, Leskovci, Kumanova, Gjilani, Shkupi, Tetova e Gostivari, me eprorët e tyre; Sulejman Toli-zëvendës, Selman Rogaçicën, Fejzi Tolin nga fshati Tërnoc, me Ymer Preshevën në krye, nisen së bashku nga fshati Tërnoc afër Bujanocit34 dhe sulmojnë rrogëtarët e Hysein Pashës, që i kishte sjellë nga rrethi i Janinës, Jugu i Shqipërisë.35 Ky kur sheh një ushtri aq të madhe shqiptare, fare nuk bëri rezistencë dhe lëshoi qytetin e Vrajës, duke kërkuar shpëtim te veziri i Manastirit.36 Pashallëku i tij shtrihej deri në Grykën e Gërdelicës, ku bënin pjesë nahija e Bujanocit, Preshevës dhe Kumanovës. Popullsia e këtyre trevave kishin një urrejtje të madhe ndaj sundimit absolutist të Hysein Pashës.
Sipas marrëveshjes me Dervish Caren, komandantët e tij, Sulejman Toli dhe Selim Marku e sulmuan Vrajën, me 15 mijë kryengritës,37 të cilët në fillim të prillit arritën ta pushtojnë dhe ta largojnë Hysein Pashën.38 Komandanti Sulejman Toli ka qenë i pa lëvizshëm me këmbët, për këtë arsye gjithmonë udhëtonte në kalë. Ky i ka mbajtur lidhjet për përgatitjen e kryengritjes me parinë e Prishtinës dhe të Prizrenit.39
Kryengritja në këtë kohë kishte përfshirë edhe shqiptarët e rrethit të Leskovcit, të udhëhequr nga Baba Feka dhe Sejdi Menxha. Këta pasi e çlirojnë rrethinën e Leskovcit, i drejtohen qytetit, por nuk arrijnë ta marrin. Në këto luftëra vritet Baba Feka, i cili ishte tmerr për sunduesit e Perandorisë Osmane.40 Gjatë pranverës të vitit 1844, kryengritja u përhap edhe në viset e tjera, duke përfshirë Kërçovën, Ohrin dhe rrethin e Manastirit. Në këto anë, në organizimin e kryengritjes u dallua Emin Xhambaz-Kërçova, krahu i djathtë i Dervish Cares.41
HAJREDIN PASHA NË SHKUP NË BISEDA ME SHTABIN KRYENGRITËS TË DERVISH CARES
Komanda turke ishte për marrëveshje me shqiptarët, prandaj e dërgoi edhe njëherë në biseda Hajredin Pashën, i cili ishte takuar me kryengritësit edhe më parë. Ky në këtë kohë ndodhej në Manastir me 4000 luftëtarë.42 Hajredin Pasha ishte i njohur për shqiptarët, pasi më 1 gusht 1843 kishte ardhur në Shkup dhe trojet e tjera shqiptare për të mbledhur rekrutë për Sulltanin, por hasi në rezistencë të fuqishme nga popullata shqiptare dhe u burgos në Kalanë e Shkupit nga vetë pasha, për të qetësuar situatën. Pastaj shqiptarët e dërguan atë në fshatin Konjare, ku gjeti lidhje dhe iku në drejtim të Selanikut.43

Hajredin Pasha, i njohur në këto anë, përsëri mori urdhër nga qeveria turke që të vijë në Shkup, për biseda. Ky aty nga 8 maji erdhi në Shkup, me besën që i premtuan kryengritësit dhe i filloi negociatat. Ky i luti edhe njëherë kryengritësit që t’u nënshtrohen urdhrave të Sulltanit, të premtojnë se do të sigurojnë redifë për sulltanin dhe do të paguajnë tatimet e mbetura. Kryengritësit u përgjigjën njëzëri se kurrë nuk do t’i pranojnë këto kërkesa, për të dhënë ushtarë në anën e Sulltanit, po ashtu kanë qenë edhe kundër tatimeve. Hajredin Pasha u largua i zemëruar, ngase edhe kësaj radhe nuk arriti t’i bindë shqiptarët që të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Në largim u tha: “Atëherë duhet të përgatiteni për luftë”. Pa humbur kohë u kthye në Manastir dhe e paralajmëroi Reshid Pashën se bisedat me shqiptarët nuk dhanë rezultatet e pritura.44 Hajredin Pasha e sulmoi Kërçovën dhe i mundi shqiptarët te Sofa, duke hyrë në Kërçovë pa luftë. Pasi i rregulloi punët brenda në qytet, me të shpejtë u kthye për Prilep dhe u vendos në afërsi të Velesit, në pritje të sulmit kundër Dervish Cares.
Pararoja e ushtrisë turke, e komanduar nga Omer Pashë Latasi, u takua me kryengritësit menjëherë para Grykës së Katllanovës, në ngushticën kur hyhet nga Velesi për në Katllanovë në drejtim Shkupit, ku shqiptarët për shkaqe sigurie qysh më parë kishin shkatërruar urën mbi lumin Vardar dhe kishin zënë pozicione strategjike nëpër shkëmbinj, përgjatë kësaj ngushtice të ashtuquajtur Taor.45 Për të qenë më të sigurt në mbrojte, shqiptarët e kishin prishur edhe urën tjetër mbi lumin Pçinja, te fshati Katllanovë.46
BISEDIMET E DIPLOMATIT ANGLEZ LEJARD ME DERVISH CAREN NË SHKUP
Omer pashë Latasi, në oborrin e vet ushtarak, kishte thirr edhe diplomatin anglez nga Stambolli, Henri Lejardin. Ky diplomat anglez ka mbajtur shënime të hollësishme për kryengritjen e Dervish Cares, që i ka botuar në Londër, në vitin 1903.47 Ai në mënyrë shumë të përsosur dhe të përpiktë e përshkruan ushtrinë kryengritëse të shqiptarëve në krye me Dervish Caren në Shkup.48 Ky përshkruan kontaktet tij me krerët e kryengritjes, sjelljen e mrekullueshme të pararojës shqiptare afër Banjës së Katllanovës, para se të fillonte lufta ballë për ballë në mes ushtrisë së rregullt turke dhe kryengritësve shqiptarë, të komanduar nga Dervish Care. Ky diplomat e përshkruan në mënyrë shumë precize vendosjen e Omer pashë Latasit, me forcat e veta ushtarake të vendosura midis Velesit dhe Shkupit. Po ashtu, ky ishte i vendosur me çadrën e tij pranë Omer pashë Latasit, duke përcjellë çdo hap të ushtrisë turke.49
Sipas njoftimit të Lejradit, komanda e kryengritësve shqiptarë për disa pika u pajtua me kërkesën e komandantit turk, por pika ku përfshihej kërkesa e shqiptarëve që të hiqej rekrutimi dhe mos marrja rekrutë nga trojet shqiptare, për të luftuar për interesat e Perandorisë Osmane. Kjo pikë ishte e papranueshme për qeverinë turke dhe interesat e saj afatgjate në strategjinë e luftës. Komandanti turk assesi nuk donte të dëgjojë këtë kërkesë unanime të kryengritësve shqiptarë, për t’u liruar nga rekrutimi.50 Kjo në të vërtetë ishte një ndër shkaqet kryesore pse shqiptarët kishin çuar krye kundër Sulltanit, që të mos japin nizamë.51
Sipas dëshmive dhe përshkrimit të ngjarjeve në prag të betejës, që na ofron diplomati anglez Lejardi, thuhet: Omer Pasha mbante në vete njëfarë rezerve, pasi që ishte i bindur se ushtarët e tij duke i njohur mirë shqiptarët si trima në luftëra individuale dhe kolektive, ekzistonte mundësia që ushtarët turq të dezertojnë para se të fillonte beteja kundër shqiptarëve. 52
Prandaj komandanti i përgjithshëm i forcave osmane, që ishte vendosur përballë Katllanovës, në malet mbi Veles, e luti edhe njëherë diplomatin anglez Lejardin, që të bisedonte me komandantin e përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Devish Caren, pasi që vetë Omer pashë Llatasi ishte i bindur se në ato rrethana, shqiptarët kryengritës më së shumti kishin besim te diplomati anglez se sa te pushtetmbajtësit turq.53
Kampi i kryengritësve ishte i vendosur pas Grykës së Katllanovës, midis lumit Pçinjë dhe lumit Vardar. Diplomati anglez, prej kampit të ushtrisë turke, pas dy orë udhëtimi, u takua me pararojën shqiptare dhe kërkoi nga ata që ta çojnë deri në shtab, ku ishte i vendosur komandanti i tyre. “Pas një bisede të shkurtër me ta, u bindën se jam diplomat i huaj dhe duhet patjetër të takohem me komandantin shqiptar”.54 Diplomati anglez vazhdon: “Pasi arrita te vendi i caktuar, kërkova që të shihem në katër sy, për të biseduar me Dervish Caren. Njerëzit e tij me përcjellje më dërguan deri te çadra, ku ndodhej komandanti i tyre. Aty diku pasdite arrita në çadrën e tij, e cila ndodhej në mes të malit pa kurrfarë roje”. Leardi, në shënimet e veta, shkruan: “Udhëheqësi i kryengritjes shqiptare nuk dallonte fare nga kryengritësit e tjerë shqiptarë”. Veshja e tij shumë pak dallonte nga të tjerët, vetëm se kishte një qëndisje të bukur, pushka e tij kishte qëndisje prej argjendi, ndërsa vetë Dervish Care ishte një udhëheqës pa arsimim të lartë, sikurse edhe shokët e tij. Gradat që shiheshin në supet e tyre ishin të emëruara sipas trimërive që kishin treguar, kurse vetë Dervish Care ishte emëruar komandant nga vetë shokët, në bazë të meritave që kishte. Të gjithë njerëzit, në çadrën e tij kishin mikpritje të nivelit të lartë, qëndrimi i tyre ishte krenarë dhe me një gjakftohtësi të çuditshme”. Në përshëndetjen tonë të ngrohët, pasi hëngrëm darkë u ulëm në bar,55 u mundova ta bindi komandantin shqiptar të heq dorë nga lufta e mëtejme, që të mos vijë deri te gjakderdhja. Dervish Care në mënyrë shumë të butë, para të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, u përgjigj: “Ne kemi vendosur të luftojmë deri në fund dhe mos ta njohim pushtetin Suprem Osman në trevat shqiptare, të mos u nënshtrohemi ligjeve të Tanzimatit dhe se do të luftojmë kundër rekrutimit të shqiptarëve për nizam dhe kurrë nuk do të pranojmë që shqiptarët nga trevat e tyre të dërgohen në vendet aziatike, për të mbrojtur kufijtë e Turqisë. Nëse kjo kërkesë nuk pranohet, ne jemi të gatshëm të luftojmë deri në vdekje”.
Nga kjo që u tha më lart del se kryengritësit kanë kërkuar autonomi në kuadër të Perandorisë Osmane. Këtë e vërteton edhe shtypi rus, i cili në atë kohë ishte shumë i interesuar për gjendjen në Shqipëri dhe Ballkan. Sipas asaj që shkruan gazeta e Sant Peterburgskie “Vjedomosti”; Udhëheqësit e kryengritjes shqiptare i kanë propozuar komandantit turk, se ata mund t’i dorëzojnë armët, por me kusht që Porta t’u jep atyre të drejta si të Serbisë dhe Greqisë.56 Nga kjo shihet qartë se kryengritësit kërkuan autonominë e Shqipërisë, siç u kishte njohur grekëve dhe serbëve. (V.Xh).
Lejardi, pos të tjerash, në memoaret e veta shënon: “Bisedova me kryengritësit edhe për qëndrimin e tyre ndaj popullsisë së krishterë, duke ua kujtuar se në Stamboll kanë arritur lajme negative kundrejt shqiptarëve. Ata kanë dërguar mbi 4 mijë ankesa në Stamboll, duke i akuzuar për krime që i kanë bërë mbi popullsinë e krishterë”. Lidhur me këtë, ai shënon: “Krerët kryengritës duke qenë se ishin fyer, me një protestë të ashpër, u përgjigjën: “Asgjë nuk është e vërtetë në ato lajme dhe propaganda që përhapë pala tjetër, të gjitha ato janë shpifje të armiqve sllavë dhe turq, me qëllim që të minimizohen kërkesat tona legjitime para diplomacisë evropiane, për të forcuar bindjen dhe zërin e keq ndaj shqiptarëve”.57
Në këto biseda me diplomatin anglez, kryengritësit shqiptarë e kishin bindur atë se asgjë nuk ka të vërtetë nga ato lajme “trishtuese”, që kishin arritur deri në Stamboll. Në fund, diplomati anglez shënon: “Pasi u vërtetova vetë, se gjatë kësaj kryengritje myslimanët dhe të krishterët jetojnë shumë mirë në mes veti dhe kishin marrëdhënie miqësore e posaçërisht nëpër fshatrat e përziera, vështirë mund të dallosh myslimanin nga të krishterët”. Historiografia aktuale maqedonase thotë se në fillim të kryengritjes asaj iu bashkëngjiten edhe disa “maqedonas”, por shumë shpejt ata u larguan nga kryengritësit shqiptarë, ndërsa si pretekst morën sjelljet e këqija të shqiptarëve. Këto të dhëna që dalin nga historiografia maqedonase janë rezultat i pikëpamjeve të dala nga këndi i tyre dhe qëndrimet, duke u munduar që të këqijat t’ua hedhin shqiptarëve, kur deklarojnë se turqit dhe të krishterët kanë qenë në pozitë shumë më të pa lakmuar. Por, sot shtrohet pyetja, në atë kohë kur u zhvillua kryengritja shqiptare, a ka pasur Maqedoni dhe maqedonas, kur dihet se fare nuk ka ekzistuar Maqedonia sllave, as si krahinë. V.Xh.).
Sllavët e krahinës së Maqedonisë, të dirigjuar nga Beogradi dhe Moska, në shkrimet e tyre mundohen ta paraqesin komandantin shqiptar shumë të egër, bile sa shkojnë aq larg sa që komandantin Dervish Caren, me shtabin e tij, tentojnë ta paraqesin si sundim të pa civilizuar. Madje, kinse kryengritësit shqiptarë “bëjnë përdhunime dhe vrasje” kundër të krishterëve, duke mos kursyer as pleqtë dhe fëmijët. Por, pas kësaj propagande qëndronte diplomacia ruse, e cila ishte e interesuar të ngrejë çështjen e sllavëve të Ballkanit, me qëllim që përmes tyre të forconte influencën e vet në Ballkan dhe të sigurojë dalje në Detin Adriatik.58
Historiografia maqedonase shkon aq larg sa që përkujton se: ”Mirë u bë që humbën shqiptarët dhe zoti e di se çfarë do të bëhej sikur Dervish Care të kishte mbetur edhe më tutje udhëheqës në Shkup. Ai pasi erdhi këtu e çoi kokën nga të gjitha anët, për të rritur territorin e perandorisë së “çuditshme”. Ky ishte shkaku që turqit dhe sllavët i lëshuan vendet e tyre, duke ikur kah Velesi dhe Prilepi.59 Sot është për të pyetur këtë opinion, pse kanë pasur kaq frikë nga shqiptarët, pse çlirimin e Shkupit nuk e kanë pritur si çlirim të tyre të përbashkët me shqiptarët. Se si kanë sunduar shqiptarët në pashallëqet e veta dhe gjatë kryengritjes, më së miri na dëshmon prifti Paun nga fshati Nagoriçan, rrethi i Shkupit: “Unë Pauni që kam jetuar në periferi të Shkupit, në fund të viteve 30 të shek. XIX, në Shkup dhe në Pollog ishte shumë qetë. Në mbarë krahinën e pashallarëve shqiptarë zotëronte paqe, rregull dhe një bindje për siguri”.
BETEJA KRYESORE U ZHVILLUA NË KATLLANOVË
Diplomati anglez, pasi nuk arriti të bind kryengritësit shqiptarë, më 17 maj, në mbrëmje, u kthye prapë në taborin e ushtrisë turke, për ta informuar hollësisht Omer pashë Latasin për misionin e tij të pasuksesshëm lidhur me pikat që kishte ra dakord, si dhe për çështjen e rekrutimit që ishte e papranuar për kryengritësit. Pas darkës, dhe bisedave që pata me Omer Pash Latasin, u vendosa në çadrën time që e kisha pranë komandantit turk. Papritmas, pas mesnate, u zgjova nga krismat e pushkëve që gjëmonin si dëshmi “se shqiptarët kishin sulmuar të parët ushtrinë turke, më 18 maj 1844”. Lejardi shënon se shqiptarët numerikisht ishin më shumë, por u mungonte disiplina ushtarake, edhe pse ata ishin të vendosur të luftonin deri në fund. Betejat kanë zgjatur deri më 21 maj 1844.(60)
Më 17 maj, Omer Pasha mori urdhër që të bëjë një manovër të re të sulmit, e mbarështoi ngushticën dhe me një pjesë të ushtrisë u paraqitë përreth fshatrave Konjare Epërme, e Mesme dhe e Poshtme, pastaj u lëshua përgjatë lumit Pçinjë dhe doli me ushtrinë mbi banjën e Katllanovës, ku i përqendroi topat kah kryengritësit dhe urdhëroi ushtrinë të hapte llogore.
Më 18 maj filloi faza e dytë e luftës, betejat u zhvilluan përgjatë luginës të lumit Pçinja deri te banja e Katllanovës, përfshi këtu edhe grykën e lumit Vardar. Ushtria turke ishte e koncentruar në krahun e majtë të lumit Pçinjë, ndërsa kryengritësit në krahun e djathtë. Paraqitja mbi banjën e Katllanovës të ushtrisë turke, ishte thikë prapa shpinës të kryengritësve, ku shumica e luftëtarëve të lirisë, ende ishin në ngushticën e Katllanovës. Në këto rrethana të papritura që ua mbarështoi taktika e papritur e Omer Pashës, i shtyri kryengritësit me të shpejtë të tërhiqen nga pozicionet dhe të kalojnë në krahun e djathtë të lumit Pçinja, për të ndaluar depërtimin e mëtutjeshëm të ushtrisë turke kah Shkupi.
Beteja te banja e Katllanovës filloi menjëherë pas mesnate, të datës 18 maj 1844, midis ushtrisë turke të komanduar nga dy komandantët më të shquar, Omer Pashës dhe Hajredin Pashës, ndërsa në anën tjetër shqiptarët komandoheshin nga shtabi i tyre në krye me Dervish Caren, të koncentruar te Hani i Katllanovës.61 Shqiptarët u vërsulën me trimëri të pashoq, jo vetëm të ndalin depërtimin e turqve kah Shkupi, por shqiptarët tentuan t’ua marrin edhe armatimin e rëndë në paraditen e 18 majit, por zjarri i topave edhe kësaj radhe ndali hovin e sulmeve shqiptare.
Omer Pasha e kishte rreshtuar ushtrinë në formë katrori dhe nëpër skajet vendosi topat për të gjuajtur matanë urës së prishur, ku ishin koncentruar kryengritësit mbi ujin e ngrohtë të banjës. Komandant të artilerisë turke ishte caktuar Murat pashë Topçiu. Ndërsa Dervish Care ishte vendosur me shtabin e vet pas fshatit Katllanovë, në hanin e fshatit Taor. Kjo grykë midis Velesit dhe Katllanovës, për shkak të fshatit e mbante të njëjtin emër, gryka e Taorit. Gjatë natës, Omer Pasha depërtoi kalorësinë turke nëpër lumë, pastaj edhe këmbësorinë. Ushtrinë dhe topat i vuri në rreth dhe sulmoi ushtrinë vullnetare shqiptare të Dervish Cares.62 Kryengritësit në fillim patën sukses të dukshëm, duke e rralluar vijën e parë të ushtrisë turke. Por, me angazhimin e fuqishëm të zjarrit të topave u vranë rreshtat e parë të kryengritësve. Kjo i hutoi kryengritësit dhe komandën e tyre. Shqiptarët, edhe pse luftuan me vetëmohim të pashoq, me një moral të lartë patriotik, prapëseprapë nuk mundën ta thyejnë ushtrinë e rregullt osmane. Në këtë betejë tejet të përgjakur, fatin e luftës e vendosi armatimi i rëndë, që e përdori me përpikeni Hajredin Pasha. Ky komandant me gjak të përzier i solli në epërsi turqit, por kjo nuk ishte beteja e fundit. Pas kësaj beteje pasojnë edhe disa të tjera deri në Shkup. Në betejën e Katllanovës pat një numër të madh të vrarësh nga të dyja palët. Këtu kapet rob edhe Komandanti i Përgjithshëm nga Tetova, Dervish agë Poda-Care.63

(VIJON…)

 ________________

PJESA E DYTË
PROF.DR.VEBI XHEMAILI: DERVISH CARA-TETOVA KËRKON AUTONOMINË E SHQIPËRISË PARA 170 VJETËSH (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3181

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura