PROF.DR.VEBI XHEMAILI: ME CILIN FLAMUR ISMAIL QEMALI E SHPALLI SHQIPËRINË E BASHKUAR DHE TË PAVARUR

Tetovë, 26. 11. 2014: Ismail Qemali, me dorën e tij ngriti Flamurin e Pavarësisë, të qëndisur me fije ari. Pra, Ismail Qemali ngriti Flamurin e qëndisur rretheve me gjethe nga Marigoja, në të cilin flamur ishte shkruar dhe parulla: ‘Rroftë Shqipëria’. Ky flamur simbolizon bashkimin e popullit shqiptar kudo që jeton si një komb i vetëm midis Ballkanit. Ky Flamur më vonë u dogj nga grekët. Me këtë akt kombëtar u shpall Pavarësia e plotë e Shqipërisë Etnike. Pas këtij akti, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, më 29 nëntor 1912, me telegram iu drejtua konsujve të Vlorës, të parin telegram njoftimi i bëri për konsullin e Austro-Hungarisë, pastaj Italisë, Francës, Gjermanisë e Rusisë, me anën e të cilit njoftonte për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe kërkon njohjen zyrtare nga ana e tyre.
HISTORIKU DHE ORIGJINA E FLAMURIT KOMBËTAR I NGRITUR NË VLORË, MË 28 NËNTOR
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912; thuhet se Marigo Pozio brenda natës ka qëndisur vetëm thekët e flamurit (jo krejt flamurin) që e kishte sjellë z. Spiridon llo nga Bukureshti. Ndërkaq, Vangjo llo (djali i Spiridon llos) në kujtimet e tij thotë se ”flamuri që ka sjellë i atij i tij nga Bukureshti në Vlorë , ishte i stampuar, jo i qëndisur dhe me përmasa ka qenë 1 metër me 80 cm. Ky flamur nuk ishte i qëndisur me fije ari, siç është pohuar deri më tani, por ka pasur thekë të verdha, të cilat, siç u tha më lart, i ka qëndisur Marigo Pozio. Ekziston edhe një version tjetër rreth prurjes së flamurit në Vlorë, e që lidhet me emrin e Marigo Pozios. Shpeshherë mes komunitetit shqiptar që jeton në Amerikë, pikërisht në ditën e flamurit përflitet se flamuri që u ngritë në Vlorë është qëndisur në Boston të Masacusest-it, ku ka vepruar edhe Kristo Dako. Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta “Dielli”, që botohej në SHBA. Në një shkrim të Qerim Panaritit, thuhet si vijon: Ne e dërguam flamurin nga Bostoni në Korfuz një vit më parë se të ngrihej në Vlorë nga z. Ismail Qemali. Të gjitha shpenzimet për qëndisjen, paketimin dhe dërgimin e flamurit u bënë nga shoqëria jonë “Besa-Besë”. Më tutje z. Panariti thotë se ”detyra e mbajtësit të flamurit iu ngarkua z. Naçi Nuçi, ky i fundit ishte edhe anëtar i Komitetit të Fshehtë Shqiptar për lirinë e Shqipërisë, themeluar në Manastir, në vitin 1905, po ashtu edhe ish anëtar i klubit “Bashkimi”. Ky po ashtu nga organet qeveritare turke u akuzua si drejtor shkolle, me pretekstin se drejtoria e vajzave të shkollës së Korçës kishte kërkuar nga konsulli August Kral që të siguronte për shkollën hartën Shqipërisë, të përpiluar nga Faik Konica. Po ashtu ishte edhe bashkëveprimtar i ngushtë i një shkolle tregtare në Korfuz dhe ndihmonte tregtarët shqiptarë”. Po ashtu, z. Naçi ishte një mik i çiftit tregtar Pozio nga Vlora, të cilëve iu besoi flamurin që ta shpinin në Vlorë dhe ta mbanin fshehur, derisa t’iu kërkohej nga patriotët, të cilët kishin vendosur që Shqipërinë ta ndanin nga Turqia. Flamuri ishte i tëri mëndafsh i kuq, rrethuar me thekë ari dhe në mes kishte shqiponjën me dy krerë në ngjyrë të zezë. Shtiza mbajtëse qe prej bambuje dhe e lyer me ar, në majën e së cilës gjendej një shqiponjë me dy koka prej fildishi … Për hollësi të tjera se si Marigoja e solli flamurin në Vlorë, ka shkruar edhe shtypi në Tiranë, bazuar në rrëfimin e kryetarit të shoqërisë “Shqiptaro-Amerikane”, Koli Rodhe. Aty vihet në pah se Marigo Pozio nga Hoçishti i Korçës (grua e një tregtari vlonjat), ndonëse atë ditë ndodhej në Korfuz, në pamundësi që ta fuste një mashkull flamurin në Shqipëri (për shkak të pengesave të mëdha doganore nga autoritetet turke), këtë gjë e bëri Marigo Pozio, e cila e mbështolli brenda veshjeve të sipërme dhe e solli në Vlorë.


Me këtë flamur u shpall Pavarësia e Shqipërisë Etnike, më 28 nëntor 1912 në Vlorë

CILA ËSHTË E VËRTETA PËR FLAMURIN QË U NGRITË NË VLORË
Çështja e origjinës së ardhjes së Flamurit Kombëtar: Marigo Pozio, Qamil Panariti, Spiridon Ilo, Eqërem bej Vlora, – varianti i fundit duket me i besueshëm dhe pikërisht këtu menduam te ndalemi: Në AQSH, gjendet një shkresë e Kry. Koço Kota, datuar 10 shkurt 1930 drejtuar MPJ të Mbretërisë Shqiptare: “MPB, e mbështetur në hetimet e bëra prej Prefekturës së Vlorës, me shkresën e saj Nr. 8431/1, datë 29.01.1930 njofton se i pari flamur që është ngritur në Vlorë më 28 XI.1912 ndodhet në duart e Z. Eqrem Vlora, Ministër i Mbretërisë në Athinë” Dëshmi tjetër: është dhe ajo e Rauf Ficos ministër i jashtëm “MPB me një shkresë na bën të ditur se, si mbas hetimeve të bëra prej Prefekturës së Vlorës, i pari Flamur që është ngritur në Vlorë më 28 XI 1912 ndodhet në duar e z. tuaj me qenë se, Qeveria jonë ka vendosur mbledhjen e sendeve historike në Muzeumin Kombëtar, do të jetë një gjest patriotik shumë i çmuar nëse kini mirësinë t`ia dhuroni muzeumit në fjalë, ku vizitorët të venë të shohin simbolin e parë të shenjtë të Independencës sonë kombëtare.
Në letër pasi e falënderon Ministrinë e Jashtme që më në fund është kujtuar për ta kthyer flamurin e ngritur në Vlorë, në material muzeor, me keqardhje thotë se ai flamur nuk ekziston më! Më poshtë në letër z. Vlora thekson se ky flamur, pas përfundimit të Kuvendit të Vlorës (28. Xl .1912) u rikthye në shtëpinë e tij dhe ka vazhduar ta mbajë atë si të shenjtë. Mirëpo, në vitin 1914, kur në Vlorë hynë forcat rebele të Shqipërisë së Mesme, nga frika se do ta gjenin flamurin (sepse shtëpitë e bejlerëve shqiptarë që kishin orientime perëndimore u dogjën tërësisht ), zonja Delvina, një grua patriote që kishte qëndruar në shtëpinë e tij, gjatë largimit nga Vlora për në Delvinë, e merr me vete edhe flamurin. Znj. Delvina këtë flamur e ruan me kujdes (si sytë e ballit) së bashku me gjësendet e saj personale. Në këtë situatë të nderë, kur në vitin 1914 hynë në jug të Shqipërisë forcat greke “Verio-Epirote”, të cilat pretendonin bashkimin e kësaj pjese shqiptare me Greqinë, sulmojnë Delvinën dhe meqë familja e znj. Delvina ishte në fokus për të persekutuar, detyrohet të shpërngulet në Korfuz, duke lënë gjithçka kishin në shtëpinë e tyre. Gjatë operacioneve pushtuese, ushtria greke, pasi kishte plaçkitur, djegur e shkretuar Delvinën, ia vuri zjarrin edhe shtëpisë së delvinjave dhe së bashku me gjësendet e mbetura brenda në shtëpi u dogj edhe flamuri. Si përfundim, duke u bazuar në këto dokumente, duket se janë zbehur të gjitha versionet që kanë të bëjnë me fatin e flamurit historik, i cili më 28 Nëntor 1912 qe ngritur nga Ismail Qemali në ballkonin e shtëpisë ku u mbajt Kuvendi i Vlorës 28 nëntori 1912 u shpall pavarësia 37 delegatë dhe më pas 63 (shkaqet)(28.XI-7.XII).
KUSH ËSHTË ATDHETARI FUAT DIBRA QË SHKRIU TËRË PASURINË PËR KOMBIN DHE SHQIPËRINË ETNIKE
Me këtë rast, nuk duhet harruar ndihmën e madhe financiare që ka dhënë atdhetari i palodhshëm Fuad Dibra, i cili vullnetarisht i kishte dhënë Ismail Qemalit mbi 30 mijë napolona floriri, që të operonte nëpër oborret diplomatike të Evropës. Ky atdhetar i madh i paguante edhe gazetat që botonin artikuj në dobi të çështjes sonë kombëtare. Fuat Dibra, personalisht ka harxhuar vetëm për delegacionin shqiptarë që qëndroi në Paris mbi gjashtë muaj, mbi 500 mijë franga floriri. Ky atdhetar i shkriu për të mirën e çështjes kombëtare 5 hotele të tij në Paris. Ky atdhetar i palodhshëm i çështjes kombëtare Shqiptare rrjedh nga një familje atdhetare, babi i tij Ismail Hoxha kishte funksione të larta në Perandorinë Osmane, financoi Kongresin e Manastirit dhe të Dibrës.(V.Xh).
Fuat Dibra ka bashkëpunuar ngushtë pos Ismail Qemalit edhe me Dervish Himën, Ibrahim Temon, Rexhep Mitovicën, Bedri Pejanin, Lev Nosin, Mithat Frashërin dhe Shefqet Shkupin. Ky ka luajtur një rol tejet pozitiv me rastin e bashkimit kombëtar në tokat e liruara nga Tetova, Struga deri në Dibër. Më 16 tetor 1943 u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar, i cili shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës” të përbërë nga Mehdi Frashëri, Fuat Dibra, Atë Anton Harapi, Lef Nosi dhe më 5 nëntor 1943 Regjenca emëroi qeverinë me Kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore. Poashtu Fuat Dibra Ka qenë Komandant i Përgjithshëm i Forcave Vullnetare Shqiptare i emëruar nga Komiteti Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Për këto merita Kryetari i Komunës së Tetovës Shaip Kamberi, me rastin e vdekjes së këtij atdhetari të madh, në vitin 1944 në Tetovë me rrethinë shpalli tre ditë zi. Por pas luftës edhe pse shkriu tërë pasurinë e tij për të mirën e Kombit, komunistët e nxorën nga varrezat e qytetit në Tiranë.
TAJAR TETOVA-DERRALLA-NË KUVENDIN E VLORËS
Me këtë rast duhet theksuar se në Vlorë ka marrë pjesë edhe oficeri shqiptar, Tajar bej Tetova. Ky gjatë revolucionit xhonturk, vriste e priste për Turqinë. Por më në fund u bindë se më mirë është të luftosh për komb se sa për Turqinë. (Prandaj është mirë kur shqiptarët binden më në fund “se kombi është mbi gjithçka”.). Ky oficer i larë tetovar në qershor të vitit 1912, braktisi ushtrinë turke dhe doli në mal. Dalja në mal e Tajar Tetovës dhe ushtarakëve të tjerë ndikoi me të madhe në zgjerimin e kryengritjes në rrethin e Manastirit dhe të Dibrës, deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në bazë të dokumenteve më të reja, Tajar bej Tetova ka dhënë një kontribut të madh edhe në shpalljen pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, kur Ismail Qemali e dërgon në Dibër me një delegacion, me qëllim që krahina e Dibrës t’i bashkëngjitet Qeverisë së Vlorës. E cila e kishte ngrit Flamurin me 27 nëntor 1912. Kjo ishte arsyeja pse këta fanatikë e kërkonin Tajar Tetovën që ta burgosin, pasi këta dogmat që luftonin për rikthimin e Turqisë në vendet tona e shpallën Tajarin anti-turk dhe kërkonin kokën e tij. Për këtë arsye, Tajar Tetova do të rikthehet në Elbasan, duke u fshehur për ti shpëtuar ndjekjeve të rebelëve të Haxhi Qamilit, të cilët e kërkonin për ta vrarë si person me ide anti-turke.
ISMAIL QEMALI ME DORËN E TIJ E SHPALLI PAVARËSINË E SHQIPËRISË NË EMËR TË KATËR VILAJETEVE: TË KOSOVËS-MANASTIRIT-SHKODRËS DHE JANINËS
Vlora heroike i priti delegatët me entuziazëm të madh dhe me një atmosferë të pa përshkruar në mbrëmjen e 26 nëntorit. Pra delegacioni shqiptarë nuk ka arritur në Vlorë më 25 si është shkruar deri tani, por më 26 nëntor. Me të arritur në Vlorë, Ismail Qemali filloi parapërgatitjet në qytetin e tij të lindjes për shpaljen e Pavarësisë. Në qytet ende valonte flamuri turk dhe funksiononte administrata e saj. Puna e parë e udhëheqësit kombëtar ishte organizimi i forcave të armatosura. Për këtë qëllim, ai formoi një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të fshatrave një qarkore, me anën e së cilës porositeshin që të mobilizoheshin njerëzit e aftë për mbrojtjen e Qeverisë së ardhshme shqiptare, që do të shpallej së shpejti. Në këto rrethana të jashtëzakonshme, kur ushtria serbe mbante të rrethuar Durrësin, delegatët që kishin arritur në Vlorë mbajtën një këshillim në mbrëmjen e 27 nëntorit, ku vendosën që shpallja të bëhej ditën e nesërme, pra më 28 nëntor. Deri në atë kohë nuk kishin arritur akoma përfaqësuesit e disa krahinave. Sipas njoftimeve që kishte marrë Ismail Qemali, një numër i madh i delegatëve ishte ende në lëvizje e sipër nëpër rrugët e vështira të Shqipërisë. Ka pasur raste kur shumë delegatë, për të kaluar kurthin e ushtrisë serbe është dashur të veshin edhe ferexhe grash, siç është rasti me atdhetarin e njohur nga Dibra, Sherif Langun, i cili deri në rënien e Kosovës dhe Dibrës në duart e ushtrisë serbe mbante postin e Kryetarit të Myftinisë në Dibër. Ky për të shkuar në Vlorë ka udhëtuar nga Dibra, Elbasani më se 10 ditë, për të arritur në Vlorë në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Pasi në këtë kohë Manastiri, Struga dhe Ohri ndodheshin në duart e ushtrisë serbe. Ky atdhetar pas Luftës së Dytë Botërore nga pushteti komunist u dënua me 10 vjet burg, edhe atë në pleqëri të thelë kur i kishte mbushur mbi 70 vjet. “Këto dëshmi Sherif Langu i deklaroi në burg para Mehmet Shehut. Unë kur kam qenë për Shqipëri, babai yt mendonte për Baba Dovlet” (V.Xh).
PARIA E OHRIT PËRKRAHU AKTIN E PAVARËSISË
Madje Kryeministri shqiptar i kohës në Rumani Taqe Junesku, një shqiptar me origjinë nga Ohri, i dërgoi Ismail Qemalit 500 mijë franga ari për të përballuar shpenzimet e udhëtimit.
Për shkak të rrethanave të vështira të shkuarjes në Vlorë, edhe paria e Ohrit dhe Strugës më 27 nëntor i ka dërguar Ismail Qemalit një telegram, me të cilin e njoftojnë se: “solidarizohen për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike”. Telegrami është i nënshkruar: Myderisi Sheh Ismaili, Sheh Hasan Abdullahu, Emurlla Nexhati Abdylqerim, Kadiu i vendit Hysni Huseini, Mehmet Fehmiu, Haxhi Jaha dhe Hajdar Pasha, në emër të të gjitha mëhallëve të Ohrit.
Edhe pse Kosova dhe trevat tjera lindore në këtë kohë ishin të pushtuara nga ushtria serbe, në Kuvendin e Vlorës morën pjesë; Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka, Bedri Pejani si përfaqësues të Gjakovës, Pejës e Gucisë. Pasi Hasan Prishtina ditën historike të shpalljes së pavarësisë kombëtare ndodhej i mbyllur në burgun Beogradit, së bashku me Idriz Seferin, Nexhib Dragën dhe disa udhëheqës tjerë të njohur pas Kryengritjes Shqiptare të Kosovës 1912. (Shih librin e Vebi Xhemailit Shqiptarët e Maqedonisë së sotme 1843-1913).
REXHEP MITROVICA E NOMINOI I PARI ISMAIL QEMALIN PËR KRYEPARLAMENTAR
Në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” është shkruar se si në hapjen solemne të Kuvendit të Madh të Vlorës, para delegatëve dhe burrave të ardhur nga të gjitha trojet etnike shqiptare, (është fjala për katër vilajetet shqiptare) pas verifikimit të mandatit e morri fjalën Rexhep Mitrovica, i cili propozoi që për kryetar të Kuvendit të Parë Kombëtar të emërohet Ismail Qemali, si shkronjës i parë të emërohet Luigj Gurakuqi, ndërsa për shkronjës të dytë, Shefqet bej Daiu. Delegatët e pranuan njëzëri këtë propozim, me të përplasur duarsh”.
Më vonë, Aktin e pavarësisë e shënoi edhe Lef Nosi në përmbledhjen e “Dokumenteve historike”, por regjimi komunist i Enver Hoxhës i falsifikoi këto dhe shumë dokumente të tjera, duke mbuluar kështu emrat e Rexhep Mitrovicës, Mit’had Frashërit, Lef Nosit, Dervish Himës, Fuat Dibrës, Mehmet Derrallës dhe disa nacionalistëve tjerë që luftuan tërë jetën për bashkimin e kombit. Këta u fshin jo vetëm nga dokumenti përkatës por edhe nga historia kombëtare. Emri i Rexhep Mitrovicës u fshi nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1908-1912. Në bazë të dokumenteve, Rexhep Mitrovica zgjidhet njëzëri nga Kuvendi i Vlorës anëtar Senati dhe ndihmës Ministër i punëve Botërore, edhe pse ishte vetëm 24 vjeç.
Regjimit komunist nuk i konvenonte që ai të figuronte si protagonist i Kongresit të Manastirit, të Kuvendit të Vlorës të Kuvendit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore të shpallur më 16 tetor 1943, ku Rexhep Mitrovica shpallet anëtarë i Lartë i Regjencës, të përbërë nga Mehdi Frashëri, Fuat Dibra, Atë Anton Harapi, Lef Nosi dhe më 5 nëntor 1943 Regjenca emëroi qeverinë me Kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore. Ndërsa në Pranverë të vitit 1944 u emërua edhe Kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pas Bedri Pejanit. Ndërsa pasi ishte shëndetlig shumë shpejt u tërhoq dhe në vend t; tij erdhi poligloti dhe ideologu i LIDHJES së DYTË të PRIZRENIT Xhafer Deva. Prandaj ky atdhetar me veprat e tij kombëtare, siç ishte Rexhep Mitrovica, i pengonte kaq shumë politikës komuniste dhe diktaturës të Enver Hoxhës.
KUVENDI KOMBËTAR FILLOI PUNË MË 28 NËNTOR 1912
Më 28 Nëntor 1912 në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës filloi punën Kuvendi Mbarëkombëtar. “Kuvendi filloi punën më 28 nëntor dita enjte, në ora 4 pas dite”. Më 15 të vjeshtës së tretë. Ishte e enjte ora 4 pas dreke, tellalli kish thirrur që në këtë kohë do të kasnecohet Shqipëria më vete. Të gjithë delegatët ishin mbledhur në shtëpi të Xhemil bej Vlorës, në një sallon të madh të shtëpisë së tij, ku në referatin kryesor që mbajti Ismail Qemali, e përshkroi humbjen e Turqisë dhe të vajturat e Shqipërisë mbi rrezikun e madh që ndodhet Atdheu ynë, tjetër shpëtim tha s`ka, përveç se të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të kasnecojmë vetëqeverimin. “Rroftë Shqipëria jonë”, thërritën të gjithë. “Rroftë Flamuri i Shqipërisë”. Salloni i madh i shtëpisë ishte plot me njerëz, çardaku poshtë plot, kopshti plot, të gjitha rrugët mbushur me njerëz”. Ismail Qemali e mbylli referatin kryesor para kuvendarëve me këto fjalë: “Tanimë s’na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veçse ndarja e Shqipërisë nga Turqia”, dhe propozoi që: Shqipëria të shpallë Pavarësinë dhe të formohet Qeveria e Përkohshme dhe të emërohet Pleqësia (Senati). Propozimet miratohen njëzëri nga Kuvendi. Ismail Qemali i cili tani më mbante postin e Kryetarit të Kuvendit, njëherit u propozua edhe si mandatar për organizimin e Qeverisë së Përkohshme dhe të Pleqësisë (Senatit). Pasi mandatet e tyre duhej verifikuar nga Kuvendi. Pas miratimit të pikave të parapara nga ana e Kuvendit. Ismail Qemali propozoi që: “Shqipëria të shpallet shtet më vete e lirë dhe e pavarur”. Siç thamë më lartë, me propozimin e Rexhep Mitrovicës, Kuvendi njëzëri pranoi Ismail Qemalin edhe mandatar për propozimin e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë Etnike ku bënin pjesë katër vilajetet: I Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe i Manastirit.
FJALIMI I ISMAIL QEMALIT SI KRYEMINISTËR I PARË I SHQIPËRISË ETNIKE
Ismail Qemali, pasi e mori edhe mandatin nga Kuvendi për të shpallur Qeverinë e Përkohëshme, foli përsëri shkurt mbi të kaluarën historike të popullit shqiptar nën sundimin turk, dhe mbi luftën heroike të popullit shqiptar për të fituar të drejtat e tyre, për të jetuar të lirë dhe sovran në tokën e tyre. Ai, po ashtu në ekspozenë e tij vuri në dukje rrethanat e krijuara në Shqipëri nga zhvillimi i luftës së Parë Ballkanike. Ai tha se “E vetmja rrugë e shpëtimit është ndarja nga Perandoria Osmane”. Masat e para që mori ishin ato që të shpallej Shqipëria më vete, me një Qeveri të Përkohshme, të zgjidhej një Pleqësi (Senat), për të kontrolluar punët e qeverisë. Senati përbëhej prej 18 anëtarëve, ndërsa për Kryetar u zgjodh Myftiu i Dibrës Vehbi Agolli. Pika e tretë ishte shumë e rëndësishme për ato çaste historike, që konsistonte me formimin e një Komisioni për të mbrojtur çështjen shqiptare para Fuqive të Mëdha. Propozimet e Kryetarit u aprovuan njëzëri, me duartrokitje të zjarrta. Delegatët, në fund, nënshkruan dokumentin historik, Deklaratën e Pavarësisë në gjuhën turqishte, ku thuhej: ”Shqipëria me sot të bëhet në vete e lirë e mosvarme”. Kuvendi mbaroi punën aty kah ora pesë e gjysmë pasdite.
Pastaj, të gjithë së bashku që ishin të pranishëm dhe kuvendarët me Ismail Qemalin u drejtuan drejt ballkonit të godinës për ta ngritur Flamurin kombëtar të Skënderbeut, ku në pritje të këtij akti, jashtë ndërtesës ishin tubuar me mijëra qytetarë që përcillnin ngjarjen me këngë e valle ku pritnin me padurim aktin madhor të Pavarësisë. Ismail Qemali e mori flamurin prej Naços, i cili e mbante në duart e veta si Kryetar i Komisionit për ngritjen e flamurit, por sot kësaj dite enigmë mbetet lashtësia dhe origjina e këtij flamuri që e çoi lartë Ismail Qemali.
SA DELEGATË KANË MARRË PJESË NË KUVENDIN KOMBËTAR TË VLORËS
Në ora pesë e gjysmë pasdite firmoset Akti i Shpalljes së Pavarësisë nga 37 delegatë sa ishin të pranishëm në sallë, Ismail Qemal, Nikollë Kaçorri, Abdul Aziz Vehbi Dibra, Dudë Karbunara, Elmas Boco, Vehbi Harxhi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, A. Rruçi, Abdi Toptani, Abas Dilaver Çelkupa, Mit’hat Frashëri, Shefqet Daiu, Zihni Abas Kanina, Xhelal Koprencka, Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani (Karaosmani), Iljas Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Berati, Dhimitër Emanuel Mborja, Dimitri Zografi, Murat Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro Ilo, Thanas Floqi, Lef Nosi, Dr. H. Myrteza, Nuri Sojliu, Mustafa Asim Kruja, M. Ferid Voskopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa Lushnja, Zuhdi Ohri. ndërsa 2 emra janë të palexueshëm…”. Edhe 26 delegatë të tjerë erdhën gjatë ditëve në vijim. Gjatë mbajtjes së Kuvendit, një komision i zgjedhur vajti dhe nguli flamurin e Shqipërisë nëpër tërë zyrat publike, ku një ditë më parë valonte ai turk. Njerëzia që shkonin përpara flamurit, nxirrnin kapelat e bardha dhe kush e kush ta puthte më parë. Pikturat e Sulltanit dhe të oficerëve të Turqisë i nxorën nga tërë lokalet publike, i grisën dhe i shkelën me këmbë. Mbishkrimet e beledies, të postës, të telegrafit dhe gjetkë, të shkruara me shkronja arabo-turke, i hodhën poshtë dhe i pështynë.
Manifestime të nxehta u bënë nëpër konsullatat e Austrisë, Italisë dhe të Rusisë, të cilët na u përgjigjën “me dashuri”. Të nesërmen priteshin të vijnë gjenerali Isa Boletini, Riza bej Jakova, Mehmet Pashë Derralla disa delegatë të tjerë të Kosovës me 400 trima pas. Megjithëse që atë ditë binte shi, po një shumicë e madhe kishë dalë përpara me flamurin tonë në dorë, kur u afruan të tre bajraktarët e Kosovës, zbritën nga kuajt dhe u gjunjëzuan para flamurit kombëtar me lot në sy e puthën me një ngushëllim të thellë, për vuajtjet dhe trimëritë që kishte treguar populli shqiptar kudo që jetonte. V.Xh).
KUSH ISHIN DELEGATËT NGA KOSOVA DHE VILAJETI I MANASTIRIT
Nga Kosova dhe trevat lindore, Aktin e Pavarësisë e nënshkruan këta delegatë, nga Struga e Ohri: Nuri Sojliu, Zuhdi Ohri, Xhemal Beu dhe doktori M. Murteza, i nënshkruar menjëherë pas Lef Nosit. Në të gjitha publikimet e gjertanishme shënohet si Dr. H. Myrteza. Por duhet theksuar se nga Struga kanë marrë pjesë emra të mëdhenj të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si: Hamdi bej Ohri, Murat Barutçiu, Dervish Hima. Po ashtu, duhet përmendur edhe Bejzat Saliun nga Ohri, i cili sipas pohimeve ka qenë telegrafist në Vlorë (detyrë që e ka ushtruar edhe në Ohër). Po ashtu, pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë ka qenë edhe redaktori i gazetës “Shkupi”, një atdhetar i palodhshëm i çështjes kombëtare, Jashar Erebara nga Dibra, i cili dha një kontribut të vlefshëm në jehonën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

LISTA E TË FTUARVE NË AKTIN E PAVARËSISË KISHTE 78 EMRA TË DELEGATËVE NGA TË GJITHA TROJET E SHQIPËRISË ETNIKE, TË CILËT FIRMOSËN DOKUMENTIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË:
Vlorë: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruçi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqerem Bej Vlora;
Berat: Sami bej Vrioni, Ilias bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara;
Skrapar: Xhelal bej Koprencka; Hajredin bej Cakrani;
Lushnjë: Qemal bej Mullai, Ferit bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa;
Durrës: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri;
Tiranë: Abdi bej Toptani, Murat Bej Toptani;
Shijak: Xhelal bej Deliallisi, Ymer bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu;
Krujë: Mustafa Merlika-Kruja;
Elbasan: Lef Nosi, Shefqet bej Daiu, Qemal bej Karaosmani, Dervish bej Biçaku;
Peqin: Mahmud Efendi Kaziu;
Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi (jo Ismail bej Vlora);
Gjirokastër: Azis Efendi Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli;
Përmet: Veli bej Këlcyra, Syrja bej Vlora;
Tepelenë: Feim bej Mezhgorani;
Janinë: Kristo Meksi, Aristidh Ruçi;
Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati;
Delvinë: Avni Bej Delvina;
Korçë: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo,
Pogradec: Hajdar Blloshmi,
Shkodër: Luigj Gurakuqi,
Mat: Ahmet bej Zogu (më vonë Zogu I), Riza bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu,
Dibër: Myftiu Vehbi Dibra, Sherif Langu, myfti në Dibër dhe Ramiz Daci,
Kosovë; Gjakovë dhe Plavë-Guci: Rexhep bej Mitrovica, Bedri bej Ipeku, Salih Gjuka, Mid′hat bej Frashëri, Mehmet pashë Derralla, Isa Boletini, Riza bej Gjakova, Hajdin bej Draga, Dervish bej Ipeku, Zenel bej Begolli e Qerim Begolli.
Nga trevat Lindore (Maqedonia e sotme); Ohri dhe Struga: Zyhdi bej Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi bej Ohri, Mustafa Baruti dhe Dervish Hima nga Ohri,
Nga Kolonia e shqiptarëve të Bukureshtit u zgjodhën këta delegatë: z. Pandeli Evangjeli, Dimitri Ilua, Dimitri Zografi, D. Emanoil dhe D. Berati.
***
Kontakti me autorin: [email protected]

SHERADIN BERISHA: MARIGO POZIO DHE FLAMURI HISTORIK I ISMAIL QEMALIT
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=1038

***

SHERADIN BERISHA: RRUGËTIMI I SHQIPËRISË DERI TE SHPALLJA E PAVARËSISË NË VLORË – MË 28.XI.1912
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1026

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura