PROF.DR.VEBI XHEMAILI: MEHMET DERRALLA-TETOVA, SIMBOL I SHQIPËRISË ETNIKE NË QEVERINË E ISMAIL QEMALIT NË VLORË

Tetovë, 03. 12. 2013 – Mehmet Hasan Ruzhdiu lindi në vitin 1843 në fshatin Gradec, rrethi (nahija) e Tetovës. Mehmeti ishte i vetmi djalë i Hasanit që mbante mbiemrin Ruzhdiu-Derralla, që donë të thotë, me fjalë të tjera, “Derë e Rrallë”. 1 Hasan Derralla ka marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit më 1878, së bashku me Sheh Mustafë Tetovën dhe disa delegatë të tjerë nga Tetova, Gostivari dhe dy delegatë nga fshatrat e Rekës.2 Mehmet Ruzhdiu-Derralla, pasi mbaroi shkollimin e mesëm u diplomua në 2 Akademitë e Shtatmadhorisë ushtarake të Stambollit, ndërsa në moshën 35 vjeçare u gradua gjeneral nga sulltani në vitin 1879, pasi kishte treguar trimëri të mëdha në Bagdad dhe Halem të Sirisë.3 Një vit më herët kishte filluar të funksionojë edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878).
Mehmet Derralla më vonë shërbeu në Selanik, afër vendlindjes, ku njohu gjendjen reale të lëvizjes kombëtare në vilajetet shqiptare. Më pas u komandua në vilajetin e Kosovës, të Manastirit, kurse pas mbarimit të Kryengritjes së Kosovës më 12 gusht të vitit 1912, kur kryengritësit shqiptarë morën Shkupin dhe filluan bisedat, sulltani për të qetësuar situatën e krijuar në vilajetin e Kosovës, Mehmet Derrallën e emëroi Mytesarif në Prizren. 4 Në këtë detyrë mbeti deri me fillimin Luftës së Parë Ballkanike në tetor të vitit 1912, kur ushtritë serbe i shpallën luftë Perandorisë Osmane, de-fakto kjo ishte luftë kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar drejt pavarësisë së Shqipërisë Etnike.

Mehmet Derralla-Tetova (1843-1918)

Në vitet 1908-1912, shtëpia e Derrallajve në Tetovë u shndërrua në një çerdhe të shqiptarizmit, në veçanti pas Kuvendit të Ferizajt ku edhe Tetova kaloi në anën e xhonturqve të rinj, ndërkaq falë këtij revolucioni Mehmeti fitoi amnistinë dhe pas një muaji u kthye nga internimi dhe nuk pati mundësi të merr pjesë në Kuvendin e Ferizajt. Siç dihet, nga ky Kuvend Lëvizja Kombëtare Shqiptare mori hov në të gjitha fushat. Falë këtij kuvendi dhe vendosmërisë së shqiptarëve, në pushtet erdhën xhonturqit, të cilët nuk i mbajtën premtimet e dhëna ndaj shqiptarëve, që bëri përshpejtimin e rrugës drejt pavarësisë së Shqipërisë.
VEPRIMTARIA ATDHETARE E MEHMET DERRALLËS (1908-1912)
Me fillimin e trazirave në Kosovë 1908-1912, Mehmet Derralla dhe i biri Halimi ishin gjithmonë prezentë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vilajetin e Kosovës dhe më gjerë, duke dhënë ndihmesë edhe me ushtri. Deri sa Mehmet Derralla ishte në internim dhe nuk mori pjesë në Kuvendin e Ferizajt, ku fjalën kryesore e kishte Rexhep Vokë Tetova, ndërsa pranë tij qëndronte djali i madh i Mehmetit, Halim Derralla.5 Të dy së bashku, babë e bir, do të prisnin e do të përcillnin në shtëpinë e madhe në Tetovë; si Hasan Prishtinën, Sali Gjukën, Bedri Pejanin, Bajram Currin, Isa Boletinin, Mid’hat Frashërin, Hamdi Ohrin, Hoxhë Vokën dhe dhjetëra atdhetarë të tjerë nga krejt viset etnike shqiptare.
Dhuna ushtarake mbi shqiptarët u denoncua botërisht nga shqiptarët e Stambollit. Në fund të tetorit u formua një Komitet Nismëtar Kombëtar, i përbërë nga doktor Zenel Abedini, doktor Ibrahim Temo dhe Mehmet pashë Derralla (Tetova), i cili organizoi në Aksaraj të Stambollit dy tubime të rëndësishme, njërin më 27 tetor dhe tjetrin më 5 e 8 nëntor 1909. Si në mbledhjen e parë, ashtu edhe në të dytën, morën pjesë dhjetëra veta, intelektualë të profesioneve të ndryshme dhe deputetë, që përfaqësonin të katër vilajetet shqiptare. Në mbledhjen e nëntorit u miratua një promemorie, në të cilën përshkruhej gjendja tragjike që ishte krijuar në Shqipërinë e Veriut, për shkak të operacioneve ushtarake të qeverisë. Vihej theksi në mënyrë të veçantë në ndihmesën e shqiptarëve për shpalljen e kushtetutës më 1908 dhe për mbrojtjen e saj gjatë ngjarjeve kundërrevolucionare të 13 prillit 1909. Ishin forcat ushtarake qeveritare, thuhej në promemorie, ato që përdorën të parat forcën, që ngjallën tmerr kudo ku shkelën dhe u bënë shkak për armiqësimin e popullsisë me qeverinë. Në këto rrethana, shqiptarët u detyruan të ngrenë flamurin e kryengritjes. Edhe për ngjarjet e Lumës bëhej fajtore qeveria që deshi t’i shtypte ato me ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës, që përdori armët dhe dogji fshatrat e Lumës e të Prizrenit. Edhe pse ushtria u tërhoq, ajo la pas zona të shkretuara dhe urrejtjen e popullit.
Me qëllim që në të ardhmen të mos ndodhnin ngjarje të tilla, atdhetarët shqiptarë të Stambollit i propozonin qeverisë të ndërmerrte këto masa: të dërgohej në Shqipërinë e Veriut një komision për të bërë hetimet në vend për shkaqet e ngjarjeve që u parashtruan më lart; të gjithë ata që kishin bërë veprime të këqija të dënoheshin sipas ligjeve; të ngriheshin organet e rregullta të drejtësisë; të emëroheshin në ato zona të Shqipërisë së Veriut nëpunës, që dinin gjuhën e vendit dhe që do të ndihmonin në përparimin e popullsisë; të ngriheshin fortifikime në kufirin me Malin e Zi për t’i mbrojtur ato vise nga sulmet e malazezëve; të mos shtrihej në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës e të Manastirit shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili nuk ka qenë njohur asnjëherë nga popullsia; të ndërtoheshin sa më parë rrugët, ku të gjenin punë banorët e varfër të atyre viseve, të cilët detyroheshin të shkonin në emigracion në Serbi, në Bullgari e në Hungari; të hapeshin shkolla fillore në fshatra e në ato qytete ku nuk kishte të tilla.
Promemoria iu dorëzua më 13 nëntor 1909 Ministrit të Brendshëm, Talat Beut, për t’ia përcjellë qeverisë. Ajo u nënshkrua gjithashtu nga deputetët shqiptarë të parlamentit, të cilët kërkuan që Xhavit Pasha të largohej nga Rumelia dhe të hidhej në gjyq si shkaktar i trazirave në Gegëri.
Mbledhjet që u organizuan nga atdhetarët shqiptarë e nga grupi i deputetëve, patën jehonë në Stamboll dhe në opinionin publik në përgjithësi; ato treguan, siç shkruante gazeta “Lirija” e Selanikut më 12 dhjetor 1909, se “shqiptarët qenkan të zotë dhe kur duan mund të mblidhen e të kuvendojnë për të mirën e kombit”.6
Mehmet Derralla dhe Halimi do të marrin pjesë në Kuvendin e Gjilanit në vitin 1910, siç dihet do të përkrahin Kryengritjen e Kaçanikut dhe udhëheqësin e saj, Idriz Seferin.7 Ushtria e Mehmet pashë Derrallës për një kohë të gjatë edhe pas mbarimit të betejës së Kaçanikut kanë qëndruar në malet e Kaçanikut kah varri i Leshit.8
Dhuna e ushtruar nga Xhavit Pasha dhe nga ushtria osmane mbi shqiptarët thelloi edhe më shumë hendekun midis popullit shqiptar e xhonturqve, forcoi te shqiptarët bindjen se interesat e tyre si komb ishin krejt të veçantë nga ata të xhonturqve. Në një korrespondencë të dërguar nga Shkupi dhe të botuar në gazetën “Dielli” më 26 nëntor 1909, thuhej se “kombëtaria pati prej sjelljeve të turqve një fitim të madh”, se “pas ngjarjeve të Lumës filloi të gjallërohet edhe më tepër lëvizja kombëtare në Kosovë, u përhapën aq shumë idetë dhe dëshirat për vetëqeverimin e Shqipërisë, sa nuk ishte menduar kurrë e që as me një propagandë 20-vjeçare nuk do të kishim mundur t’i arrinim”.9
Njëri ndër udhëheqësit më të mëdhenj të vilajetit të Manastirit, Hamdi Bej Ohri, bashkë me Halim Derrallën udhëtuan nëpër Serbi, ku u takuan edhe me Nikolla Pashiqin, për të kërkuar ndihmë ushtarake për Kryengritjen e Përgjithshme që po përgatitej në Kosovë dhe trevat e tjera Lindore në pranverë të vitit 1912. Pastaj janë prezentë babë e bir në Kuvendin e Junikut të mbajtur më 21-25 maj të vitit 1912. Në këtë kohë, Mehemet Derralla do të jetë shumë aktiv në Prishtinë, ku do të udhëheq marrëveshjen midis Shqiptarëve dhe Turqve, pasi që ky ishte caktuar nga Paria e qyteteve për kryetar Komisioni. Mehmet Derralla, në këto bisedime që u zhvilluan në Prishtinë, do të kishte në Komision edhe Sahit Hoxhën e Shkupit dhe Xhemal Agushin e Prishtinës. Këta përfaqësonin qytetet shqiptare në bisedat me Komisionin turk nga Jeni Pazari deri në Preshevë e Bujanovc, Veles, Manastir e Dibër, si dhe ishin për një autonomi në kuadër të Perandorisë Osmane.10 Pas bisedimeve disa ditore të Komisionit në Prishtinë, u shfaqën tensione të larta midis krerëve shqiptarë dhe komisionit turk. Më në fund, me kërkesën e forcave nacionaliste të udhëhequra nga Hasan Prishtina, do të tërhiqen nga Prishtina dhe do të vazhdojnë për në Ferizaj, pasi që ky qytet ishte bë i njohur për kërkesat nacionaliste që nga Kuvendi i tij më 1908, që shkonin në favor të autonomisë së Shqipërisë. Në Ferizaj bisedimet nuk dhanë rezultatet e pritura në afatin e caktuar dhe pati një zhegitje të kërkesave të krerëve shqiptarë nga qeveria turke. Krerët shqiptarë më në fund vendosën të marshojnë drejt Shkupit, ku forcat e para shqiptare në krye me Ramadan Zaskocin hynë më 12 gusht dhe e ngritën flamurin kombëtar shqiptar mbi derën e burgut te Kalaja dhe Ura e Gurit.
Mememt Derralla pasi vetë ndodhej në bisedime me krerët e tjerë shqiptarë në Ferizaj, ku pranë tij në çdo kohë e kishte Ibrahim Pashën që udhëhiqte me komisionin turk, në anën tjetër Mehmeti pati edhe bisedime intensive me diplomatët e huaj që në këtë kohë kishin vërshuar Ferizajn. Mehmeti ishte në qendër të vëmendjes, në veçanti të atij austro-hungarez, në lidhje me veprimin e mëtutjeshëm që çonte në favor të autonomisë shqiptare.
Në këto takime, diplomacia austro-hungareze ishte tejet këmbëngulëse që të ruhet status-kuoja në Ballkan. Në këto rrethana, kur rryma më nacionaliste kërkonte marshimin drejt Shkupit dhe Selanikut, Mehmet Derralla urdhëroi dalin e tij, Halimin dhe Abdurrahman Beun, një familjar i tij, që të nisen drejt Shkupit me vullnetarë nga Tetova. Kjo pjesëmarrje aktive e të gjithë shqiptarëve në drejtim të Shkupit, verifikohet edhe sipas të dhënave të historiografisë serbe, e cila do të shënojë se ”në drejtim të Shkupit u nisën nga fusha e Pollogut mbi 4000 vullnetarë”.11
Me fillimin Luftës së Parë Ballkanike, forcat serbe pasi pushtuan Kaçanikun hynë në Tetovë, ku Mehmet Derralla ishte i vetmuar në mbrojtje të qyteteve shqiptare. Pasi u pushtua Shkupi më 26 tetor, pas dy ditëve ra edhe Tetova, ndërsa më 30 tetor edhe Gostivari. Pas fitores së Kumanovës, ushtritë serbe hynë në Shkup pa rezistencë dhe Shkupi u dorëzua pa luftë, duke djegur tre ditë e tre net fshatrat e Shkupit me rrethinë, njoftonte shtypi danez. Pas hyrjes së ushtrisë serbe në Shkup, komanda e saj urdhëroi që ushtria e saj të sulmojë në drejtim të Elbasanit, kah Manastiri dhe një pjesë tjetër e ushtrisë së saj të shkojë në drejtim të Tetovës dhe Gostivarit. Mehmet pashë Derralla tentoi të organizonte rezistencën kundër ushtrisë serbe, por nuk pati sukses në qëllimin e tij patriotik. Ushtria serbe, pas vendosje në këto treva, i konfiskoi familjes Deralla pasuri shumë të mëdha.12
Para pushtimit të Tetovës nga ushtria serbe, Mehmet Derralla u detyra me familjen e tij të ngushtë të largohet nga vendlindja, për në Dibër. Gjatë rrugës, Mehmetin e shoqëronin edhe dy djemtë e tij: Halimi dhe Munir Beu, ndërsa Gajur Derralla ishte vetëm dy vjeç. Halim Derralla qysh si student në Selanik ishte bërë bashkëpunëtor i ngushtë i kreut të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe vepronte së bashku me atdhetarët e tjerë, si me: Mit’hat Frashërin, Dervish Himën, Sali Gjukën, Hamdi bej Ohrin e shumë të tjerë.
Familja e Mehemet pashë Derrallës u prit përzemërsisht në shtëpinë e Jusuf Xhelilit, pasi me të kishte edhe miqësi familjare. Derralla takohet në Dibër edhe me Isa Boletinin dhe së bashku me delegatët e Dibrës nisen për në Vlorë. Më 21 nëntor, nga Dibra vazhdojnë rrugën për në Borovë–Rrapunik–Elbasan, ku qëndrojnë në shtëpinë e Aqif Pashës, prej nga vazhdojnë për Belsh–Lushnjë–Imsht–Mbrostar–Fier. Në qytetin historik të Vlorës, ata arritën një ditë pas Shpalljes së Pavarësisë. Si delegatë nga trevat Verilindore të Shqipërisë Etnike ishin: Mehmet pashë Derralla, Isa Boletini, Zejnel bej Begolli, Riza bej Gjakova, Dervish bej Mitrovica, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Qazim bej Peja, ndërsa nga Jeni Pazari, Naxhi Tahir Agai.13 Të gjithë këta delegatë, për shkaqe lufte, autorizuan Ismail Qemalin që të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë para se të arrinin ata në Vlorë.14 Përveç tyre, siç kemi thënë më lartë, kanë marrë pjesë edhe Dervish Hima nga Struga dhe Irfan bej Ohri. Nga Struga ka marrë pjesë edhe vëllai i Ibrahim Temos, Nuri Sojliu, i cili edhe firmosi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë Etnike në Vlorë.15
Me këtë rast, nuk duhet harruar ndihmën e madhe financiare që kishte dhënë vetë Mehmet Derralla.16 Me këtë rast nuk duhet harruar edhe ndihmën që ka dhënë edhe atdhetari i palodhshëm Fuad Dibra, ky vullnetarisht i kishte dhënë Ismail Qemalit mbi 30 mijë napolona floriri, që të operonte nëpër oborret diplomatike të Evropës. Ky atdhetar i madh i paguante edhe gazetat që botonin artikuj në dobi të çështjes sonë kombëtare.17 Fuat Dibra personalisht ka harxhuar vetëm për delegacionin shqiptar që qëndroi mbi gjashtë muaj në Konferencën e Parisit, mbi 500 mijë franga floriri. Ky atdhetar i shkriu për të mirën e çështjes kombëtare 5 hotele të tij në Paris. Fuat Dibra ka bashkëpunuar ngushtë pos me Ismail Qemalin, edhe me Dervish Himën, Ibrahim Temon, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Lef Nosin, Mithat Frashrin dhe Shefqet Shkupin. Ky ka luajtur një rol tejet pozitiv me rastin e bashkimit kombëtar në tokat e liruara nga Tetova, Struga deri në Dibër. Me rastin e vdekjes të këtij atdhetari të palodhshëm për Shqipërinë e bashkuar, Tetova mbajti tri ditë zie.18
Në aktin përfundimtar për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, i cili ka nënshkrimet e 63 delegatëve, pjesëmarrës të Kuvendit të madh të 28 Nëntorit 1912, përkrah emrave të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Nikollë Kaçorrit, Jani Mingës, Dervish Himës, Babë Dudë Karbunarës e të atdhetarëve të tjerë, dallohet qartë dhe firma e Sali Gjukës dhe Jashar Erebarës.19 Ky ishte një vlerësim i merituar për Sali Gjukën që i bënte atij populli shqiptar për përpjekjet e shumta dhe sakrificat e mëdha që kishte bërë deri atëherë për pavarësinë e Shqipërisë në Shkup. Kuvendi i Vlorës, duke marrë parasysh veprimtarinë e gjerë të Sali Gjukës, zgjodhi atë këshilltar në përbërjen e Pleqësisë (Senatit), detyrë që e kreu me përgjegjësi.20
Krerët e Lëvizjes Kombëtare të Vilajetit të Kosovës, pas një rezistence të madhe që arritën t’i bëjnë ushtrisë serbe më shumë se 40 ditë që nga beteja e Kumanovës, deri në Dibër, arritën të fitonin në faktorin kohë, pra të ndalonin hovin e makinerisë ushtarake të shteteve ballkanike, duke penguar depërtimin e saj të shpejtë drejt territoreve të banuara me shqiptarë dhe daljen e saj në Detin Adriatik. Rolin e krerëve të Lëvizjes Kombëtare dhe luftëtarëve trima të Vilajetit të Kosovës, më së miri e shprehu Ismail Qemali, kur i përqafoi para flamurit: Isa Boletinin, Mehmet pashë Derrallën dhe Riza Gjakovën, duke u thënë: ”Luftërat tuaja ishin rezultat i përpjekjeve të mija, ju me dyfek e unë me pendë”.21
Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga diplomati më i shquar shqiptar Ismail Qemali, pas shpalljes së Pavarësisë menjëherë iu rrek punës për themelimin e shtetit modern shqiptar me tipare të shteteve evropiane. Dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, propozoi zgjedhjen e organeve drejtuese të shtetit të ri shqiptar. Në seancën e dytë, më 30 nëntor të vitit 1912, të cilën e thirri Kryetari i Kuvendit dhe njëherësh mandatar për themelimin e Qeverisë së Përkohshme, vendosi të themelonte Qeverinë dhe organet drejtuese të qeverisë, që do të udhëhiqnin me resurset e shtetit të pavarur shqiptar.
Mandatari në këtë mbledhje propozoi një Qeveri në përbërje prej gjashtë ministrive. Ismail Qemali doli para Kuvendit me një listë, duke i propozuar këta emra: Mehmet Ruzhdi Derralla nga fshati Gradec, Mufit bej Libohova, Azis Pashë Vrioni, Vehbi Efendi-Dibra, Abdi bej Toptani, Mit’had bej Frashëri.22 Kjo qeveri e propozuar nga Ismail Qemaili, hasi në reagim të fortë nga vetë delegatët e Kuvendit, pasi që në këtë listë të mandatarit të parë të Qeverisë Shqiptare nuk figuronte asnjë i krishterë. Përbërja e Qeverisë së Re u shty për mbledhjen e ardhshme, që do mbahej më 3 dhjetor 1912.23
Ismail Qemali doli me propozim të ri, duke e shtuar numrin e ministrive nga gjashtë në tetë, që u pranua një zëri nga të gjithë delegatët. Kuvendi në mbledhjen e tij të pestë më 4 dhjetor 1912, 24 vendosi të aprovojë propozimin e Ismail Qemalit, e cila vu në votim para anëtarëve të Kuvendit, i cili u verifikua në Seancën e Pestë të Kuvendit që kishte filluar më 3 dhjetor dhe zgjati pandërprerë deri më 4 dhjetor, kur u bë votimi për ministra. Nga 63 delegatë të pranishëm ishin vetëm 57, vendi i tretë i takoi gjeneralit tetovar me 42 vota, pas Luigj Gurakuqit e Mufid Beut.25 Gjeneralit tetovar, Mehmet Derrallës i takoi Ministria e Luftës, ndërsa Ministria e Brendshme, Myfid Beut. Ky i fundit, pasi kishte mospajtime në qeverisjen e Ismail Qemalit, më vonë dha dorëheqje dhe u zëvendësua nga Esat Pasha.26 Edhe Esati shumë shpejt u largua nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës në krye me Ismail Qemalin.
Po atë ditë, Ismail Qemali i drejtohet Anglisë, Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Rumanisë, Malit të zi, Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Turqisë, për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë: “Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqesitë tuaja se delegatët e të gjitha krahinave shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohshme. Pasi arritën edhe delegatët e tjerë nga Kosova, Kuvendi Kombëtar numëronte 63 delegatë. Me plotësimin e numrit me përfaqësues të rinj, Kuvendi kaloi në zgjedhjet e anëtarëve të Qeverisë dhe të Pleqësisë. Në Qeverinë e Parë të Përkohshme të zgjedhur më 4 dhjetor bënin pjesë:
Ismail Qemali, Kryeministër dhe Ministër i punëve të Jashtme,
Zëvendëskryeministër: Dom Nikollë Kaçorri
Ministër i Brendshëm: Myfit bej Libohova
Ministër i Luftës: Gjeneral Mehmet pashë Derralla
Ministër i Bujqësisë: Pandeli Cale
Ministër i Financave: Abdi bej Toptani
Ministër i Arsimit: Dr. Luigj Gurakuqi
Ministër i Drejtësisë: Dr. Petro Poga
Ministër i Punëve Botore: Mit’hat Frashëri
Ministër i Postë-telegrafisë: Lef Nosi.
Nga Kosova, me të arritur në Vlorë, vetëm plaku 69 vjeçar u zgjodh ministër i Parë i Luftës, i lindur në Tetovë, që në atë kohë së bashku me Gostivarin i takonin Sanxhakut të Prizrenit, që ishte pjesë përbërëse e vilajetit të Kosovës, me kryeqytet Shkupin, deri në vitin 1912. Pra, Kosova dhe trevat e tjera lindore deri në Manastir, si bartëse kryesore e luftës katërvjeçare me mbi 55 kryengritje ndërkrahinore, fitoi vetëm një post me peshë në Shpalljen e Shqipërisë Etnike, atë të Ministrisë së Luftës, të cilën duhej themeluar nga fillimi. (V.Xh).
Mehmet Derralla-Tetova filloi punën me një disiplinë të rreptë ushtarake, në riorganizimin e Ministrisë së Luftës. Për zëvendës në këtë ministri ka pranuar vetëm persona të dëshmuar dhe atdhetarë të paepur, që kishin për pasion luftën për çlirim nacional e bashkim kombëtar, me vepra të mirëfillta kombëtare. Në këtë kohë, në përbërjen e zgjeruar të qeverisë shqiptare merrte pjesë edhe Ali Shefqet Shkupi,27 i cili para se të merrte pjesë në Qeverinë e Ismail Qemalit, është këshilluar edhe me Mustafa Qemal Ataturkun, që në atë kohë shërbente në Rumeli, nga viti 1910-1914, si oficer i lartë në komandën e ushtrisë turke. Mustafa Qemali shpirtërisht e ka përkrahur Pavarësinë e Shqipërisë.V.Xh). Qeveria e Parë Shqiptare e kryesuar nga Ismail Qemali, u konstituua si Qeveri e Parë e Kombit shqiptar më 4 dhjetor 1912 dhe ka vepruar deri më 22 janar 1914.28
Me sugjerimin e Mustafa Qemalit, Ali Shefqet Shkupi e la detyrën ushtarake dhe u nis për në Vlorë, ku u bë pjesë e Qeverisë së Ismail Qemalit. Pas themelimit të Ministrisë së Luftës, në fillim të vitit 1913 u emërua kryeshef i parë i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare. Ali Shefqet Shkupi tanimë ishte një oficer i dëshmuar në postet e larta që kishte pasur në Selanik. E dyta, ky njihej shumë mirë edhe me Mehmet Pashë Derrallën, gjatë shërbimeve të tyre në ushtrinë turke në Selanik dhe Shkup. Kjo ishte arsyeja pse Derralla e emëroi për zëvendës të tij në Ministrinë e Luftës. Ali Shefqet Shkupi ishte edhe pjesëmarrës dhe nënshkrues i rezolutës në Kongresin e mbajtur në Trieste, ku kërkohej nga Fuqitë e Mëdha që të ruhet Shqipëria si tërësi. Ky Kongres panshqiptar u organizua nga Dervish Hima prej 1 deri më 3 mars 1913. Pra, Ali Shefqet Shkupi për meritat patriotike dhe ato ushtarake që kishte, u emërua njëzëri Komandant i Parë i Shtabit Madhor të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare (UKSH).29 Ky luftëtar i madh për bashkim kombëtar, tërë jetën e tij veproi për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike. Veprimtaria e tij u dallua edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Ali Shefqet Shkupi veproi në mbrojtje të Shqipërisë së bashkuar gjatë viteve 1941-1944, kundër depërtimit komunist jugosllav në qytetet shqiptare, duke filluar nga Shkupi, Tetova e Gostivari, si dhe mori pjesë aktive edhe në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit.30
Në këto rrethana të vështira për Shqipërinë, disa feudalë shqiptarë për interesa të veta personale lëshuan Qeverinë e Ismail Qemalit dhe bënin çdo ditë pengesa në funksionimin e qeverisjes dhe demokratizimit të vendit. Disa shkuan aq larg sa që kërkonin si në vend, po ashtu edhe nga diplomacitë e jashtme, largimin e Ismail Qemalit nga posti kryetar i Qeverisë së Përkohshme, ndërsa udhëheqës i këtij grupi të njerëzve të pakënaqur ishte Sureja bej Vlora.31
Kjo rrymë erdhi në shprehje pas disa muajve, me formimin qeverisë së Esat Pashës më 12 (23) shtator 1913. Në taborin e Esat Pashës u futën edhe emra të njohur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si Preng Bib Pasha, Mehdi Frashëri, Syreja bej Vlora, Bedri Pejani e të tjerë. Pas përfundimit të Kryengritjes së Dibrës në tetor 1913, në Qeverinë e Esatit shkuan edhe Vehbi Dibra, Hasan Prishtina, Dervish Hima e shumë veprimtarë e tjerë.32
Më besnik deri në fund të qeverisjes së Ismail Qemalit, ngeli vetëm Mehmet pashë Derralla. Më 30 mars të vitit 1913, Ismail Qemali u nis në krye të delegacionit shqiptar, së bashku me Isa Boletinin, Dhimitër Beratin dhe Luigj Gurakuqin për në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në mbrojte të interesave kombëtare. Në të njëjtën kohë, qeveria kishte dërguar edhe dy delegacione të tjera; një në Romë dhe një tjetër në Vjenë. Këto delegacione vepronin atje për të siguruar përkrahjen e Italisë dhe Austro-Hungarisë, që të mbronin më me ngulm çështjen shqiptare, ndaj gjenocidit që ushtronin ushtritë serbo-malazeze në Shqipërinë Verilindore, si dhe ato greke ndaj popullsisë çame. Nisja e delegacionit shqiptar ndodhi kur Fuqitë e Mëdha kishin sjellë vendim për copëtimin e Shqipërisë Etnike në dy pjesë, ku pjesa Perëndimore përreth Detit Adriatik lihej e lirë, ndërsa Kosova dhe trevat e tjera Lindore, duke filluar nga Shkupi, Velesi e Manastiri deri në Dibër, iu dhanë shteteve ballkanike, përkatësisht qeverive serbo-malazeze.
Delegacioni shqiptar i udhëhequr nga Ismail Qemali pati në Romë më 1 prill takimin e parë me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, San Xhuliano, ku kryetari i Qeverisë shqiptare kërkoi nga ai sqarim në lidhje me caktimin jo të drejtë të kufijve etnikë pas vendimit të 22 marsit, pasi tanimë dihej se Konferenca kishte lënë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, gjysmën e territoreve të saj. Por, ministri italian jo që nuk pranoi kërkesat e delegacionit shqiptar, por u mundua së bashku me ambasadorin austriak në Romë, Mereyt, që ta bindin delegacionin shqiptar që të kthehet prapa për në Vlorë.33 Delegacioni nuk pranoi kthimin prapa, por vazhdoi misionin e tyre nëpër qendrat evropiane, ku qëndroi përafërsisht tre muaj nëpër kryeqendrat e Fuqive të Mëdha: Romë, Vjenë, Paris, Londër, për të protestuar kundër vendimeve të padrejta, pasi Shqipëria Etnike ishte ndarë në dy pjesë, që ishte në kundërshtim me vullnetin e shprehur të popullit shqiptar nga vetë delegatët e saj në Kuvendin mbarëkombëtar të Vlorës. Derisa delegacioni shqiptar ndodhej në Evropë, qeverisjen e vendit Ismail Qemali ia kishte besuar ministrit të Luftës, Mehmet Derrallës dhe jo zëvendësit të tij, Dom Nikollë Kaçorit34 dhe as Kryetarit të Senatit, Vehbi Dibrës.35
Në këtë kohë, Mehmet pashë Derralla ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit, edhe pse mbante postin e Ministrit të Luftës, sikundër që nuk u pajtua me vendimin e qeverive të mëdha. Prandaj, ky në bashkëveprim me Isa Boletinin e Ajdin Dragën u dërguan Qeverive të Mëdha një memorandum, ku kërkonin drejtësi për rishikimin e kufijve verilindorë nga gjashtë Fuqitë e Mëdha. Në këtë memorandum thuhej: ”Ne nuk mund të rrimë të qetë, ku një popullsi prej 1 milion shqiptarësh myslimanë e katolikë të bien nën sundimin serbo-malazez, ku përqindja e saj në këto territore shqiptare nuk arrin mbi 5%, të cilën gjë mund ta verifikoni në terren, me dërgimin e një Komisioni të Lartë evropian”.36
Për qëndrimin nacionalist të ministrit të Luftës, Mehmet pashë Derrallës, na jep të dhëna i dërguari special i Nikolla Pashiqit, Ballugçiqi, i cili thotë: “Vetëm Mehmet Tetova është më i vendosur kundër bisedave, për një marrëveshje të ardhshme shqiptaro-serbe”.37 Siç dihet, kryetari i Qeverisë serbe, Nikolla Pashiqi, kërkonte nga Qeveria Shqiptare lidhjen e një marrëveshjeje në bazë të së cilës Beogradi zotohej se do t’i jepte përkrahje Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, në rast se kjo pranonte vijën kufitare që do të caktonte Serbia dhe nuk do të kundërshtonte kërkesën e saj që Durrësi të caktohej pika tregtare e Serbisë. Këto kërkesa nuk i refuzoi Ismail Qemali, prandaj ky nuk pranoi të takohet as me Ballugxhiqin dhe as me ithtarët e tij në Vlorë. Nikolla Pashiqi urdhëroi Ballugçiqin që ta prisnin delegacionin shqiptar kur arriti në Milano, por edhe këtu patën qëndrime tejet të kundërta për një bashkëpunim të ardhshëm shqiptaro-serb. Ismail Qemali i tha Ballugxhiqit se “shqiptarët kurrë nuk do të pajtohen me ata kufij që i ka caktuar Konferenca e Londrës”.38
Mehmet Derralla-Tetova, së bashku me disa ministra në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit, përkrahën fuqishëm çlirimin e vendeve tona nga sundimi serb. Kjo shihet më së miri kur Qeveria e Ismail Qemalit përkrahu fuqishëm Kryengritjen e Shtatorit, e cila filloi në Dibër kah fundi i muajit shtator 1913. Në themelimin e “Komitetit për çlirimin e viseve të pushtuara” bënin pjesë Hasan Prishtina, Isa Boletini dhe Mehmet pashë Derralla. Ndërsa djali tij, Halim Derralla-Tetova, ishte emëruar udhëheqës i kryengritjes të krahinës lindore, që nga Dibra, Gostivari, Tetova deri në Shkup.39
Më 22 janar 1914, për t’i dhënë fund përçarjes brenda vendit, Ismail Qemali dha dorëheqje nga Qeveria, duke i dorëzuar pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.40 Kjo ishte një vepër e burrave të mëdhenj, që janë të rrallë në histori. Ky ishte një akt tejet demokratik dhe kombëtar, për të parandaluar situatën e përkeqësuar politike në vend. Për këtë arsye, në fund u largua përkohësisht nga Shqipëria.41
Në të njëjtën kohë pushoi edhe funksionimi i Ministrisë së Luftës. Mehmet Derralla pas kësaj periudhe u vendos në Durrës dhe pas ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri, ai së bashku me Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin u bashkuan me qeverisjen e Princ Vidit për të mirën e Shqipërisë, duke e vazhduar rezistencën e armatosur kundër sunduesve serbo-malazez. Këta vazhduan veprimtarinë e tyre patriotike, në organizimin e luftës deri në fund kundër zaptuesve serbo-malazez. Falë këtyre tre udhëheqësve kombëtarë u organizua një nga kryengritjet më të mëdha në trevat lindore, e njohur në histori si Kryengritja e Shtatorit, e cila filloi në Dibër me rrethinë në vitin 1913 dhe me të shpejtë u zgjerua në tre drejtime: i pari; Strugë-Ohër-Manastir, i dyti; Dibër-Rekë-Tetovë-Gostivar,42 dhe drejtimi i tretë; Lumë-Prizren-Pejë.
Po ashtu, këta atdhetarë të palodhshëm në luftë për çlirim e bashkim kombëtar, organizuan më vonë edhe kryengritjen e vitit 1914 dhe 1915 kundër ushtrisë serbe, deri në rënien e vendeve tona nën sundimin e Parë Bullgar më 1915-1918. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, me vendimin e Konferencës së Paqes në Paris, vendet e Shqipërisë Verilindore i jepen përsëri dhuratë Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene.
_____________
Referencat:
1. Fjala Derralla, në Pollog ka kuptimin ; “Derë e rrallë”, derë e pasur dhe tejet mikpritëse”.
2. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Maqedonisë nga kryengritja e Dervish Cares deri te Kryengritje e Dibrës 1913, Tetovë 2012, f. 265-269.
3. Arkivi i Maqedonisë, (DARM), Fond, UDB-RSVR, Dok.53, f.1; Biografia personale e jetës dhe veprës së Gajur Derrallës në burgun e Idrizovës.
4. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar 1912-1918, Tetovë 2003, f. 50.
5. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Maqedonisë nga kryengritja e Dervish Cares deri te Kryengritje e Dibrës 1913, Tetovë 2012, f. 265-269.
6. Lirija” e Selanikut më 12 dhjetor 1909.
7. Haxhi Hasani (Dullovi) nga fsh. Biçec, ishte pjesëmarrës ne betejën e Kaçanikut të vitit 1910. Haxhi Hasani kishte mbaruar fakultetin ne Stamboll. Ai kishte qene shef i protokollit të Mehmet pashës Derralles.
8. Po aty.
9. Në një korrespondencë të dërguar nga Shkupi, botuar në gazetën “Dielli” më 26 nëntor 1909.
10. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Maqedonisë së sotme nga Kryengritja e Dervish Cares 1843 deri te e Dibrës 1913, Tetovë 2012, f. 460.
11. Bogumil Hrabrak, Arbanashki Ustanci 1912 godine, “Vranjski Glasnik”, Kn.XI, Vrajë 1975, f. 288.
12. Mehmet Pashës serbët i plaçkitën 3 220 kg miell, mbi 5 325 kafshë të ndryshme, mullirin që bluante në ditë mbi 7 000 okë miell, një punëtori për radhitjen e duhanit, disa dyqane dhe depo mallrash, 30 dynym vreshtë dhe 80 dynym kopshte. Mehmet pashë Tetova ka pasur dhe shumë pasuri të tjera në Pollog, duke filluar nga fshati Glloboçicë, Tearcë, Gllogjë, Xhepçisht, Ratajë, Zhillçe dhe shumë pasuri të tjera malore në Sharr deri në Gostivar.
13. AQSH-Tiranë, Fondi Kuvendi kombëtar i Vlorës, dos. nr 2, f. 6, nr. i teleg. 347, më 20 nëntor 1912.
14. Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk (Bullgari), Ismail Qemali u dashurua me Kleoniqi Surmeli, e bija e Antonit, një fisnik grek nga Edirneja, nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-95).
15. Lumturie Rizvani, në Stamboll, botuar në gazeta “Shqiptare” – nga Gjergj Kabashi. Dr. Ibrahim Temo ishte djali i dytë në familjen e Murat Sojlit. Ai kishte edhe dy vëllezër, Abdullah dhe Nuri Efendiun. Nga rrethi familjar dolën pjesëtarë aktivë që ndihmuan me pushkë dhe penë gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare si i ati Murat, vëllai Abdullah me fëmijët, vëllai tjetër Nuri Sojliu, i cili mori pjesë dhe firmosi në Vlorë më 28.11.1912, Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
16. Sipas deklaratave të anëtarëve të familjes Derralla, dhënë autorit, Tetovë 2008.
17. Fuat Bej Dibra që dikur kishte 5 restorante në Paris, i kishte dhënë Ismail Qemalit 30 mijë napoleona florinj, që të shetiste Evropën dhe i paguante gazetat që të botonte artikuj në dobi të çështjes sonë kombëtare. Erdhi koha që kur u kthye në Shqipëri, nuk kishte ku të flinte. Mori me qira një shtëpi në Tiranën e vjetër.
18. Shaip Kamberi, Kryetar Komune i Tetovës në vitin 1944, me rastin e vdekjes së këtij atdhetari të madh, që shkriu tërë pasurinë e tij për të mirën e Kombit, shpalli tre ditë zi në qytetin e Tetovës.
19. Tirana “Observer” e shtunë 05-09-2009, Jashar Erebara lindi në Dibër më 1873, u shkollua në Shkup dhe Bukuresht. Ky atdhetar dhe intelektual i shquar dha një kontribut të madh patriotik dhe publicistik. U mor mjaft me botimet në gjuhën shqipe; kryeredaktor i gazetave “Albanija” dhe “Shkupi” etj. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, ku dha një kontribut të vlefshëm në jehonën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
20. Njëri ndër këta atdhetarë është dhe Sali Gjuka, lindi në qytetin e Pejës në vitin 1876, në një familje me tradita të larta atdhetare.
21. Po aty, f. 167.
22. Qeveria e Përkohshme e Vlorës… dok. nr. 50, f.52.
23. Po aty, dok-50.
24. Arben Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914,Tiranë 1978, f. 113.
25. Po aty. dok. nr.62.
26. Mufid Libohova, pas një kohe u emërua delegat i Shqipërisë në Komisionin ndërkombëtar të Kontrollit. Pas formimit të Qeverisë së Princ Vidit, Libohova bëhet Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Tuhran Pashës, aha dorëheqje më 10 korrik 1914, ndërsa me ardhjen e Zogut në pushtet u bë pjesë e qeverisë së tij dhe udhëhoqi me Ministrinë e Financave. Në qeverinë e Zogut udhëhoqi me Ministrinë e Financave, por pasi kishte bërë malverzime në këtë ministri në lidhje me financat. Zogu e zëvendësoi me italofilin, Fejzi Alizotin. Është merita e tij dhe Syreja bej Vlorës që u demaskua dhe u burgos majori Beqir Grebeneja, i cili në atë kohë përgatiste një grusht shtet në favor të xhonturqve në Vlorë.
27. Ali Shefqet Shkupi ka lindur në Shkup në vitin 1883. Shkollën fillore e kreu në Manastir, shkollën e mesme ushtarake në Selanik, pastaj mbaroi akademinë ushtarake në Stamboll së bashku me Qemal Ataturkun.
28. Qeveria e Parë e Turhan Pashës, 15 mars 1914 – 20 maj 1914, Qeveria e dytë mbretërore e Turhan Pashës, 28 maj 1914 – 3 shtator 1914. Kthimi i Esat pashë Toptanit dhe qeveria e tij, 5 tetor 1914–27 janar 1916 Qeveria e Turhan Pashës, 25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920, Qeveria e Sulejman Delvinës, 30 janar – 14 nëntor 1920
29. Qeveria e Përkohshme e Vlorës, Po aty, dok. Nr. 62. f. 73.
30. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Maqedonisë në mbrojtje të Shqipërisë Etnike, Tetovë 2008, f. 178
30. HHStA, PA raport i Petroviqit nga Vlora më 19 nëntor 1913; Më vonë në Qeverinë e tij shkuan; Hasan Prishtina, Vebi Dibra, Dervish Hima e të tjerë.
31. AQSH, Fond. 245, dos.26, f. f.35-36; Ndër ta ishin: Preng Bib pasha, Mehdi Frashëri, Syreja Bej Vlora, Dervish Hima, Bedri Pejani e tjerë, 12 shtator viti 1913.
32. HHStA, PA , Teleg. Nga Vjena dërguar ambasadorit Mereyt në Romë, Vjenë më prill 1913.
33. AQSh. Fond. 71, dos.1, dok. 10411-10412..
34. Qazim Xhelili, Vehbi Dibra, Tiranë 1998, f. 115. Disa studiues tentojnë ta paraqesin me pa të drejtë si zëvendës të Ismail Qemalit , derisa ai ishte me delegacionin nëpër Evropë, nga muaji mars deri maj të vitit 1913.
35. AQSh. Fond. 68, dos-5.
36. Sreten Martinoviq, Jedan izvshtaj iz Albanije 1913, “Godishnjak”, 1986, Prishtinë 1986, f.150.
37. Z. Cana, Shpalime historike, Prishtinë 1982, f. 322.
38. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar 1912-1918, Tetovë 2003, f. 120.
39. Pas kësaj u nënshkrua protokolli i mëposhtëm: ”Sot më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh në prezencë të Shkëlqesisë së Tij, Ismail Qemal Bej. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme i bindur se e vetmja mënyrë për t’u dhënë fund kushteve të mosmarrëveshjeve e të anarkisë së përhapur në vend, si dhe për të krijuar një qeveri të vetme për të gjithë Shqipërinë, që në gjendjen e tanishme të punëve mund të arrihet vetëm duke i dorëzuar pushtetin në dorë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit që përfaqësonin Fuqitë e Mëdha. Ismail Qemali ka përsëritur kërkesën që kishte paraqitur më parë në prezencë të ministrave, që Komisioni Ndërkombëtar i kontrollit të marrë pushtetin në dorë të tij. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit nderon ndjenjat patriotike që ka diktuar shkëlqesia e tij Ismail Qemal Beu. Ky e pranon këtë delegim të pushtetit rregullisht të autorizuar nga Fuqitë e Mëdha që të merr përsipër administrimin e Shqipërisë në emër të Fuqive që përfaqësojnë; Vlorë, më 22 janar 1914, Firmosur: Ismail Qemali, Nadolny, Petroviç, Krajevski, Harry llamb, Leoni , Petriaev.
40. Ismail Qemali u largua nga Vendlindja në drejtim të Francës, në fund u vendos në Spanjë. Ndërsa në prag të Konferencës së Parisit u ftua nga qeveria italiane. Në kryeqytet” i gjendur në një izolim të plotë, pa asnjë lajm nga Qeveria italiane dhe në pamundësi lëvizje, më 23 janar, Ismail Qemali përgatiti një konferencë për gazetarët. “Pas buke, Ismail Qemali hyri në sallonin ku e prisnin korrespondentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur dhe i lëkundur, nisi të belbëzojë e të mos i lidhte dot fjalët. Kërkoi ta shpinin në odën e banjës. Atje e mbyti shkuma e të vjellët….”. Të nesërmen, 24 janar 1919, mbylli sytë, në moshën 75-vjeçare, në rrethana akoma të dyshimta.
41. Arben Puto, Çështja Shqiptare në Aktet Ndërkombëtare të Periudhës së Imperializmit II, Tiranë 1987, f.87.
42. Arben Puto, Çështja Shqiptare në Aktet Ndërkombëtare të Periudhës së Imperializmit II, Tiranë 1987, f.87.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura