PROF.DR.VEBI XHEMAILI: ME RASTIN E 71 VJETORIT TË HYRJES TË FORCAVE KOMUNISTE NË TETOVË

Tetovë, 11. 04. 2105 – Më 15 nëntor 1944 erdhi momenti i marrëveshjes me Komitetin nacionalist të Tetovës, deklaronte Dragan Spirovski. Bisedat për marrjen e Tetovës kishin filluar më herët me dy të plagosur në spitalin e qytetit, me dy komunistë; Ramadan Daja dhe Lutfi Skuka. Kjo marrëveshje me komunistët shqiptarë ishte në pajtim me Këshillin vendor të PKM-së për Tetovën. Në këto rrethana më 15 nëntor në mbrëmje në Tetovë u themelua Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Ndërsa vendin për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët e kishte përgatitur Vera Tetova, drejtoreshë në shkollën Bujqësore, ku merrnin pjesë; Osman Tetova, Kryetar, Ahmet Punoshevci, Ramazan Daja, Abdurahman Tresi, Zurap Haxhi Hasani, Nexhbedin Besimi, Vera Tetova, Dragan Spirovski, Llazo Shutomir, Dr. Hitkov, Qiro Vojçevski, njëfarë Viktori dhe Sllavka Fidanova. Në këtë takim, nga ana e Komitetit nacionalist për Tetovën merrte pjesë një numër i caktuar i anëtarëve të Komitetit: Qazim Lusha, Nexhbedin Besimi, Nevzat Roshi dhe disa të tjerë. Me këtë marrëveshje ranë dakord të dyja palët, që Tetova t’i dorëzohet partizanëve pa luftë.
Në ditën e 16 nëntorit Tetova ishte e qetë, nuk kishte operacione ushtarake, as krisma. Sipas dëshmitarëve të kohës, marrëveshja e Komitetit të Tetovës me komunistët u bë me pëlqimin e Shaip Kamberit. Ai, si kryetar komune dhe udhëheqës i shtetit të bashkuar shqiptar, nuk dëshironte të derdhej gjak midis shqiptarëve të ndarë në dy grupe; nacionalistë dhe komunistë.
Komiteti Nacional, pasi ua dorëzoi pushtetin komunistëve shqiptarë dhe atyre maqedonas. Këta të fundit urdhëruan Qazim Lushën që të burgoste parinë e Tetovës. Ky në mbrëmje të 15-16 nëntorit 1944, e kapi me tradhti Raif Aliun, i cili në atë kohë ishte kryetar i Komitetit për Tetovën dhe Myrtezan Shaqirin, drejtor i Kuesturës dhe i burgosi. Në të njëjtën ditë më 16 nëntor në mes të ditës e burgosin edhe Shaip Kamberin. Në burgosjen e tij morën pjesë këto aktivist të Partisë; Qani Pagrija, Xheladin Zeqiri, Abduraman Tresi, Xheladin Palloshi, Suat Çaushi, Bajram Selimi, Qemal Hajrullahi të komanduar nga Lutfi Skuka. Ky grup i armatosur shkuan te shtëpia e Kryetarit të Bashkisë së Tetovës, Shaip Kamberi, për ta dërguar në burg. Për këtë Qemal Hajrullahi dëshmon: “Shaipin nuk e gjetëm në shtëpi, por një qytetar shqiptar nga Tetova na informoi se ku fshihet Shaipi me disa shokë. Ai ishte fshehur në një shtëpi karshi të vetes, e gjetëm dhe e burgosëm”.
Sipas marrëveshjes së arritur në mbrëmjen e 15 nëntorit në shkollën Bujqësore për dorëzimin e pushtetit. Me këtë akt për hir të paqes, u pajtua edhe Kryetari i Bashkisë së Tetovës Shaip Kamberi, i cili vendosi sëbashku me bashkëpunëtorët e vetë ti lëshojnë postet që kishin dhe të mos paraqiten më në punë më 16 nëntor 1944. Shaipi vendosi më të qëndroj i izoluar në shtëpinë e tij. Te ky, për konsultim kishin shkuar: Kadri Saliu nga Gostivari, sëbashku me Jusuf Kulikun. Pas ndërrimit të pushtetit në qendër të Tetovës, ku u bënë manifestime me rastin e marrjes së pushtetit nga komunistët shqiptar dhe maqedonas. Ndërsa në anën tjetër një grup shqiptarësh me urdhër të Qazim Lushës, shkojnë te shtëpia e Shaipit, dhe e kapin dhe së bashku me dy shokët e tij. Shaipin duar lidhur e shëtisin nëpër qytet deri te shtëpia e Evçevskit, i cili deri dje ishte për Bullgarinë e Madhe. Burgosja e Shaipit ishte tragjike për forcat e shëndosha kombëtare, u burgos luftëtari dhe ideologu i pathyeshëm i çështjes për bashkim kombëtar, e mbyllin në shtëpinë e Evçevskit, afër shkollës së muzikës, rruga që të çon drejtë fshatit Poroj.

Tani më në emër të pushtetit komunist Qazim Lusha për tu treguar i besës ndaj palës maqedonase, me ushtrinë e vet fillon pastrimin e qytetit. Ky natën e 16 nëntorit 1944, i burgosi edhe 10-15 udhëheqës të tjerë që kishin vepruar së bashku me forcat nacionaliste dhe nuk donin të dorëzohen. Në shtëpinë e improvizuar të Evçevskit, u burgosën edhe këta veprimtarë të kauzës kombëtare; Selim Shehapi, dr. Xhafer Sulejmani, Gajur Derralla, Hysen Derrala, Emin Roshi, Nejazi Istrefi, Sami Jakupi etj.
Me burgosjen e anëtarëve të Komitetit shqiptarë, pas marrëveshjes së arritur, të cilët u burgosën me tradhti të anëtarëve të Partisë Komuniste, së bashku me Shaip Kamberin, në Tetovë u arrestuan edhe Kadri Saliu dhe Jusuf Kuliku. Komunistët shqiptaro-maqedonas, pasi hynë në qytet në krye me Këshillin e përkohshëm, nuk pati fare krisma, me këtë ndërrim të pushteteve më 16 nëntor 1944. Në këto rrethana Tetova ishte e lirë, pasi Qazim Lusha si komandant i xhandarmërisë shqiptare e mbante vetë Tetovën nën kontroll. Ky më 16 nëntor ua dorëzoi qytetin partizanëve shqiptarë dhe atyre maqedonas. Këtë akt e kreu solemnisht, duke ia dorëzuar qytetin komandantit të artilerisë partizane, Sabri Vocit, nga Elbasani në bashkëpunim me shumë të rinj nga Tetova. Në dorëzimin e qytetit morën pjesë shumë aktivistë shqiptarë dhe maqedonas. Me këtë rast u krijua një administratë e përzier nga vetë tetovarët. Kjo vepër e partizanëve shqiptarë dhe ky bashkëpunim ndër shqiptar, i shqetësoi pa masë komunistët sllavo-maqedonas. Ata kërkuan nga Shtabi i Divizionit të merreshin masa kundrejt këtij akti të papranueshëm për ata dhe për pushtetin e ri komunist. Pas ca ditëve, Sabriu u burgos, së bashku me disa oficerë të tjerë shqiptarë. Në të njëjtën kohë u burgosën edhe shumë të rinjtë tetovarë në kampin e krijuar apostafat për shqiptarët në ”Monopolin e Duhanit”.
Qazim Lusha pasi i dorëzoi pushtetin Komitetit partizan të Tetovës, shpalli pushtetin e ri komunist, në të cilin bënin pjesë: Osman Tetova, Vera Tetova, dr. Zurap Zurapi, Amet Treni, V. Paparaniku, Qemal Hajrullahu, Dragan Spirovski, Sllave Zllatanovski, Kiro Nikifor, Sllavka Fidanova dhe disa të tjerë. Qemal Hajrullahu, pjesëmarrës direkt në këtë ngjarje, për dorëzimin e qytetit pranon publikisht: “Tetova u mor pa luftë në marrëveshje me forcat nacionaliste të udhëhequra nga Shaip Kamberi dhe partizanët shqiptar. Gjatë këtyre ndryshimeve protagonist kryesor ka qenë Qazim Lusha”.
Pas dorëzimit të qytetit, Tetova ishte e lirë për tre ditë resht deri më 19 nëntor. Në këto rrethana drejtë Tetovës u nisë Divizioni i 50, kurse nga Divizioni 42 mori pjesë brugada e 3-tretë dhe e 12-ta. Ndërsa Divizioni i Kumanovës dhe Brigada e 8 e Divizionit 42 u drejtuan në drejtim të Kaçanikut. Tetova u “çlirua më 19 nëntor”, sipas komunistëve). Ndërsa në bazë të fakteve; Tetova më 19 nëntor u rrethua nga forcat partizane sllave, duke mbyllur të gjitha hyrjet dhe daljet nga qyteti.
Në këtë kohë në mënyrë tejet civilizuese dhe në një frymë bashkëkohore, në Tetovë vepronin sëbashku komunistët shqiptarë dhe maqedonas. Por qyteti kryesohej nga Osman Tetova, sipas marrëveshjes me xhandarmërinë dhe popullsinë e vendit. Manifestimi i mbajtur më 16 nëntor, në qendër të Tetovës, ku me brohoritje dhe manifestime u kërkua bashkimi i shqiptarëve dhe të tjerëve. Në këtë manifestim në qendër të Tetovës para Xhamisë së qytetit miratuan: “Qytetin e çliruar nga okupatori dhe formuan administratën e përbashkët, me kryetar të qytetit, Osman Tetovën”.
Armiqësia shqiptaro-maqedonase fillon me ardhjen e forcave partizane sllave më 19 nëntor, Tetova rrethohet përsëri nga të gjitha anët dhe nga komanda e brigadave maqedonase, shpallet shtetrrethimi, filloi burgosja e të gjithë udhëheqësve të Tetovës të cilët deri në këtë kohë nuk ishin burgosur, bëhen arrestime të papara, gati në çdo shtëpi shqiptare. Maqedonasit në emër të luftës partizane, filluan spastrimin e popullatës nga mosha 16 deri në 70 vjeç, duke e akuzuar popullatën shqiptare si antikomunistë dhe bashkëpunëtorë të Ballit Kombëtar. Sipas dokumenteve angleze në këtë kohë u themeluan dy kampe më të mëdha në Maqedoni, ai i Prilepit dhe Monopoli i Tetovës.
Komunisti, Tomo Sofronievski, pas shumë akuzave që bëri ndaj shqiptarëve dhe forcave nacionaliste, deklaroi një të vërtetë: “Marrjen e qytetit nuk e ka bërë as Lutfi Rusi, as Dragan Spirovski, as Qemal Hajrullai, por atë e bëri forca, policia dhe ushtria”. Në atë kohë në Tetovë komandant i qytetit ishte Qazim Lusha, i cili ishte komandant i forcave të mëdha shqiptare. “Qazim Lusha pranoi të veprojë në anën e partizanëve pasi e zëvendësoi Hajdar Pllanën i cili shkoi për Prizren. Ky për të shpëtuar kokën e vetë u lidhë me partizanët.” Pra, maqedonasit dhe serbët më në fund u përkulën para fakteve: “Se Tetovën e kanë marrë forcat partizane shqiptare më 16 nëntor 1944, dhe pa luftë ua kanë dorëzuar forcave sllavo-komuniste më 19 nëntor 1944”.
Një ditë pas hyrjes së forcave partizane në Tetovë, më 20 nëntor 1944, erdhi gjenerali Iliç. Qazim Lusha deklaronte: “Unë i raportova për forcat e mbledhura partizane”. Gjeneral Iliç menjëherë e urdhëroi që të bënte çarmatimin e banorëve të fshatrave nga Tetova deri në Shkup. Forcat partizane shqiptare i shërbenin komandës sllavo-komuniste, që me veprimin e tyre, çarmatosnin fshatrat shqiptarë dhe e spastronin terrenin nga forcat nacionaliste. Derisa shqiptarët bënin spastrimin e terrenit nga rrethina e Shkupit, Tetova mbahej e rrethuar me forca të mëdha nga partizanët slavo- maqedonas.
Pas dy javë shtetrrethimi, komunistët maqedonas nuk pranuan udhëheqësin e mëparshme të emëruar në mënyrë tejet demokratike me në krye Osman Tetovën. Por pas pastrimeve politike që bënë në Tetovë kundër shqiptarëve, më në fund, më 3 dhjetor 1944 u caktua mbledhja e parë në Tetovë, ku kryetar i Konferencës u caktua me urdhër Lazo S. Ashovski dhe sekretar Boro Josifovski. Në të njëjtën mbledhje u formua edhe Këshilli Ekzekutiv për Tetovën. Kryetar u emërua Ilija Stojanovski dhe zëvendës i tij u caktua Osman Tetova.
Më 27 nëntor 1944 Brigada e Shqiptare e Tetovës arriti në fshatin Gllumovë, ku erdhi edhe Qemal Agolli, ish-udhëheqës politik i Brigadës IV Shqiptare. Ai i tha Qazim Lushës që të bëhej bashkimi i dy brigadave shqiptare në një brigadë të vetme, me emrin Brigada IV Shqiptare. Nga Gllumova u nisëm për në Shkup, pastaj vazhduan për në Kumanovë e Preshevë. Pasi brigada arriti në Preshevë, Qazim Lusha mori urdhër nga zëvendës komisari politik, Ramiz Danji, të kthehej përsëri për Tetovë dhe Gostivar, për të mobilizuar edhe 2 000 ushtarë të tjerë. Këta ushtarë të rij nga Tetova i nisën me të shpejtë për Preshevë dhe i futën në Brigadën IV Shqiptare. Pra, përveç Brigadës VII Shqiptare, me emrin Brigada VII Sulmuese, u formua edhe një brigadë tjetër shqiptare, me komandant Abdulla Preshevën, e njohur si Brigada 13 preshevare. Ky komandant më vonë vdiq në rrethana mjaftë të dyshimta.
Nga Presheva brigada u nis për në Beograd, pas një pushimi të shkurtër në Bujanovcë. Natën gati për çdo batalion dezertuan nga 200 shqiptarë. Ndër ta ishte edhe Hazir Tenova, i cili me batalionin e vetë nga Shkupi erdhi deri në malin e Thatë mbi Zhelinë dhe i shpërndau nëpër shtëpitë e veta. Sipas Qazim Lushës, nga batalioni i tij asnjë ushtarë nuk kishte ikur, apo dezertuar. Nga këtu brigada u nisë në këmbë për në Vrajë dhe arriti në deri në Srem, në fshatin Dubanovcë ku ishte edhe Qazim Lusha dhe Bajram Gola. Ky kapiten i Xhandarmërisë shqiptare që kishte qenë me shërbim në Tetovë: “pranon gjithashtu se shqiptarët nuk donin të vazhdonin rrugën për në fushën e Sremit dhe të vdisnin për interesat e të huajve”. Pas disa ditëve të qëndrimit në Dubanovc, ky paraqitet nga Rexhep Qena te shefi i seksionit politik Ramadan Daja, i cili njihej me Qazimin gjatë komandimit të tij në Tetovë. Këtu Qazim Lusha, mori njoftimin se ishte burgosur nga ana e Shtabit të Brigadës 42, ku i mbajtën 10 ditë në Beograd, pastaj e kthyen duar lidhur në burgun e Shkupit. Ky me urdhër të Ramadan Dajës dërgohet në Shqipëri, ku dënohet me vdekje. Por në vitin 1947 arrin të ikë nga burgu dhe kalon në Greqi, gjatë Inforbyrosë, nga Greqia kthehet prapë Tetovë, por burgoset përsëri nga UDB-a jugosllave, dhe dërgohet në vuajtje dënimi përsëri në burgun e Idrizovës.
Pra, Qazim Lusha edhe pse kishte detyrë të lartë në shtetin e bashkuar shqiptar, ku bënte pjesë edhe Tetova, ky si udhëheqës i Xhandarmërisë në Tetovë, tradhtoi pushtetin shqiptar, duke mbrojtur interesat sllavo-komuniste-partizane. Ky mblodhi vullnetarë nga Gostivari e Tetova për ti ndihmuar luftës partizane, me ta shkoi deri në fushën e Sremit. Ky gjatë udhëheqjes së tij në Tetovë, së bashku me Ahmet Punashevcin, burgosi në fillim një grup komandues të udhëhequr nga Shukri Çollaku, pasi ky grup kishte shkuar në fshatin Shipkovicë, për të kapur disa komunistë që kishin dalë në malet e Sharrit, të udhëhequr me Qemal Hajrullahin për shkatërrimin e sistemit aktual. Në këto rrethana të vështira Hysen Derralla me ndihmën e Qazim Lushës, donte të grabisë pushtetin në Tetovë. Mendimtarët e Hysen Derrallës me Ahmet Punashevcin, arritën të kontrollonin komandën e Xhandarmerisë në Tetovë më 14. XI. 1944. Me këtë grup ishte edhe Qazim Lusha, ky me këtë rast i mbylli udhëheqësit vullnetarë që luftonin kundër komunistëve, në krye me Çollakun. Ndërsa në anën tjetër i lëshoi nga burgu të gjithë që ishin të burgosur nga pushteti, me akuzë se luftonin për ide komuniste dhe ndihmonin luftën partizane. Qazim Lusha, grupin komunist e armatosi dhe e lëshoi nga burgu më 14 nëntor në mbrëmje, para se të mbahet marrëveshja te shkolla Bujqësore. Por duhet theksuar, se edhe për këto shërbime që u bëri këtyre Qazim Lusha, komunistët përsëri nuk ia falën, e burgosën dhe e shpallën tradhtar jugosllavët. Ky u dënua si tradhtar edhe nga pushteti komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri. Ky edhe pse u ndihmoi në çastet më të vështira të luftës për të riokupuar Gostivarin dhe Tetovën, kur në çdo skaj të Shqipërisë Lindore, Ushtria Vullnetare e Xhemës, Mefailit, Arifit, Avdylit, Sulës, mbronin kufijtë e territorit shqiptar, nga depërtimi i forcave partizane.
Pra, më 16 nëntor 1944, para se të hynë forcat partizane në Tetovë, Qazim Lusha për ta dëshmuar veten para komunistëve serbo-maqedonas filloi me mobilizimin e Brigadës tetovare e cila pa disa ditëve iu bashkëngjitë partizanëve të Brigadës së Shtatë Shqiptare. Para se të merrej Tetova nga forcat partizane shqiptare më 16 nëntor, Prefekt i fundit ka qenë Tafil Boletini i cili u largua nga qyteti më 17 nëntor, me pikëllim të madh për këto ngjarje. Pas mbarimit të luftës, sipas “drejtësisë sllave”, Qazim Lusha u shpall tradhtar edhe nga komunistët sllavo-maqedonas në Tetovë. Ata deklaruan se nuk mund të pranohet teza e Qemal Hajrullahit dhe e Dragan Spirovskit se “Qazim Lusha ka ndihmuar luftën partizane në Tetovë”, pasi Qazimi ishte në gjendje t’i ndihmonte edhe dreqit vetëm e vetëm për ta shpëtuar kokën e tij.

(Fusnotat janë hequr)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura