PROF.DR.VEBI XHEMAILI: KONTRIBUTI I GAZETËS ‘ZANI I SHARRIT’ NË NGRITJEN E VETËDIES KOMBËTARE E ARSIMORE

Tetovë, 08. 03. 2014 – ( Me rastin e 70 vjetorit të daljes së gazetës së parë në gjuhën shqipe “Zani i Sharrit” në Tetovë, Tetor 1944 ) –  (Ndarja e tokave shqiptare nga sunduesit italo-bullgar 1941) Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore në banovinën e Vardarit fillojë të ndryshojë struktura intelektuale, në këto rrethana të caktuara politike filloi një lëvizje e fortë për bashkimin e trojeve shqiptare me një platformë të shëndoshë kombëtare kah bashkimi kombëtar që çonte drejtë rrugës së lirisë dhe bashkimit kombëtar. Bartës kryesor të kësaj propagande ishin studentët e organizatës “BESA”, të Beogradit me programin e saj politik.1
Patriotët shqiptarë me fillimin e luftës së Dytë Botërore dhe rrënjën e disa qyteteve shqiptare si Shkupi me rrethinë nën sundimin bullgar dhe terrorin që bëri ushtria e saj me popullsinë shqiptare dhe turke duke përdor masa drakonike. Organet bullgare aplikuan menjëherë urdhrin për ndalimin e simboleve shqiptare burrave (kapuçat e Bardhë dhe grave ferxhet). Këta qytetarë vetë pse ishin shqiptarë maltretoheshin dhe kapuçat e tyre hidheshin në lumin Vardar.2
Popullata shqiptare që ra nën sundimin bullgarë nga Shkupi deri në Preshevë e Bujanovc me rrethinë, iu mor e drejta e shkollimit dhe në vend të lapsit dhe pushkës kësaj popullate iu dha kazma dhe punët më të rënda fizike duke punuar angari, në hapjen e kanaleve dhe ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave, ku në këto punë të dhunshme pati shumë të vdekur siç është rasti i hekurudhës Gostivar-Kërçovë, ku pati shumë të vdekur nga torturat bullgare, në këto vrasje ka pasur edhe kosovarë. Gjatë këtij sundimi kundër popullatës shqiptare që përjetonti ditë tejet të vështira, bëhej edhe presion i paparë ku sulmohej feja si kult i shenjt i shqiptarëve në këto anë, si; Xhamit, vakëfet, teqetë dhe pasurit tjera. Regjimi bullgarë gjatë këtij sundimi, sulmonin shqiptarët ku i shinin, herë herë edhe pa pikë faji, vetëm për të futur frikë në mesin e popullatës shqiptare. Ata përdornin kundër tyre metoda tejet barbare, shumë më të rënda se sa serbët. Shqiptarë kësaj radhe nën sundimin bullgarë përjetonin gjenocidin e njëjtë, si hebrenjtë nga makineria hitleriane. Kundër këtij terrori të fashistëve bullgarë në Shkup në atë kohë vepronte Shaip Mustafa-Presheva me shokë.3
Në këto rrethana lufte filloi një asimilim tejet i theksuar në fushën e arsimit dhe të kulturës në trevat shqiptare të Shkupit dhe Preshevës. Për këtë arsye u ndie nevoja për arsimin shqip dhe botim të gazetave në gjuhën shqipe.


– Shaip Kamberi Kryeredaktor i gazetës “Zani i Sharrit” –

Në këto rrethana lufte kolosi i madh kombëtar i kësaj ane Shaip Kamberi, e filloi përgatitjen e daljes në dritë të gazetës “Zani i Sharrit” në Tetovë. Kjo gazetë bëri jehon të madhe jo vetëm në Pollog, por filloi të përhapet edhe jashtë Pollogut. Në këtë gazetë botoheshin materiale të llojllojshme nga jeta e përditshme që i preokuponte jo vetëm shqiptarët e Tetovës dhe Gostivarit, por edhe më gjerë shqiptarët kudo që ishin. Si prioritet i gazetës “Zani i Sharrit”, ishte ngritja e vetëdijes kombëtare dhe lufta e saj për liri dhe bashkim kombëtar.
Porosit e atdhetarëve për shkrim dhe lexim të rinisë shqiptare
Në këtë gazetë të parë në gjuhën shqipe, botoheshin porosi të atdhetarëve të mëdhenj shqiptarë, të cilët gjatë jetës së tyre flijuan çdo gjë, vetëm që rinia shqiptare të arsimohet, të mësojë shkrim dhe lexim. Për këtë vepër të shenjtë ata u dënuan, internuan, ngelën rrugëve, vetëm pse luftuan për arsimimin e popullit të vetë.
Kjo gazetë në çdo numër të saj me shkrime nga e kaluara historike, për patriotët e kombit, që flijuan jetën për liri e bashkim kombëtarë, për arsimim të rinisë shqiptare në gjuhën e nënës duke iu kundërvu regjimit të egër serb që luftonte me çdo kusht për ç’kombëtarizimin e kombit shqiptar. Lufta e gazetës “Zani i Sharrit” kah mesi i shekullit të XX-të ishte udhëheqës për rininë progresive tetovarë, që bënte thirrje për një jetë të arsimuar, në mesin e popujve tjerë të Ballkanit. Në këtë gazetë përshkruheshin vuajtjet e atdhetarëve të mëdhenj që flijuan çdo gjë për arsimimin e popullit të vetë. Këta patriotë duke bërë thirrje të pa ndërprerë rinisë dhe popullit të vetë. Këta atdhetarë për këtë vepër të shenjtë në fund të jetës së tyre ngelën rrugëve nga pushteti komunist i asaj kohe, Disa nga këta patriotë kombëtarë u burgosën, disa u internuan, ndërsa disa u vranë, që sot e kësaj dite nuk u dihet vari. Me këtë rast do të jetë nderë dhe respekt vetëm ti përkujtojmë disa nga këta pishtarë të arsimit, që vdiqën në varfëri të skajshme në fund të jetës së tyre, në pleqëri të thyer, si: Rexhep Voka, Jashar Erebara, Abdilhaqim Dogani, Josif Bageri, Mateja Mateski nga fshatrat e Rrekës, e shumë patriot tjerë.4
Por atdhetarët shqiptarë nuk i frikoi pushtetit aktual i asaj strukture, ata e sakrifikuan veten për komb e popull, një ndër ta ishte edhe Azem Morana, mësuesi i Karshiakës dhe mbarë popullit shqiptar, ky me trimërinë e tij i tregoi rinisë shqiptare se si luftohet për liri e bashkim kombëtar. Ky atdhetar i palodhshëm nëpër mes shkrimeve të veta në gazetën “Zani i Sharrit”, kërkonte ditë e natë, pa ndërprerë vetëm arsim dhe arsimim të rinisë shqiptare kudo që jetonte.
Ky atdhetar i palodhshëm që luftoi tërë jetën për liri dhe bashkim të trojeve shqiptare me Shqipërinë. Pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore, ky patriot kurë nuk u pajtua me politikën sllavo-komuniste. Prandaj regjimi komunist e dënoi me vdekje, në gjykimin që u mbajt nën qiellin e hapur në Shkup, pas luftës së Dytë Botërore, në vitet 1946-47.5
Ky atdhetar i madh që sy trembej syri fare, në shkrimet e veta për gazetën “Zani i Sharrit” kërkonte nga vajzat tetovare arsim vetëm arsim, ai duke bërë thirrje nëpër mes të gazetës “Zani i Sharrit”, “se ata duhet të vrapojnë nëpër shkolla për me mësua gjuhën shqipe, këtë gjuhë të bukur që kanë fol edhe vetë zotët Ilirianë të Ilirisë. Vajzat duhet të mësojë se ata duhet të marrin barrën e edukimi të breznive të ardhshëm që nesër kanë me u orvat për të mirën e këtij vendi, kaq të vuajtur”6.
Roli i gazetës “Zani i Sharrit” në ngritjen e vetëdijes arsimore
Poashtu kjo gazetë për një afat të shkurtë të botimit të saj në Tetovë, bën përpjekje të jashtë zakonshme në ngritjen e vetëdijes arsimore në mesin e masave gjëra popullore në Pollog e më gjerë. Në periudhën e luftës së Dytë Botërore popullin shqiptar e gjeti në një situatë tejet të pavolitshme arsimore, sipas statistikave ekzistuese populli shqiptar në atë kohë kishte mbi 90%, që nuk dinin shkrim dhe lexim. Në këto rrethana tejet të vështira, pozita e rinisë shqiptare në Tetovë, Shkup, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe shumë qytete tjera, ishte në pozitë tejet të vështirë në aspektin e ngritjes së arsimit dhe të dijes. Sundimi i gjatë shekullor turk kishte lënë pasoja të pashlyeshme në mesin e popullit shqiptar. Me rënien e trevave të Shqipërisë Verilindore nën sundimin serb fillon një fazë edhe më e egër e pushtuesve jugosllav, kundër çdo gjëje shqiptare. Ky sundim i egër kundër elementit shqiptar vazhdon me metoda tejet diskriminuese, kundër arsimit dhe kulturës shqiptare. Këto metoda fashizoide të sunduesve serb të cilit luftonin çdo gjë nga kultura jonë kombëtare që nga viti 1912, e posaçërisht më e theksuar ishte lufta kundër arsimit të shqiptarëve, të cilët sipas projektit të akademisë serbe, se: “Shqiptarët sa më parë duhet të shpërngulen, i cili projekt i ka kornizat nga albanofobi i shquar serb Vaso Çubrilloviqi.7 Ky ideolog famëkeq, për mos sukseset e planit serb për asimilim total të shqiptarëve, e akuzon Shqipërinë. Përkundër masave që ka ndërmarr politika serbe kundër arsimit të shqiptarëve në gjuhën shqipe, nuk jemi të kënaqur. Pasi shqiptarët duke u mbështetur në pjesën e Shqipërisë së lirë, po zgjohet vetëdija e tyre nacionale.8
Roli i i gazetës “Zani i Sharrit”, në këto rrethana të veprimit ka qenë tejet e i madh sa që me këto pakë fjalë nuk mundë ti shpërblehemi as gazetës “Zani i Sharrit”. Poashtu as redaktorit të nderuar dhe patriotit të madh Shaip Kamberit, në luftën e tij që ka bërë nëpër mes të kësaj gazete për arsimimin e masave shqiptare dhe luftën e tij për ngritjen e vetëdijes kombëtare. Ky atdhetar në çdo numër të gazetës “Zani i Sharit”, e fillonte me parullën, “bashkimi asht e vetmja rrugë për shpëtimin e Shqipërisë”.9
Editori i gazetës “Zani i Sharrit”, ishte i bindur thellë se vetëm me arsimim mund të krijohet një armë e shëndoshë në mesin e popullit shqiptar për me iu kundërvu politikës asimiluese që udhëhiqte makineria serbe për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta historike. Prandaj Shaip Kamberi ky avokat i palodhshëm kur nuk i baronte fjalët e Vaso Çubrilloviqit, se shqiptarët duhet të shpërngulen në masë dhe vinë në konsideratë vetëm dy shtete; “Shqipëria dhe Turqia”.10
Prandaj si editor në gazetën “Zani i Sharrit” i bënte apel popullit shqiptar se pas çlirimit nga sunduesit e huaj, “ne shqiptarët me plebishit do të kërkojmë që së bashku me Kosovë e Maqedoni deri ku ka shqiptarë do ti bashkangjitemi Shqipërisë Etnike”.11
Në faqen e parë gazeta “Zani i Sharrit”, shkruante: ”ne jemi të një gjuhe, gjaku, e race, nuk kemi me lejue kompromis me grupet e huaja sllave në tokën tonë, nuk kemi me lejue që në këtë tokë dhe për këtë tokë të huajt të bëjnë pazarllëk, pa pyet të zotin e saj. I zoti i saj është i gjithë populli shqiptar i cili ka vendosë për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar Etnike.12

– Gazeta “Zani i Sharrit, Tetovë 1944 – 

Zoti në Qiell na mbi tokë
Me gjithkund vllazen e shokë
Por se cili në cakë të vetë.

Gazeta “Zani i Sharrit” për realizimin e të gjithë këtij programi kombëtar, mbështetet në vullnetin e pa përkulshëm të mbarë popullit shqiptarë, në vullnetin e banorëve të këtyre trojeve të mbështetur në Lidhjen e Parë dhe të Dytë të Prizrenit.13
Për ruajtjen e trojeve shqiptare nga asimilimi dhe shpërngulja që në atë kohë kishte marrë përmasa tejet të rrezikshme për kombin shqiptar, ky patriot i palodhshëm në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe arsimore pandërprerë i bënte thirrje popullit shqiptar dhe rinisë së saj, që sa më parë të rok lapsin për arsimim të popullatës si në qytet poashtu edhe në fshat. Duke botuar shpeshherë thëniet e apostullit të shqiptarizmës Rexhp Vokës, “se pa arsimim nuk mund të mbrohet Vatani”.14
Ndihmesë të madhe në këtë veprim mbar kombëtar në fushën e arsimit i ka dhënë edhe atdhetari i shquar nga Gostivari Abdilhaqim Dogani, i cili me parat e veta e bleu një shtëpi private dhe gratis i furnizoi nxënësit me abetare shqipe dhe fletore vetëm e vetëm të vijon shkollimin dhe të arsimohen në gjuhën e nënës.15
Në këto kondita tejet të vështira politike-ekonomike dhe arsimore pasi pushteti aktual serb nga viti 1912 i kishte mbyllur të gjitha shkollat në gjuhën shqipe deri me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Shaip Kamberi, ky veprimtar i palodhshëm gjente kohë dhe hapësirë që në gazetën “Zani i Sharrit”, në çdo numër të bëjë thirrje rinisë shqiptare dhe popullit për arsimim me çdo kusht, duke përsëritur në çdo numër të gazetës “Zani i Sharrit” disa herë kërkesat e atdhetarëve shqiptarë që flijuan jetën vetëm e vetëm duke dashur popullin e vetë ta arsimojnë dhe orientojnë në rrugë të drejtë ka arsimi, se vetëm me arsim ruhen vlerat e një kombi në rrethana të theksuara siç ishte rasti me vuajtjet dhe shtypjen e popullit shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni.
Prandaj ky atdhetar i shquar që i digjej shpirti për arsimim të rinisë shqiptare, në çdo numër të gazetës “Zani i Sharrit”, përsëriste kërkesat e apostujve, për arsim të rinisë shqiptare, se vetëm nëpër mes të arsimit mund të ruhet populli nga asimilimi dhe të ngrihet në nivel të lartë kombëtar. Gazeta “Zani i Sharrit”, botonte fjalët dhe veprat e Rexhep Vokës, i cili deklaronte:” Ne shqiptarët pa këndim e pa mëcim kemi ngelë si të egër në mal e në errësirë”. Se me pushkë e me thikë nuk po fitohet, po lypet edhe kalem e këndim fjalë e mendim.16
Gazeta “Zani i Sharrit”, në numrat e vetë botonte edhe vjersha të karakterit revolucionar në ngritjen vetëdijes kombëtare se ne si shqiptar që jetojmë në trojet tona etnike duhet të ngremë zërin kundër atyre që duan këtë popull ta asimilojnë dhe në regjistrimet e pushtetit serb ta regjistrojnë kundër vullnetit të vetë për turq dhe se duhet patjetër të shpërngulet nga trojet e veta historike.
Kundër kësaj propagande tejet të rrezikshme për popullin shqiptar që shkonte në favor të sllavëve, gazeta “Zani Sharrit” dhe kryeredaktori i saj iu kundërvunë me sukses në shkrimet e veta nëpër mes të kësaj gazete që në atë kohë para 50 viteve botohej në Tetovë. Po ashtu edhe vjershat e botuara në këtë gazetë janë kryekëput në frymën revolucionare të popullit shqiptar kudo që janë të luftojnë për prosperitetin e vendit dhe popullit të vetë, si popull më i lashtë i Ballkanit.
Kënga për Shqipërinë Etnike “Z a n i i K o s o v ë s”, marrë në origjinal nga gazeta, “Zani i Sharrit.17
Përpara vllezër me nxitim
Sot Kosova ne t’gjthë na thret
Nëpër pranga e nën temrim
Mjaft është shtypun 30 vjet,
Duam të jetojmë në nji të Shqipënisë,
nuk i shtrohemi kërkujtë;
duam të jetojmë në gji të vëllaznisë
S’pranojmë’pranga nga të huajt’
Se Shqiptarët si qe moti:
Do ta lajmë këtë tokë me gjak’
Do të valoj pushka do të valoj topi,
Këmbë t’huaj s’lamë as pak.
Me gjakun t’onë, kuq si zjarri
Do ta shkruajmë nëpër jetë,
Se Kosova kunor ari
Shqipëni ka qenë, asht do të jetë.
Një zë buçet sot prej Sharrit,
Nga krahnuer i Kosovarit:
O nën flamur kuq e zi,
Do të bëhemi pluhur e hi.18

– Gazeta “Zani i Sharrit”, botohej në shtypshkronjën “Përparimi”, Tetovë, rruga Naim Frashëri nr. 27.
——————————-
Literatura e shfrytëzuar:
1. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Maqedonisë në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar 1041-1945, Tetovë 2008, f. 37-38.
2. Mustafa Memiç, Velika Medresa i njeni uçenici u revolucionarnom pokretu, Shkup, 1984. f.191.
3. Vebi Xhemaili, Forcat Kombëtare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike, Tetovë 2006, f. 42-43.
4. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar 1912-1918, Tetovë 2003, f.343-353.
5. Shefqet Shkupi, veprimtarë i madh i çështjes kombëtare dhe partizan i Azem Moranës dhe shokëve të tij; shënime dhënë për jetën dhe veprën patriotike të Azem Moranës dhe të dhëna tjera për anëtarët e partisë “Nacional demokrate”; dhënë autorit në dhjetor 1990 në Shkup.
6. Kontribut i Azem Moranës, botuar në Gazetën “Zani i Sharrit”, më 5 tetor 1944 f. 3; botohej në shtypshkronjën “Përparimi”, Tetovë, rruga Naim Frashëri nr. 27.
7. Projekti Vaso Çubrilloviqit dhe fazat për shpërnguljen e shqiptarëve botuar më 7, mars 1937 në Beograd.
8. Hajredin Hoxha, Përparimi”, Prishtinë 1970. f. 435.
9. Gazeta “Zani i Sharrit”,
10. Hajredin Hoxha, Përparimi, pun. i cit. f. 435.
11. Gazeta “Zani i Sharrit”, më 5 tetor 1944. f. 3.
12. Po aty Gazeta ‘Zani i Sharrit”.
13. Vebi Xhemaili, Kontributi i shqiptarëve të Pollogut në Lidhjen e Parë dhe të Dytë të Prizrenit. Gazeta “Fakti” Shkup, qershor të vitit 2001,
14. Gazeta Zani i Sharrit, më 5 tetor 1944; Apostujt e shqiptarizues, Rexhep Voka, (Hoxhë Voka- Shipkovicë), në vitin 1911 e botoi veprën “Mendime”, ku kërkon pa ndërprerë arsimimin e shqiptarëve kudo që janë, nëqoftëse ka nevojë për arsim, të mësohet edhe nëpër kolibe primitive.
15. A.SH-Tiranë, Biografia e Abdylaqim Doganit veprimtarë i madh i shkollës shqipe.
16. Gazeta Zani i “Sharrit”, më 12 tetor 1944
17. Marrë nga gazeta “Zani i Sharrit”,
18. Gazeta “Zani i Sharrit”, 5 tetor 1944.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura